You are on page 1of 116

Perkthyer nga Artur Lena

DRAMË ME TRI AKTE

1951

1
PERSONAZHET:
(sipas radhës së daljes në skenë)

 ROZA GRIGZ
 zonja MERI ELIS
 gjenerali BENJAMIN GRIGZ
 EDUART KROSMAN
 FREDERIK ELIS
 SOFI TAKERMAN
 LEON
 KONSTANSË TAKERMAN
 NIKOLAS DINERI
 NINA DINERI
 HILDA

2
AKTI I PARË

Dhoma e ndenjjes në shtëpinë e Konstansë Takermanit, në një qytet të


vogël në bregun e Gjirit të Meksikës, rreth njëqind milje larg Nju -
Orleanit. Mbrëmje shtatori e vitit 1949; në shtëpi sapo kanë ngrënë
darkë. Nga e djathta e dhomës së ndenjjes duket një derë me xhama, që
të nxjerr në tarracë. Në të majtë, në thellësi të skenës, është dera për në
holl dhe prej andej shkallët, që të çojnë në katin e dytë. Në tarracë
shquhen tryeza e karrige. Dhoma është e mobiluar bukur, por mobiliet
janë paksa të vjetëruara. Të gjitha janë trashëgim i kohëve të shkuara.
Kur ngihet perdja, në skenë duket gjenerali Grigz, një burrë i pashëm
pesëdhjetëe trevjeçar; ai është ulur në cepin më të largët të dhomës dhe
po lexon gazetën. Gruaja e tij Roza Grigz, dikur e bukur, rreth dyzet e
tre vjeçe është ulur në tryezë me një fustan mbrëmjeje, i cili do t’i
shkonte më për shtat një vajze të re. Nga njëra anë e dhomës tek tjetra
bisedon me zë të lartë me Kerri Elis, një damë elegante rreth 45 vjeçe,
e cila ka afruar kolltukun pranë të birit, Frederikut dhe vjehrrës së saj.
Misis Meri Elis një plakë mbi të shtatëdhjetat, e shkathët dhe e
gjallëkur ka dëshirë të tregohet e tillë, e plakur dhe e kërrusur kur ka
dëshirë të tregohet e tillë. E ka mbushur kolltukun e saj me një turrë
jastëkësh që të mund të ndjekë me sy dorëshkrimin që po lexon i nipi.

3
Federik Elis, një djalosh simpatik rreth njëzet e pesë vjeçar. Hera herës
ai diçka korrigjon, ngre sytë i zbavitur dhe i mërzitur prej gjyshes.
Djathtas në taracë, me shpinë nga të tjerët, është ulur i vetëm Eduart
Krosmami një burrë rreth dyzet e pesë vjeçar, me një pamje të lodhur e
të sfilitur që tregon se nuk është mirë me shëndet. Për një çast në skenë
mbizotëron heshtja.

ROZA - (Ngrihet nga karrigia. Heshtja gjithmonë e bën ta ndjejë veten


në siklet, prandaj nis të këndojë këngën “Ne të dy endemi rrugicave”.)
Ç’u bë ai? Sot gjithçka po ecën së prapthi. Po nuk ma sollën menjëherë
pas drekës, më mirë të mos ma sjellin fare. Apo jo, Ben? Sa keq që sot
është e enjte! Mua do të më pëlqente më shumë të shikoja atë sesa të
shkoj në ballo. (Zonja Elisit.) Ja pse nuk flini ju! Megjithatë, një sasi e
vogël edhe për zemrën do t’ju bënte mirë. Kështu më ka këshilluar
mjeku. Por, o Zot, si mund të pijë njeriu kaq shumë para gjumit.
Zonja ELIS - (Me mirësjellje.) Merreni mundimin e më tregoni, zonja
Grigs, si t’i kuptoj këto fjalë? Ju thatë se po të ishte balloja, ju patjetër
do të takoheshit me të dhe, sipas jush unë pi tepër të enjteve?
ROZA - (Qesh nën hundë.) Kafe. Desha të thosha se ju pini kafe pa
hesap.
Zonja ELIS - Aha, ju pëlqen të takoheni me kafenë?
ROZA - Si guxoni të talleni me mua! Sikur nuk e morët vesh që e pata
fjalën për Robert Teilorin me atë ...
Zonja ELIS - Më falni, as më vajti mendja se bëhej fjalë për Robert
Teilorin me atë. Gjeneral, është vera e shtatë që kalojmë këtu dhe kam
arritur në përfundimin se gruas suaj i duket e pahijshme t’i quajë gjërat

4
me emrin që kanë. Përemrat nuk kanë asgjë aristokratike, e dashur!
Kafeja është kafe, jo “ajo”, kurse Robert Teilori është aktor filmash, jo
“ai”, budallaçka është budallaçkë e jo ndonjë “ajo” enigmatike.
ROZA - (Gjithashtu me shumë mirësjellje.) E di, kam një huq të keq.
Beni ka vite që ma vë në dukje. (I afrohet të shoqit.) Ben, të pëlqen
fustani im?
GRIGZI - Shumë.
ROZA - Mos kam vënë shumë të kuq? (U drejtohet të tjerëve.) A e dini
si thoshte ajo? (Me nxitim.) Nëna e Benit. Pak para se të vdiste...
(Krosmanit.) Ejani dhe ju me ne! (Të tjerëve.) Ajo thoshte se gratë e
jugut e vënë të kuqin në fytyrë në formë trekëndëshi, si të donin të
vërtetonin me këtë katrorin e hipotenuzës. Ngandonjëherë ai fliste me
inat për jugorët. Sepse Beni është nga Bostoni. (I thërret sërish
Krosmanit.) A e di ç’më ka thënë njëherë në klub?
Misis ELIS - E marr me mend!
KROSMANI - (Kthen kokën me buzë të gaz.) Nëna e Benit?
ROZA - Jo, jo, motra juaj. Më tha se ne këtu, gjatë pushimeve të verës,
të shohim më shumë se ç’të sheh ajo gjatë tërë vitit në Nju-Orleans. Ajo
më tha se po bëheni asket. Në pleqëri kjo është me zarar, sepse mund
t’ju shkrepet të jetoni i vetmuar!
Zonja ELIS - Dikur më pëlqente të rrija vetëm, kurse në pleqëri kjo
dëshirë zhduket. Diku nga mesi i jetës është kënaqësi të rrish vetëm .
Dhoma e veçantë nuk është gjithçka, madje është pak. Më mirë të kesh
një shtëpi të veçantë. Ose, më mirë akoma, ishullin tënd të pabanuar.
Apo jo, gjeneral? (Shpejt.) Viti më i lumtur i jetës sime ishte ai fill pas

5
vdekjes së tim shoqi. Çdo muaj ndjeja pranverë, çdo ditë isha si e
dehur, sikur në deje nuk më rridhte gjak, por e leltë xixëlluese.
KERRI - Mama, ti qenke poeteshë e vërtetë!
Zonja ELIS - (Federikut.) A e di ti që për pak desh u ndava me gjyshin
tënd? Gjatë vitit 1901, gjatë sezonit të garave me kuaj.
FEDERIKU - (Shkëputet nga dorëshkrimi e qesh.) A nuk të duket se je
kujtuar pak si shumë vonë për këtë?
(Bie telefoni.)
Zonja ELIS - Po sikur të të shkrepet të shkruash biografinë time?
(Telefoni vazhdon të bjerë. Në holl duket Sofia.)
SOFIA - (Në telefon.) Jo, zotëri. Nuk pranojmë vizitorë të rastit. Tek ne
vijnë vetëm pushues të përhershëm. Përpiquni njëherë tek zonja
Preskot, në fshat. Ju faleminderit, zotëri.
ROZA - (Thërret në holl.) Sofi e dashur, ku është kafeja? (Sofia afrohet
tek dera e hollit. Ajo është një vajzë jo fort e bukur, e drojtur rreth të
shtatëmbëdhjetave. Ka një të folur tepër të sjellshme dhe një theks të
lehtë prej të huaji. Ka veshur fustan mbrëmjeje dhe përparësen e
kuzhinës mbi të.)
SOFIA - Teto Konstansa është mërzitur që kafeja u vonua. Do ta
shërbejmë tani. (Largohet.)
ROZA - Federik, a e dini që po e mësoj Sofinë të vallëzojë? E
pagëzuara juaj është vajzë e mrekullueshme, veç balerinë nuk bëhet dot
kurrë.
FEDERIKU - (Me mirësjellje.) Sa keq tingëllon kjo fjalë, zonja Grigs,
“e pagëzuara”... gati si “e destinuara”... Mama, ti i ke folur zonja

6
Grigsit për planet tona? Përderisa nuk i kemi saktësuar gjërat, sikur u
morëm vesh të mos...
KERRI - (Pak e turbulluar.) Ç’të keqe ka, nëse unë desha të tregoja për
fejesën e djalit tim?
ROZA - O Perëndi, do të ndjehem shumë e fyer...
GRIGS - Jeni njeri i çuditshëm, Federik! Grave kurrë s’iu bëhet vonë
për nderin kur u jepet rasti të përflasin ndonjë fejesë ose kancerin.
FEDERIKU - (Vështron nga e ëma.) Këtë nuk e dija. Mesa duket jam
ende i ri.
Zonja ELIS - (Që ishte zhytur në leximin e dorëshkrimit.) Nuk i marr
vesh këta librat e sotëm. Sa mjegull ka në ta për marrëdhëniet midis
sekseve. Nuk e kuptoj se për cilin seks flitet në një rast të vaktuar. Dhe
s’di pse, gjithçka zhvillohet në gjirin e natyrës. Ç’është kështu? Mos
është bërë modë që problemet seksuale të zgjidhen në natyrë? Si thoni
ju, Gjeneral?
GRIGSI - S’ma merr mendja të jetë çështje mode. Gjithçka varet nga
kushtet klimatike.
Zonja ELIS - (Bën me dorë nga dorëshkrimi.) A nuk ekzistojnë po ato
marrëdhënie seksuale si dikur, midis burrave dhe grave? Në librin e
Pejsonit ato janë shtrembëruar keqas. Më duket se në vendin tonë
shumë gjëra kanë ndryshuar.
KERRI - (Federikut.) Si mendon ti, do të shitet libri i ri i Pejsonit?
FEDERIKU - Nuk e di, mama.
KERRI - Shpresoj se po. S’ka gjë më të mirë se të jetosh me të ardhurat
e tua.

7
FEDERIKU - (Vë buzën në gaz.) A e ke vënë re mama, se njerëzit më
parimorë, për punë parash nuk janë ato që i fitojnë, por ato që presin
kuponat.
Misis ELIS - E drejtë! Veçanërisht, jot ëmë e cila as që ka nevojë që t’i
presë. Prerjen e kuponave e kam marrë përsipër vetë që ajo të ketë më
shumë kohë të na bëjë moral.
KERRI - (Gjeneral Grigzit.) Mos u shqetësoni, gjeneral. Tashmë besoj
se do ta keni marrë vesh se ime vjehrrë ka qejf t’i diskutojë problemet
familjare në prani të të tjerëve.
ROZA - (Të shoqit.) Do të vish me mua në ballo? (Të tjerëve.) Beni
nuk ka qenë asnjëherë në ballo te Karterët. Ata me siguri çdo vit ndihen
të fyer...
GRIGZI - S’e besoj.
ROZA - Ç’ke ndërmend të bësh? Pse nuk shkon të shohësh filmin me
Robert Teilorin? E kam fjalën për atë filmin me temë nga lufta. Për ty
do të ishte me interes të dije nëse ato thonë të vërtetën për luftën apo jo.
GRIGZI - Jo, as që më intereson fare të di nëse ato flasin të vërtetën për
luftën apo jo.
ROZA - Të pëlqen fustani im?
GRIGZI - Shumë.
Zonja ELIS - Jeni njeri fort i durueshëm, gjeneral. (Rozës.) Pas drekës
ia keni bërë pesë herë këtë pyetje.
ROZA - (Me zë të lartë Krosmanit.) A nuk është i mrekullueshëm, zoti
Krosman?
KROSMANI - (Me mirësjellje.) Këtë herë më keni vënë në një pozitë
edhe më të vështirë. Kush është i mrekullueshëm?

8
ROZA - Nikolas Dineri, kush tjetër?
KROSMANI - A... a... ai. Nuk di ç’t’ju them.
ROZA - O Zot! Ju jeni rritur bashkë. Ju, Konstansa dhe zonja Elis...
KROSMANI - Po, por nuk më kujtohet që ndonjëri prej nesh të ketë
qenë i mrekullueshëm. Po ju, Kerri?
(Kerri qesh dhe bën jo me kokë. Në dhomë hyn Sofia me tabaka në
duar, ku ndodhet një shishe konjak dhe disa gota. Pas saj vjen Leoni,
një shërbyes zezak i ri, i cili mban ibrikun e kafesë dhe filxhanat.
Frederiku ngrihet dhe i merr tabakanë Sofisë. Ajo e vështron në sy dhe
buzëqesh.)
ROZA - Sofi, pa na e tregoni pak fustanin. (Sofia buzëqesh e ndrojtur,
tek heq përparësen. Ndërkaq Leoni zbraz kafenë) O-o! Ç’fustan i
lezetshëm! Ju, shpirtkë, bëni mirë ta mbani fustanin ngjitur pas trupit. (I
afrohet nga prapa e nis të luajë me flokët e saj.) Më lini t’ju kreh sipas
shijes sime...
(Sofia bën t’i ndihmojë Leonit, por Roza i zë rrugën.) Jo, jo, uluni. Të
pëlqen t’i mbash kështu? (Në dhomë hyn Krosmani.)
KROSMANI - Ajo ka dëshirë t’u ngjajë të gjitha grave të botës.
ROZA - Duhet pyetur Frederiku. Për të po mundohemi, apo jo?
FREDERIKU - (Kthehet e shikon prapa.) Mua Sofia më pëlqen kështu
siç është.
SOFIA - (Buzagaz.) E si jam unë?
ROZA - Çudi, e pastaj thonë se vajzat evropiane, kanë naze...!
(Gjeneral Grigzi ngrihet, por duket që është i inatosur.) Ben, mos u bëj
hipokrit! Vetë më the kur u ktheve nga Oqeani i Qetë dhe unë u bëra
shumë xheloze.

9
Zonja ELIS - Nga Oqeani i Qetë? Kurse unë e dija se ju keni luftuar në
Evropë, gjeneral.
GRIGZI - Keni të drejtë. Në Oqeanin e Qetë ka luftuar Robert Teilori.
(Del në taracë.)
ROZA - (Duke ia mbledhur ndryshe flokët Sofisë.) Apo më mirë
kështu?
FREDERIKU - (I buzëqesh Sofisë.) Me të vërtetë ndjeni kënaqësi kur
ua tërheqin pareshtur flokët?
SOFIA - S’ka gjë. Faleminderit. (Çlirohet me takt.) I jam shumë
mirënjohëse zonjës Grigz për përkujdesjet... Merri.
KROSMANI - Sofia është vajzë fjalëpakë. Gjatë gjithë verës nuk kam
dëgjuar prej gojës së saj veç faleminderit.

Bie përsëri telefoni. Frederiku nxiton të ngrerë receptorin. Në holl


duket Konstansa, një grua e bukur dyzet e tre ose dyzet e katër vjeçe, e
cila mban në duar një vazo lulesh. Vendos njërën prej tyre mbi tryezë
dhe merr telefonin.

KONSTANSA - Po. Një minutë. Frederik, zoti Pajson ka dëshirë të


bisedojë me ju. (Merr vazon dhe nxiton të hyjë në dhomë. Frederiku
shkon menjëherë tek telefoni.) Na falni që e vonuam pak kafenë. Kerri,
të lutem sqaroi Karterët përse nuk vij dot në ballon e tyre.
ROZA - Ç’kemi ndonjë të re, Konstansë?
KONSTANSA- (Veshëngritur.) Të re? Në ç’kuptim?
ROZA - (Qesh.) Përse shtireni? Kur vijnë Dinerët?

10
KOSTANCA- Nuk ia vlen t’i prisni. Do t’i takoni nesër, kur të hani
mëngjesin. (Kthehet dhe ngjit shkallët.)
ROZA - Sa nervoze bëhet! Edhe unë do të emocionohesha, po të prisja
të takohesha me dashnorin e dikurshëm pas kaq vjetësh... Por unë nuk
pranoj dashnorë të vjetër. Ata duhet të jenë të rinj, akull. Ndërsa të
vjetrit, le t’i quajmë miq, apo jo?
(Krosmani shpejton në tarracë, pasi ka marrë filxhanin me kafe dhe një
shishe konjak. Roza afrohet tek dera e taracës dhe i drejtohet të shoqit
dhe Krosmanit.) Po ju, këtu keni ndërmend të rrini si qyqarë e të pini
vëllazërish konjakun?
KROSMANI - Gjeneral Grigzi është shpirtgjerë, ai vetëm shtiret sikur
pi konjak me mua.

Hyn Frederiku, i cili diç do të thotë, por ndërron mendje.

KERRI - (I zgjedh fjalët.) Zoti Pejson ishte. Do të vijë në ballo?


FREDERIKU - Sa breza duhet të kalojnë në këtë skutë, që të vijë koha
që dhe juve t’ju ftojnë në ballo te Karterët?
Zonja ELIS - Jo, ata janë bërë shumë demokratikë. (Tregon Rozën.)
Vitet e fundit kanë filluar të ftojnë madje dhe zonjën Grigz. (I drejtohet
asaj.) Unë s’njoh pasanikë të rinj më të mëdhenj se prindërit tuaj.
Veçanarisht yt vëlla, ai vuri pasuri të madhe gjatë luftës.
ROZA - (Zgërdhihet.) Hi-hi! Sa zili e kanë Henrin tim!
Zonja ELIS - Natyrisht që e kanë zili. E kujt nuk i pëlqen të pasurohet
me fatkeqësinë e të tjerëve!
FREDERIKU - (Prerë.) Mjaft, gjyshe!

11
ROZA - Mua nuk më mbetet qejfi. Gjyshja juaj më kënaq.
FREDERIKU - (Së ëmës.) Më falni që nuk mund t’ju shoqëroj në ballo.
Sofi, ju nuk do të zemëroheni?
KERRI - (E përmban veten.) Ç’ka ndodhur, Frederik?
FREDERIKU - Pejsoni ka marrë një telegram nga botuesit e tij. Ata
kërkojnë që t’ua nis dorëshkrimin nesër. (Merr dorëshkrimin nga
tryeza.) Kështu që duhet ta mbaroj korrekturën natën bashkë me të.
KERRI - (Ngadalë.) Asgjë nuk po marr vesh.
ROZA - (Me nxitim.) Duhet të pudrosem pak. Sa më shumë plakesh, aq
më shumë duhet të bësh tualet. (Del.)
KERRI - Frederik, ne jemi gati. Shkojmë.
FREDERIKU - Mama, po unë ju thashë se nuk do të vij te Karterët.
Mos kujton se bëra shaka?
KERRI - Ashtu shpresoj. Vërtet nuk ndjeni asnjë detyrim ndaj meje e
Sofisë? Një fjalë të tha Pejsoni dhe...
FREDERIKU - Sofi, do të mundohem të vij t’ju marr. (I pavendosur.)
Më vjen keq.
SOFIA - Kurse mua nuk më vjen aspak keq. Më mirë që ndodhi kështu.
KERRI - Përse? (Heshtje.) Përse nuk ju vjen keq?
SOFIA - (Buzagaz.) Nuk më pëlqejnë ballot. As që kisha dëshirë të
shkoja. Pastaj, Frederiku ka një punë me rëndësi.
KERRI - Kam frikë se ju do të bëheni një bashkëshorte shumë
tolerante.
FREDERIKU - Për këtë më lër mua të gjykoj. Natën e mirë!
KERRI - Frederik, dua të bisedoj me ty!

12
FREDERIKU - (Ndalon buzagaz.) Kur flet me një ton të tillë, për këtë
bisedë ty të duhen jo më pak se dy orë. Duro deri nesër, mama.

Sofia është larguar në thellësi të skenës dhe ka kthyer shpinën si të


donte të ndodhej sa më larg tyre.

KERRI - I thuaj zotit Pejson se nuk do të shkosh tek ai. Bëje për mua
këtë. Të lutem.
FREDERIKU - S’e kuptoj se përse duhet të vij patjetër në atë ballo.
Kurse ai e ka të domosdoshme të këshillohet me mua.
KERRI - (Me inat.) Ai gjithnjë këshillohet me ty, sikur të ishe avokat
apo gjinekolog. Pse duhet të këshillohet pikërisht me ty?
FREDERIKU - (I fyer.) Ndoshta ngaqë dhe unë përpiqem të shkruaj ose
ndoshta ngaqë mendon se marr vesh nga zanati. E kuptoj që e ke të
vështirë ta kuptosh por...
KERRI - Nuk doja të thosha këtë.
FREDERIKU - Po, po këtu doje të dilje. Natën e mirë!
KERRI - Ti nuk më vë fare në hesap. (Vështron rrotull duke kërkuar
me sy Sofinë, e cila në atë çast mundohet të përvidhet nga dhoma.) Mos
u largoni Sofi, kjo ju përket juve po aq sa dhe mua. (Sofia ngrin në
vend.) Ky zoti Pejsoni yt ka nisur të më mërzisë. E them me plot gojën.
E kuptova që ishte njeri i zgjuar dhe me talent dhe m’u bë qejfi që
kishe një shok të tillë. Por kur këtë verë t’u ngjit pas si rrodhe dhe t’u
qep pas deri këtu ...

