You are on page 1of 10

Politika e Jashtme e ShBA-së

POLITIKA E JASHTME E SHTETEVE TË BASHKUARA

Viti Akademik 2022-2023


Semestri I
Lektore: Dr. Alida TOMJA

Leksion 10: Shtetet e Bashkuara dhe Azi-Paqësori

Hyrje

Pas Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara u përballën me tri detyra historike si
fuqia dominuese kapitaliste në një botë që tridhjetë vitet e fundit qe trazuar nga një revolucion i
suksesshëm (BRSS), dy luftëra globale dhe një depression i madh ekonomik. Së pari, duhej të
rikrijoheshin kushtet që do të çonin në rindërtimin e një ekonomie ndërkombëtare të hapur.
Detyra e dytë ishte kufizimi dhe mundësisht, shkatërrimi i ambicieve të atyre që nga viti 1945 po
e shtynin botën drejt një drejtimi krejtësisht të kundërt nga ai i Shteteve të Bashkuara dhe
aleatëve të tyre. Dhe së treti, atyre u duhej të afronin ish shtetet e vjetra armike, ndërkohë që
duhej të balanconin fuqinë në rritje të atyre fuqive, interesat e të cilave ishin diametralisht të
kundërta me ato amerikane.
Në asnjë pjesë tjetër të botës kjo sfidë nuk do të paraqitej aq e vështirë për Shtetet e
Bashkuara sa në Azinë Lindore. Por do të ishte Kina, vendi ku dukej se bashkoheshin të gjitha
tensionet e Azisë, që prodhoi një sërë konfliktesh që paralizuan vendin dhe që më pas, më 1949,
sollën në pushtet komunistët. Tipologjia specifike e komunizmit revolucionar kinez jo vetëm që
solli në Azi Luftën e Ftohtë, por dhe i ka detyruar Shtetet e Bashkuara të ndërhyjnë ushtarakisht
në të paktën dy raste për të ndaluar atë që Washingtoni e shihte si ekspansion të komunizmit
kinez: së pari, në Kore, mes viteve 1950 dhe 1953 (një luftë që shkaktoi miliona viktima) dhe më
pas, në Vietnam, një konflikt i tejzgjatur, i cili mbaroi më në fund në vitet 1970, me humbjen më
të turpshme të Amerikës.
Ky leksion është një përpjekje për të shpjeguar nga një këndvështrim global një nga
transformimet më të mëdha të epokës moderne: duke kthyer disa rajone më të trazuara dhe të
përgjakura në botë pas mesit të shkullit të XX, në një nga ambientet gjeopolitikë më të
stabilizuar dhe të pasura në fund të po këtij shekulli. Azia Lindore pësoi ndryshime rrënjësore, të
cilat u kryen për shkak të rolit që luajtën Shtetet e Bashkuara.
Për të vërtetuar këtë, leksioni është ndarë në disa pjesë. Në pjesën e parë do të
përqendrohemi në metamorfozën më kritike: atë të Japonisë, një komb që gjatë viteve 1930 dhe
1940 përbënte një rrezik për gjithë rajonin, ndërkohë disa vjet më pas, pas humbjes që iu

1
Politika e Jashtme e ShBA-së

shkaktua nga Shtetet e Bashkuara, ka luajtur një rol përherë e më konstruktiv përkrah
mbështetësit dhe bamirësit të saj amerikan. Në pjesën tjetër, ne do të vazhdojmë me shpjegimin e
ndryshimeve po aq të rëndësishme në marrëdhëniet SHBA-Kinë. Siç do të shohim, lidhjet
përherë e më të forta mes Shteteve të Bashkuara dhe një shteti i cili drejtohej nga një Parti
Komuniste, jo vetëm që ka transformuar Azinë Lindore që nga vitet 1970, por dhe vetë rendin
ndërkombëtar. Në pjesën e tretë, do të shqyrtojmë një nga apektet më të pazgjidhura që na ka
lënë trashëgim Lufta e Ftohtë: problemet që sjell Koreja e Veriut për të zotëruar armë
bërthamore. Më pas, do të shtrojmë një nga pyetjet që shumë ekspertë janë munduar t’i japin
përgjigje që nga fundi i Luftës së Ftohtë, asaj nëse rajoni i Azi-Paqësorit e ka lënë pas të
kaluarën e tij të pazgjidhur, apo jo. Siç paraqitet dhe në analizën tonë, i gjithë rajoni vazhdon të
shfaqë ende probleme, por ka më shumë arsye për të qenë optimist sesa pesimistë për zgjidhjen e
tyre. Zona Azi-Paqësor nuk ka gjasa për rivalitete të reja dhe të rrezikshme.
Në përfundim, do të mundohemi të përcaktojmë perspektivën afatgjatë të Amerikës në
rajon. Këtu nisemi nga e njëjta pikë si ata që pretendojnë se rajoni ose po largohet nga Shtetet e
Bashkuara, ose se një Kinë në ngjitje ka gjasa të zëvendësojë aty SHBA-në pas disa dekadash.
Sipas studimeve, Shtetet e Bashkuara do të jenë dhe për disa kohë faktori kryesor në Azinë
Lindore. Sidoqoftë, ka ende aktorë të fuqishëm, amerikanë por edhe lokalë, që do t’i mbajnë
Shtetet e Bashkuara të lidhura me rajonin në të ardhmen e afërt. Do të duhet të kalojë ende kohë
para se ne të flasim për Shekullin e Paqësorit.

