You are on page 1of 7

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

GJYKATA E LARTË
KOLEGJI CIVIL

Nr. 11243-00573-00-2015 i Regj.Themeltar


Nr. 00-2021-1390 i Vendimit

VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:

Ervin PUPE - Kryesues


Sokol SADUSHI - Anëtar
Ilir PANDA - Anëtar

Sot më datë 27.09.2021, mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit çështjen gjyqësore me


nr. 11243-00573-00-2015 regjistri, që ka lidhje me shqyrtimin e rekursit që i përket çështjes
civile me palë:

PADITËS/
I KUNDËRPADITUR: Xheladin Shala

I PADITUR/
KUNDËRPADITËS: Hanife Lisaku

OBJEKTI I PADISË: Njohje pronar mbi një sipërfaqe tokë truall dhe arë prej 526 m2 në
pasurinë nr. 27/64, fshati Qerret, Komuna Golem, Kavajë, pasi
vlera e objekteve është më e madhe se vlera e tokës.

BAZA LIGJORE
E PADISË: Neni 32/a i Kodit të Procedurës Civile; neni 175/3, 4 i Kodit Civil.

OBJEKTI
I KUNDËRPADISË: Lirimin dhe dorëzimin e pasurisë nr. 27/64.

BAZA LIGJORE
E KUNDËRPADISË: Nenet 32, 154, 156 dhe 160 të Kodit të Procedurës Civile; neni 296
i Kodit Civil.

KOLEGJI CIVIL

Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Ervin Pupe mbi rekursin e paraqitur nga pala paditëse e
kundër/paditur në këtë gjykim, Xheladin Shala, kundër vendimit nr. 891/10-2014-3277, datë

1
09.12.2014 të Gjykatës së Apelit Durrës, sipas përcaktimeve të nenit 472 dhe 480 të Kodit të
Procedurës Civile (K.P.Civile),

V Ë R E N:

I. Rrethanat e çështjes

1. Palët ndërgjyqëse në këtë gjykim janë në marrëdhënie të posaçme me njëri tjetrin,


përkatësisht ungji dhe mbesa.
2. Me vendimin nr. 153, datë 22.04.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë është
vendosur pjesëtimi i pasurisë trashëgimore të trashëgimlënësit Bislim Shala ndërmjet
trashëgimtarëve të tij Hanife Lisaku dhe Xhevahire Thaçi, duke u vendosur: “-Pranimin e padisë
së palës paditëse Hanife Lisaku, kundër të paditurës Xhevahire Thaçi me objekt pjesëtimin e
pasurisë nr. 24/16 prej 1370 m2 dhe pasurisë nr. 27/35 prej 2000 m2 (nga e cila 300 m2 truall
dhe 54 m2 ndërtesë) të ndodhura në fshatin Qerret Kavajë, duke pjesëtuar fizikisht pronën objekt
gjykimi sipas variantit të parë të akt ekspertimit si më poshtë: 1. Paditësja Hanife Lisaku të
marrë si pjesë takuese të saj tre sipërfaqe si vijon: -Parcela nr. 27/35-1 me sipërfaqe prej 300
m2 truall dhe 226,34 m2 tokë bujqësore me kufizime...;-Parcela nr. 25/16-1 me sipërfaqe 1000
m2 tokë bujqësore me kufizime...; -Parcela nr. 24/16-1 me sipërfaqe 685 m2 tokë bujqësore me