13
FREDERIKU - (Ngadalë, me inat.) Ai as që ka ndërmend të më qepet
pas. Të lutem, mos fol me këtë gjuhë. Ai erdhi vetë këtu. Pastaj, ç’punë
ke ti me të?
KERRI - Ky zoti Pejson ma solli në majë të hundës. Çdo ditë e çdo
natë... Sa herë e ke nxjerrë shëtitje Sofinë? (Prerë.) Sofi! Sa herë jeni
takuar me zotin Pejson gjatë kësaj vere? (Sofia hesht.) Ë?
FREDERIKU - Si guxon të flasësh me Sofinë me një ton të tillë?
KERRI - (I drejtohet zonjës Elis, e cila po i ndjek në heshtje.) Mama!
Zonja ELIS - Më duket se dremita. Mos fjeta shumë?
KERRI - (Ngadalë.) Ti gjithmonë fle, kur unë bëj ndonjë bisedë jo të
këndshme me Frederikun.
Zonja ELIS - Kjo është koha më e përshtatshme për gjumë. Nëse doni
ta dini, sot gjithë ditën nuk e kam ndjerë veten mirë. Tani në jug askush
nuk ankohet nga retë, kurse dikur veç për këtë flitej. Rre, Rre, Rre.
(Ngrihet.) Puthe nënën, biri im. Uroji natën e mirë dhe thuaji se nuk je i
zemëruar me të.
FREDERIKU - Përse të zemërohem më të, gjyshe?
Zonja ELIS - Sigurisht, s’ka përse. Por, nëna jote dhe kur ka të drejtë
flet e flet derisa të lëshojë ndonjë broçkull. (Del.)
(Heshtje.)
KERRI - (Me zë të lartë.) Më fal nëse kam folur ters.
FREDERIKU - (I afrohet buzagaz.) S’ka gjë, mama. Mos u zemëro.
Dhe mos i jep shkas gjyshes të tallet me ty.
KERRI - Përpiqu të vish të na marrësh, qoftë dhe vonë.
(Frederiku e puth të ëmën dhe ajo del nga dhoma duke buzëqeshur.)

14
FREDERIKU - (Sofisë.) Sofi, mamaja nuk donte të sillej ashpër me ju.
Edhe sikur të dojë, ju s’duhet ta lejoni. Hera-herës asaj i pëlqen të
urdhërojë, por në këtë mes nuk ka asgjë të keqe. Përse jeni kaq e
ngrysur?
SOFIA - (Tepër e habitur.) Mamaja juaj nuk mbeti e zemëruar?
FREDERIKU - Sigurisht që jo! Tekat e saj nuk duhen marrë seriozisht.
Ashtu është gatuar ajo.
SOFIA - (Buzagaz.) Ju e dini sa e vështirë është të kuptosh në gjuhë të
huaj. Në anglisht gjithçka tingëllon kuptimplotë!... Kur ju dëgjoj ju, më
zë koka.
FREDERIKU - (Qesh.) Hiç mos dëgjoni. Për nder, nuk ia vlen. (E
shikon në sy e flet ngadalë.) Mamaja ka të drejtë, ju kam lënë fare pas
dore. Por nuk e kam bërë me qëllim.
SOFIA - E di që nuk e keni bërë qëllimisht.
FREDERIKU - Pas dy javësh unë dhe nëna ime nisemi për në Evropë.
Ky udhëtim ishte parashikuar para se ju dhe unë (E shikon në sy e
buzëqesh.) ...të fejoheshim.
(Sofia buzëqesh si e zënë ngushtë, pastaj kollitet e qëron fytin.)
Çfarë çifti koti jemi! Po ju më pëlqeni, Sofi!
SOFIA - (Me mirësjellje.) Edhe ju më pëlqeni, Frederik!
FREDERIKU - Them se herët a vonë, ne të dy duhet të ulemi e të
bisedojmë shtruar. Sepse madje nuk e dimë as vetë se përse u fejuam.
Kemi shumë gjëra për t’i thënë njëri-tjetrit.
SOFIA - Ngandonjëherë është më mirë të heshtësh. Nuk duhet biseduar
me zë. Është më me mend ta lësh bimën të lëshojë rrënjë, ndryshe pa

15
pritur e pa kujtuar ajo rrëzohet nën furinë e fjalëve. (E prek me ndrojtje
në krah.) Më mirë të mos ngutemi.
FREDERIKU - Jeni e sigurt se ky vendim është i drejtë?
SOFIA - Ngandonjëherë kam përshtypjen se të pasurit, (Me nxitim.)
desha të thosha, njerëzit me kulturë marrin vendime për t’i ndryshuar
më pas. Ja, dhe teto Konstansa, edhe nëna juaj shpesh herë e bëjnë këtë.
Edhe të tjerët kështu veprojnë.
FREDERIKU - Po. (I kap dorën.) Do të shkojmë mirë me njëri-tjetrin.
Unë pata fat me ty.
SOFIA - Pate fat? Ti duhet të tregohesh i duruar me mua. Siç duket në
këtë mjedis, unë dështova.
FREDERIKU - As që dua t’ia di se ç’mendojën të tjerët. Vetëm nuk
duhet të jesh kaq e pafjalë; mos e lojoni nënën time t’ju hipë në qafë, as
zonjën Grigz t’ju mësojë se ç’fustan të vishni apo t’ju ngacmojë flokët.
SOFIA - Këto nuk më bëjnë fort përshtypje. Ngaqë s’jam dhe aq e
bukur, zonjës Grigz i duket vetja më e mirë.
FREDERIKU - (Vë buzën në gaz.) Natën e mirë.
SOFIA - (Buzagaz.) Natën e mirë.

Frederiku del, Sofia mbledh filxhanët e kafesë, gotat etj. Nëpër shkallë
zbret Roza Grigzi, e cila mban në duar një pelerinë të lehtë. Ajo hyn në
dhomë.

ROZA - Po Elizët, ku janë?


SOFIA - U nisën për te Karterët.

16
ROZA - Si? Pa mua? Epo... kjo është e pahijshme. (Del me vrap në
holl, vështron në rrugë e kthehet duke u drejtuar tek tarraca.) Ben! (Ai
kthehet nga ajo.) Ben! Elizët u nisën pa mua?
GRIGZI - E çë pastaj?
ROZA - Nuk shkoj dot vetëm. Më shoqëro ti.
GRIGZI - Vetëm rrugën do të kalosh. Nuk është ndonjë udhëtim i
rrezikshëm.
ROZA - (Llastohet.) Ben! (Ai ngrihet e hyn në dhomë.) Kjo është e
tmerrshme! Në sy të të tjerëve! Një Zot e merr vesh këtë punë!
(Papritur vë re Sofinë që mbledh enët.) Sofi! Si guxoni të përgjoni?
(Sofia e vështron e habitur, por nuk arrin të hapë gojën.)
GRIGZI - (Prerë.) Roza!
ROZA - (E cila në raste të tilla mundohet të sillet sa më ëmbël.) Më
falni, zemër! ....Ju lutem! Mos m’u zemëroni!...
SOFIA - Po, madam.
ROZA - (Mundohet ta kapë për dore.) Këto ditë jam shumë nervoze.
Hë, më thoni që nuk zemëroheni me mua!...
(Sofia del.)
GRIGZI - (Buzëqesh; mesa duket, ai ka parë shpesh skena të tilla.) E
mirë, Roza, mjaft tani.
ROZA - Nuk denjon të më shoqërosh, të paktën, deri tek porta?
GRIGZI - Eja.
ROZA - (Buzëqesh.) S’është nevoja. Desha vetëm të dija, nëse do të
ishe i gatshëm të më shoqëroje, apo jo? Eja të më marrësh rreth orës
12:00, mirë?
GRIGZI - Jo.

17
ROZA - Atëhere, takohemi në tavernë në mesnatë.
GRIGZI - E përse? Ç’janë këto lodra që na bën tani?
ROZA - Lodra? Nuk paskam të drejtë të bisedoj me ty?
GRIGZI - Prapë? Në mes të natës? Çdo ditë e çdo natë nga e para?
Sërish për të njëjtat gjëra? Për Zotin, u rraskapitëm që të dy. (Pa të
keq.) S’kemi ç’bisedojmë më.
ROZA - (Me të butë.) S’kemi për çfarë të bisedojmë... Si mund të
ndahen kot më kot dy njerëz që kanë bashkëjetuar për njëzet e pesë
vjet? Dhe ta lënë njëri-tjetrin pa thënë asnjë fjalë?
GRIGZI - Po, zakonisht kështu ndodh. Por unë ende nuk të kam lënë
dhe njëqind herë t’i kam shpjeguar të gjitha që mund të t’i shpjegoja.
ROZA - Asgjë nuk më ke shpjeguar! Më thua se kërkon divorc. Përse,
përse, përse? Kemi qenë kaq të lumtur!
GRIGZI - (E vështron në sy.) Ti edhe vetë nuk e beson.
ROZA - Njerëzit, kur vijnë në moshën tonë, më të keqen e kanë lënë
pas! Një gjë të tillë nuk e kam dëgjuar kurrë! Fjalët e tua nuk po i marr
seriozisht, por dua që këtë bisedë të mos e zësh më në gojë. (Pasi hesht
një çast.) Asnjëherë nuk ma ke thënë shkakun e vërtetë. Dhjetë herë në
ditë të pyes; mos dashuron ndonjë tjetër? Po qe kështu... kuptohet... Por
ti nuk e pranon.
GRIGZI - Nuk kam asnjë grua tjetër.
ROZA - (Zgërdhihet.) A e di se ç’më vajti në mendje? Me siguri ajo
bjondja e farmacisë do të jetë! Sapo kthej unë shpinën...
GRIGZI - Roza, të lutem, mjaft.

18
ROZA - Për ta nuk je kujtuar kurrë. Asnjëherë. Sa herë kemi biseduar
për ndarjen, ti as që je kujtuar për ta. Sikur të mos ishin bijtë tanë. Sikur
kjo gjë të mos u përkiste fare atyre. A u shkrove sot?
GRIGZI - Ti vetë m’u lute të mos u shkruaj.
ROZA - Ah, po, më doli nga mendja. Kjo do t’i pezmatonte.
GRIGZI - Ata as që do ta merrnin mundimin ta lexonin letrën deri në
fund.
ROZA - (Me zë të ulët, e tërbuar nga inati.) Si flet kështu? Ti nuk i do
fare ata.
GRIGZI - Nuk i dua. Më parë i kam dashur, tani nuk i dua. Ata nuk
është e lehtë që t’i duash.
ROZA - Asnjë fjalë tënden nuk e besoj... gjithnjë ke dashur të më
trembësh... Ti je baba i mrekullueshëm dhe i adhuron siç të adhurojnë
ata ty.
GRIGZI - Ata as që e çajnë kokën për mua. Kujtohen vetëm kur ma
kanë nevojën. Kur s’ma kanë nevojën më kundërshtojnë.
ROZA - (Shkon drejt derës.) Shiko, Ben. S’mund të rri e të bisedoj me
ty gjithë natën. U bëra vonë. Nuk ia vlen të grindemi kështu për të
njëjtën gjë. (Ai qesh.) Meqë nuk ke dëshirë të vish në ballo, ç’ke
ndërmend të bësh?
GRIGZI - Do të dal në breg të detit, do të ulem në një stol dhe do të
lexoj gramatikën kineze.
ROZA - Do të mërzitesh.
GRIGZI - Por jo ngaqë nuk do të vij në ballo.
ROZA - A mund të merren seriozisht fjalët e një njeriu që e kalon
kohën duke lexuar gramatikën kineze? (I rreh krahët.) E pra, natën e

19
mirë, zemër. Mos u bëj merak për mua. Do të mundohem t’ia kaloj
mirë. Kurse bashkë bisedojmë një ditë tjetër. (Niset të dalë.)
GRIGZI - (Prerë.) As mos e ço nëpër mend! Kërkon ta kthesh në një
lojë? Që të kesh ç’të llomotitësh netëve të gjata të dimrit në vitet e
ardhshme? Kot e ke. (Ajo tashmë është në holl.) Kot e ke, mbaje mend
këtë! Kur të kthehesh në qytet, nuk do të vij me ty. (Kthehet dhe vë re
se ajo ka dalë.)
ZËRI I ROZËS - Natën e mirë, zemër.
GRIGZI - (Qëndron një çast pa lëvizur, pastaj kthehet. Shikon librin që
e ka lënë në tarracë, shkon atje, vë re se dera ka qenë gjithë kohën e
hapur. Krosmanit.)
Kurse ne kujtuam se nuk na po dëgjonte njeri. Sa keq...
KROSMANI - Gjepura.
GRIGZI - Kam kaq shumë gjëra për të bërë sa nuk di nga ta zë më parë.
Ju ka rastisur ndonjëherë të nisni një jetë të re?
KROSMANI - Kam menduar shpeshherë se po t’a nisja jetën nga e
para, do të kthehesha në pikënisje e prej andej do t’ia nisja sërish.
Përndryshe, nuk vërteton dot asgjë.
GRIGZI - (Qesh.) E nga do t’ia nisnit?
KROSMANI - (Qesh.) Nuk ke nga t’ia fillosh. Kjo është e keqja.
GRIGZI - Unë e kam nisur nga matematika. Tani këtë nuk ta beson më
njeri. Por në vend të matematikës, më qëlloi të marr pjesë në dy luftra.
Qejfi ma ka të shkoj gjëkundi për të mësuar diçka... (Buzëqesh.) ...ose
thjesht të jetoj vetëm e të mendoj.
KROSMANI - Ku? Në Evropë?

20
GRIGZI - Jo, jo, në Evropë. Herën e fundit, m’u duk si një çerdhe
turistësh amerikanë. Sa dëshpërim pashë atje! Nuk dua të ndërmarr
udhëtime sentimentale në vendet ku kam luftuar. Do ta nis thjesht. Ja, i
shkrova sime motre se dua të kaloj një a dy muaj tek ajo.
KROSMANI - Po ky, a nuk është udhëtim sentimental?
GRIGZI - Keni të drejtë. Dua ta takoj, sepse ajo i ngjan sime mëje.
Kam gjashtë muaj që e kujtoj vazhdimisht nënën. Ah, sikur të mund ta
shihja vetëm një ditë! Tekë disi e çuditshme për moshën time...
KROSMANI - Aspak. Herë pas here, të gjithëve na pushton një dëshirë
e tillë. Dhe mosha s’ka të bëjë fare. Kur na zënë hallet...
GRIGZI - Nuk e di përse jua them këto, Krosman... mos mendoni dhe
aq keq për time shoqe...
KROSMANI - Përse u dashka të mendoj keq për njeri?
GRIGZI - (Në ecje e sipër.) Të gjithë ushtarakët, me gra si Roza
martohen. E thotë rregullorja. Ajo s’është më pak e keqe nga ç’kam
qenë unë në rini. Është faji im, jo i saj.
KROSMANI - Ju keni jetuar gjatë në jug dhe e dini se faji bëhet qyrk e
qyrkun s’e vesh njeri.

Gjenerali qesh, del nga dera me xhama në të majtë drejt në kopsht. Në


këtë kohë nga lart zbret Konstansa. Ka veshur një fustan tjetër dhe
shtrëngon rripin duke ecur. Me të hyrë në dhomë, vështron rreth e
rrotull, shikon që çdo gjë është rregulluar dhe del në tarracë.

KONSTANSA - Më në fund gjithçka është vendosur në vendin e vet.


Nikut do t’i jap dhomën e Sofisë, ajo nuk thotë gjë. Këto ditë, le të flerë

21
këtu. Kjo ndodh çdo verë, kurse zonjën Diner do ta rregulloj në
dhomën e verdhë. Niku më tha në telefon... Ata kërkojnë dy dhoma të
veçanta.
KROSMAN - Në shoqërinë e lartë burri e gruaja nuk flenë bashkë.
Është antihigjenike.
KONSTANSA - (Ulet.) Jam shumë e lodhur, Ned.
KROSMAN - Pini një gotë konjak.
KOSTANCA - Nuk dua. Kam frikë se më acaron më shumë nervat.
KROSMANI - E çfarë nuk ia acaron nervat njeriut të gjorë; kafeja,
konjaku, kushërinjtë, pikat e ujit që bien nga rubineti, dielli tepër i
fortë, moti i vranët... Me një fjalë, gjithçka mund të quhet fajtore veç
asaj që ke në shpirt, apo jo, Konstansë?
KONSTANSA - Ata do të vijnë me shoferin e shërbyesen. Këta të dy
mund t’i rregulloj vetëm tek garazhi i varkave... O Zot, sa telashe!
Sofia pastroi e rregulloi tërë ditën, unë gatova. Ç’m’u desh që i pranova
të vijnë?
KROSMANI - (Buzëqesh.) As unë nuk e kuptoj përse.
KONSTANSA - Natyrisht, më pëlqen të takohem prapë me Nikun, por
më ngrihen nervat kur mendoj takimin me atë tjetrën. (Tregon gotën e
tij.) Mbase bëj mirë ta pi një gllënjkë?
KROSMANI - Vetëm pijanecët pinë me gotën e tjetrit. Merrni një gotë
tjetër. (Mbush gotën me konjak dhe ia zgjat.)
KONSTANSA - Shtrova çarçafët e linjtë të nënës. Sado të pasur të jenë
Dinerët, çarçafë të tillë nuk u kanë shtruar gjëkundi. Qërova disa
karkalecë deti e gjeta pak verë të bardhë... Ju kujtohet sa i pëlqente
Niku karkalecat e mbushur?

22
KROSMANI - (Vë buzën në gaz.) Jo, nuk më kujtohet.
KONSTANSA - Më tetëmbëdhjetë mbushen plot njëzet e tre vjet. Atë
natë, ai e ndau mendjen të shkonte në Paris me studime. Atë kohë në
Paris nga Nju Orleansi s’para shkonin shumë djem...
KROSMANI - ...të cilët njiheshin në vapor me trashëgimtare të pasura.
KONSTANSA - (Prerë.) Ai ra në dashuri. Nuk është për t’u vënë faj
vajzave, kur dashurojnë dikë tjetër. E tillë është jeta. Martesa e tyre
është e lumtur dhe kjo më ka gëzuar gjithë këto vite.
KROSMANI - Nga e dini që martesa e tyre është e lumtur?
KONSTANSA - (Buzëqesh.) E di.
KROSMANI - Në përgjithësi, askush nuk di gjë se si dalin martesat,
kurse ju na ditkeni për një martesë që nuk e keni parë kurrë. Qenkeni
shumë e zgjuar! Ndoshta kjo vjen ngaqë nuk e keni vrarë fort mendjen.
KONSTANSA - Si ju duket ky fustan?
KROSMANI - Është fustani i tretë që ndërroni pas drekës.
KOSTANCA - Sepse të gjitha fustanet e mia... asaj do t’i duken të lira.
(Buzëqesh.) Po vërtet të lirë janë. (Heshtje.) Ned, kemi ndryshuar
shumë ne?
KROSMANI - Po, e dashur. Po ju jeni ende e bukur, nëse është kjo që
ju shqetëson.
KONSTANSA - Ned, ju nuk dukeni fort mirë këtë verë. (Ai e mbush
përsëri gotën e tij, ndërsa ajo tregon diçka.) Prej kohësh, kam dashur
t’ju them... A nuk ju duket se...
KROSMANI - (Me dashuri.) Se kjo nuk është puna juaj? Po, më duket.
(Në dhomën e ndenjjes hyn Sofia. Në duar mban çarçafë, një batanije
me vatinë, një nënkresë. I vendos diku dhe del në tarracë.)