1. Japonia, Shtetet e Bashkuara dhe rendi i ri aziatik

Që në fillimet e historisë së tyre, Shtetet e Bashkuara ndoqën një politikë zgjeruese drejt
lindjes, e cila çoi në konflikt me Japoninë në mes të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe me
Perandorinë Kineze në fund të tij. Të vetëdijshëm se fuqia e tyre kishte epërsi në të gjitha
aspektet ndaj asaj që ofronte Azia, amerikanët, i shihnin vendet me të cilat binin në kontakt me
një përzjerje përbuzjeje, me një dozë të mirë racizmi tipik për shekullin e nëntëmbëdhjetë. Popujt
e Azisë dukej sikur ofronin pak frymëzim, dhe dukej se gjëja më e mirë që mund të bëhej për ta
ishte kthimi në besimin e krishterë, ose t’i pushtojnë me shpresën se më vonë, pas vitesh tutele të
kujdesshme, ata do të bëheshin po aq të civilizuar sa dhe vetë amerikanët.
Në fakt, nëse amerikanët ishin të prirë të shihnin aziatikët e tjerë si qënie inferiore apo të
çuditshme, për japonezët kishin një lloj konsiderate. Shtetet e Bashkuara shihnin tek ky komb që
kish hyrë në rrugën e modernizimit që nga fillimi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, diçka të
ngjashme me traditën e tyre anglo-saksone. Japonia kishte dhe një vlerë praktike. Në fillim, ajo
ishte një mburojë kundër Rusisë imperialiste (1904), më vonë, kundërshtare ndaj BRSS-së.
Gjithë kjo situatë do të ndryshonte, ndërkohë që Japonia po përgatitej të fillonte
pushtimet e saj imperialiste në Azi, aneksimin e Koresë më 1910, pushtimin e Mançurisë në vitin
1931, sulmin e saj ndaj Kinës gjashtë vjet më vonë, deri tek pushtimi i pjesës më të madhe të
Azisë Lindore në vitin 1941, të pasuar pas pak nga sulmi mbi flotën e Paqësorit të SHBA-së të
ankoruar në Pearl Harbour. Kjo ‘ditë turpi’, siç e cilësonte presidenti Roosevelt, jo vetëm që futi
Shtetet e Bashkuara në atë që do të kthehej në një luftë të përgjakshme në Paqësor, por edhe e
2
Politika e Jashtme e ShBA-së

bëri atë pjesë të përhershme të peisazhit strategjik në Azi, si dhe një aktor të rëndësishëm brenda
vetë Japonisë. Nuk ka dyshim se për shtatë vjet pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, qenë
amerikanët ata që efektivisht qeverisën Japoninë, e cila la gjurmë të pashlyeshme dhe
përgjithësisht pozitive në mendjen e shumë japonezëve.
Me mjaft rëndësi për suksesin e marrëdhënieve të pas luftës qenë një sërë marrëveshjesh
të arritura mirëkuptimi mes dy vendeve. E para do të ishte pranimi nga ana e elitës drejtuese
japoneze e varësisë së vendit në rendin e ri Paqësor të drejtuar nga Amerika, në këmbim të
garancive për sigurinë e vendit. Kjo nënkuptonte shpenzime të ulëta ushtarake nga Japonia dhe
nënshkrimin e një deklarate ku ky vend zotohej se nuk do të zotëronte, as kërkonte kurrë të
përftonte armë shkatërrimi në masë. Japonia do të mbetej neutrale për aq kohë sa Amerika do të
ishte e aftë ta mbronte. Kishte gjithashtu edhe një aspekt tjetër specifik ekonomik në këtë ujdi, ku
Shtetet e Bashkuara kërkonin që Japonia t’i përqendronte forcat për të zhvilluar asetet e saj jo të
konsiderueshme ekonomike, në këmbim të aksesit të privilegjuar në tregun amerikan. Së fundmi,
ajo që do të kopsiste këtë marrëdhënie, ishte njohja nga ana e SHBA-së e faktit se Japonia mund
të ndërmerrte disa politika të jashtme autonome, por gjithsesi asnjëherë në kurriz të rendit rajonal
të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara.
Gjithsesi, herë pas here ka patur fërkime, si në rastin e viteve 1980, kur eksportet e larta
japoneze në SHBA nisën të krijonin shqetësime ekonomike tek kjo e fundit. Po ashtu e djathta
japoneze vazhdonte të ishte e shqetësuar për statusin e Japonisë dhe që në vitet 1990
argumentonte se vendi duhej t’i thoshte ‘Jo’ Amerikës në Paqësor. Megjithatë, një protagonizëm
i theksuar s’është se e joshte shumë Japoninë. Së pari, ekzistonte një fakt i thjeshtë, por i
rëndësishëm politik. Koalicioni liberal-demokrat që drejtoi Japoninë për një kohë të gjatë, nuk
ishte i interesuar të sfidonte një Amerikë me të cilën ata ishin të lidhur fort. Kjo kishte gjithashtu
të bënte shumë me politikën ekonomike: marrëdhëniet mes dy vendeve kishin çuar në dyzet vjet
rritje të qëndrueshme dhe shumë japonezë nuk kishin dëshirë të prishnin diçka prej të cilës do të
vazhdonte të varej prosperiteti i tyre. Së fundmi, kishte të bënte me rajonin akoma problematik
ku bënte pjesë Japonia. Siguria e tyre varej nga Washingtoni, dhe kjo për arsye shumë të forta.
Marrëdhëniet me Kinën vazhdonin të ishin të tendosura. Kishte ende tensione të pazgjidhura në
gadishullin e Koresë. Rusia pas-komuniste mbante nën kontroll territore që Japonia i
konsideronte si të sajat. Për të gjitha këto arsye Japonia vazhdonte të ngulte këmbë se qe mjaft
më e sigurt të qëndronte pranë një aleati, mbështetja e të cilit ishte jetike.