kufizime....; 2. E paditura Xhevahire Thaçi të marrë si pjesë takuese të saj tre sipërfaqe si vijon:
-Parcela nr. 27/35-II me sipërfaqe prej 1473,66  m2, tokë arë me kufizime...; -Parcela nr. 25/16-
II me sipërfaqe prej 1000 m2 tokë bujqësore me kufizime...; -Parcela nr. 24/16-II me sipërfaqe
prej 685 m2 tokë bujqësore me kufizime....”.
3. Bazuar në vendimin e mësipërm, i cili është regjistruar pranë ZVRPP Kavajë më datë
07.06.2011, ka lëshuar në emër të palës së paditur Hanife Lisaku, çertifikatën për vërtetim
pronësie për pasurinë me nr. 27/64, e llojit arë+ truall, me sipërfaqe totale prej 526 m2, nga e cila
300 m2 truall dhe ndërtesë 54 m2, me vendndodhje ne Qerret, Kavajë.
4. Pala paditëse Xheladin Shala, ka pretenduar se në sipërfaqen prej 526 m2 ka ndërtuar
disa objekte si: ndërtesë me tre kate, një depo, dy puse, një shtëpi të papërfunduar si dhe murin
rrethues të pronës, vlera e të cilave e kalon vlerën e truallit mbi të cilat ato janë ndërtuar.
5. Pala paditëse ka pretenduar se këto ndërtime i ka bërë në periudha të ndryshme, gjatë
kohës që ka jetuar së bashku me të prindërit e të paditurës, Bislim Shala dhe Sanije Shala, në
pronën e tyre me mirëbesimin dhe në dijeni të plotë të tyre. Pala paditëse ka pretenduar se
fillimisht është ndërtuar kati i parë i banesës prej tre katësh, depo dhe muri rrethues, dy puse apo
themelet e një banese të re. Të gjitha këto ndërtime janë bërë në kohën kur ka qenë gjallë vëllai i
tij dhe më pas kur ka qenë gjallë edhe kunata, me të cilën kanë jetuar së bashku.
6. Pala paditëse ka pretenduar se përsa kohë ndërtimet e kryera mbi sipërfaqen prej 526
m2 kanë vlerë më të madhe se vlera e tokës, ka kërkuar që të njihet pronar pasurisë së
paluajtshme tokë arë+truall me sipërfaqe totale prej 526 m2, nëpërmjet mënyrës së fitimit me
bashkim dhe përzierje, e cila parashikohet nga neni 174, 3, 4 të Kodit Civil
7. Bazuar sa më sipër, pala paditëse Xheladin Shala, në datën 12.01.2012 i është drejtuar
Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, me padinë me objekt të cituar në pjesën hyrëse, duke
pretenduar njohjen e të drejtës së pronësisë mbi truallin me sipërfaqe 526 m2, mbi të cilin ka
kryer disa ndërtime, vlera e të cilave e kalon vlerën e truallit mbi të cilin ato janë ndërtuar.
8. Pasi është njohur me padinë e paraqitur nga pala paditëse Xheladin Shala, pala e
paditur Hanife Lisaku, në datën 09.05.2012 i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë

2
me kundërpadinë me objekt të cituar në pjesën hyrëse, duke pretenduar lirimin dhe dorëzimi e
sendit nga ana e paditësit, pasi ai është posedues i paligjshëm i saj.
9. Pala e paditur kundër/paditëse Hanife Lisaku ka kundërshtuar se pala paditëse e
kundër/paditur nuk është pronar i ndërtesës mbi truallin prej 516 m2, pasi kjo ndërtesë është
ndërtuar nga babai i saj Beslim Shala në vitin 1970 dhe ka pasur një sipërfaqe prej 54 m2, e cila
është në të njëjtën çati me paditësin Xheladin Shala. Më pas kjo ndërtesë është rikonstruktuar
dhe të dyja palët kanë kryer shtesë të këtij objekti me dy kate. Me vdekjen e prindërve të të
paditurës së kundër/paditëse, Xheladin Shala e ka uzurpuar këtë banesë të prindërve të saj dhe e
ka poseduar në mënyrë të paligjshme, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të drejtuara atij për
ta liruar dhe dorëzuar këtë pasuri. Pala paditëse e kundër/paditur nuk disponon asnjë lloj titulli
pronësie për banesën, në ndryshim nga pala e paditur kundër/paditëse e cila ka titull pronësie për
këtë pasuri si dhe e ka të regjistruar pranë ZVRPP Kavajë. Për këtë arsye, pretendimi i tij për tu
bërë edhe pronar i pasurisë truall prej 526 m2 është i paligjshëm dhe i pambështetur në prova.
Këtë pretendim të saj, pala e paditur kundër/paditëse e ka mbështetur në parashikimet e nenit 296
të Kodit Civil.
10. Rezulton se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë ka pranuar për shqyrtim padinë dhe
kundërpadinë e paraqitur, si dhe ka urdhëruar kryerjen e një akti ekspertimi teknik, me qëllim
identifikimin e pasurisë objekt shqyrtimi, ndërtimet e pretenduara të kryera mbi të, si dhe
përcaktimin e vlerës së secilit prej tyre.
11. Sipas aktit të ekspertimit të ekspertes Luljeta Bocaj, ka rezultuar se objektet e
ndërtuara nga paditësi i kundër/paditur Xheladin Shala në pronën e të paditurit kundër/paditës
janë në vlerë më të madhe se vlera e truallit mbi të cilin janë ndërtuar. Objektet e ndërtuara mbi
truallin objekt shqyrtimi zënë këto sipërfaqe: (i) objekti me tre kate (pjesërisht i ndërtuar në
pronën e të paditurit dhe pjesërisht në pronën e paditësit) sipërfaqen e truallit nën objekt prej 67
m2 dhe së bashku me sipërfaqen funksionale në total 90,2 m2; (ii) banesa e papërfunduar zë
pjesërisht në pronën e paditësit sipërfaqen e truallit nën objekt prej 6 m2 dhe së bashku me
sipërfaqen funksionale 11 m2; (iii) depo zë sipërfaqen e truallit nën objekt 48 m2 dhe së bashku
me sipërfaqen funksionale në total 54 m2; (iv) dy puset së bashku me sipërfaqet funksionale nga
1.6 m2 secili dhe në total prej 3.2 m2; (v) ndërsa muri rrethues me gjatësi prej 59 ml zë një
sipërfaqe prej 9 m2 dhe së bashku me sipërfaqen funksionale 48.6 m2. Në total objektet e
ndërtuara nga paditësi i kundër/paditur zënë në pasurinë e të paditurës kundër/paditëse sipërfaqet
e truallit dhe tokës bujqësore nën objekt prej 130,2 m2 dhe së bashku me sipërfaqet funksionale
216 m2.
12. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë, me vendimin nr. 12-2013-168, datë
11.02.2013, ka vendosur: -Rrëzimin e kërkesë padisë të paditësit të kundër/paditur Xheladin
Shala  kundër të paditurit kundër/paditës Hanife Lisaku si të pambështetur në prova dhe ligj.
-Pranimin pjesërisht të kundërpadisë të paditurës kundër/paditëse Hanife Lisaku kundër paditësit
të kundër/paditur Xheladin Shala, duke u detyruar paditësi i kundër/paditur të lirojë dhe
dorëzojë pasurinë nr. 27/64 (arë+truall) sipërfaqen 1’, 2’, 3’, 4’ prej 526 m2, duke përjashtuar
sipërfaqen që zë ndërtimi me tre kate të vijëzuar me ngjyrë blu në aktin e ekspertimit.
-Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
12/1. Kjo gjykatë në mënyrë të përmbledhur ka arsyetuar se: “...Banesa me 3 kate e
ndërtuar pjesërisht nga paditësi i kundër/paditur në pronën e të paditurit kundër/paditës ashtu si
dhe objektet e tjera si depo, 2 puse mur rrethues janë pa leje ndërtimi dhe konsiderohen ndërtim
i paligjshëm bazuar në nenin 76/1 të ligjit Nr. 8405/1998 “Për urbanistikën”, ligji kohës në të
cilën janë përfunduar së ndërtuari objektet e sipërcituara. Është e qartë tashmë nga qëndrimi i
jurisprudencës sonë se ndërtimet e kundërligjshme nuk gëzojnë mbrojtje ligjore. Pra, ndërtuesit