23
KONSTANSA - Vallë, ajo që ju përket juve nuk është puna ime?
SOFIA - Sa e mirë jeni sot, teto Konstansa!
KONSTANSA - Këtë fustan ma ka qepur Sofia dimrin e kaluar. Në
vend që të shkojë në mbrëmje vallëzimi, i qep fustane tetos plakë
provinciale.
SOFIA - Unë më bukur qep sesa vallëzoj.
KOSTANCA - Sofinë e ka mësuar të qepë e ëma. Ana Maria është
modiste.
SOFIA - (Qesh.) Ç’modiste është ajo? Thjesht një rrobaqepëse
shtëpiake siç thoni ju këtu, ndërsa tani punëtore në fabrikë.
KONSTANSA - Po bën modelet, ama. Kështu më ke shkruar... Edhe ti
më ke treguar!
SOFIA - (Qesh.) Jo, jo nuk më keni kuptuar. Ajo thjesht...
Nga jashtë dëgjohet zhurma e një makine që ndalon. Konstansa kthehet
me fytyrë nga dhoma, bën disa hapa prapa, i vjen rrotulll tryezës dhe
papritur vrapon lart. Krosmani e ndjek i habitur.
(Tregon me ndrojtje dhomën e ndenjjes.) Po unë... të qëndroj, zoti Ned?
KROSMANI - Nuk i njoh mirë ceremonitë e pritjeve të tilla.
SOFIA - Pse tetoja është kaq e nervozuar nga ardhja e këtij zotërisë dhe
damës?
KROSMANI - Sepse dikur ajo e ka dashuruar këtë zotëri. Nikolas
Diner ia thonë emrin.
SOFIA - A....a! Dhe ajo vazhdon të shqetësohet pas kaq vitesh? (Si të
bënte moral.) Po, po. Dashuria deri në fund të jetës është shenjë e një
shpirti të butë e të ndjeshëm. E tjera. (Ai e vështron me habi.) Damat e

24
pasura kështu duhet të sillen. Për to dashuria vjen vetëm një herë e nuk
përsëritet. Kjo ngaqë janë shumë të edukuara.
KROSMANI - Sofi, ç’është kështu me ju?
SOFIA - (Qesh.) Edhe unë mundohem të dukem sa më e edukuar. Mos,
ndoshta, mundohem pak si tepër. (Niset drejt dhomës, por dëgjon zëra
e del sërish me vrap në tarracë e prej andej në kopsht.)
ZËRI I NIKUT - (Prapa skenës.) Konstansë!

Në holl duket Niku, i cili hyn në sallon. Është rreth dyzet e pesë vjeç,
një burrë i bukur, pak i majmë e që pas disa vitesh do të bëhet thjesht
rondokop. Nina Dineri qëndron tek dera. Është rreth të dyzetave, tepër
elegante, por pamjen e ka shëndetligë, tepër të lodhur.

NIKU - (Thërret.) Konstansë!


(Pas Nikut e Ninës vjen shërbëtorja e tyre, Hilda. Në duar ka kutinë me
xhevahire, një çantë, dy pallto. Krosmani niset t’i takojë, por ndërron
mendje dhe qëndron në tarracë.)
HILDA - Urdhëroni t’i ngjitin valixhet lart, zonjë. 1
NINA - Ne s’e dimë ende se ku është lart e ku është poshtë.
NIKU - Kurse unë e di shumë mirë. Mbaj mend çdo skutë të kësaj
shtëpie. (Vëren dhomën.) Asokohe, ajo na dukej si Grand Palazzo; kur
ishim fëmijë, kalonim këtu pjesën më të madhe të kohës. (Me zë të
ulët.) palazzo!... Cili prej nesh ka ndryshuar, shtëpia apo unë? (Sheh që
Nina vazhdon të qëndrojë te dera.) Hë pra, hyr brenda!
NINA - Ka të ngjarë që ty të të pëlqejë të takohesh vetëm me miqët e tu
të vjetër. Ndërsa unë jam tepër e lodhur.
1
Këtu dhe më tej, Hilda i thotë gjermanisht replikat e saj.

25
NIKU - Të lutem, mos thuaj që u lodhe. Ne s’kemi vënë këmbën mirë.
Nga se u lodhe. Kohët e fundit si shumë ke filluar të lodhesh.
NINA - Po. Dhe e di që kjo të nervozon.
NIKU - Më shqetëson. (Në këto fjalë e sipër, Niku që sillej nëpër
dhomë, më në fund del në tarracë. Krosmani kthehet dhe më në fund
ngaqë e kupton që s’ka nga t’ia mbajë, shkon ta takojë.)
KROSMANI - Njatjeta, Nik. Gëzohem që të shoh.
NIKU - (Pasi hesht një hop.) O Zot, Vili!!... Sa vite kanë kaluar? (E
përqafon Krosmanin.) Nina, ky është shoku im më i vjetër, më i
ngushtë! Të kam folur shpesh për të, të kujtohet? Çfarë s’të kam treguar
për të.
KROSMANI - (I shtrëngon dorën Ninës, me qesëndi.) Shpresoj t’ju
ketë thënë se më quajnë Eduart, jo Vili.
NINA - (Vë buzën në gaz.) Ashtu?
NIKU - Nëna jote, Vili të thërriste gjithnjë. Nuk të kujtohet?
KROSMANI - (Shkon në holl.) Jo, nuk më kujtohet. Pandehja se Vili
quajnë tim vëlla. (Me zë të lartë.) Konstansë, erdhi Niku!
NIKU - (I afrohet Krosmanit.) Më trego pak shpejt sa pa ardhur ajo.
Ç’ka ndodhur këtu gjatë gjithë këtyre viteve. Unë s’di asgjë.
KROSMANI - As që ka çfarë të dish. Plaku Taherman na habiti të
gjithëve tek u nis në botën tjetër fare trokë. Kostanca shiti shtëpinë në
Nju Orleans dhe bëri si bëri e ruajti këtë shtëpi, duke e kthyer në një
farë pensioni veror. ja, kjo është e gjitha.
NIKU - Po zonja Taherman, ku është? Dikur unë luaja mendsh pas saj.
Ishte grua mondane.

26
KROSMANI - As që e kam idenë se ku mund të jetë, ndonëse
shpeshherë e pyes veten për këtë. Ajo vdiq menjëherë pas mister
tahermanit, siç duket për t’i treguar se dhe këtë gjë mund ta bëjë jo më
keq se ai.
NIKU - (Qesh duke i rrahur krahët Krosmanit.) Sa mirë që u takuam
sërish, babush. Isha i bindur se kjo dhomë ishte luksoze si një sallë
vallëzimi. tani është bërë pak e mërzitshme. Të gjitha gjërat e bukura i
kanë shitur?
KROSMANI - Dhoma nuk është ndryshuar fare. Dhe asgjë nuk është
shitur.
NIKU - Ndoshta e kanë fajin vitet, po mua gjithçka më duket e
vjetëruar, e tkurrur...
KROSMANI - (Shpejt.) Unë them se është një dhomë e këndshme.
NIKU - Po Semi, këtu banon?
KROSMANI - Semi vdiq gjatë luftës. Shkoi në Evropë, u martua dhe
nuk u kthye më. Këtu jeton e bija. Konstansa e mori me vete dhe e solli
këtu para pesë vjetësh.
NIKU - Po, Semi ishte vëlla shembullor, kur i leverdiste. Ndërsa
Konstansa sakrifikoi tërë jetën për hir të tij.
KROSMANI - (Ninës.) Niku paska mbetur ende bir i denjë i Jugut.
Këtu tek ne vajzat nga famijet e mira duhet patjetër ta sakrifikojnë
veten për hir të të dashurit, të shtëpisë atërore apo një shkurre
gardenie... Po andej nga anët tuaja ndodh kështu?
NINA - Në Nju Jork bën shumë ftohtë dhe gardeniat s’para rriten. (Në
holl duket Konstansa. Tek hyn në dhomë pengohet, mezi ruan
drejtpeshimin, buzëqesh e emocionuar dhe pret t’i drejtohet Niku.)

27
NIKU - (Ia merr fytyrën në duar dhe ia puth, pastaj tërhiqet pak prapa
për ta kundruar më mirë.) Konstansë, kjo është dita më e lumtur e jetës
sime.
KONSTANSA - (Me zë të ulët.) Edhe për mua.
NIKU - (Pa i hequr pëllëmbët nga fytyra e saj.) Ti ke ndryshuar, por je
bërë më e mirë. E ruan ende portretin që të kam bërë unë?
KONSTANSA - (Buzëqesh.) Portretin? Po, është e vetjmja gjë e
shtrenjtë që kam... (Kujtohet që aty pranë është Nina, turbullohet,
largohet nga Niku dhe i afrohet Ninës.) Më falni, zonja Diner.
NINA - (I zgjat dorën me përzemërsi.) Tungjatjeta!
KONSTANSA - (Me sjellje të shtirur mondane.) Duhet t’ju prisja... Por
isha e zhytur në lexim dhe nuk e dëgjova makinën kur mbërriti. (Ndesh
vështrimin e habitur të Krosmanit dhe largon sytë me nervozizëm.)
NIKU - Ndërsa unë ëndërroja të të shihja në rruginën e kopshtit të
ndriçuar nga dielli, veshur me atë fustanin bojërozë që vishje dikur...
NINA - Dielli rallëherë ndriçon natën...madje dhe për ty.
NIKU - (Konstansës.) Kurse ti më rrije e lexoje... sikur prisje
shpërndarësin e qumështit e jo...
KONSTANSA - (Me nxitim.) Nuk po lexoja, jo. Gënjeva nga
budallallëku. Për të shitur... (Zihet ngushtë.) O Zot, i harrova fare
zakonet e mikpritjes... Ju me siguri ju ka marrë uria, zonja Diner.
NIKU - (Qesh, e merr nga duart dhe e tërheq drejt divanit.) As mos e
thuaj atë fjalë. Ç’janë këto zakone? Ka shumë gjëra që unë duhet t’i di.
(Ata ulen.) Kurse portreti ishte me të vërtetë i mirë, apo më duket mua?
Dua që Nina ta shohë. Ajo merr vesh nga piktura. Ngandonjëherë,
mendoj se kupton madje më mirë se unë.

28
KONSTANSA - (I buzëqesh Ninës dhe i tund kokën Nikut.) Nik, jam
abonuar në të përjavshmen “Nju Jork Sandi Times” vetëm prej rubrikës
artistike. Kisha shumë dëshirë t’i ndiqja sukseset e tua.
NIKU - (Me kujdes.) Për mua rrallëherë shkruhet në “Times”. Kam
ekspozuar vetëm në Evropë.
KONSTANSA - Ah, kështu qenka puna.
(Pauzë e shkurtër, e rënduar.) Piktura më pëlqen shumë, veçanërisht
Rënuari. Kopshte të gjelbëruara me gra të bukura, shumë të bukura.
NIKU - (I mërzitur.) Po, shumë të bukura janë. Po kaq bukur është dhe
këtu. O Zot, sa të lumtur kemi qenë këtu! Sa fort e kemi dashur njëri-
tjetrin! Të kujtohet, Ned?
KROSMANI - Ndonjë dashuri të veçantë sikur nuk mbaj mend.
NINA - (Qesh.) Më pëlqeni, zoti Krosman.
NIKU - E dija që do të të pëlqente. Këta janë miqtë e mi më të vjetër!
Kur njeriut i kalon pak mosha ai e ka të nevojshme të prekë degët e
vjetra e të forta, midis të cilave është rritur; ato do ta sjellin sërish
prapa, deri tek rrënja e asaj ç’ka është më e rëndësishme në jetë. (Nina
kollitet, Krosmani largohet pak pa e fshehur buzëqeshjen, madje dhe
Konstansa është e turbulluar nga kjo ligjëratë.) A s’është kështu, Ned?
Ç’ke bërë gjatë gjithë këtyre viteve?
KROSMANI - Punoj në një bankë dhe verës vij këtu me pushime. Kaq.
NIKU - Në Paris, takova Luis Preskotin; ai më tregoi se ti dhe
Konstansa s’u martuat që s’u martuat. (I përkëdhel dorën Konstansës, e
cila është e skuqur nga turpi.) S’e marr vesh pse. Pa dyshim, ngaqë ti pi
shumë, Ned.

29
KROSMANI - Si s’përtoi Luis Preskoti të vinte deri në Paris për t’ju
treguar një gjë të tillë.
NIKU - (Ngrihet i prekur.) Dëgjo, miku im, nuk desha të të fyej. Dhe
unë vetë nuk pi pak. Nuk të mbeti qejfi?
KROSMANI - E përse të më mbetet? Edhe unë dua të di si ia keni
kaluar ju këto vite? Jeni sëmurur ndonjëherë nga sifilizi? Gjëra të tilla
më mirë t’i mësosh që në fillim, fluturimthi, apo jo?
KONSTANSA - Ned, si nuk ju vjen turp?
NIKU - (Vë buzën në gaz.) Qenke bërë i hidhur fort! Nuk mbaj mend të
kesh qenë i tillë.
KROSMANI - (Me mirësjellje.) Ashtu? S’ma merr mendja të kem
ndryshuar ndopak. Natën e mirë.
NIKU - A do të më shoqërosh nesër nëpër vendet që endeshim dikur?
KROSMANI - Me kënaqësi. Natën e mirë, zonja Diner. (Ngjitet lart.)
NIKU - (Konstansës, duke nënkuptuar Krosmanin.) Më fal, nëse thashë
ndonjë fjalë që...
KONSTANSA - Kam kaq vjet që e përfytyroj takimin me ty dhe zonjën
Diner... Për mua kishte shumë rëndësi të dija si do të takoheshim ne të
dy... (Trishtueshëm.) Kurse tani që ndodhi...
NIKU - (Me të mirë.) Gjepura! Unë duhet të kthehesha këtu sikur të
isha larguar vetëm një ditë më parë. Ne filluam atje ku e kishim lënë;
madje dhe unë e Nedi. Zemër, le të sillemi si dikur, sikur midis nesh të
mos qëndronin si humnerë gjithë këto vite.
KONSTANSA - (E kënaqur nga fjalët e tij, me dashuri.) Të
faleminderit, i dashur! (I afrohet Ninës.) Gjithë këto vite kam pasur
dëshirë t’ju shkruaj, madje ju kam shkruar, por nuk i kam nisur letrat.

30
Më dukej sikur fusja hundët në punët tuaja. Ju shihja se si e merrnit
letrën dhe nuk e kuptonit se nga ju vinte...
NIKU - Ninës i kam folur për ty që natën e parë të njohjes sonë. Më
vonë, ajo tallej me mua. Ti je tepër modeste, Konstansë. (Papritur.) Do
të më lejosh të të bëj një portret tjetër?
KONSTANSA - (Qesh.) Portret tjetër? Jo, jo! Dua që ti të më kujtosh
vetëm si në atë portretin që kam lart.
NIKU - Shko sille. Dua ta shoh bashkë me ty. (Konstansa buzëqesh e
del. Heshtje.) Nuk po tregohesh fort dashamirëse, Nina.
NINA - E ç’kërkon nga unë? Unë s’e kam kuptuar ende se ku qëndron
loja që ke menduar.
NIKU - Çfarë loje?
NINA - Ti më paske treguar për Konstansë Takermanin që ditën e parë
të njohjes sonë. Për të dhe për Vilin, apo Nedin tënd të dashur, si djallin
e quajnë atë, e pastaj unë të paskam ngacmuar tërë këto vite.
NIKU - Të kam folur për të njëherë...
NINA - Ma ke përmendur shkarazi javë e kaluar. Shumë vite pas
njohjes sonë dhe më the se zor se do ta njihje atë budallaçkë...
NIKU - (Shpejt.) Me turinj ke ndërmend të rrish gjatë gjithë kohës që
do të jemi këtu, në këtë shtëpi? kam kaq vjet që mezi prisja të
kthehesha dhe një herë këtu...
NINA - (Qesh.) Që t’i bësh asaj një portret tjetër?
NIKU - Jo, ky mendim më lindi gjatë rrugës. Veç nëse portreti i parë
është vërtet i realizuar... E kupton se ç’gjë e mrekullueshme do të ishte
për ekspozitën time? Një vajzë e re dhe përkrah saj një grua

31
dyzetepesëvjeçare. Edhe ne të dy po kaq kemi ndryshuar. Mua më
duket se ti nuk je plakur fare e dashur!
NINA - Unë kam ndryshuar shumë dhe nuk do të doja që këtë ta
ekspozonim duke varur portretin tim të tanishëm përkrah atij që më
tregon si kam qenë dikur. (Ai nuk i kthen përgjigje.) Nuk më pëlqen kjo
sajesë dhe po ta dija më parë...
NIKU - Ç’është kjo sajesë? Unë thjesht pata dëshirë të kthehesha në
vendlindje. Ç’ka këtu për t’u habitur?
NINA - Kërkove një fushë të re për të ushtruar talentin tënd. O Zot, për
të satën herë? Ti e di dhe vetë si mbaron kjo punë!
NIKU - (Gazmor.) Më vraftë Zoti, në marr vesh se çfarë dërdëllit ti!
NINA - Jam lodhur me marifetet e tua, Nik...
NIKU - A nuk të duket se ti po bëhesh çdo vit e më grindavece? Kurse
unë dua ta kalojmë gëzueshëm këtu. Nëse ty nuk të pëlqen të qëndrosh
më këtu, unë po bëj gati menjëherë gjithçka duhet.
NINA - (Sikur të trembej nga diçka.) Mezi po pres të bie në shtrat...
Nuk desha të ta prishja kthimin në vendlindje. (Niset për t’u ngjitur
lart, por rruges ndesh Konstansën, e cila mban në duar një portret.)
Më falni, Konstansë, por po më çahet koka pas gjithë atij udhëtimi.
KONSTANSA - Ah, sa keq! Dëshironi t’ju sjell lart diçka për të
ngrënë?
NINA - Jo, faleminderit!
(Konstansa bën një lëvizje si të donte t’i tregonte rrugën.)
NIKU - Eja këtu, dua të shoh portretin. Nina e gjen rrugën vetë. (Merr
portretin në duar.)

32
KONSTANSA - Dhoma e verdhë majtas. Shërbyesja juaj po nxjerr
plaçkat. Pashë pak nga vrima e çelësit. Ç’fustane të mrekullueshme!
Mund t’i shoh pak nesër?
NINA - (Duke ngjitur shkallët.) Natyrisht dhe natën e mirë. (Konstansa
e shoqëron me sy derisa hyn në dhomë.)
NIKU - (Duke parë portretin.) Mëkat që u shqetësova. Është një punë e
mrekullueshme për një djalosh tetëmbëdhjetëvjeçar.
KONSTANSA - Atëhere, ti ishe njëzet e dy vjeç, Nik.
NIKU - S’është e vërtetë! Unë...
KONSTANSA - Ti e përfundove atë për ditëlindjen tënde. (Tregon nga
dritarja.) Ja, atje. Dhe kur le penelatat the: “Punë e shkëlqyer për një
djalosh njëzet e dy vjeçar” dhe më kërkove të martohesha me ty! Nuk e
mban mend? (Hesht e turbulluar.) Megjithatë, ti s’ke pse e kujton. Kot
e hapa këtë bisedë.
NIKU - (Duke e përpirë portretin me sy.) Gjepura! Thuaj ç’të të vijë
për mbarë. Ne e kemi dashur njëri-tjetrin, tmerrësisht. Pse të mos flasim
për këtë?
KONSTANSA - (Me nxitim, e ka humbur fare.) Kur të vdes, portretin
do t’ia lë Muzeut të Delgrados.
NIKU - (Qesh.) Më parë do ta marr unë hua. Këtë vit do të hap në
Londër një ekspozitë retrospektive. Kam punuar portretet e gjithfarë
njerëzish të dëgjuar, por me këtë krenohem më tepër. Dua të të bëj një
portret tjetër. Të të bëj një të tillë siç je tani. (Afrohet tek dritarja i
emocionuar.) Ti do të qëndrosh ja, atje, si dikur... një ide e
mrekullueshme; dikur vajzë e re, sot grua në moshë. Do t’ia bëjmë fora.
A e di, Konstansë, me kalimin e viteve fytyrat ndryshojnë, kjo është

33
vërtet interesante! Ato bëhen ose më të mprehta ose fishken! Linjat në
rini sapo dalloheshin pak...
KONSTANSA - (E habitur.) Nik! Nuk dua ta shoh veten siç jam tani.
Nuk dua ta di si kam ndryshuar, as që dikush tjetër ta vërë re këtë
ndryshim. Nuk dua që njerëzit të qeshin me mua ose të më mëshirojnë.
(E fyer.) Si nuk të vjen turp, Nik!
NIKU - E kuptoj. (Kthen kurrizin.) Sa keq! Kurse unë e kam ëndërruar
kaq kohë këtë...Ç’t’i bësh! Po shkoj të fle.
KONSTANSA - Po ne ende s’kemi shkëmbyer dy fjalë. Pastaj, unë të
kam përgatitur darkën.
NIKU - Natën e mirë, zemër.
KONSTANSA - Mendon se jam egoiste? Ti mendon se askush tjetër
nuk do të refuzonte?
NIKU - Jo, pse? Shumica e grave kështu do të silleshin. (Shkon drejt
derës.)
KONSTANSA - Të pëlqen të ta sjell mëngjesin në shtrat? Po për drekë
çfarë të të gatuaj? Dëshiron peshk-shpatë të pjekur?
(Niku del në holl e takon Kerrin me Rozën. Kerri mban Rozën për
krahu.)
KERRI - Tungjatjeta, Nik!
NIKU - O Zot, Kerri! Nuk e dija se qenkeni këtu. Si kështu? O...
mrekulli!
KERRI - Ne vijmë çdo verë këtu.
NIKU - Sa e bukur jeni, Kerri. Si gjithmonë.
KERRI - (Buzagaz.) Kurse ju, si përherë nuk harroni t’i thoni këto fjalë.