2. Kina dhe Shtetet e Bashkuara

Në rajonin Azi-Paqësor, sfidën më të madhe e paraqiste një komb me të cilin Shtetet e


Bashkuara kishin qenë formalisht aleatë deri afër fundit të viteve 1940. Kjo sfidë ishte pjesërisht
ideologjike, pjesërisht strategjike dhe pjesërisht e kushtëzuar nga zhvillimet në politikën e
brendshme amerikane pas hyrjes së Kinës në Luftën e Koresë kundër forcave amerikane, në
dimrin e vitit 1950.
Ndryshimi i madh strategjik, që fillimisht theu ngërçin diplomatik dhe më pas bëri të
mundur që Shtetet e Bashkuara të vendosnin marrëdhënie diplomatike me Pekinin, është
3
Politika e Jashtme e ShBA-së

përshkruar me mjaft hollësi si nga historianët, por edhe nga studiuesit e politikës ndërkombëtare.
Sipas një shkolle mendimi, marrëveshja e re ishte ndërgjegjësimi nga ana e kinezëve dhe
amerikanëve, se armiku i tyre më i madh ishte Bashkimi Sovjetik. Të tjerë e kanë vënë theksin te
përpjekjet e Amerikës për t’u tërhequr sa më shpejt që të ishte e mundur nga Vietnami, duke
përdorur ndikimin diplomatik të Kinës, si një mënyrë për të mbuluar tërheqjen. Disa kanë
sugjeruar se qëllimi afatgjatë amerikan qe ai i hapjes së Kinës dhe kësisoj tërheqjes së saj sërish
në kampin perëndimor. Në fakt, ka të ngjarë që nëse Mao Ce Duni nuk do të kishte vdekur në
vitin 1976, ose nëse ekonomia kineze nuk do të kishte qenë kaq e dobësuar nga politikat e tij të
mëparshme, apo nëse Bashkimi Sovjetik nuk do të kishte vepruar aq pa takt në fund të viteve
1970, duke pushtuar Afganistanin, çka rriti tensionet e Luftës së Ftohtë, marrëdhëniet e reja
ndoshta s’do kishin ndodhur kurrë. Por, ajo që ndodhi transformoi skenën ndërkombëtare, duke e
sjellë Kinën më afër ish armiqve të saj ‘imperialistë’.
Afrimi i Shteteve të Bashkuara me Pekinin, i pasuar nga zbatimi i reformave radikale
ekonomike në Kinë, si dhe ndërgjegjësimi i saj se modernizimi kërkonte një afrim akoma më të
ngushtë me ekonominë globale, e vuri vendin në një udhë të re, e cila për më shumë se njëzet e
pesë vjet do të kishte ndikim të madh për botën dhe Shtetet e Bashkuara. Për Amerikën,
përfitimet do të ishin kolosale. Së pari, Kina braktisi rrugën revolucionare në Azi, duke ndihmuar
në përmirësimin e rolit të dobësuar përkohësisht të Shteteve të Bashkuara pas humbjes në
Vietnam. Kina luajti gjithashtu rol të rëndësishëm në përmbajtjen e rivalit kryesor të Amerikës,
Bashkimit Sovjetik. Së fundmi, duke lehtësuar rrugën e Kinës nga një ekonomi e centralizuar
drejt asaj të tregut, Shtetet e Bashkuara hapën një kapitull të ri në kapitalizmin botëror. Sigurisht
që adoptimi i ekonomisë së tregut nga Kina do të kishte një impakt të madh ideologjik. Ishte
heqja dorë e Kinës nga planifikimi që ndikoi më shumë se gjithçka për minimin e Marksizmit si
një projekt politik global.
Natyrisht që lidershipi kinez vazhdonte të deklaronte në publik bindjet socialiste, duke
argumentuar vazhdimisht se kjo nuk po e çonte Kinën drejt rrugës së kapitalizmit, por se ajo po
ndërtonte formën e vet të socializmit me ‘karakteristika kineze’. Kina tashmë ishte hedhur me
kokë drejt modernizimit dhe s’mund të linte asgjë që t’i dilte përpara. Duke u mbështetur në
kapitalet e huaja, në krahun e bollshëm dhe të lirë të punës, aksesin e drejtëpërdrejtë në tregjet
perëndimore, si dhe një sistem politik kontrolli që nuk lejonte as greva e as sindikata, Kina do të
kalonte për njëzet vjet atë për të cilën shumë vendeve në Europë u ishin dashur dy apo tre
gjenerata. Rezultatet ekonomike ishin mbresëlënëse dhe në disa raste të linin pa fjalë. Çdo vit,
prodhimtaria e vendit rritej me 10% duke e kthyer vendin në një prej lojtarëve më të rëndësishëm
të ekonomisë globale të shekullit të njëzet e një. Kina po luante rolin e një motori të mirëpritur të
ekonomisë botërore duke blerë borxhin e madh amerikan me tepricat e mëdha të dollarëve si dhe
duke ndihmuar në mbajtjen e ulët të inflacionit në SHBA.
Gjithsesi, pavarësisht nga këto ndryshime kritike, marrëdhëniet mes Shteteve të
Bashkuara dhe Kinës së re nuk ishin pa probleme. Liderët kinezë ishin të vendosur fort që të
siguronin se zhvillimi ekonomik nuk do të shoqërohej me humbjen e kontrollit të partisë
komuniste, diçka që amerikanët e konsideronin si shqetësuese (sidomos pas masakrës së Sheshit
Tienanmen në vitin 1989). Në sipërfaqe qëndronte gjithashtu dhe problemi i madh i Taiwanit, një
4
Politika e Jashtme e ShBA-së