3
e këtyre objekteve nuk mund të pretendojnë gjyqësisht të drejta pronësie apo të drejta të tjera
reale kundrejt të tretëve lidhur me këto ndërtime. Në kushtet kur ndërtimi është i paligjshëm, nuk
mund të pranohet se nga ky ndërtim burojnë të drejta pronësie mbi truallin, përsa kohë e drejta e
pronësisë mbi ndërtesën nuk është fituar në mënyrë të ligjshme. Paditësi i kundërpaditur
Xheladin Shala nuk provoi se është pronar i ndërtimit, si dhe nuk arriti të provojë para gjykatës
se ai mund të bëhet në të ardhmen dhe pronar i ndërtesës. Mosmarrëveshja objekt shqyrtimi
mund të zgjidhej sipas përcaktimeve të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për Legalizimin,
Urbanizimin dhe Integrimin e Ndërtimeve pa Leje”, i cili ka patur për objekt: “Legalizimin e
ndërtimeve të ngritura pa leje në "vendbanime formale", "zona informale", "territore të tjera", si
dhe të "shtesave pa leje në ndërtime me leje”, ku subjektet që kanë kryer ndërtime të paligjshme,
nëpërmjet përcaktimeve të këtij ligji kishin mundësi që të fitonin edhe pronësinë mbi parcelën
ndërtimore ku ata kanë ngritur ndërtimet pa leje. Për sa më sipër, padia e paditësit të
kundër/paditur Xheladin Shala duhet rrëzuar për shkak të legjitimitetit aktiv dhe në mungesë të
interesit të ligjshëm. Lidhur me kundër/padinë gjykata çmon se ajo duhet pranuar pjesërisht për
lirimin dhe dorëzimin vetëm të truallit dhe tokës bujqësore në total prej 526 m2, duke
përjashtuar sipërfaqen e zënë nga ndërtimi i banesës me tre kate. Rezulton i provuar se pala e
paditur kundërpaditës është pronar i pasurisë mbi të cilën janë bërë ndërtimet e kundërligjshme,
fakt i cili provohet me  Çertifikatën për vërtetim pronësie për pasurinë me Nr.27/64. Për këtë
arsye, gjykata çmon se duhet të lirohet vetëm trualli dhe toka bujqësore prej 526 m2 e poseduar
nga paditësi i kundër/paditur Xheladin Shala e zënë nga ndërtimet si depo, mur rrethues, dy
puse, ndërtime të cilat jo vetëm nuk gëzojnë mbrojte ligjore, por janë ndërtuar pas vdekjes së
trashëgimlënësit Bislim Lisaku. Lidhur me banesën prej 54 m2, e cila figuron në çertifikatën për
vërtetim pronësie, ka rezultuar se prona e sipërcituar nuk ka ekzistuar për shkak të ndërtimit të
ri bërë nga paditësi pas prishjes së tij. Kjo pronë nuk i ka kaluar të paditurit kundër/paditës edhe
nuk i është nënshtruar pjesëtimit në padinë e pjesëtimit, pasi prona nuk ka ekzistuar megjithëse i
është nënshtruar debatit gjyqësor në padinë e pjesëtimit. Gjithashtu, ky ndërtim rezultoi se është
bërë nga paditësi i kundër/paditur me materialet e tij dhe me dijeni e pronarit të truallit në të
gjallë të tij. Për këtë arsye, i padituri kundër/paditës nuk mund të kërkojë heqjen e këtij ndërtimi
sipas nenit 174 pika 4 e Kodit Civil…..”.
13. Kundër vendimit të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë, ka ushtruar të
drejtën e ankimit pala paditëse e kundër/paditur Xheladin Shala, i cili ka pretenduar këto shkaqe:
 Ndërtimet e palës paditëse të kundër/paditur janë bërë me pëlqimin dhe vullnetin e vëllait
të paditësit të kundër/paditur, të ndjerit Bislim Shala në kushtet e mirëbesimit, sipas nenit
175/3,4 të Kodit Civil.
 Pala e paditur nuk legjitimohet në ngritjen e kundërpadisë, pasi rezulton jashtë afatit 6-
mujor, por gjykata padrejtësisht e rrëzoi me vendim këtë pretendim të palës paditëse të
kundër/paditur.
 Siç u konfirmua nga ana e ekspertes Vjollca Teliti, vlera e objekteve të ndërtuara nga ana
e palës paditëse të kundër/paditur arrin në 25 milion lekë, ndërsa vlera e tokës arrin në
afro 5 milion lekë.
 Ndërtimet e kryera nga pala paditëse e kundër/paditur nuk janë të kundërligjshme,
pavarësisht se nuk është marre leje ndërtimi në organet kompetente dhe neni 175 i Kodit
Civil parashikon një përjashtim nga rregulli.
14. Kundër vendimit të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë, ka ushtruar të
drejtën e ankimit edhe pala e paditur kundër/paditëse Hanife Lisaku, e cila ka pretenduar këto
shkaqe:

4
 Gjykata e ka zgjidhur pjesërisht saktë konfliktin midis palëve ndërgjyqëse, por e ka lënë
konfliktin të hapur në lidhje me ndërtesën trekatëshe dhe truallin nën këtë objekt të
ndërtuar pa leje ndërtimi.
 Del qartë që ndërtesa trekatëshe ka të njëjtin status si ndërtimet e tjera, përderisa përbën
ndërtim të paligjshëm dhe nuk gëzon mbrojtje ligjore.
 Gjykata nuk mund të mbajë dy qëndrime për objekte ndërtimore me status të njëjtë, pra të
ndërtuara pa leje ndërtimi nga organet kompetente.
15. Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr. 891/10-2014-3277, datë 09.12.2014, ka
vendosur: - Lënien në fuqi të vendimit civil nr. 12-2013-168, datë 11/02/2013 të Gjykatës së
Shkallës së Parë Kavajë me këtë ndryshim: - Detyrimin e paditësit të kundër/paditur Xheladin
Shala të lirojë e dorëzojë në favor të të paditurës kundër/paditëse Hanife Lisaku, pasurinë nr.
27/64 (arë + truall) me sipërfaqe 526 m2, siç përcaktohet në aktin e ekspertimit grafik.
15/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “... Pretendimi i palës paditëse Xheladin Shala referon
tek njëra nga mënyrat e fitimit të pronësisë, të parashikuar nga neni 175/4 i Kodit Civil, fitimi i
pronësisë me bashkim e përzierje. Zbatueshmëria e kësaj dispozite nga gjykata, nënkupton edhe
ekzistencën e disa parakushteve, të cilat evidentohen në gjykimin civil nga procesi i të provuarit
në tërësi, të cilat konsistojnë në: i) mirëbesimi; ii) ndërtimi i objektit në tokën e huaj; iii) vlera e
ndërtimit të kalojë vlerën e tokës. Në vendimin njësues nr. 22, datë 13.03.2002 të Kolegjeve të
Bashkuara të Gjykatës së Lartë konkludohet se nga një ndërtim i paligjshëm nuk mundet të
pranohet se nga ai burojnë interesa të ligjshme dhe se nga një veprim i kundërligjshëm nuk
mund të pretendohet se vijnë pasoja të ligjshme. Në rastin objekt shqyrtimi nuk provohet interesi
i ligjshëm i palës paditëse në ngritjen e padisë, pasi nuk plotësohet njëri prej kritereve që kërkon
neni 175/4 i Kodit Civil, dhe që ka lidhje me përcaktimin e ndërtimit të ligjshëm në tokën e huaj.
Në kundërshtim me sa pretendohet në kërkesën ankimore të palës paditëse të kundërpaditur
Xheladin Shala, ligjvënësi nuk favorizon përmes përcaktimit të nenit 175/4 të Kodit Civil
ndërtimet e kryera pa leje ndërtimi, pra, ndërtimet e kundërligjshme, në kuptim të ligjeve nr.
7693/1993 “Për urbanistikën”, 8405/1998 “Për urbanistikën” dhe nr. 10119/2009 “Për
planifikimin e territorit”. Ndërtimet e paligjshme, për shkak të këtij statusi që gëzojnë, nuk
parashikohen si premisë për kërkime të tjera të ligjshme, mbi bazën e dispozitave të Kodit Civil.
Në rastin konkret, nuk u provua në gjykim që pala paditëse e kundër/paditur Xheladin Shala të
ketë aplikuar për legalizimin e banesës së tij, një pjesë e të cilës vendoset brenda pronës së palës
së paditur kundër/paditëse Hanife Lisaku. ...Gjykata e Apelit vlerëson se pala paditëse e
kundër/paditur Xheladin Shala konsiderohet posedues i paligjshëm i sipërfaqes së truallit dhe
tokës arë prej 526 m2, pjesë e pasurisë nr. 27/64 në pronësi të palës së paditur kundër/paditëse
Hanife Lisaku, në kuptim të nenit 305/2 të Kodit Civil, pasi e mban atë pa vullnetin e pronares së
paditur kundërpaditëse dhe pa ndonjë titull ligjor të vlefshëm. Këto fakte nuk kontestohen nga
pala paditëse e kudër/paditur Xheladin Shala. Pretendimi i ngritur nga Xheladin Shala në
kërkesën ankimore se palës së paditur kundër/paditëse Hanife Lisaku i është parashkruar padia
për të kërkuar lirimin dhe dorëzimi e sendit me kalimin e afatit 6-mujor nga momenti i ardhjes
në dijeni të faktit të ndërtimeve të kryera pa leje ndërtimi nuk qëndron, pasi padia e rivendikimit
është e pa parashkrueshme... Vendimi i dhënë nga gjykata e shkallës së parë është i drejtë përsa
i përket rrëzimit të kundërpadisë, por jo plotësisht i saktë përsa i përket pjesës së rrëzuar të
kundërpadisë. Kjo për faktin se, gjykata duket se është kontradiktore në arsyetimin e vendimit të
saj në këtë pjesë, pasi kjo gjykatë nga njëra anë pranon faktin se nuk ndodhemi përpara rastit të
fitimit të pronësisë me bashkim dhe përzierje sipas nenit 175/4 të Kodit Civil, për shkak të
paligjshmërisë së ndërtimeve të kryera nga pala paditëse e kundër/paditur, por nga ana tjetër
nuk e pranon plotësisht kundërpadinë për rivendikimin e sipërfaqes së tokës arë dhe të truallit që