34
(Roza kollitet me delikatesë.) Njihuni, zonja Grigz. (Konstansës) Zonja
Grigz nuk e ndjente veten mirë dhe unë e shoqërova deri këtu. Iu morën
mendtë nga vallëzimi.
ROZA - (Nikut, i cili i shtrëngon dorën.) Jeni kaq i njohur në këtë
qytet, sa unë mezi prisja të njihesha me ju. Ne këtu mërzitemi
tmerrësisht.
NIKU - (Qesh.) Pamja juaj nuk e tregon këtë.
ROZA - Faleminderit. Sot, dukem shumë keq. Nuk e di si m’u përzie
papritur.
KERRI - Nëse ju përzihet, (Me shpoti.) ejani.
NIKU - Mund t’ju ndihmoj, zonja Grigz?
ROZA - (E kënaqur.) Sa i mirë jeni! Këtë verë s’para e ndjej veten
mirë. (Niku del në holl.)
KONSTANSA - Nik...
(Ai bën sikur nuk e dëgjon. Kerri e arrin me vrap dhe e merr sërish
përkrahu Rozën.)
KERRI - Natën e mirë, Nik. Besoj se do të rrini ca ditë këtej.
NIKU - Kam frikë se do të nisem që nesër.
ROZA - Oh, ju lutem, qëndroni! Konstansë, po erdhi Beni, i thoni se
nuk ndjehem mirë.
(Kerri e shtyn me padurim përpjetë shkallëve.)
NIKU - (Nga prapa tyre.) Ç’grua e pashme! (Vështron Konstancën.) Si
është puna?
KONSTANSA - Pse u the se do të nisesh nesër? (Ai nuk përgjigjet.)
Mos u zemërove me mua, Nik?
NIKU - Shpirt, unë nuk të mbaj mëri.

35
KONSTANSA - (E mban fare pranë derës.) Të lutem, Nik. Hë pra, të
lutem... Ndërrova mendje. Merre po deshe këtë portret dhe mua do të
më bëhej qejfi nëse to do të më bëje një të ri. Do të pozoj në mëngjes,
para se miqtë të zbresin për të ngrënë.
NIKU - (Me moskokëçarje.) Po mirë, bukur fort. Fillojmë qysh nesër në
mëngjes. Po më thuaj e dashur, me të ardhurat e këtij pensioni jeton?
KONSTANSA - (Gëzueshëm.) E ç’të ardhura janë këto! Këto vitet e
fundit kemi qenë pak hollë. Solla nga Evropa të bijën e Semit. Ajo dhe
nëna e saj vuajtën shumë gjatë pushtimit. Desha t’i jap arsim të mirë e
pastaj ta fus në shoqëri. Në moshën trembëdhjetëvjeçare vajza ka
punuar në një dyqan peshku...
NIKU - Pse nuk u martove me Nedin?
KONSTANSA - Nuk bisedoj dot për gjëra të tilla. Madje as me ty.
NIKU - E pse? Unë me shumë kënaqësi mund të flas për veten time ose
dhe për Ninën.
KONSTANSA - Është ndryshe të flasësh për një jetë të suksesshme e
ndryshe për... Nuk e di. Nuk u martuam e aq.
NIKU - (Si i mërzitur.) Epo, mirupafshim nesër. Do të të bëj një portret
të mirë - ti ke fytyrë prej gruaje të mirë... (Hesht, tek e sheh Sofinë te
dera e dhomës.)
(kur sheh Nikun e Kostancën, Sofia tërhiqet e turbulluar)
KONSTANSA - Ti je, Sofi? (Sofia hyn në dhomë.) Njihuni, kjo është
vajza e Semit.
NIKU - (Me shumë ngrohtësi.) Sa vjet kam ëndërruar të takohem me
ju!
(Konstansa e vështron e habitur.)

36
SOFIA - Tungjatjeta, zotëri!
NIKU - Ju ndiqkeni traditat e mëdha të fisit të Tahermanëve; gratë e
tyre janë gjithmonë të bukura.
SOFIA - Hëm, hëm.
KONSTANSA - (Buzëqesh.) Mos belbëzo. Thuaji faleminderit. (Nga e
majta hyn Grigzi.) Ejani, ejani. (Grigzi hyn në dhomë.) Njihuni,
gjenerali Grigz, miku im i vjetër Nikolas Dineri.
NIKU - Ju jeni i famshi gjeneral Benjamin Grigz? Posi! Kam lexuar për
ju në librin e Rejmondit dhe tek Pauelli...
GRIGZI - (Duke i shtrëguar dorën.) kam dëgjuar se ata kishin
mendime të ndryshme për mua.
NIKU - Për pak mund të ishim njohur dhe më parë. Gjatë ditëve, kur
ushtarët tuaj morën Parisin. Sepse, në kohën e gjermanëve, unë isha ne
Francë.
(Sofia kthehet menjëherë.)
GRIGZI - Me siguri nuk e keni patur të lehtë.
NIKU - Keni të drejtë. Por, tekefundit, duhet të flasim atë që është;
gjermanët u sollën në një mënyrë shumë fisnike ndaj francezëve.
Xhentëlmenë, në kuptimin e plotë të fjalës.
GRIGZI - (Me mirësjellje.) Këtë sikur nuk ma kanë zënë sytë.
(Vështron Sofinë.) Kam frikë se as ju,, Sofi, apo jo?
(Gjatë bisedës së tyre, te dera duket Hilda.)
HILDA - (Gjermanisht) Më falni, zonja Diner ju lutet të shkoni tek ajo
para se të flini. Do t’ju japë një dhuratë të vogël, të cilën e ka blerë për
ju në Nju Orleans.

37
NIKU - (Në gjermanisht.) I thoni zonjës se do të shihemi nesër në
mëngjes e të marrë ndonjë luminal.
HILDA - Mirë, zotëri.
KONSTANSA - (Nuk kupton gjermanisht, por habitet që Sofia ngryset
në fytyrë, kurse Grigzi ka kthyer krahët e është tërhequr mënjanë.)
Po unë... a mund të... ndoshta Nina ka nevojë për...
NIKU - Jo, jo. Ajo s’ka nevojë për asgjë. (Sofia shtron çarçafët në
divan. I drejtohet asaj.) Duket se unë dhe ime shoqe ju zbuam nga
dhoma e gjumit. Na falni dhe ju faleminderit.
SOFIA - S’ka përse, zotëri. Nuk keni përse të më falenderoni.
NIKU - (I afrohet.) Ju jeni një vajzë shumë e këndshme dhe unë mezi
pres të njihem nga afër me ju. (Grigzit.) Natën e mirë, zotëri. Gëzohem
që u njohëm. (Grigzi e përshëndet me kokë. Niku puth Konstansën.)
Ç’kënaqësi që më në fund u ktheva, zemër. (Del.)
(Konstansa e ndihmon Sofinë të përgatisë shtratin. Të gjithë heshtin.
Grigzi i ndjek me sy.)
KONSTANSA - Mbase nuk duhet të pyes, por, megjithatë, ç’kërkonte
ajo gjermanka? Ndonjë gjë për të ngrënë? (Nuk i përgjigjet njeri.) Sofi!
(Heshtje.) Sofi!
SOFIA - (I zgjedh fjalët.) Zonja Diner donte t’i uronte të shoqit natën e
mirë.
GRIGZI - Zonja Diner i kishte blerë një dhuratë të vogël në Nju
Orleans dhe donte t’ia jepte sonte.
KONSTANSA - Pa shih! E pra, ata kanë kaq kohë martuar! Dhuratë e
vogël!... A nuk është prekëse? (Shikon Grigzin dhe Sofinë. Ata nuk i
përgjigjen. Ajo e kupton se diçka nuk shkon.) Po Niku, çfarë i tha?

38
SOFIA - I tha se zonja Diner duhet të marrë luminal e të bjerë për të
fjetur.
KONSTANSA - Ashtu?
SOFIA - Atje poshtë në plazh kërcet tregtia e kremviçeve. Them se, po
të nxjerr një patentë e të tregtoj luminal, do të pasurohem shumë shpejt.
KONSTANSA - Ç’është kështu me ty? Mos je mërzitur me njeri?
(Shikon fustanin e Sofisë.) Nuk shkove në ballo? Isha e zënë me punë...
as e vura re. Më fal, po Fredi ç’u bë?
SOFIA - Nuk desha të shkoja në ballo, teto Konstansa. Frederiku kishte
një takim të rëndësishëm.
KONSTANSA - Më të rëndësishme sesa takimet me ty? Çudi... Tani
djemtë e zgjidhin kaq lehtë problemin e fatit të tyre, kurse me njëri-
tjetrin sillen si... (Grigzit.) Në kohën tonë, martesa ishte ku e ku më
romantike. Po nuk thure ëndrra të bukura tani, kur do të ëndërrosh? (I
rreh dorën Sofisë me dashuri.) S’ka gjë. Të paktën ju jeni më me mend.
Ç’është e vërteta, mua koha jonë më pëlqen më shumë. (Grigzit.) Po
juve, gjeneral? O Zot, ç’po ndodh kështu me mua? Harrova t’ju them se
Roza është kthyer. Më tha se nuk e ndjente veten mirë... Kerri u ngjit
lart me të. (Ai nuk lëviz nga vendi.) Ndoshta Kerri kërkon të kthehet në
ballo e kërkon ta zëvendësoni.
GRIGZI - Me siguri... Ju faleminderit. Natën e mirë. (Del.)
KONSTANSA - (Puth Sofinë.) Do të jesh rehat këtu. Mirupafshim
nesër, shpirt. (Del nga holli.)

Sofia mbaron së rregulluari shtratin dhe del. Nga lart zbret Krosmani.
Ai fut kokën tek dera e sheh që nuk ka njeri, kalon përmes dhomës, del

39
në tarracë, merr shishen e konjakut dhe një gotë, kthehet e ndalet me
Sofinë, e cila mban në duar pizhamat e robdëshambrin.

KROSMANI - (Me zë e sjellje pak të ndryshuar.) M’u desh një libër


dhe një shishe tjetër me konjak. Shkëlqesitë e tyre vajtën të prehen. Me
kalimin e viteve njerëzit nuk bëhen më të mirë, apo jo Sofi?
SOFIA - Për Zotin, nuk e di, zoti Ned.
KROSMANI - Ju lutem shumë, formoni një mendim tuajin, të paktën
për diçka. Përpiquni njëherë, pa të dalë ku të dalë.
SOFIA - Me kalimin e viteve, disa njerëz bëhen më të mirë e disa më të
këqinj.
KROSMANI - (Miraton gëzueshëm me kokë.) Shkëlqyeshëm, Sofi,
shkëlqyeshëm! Disa bëhen më të mirë e disa më të këqinj. Statistikat
mjekësore tregojnë se gjeshtëdhjetë e një përqin a tyre që bëhen më të
mirë kanë lexuar librin tonë për dietën e ushqimit dhe pinë cigare
Ifletic... Ju jeni mësuar të flisni me gjuhën e reklamave çka është sot
kulmi i stilit tonë letrar. (Prerë.) Veç ky nuk është stili juaj dhe ky nuk
është atdheu juaj. Ju nuk keni punë në Amerikë. Për ju është më mirë të
mos e njihni atë.
SOFIA - Ngandonjëherë më duket se e kuptoj.
KROSMANI - Kjo deklaratë është me rrezik, Sofi. Ju përpiqeni me të
gjitha forca të përshtateni e të hiqeni si e trashë. Jo se kishit ndonjë
mendje brilante, por të paktën, ishit një vajzë normale. Edhe nja pesë
vjet të tjera në Amerikë e budallëku juaj nuk do të jetë më i shtirur.

40
SOFIA - (Buzëqesh.) E çë pastaj? Do ta kem më të lehtë për të jetuar.
(Me kujdes.) Kot më vështroni me kaq vëmendje, zoti Ned. Ju lutem,
s’ka përse të më mëshironi dhe të shqetësoheni për mua.
KROSMANI - Kur erdhët këtu ishit një vajzë e mirë që kishit parë e
vuajtur shumë gjatë luftës. Ju ishit një vajzë me karakter të fshehtë , por
karakter ama. Ishit e gëzuar, ashtu qetë-qetë, brenda vetes... veç femrës
kështu i takon të gëzohet, sepse femra asnjëherë nuk janë tamam të
gëzuara. Vetëm njerëzit seriozë dinë të gëzojnë, kurse femrat rrallë
qëllon të jenë serioze. Ato mundohen, por nuk është njëlloj. (Papritur.)
Ç’djall sajese qe ajo puna e martesës suaj me Fred Elisin.
SOFIA - (Me të butë.) Martesa jonë është puna ime dhe e Fred Elisit.
KROSMANI - Ç’është kështu me ty, Sofi? Vërtet nuk ke vallë aq mend
sa për të kuptuar se...
SOFIA - Kjo është zgjidhja më e mirë. Ju falenderoj që shqetësoheni
për mua, zoti Ned, por ju jeni njeri i kulturuar dhe unë nuk i marr vesh
mirë mendimet tuaja në anglisht.
KROSMANI - Nganjëherë, kur pi aq sa duhet më duket sikur arrij të
kuptoj ato gjëra që në gjendje të zakonshme nuk do t’i kuptoja dot.
Tani kam pirë tamam aq sa duhet prandaj më dëgjoni; bëni një prapa-
ktheu dhe marsh për në shtëpi, për në Evropë. Dhe sa më shpejt, aq më
mirë.
SOFIA - Juve ju nevojiten shumë fjalë për të thënë një gjë kaq të
thjeshtë. Ju vetëm flisni... flisni dhe gjëra kaq të thjeshta si, fjala vjen,
po shkoj të fle, i shndërroni e i bëni tepër të koklavitura, kurse ato të
ngatërruarat, bie fjala, të jetosh, tepër të thjeshta. Të kthehem në shtëpi

41
është një fjalë goje. Kështu më thoni ju? Teto Konstansa i harxhoi për
mua të gjitha paratë e saj. Për çfarë? Si mund të iki unë tashti?
KROSMANI - Nëse vështirësia qëndron vetëm këtu, ua gjej unë paratë
për t’u kthyer.
SOFIA - (E lodhur.) Ah, zoti Ned! Ne dhe mamaja jemi në borxh atje,
në fshat. Në Evropë, së cilës i përkas unë, nuk mund të jetosh atje ku ke
borxhe. “Shkoni në shtëpi!” Mos desha unë të vija këtu? Vendi im nuk
është këtu, unë e ndjej veten të humbur e më merr malli për vendin tim.
Unë dua nënën time, unë... Çdo natë mendoj si të iki që këtej. Por
kaluan pesë vjet dhe nuk po e gjej dot se si. Prandaj mundohem të bëj
atë që është më e mira. (Me mllef.) Dhe nuk kam ndërmend të qaj, as të
bisedoj për këtë!
KROSMANI - (Me zë të ulët, me dhembje.) Më e mira që u ka mbetur?
SOFIA - Besoj se po. (Me mirësi.) Ndoshta ju asnjëherë nuk jeni
përpjekur të gjeni rrugëdaljen më të mirë, zoti Ned. Ndoshta asnjeri
prej jush nuk e ka kërkuar ndonjëherë atë?
KROSMANI - Kur njerëz të vetmuar bisedojnë me njëri-tjetrin, ata e
ndjejnë veten dhe më të vetmuar. Ndërsa ta duhet të tregohen të
kujdesshëm. Sepse, ka të ngjarë që njerëzit e vetmuar të mos jenë në
gjendje të qajnë. Më falni.
(Del në holl dhe ngjit shkallët ngadalë.)

***** PERDJA *****

42
AKTI I DYTË

SKENA E PARË

Dekori është ai i aktit të parë. Ngjarjet zhvillohen ditën e diel, pas një
jave, në orën tetë e gjysmë të mëngjesit. Kur ngrihet perdja Konstansa
është e mbështetru pas parmakëve të taracës, kurse Niku pranë
kavaletit. Konstansa ka veshur një fustan shtëpie, i cili nuk i shkon
fare, flokët i ka të krehura e të lëpira. Duket dhjetë vjet më e madhe. Në
dhomën e ndenjjes, Sofia ka ngritur rrobat e gjumit dhe po pastron
qilimat. Pas pak, nga dhoma e ngrënies hyn Leo me tabaka në dorë dhe
kalon në tarracë. Vendos tabakanë dhe nis të shtrojë tryezën.
Konstansa i bën shenja e dëshpëruar, duke dashur ta pyesë, nëse shkon
gjithçka në rregull në kuzhinë. Ajo lëviz buzët, duke u përpjekur të mos
lëvizë kokën. Leoni e sheh këtë, por nuk e merr vesh se ç’kërkon të
thotë ajo. Zhurma, që bën Sofia, duke lëvizur enët për të pastruar
qilimat, bëhet gjithnjë e më e fortë.

NIKU - Konstansë, u thuaj të mos bëjnë zhurmë. (Bën me dorë nga


Leoni dhe Sofia.) Pa largohuni që këtej të dy!
KONSTANSA - Ata nuk mund të largohen. Ta kam thënë çdo mëngjes
këtë! Mëngjesi duhet bërë gati. (Me zë të ulët.) Si shkojnë punët në
kuzhinë, Sofi?
SOFIA - Gjithçka në rregull, zonjë.

43
NIKU - (Konstansës, me zemërim.) Të lutem, mos lëviz! Edhe pak
minuta!
KONSTANSA - (Leonit.) I thuaj Sedit të mos e pjekë mëlçinë para se
të zbresin të gjithë. Po për çorbën e së dielës mos ka harruar? (Vështron
fytyrën e zemëruar të Nikut.) Mirë, mirë, më fal. Por nuk e mbaj dot
pensionin e të pozoj njëherësh...
(Konstansa psherëtin dhe merr pozën e mëparshme. Sofia merr rrobat e
gjumit dhe del në holl. Leoni mbaron së shtruari tryezën dhe kthehet në
sallon. Nëpër shkallë zbret zonja Elis.)
Zonja ELIS - (Leonit.) Gati është mëngjesi?
LEONI - Jo, zonjë. Do t’ju njoftojmë me zile.
Zonja ELIS - Pse ma vonojnë kaq shumë mëngjesin?
LEONI - Mëngjesi do të jetë gati në orën e zakonshme.
Misis ELIS - Mëngjesin po na e servirin çdo ditë e më vonë.
LEONI - Ashtu ju duket, zonjë. Doni të hani në dhomën e ngrënies apo
në tarracë?
Zonja ELIS - Në tarracë ka shumë lagështi, megjithëse lagështi ka në të
gjithë shtëpinë. Gjithë verës nuk kam vënë gjumë në sy.
LEONI - Në verë, njeriu mund të mos flerë fare. (Del.)
Zonja ELIS - (Nga pas Leonit.) Ç’doni të thoni me këtë? (Kthehet,
shkon në tarracë e ndalon para Konstansës.) Dëgjoni, Konstansë, për
meritë të tij, ju dukeni dhjetë vjet më e vjetër. Pse e bëre këtë, Nikolas?
(Sofia kthehet në dhomë me tabaka në duar, ku ka një ibrik të madh
kafeje dhe filxhanë të vegjël; e vë tabakanë mbi tryezë.)
NIKU - (Zonjës Elis.) Sh-sh-sh! Kjo është zonë e ndaluar.

44
Zonja ELIS - (Sofisë.) Sofi, më jepni një filxhan kafe, ndryshe do të më
zërë gjumi në kishë. (Konstansës.) Plot dhjetë vjet më e madhe. Ndërsa
kur e paguan piktorin, ai të bën dhjetë vjet më të re. Unë bëra një
portret me porosi kur isha njëzet e një vjeçe; në duar mbaja fëmijën e
parë. Dhe në portret fëmija dukej më i madh se unë. Oh, çfarë
skandali...
NIKU - Sikur ju të mos më pengonit të punoja çdo mëngjes, do të isha
dashuruar pas jush.
Zonja ELIS - (Shkon te Sofia për të marrë filxhanin e kafesë. Sofia
hedh në filxhan tri lugë sheqer.) Ju nuk jeni për mua. Edhe sikur të isha
më e re, prapë nuk do të më prishej mendja për ju. (Sofisë, e cila është
në dhomën e ndenjjes.) Vetëm ju nuk e harroni si e dua unë kafenë.
Sofi, ejani në qytet. (Nga shkallët zbret Krosmani.) Jetoni ca kohë tek
unë, sa të kthehet Kerri dhe Frederiku nga Evropa.
SOFIA - Me kënaqësi.
Zonja ELIS - Ned, çfarë t’i dhuroj Sofisë për dasmë? Diamantin tim
apo brilantët e nënës?
KROSMANI - (Sofisë.) Të pasurit gjithmonë u dhurojnë nuseve ndonjë
vjetërsirë të çmuar, që të mos harxhohen. Edhe në vendin tuaj kështu
bëjnë?
SOFIA - (Vë buzën në gaz.) Në vendin tim s’para kam patur të bëj me
pasanikë.
Zonja ELIS - Ai ka plotësisht të drejtë. Ne u dhurojmë vjetërsira, madje
ato që na pështirosen.
KROSMANI - Pse nuk i jepni një çek të mirë?
Zonja ELIS - Të shohim.