prej aleatëve kyç të Shteteve të Bashkuara në fillimet e Luftës së Ftohtë, tashmë një vend
demokratik, ekzistenca e së cilit ishte një problem real për lidershipin kinez.
Së fundmi, mbetej një problem afatgjatë mbi ndikimin e ngjitjes së shpejtë të Kinës në
raport me pozicionin e Amerikës në kuadër të sistemit ndërkombëtar. Optimistët pretendojnë se
një ekonomi kineze dinamike dhe e integruar, ishte diçka e mirë për konsumatorin amerikan,
pozitive për ekonominë amerikane. Ata vinin në dukje gjithashtu vullnetin e mirë të Kinës për të
ndihmuar Shtetet e Bashkuara në një sërë çështjesh të mëdha strategjike si Koreja e Veriut, apo
lufta ndaj terrorit. Çështja nuk është nëse Kina po fuqizohet paqësisht, por se ç’do të ndodhte kur
ajo të kishte realizuar ngjitjen e saj. Ndërkohë janë të paktë amerikanët që kanë një përgjigje të
qartë për këtë pyetje.

3. Shtetet e Bashkuara, Koreja dhe trashëgimia e Luftës së Ftohtë.

Nëse lidershipi kinez u tregua i zgjuar duke kuptuar se një vend formalisht komunist
mund të përfitonte nga ekonomia gloale, pa hequr dorë nga kontrolli që ushtronte në vend, fqinji
dhe aleati formal i Kinës, Koreja e Veriut, dëshmoi po të njëjtën zgjuarësi duke kuptuar se si
mund të mbijetonte në një situatë ku vala e historisë qe kundër, pas rënies së kumunizmit në
Europë. Koreja e Veriut synonte se duhej të bëhëj ç’ishte e mundur që shteti komunist që ata
kishin ngritur me aq mund që prej vitit 1945, të mos ndryshonte aspak.
Metoda e përdorur nga Veriu ishte brutale, por e thjeshtë: ajo e kërcënimit të përdorimit
të armëve bërthamore dhe programit të tyre të diskutueshëm bërthamor, si një mënyrë për të
përfituar lëshime nga kundërshtarët (kryesisht Koreja e Jugut), si dhe duke detyruar ndërkohë
komunitetin ndërkombëtar të binte në ujdi me Veriun. Koreja e Veriu e cila po ngrinte
shqetësime serioze në Washington që prej fundit të viteve 1980, filloi të vepronte në mënyrë
agresive, aq sa aty nga viti 1993 ajo kërcënoi tërheqjen nga Traktati i Mos-Përhapjes Bërthamore
(NPT). Këto sinjale vunë në alarm Washingtonin. Pas dilemave të shumta u arrit në vendimin e
krijimit të të ashtuquajturës ‘Marrëveshje Kuadër’ e vitit 1994, një zgjidhje kompromisi, e cila i
bëri një sërë lëshimesh regjimit komunist, në këmbim të premtimit se vendi do të qëndronte
anëtar i NPT-së.
Adoptimi i asaj që shumëkush në Shtetet e Bashkuara e shihte si një politikë të çale të
detyruar nga këmbëngulja e Koresë së Veriut nga një anë, si dhe dëshira e Koresë së Jugut për të
ruajtur marrëdhënie të çtendosura me Veriun, nga ana tjetër, u bë objekt sulmesh në Washington.
Marrëveshja e vitit 1994 po kritikohej me argumente të forta nga e djathta. Kjo do t’i jepte
mundësi komunistëve të luanin një lojë diplomatike të tipit ‘përça dhe sundo’, mes Shteteve të
Bashkuara dhe aleatit të palëkundur të saj, Koresë së Jugut. Kjo politikë bëri shumë pak, sipas
kritikëve, për të ngadalësuar programin bërthamor të Koresë së Veriut. Do të nevojitej një qasje
më e shëndoshë në raport mes përballimit të problemit të Koresë së Veriut, sipas të cilës ky
regjimi duhej më tepër të dobësohej sesa të forcohej, më tepër ta ndëshkohej sesa ta shpërblehej
për shkeljet që bënte.
Do të ishte vetem çështje kohe përpara se të kishte një rishikim të kësaj politike, dhe kjo
ndodhi më në fund në vitin 2001, pas zgjedhjes së presidentit konservator George W. Bush.
5
Politika e Jashtme e ShBA-së