5
zë ky ndërtim, me arsyetimin se ndërtimi nuk mund të hiqet për shkak të mirëbesimit të palës
paditëse të kundër/paditur, koncept i cili gjendet në nenin 175/3 të Kodit Civil. Për këtë arsye,
Gjykata e Apelit konkludon se ka vend për ndryshimin e pjesshëm të vendimit të gjykatës së
shkallës së parë, duke u pranuar tërësisht kundërpadia e palës së paditur kundër/paditëse Hanife
Lisaku”.
16. Kundër vendimit nr. 891/10-2014-3277, datë 09.12.2014 të Gjykatës së Apelit Durrës
ka ushtruar rekurs pala paditëse e kundër/paditur Xheladin Shala, përfaqësuar nga Av. Brunela
Kullolli, në të cilin ka parashtruar këto shkaqe:
 Të dy vendimet e dhëna nga gjykatat më të ulëta janë vendime të cilat janë marrë në
kundërshtim me ligjin procedural dhe janë rrjedhojë e keqzbatimit të ligjit material.
 Gjykatat kanë gabuar kur kanë rrëzuar padinë e paraqitur nga pala paditëse Xheladin
Shala, pasi në rastin konkret nuk janë plotësuar kushtet e nenit 175 të Kodit Civil.
 Gjykatat nuk kanë mbajtur në vëmendje faktin se ndërtimi i kryer nga pala paditëse e
kundër/paditur është bërë me materialet e tij, me shpenzimet e tij dhe është kryer në
kushtet e mirëbesimit, pavarësisht faktit se është ndërtuar në tokë të huaj.
 Gjykata nuk ka marrë parasysh faktin se nga akti i ekspertimit të realizuar gjatë gjykimit
ka rezultuar i provuar fakti se vlera e ndërtimeve të kryera e kalon vlerën e truallit mbi të
cilat ato janë ndërtuar. Vlera e ndërtimeve ka rezultuar në masën e 25 milion lekëve,
ndërsa vlera e tokës ka rezultuar në masën prej 5 milion lekë.
 Për sa më sipër, të dyja gjykatat duhet të kishin pranuar padinë e ngritur nga pala paditëse
e kundër/paditur, pasi janë plotësuar kushtet ligjore që kërkon neni 175 i Kodit Civil.
 Në këtë gjykim, pala paditës e kundër/paditur ka plotësuar të gjitha parakushtet që kërkon
neni 175 i Kodit Civil dhe që kanë të bëjnë me: -mirëbesimin, -vlera e ndërtimit të jetë
më e madhe se vlera e truallit mbi të cilin është ndërtuar, si dhe -ndërtimi të jetë kryer në
një tokë të huaj.
 Kodi Civil Shqiptar nuk e njeh të drejtën e pronësisë mbi ndërtesën e paluajtshme si të
drejtë që qëndron më vete, pavarësisht nga e drejta reale e pronësisë mbi tokën ku është
ngritur ndërtesa. Pra, nuk mund të ketë dy pronarë të ndryshëm, njëri i tokës dhe njëri i
ndërtesës mbi të.
 Si përjashtim i prezumimit të pronësisë së pronarit të tokës mbi çdo gjë të ndërtuar mbi të
në mënyrë të qëndrueshme e të vazhdueshme të parashikuar nga neni 173 i Kodit Civil,
neni 175/4 të këtij kodi, parashikon kushtet kur pronari i ndërtimit mund të njihet edhe
pronar i tokës me vendim gjyqësor.
 Paditësi është bërë pronar i ndërtesës në mënyrë të ligjshme dhe me mirëbesim. Për këtë
arsye, në kuptim të nenit 175/4 të Kodit Civil. ai ka të drejtë që të bëhet edhe pronar i
truallit mbi të cilin është ngritur ndërtimi, të cilat me bashkim dhe përzierje krijojnë një
send të vetëm të paluajtshëm. Në këtë rast, mënyra e fitimit të pronësisë është bashkimi
dhe jo shitja.
 Pretendimi i palës së paditur kundër/paditëse se Xheladin Shala ka uzurpuar padrejtësisht
sipërfaqen objekt shqyrtimi nuk qëndron, pasi kjo sipërfaqe nuk ka qenë asnjëherë në
pronësi të palës së paditur kundër/paditëse dhe pretendimet e kësaj pale kundër padisë së
ngritur janë të paligjshme.
 Përfundimisht, kjo palë ka kërkuar para Gjykatës së Lartë:
-Prishjen e vendimit nr. 3277, datë 09.12.2014 të Gjykatës së Apelit Durrës dhe vendimit
nr. 168, datë 11.02.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.