45
KONSTANSA - (Në tarracë.) Nik, më ngriu qafa.
NIKU - Mirë, për sot mjafton. (E kthen portretin në mënyrë të tillë, që
Konstansa të mos e shohë. Sofia sjell në tarracë dy filxhanë kafe.)
KONSTANSA - (Bie në karrige e dërrmuar nga lodhja.) Oh! (Merr
filxhanin nga Sofia dhe i ledhaton dorën. Filxhanin tjetër Sofia ia jep
Nikut.)
NIKU - Ja një vajzë, së cilës do të doja t’i bëja portretin. Ejani të nisim
që sot. (E kap përdore.)
SOFIA - Por unë nuk jam e pashme, zoti Nikolas.
NIKU - Ju jeni më tepër se e pashme.
(Krosmani del në tarracë. Sofia e çliron dorën dhe largohet.)
KROSMANI - (Shikon nga Konstansa.) O Zot, ju keni një pamje të
frikshme, Kostacë. Pse jeni stolisur kështu? Ju jeni e jeni e varfër, pse
duhet të shtireni kështu?
NIKU - (Qesh.) Lëreni, Ned. E keni nga konjaku i mbrëmshëm. Mua po
më çahet koka për vete.
(Nina zbret shkallët për në dhomë, përshëndetet me zonjën Elis dhe
mbush filxhanin me kafe. Qëndron pranë derës së tarracës dhe dëgjon
se ç’flitet atje.)
KONSTANSA - A e dini se për shkakun e ju të dyve nuk më zuri gjumi
deri në dymbëdhjetë.
NIKU - Ne e festuam për bukuri takimin tonë. Tamam si dikur, apo jo,
Ned? (Konstansës.) Nëse ti je ende femër, do të të pëlqeje të marrësh
vesh sa kohë jemi marrë me ty. Nedit iu zgjidh gjuha. Ai e hapi gojën
më në fund.
KROSMANI - Ashtu? Kurse mua më dukej se vetëm ju flisnit.

46
NIKU - (Qesh.) E dija që s’do të mbaje mend asgjë nga ato që the. S’ka
gjë, njëherë të vetme ia vlen ta hapësh zemrën.
KROSMANI - Ta hapësh zemrën?
NIKU - Monologu yt i ngjante një romance tepër prekëse me tirull: “
Kostanca....
KONSTANSA - Çfarë the? Nuk të kuptova.
KROSMANI - (Kthehet me inat, pastaj vendos t’i marrë fjalët e Nikut
me shaka.) As unë nuk e mora vesh. Me siguri, edhe unë do të bie
ndonjë ditë në një sentimentalizëm prej plaku. Mirëpo ajo kohë është
ende larg.

Konstansa largohet, në holl duket Leoni me një zile në dorë dhe fillon
t’i bjerë për të njoftuar se mëngjesi është gati.

NINA - (Pak e ndrojtur.) Mirëmëngjes, zoti Krosman.


KROSMANI - Tungjatjeta, zonja Diner. Më vjen keq që nuk ishit dje
me ne... Do t’i kishit dëgjuar dhe ju deklamimet e mia.
NINA - Mua s’më ftojnë asnjëherë të dëgjoj deklamime.
KROSMANI - Ju kërkova, por Niku më tha se ju dhimbte koka.
NINA - Niku gjithmonë thotë se më dhemb koka, kur nuk do të më
marrë me vete ose kur mundohet që të më zërë vërtet koka.
Zonja ELIS - (Ngrihet me ngut nga vendi.) Më në fund, Leon! Unë jam
gati. S’kam vënë gjë në gojë që në katër të mëngjesit. (Shkon në
dhomën e ngrënies dhe tek kalon pranë shkallëve, thërret.) Kerri!
Frederik! Ejani të hani mëngjesin. Unë nuk pres më. (Del. Pas saj del
dhe Krosmani.)

47
KONSTANSA - (Duke hyrë.) Më duket se në kuzhinë bënë dhe pa
mua. Duhet të shkoj të ndërrohem. Ku e gjete këtë fustan, Nik?
NIKU - Në një dyqan andej nga Drejden - Strit.
KONSTANSA - Në dyqan për zezakët? E bleve këtë fustan në një
dyqan për zezakët? (Ai e sheh në sy dhe qesh.) Nedi ka plotësisht të
drejtë. Ti me siguri do që unë të dukem si dordolec... Nuk e kuptoj
shkakun përse. Dhe përse nuk pranon të ma tregosh portretin?
NIKU - Nuk e ke marrë vesh ende që Nedi është xheloz.
KONSTANSA - Xheloz? Për cilin?
NIKU - Atë e ka zënë qymyri me ty, bija ime. Deri në grykë, si dikur
kur ishim fëmijë. Mbrëmë vetëm për ty foli. Se si ka mbetur vetëm, si
nuk jeton dot pa ty...
KONSTANSA - Unë nuk të besoj. Nedi nuk flet kurrë për vete. Ai nuk
mund t’i ketë thënë kurrë këto.
NIKU - Ti e di dhe vetë se sa të dashuron ai, ti e di se ai po tretet e
venitet për ty... Mbrëmë më tha...
KONSTANSA - (Me kryeneçësi.) Edhe sikur të kishte besuar për një
çast diçka, gjë që nuk është në karakterin e tij, i nuk duhet të ma kishe
treguar mua.
NIKU - Lëri këto, shpirt. Ti po fluturon nga lumturia. Mos u hiq si
zonjë e madhe.
KONSTANSA - (Qesh.) Unë zonjë e madhe? Çfarë tmerri! Nëna
gjithmonë më thoshte se sjellja mondane është shenja e parë e edukatës
së keqe. (Drejtohet nga dera.) Me të vërtetë të tha Nedi se...
(Niku gajaset. Edhe Konstansa qesh dhe del. Niku heq portretin e
çmonton kavaletin. Nina vendos filxhanin mbi tryezë e del në tarracë.)

48
NIKU - (Puth të shoqen.) Tungjatjeta, zemër. (Nina ulet dhe e vështron
në sy.) Si është puna?
(Hyn Leoni me mëngjesin në tabaka. Gjatë bisedës që vijon ai i shërben
mëngjesin Nikut dhe Ninës.)
NINA - Pse e bëre këtë me Konstansën?
NIKU - E çfarë bëra? I thashë të vërtetën.
NINA - Nga e di ti se është e vërtetë? Zor se Krosmani të të jetë hapur.
NIKU - E çë pastaj? Unë i dhurova kënaqësi asaj. Dhe në i dhurova pak
mend për Krosmanin mirë do të jetë.Mua s’më duhen dëshmi me
shkrim për të marrë vesh se ç’kanë njerëzit në zemër. (Përkulet mbi të,
e puth e nis të hajë.)
NINA - (Qesh.) Më duket se kënaqesh shumë këtu. Nuk të kisha parë të
dëfreje në mënyrë kaq të shfrenuar.
(Leoni del. Për pak çaste ata hanë të heshtur.) Edhe sa kohë do të rrimë
këtu?
NIKU - Edhe disa ditë. Zyrtarisht pensioni mbyllet këtë javë. Kështu
më tha Kostanca. Elisët ikin nesër, kurse Grigzët të martën. Ne do të
nisemi sapo të mbaroj unë.
NINA - Çfarë ke ndërmend të mbarosh?
NIKU - (Me kujdes.) Kuptohet, portretin.
(Roza Grigzi zbret shkallët, në duar mban një çantë të vogël. Ka veshur
një fustan të bukur, por tepër të ndezur dhe një kapele të bukur, por
tepër të ndezur. Hedh vështrimin në dhomë, lë çantën e shkon në
tarracë.)

49
ROZA - Oh, mirëmëngjes! Më falni që ju pengova. Çfarë çifti i bukur
jeni! (I bën shenjë Nikut si t’i thoshte: “Dilni një minutë, ju lutem”.)
Nik!
NIKU - (Me mirësjellje.) Ejani, mos kini frikë.
ROZA - Nuk mundem. Ndoshta ju...
NIKU - Uluni rrini pak me ne.
ROZA - (E pavendosur.) Desha t’ju them një dy fjalë, por nuk desha ta
shqetësoja Ninën. Puna është se...
NINA - Natyrisht, unë mund të dilja zonja Grigz, por kohët e fundit si
shumë shpesh po më përzënë nga tryeza, kështu që tani më ka marrë
uria.
ROZA - (I buzëqesh Ninës e Nikut.) I telefonova atij mbrëmë siç më
këshilluat ju. Tani po shkoj tek ai. Tekefundit, ai “është” tutori im.
Është burrë me mend në kokë. Kam aksione shumë të forta.
NIKU - Cili është ky?
ROZA - Domosdo, im vëlla, Henri. Ju fola për të. (Ninës.) Ai është
shumë më i madh se unë. Ndërton anije, ose më mirë ndërton në kohë
lufte. Nik, do t’ia tregoj të gjithë historinë dhe ai do të dijë ç’të bëjë.
NIKU - (I kënaqur.) Padyshim.
ROZA - Do të shkoj tek doktori. Ai më pret, ndërsa sot është e dielë e
bën kaq vapë! (Ninës.) Ndiej zhurmë në zemër. Një vit të tërë nuk kam
vajtur në shkollë.
NINA - Kur kështu? Para pak kohësh?
ROZA - (Zgërdhihet.) “Para pak kohësh”. Çfarë mrekullie... (Nikut.)
Kam shumë nevojë të këshillohem me ju. Dje ju prita deri në mbrëmje
vonë... Duhen bërë të gjitha pikë për pikë, siç thatë ju?

50
NIKU - (Nuk i kujtohet se çfarë i ka thënë.) Natyrisht.
ROZA - Çdo gjë?
NIKU - E di si është puna...
NINA - Zonja Grigz, bëni mirë t’ia kujtoni se çfarë ju ka thënë. Dje,
është kohë shumë e largët, kur merresh me disa dama njëkohësisht.
(Niku gajaset.)
ROZA - Më duket se u shpreha gabim. Ah, zonja Diner, po jua them të
gjitha; bëhet fjalë për ndarje dhe Niku u tregua kaq i sjellshëm...
NINA - Për këtë nuk dyshoj.
ROZA - Po me djemtë, si i bëhet? T’u telefonoj vetë apo t’u telefonojë
Henri? Njëri prej djemve tanë punon për bombën atomike. Ai është
besimtar i madh, prandaj kjo do të jetë një goditje e rëndë për të, apo
jo?
NINA - (Ngrihet me ngut dhe tërhiqet mënjanë për të mos ia shkrepur
të qeshurit.) O perëndi!
NIKU - Më parë duhet të hani mëngjes. Femrave kapelet u kanë hije
vetëm pas ngrënies.
ROZA - (Nikut, me gjysmë zëri, si komplotiste.) Unë thjesht do ta
detyroj Henrin ta porosisë portretin... dhe le të paguajë sa më shumë,
atij ai mbën xhepi. Po kini parasysh, ajo nuk do t’i heqë edhe për nja
gjashtë muaj telat nga dhëmbët.
NIKU - (Qesh me të madhe.) Mirë e dashur, shkoni.
ROZA - (Shumë e kënaqur.) Ju faleminderit, Nik. Na falni, Nina. Do të
mundohem të kthehem sonte para se të keni vajtur për të fjetur. Ju më
duket jeni kureshtar të dini se ç’do të thotë ai. (Del.)
(Nina qëndron e heshtur.)

51
NIKU - ka qenë një kohë kur ne argëtoheshim bashkë. Tani nuk të vjen
më për të qeshur?
NINA - Jo, nuk më qeshet më.
NIKU - Në tërësi, ajo është goxha grua. Dhe shumë qesharake.
(Nëpër shkallë zbret Kerri. Ajo takohet me Sofinë që vjen nga dhoma e
ndenjjes. Sofia mban në duar një tabaka.)
KERRI - Mirëmëngjes, këtu është Frederiku?
SOFIA - Jo, nuk ka zbritur ende.
(Sofia del, ndërsa Kerri kalon përmes dhomës së ndenjjes dhe shkon në
tarracë.)
KERRI - (Nikut dhe Ninës.) Mirëmëngjes. Shërbyesja juaj më tha se
Niku dëshiron të bisedojë me mua.
NIKU - (I pasigurt.) Kerri, dje ngurrova t’jua thosha. Thashë me vete
se ndoshta ju e dinit... por, ndoshta dhe nuk e dini.
NINA - (Qesh.) O perëndi, ç’fshehtësi!
KERRI - (Buzëqesh.) Me të vërtetë...
NIKU - (Me kujdes.) Nuk e dini se ç’mendojnë të tjerët për atë njeri?
Me të nuk mund të shkohet në Evropë.
KERRI - Në Evropë? Me cilin? Në Evropë do të shkoj me Frederikun.
(Pasi e vështron me vëmendje në fytyrë, prerë.) Çfarë donit të thoni,
Nik?
NIKU - Unë...
(Sofia shkon në tarracë e mbush filxhanët me çaj.)
KERRI - Flisni, ju lutem.

52
NIKU - Dje në agjencinë e udhëtimeve takova Frederikun me një tip që
e kam takuar dikur në Evropë. Frederiku nuk duhet të shoqërohet
kurrsesi me një njeri të tillë.
KERRI - Mos e keni fjalën për zotin Pejson?
NIKU - Pikërisht. Prita derisa u larguan ata dhe hyra brenda.
NINA - E ç’kërkonit atje?
NIKU - Agjenti i zyrës. Luteri është një miku im i vjetër, të cilin nuk e
kisha parë qysh kur ishim fëmijë. AI më tha se ju kishte rezervuar
vende në transoqeanikun “Elizabeta” dhe se kishte rezervuar një vend
dhe për mister Pejsonin. Fredi sapo pagoi për të.
(Kerri ngrihet, kthen kokën e vazhdon të heshtë.) Ja që nuk e dija, nëse
duhej t’jua thosha, apo e dinit...
KERRI - Ju faleminedrit. Nuk e dija. Zoti Pejson ka banuar tek ne
dimrin e kaluar. Atëhere, ai sapo ishte kthyer nga Evropa.
NIKU - ...pas një skandali të ndyrë, ku ishte përzier në Romë. Për këtë
shkruan të gjitha gazetat.
NINA - Veçse ti nuk e di, nëse shkruan të vërtetën apo jo.
KERRI - Çfarë skandali? (Ai hesht, ndërsa ajo shton me zë të butë.)
Ndihmomëni. Unë asgjë s’po marr vesh.
NIKU - (Duke u ngritur.) Këtu s’ka asgjë për të marrë vesh. Një njeri i
paftyrë. Kaq mjafton të dini. Është një njeri, me të cilin nuk mund të
udhëtohet në Evropë.
KERRI - Po si vendosi Fredi? (Heshtje.) Faleminderit që më vutë në
dijeni. Ju jam mirënjohëse të dyve.
(Largohet ngadalë për në dhomën e ngrënies përmes dhomës e hollit.
Pauzë e gjatë. Niku gjerb kafenë duke vështruar Ninën.)

53
NIKU - Çfarë do të kishe bërë ti?
NINA - (Me përtesë.) Nuk e di. A je përpjekur ndonjëherë të mos
fusësh hundët në punët e të tjerëve?
NIKU - Kerri më pëlqen. Ajo nuk e di se ç’maskara njeri është ai,
mbase dhe i biri nuk di gjë. Më vjen keq për ta. Po ty? (Nina nuk
përgjigjet.) Si është puna, Nina?
NINA - Po ndjej aromën e njohur; ajo është gjithmonë rreth nesh. Një
aromë mbytëse, e qelbur, ajo ndjehet sa herë që përgatitet të ndodhë
diçka e ndyrë. Kjo duhet të të ndjekë ty Nik. Ajo ndjehet sa herë që ti
mundohesh të ndihmosh ndonjë të afërm, kur bëhesh aq i vëmendshëm,
aq i dashur. Ka vite që kjo aromë na ndjek nga prapa... Edhe tani po e
ndjej sërish... dhe dua të iki.
NIKU - (Prerë.) Po mirë, ik.
NINA - (Pas një pauze të shkurtër.) Po ti?
NIKU - Të thashë se do të nisemi të premten. Do të nisesh më parë,
nisu s’të mban njeri. Por s’dua të dëgjoj më asnjë fjalë për këtë,
ndryshe, ruajna Zot, neve na pret përsëri ndarja... dhe një kthim po aq
prekës tek njëri - tjetri. Po unë jam ngopur deri në grykë, prandaj ruaje
veten, mikja ime. Kjo të lëndon ty... (I afrohet dhe e përqafon.) Kështu
pra, të premten. Tani qetësohu, nuk më pëlqen kur i ke syçkat e
skuqura. (E puth dhe del. Nina qëndron e palëvizur. Në tarracë vjen
Sofia që mbledh enët.)
SOFIA - (Me mirësi.) Dëshironi t’ju sjell gjë tjetër, zonja Diner?
NINA - (Me zë të ulët.) Jo, faleminderit.

54
(Nina kaon përmes dhomës së ndenjes dhe ngjit shkallët. Nga lart zbret
Frederiku.)
FREDERIKU - Mirëmëngjes.
NINA - Mirëmëngjes, zoti Elis. (Ndalon, si të donte të thoshte diçka..)
Jo, hiç... Ditën e mirë. (Ngjitet lart.)
(Sofia dëgjon zërat e tyre, i lë enët dhe ngjitet lart.)
SOFIA - (Thërret në sallon.) Fred, Fred. (Hyn brenda e drojtur.)
Dëshironi të hani mëngjes?
FREDERIKU - (I buzëqesh.) Ne do të nisemi nesër dhe bashkë nuk do
të shihemi gjësmë viti të tërë. Me të vërtetë nuk zemëroheni që po iki?
SOFIA - (Shpejt.) Jo, ç’thoni ashtu?
FREDERIKU - Do të bëjmë një vizitë tek nëna juaj dhe...
SOFiA - (E ndërpret.) Jo, jo! Ju lutem, mos... Unë ende s’i kam shkruar
gjë.
FREDERIKU - Ashtu?!...
SOFIA - Po ne akoma nuk e kemi lënë ditën...
FREDERIKU - (Buzagaz.) Mua më duket sikur ju as që doni ta caktoni
atë. Dhe s’ka pse t’ju vijë zor, nëse mendoni ndonjë zgjidhje tjetër. Po,
po nuk pati zgjidhje tjetër unë do të bëj gjithçka që ju ta ndjeni veten
mirë me mua. E di që dhe ju kështu do të veproni.
SOFIA - Ju jeni njeri i mirë. Dhe unë do të përpiqem të jem e mirë.
FREDERIKU - Për ju, martesa jonë është një ujdi pa shumë leverdi. Po
sikur një ditë të bukur të dashuroni një tjetër?
SOFIA - (Ia mbyll gojën me dorë.) Sh-sh-sh! Për gjëra të tilla nuk flitet.
(Gëzueshëm.) Unë do të ndjehem mirë në shtëpinë tuaj dhe për këtë do
t’ju jem përherë mirënjohëse.

55
FREDERIKU - Unë nuk kam shtëpi. Njerëz si unë asnjëherë nuk kanë
shtëpi.
SOFIA - S’ka gjë. Cilado shtëpi do të ishte e mirë. Do ta bëjmë ne të
tillë.
(Ai buzëqesh dhe i rreh pëllëmbët.)
FREDERIKU - Mamaja në dhomën e ngrënies është?
SOFIA - Po të isha në vendin tuaj, nuk do të bisedoja tani me të.
FREDERIKU - E përse? (Bërtet nga holli.) Mama!
(Sofia mbledh supet, buzëqesh, tund kokën dhe del. Fredriku kthehet
dhe mbush një filxhan kafe. Hyn Kerri. Duket që është e shqetësuar, po
nuk bën zë.) Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.
KERRI - (Pas një pauze.) Ashtu mendon ti?
(Në holl duket zonja Elis.)
FREDERIKU - Do të kemi një bashkudhëtar. Ç’të keqe ka këtu? Ne të
dy nuk e njohim Evropën, kurse Pejsoni atje është si në shtëpinë e vet.
Zonja ELIS - Patët fat që do të vijë dhe ai me ju.
(Të dy kthehen nga ajo.)
KERRI - (Frederikut.) Si e ftove atë njeri pa u këshilluar me mua. E
kemi ëndërruar këtë udhëtim tre vjet rresht, kurse tani ...
FREDERIKU - Mama, nuk pata kohë të këshillohesha me ty. Pejsoni
duhej ta merrte biletën para se të mbyllej agjencia.
KERRI - Pse, Pejsoni e bleu biletën?
FREDERIKU - Prapë e ke kontrolluar bllokun tim të çeqeve?
KERRI - Të lutem, mos fol me mua me një ton të tillë. (Pas një pauze
me mirësjellje.) Nuk do të shkojmë në Evropë.
FREDERIKU - (Pasi hesht pak, i qetë.) Unë do të shkoj.