Fillimisht, Koreja e Veriut nuk ishte një prioritet politik. Sulmet e 11 shtatorit, të cilat u ndoqën
nga shpallja e Presidentit Bush të politikës së ashpër ndaj të gjitha regjimeve ‘sharlatane’, e
ndryshuan të gjithë perspektivën e sipërpërmendur. Padyshim që nga fillimi i vitit 2002 Bush-i e
konsideronte Korenë e Veriut si pjesë e ‘boshtit të së keqes’, duke thënë se politika e Shteteve të
Bashkuara kundër tyre nuk mund të ishte tjetër veçse ndryshimi i regjimit. Padyshim që kjo
provokoi një përgjigje nga ana e Koresë së Veriut, e cila kërcënoi dhe njëherë se do të tërhiqej
nga Traktati i Mos-Përhapjes Bërthamore (gjë që ajo e bëri në vitin 2003), duke rimarrë në
konsideratë vazhdimin e programit të pezulluar bërthamor. Në vitin 2006, kur ajo kreu provat
raketore dhe konfirmoi që kishte shpërthyer një mbushje të vogël bërthamore. Ky provokim
kishte si qëllim që të detyronte dhe njëherë armiqtë e saj të uleshin në tryezën e bisedimeve dhe
në vitin 2007 inspektorët e agjencisë bërthamore u lejuan të hynin në Korenë e Veriut, ndërkohë
që Feniani u zotua (për të disatën herë) të respektonte NPT-në. Më në fund, në nëntor të vitit
2007, kryeministrat e Koresë së Jugut dhe asaj të Veriut u takuan për herë të parë pas
pesëmbëdhjetë vjetëve.
Koreja e Veriut e vuri politikën amerikane para një sërë sfidash serioze në vitet që pasuan
përmbysjen e komunizmit në pjesë të tjera të botës. Ajo që Koreja e Veriut ilustroi ishte se
çështje të tilla kritike si ajo e armëve bërthamore do të vazhdonin të përbënin problem edhe pasi
Lufta e Ftohtë të kishte mbaruar. Së fundmi, në përpjekjen për t’u përballur me një regjim armik
në kuadrin e një gadishulli aziatik të ndarë, Shtetet e Bashkuara zbuluan diçka që shumë
amerikanë e kishin nënvlerësuar në epokën njëpolare: sado e fuqishme të ishte SHBA-ja, ajo
s’mund t’i shmangej dot hyrjes në bisedime me vende që s’i honepste dot. Ashtu siç vuri në
dukje dhe ish-sekretari i shtetit James Baker, ‘nuk është shenjë paqësimi të flasësh me armiqtë e
tu’1. Për më tepër, kur s’ka probleme më të vështira për t’u zgjidhur sesa ai i Koresë së Veriut,
kjo kërkonte që Shtetet e Bashkuara të merreshin ‘me të seriozisht’, me multilateralizmin dhe të
kuptonin se duke vepruar bashkë me të tjerët shansi për të zgjidhur këto probleme qe më i madh
se sa po të vepronin të vetëm.

4. Rajoni Azi-Paqësor: ushqim për rivalitet

Vazhdimi i ndarjes së Koresë si dhe problemet e shumta që kjo i ka shkaktuar Shteteve të


Bashkuara në dekadat e fundit, vënë në dukje diçka mbi Azinë Lindore: rajoni i tërë duket se
përmban brenda vetes tensione serioze, të cilat nuk mund të kenë zgjidhje të thjeshta
diplomatike. Siç vënë në dukje shumë studiues, ajo ka një dallim të madh me situatën në Europë.
Ndërkohë që Europa e pas Luftës së Dytë Botërore ia doli të krijonte një formë të një ‘komuniteti
liberal sigurie’, në Azinë Lindore kjo nuk u arrit dot për një mori arsyesh. Më shqetësues është
fakti se kjo gjë ka pak gjasa për të ndodhë. Në fakt, Azia Lindore ka pak prirje për paqe që prej
fundit të Luftës së Ftohtë, ndërkohë që është më e prirur drejt rivaliteteve të reja. Siç vinte në
dukje Aaron Friedberg, në një prej artikujve më të cituar në vitin 1993, e kaluara tejet e
përgjakshme e Europës mes viteve 1914-1945, fare lehtë mund të bëhet e ardhmja e Azisë