6
17. Me vendimin nr. 129, datë 04.03.2015 të Kolegjit Civile të Gjykatës së Lartë është
vendosur: “Pezullimin e ekzekutimit të vendimit nr. 168, datë 11.02.2013 të Gjykatës së Rrethit
Gjyqësor Kavajë, ndryshuar pjesërisht me vendimin nr. 981, datë 09.12.2014 të Gjykatës së
Apelit Durrës”.

II. Vlerësimi i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë

18. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, referuar akteve dhe provave që janë administruar në
dosjen gjyqësore dhe të cilat i janë nënshtruar hetimit gjyqësor, por pa i hyrë analizës dhe
vlerësimit të tyre, vlerëson se në rekursin e paraqitur nga pala e paditur kundër/paditëse Xheladin
Shala, nuk ekzistojnë shkaqet ligjore të parashikuara në nenin 472 të K.P.Civile, të cilat, ta bëjnë
të cenueshëm vendimin e gjykatës më të ulët.
19. Në lidhje me kushtet e pranueshmërisë së rekursit, e cila ka lidhje me plotësimin e
kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenin 472 të K.P.Civile, ky Kolegj konstaton se: (i) nga
ana e Gjykatës së Apelit Durrës, janë respektuar normat procedurale të cilat mund të çojnë në
pavlefshmërinë e vendimit gjyqësor apo të procedurës së gjykimit. Nuk rezulton, të ketë shkaqe
të rënda procedurale, të cilat, të kenë ndikuar dukshëm në dhënien e vendimeve; (ii) nga aktet
procedurale të gjykimit të zhvilluar, konstatohet se palëve iu është dhënë mundësia të realizojnë
të drejtën e tyre të mbrojtjes, të paraqesin prova, të njihen me provat e palës kundërshtare, të
debatojnë në lidhje me to, të shprehin qëndrimin e tyre për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, etj.,
duke u respektuar të gjitha parimet bazë, të zhvillimit të një procesi të rregullt ligjor; (iii) nga ana
e Gjykatës së Apelit Durrës, janë respektuar dhe zbatuar drejtë dispozitat e ligjit material. Kjo
gjykatë kanë bërë një cilësim të drejtë të fakteve dhe rrethanave që lidhen me mosmarrëveshjen,
ka kryer një analizë juridike të plotë të provave dhe e ka zgjidhur mosmarrëveshjen, në përputhje
me dispozitat ligjore në fuqi. (iv) vendimi e dhënë nga Gjykata e Apelit Durrës nuk vjen në
kundërshtim me praktikën e Kolegjit Civil apo Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
20. Për sa më sipër, ky Kolegj, vlerëson se rekursi i paraqitur nga pala e paditur
kundër/paditëse Xheladin Shala, nuk përmbahen shkaqe nga ato të parashikuara në nenin 472 të
K.P.Civile dhe për këtë arsye ky rekurs nuk duhet të pranohet.

PËR KËTO ARSYE,

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 480 të Kodit të Procedurës Civile.

V E N D O S I:

Mospranimin e rekursit të paraqitur nga pala e paditur kundër/paditëse Xheladin Shala,


kundër vendimit nr. 891/10-2014-3277, datë 09.12.2014 të Gjykatës së Apelit Durrës.

Tiranë, më 27.09.2021

You might also like