56
KERRI - Nuk do të shkojmë, Fred. Nuk do të shkojmë.
Zonja ELIS - Nënës suaj i ka mbetur hatri. Ajo kishte menduar se do të
ishte vetëm me ty. Domosdo.
FREDERIKU - (Si i zënë ngushtë.) Ne prapë bashkë do të jemi.
KERRI - (Zonjës Elis) Nuk kam nevojë për përkthyes, mama.
(Frederikut.) Nuk ka më kuptim të flasim për këtë. Do të shkojmë herë
tjetër.
FREDERIKU - (Shtrembëron buzët.) Nuk kam dalë dje nga pelenat.
Nuk do të më vinte mirë sikur ti të mos vije me mua, veç unë do të
nisem më gjashtëmbëdhjetë. (I qetë.) Asnjëherë nuk më ke lënë të
dëfrej. Nuk kam parë ato, që kam dashur të shoh, nuk jam shoqëruar me
njerëz që kam dashur t’i njoh. Ka shumë gjëra të mrekullueshme për të
parë e për të mësuar. Patëm fat që me ne vjen një njeri i tillë, dhe,
kuptoje, është ai, që po na merr me vete. Nuk është ndonjë kënaqësi e
veçantë të merresh me personin tim. (Me zë të ulët.) Do të kthehem dhe
ti mund të luash prapë me jetën time. Gjashtë muaj nuk janë shumë.
Zonja ELIS - Gjashtë muaj? Kaq pak.
KERRI - (E ka kuptuar tonin e hidhur të së vjehrrës.) Mama, të lutem,
unë...
Zonja ELIS - Kushedi ti nuk ke ndërmend të kthehesh fare. Unë nuk të
vë faj.
KERRI - (Me nerva të acaruara.) Fred, le të mos vendosim asgjë tani
për tani. Më jep fjalën se do të mendohesh deri nesër, pastaj bisedojmë
qetësisht.
Zonja ELIS - (Frederikut.) Vetëm mos bjer në ujdi me tët ëmë. Kështu
ndodh gjithmonë me ju të dy. Vendos tani, do të shkosh apo jo?

57
FREDERIKU - Do të shkoj. Këtu s’ka asgjë èër t’u menduar.
(Kthehet dhe ngjit shkallët. Pauzë.)
KERRI - (Me inat.) Gjithnjë po njëlloj ti, mama. Gjithmonë mua më
nxjerr armike, kurse veten si mike të tij. Kjo të ka sjell kënaqësi gjatë
gjithë jetës.
Zonja ELIS - Të pata thënë, lëre të qetë!
KERRI - (Me zë të ulët.) Nuk mundem. Ai njeri është maskara, mirëpo
Fredi nuk më beson. Ç’të bëj?
Zonja ELIS - Ti nisu lart dhe thuaj se je dakort që ata të nisen pa para.
Por Frederiku le t’ia bëjë të qartë mikut të tij se do të nisen pa para, se
ti mendon që për dy djem të rinj, në Evropë është më mirë të mos kenë
para amerikane.
KERRI - (E nxehur.) Nuk mundem. Ai do të më urrente.Mirë, le të
niset vetë, unë po nisem pak më vonë. Koha do ta tregojë. (Vëren
fytyrën e zonjës Elis.) Nuk do ta le pa para.
Zonja ELIS - Ja që nuk e paskam ditur që çeqet ia jepke ti.
KERRI - Paratë e të atit, jo të tuat; ti nuk e kërcënon dot se do t’ia
ndërpresësh, kjo nuk është e hijshme.
Zonja ELIS - Paratë në përgjithësi janë diçka e pahijshme.
KERRI - Nëse ti ia ndërpret të hollat, unë do t’i jap nga paratë e mia.
Zonja ELIS - Atëhere, nuk do të të jap paratë e tua. (Kerri kthehet e
revoltuar Zonja Elis vazhdon me zë të butë.) Po, njerëzit e moshuar
bëhen gjithnjë shpirtgur, veçanërisht kur kanë qesen në dorë. Do ta
shikosh kur të plakesh vetë. Pastaj jam mërzitur, duke të parë të
shtiresh si leshko. Ose mbaje pushtetin, ose hiq dorë prej tij. Por, po
vendose ta mbash, mësohu ta shfrytëzosh dhe të mos tregohesh

58
shpirtpulë. Tani ngjitu lart dhe vepro. (Kerri kthehet ngadalë dhe
ngjitet shkallëve.) Mbushi mendjen vetes që këtë e bën për të mirën e
tij. (Qesh.) Kurse unë po shkoj në kishë. Sot, ti mund të mos vish në
kishë.
KERRI - Faleminderit.
(Ngjitet shkallëve. Nga holli vjen Roza, e cila hyn në dhomën e
ndenjjes.)
Zonja ELIS - (Kerrit nga prapa.) S’ka përse të më falenderosh. Ti po
bën punën e perëndisë.
(Kthehet dhe sheh Rozën, e cila rehatohet në kolltuk mirë e mirë, si të
përgatitet për t’u grindur me dikë, gjë të cilën ajo ka ndërmend ta
bëjë.) Ç’keni kështu, zonja Grigz?
(Roza i tregon me dorë e nervozuar derën me xhama të kopshtit. Zonja
Elis shikon nga dera, pastaj i hedh sytë Rozës, e cila mundohet t’i japë
fytyrës një pamje të rreptë.) Cilin prisni? Robert Telorin apo ish
presidentin e Shteteve të Bashkuara?
(Nga dera në të majtë hyn Grigzi, i cili ka veshur një këmishë të vjetër e
pantallona kalorësi.) A--a?
GRIGZI - (Të dyjave.) Mirëmëngjes!
Zonja ELIS - Zonja juaj ka ndërmend të bajë pak dashuriçka me ty. Më
i sigurtë do të jeni me mua në kishë.
(Ajo del, ndërsa Grigzi qesh e drejtohet për tek ibriku i kafesë.)
ROZA - (Zonjës Elis nga prapa.) Piperka plakë! (Pas një pauze.) Do të
shkoj tek ai. Më vjen shumë keq, por nuk e shtyj dot më!
GRIGZI - Për kë e ke fjalën?

59
ROZA - Për Henrin. E di që do të kesh telashe, por ç’të bëj kur ti je kaq
kokëfortë!
GRIGZI - Duhet të takosh Henrin.
ROZA - Po ai do të zemërohet shumë me ty. Shumë. Dhe ti e di se
ç’pushtet ka ai në Uashington.
GRIGZI - (Kthehet e i ndan fjalët.) Këshilloje ta vërë në punë tërë
ndikimin e tij. Dhe thuaji nga ana ime të shkojë në djall.
ROZA - (Qesh.) Në djall? Ditën e diel?
GRIGZI - Po plakesh dhe nuk u bëre që nuk u bëre grua serioze.
ROZA - Dikur të pëlqeja kështu siç jam.
GRIGZI - Gjithmonë je përpjekur t’ia mbushësh mendjen vetes që
është pikërisht kështu.
ROZA - E si mund t’i them unë atij; Beni kërkon ndarjen, kurse unë
nuk e di përse. E pyes vazhdimisht, kurse ai më thotë se nuk ka asnjë
arsye.
GRIGZI - Asnjëherë nuk kam thënë se nuk ka asnjë arsye, por shkaku
që përmend unë, ty s’të pëlqen. Sikur të doja një tjetër, kjo madje do të
kënaqte dhe Henrin akoma më shumë.
ROZA - Të paktën, do të ishte diçka e njerëzishme. Veç unë nuk jam
aspak e sigurt që nuk është kjo arsyeja. E vrava mendjen mirë dhe e
kuptova më në fund se përse ti qëndrove aq gjatë në Evropë.
GRIGZI - Luftën e Dytë Botërore nuk e shpalla unë dhe sikur të thonë
të kundërtën, mos i beso.
ROZA - Si kështu, atëhere? Ai tha se njeh shumë ushtarakë të vërtetë,
po asnjeri prej tyre nuk e ngriti zërin kundër luftës si ti dhe nuk e
braktisi për aq kohë shtëpinë. Kështu tha Henri.

60
GRIGZI - E mora me mend që Henri do të kishte folur kështu.
ROZA - Ama, as të shkoi mendja se ngritjen në detyrë ta rregulloi
Henri.
GRIGZI - Mjaft! Lëri këto Rozë. Ti gënjen. Ke filluar të gënjesh orë e
çast. (Kthehet nga ajo.) Thuaji Henrit që unë e kam arsyen për ndarje:
ime shoqe është tepër e re për mua. Ai nuk është ndonjë burrë fort i
mençur dhe këtë shkak do ta pranojë lehtë.
ROZA - Gjithmonë kam dashur të mbetem e re. Unë...
GRIGZI - Madje jo vetëm kaq. Ti ke mundur të mbetesh foshnjë.
ROZA - Ti e di mirë se ç’dua të them. Ajo më donte mua dhe ishte e
lumtur që ti u martove me mua.
GRIGZI - S’është e vërtetë. Ajo më paralajmëroi të mos martohesha me
ty.
ROZA - Nëna jote më ka dashur. Ti nuk ke të drejtë të përflasësh të
vdekurit. Po të them se më donte. E di mirë se më donte.
GRIGZI - (I lodhur.) Sa para bën, fundja?
ROZA - Ti mendon se mua askush nuk më do. Kurse mua shumë burra
më adhuronin.
GRIGZI - (Nxiton.) Dhe shumë të tjerë do të të pëlqejnë akoma...
ROZA - E dija që, tekefundit, do të detyrohesha të të tregoja, ndonëse
me të nuk jam parë qyshkur u ktheve ti. Për fjalë të nderit! I thashë atij
se ti je hero dhe se mban një barrë dekoratash, kurse ai më tha se nuk
do të ...
GRIGZI - (Largohet për tek dritarja në të majtë.) Shoferi i Henrit po
pret përjashta.

61
ROZA - Ai më dontë shumë, shumë për aq kohë që shërbeu në
Pentagon...
GRIGZI - Vendi më i përshtatshëm për të bërë dashuri. Po të pret
makina, Rozë.
ROZA - Ai më thoshte vazhdimisht se njeriu nuk duhet të bjerë në
dashuri me mikun, as me gran e mikut.
GRIGZI - (Me të butë.) Le të mos flasim më për këtë.
ROZA - Të vjen rëndë? S’ka gjë, boll më ke torturuar dhe ti. Kjo filloi
kur ti shkove në Evropë për herë të tretë, ose të dytë, ndoshta. Sepse
dhe unë kisha nevojë për dashuri.
GRIGZI - (Me të butë.) E kuptoj.
ROZA - Pyetmë se cili është ai. Pyetmë dhe do të ta them. (Ai nuk i
kthen përgjigje.) Hë, pra, pyetmë!
GRIGZI - Nuk kam ndërmend të të pyes.
ROZA - Të kujtohet që për ditëlindje më sollën trëndafila nga
Taherani? Ai m’i dërgoi; jo i dërgoi, por i porositi me telegram. Ty s’të
pëlqen Taherani. Më the se atje ka shumë pisllëk dhe njerëzit janë si të
rraskapitur. Kurse ai më dërgoi trëndafila.
GRIGZI - Mesa duket ai është tamam për ty. Shko tek ai, e dashur. Deri
në Taheran shkohet lehtë me avion.
ROZA - (Me inat.) Mos fol fëlliqësira. (Pauzë.) Tani po ta them se cili
është ai.
GRIGZI - (Largohet për nga dera.) Të lutem, Rozë. Me këtë histori na
ikën disa vite. Të lutem... (Ajo i afrohet.) Nuk e kupton se as që dua t’ia
di se cili është ai.

62
ROZA - Mund të ta them vetëm në vesh. E kam ditur që, nëse do të
tregoja për të, kurrsesi ndryshe, vetëm në vesh. (Tani ai tërhiqet vërtet.)
Ben, eja këtu! Qëndro! (Ai zë e qesh me të madhe.) Si guxon? (Me zë
shumë të lartë dhe pse ishte shumë pranë tij.) Ishte kushëriri yt i parë,
Ralf Samersi. Na! (Kthehet prapa.) Na, pra... Ma merr mendja se nuk
do të pyesësh se si ishte puna?
GRIGZI - Për këtë të jesh e qetë.
(Dëgjohet boria e makinës.)
ROZA - Ah, sa vonë u bëra! Tani nuk mund të bisedoj dot me ty, Ben.
(Shkon drejt derës, ndalon.) Ç’t’i them Henrit? Megjithëse Henri nuk
do të më lejojë kurrsesi të ta jap ndarjen. Ti e di këtë... (I shqipton fjalët
me kujdes.) Atëhere, pse ta humbas kot një ditë të tërë. të lutem, më
thuaj që të mos shkoj.
GRIGZI - (Shpërthen.) I thuaj Henrit se unë kërkoj ndarjen. Sido që të
jetë unë do të iki prej teje. Parapëlqej ndarjen. Por çfarëdo që të
vendosni ti dhe Henri, unë do të largohem. Ka ardhur koha ta kuptosh
këtë, Rozë.
ROZA - (Buzëqesh, me të mirë.) Do të mundohem, i dashur. Do të
mundohem ta kutpoj. Meqë kjo paska kaq rëndësi për ty...

Roza del përmes hollit. Grigzi lëshohet i lodhur në karrige. Pas pak
nga dhoma e ngrënies vjen Korsmani me gazetat e së dielës në duar.
Sheh Grigzin dhe i zgjat një gazetë. Grigzi e falenderon me kokë, merr
gazetën pa u ngritur, por nuk e hap. Krosmani ulet në karrige e fillon
të lexojë rubrikën e humorit.

63
Nëpër shkallë zbret Nina, ajo kërkon të thotë diçka, por ndërron
mendje dhe ulet. Nga holli vjen Konstansa me një kapele demode me
lule. Në dorë mban një erashkë të madhe prej palme.

KONSTANSA - Unë po shkoj në kishë. Po deshët gjë, thërrisni Leonin.


(Me gëzim.) Ejani me mua në kishë, Ned. (Ai e vështron me habi sipër
gazetës.) Mirë, mirë, unë thjesht desha... Më tregoi Niku për bisedën
tuaj të djeshme.
KROSMANI - (Qesh.) Më duket se s’kam për të biseduar më
mbrëmjeve me njeri.
KONSTANSA - E kush nuk ka dëshirë herë pas here t’i besojë dikujt
ato që ka në zemër?
(Vëren Ninën dhe Grigzin, buzëqesh si e zënë në faj, pastaj shumë e
vendosur ulet dhe e puth Krosmanin.) Mirupafshim, i dashur.
(I habitur Krosmani ngrihet dhe e ndjek me sy kur largohet nga dhoma.
Pastaj ulet dhe e tret vështrimin në zbrazëtirë.)
NINA - (Pas pak me drojtje.) Kam makinën, jashtë, pak ushqime dhe
një shishe me verë të ftohtë. (I drejtohet Krosmanit, pastaj Grigzit.) A
bëjmë një shëtitje?
KROSMANI - Mjaftojnë ato ushqime për drekë e për darkë?
NINA - (Buzëqesh.) Them se po.
KROSMANI - Po ndonjë kitarë, a gjejmë dot?
NINA - (Buzëqesh.) Jo. Mos doni të më pushoni?
KROSMANI - Do të bëjmë si do të bëjmë. Gjenerali vërshëllen
shkëlqyeshëm.

64
GRIGZI - (Ngrihet buzagaz.) Po, a mjafton një shishe për gjithë të
dielën?
NINA - (Shkon në holl duke qeshur.) Për njerëzit me zemër të paktën
nuk mjafton. Po marr dhe nja pesë-gjashtë të tjera.
(Grigzi shkon në holl pas saj. Krosmani çohet, palos gazetën dhe i
ndjek pas. Në tarracë duket Sofia me tabaka. Vëren simiten e nisur dhe
një copë proshutë, bën një sanduiç me to dhe fillon të hajë duke dalë
me tabaka në dorë.)

SKENA E DYTË

Po ai dekor. Mbrëmja e po asaj dite, ora 9:30. Niku është shtrirë në


divan. Pranë tij, në dysheme, është një gotë shampanjë e zbrazur. Mbi
tryezë, në një hon argjendi me akull, është një shishe shampanjë.
Konstansa hedh fall me letra dhe diç belbëzon nën tinguj e gramafonit.
Në tarracë, Sofia i lexon me zë zonjës Elis.

NIKU - (Shikon Konstansën, nervoz.) Mos më mërzit, të lutem.


KOSTANCA - Më fal, po kjo pjesë më pëlqen shumë...
NIKU - Moxarti nuk ka nevojë për një shoqërim të tillë.
KOSTANCA - Hajdni.
NIKU - Moxarti.
KONSTANSA - (Me qesëndi.) më vjen keq, po është Hajdni.

65
NIKU - Unë e di ç’them.
KONSTANSA - Jo, nuk e di. Shko shihe.
(Niku ngrihet nga divani, merr gotën, shkon tek radiogramafoni, e
ndalon, shikon pllakën, rrudh fytyrën i inatosur, merr shishen e
shampanjës, mbush gotën, pastaj i zgjat shishen Konstansës.)
NIKU - Edhe një gotë.
KONSTANSA - Unë s’kam mbaruar ende këtë.
(Niku shkon në tarracë me shishen në dorë.)
Zonja ELIS - (Duke e parë në sy.) Për herë të katërt po ua them; nuk
duam shampanjë. Largohuni, ju lutem. Edhe pa ju, mirë jemi. Kemi
mbërritur në një pjesë që më pëlqen shumë.
NIKU - Edhe unë, vallë, do ta ndjej veten mirë në moshën tuaj?
Mundet. mundet.
Zonja ELIS - Jo, zoti Diner. Nëse ende nuk keni mësuar të lexoni në
moshën tuaj, as më vonë nuk do të mësoni dot.
NIKU - (Qesh dhe i rreh krahët.) Megjithatë, ju më pëlqeni.
Zonja ELIS - Me sa duket, me të vërtetë nuk jeni në terezi. Njerëzve
rrallë u pëlqejnë ata, të cilët s’para i duan.
NIKU - (I kënaqur.) Nuk paskeni harruar të flirtoni. Ejani të shkojmë
në dhomë të shkëmbejmë dy fjalë. Ime shoqe është zhdukur, të gjithë
kanë firuar. (Shtriqet.) Mërzi! Oh, çfarë mërzie!
Zonja ELIS - Ky është mëkati më i madh i njeriut.
NIKU - Përkundrazi. Pikërisht mëkate, s’para ka fort. Gjithnjë kam
shprehur mendimin: “Çdo gjë mund të duroj, çdo dhembje, çdo lloj
fatkeqësie, vetëm mërzinë jo!”

66
Zonja ELIS - Pranoni të merreni me punë mendore. Sa për variacion.
Uluni gjëkundi në ndonjë cep me shampanjën tuaj. Keni gati qysh në
mesditë që pini. Përpiquni të bëni me gazetë një kapele letre. Ose,
ndryshe, gjeni një litar pak të gjatë e të fortë.
NIKU - (Sofisë.) Sofi, eja të vallëzojmë.
Zonja ELIS - Fërshëllejini, ju lutem, zotit Diner të vijë, se ky na
mërziti.
NIKU - (Sofisë.) Juve nuk ju pëlqen të lexoni me zë, apo jo?
SOFIA - Jo, më pëlqen. Më pëlqejnë shumë bëmat e Odisesë. Edhe një
dollar në orë që më paguan zonja Elis, gjithashtu.
NIKU - (Qesh bashkë me zonjën Elis.) Po të vallëzoni me mua, do t’ju
paguaj dy dollarë në orë.
Zonja ELIS - Kujdes, Sofi. Është pagesë e ulët.
NIKU - (I rreh krahët zonjës Elis.) Ju i degjeneroni adoleshëntët. U
vidhni orët më të bukura të jetës.
Zonja ELIS - (Ia heq dorën nga supi i saj.) Kurse ju vazhdimisht i
pickoni njerëzit; i fërkoni, u ngjiteni... Është ky njeri prej tekave tuaja...
Pasionit i duhet kushtuar i tëri. Ndërsa ju kënaqeni me kaq pak!!... Si
shumë është shtuar kjo fara juaj, gërricësave.
NIKU - (Qesh, i rreh sërish krahët.) Me sa duket, kur keni qenë e re,
për asgjë s’keni dashur t’ia dinit.
Zonja ELIS - Ja që s’është e vërtetë. Aspak e vërtetë! (Niku sillet nëpër
sallon. Sofisë.) Për ata që më kanë dashur, unë kam qenë shumë e mirë,
kurse për ata që nuk kam dashur, e keqe. Tamam si Frederiku. Njerëz të
tillë e kanë të vështirë në jetë dhe ata vetë as e kuptojnë përse, prandaj
ngatërroheën e bëhen të ligj.