1
Komente të James Baker-it në ABC News, 6 tetor 2007.

6
Politika e Jashtme e ShBA-së

(Friedberg 1993-4: 15). Pasiguria për të ardhmen e Koresë së Veriut, tensionet e pazgjidhura mes
Kinës dhe Taiwanit, dyshimet japoneze për Kinën, mospëlqimi historik i Kinës për Japoninë,
këmbëngulja e regjimeve autoritare dhe trashëgimia e një Lufte të Ftohtë të përgjakshme,
nënkuptojnë se bota, në përgjithësi, dhe Shtetet e Bashkuara në veçanti, duhet të vazhdojnë të
jenë thellësisht të shqetësuara për Azinë Lindore.
Janë të paktë ata që mendojnë se rajoni Azi-Paqësor s’do të ketë vështirësitë e veta në
shekullin XXI. Për këtë ka të paktën katër arsye. Së pari, rajoni është kthyer në një prej zonave
më dinamike nga pikëpamja materiale në botë. Në terma globalë, vendet e Azi-Paqësorit
prodhojnë rret 30% të produkteve ekonomike botërore dhe nuk ka gjasa që kjo prirje të kthehet
prapa, të paktën në periudhën afatshkurtër. Rajoni duket në përgjithësi ‘i bekuar’ ekonomikisht,
jo dhe aq përsa i takon lëndëve të para, por për shkak të aseteve të tjerë të rëndësishëm që ka,
përfshi këtu kulturën e punës, një sistem vlerash sipërmarrjesh, një ofertë të bollshme krahu
pune, një rezervuar të madh kapitali, si dhe një sërë strukturash ekonomike dhe politike, që
lejojnë shtetin të luajë një rol kritik në prodhimin e rezultateve të suksesshme ekonomike. Në
këtë listë nuk mund të injorohet pjesa që kanë luajtur Shtetet e Bashkuara, duke i hapur tregun e
saj produkteve aziatiko-lindore dhe duke i siguruar rajonit një sistem sigurie me çmim të lirë,
duke gjeneruar vetëzhvillim ekonomik në të gjithë rajonin.
Së dyti, edhe pse shumë shtete në këtë rajon vazhdojnë të kenë armiqtë e tyre dhe janë
emocionalisht të ngarkuar me kujtimet e konflikteve të kaluara, këto nuk janë aq të rëndësishme
sa të provokojnë konflikte të reja në të tashmen, sidomos përsa kohë tregtia rajonale dhe
investimet po rriten me shpejtësi marramendëse. Presionet ekonomike dhe interesat material po i
shtyjnë vendet në rajon më shumë të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin sesa të ndahen. Procesi i
integrimit ekonomik të Azisë Lindore mund të ketë qënë i ngadalshëm (ASEAN u formua vetëm
në 1967). Sidoqoftë, që kur regjionalizmi ka marrë hov në vitet 1990, ai s’ka treguar shenja
lodhjeje.
Një arsye e tretë për optimizëm është vetë Japonia. Ky vend edhe pse nuk ka pasur
dëshirë të kërkojë falje për gabimet e të kaluarës, ka luajtur një rol shumë pozitiv në rajon.
Padyshim, që prej adoptimit të kushtetutës së saj paqedashëse dhe heqjes dorë nga forca për të
arritur qëllimet e saj jashtë vendit, ajo ka treguar pak interes për të pështjelluar fqinjët e saj
dyshues duke vepruar vetëm pozitivisht. Për më tepër, ky vend ka bërë shumë për të përmirësuar
marrëdhëniet ndërkombëtare në rajon. Edhe rivali i vjetër ideologjik Kina, madje ka qenë njëri
prej përfituesve kryesorë dhe që prej vitit 2003, ka në territorin e saj rreth 5.000 kompani
japoneze.
Më në fund, le të vijmë te vetë Kina, ashtu siç edhe e kemi treguar, një sasi e madhe boje
është harxhuar për të treguar shqetësimet mbi ‘ngjitjen e Kinës’ dhe rrezikun që kjo mund (apo
jo) t’i sjellë interesave amerikane në rajon. Sidoqoftë, këtu ka më tepër vend për optimizëm sesa
për pesimizëm. Kina ka ndërmarrë disa masa konkrete për të siguruar që status quo-ja nuk do të
mund të ndryshojë. Kjo do të thotë që ky vend të bashkëpunojë sa më shumë me Shtetet e
Bashkuara, por edhe që Kina të përfshihet në të gjithë rajonin pikë së pari nga pikëpamja
ekonomike, por edhe në ‘mënyra më të buta’ si aktivizimi serioz në një sërë institucionesh
rajonale. Ashtu siç vë në dukje dhe një studim i fundit, ajo për të cilën fqinjët e Kinës kanë frikë
7
Politika e Jashtme e ShBA-së

nuk është një vend që kooperon aktivisht me të tjerë nga një pozicion force ekonomike, por një
shtet i dobët dhe i pasigurt, ekonomia e të cilit nuk është më motorr për ekonominë rajonale.