67
SOFIA - E di.
Zonja ELIS - Jo moj! Frederiku është djalë i mirë, Sofi. Djalë i mirë e
aq. Ai është më i mirë se shumë të tjerë e në fisin e vet nuk ka të blerë.
SOFIA - Edhe unë kështu mendoj.
(Zonja Elis buzëqesh dhe i fërkon dorën; Sofia nis sërish leximin.)
NIKU - (Pranë radiogramafonit, Konstansës.) A kërcejmë?
KONSTANSA - Unë kam harruar si vallëzohet.
NIKU - (I kthen krahët radiogramafonit.) Epo, të humbasësh çdo tipar
femre për hir të një pensioni!!
KONSTANSA - Mos ishte dëshira ime kjo?
NIKU - Mund të ishe martuar me Nedin dhe jo ta tërhiqje për hunde siç
ke bërë ti.
KONSTANSA - Nedi ka rdhur këtu çdo verë, ngaqë nuk kishte shtëpi
tjetër. Ai më ka pëlqyer, unë e respektoja, por nuk e dashurova sa ishim
të rinj. Ti e di shumë mirë këtë dhe do të ishe i pari që do të më thoshe
se nuk duhet të martohesh me një njeri që nuk e dashuron. (Niku qesh.)
Përse qesh?
NIKU - Nuk duhet të martohesh me një njeri, të cilin nuk e dashuron!
Po me të tjerët? Unë të kam dashur dhe kurrë nuk kam dashur njeri
tjetër.
KONSTANSA - (Shumë e inatosur.) Nuk dua të flasësh kështu me
mua. Nuk të besoj. Ti re në dashuri me Ninën, prandaj nuk u ktheve...
(E dëshpëruar.) E do shumë atë? Edhe atëhere e ke dashur. Edhe tani.
Atëhere...
NIKU - E lëmë siç thua ti. Ç’ke që zemërohesh? A e di ti që unë nuk
jam zemëruar ndonjëherë? (Kthehet nga ajo, buzëqesh.) Tek e fundit,

68
ne të dy nuk do të nxirrnim dot gjë në dritë. Ti je grua e mirë, kurse unë
nuk jam fort i mirë.
KONSTANSA - Aq më mirë! (Me kujdes.) Si është ajo puna e Nedit...
Ç’të tha ai mbrëmë? Vërtet të foli për mua?
NIKU - (Me preokupim.) Ai më tha se të do, se ka nevojë për ty, se më
kot e humbi kohën duke pritur dhe se nuk do të vijë më kurrë këtu. Kjo
është vera e tij e fundit.
KONSTANSA - (Kthehet me dhembje në fytyrë, si e trembur.) Vera e
fundit? Kështu tha? Vërtet tha se nuk do të vijë më këtu?
(Hyn Kerri me nxitim.)
KERRI - Nuk u kthye Fredi?
NIKU - (Kerrit.) Po ju, ku humbët? Ejani të pimë e të bëjmë pak
muhabet.
(Bën të mbushë gotën, por ajo shkon në tarracë pa u ndalur.)
KERRI - (Me zë të ulët zonjës Elis.) Isha gjithandej, kudo ku mund të
ishte ai. Edhe zotit Pejson i telefonova.
Zonja ELIS - Po ai çfarë të tha?
KERRI - Fredi kishte vajtuar tek ai në mëngjes, kur doli që këtu, pastaj
nuk është parë më.
Zonja ELIS - A-a. Kjo është gjë e mirë.
KERRI - Po kjo ishte në orën 10 të mëngjesit. (Me zë të ulët.) Nuk di
ç’të bëj. Ku ta kërkoj? Ç’të bëj? T’i telefonoj policisë? Ç’të bëj?
Zonja ELIS - Asgjë.
KERRI - Si kështu? Në mëngjes ti vetë më detyrove ta kërcënoja. Ne
s’kishim të drejtë. Ç’të keqe ka, nëse ai kërkon të shkojë në Evropë me
një moshatarin e vet? Ç’të keqe ka në këtë mes?

69
Zonja ELIS - Gjithë jetën e ke tërhequr sa andej-këndej. Bëj ç’të duash.
Telefono në polici.
NIKU - (Shfaqet në derë me gotë në dorë. Ai dëgjon fjalët e fundit të
zonjës Elis. Vjedhurazi.) Keni nevojë për ndihmën time, Kerri?
KERRI - Takova një njeri që e kishte parë poshtë, mu në buzë të ujit.
NIKU - Po sikur...të jetë e vërtetë thua?
KERRI - Kam shumë frikë!
NIKU - (Shpejt, me shkathtësinë e një njeriu të dehur, të mërzitur.)
Ejani shpejt. Shkoni drejt e në polici! Kurse unë po gjej një varkë.
Shpejt!
(Kerri ngrihet, i afrohet Nikut. Edhe Sofia ngrihet.)
SOFIA - (Me inat.) Debil! Përse gëzoheni? Përse shtireni si budalla?
NIKU - (I habitur.) Çfarë?
SOFIA - (Gjermanisht.) Mos fusni hundët në punët e të tjerëve.
KERRI - Çfarë? Si the?
SOFIA - Frederiku është në mol. Ka shkuar që në mëngjes.
NIKU - (Sofisë.) Ju guxuat të më quani budalla! Kjo nuk më pëlqen!
SOFIA - Zonja Elis, ai donte të qëndronte pak vetëm. Nuk është ndonjë
krim i madh, apo jo?
KERRI - Si guxoni?...
Zonja ELIS - Shpresoj se nuk do të fillosh të na luash këtu rolin e
vjehrrës.
SOFIA - (Me të butë, Kerrit.) Ai do të kthehet, zonja Elis. Lëreni të
qetë!
NIKU - (Me zë jo fort të lartë.) Sofi, ju duhet të më kërkoni ndjesë. Pa
shiko, duket si dele e perëndisë, kurse në të vërtetë... (Heshtje.) Po pres.

70
Zonja ELIS - Prisni prapa derës.
(Ai e vështron, kthehet, del në sallon dhe prej andej në kopsht.)
Sofi, duhet të caktoni ditën e dasmës. S’ka përse ta shtyni.
KERRI - (Shumë nervoze.) Përse nxitoni kështu? Fredi do të
zemërohet...
Zonja ELIS - Nuk dua të të nxitoj, moj bijë, por nuk presim ndonjë
ndryshim, kurrfarë ndryshimi nuk presim. E di që donit të prisnit, edhe
Frederiku, të dy shpresonit se diçka do të ndryshonte... po mrekulli nuk
ka. Besomëni.
SOFIA - Keni të drejtë. Asgjë s’do të ndryushojë. Nëse Frederiku
kërkon ta shpejtojë dasmën... unë jam gati të martohem me të.
KONSTANSA - Kështu qenka puna? Ti je gati të martohesh?
SOFIA - (E sheh në sy.) Mos nuk u shpreha si duhet?
KONSTANSA - (Zonjës Elis dhe Kerrit.) Meqë erdhi puna deri këtu,
nuk jam unë dakort. Unë pandehaj se ata ... e dashuronin njëri-tjetrin.
“Jam gati të martohem” Çdo të thotë kjo? (prerë dhe e zemëruar)
Ç’është kjo histori e shëmtuar?
KERRI - Po! Edhe unë nuk mund të ...
Zonja ELIS - (Konstansës dhe Kerrit.) Zëruni përdore, shkoni në
kopsht dhe qani në prehërin e njëra-tjetrës.
SOFIA - Më duket se teto Konstansa qahet, ngaqë ne nuk jemi fort
romantikë.
KONSTANSA - Po, madje jam e revoltuar. Kur Kerri më foli për këtë
martesë unë të pyeta. Ti më the se e dashuron...
SOFIA - Teto Konstansa, këtë nuk ua kam thënë ndonjëherë.

71
KONSTANSA - Nuk më kujtohen tamam fjalët e tua, por unë kështu të
kuptova. Me një fjalë, ti dhe Frederiku nuk e keni dashur njëri-tjetrin.
Atëhere përse duhet...
SOFIA - Teto, unë nuk mund të jetoj më kështu. Kjo jetë nuk më
pëlqen. Nuk mund të jem e tillë siç doni ju. Nuk më duhet bota, për të
cilën ju po më pregatisni. Është tepër vonë.
KONSTANSA - Tepër vonë? Ti ishe vetëm 13 vjeçe, kur erdhe në
Amerikë. Unë u mundova të të jap gjithçka.
SOFIA - Unë erdha nga një botë tjetër. Nga ajo botë, 13 vjeçe nuk je
më fëmijë. E di që u munduat të më jepnit sa mundët dhe për këtë ju
jam mirënjohëse. Veçse ishte gjë e kotë.
KONSTANSA - (Me të mirë.) Po atje, në atdheun tënd, a ishe e lumtur?
SOFIA - E lumtur... fatkeqe... Ne nuk i themi njëri-tjetrit fjalë të tilla.
KONSTANSA - Të lutem, përgjigjmu.
SOFIA - Isha e qetë shpirtërish. Për këtë e keni fjalën, apo jo? Kurse
tani nuk jam e qetë.
KONSTANSA - (Me të mirë, ia merr dorën.) Unë gabova. Dhe për
budallëkun tim nuk e vura re këtë... Ti kërkon të kthehesh në shtëpi?
SOFIA - Jo. Ime më nuk mundet... Kjo s’është kaq e lehtë. Unë nuk...
(Me dhembje.) Nuk dua të kthehem në shtëpi.
KONSTANSA - (E habitur.) Po për t’u kthyer në shtëpi, ti e ke fare të
lehtë. Ç’ka këtu për të vështirë?
SOFIA - Le të mos flasim për këtë teto Konstansa. Nuk dua. (Me
këmbëngulje.) Ju lutem, mos e zini më në gojë. Ju lutem, lermëni të
veproj siç dua vetë, si e mendoj unë më mirë. (Buzëqesh.) Dhe mos më

72
shikoni ashtu. Me Frederikun do të kalojmë jetë të lumtur; do të
përpiqemi vetë për këtë. (Del.)
KERRI - (Prerë Konstansës.) Mos u mërzisni. Frederiku do të shkojë
në Evropë. Tani nuk do të lë njeri të më pengojë.
(Në holl duket Frederiku, i cili hyn në dhomë.)
FREDERIKU - Unë nuk do të shkoj në Evropë.
KERRI - Dje isha në ditë të keqe, por ndërrova mendje për shumë
gjëra. Ti kishe të drejtë, unë gabova. Shko ku të duash e me cilin të
duash.
FREDERIKU - Nuk do të shkoj. Sot në mëngjes, Pejsoni ma bëri të
qartë.
Zonja ELIS - Mos, Frederik, mos fol. Unë i di të gjitha.
FREDERIKU - Po mamaja nuk i di... Pejsoni më tregoi se nuk vlej për
të. Se asnjëherë nuk i kam vlejtur. Atij i duhen vetëm paratë e mia.
(Konstansa ngrihet e shkon në tarracë.)
KERRI - (Pas një çasti.) Të them të drejtën, nuk besoj ta ketë thënë
seriozisht... I thuaj se ishte një keqkuptim dhe paratë, natyrisht, do t’i
gjejmë. Kthehu tek ai dhe i thuaj.
FREDERIKU - (Nervoz.) Mama! Nuk dua ta shoh më me sy!
KERRI - Ti gjithmonë ke kuptuar se nuk u pëlqen të tjerëve. Do të
shkoj vetë tek zoti Pejson e do t’i them se tani gjithçka është në rregull.
Zonja ELIS - Kerri, ti je një idiote. (Frederikut.) E përse zoti Pejson
nuk i dashka paratë e tua, megjithëse ai u soll shumë keq kur ia
refuzuan... Njerëz si ne duhet të paguajnë simpatinë e njerëzve si ai,
ndryshe jemi të panevojshëm për ta. Nuk besoj që ai më parë të jetë
shtirur sikur të ka mik të ngushtë.

73
FREDERIKU - (Me zë të ulët.) Po, asnjëherë nuk është shtirur si i tillë.
(Sofia duket në hyrje të hollit.)
SOFIA - (Frederikut.) Nuk keni ngrënë darkë? (I zgjat dorën.) Ejani, ju
kam bërë diçka.
(Ai kthehet, shkon tek ajo, e zë për dore dhe del bashkë me të.)
Zonja ELIS - (Ngrihet dhe shikon Kerrin në sy.) Këtë herë nuk do të
përzihesh, apo jo?
(Heshtje, zonja Elis del, Kerri qëndron një minutë pranë derës së
tarracës, pastaj del përmes sallonit për te shkallët. Ndërkaq, kthehet
Niku. Është dhe më i dehur sesa kur u largua.)
NIKU - Kerri, eja të dalim të shëtisim. Natë e mrekullueshme. Bëjmë
një xhiro me varkë.
KERRI - (Qesh.) Natën e mirë, Nik.
NIKU - (Ndërsa ajo ngjit shkallët.) Sa i vetmuar jam! Po të ishit ju e
vetmuar, unë nuk do t’ju braktisja. (Meqë nuk merr përgjigje, hyn në
dhomë, vështron përqark, sheh Konstansën në tarracë, shkon drejt saj e
ndalon tek dera. Pas një çasti.) Sa keq që nuk më pëlqen të fle me ty,
Konstansë. Nuk e di përse. Nuk më pëlqen e aq.
KONSTANSA - (Tepër e inatosur.) Mjaft! Ke pirë jashtë mase.
(Ngrihet e shkon në dhomë.)
NIKU - (E kap për dore.) Ja, ku u zemërove. (E përqafon.) Do të të
këndoj një ninullë? Ke qejf?
KONSTANSA - Dëgjo, sot na mërzite të gjithëve. Shko fli.
NIKU - Nuk dua të fle. Unë ndjehem i vetmuar. Unë...
(Bie telefoni dhe Konstansa shkon ta ngrejë. Niku mbush një gotë
shampanjë.)

74
KONSTANSA - Po? Gjenerali Grigz nuk është kthyer ende. Ashtu? prit
një minutë. (Nikut.) Të kërkon në telefon Roza Grigzi.
NIKU - Prapë ka ndonjë hall?
KONSTANSA - (Me inat.) Do të flasësh me të, apo jo?
NIKU - Thuaji që jam tepër i zënë.
KONSTANSA - (Në telefon.) Është i zënë. Po pi. T’i them gjë
gjeneralit? A...a (E ul receptorin me inat.) Ajo më tha se duhet të
bisedojë patjetër me ty. Që tani. Jo me të shoqin, por pikërisht me ty.
(Del përmes hollit.)
NIKU - (Ngrihet, shkon tek telefoni dhe ngre receptorin.) Dëgjoni, e
dashur, mos i thoni të tjerëve që parapëlqeni të flisini me mua dhe jo
me burrin tuaj. Kështu mund të më kompromentoni. (Qesh.) Ashtë, ë?
Sa doktor simpatik! Dëgjoni, mos e harxhoni gajëtarinë tuaj me mua,
ruajeni për burrin tuaj. (Psherëtin.) Mirë, mirë. (Dëgjon.) Oh, jeni
shumë e sjellshme. I thoni vëllait tuaj se do të vij me kënaqësi. Të
premten? Mirë, të premten. Sa vjeçe është mbesa juaj? Është ajo që i ka
dhëmbët me tela? (Në holl duket Nina, pas saj vjen Grigzi me shportën
me ushqime.) Jo, nuk do t’i përshkruaj të gjitha hollësitë e pamjes së saj
të jashtme. Për kë më merrni ju mua? Po, ne të dy do të jemi vetëm
Shpesh dhe gjatë. (Ninës dhe Grigzit.) E kaluat mirë ditën? (Në
telefon.) Jo, nuk ju fola juve, por burrit tuaj. Mirupafshim. Ruajeni
veten. (E mbyll telefonin, Grigzit.) Ishte Roza. (Me shaka Ninës.) Oh,
sa jam mërzitur sot! (Hyn Krosmani.) Nga ishit?
NINA - Në grykën e Kristanit.
NIKU - E futët makinën në garazh?
KROSMANI - (I jep çelësat Ninës.) Po, në rregull.

75
NIKU - Ti e ngave makinën, Ned? (Ninës.) Nuk lejoj të ma ngasin
makinën njerëz që pinë kështu.
NINA - Njeriu që pi si ti, bën mirë të heshtë.
NIKU - (Qesh.) Le të pimë, Ned. (I zgjat gotën Krosmanit.)
KROSMANI - Jo, faleminderit.
(Niku kthehet, i zgjat gotën Grigzit.)
GRIGZI - Faleminderit, nuk dua.
NIKU - Ç’djallin keni kështu? Nuk doni të pini me mua... (Krosmanit.)
Dua të të lyp ndjesë. Merre gotën.
NINA - Nik, të lutem...
NIKU - Ti mos u përziej. Gratë nuk e njohin etiketën e të pirit.
KROSMANI - (Qesh.) Tani paska dhe etiketë, ë? (Kur Niku zgjat
gotën, ai bën jo me kokë.) Ju faleminderit.
NIKU - (Me qejf të prishur, prej të dehuri.) Dëgjo babush, ti duhet të
pish. Unë dua të të lyp ndjesë; një xhentëlmen i vërtetë do të më kishte
kuptuar me gjysmë fjalë. (E kap Krosmanin nga dora dhe me shaka ia
çon gotën në buzë.)
KROSMANI - (I qetë.) Mjaft më.
(Niku qesh duke e shtrënguar gotën më fort pas buzëve të Krosmanit.
Krosmani e shtyn gotën, e cila bie në dysheme e thyhet.)
NINA - (Duke u ulur.) Ja, një gotë që e hoqëm qafe. Por këtu gotat
s’kanë fund, Nik.
NIKU - (Me vendosmëri Krosmanit.) Tani keni kaluar në pozicion
mbrojtës, miku im. Kjo është gjithnjë taktikisht e gabuar, apo jo
Gjeneral?

76
GRIGZI - Unë nuk marr vesh nga taktika, zoti Diner. Të paktën, nga
taktika juaj.
NIKU - Ç’dreqin luani rolin e gjeneralit atëhere?
GRIGZI - Ashtu kot, për shaka. Kishin një kostum gjenerali tepër e ma
dhanë me qera.
NIKU - (Krosmanit.) Po pres, Ned. Mbushe gotën. Është radha jote për
të kërkuar ndjesë.
KROSMANI - Je po ai që ke qenë. E pabesueshme! (Kthehet dhe del.)
NIKU - (Me tonin e një fëmije të prekur në sedër.) Ç’djallin... (Bërtet.)
Ej, Ned! ... Mirë, kthehu, le të bëhet siç thua ti. (Heshtje. Kthehet
prapa. Me mërzinë e mëparshme.) Gjeneral, ejani ta pimë këtë shishe.
NINA - Të fillojmë nga e para?
NIKU - Gjeneral, doja t’ju thosha diçka. Telefonoi gruaja juaj, por me
ju nuk donte të bisedonte.
GRIGZI - Kjo është mëse e kuptueshme. Natën e mirë, zonja Diner. Ju
faleminderit për ditën e këndshme që kaluam bashkë.
NIKU - Veç ajo ka ndërmend të bisedoj me ju nesër në mëngjes. Mos u
largoni.
GRIGZI - (E shikon në sy.) Ju faleminderit. Natën e mirë.
NIKU - Më kot po e ndani Rozën. Në moshën tuaj do të ndjeheni i
vetmuar.
GRIGZI - Nëse ime shoqe dëshiron të këshillohet me ju, zoti Diner, kjo
është puna e saj. Unë s’kam ndërmend të këshillohem me ju. (Del.)
NIKU - Si të dëshironi. (Kthehet, merr gotën e shtrihet në divan.)
NINA - (Pas një çasti.) E di sa gjë e pështirë është të urresh vetveten?
NIKU - E cili është ai budalla që e bën këtë?