5. Shtetet e Bashkuara: ende hegjemonike?

Shtetet e Bashkuara kanë qenë për shumë kohë një aktor i rëndësishëm në rajonin e Azi-
Paqësorit, sidomos që prej vitit 1941, vit i cili përkoi me kumtimin nga publicisti i njohur
amerikan Henry Luce, fillimin e një ‘Shekulli Amerikan’ (Luce 1941: 32-34). Por askund, ky
vizion i guximshëm e optimist, s’u sulmua në mënyrë aq të vazhdueshme sa në Azi-Paqësor: së
pari, në Kinë, në vitin 1949, pastaj në Kore në vitin 1950 dhe së fundmi në Vietnam, ku Shtetet e
Bashkuara u angazhuan plotësisht për mbrojtjen e ‘botës së lirë’ dhe nga ku në vitet ’70 u dëbuan
me turp. Ekspertët po spekulojnë se shekulli i ri s’do t’i përkasë as komunizmit, as Amerikës, por
gjithnjëe më shumë, Paqësorit. Rritja ekonomike e Japonisë, dinamizmi që shfaq kapitalizmi në
Korenë e Jugut, apo te një sërë tigrash të tjerë aziatikë, si dhe padyshim dalja në skenë e Kinës,
tregojnë se po ndodh një spostim i fuqisë nga Shtetet e Bashkuara tek vendet e basenit të
Paqësorit.
Të spekulosh për të ardhmen është gjithmonë punë me rrezik. Sodoqoftë, ky spekulim për
rënien e ndikimit amerikan në Azi vitet e fundit është bërë përsëri mjaft popullor. Kritiket jo
vetëm që mendojne se bota po spostohet jashtë sferës së ndikimit amerikan, por dhe se rajoni i
Azi-Paqësorit po kthehet në një rajon i cili ka të ngjarë që, për të zgjidhur problemet e veta t’i
hedhin sytë më shumë nga Pekini sesa nga Washingtoni. Në fakt, me Shtete e Bashkuara të
bllokuara në Afganistan dhe Irak, shumëkush mendon se këto ngjarje do të kontribuojnë në
rënien e rolit amerikan në Azinë Lindore. Siç e kanë vënë ne dukje shumë studiues, efekti
strategjik i Luftës së Irakut ka për të bërë të mundur fillimin e shekullit aziatik.
Prognoza të tilla është e vështirë t’i vlerësosh dhe ndoshta akoma më të vështirë t’i
provosh, në një mënyrë apo një tjetër. Por sidoqoftë, duhet kuptuar se parashikimet për të
ardhmen amerikane në Azinë Lindore bazohen në vështirësitë që SHBA-të janë duke hazuar në
pjesë te tjera të botës. Duhet të jemi gjithashtu të ndjeshëm për specifikën që ka rajoni, duke
vlerësuar së pari sesa e dëshiruar është prania amerikane nga vetë aktorët lokalë.
Kështu, Kina e sheh rolin e ShBA-së në rajon si një faktor kritik për stabilitetin, Japonia
sheh nga Washingtoni për drejtim dhe mbrojtje, Koreja e Jugut varet nga Shtetet e Bashkuara për
mbrojtjen e saj, po ashtu një sërë shtetesh të tjerë kanë marrëdhënie të rëndësishme dypalëshe
me Washingtonin, nga të cilat nuk kanë gjasa të heqin dorë. Po ashtu s’ka shtete të tjerë që duan
të luajnë të njëjtin rol që luan aktualish Amerika. Padyshim, Japonia s’mund të luajë atë për
shkak të historisë së saj ndërkohë që, Kina s’ka mundësi për shkak se është e lidhur formalisht
me një ideologji e cila zgjon kujtimet e Luftës së Ftohtë.
Së dyti, ka fare pak lëvizje popullore që të kërkojnë dëbimin e Amerikës nga Azia. Në
fakt, ndërkohë që në vende të tjera të botës ka një rritje të anti-amerikanizmit, në vitet e fundit në
Azinë Lindore (me perjashtim të Koresë së Veriut) qëndrimi publik ka qenë pozitiv. Kjo është e
vërtetë madje dhe në Vietnam, një vend me të cilin Shtetet e Bashkuara luftuan deri ne vitin 1975
ndërkohë që, në Kinë, SHBA-ja duket se është mjaft popullore, pjesërisht për shkak të
8
Politika e Jashtme e ShBA-së

marrëdhënievë të ngushta që dy vendet kanë pasur tridhjetë vitet e fundit, por edhe sepse
ekonomia kineze ka nevojë për tregun amerikan. Provat që vijnë nga Japona na e konfirmojnë
këtë.
Pozicioni i Shteteve te Bashkuara ka gjasa që të vazhdojë për arsyen e vetme se në
rajonin Azi-Paqesor ka më pak dyshime për qëllimet e saj sa kanë për fqinjët e tjerë. Padyshim
që trashigimia e të kaluarës mbetet ende e pranishme në shumë mënyra. Kështu, sa kohë që
Tajvani shqetësohet për Kinën, Kina ka problemet e veta me Japoninë, Japonia i trembet ngjitjes
së Kinës dhe Koreja mbete e ndarë, janë të paktë ata që urojnë një të ardhme pa Shtetet e
Bashkuara. Shumë mund t’i denoncojnë se janë një ‘perandori’në Azinë Lindore, por nëse kjo
është e vërtetë, atëherë kjo është prania e një miku të mirëpritur në thuajse çdo kryeqytet e në
pjesën më të madhe të vendeve të rajonit. Ditët kur Shtetet e Bashkuara kanë qëne pika e vetme
ku përqendrohej aktiviteti diplomatik mund të kenë ikur. Por në një të ardhme të afërt, SHBA do
të vazhdojë të mbetetet, siç vë në dukje një vëzhgues, lojtari ‘numër një’ në rajon (David
C. Kang 2003: 26).
.

Përmbledhje:

 Historikisht, rezultati i luftës në Paqësor përcaktoi dhe fatin e Azisë Lindore të pas luftës.
 Humbja e vitit 1945 u ndoq nga okupacioni amerikan, i cili integroi një Japoni të
reformuar në sistemin të sigurisë të Azi-Paqësorit të drejtuar nga Amerika.
 Pavarësisht nga thirrjet që vinin nga të dy anët pas Luftës së Ftohtë, që kërkonin një
ndryshim në kushtet e marrëdhënies, ‘ujdia’ për të cilën ranë dakord Shtetet e Bashkuara
dhe Japonia pas Luftës së Dytë Botërore, ka gjasa të mbetet e tillë dhe në të ardhmen.
 Afrimi mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara në vitet 1970 jo vetëm që ndryshoi
marrëdhëniet mes Pekinit dhe Washingtonit, por edhe tranformoi politikën botërore,
ndërkohë që bëri të mundur zhvillimin e reformave ekonomike në Kinë.
 Hyrja e Kinës në skenën moderne botërore u bë e mundur nga tranzicioni i shpejtë në një
gjigant ekonomik, në më pak se njëzet vjet.
 Zhvillimi i Kinës ka gjeneruar një ndjenjë oportuniteti në Washington të shoqëruar nga
preokupime të moderuara.
 Fundi i Luftës se Ftohë në Europë e bëri situatën politike në Kore akoma më të vështirë.
 Koreja e Veriut përdori armët bërthamore për të përftuar lëshime diplomatike dhe
ekonomike nga armiqtë e saj.
 Politika e SHBA-së kundrejt Koresë së Veriut është luhatur mes përfshirjes dhe
tentativave për ndryshim regjimi.
 Si rajon, Azia Lindore është e veçantë nga Europa dhe nuk ka formuar asnjëherë një
komunitet të pastër sigurie.
 Sipas një shkolle mendimi, Azia Lindore do të mbetete një rajon tejet i trazuar.

9
Politika e Jashtme e ShBA-së

 Provat e këtyre pesëdhjetë viteve na tregojnë se shumë faktorë, përfshi këtu ngritjen
ekonomike të Kinës, po e çojnë Azinë drejt një periudhe stabiliteti.

Literatura:

Acharya, A. 2003-4. “Will Asia’s Past be its Future?”. International Security, 28:149-64.
Bisley, N. 2006. “Nerther Empire nor Republic: American Power and Regional Order in the Asia
Pacific”. International Politics, 43: 219-40.
Buzan, B. 2003. “Security Architecture in Asia: The Interplay of Regional and Global Levels’,
The Pacific Review, 16:143/73.
Christensen, T.J. 1999. “China .the US-Japan Alliance and the Security Dilema in East Asia”
International Security, 23:49-80.
D. Cha, Victor dhe Kang, David C. 2003. “The Korea Crisis,” Foreign Policy 137: 26.
Foot, R. dhe Walter, A. 1999. “Whatever Happened to the Pacific Century?”. Review of
International Studies, 25: 245-69.
Friedberg, Aaron. 1993-4. “Ripe for Rivalry: Prospects for Peace in a Multipolar Asia.”
International Security, 18: 15.
Hermer, C., Katzenstein, P.J. 2002. “Why there is no NATO in Asia? Collective Identity,
Refionalism end the Origins of Multilateralism”. International Organization, 56: 4575-
607.
Ikenberry, G. J, dhe Tsuchiyama, J. 2002. “Between Balance of Power and Community; The
Future of Multilateral Security Co-operations in Asia-Pacific”. International Relations of
Asia Pacific, 2: 69-94.
Luce, Henry. 1941. “The American Century”. New York: Farrar & Rinehart.
Mastanduno, M. 2000. “Models, Markets and Power: Political Economy in the Asia Pacific,
1989-1999”. Review of International Studies, 26:493-507.
Ross, R.S. 1999. “The Geography of the Peace: East Asia in the Twenty-first Century”.
International Security, 23:143-73.
Van Ness, P. 2002. “Hegemony, Not Anarchy: Why China and Japan are not Balancing US
Unipolar Power”. International Relations of the Asia-Pacific, 2:31-50

10

You might also like