77
NINA - Unë.
NIKU - (me përzemërsi.) Eja, xhan, më trego ç’të mundon. Më mori
malli për ty.
NINA - Të urresh veten, ta urresh vazhdimisht, në çdo minutë.
NIKU - Unë të dua, Nina.
NINA - (Ngrihet.) Prapë me avazin tënd ti?! Prapë do të më mërzitësh e
do të më detyrosh të të them se ti kurrë nuk ke dashur njeri e kurrë nuk
ke për të dashur. Pata shumë t’ia mbathja nga kjo shtëpi para se
Konstansa të të njohë plotësisht. Ajo le të vazhdojë ta ushqejë veten me
ëndrra. (Pas një çasti.) Ti ende shpreson se deri të premten do t’i
rregullosh të gjitha punët e tyre?
NIKU - Po, ashtu them me siguri. Pastaj do të kalojmë një muaj tek
vëllai i Rozës, Henri më duket se e quajnë, ose diçka e tillë.
NINA - (Me kujdes.) Ç’janë këto që thua?
NIKU - E rregulloi Roza këtë punë. Unë do t’i bëj portretin e së bijës
dhe trashgimtares së tij. Asaj po i bien flokët e në dhëmbë mban tela.
(E shikon në sy.) Pesë mijë dollarë.
NINA - Mos je çmendur?
NIKU - Aspak.
NINA - (E tërbuar nga inati.) Mos bëj marrëzira. Thuaji zonjës Grigz
të ndërrojë mendje.
NIKU - E përse?
NINA - (Me inat.) Mirë, pra. Mbase ka ardhur koha që të flasim hapur.
Gjatë dymbëdhjetë vjetëve ti nuk ke përfunduar asnjë portret, kurse
këtë portret ke ndërmend ta bësh jo për para. Ti thjesht kërkon të
flirtosh me zonjën Grigz. Në Nju - Orleans unë nuk vij. Nuk dua të jem

78
e pranishme në numrat që bën ti. S’mundem më... (Me zë të ulët.) Mos
shko atje. Tërhiqu. Ti e di si do të përfundojë kjo punë. Të lutem mos.
Nuk jemi më të rinj, Nik. kaq gjë duhet ta kishe mësuar.
NIKU - (Me zë të ulët, me kujdes.) Po, asnjë tablo nuk kam përfunduar.
jam treguar aq i ndershëm sa të pranoj se nuk ishin të arrira. Veç, ty
nuk ta fal atë që më the.
NINA - E keqja jote është se je diletant, një amator i talentuar.Dhe si të
gjithë diletantët e gjen një justifikim për të mos e përfunduar punën e
nisur. Pastaj, dhe kohë nuk ke - gjithë ato dëfrime...
NIKU - Aha, këto mendime paske patur për mua gjithë këto vite?
NINA - Po.
NIKU - Ndërsa shtireshe sikur kishe besim tek unë.
NINA - Unë të kam dashur.
NIKU - Kam dhe unë dinjitetin tim. (Ajo qesh, ai i afrohet.) Asnjë
burrë nuk do të bashkëjetonte me një femër që nuk ka respekt për
punën e tij. Më duket se për ty është më mirë të ikësh, Nina. Qysh
nesër. Njëherë e përgjithmonë.
NINA - (Me zë të ulët.) Po. (I kthen krahët.) Po, kuptohet. (Niset drejt
shkallëve.)
NIKU - (E ndjek pas duke folur.) Këtë herë gjithçka do të jetë ndryshe.
Prej vitesh të kam paralajmëruar; të kam kërcënuar dhjetë herë, këtë
radhë do të shkosh për të mos u kthyer më.
NINA - Mirë. Le të jetë kjo hera e dhjetë. (E qetë, me dëshpërim.) Të
jap fjalën, do të shkoj për të mos u kthyer më.
NIKU - (Ndërsa ajo ngjit shkallët.) Po, këtë herë mos u kthe më. Dhe
mos m’u lut. Mos u ul dhe mos e urre vetveten. Kësaj here asgjë nuk do

79
të të ndihmojë. (E ndjek pas. Prapa skene.) Kështu po e shënoj, zemër.
Dhe për t’i vënë vulën, po pi dhe një gotë.

Në holl hyn Konstansa, e cila ka dëgjuar fjalët “asgjë nuk do të të


ndihmojë”, ka njohur zërin e Nikut e ndalon vetullngrysur e
mendueshëm. Pastaj fik dritën e tarracës, dritën e sallonit, përveç një
llampe dhe nis të rregullojë dhomën. Hyn Sofia me një nënkresë në
duar, çarçafë, batanije dhe një gotë qumësht; drejtohet për tek divani.
Në heshtje, Konstansa e ndihmon për të rregulluar shtratin.

SOFIA - (Pas një minute, buzagaz.) Mos u shqetësoni për mua, teto
Konstansa.
KONSTANSA - Nuk jam mësuar ndryshe.
SOFIA - Ndoshta, ngandonjëherë, ju shqetësoheni që të mos e vrisni
mendjen.
KONSTANSA - (Buzëqesh.) Ndoshta. Mirë, do të hesht. Por do të
mërzitem shumë pa ty. Nuk mund të rri më vetëm. Nuk është mirë të
jetosh vetëm. Ndërsa kur të martohesh ti, unë do të mbetem krejt e
vetmuar, vetëm nëse ti... Ti e di, Nedi më ka dashur dikur. Sa kohë kam
humbur kot. Tani e kuptoj, por... ku ta dish. (E ndrojtur, gati si një
fëmijë.) Ti më kupton, apo jo, Sofi?
(Sofia e vështron vetullngrysur. Nga zëri Konstansa duket se është e
lumtur.) Gjumë të ëmbël, zemra ime.

E puth Sofinë e del duke mbyllur derën nga jashtë. Si mbaron së


rregulluari shtratin, Sofia vë mbi komodinë gotën me qumësht, heq

80
robdëshambrin, e hedh krahëve, hyn në shtrat dhe qëndron e palëvizur,
e menduar. Në holl dëgjohen hapa; ajo kthen kokën dhe shikon nga
dera, nga e cila hyn Niku. Ai pengohet në një karrige, por mbahet në
këmbë, madje arrin të ndezë dhe dritën.

NIKU - (Me inat.) Konstansë! Ç’e keni ju këtu? Kopsht fëmijësh e


keni? Që në njëmbëdhjetë i fikni dritat? (Shikon Sofinë.) Ku është
tetoja juaj? Dua të bisedoj me të. Po ju ç’bëni këtu?
SOFIA - Po fle, zoti Diner.
NIKU - Numër i fortë. Mbase shumë i fortë. (Mbush gotën.) Po shkoj
në tavernë, po mbledh një dorë qejflinjësh e po shkojmë në plazh. Ia
thoni tetos suaj. Kështu i thoni. (Shkon drejt derës.) A nuk vini me
mua? Urdhëroni! (Ajo bën jo me kokë.) Hë, de, ejani! Hidhni pallton
krahëve. Unë s’ju mbaj mëri. (Kthehet nga ajo dhe e vështron.) Nuk ju
pikturoj dot, ju jeni kockë e lëkurë. (Papritur ulet mbi shtart.) Sa halle
kam! Edhe ju gjithashtu? Ejani shkojmë gjëkundi për dy a tri ditë, ë? (I
buzëqesh.) Ç’punë kanë të tjerët me ne? Do t’ia kalojmë mirë. Nuk e
duroj dot kur njerëzit nuk janë të lumtur. (Shtrihet dhe e vë kokën mbi
prehrin e saj.) Hiqi këmbët, bija ime, se i ke tërë kocka! Më sill diçka
për të pirë!
SOFIA - Merrni shishen dhe ngjituni në dhomën tuaj, zoti Diner.
NIKU - Më sill për të pirë. Ç’të duash, qoftë dhe helm.
(Ajo ngrihet pa dëshirë, merr gotën e tij dhe e mbush. Ai ia merr
këngës, ndërsa ajo kthehet tek ai me gotë në dorë. Niku zgjat dorën ta
marrë, por ndërron mendje, e tërheq Sofinë pranë vetes dhe e derdh në

81
shtrat përmbajtjen e gotës.)
Sa e ngathët je, zemër ... Po s’ka gjë, po ta fal. (Qesh, nuk e lëshon.)
SOFIA - (E qetë.) Ju lutem, largohuni, zoti Diner!
NIKU - (Brof në këmbë me inat prej të dehuri.) Nuk lejoj të më marrin
në qafë! Cila je ti? Një varfanjake, që kërkon të marrë për burrë një
buzëqumësht të pasur... Një jetë e mirë të pret! Kurse buzëqumështi yt
nuk e di ç’kërkon.
SOFIA - (Shumë e nxehur.) Ju lutem, zoti Diner, dilni jashtë! Ju jeni i
dehur, kurse unë jam shumë e lodhur. Ju lutem, ikni.
NIKU - (Ulet në dysheme, në cepin tjetër të dhomës.) Fli, bija ime, fli.
Nuk do të të bezdis.
(Ajo nuk ia ndan sytë, e kupton që nuk e përzë dot, shtrihet në shtrat e
nis të lexojë.) Nuk do të nxjerr më asnjë fjali. Sh-sh, Sofia po lexon. Të
pëlqen leximi? A e di si lexohet më mirë? Vetë i dytë me dashnorin, me
zë. Nuk e ke provuar ndonjëherë, zemër?
(Ngrihet, i afrohet shtratit e ndalon te koka e Sofisë.) Dikur kam pasë
ditur shumë vjersha. (Përkulet e i puth flokët. Ajo e tërheq kokën.)
Shpirt, a e ke provuar t’i lash flokët me shampanjë? Kam njohur dikur
një femër... (I derdh përmbajtjen e gotës në kokë.) Eja, ta provojmë.
SOFIA - (Prerë.) Mos guxoni ta provoni dhe njëherë!
NIKU - (Ulet pranë saj.) Pash Zotin, mos u nxeh. (E kap për supesh
dhe e tund.) Jam velur me gra gjaknxehta. Burrat nuk i durojnë dot
femrat e nxehura, veçanërisht, kur i njohin mirë. Sofi, eja të ikim, le të
jemi të uritur, s’ka gjë. Unë do të mundohem të të dua.
SOFIA - (Mundohet të shkëputet prej tij.) Zoti Diner, më vjen ndot prej
jush.

82
NIKU - (Me të mirë.) Më thuaj që nuk të pëlqej... dhe ika.
SOFIA - Më vjen ndot prej jush.
NIKU - Shumë njerëz më kanë urryer, veç ndot nuk i ka ardhur kujt.
Do të zemërohesha me ty, por e di që llastohesh. A ke një aspirinë? Po
më puthe, do të iki. Vetë do të iki, megjithëse do të kthehem prapë
ndonjëherë tjetër... (Me dëshpërim.) Hë, të lutem, Sofi, të lutem!
SOFIA - (Psherëtin e i jep faqen.) Mirë. Vetëm mos harroni të
largoheni menjëherë pastaj.
(Niku e pushton në krahë dhe e hedh mbi shtrat. Sofia lufton me të e i
thotë me inat.) Mos u bëni palaço!
(Nuk arrin të çlirohet) Do të thërras gruan tuaj.
NIKU - (I kënaqur.) Thirreni, oh ç’do të jetë! Ne do të ndahemi. Le të
jetë jona kjo natë. Oh, Zot, Xhuli, sa shumë kam hequr!
SOFIA - (E tërbuar nga inati.) Qepeni gojën!
(Ajo mbledh të gjitha forcat dhe çlirohet nga përqafimi i tij. Ai i zhvat
robdëshambrin dhe rrëzohet në divan duke e zënë atë nën vet.)
NIKU - (zgërdhihet e kapardiset mirë në divan.) Kthehu! Këtu është
kaq mirë e unë të dua fort. Bija ime, duhet të marrim një sy gjumë.
(kthehet dhe rri pa lëvizur)
SOFIA - (Rri në këmbë dhe e vëshron. Pas një çasti.) Çohuni, zoti
Diner. Ju ndihmoj unë të ngjiteni lart. (Heshtje.) Ju lutem! Po ju lutem
pra, çohuni!
NIKU - (Me zë të ulët, i përgjumur.) Jashtë shiu nuk resht. I thuaj
mazhordomës se jam vëllai yt. Ajo do ta kuptojë...
(Fjalët e fundit nuk dëgjohen. Sofia përkulet dhe e tund me të gjithë
fuqinë.) Më lër rehat! (Atë e zë gjumi dhe dëgjohet frymëmarrja e tij e

83
rëndë. Ajo kthehet, shkon drejt hollit dhe ndalon në krye të shkallëve,
por ndërron mendje e kthehet në dhomë. Qëndron pak pranë divanit,
shikon Nikun dhe vendos ta tërheqë prej këmbësh. Ai flet sa mezi
dëgjohet.) Ja, tani do të largohem. Përse je kaq e re? Po ki pak mëshirë
për mua. Unë jam i sëmurë dhe plak.
(Sofia largohet prej tij dhe shkon në cepin tjetër të dhomës.)

***** B I E P E R D J A *****

AKTI I TRETË

Të nesërmen, ora 7 e mëngjesit. Niku fle në divan. Sofia është ulur në


kolltuk dhe pi kafe. Zonja Elis zbret shkallët e hyn në dhomë.

Zonja ELIS - Sofi, ç’ishte tërë ajo potere në kuzhinë? Kur plaket njeriu
fle gjithnjë e më pak dhe pret me padurim që të hajë. Veçanërisht mezi
pret mëngjesin pasi gjithë natën e ka kaluar vetëm... (Vëren Nikun,
hesht e habitur dhe vëren edhe më për të parë më mirë.) Ç’do të thotë
kjo?

84
SOFIA - Është zoti Diner.
Zonja ELIS - (Kthehet nga ajo dhe e shikon në sy.) Ç’kërkon ai këtu?
SOFIA - Zoti Diner u ul dhe e zuri gjumi.
Zonja ELIS - Tërë natën këtu e kaloi?
(Sofia bën po me kokë.) Ju keni luajtur mendsh! Që tani hiqeni këtej!
SOFIA - Unë s’e lëviz dot. U mundova por... T’ju sjell një kafe?
Zonja ELIS - (Nuk ia shqit sytë.) Përse shtireni si budallaqe?
Ngandonjëherë nuk arrij ta kuptoj, nëse talleni apo flisni seriozisht?
Përse nuk thirrët Konstansën apo zonjën Diner?
SOFIA - Nuk dija ç’të bëja. Zonja dhe zoti Diner kanë patur telashe, u
grindën, - kështu tha ai, - dhe mendova se do të ishte më keq sikur
unë... (Buzëqesh.) Po ç’rëndësi ka kjo? Ai u tregua pak i trashë e
gjumash. (Shkon drejt derës.) po thërras Leonin e Sedin dhe po e çojmë
lart.
Zonja ELIS - (I zë rrugën.) As Leonin, as Sedin nuk do të thërrisni.
Hiqeni... këtë... që këtu sa pa e parë njeri tjetër. (Shkon tek divani dhe e
tërheq batanijen, me të cilën është mbuluar Niku.) Mirë që qenka i
veshur të paktën. Më jepni një filxhan kafe. (Sofia i zgjat filxhanin.)
Zoti Diner! Çohuni! (Niku tund kokën lehtë. Sofisë.) Ngrijani kokën!
(Sofia mban kokën e Nikut, ndërsa zonja Elis mundohet t’i japë kafe.)
NIKU - (Me zë shumë të ulët.) Më lini të qetë!
Zonja ELIS - Zoti Diner, dëgjoni! Largohuni që këtej, tashti!
NIKU - (I hedh dhomës një vështrim të mjegullt, pastaj i mbyll sytë
sërish.) Xhuli.
SOFIA - Tërë natën ka përmendur një farë Xhuli.

85
Zonja ELIS - (Me inat.) Mirë, po e zgjoj gruan tuaj që t’jua gjej këtë
Xhulin tuaj. Mos doni t’jua djegim eshtrat këtu?
(Niku hap sytë e i mbyll sërish.)
SOFIA - E shikoni si është katandisur? (Mundohet të tërheqë
robdëshambrin, që ai e ka zënë nën vete.) Lëshomani robdëshambrin,
zoti Diner!
Zonja ELIS - (E shikon me vërejtje.) Sofi, ju jeni me të vërtetë
budallaqe.
(I bërtet Nikut.) Pa çohuni! Shpejt! Ju nuk duhet të qëndroni këtu! Ej,
ju dëgjoni! Çohuni! (Bërtet.) Shkoni në dhomën tuaj! Qërohuni këtej!
NIKU - (Kthehet në brinjë, hap sytë, ngrihet paksa e flet me shumë
mirësjellje.) Mos më bërtitni, ju lutem... (Shikon Sofinë, nis të kujtohet
ku ndodhet e rënkon me zë të lartë.) Mos humba gjë ndjenjat?
SOFIA - Po, zotëri, i humbët krejt.
NIKU - Gjithmonë bëhem keq nga shampanja. Si erdha deri këtu?
(Kthehet.) Më fal, moj çupë. Ç’ndodhi me mua?
SOFIA - Ju zuri gjumi.
NIKU - (I pavendosur.) Unë... nuk i lejova vetes ndonjë... gjë të tepërt?
Më thuaj, Sofi!
Zonja ELIS - Ju lutem, ngrihuni e largohuni që këtej.
NIKU - Dua të pi. Më jepni një gotë ujë. Ose një shishe birrë. Bija ime,
më gjej një shishe birrë të ftohtë. (Shikon divanin.) Po ti, ku fjete? Ma
gjej atë birrë, mirë?
Zonja ELIS - (I ndan fjalët.) Zoti Diner, ju jeni shtrirë në shtratin e
Sofisë, në një qytet të vogël jugor, ku s’mund të bësh një dush, se do ta
marrë vesh tërë qyteti se me çfarë peshqiri po fshiheni. Prandaj çohuni,

86
dilni nga dera e pasme e shkoni në breg. Futni kokën në ujë ose bëni siç
dini vetë në raste të tilla, dhe kthehuni nga porta kryesore për të ngrënë
mëngjesin.
NIKU - (Qesh.) Ç’mëngjes! Nuk mund ta mendoj të ngrënët tani.
Zonja ELIS - Unë nuk i marr vesh këto shakatë tuaja, veç një gjë e di
mirë. Ju mund t’i shkatërroni jetën një vajze të re. Ju lutem, kuptojeni
këtë më në fund!
NIKU - E kuptoj. Më vjen shumë keq... (Ulet dhe çlirohet nga
robdëshambri.) Ç’është kjo? Sofi, moj bijë, me siguri të kam sjellë
shumë andrralla, ë? Më vjen shumë keq.
Zonja ELIS - (Me zë shumë të lartë.) Çohuni dhe qërohuni këtej! Në
djall të veni! (Hapet dera dhe duket koka e Rozës.)
ROZA - (Zonjës Elis, e cila kërkon të mbulojë me trup atë që ndodh në
dhomë.)
Sa më trembët! ... Dëgjova zërin tuaj... Kaq herët!... Ah, qenkeni ju,
Nik... Sa mirë që ju gjeta këtu. Nuk ma mori mendja... (Zëri i saj shuhet
kur shikon Sofinë dhe e kupton që Niku është ulur tek shtrati i saj.) O-
o-o! (Zgërdhihet me një farë dyshimi.) Ju dukeni sikur sapo jeni ngritur
nga gjumi. Sikur sapo ju ka dalë gjumi.
Zonja ELIS - Ja, që e bëtë punën tuaj të bukur. Me siguri që këtë
deshët!
(Ajo niset të dalë dhe takon Leonin, që po sjell ibrikun e kafesë. Roza
qëndron në këmbë dhe vështron Nikun me sy të zgurdulluar.)
LEONI - (Tepër kureshtar, por nuk guxon të hyjë në dhomë.) Ta lë
ibrikun këtu, apo...
Zonja ELIS - Kush ju tha?

87
LEONI - Asnjeri nuk më tha. Zonjushë Sofia erdhi në kuzhinë për
kafenë...
Zonja ELIS - (Pasi hesht, ngre supet.) Çojeni kafenë në dhomën e
ngrënies. (Del.)
LEONI - Zonjushë Sofi... ta rregulloj pak dhomën?
ROZA - (Me zë të ulët, Nikut.) Gjithë natën këtu e kaluat? U ktheva,
sepse kisha nevojë për këshillën tuaj... dhe ja tek ju gjeta...
NIKU - Rozë, mos ma merrni mendjen. Edhe pa ju më janë errur sytë.
Dhe ju lutem, dilni nga dhoma, dua të bisedoj me Sofinë.
ROZA - Po pres të më shpjegoni sjelljen tuaj, Nik. Asgjë nuk po
kuptoj.
NIKU - Këtu s’ka asgjë për të kuptuar.
ROZA - Unë nuk ju vë faj. A mund të ma shpjegoni si ndodhi? Ma
thoni dhe unë nuk do të zemërohem me ju.
NIKU - Ç’më dërdëllisni kështu? Ç’ju duhet juve? Shkoni në dhomën
tuaj më mirë.
ROZA - (Me zë të ulët, e nxehur.) “Shkoni në dhomën tuaj”, “Ç’ju
duhet juve?” Pasi u torturova për të siguruar për ju porositë e portretit?
Pasi shkova te doktori me porosinë tuaj... po të mos ishit ju, nuk do ta
kisha bërë një gjë të tillë! (Ulet.) Ju më bëtë të vuaj, sot më mirë mos e
bëni këtë!
(Hapet dera dhe hyn Konstansa, e cila i afrohet Nikut dhe e shikon në
sy.)
KONSTANSA - Nik, shkoni tek dritarja dhe vështroni në rrugë... (Ai e
shikon pa folur, pastaj ngrihet ngadalë dhe me vështirësi shkon deri tek

88
dritarja. Me emocion.) Shtëpia ime s’ka pse të bëhet objekt për
kureshtarët.
NIKU - (Me të mirë.) Vërtet, aq keq është puna, Konstansë?
KONSTANSA - Shumë keq.
NIKU - Më vjen keq, isha i dehur dhe u solla si budalla, por megjithatë,
përse ta bëni mizën buall?!...
KONSTANSA - S’kam ndërmend ta bëj mizën buall... Por e di se ç’do
të bëjnë të tjerët? Në rrethin tuaj, gjëra të tilla janë të zakonshme, kurse
te ne këtu, jo. (Bie telefoni dhe ajo ngre receptorin.) Alo! (Dëgjon.)
Alo! Zonja Sims! (Fytyra e saj bëhet shumë e ngrysur dhe ajo mbyll
telefonin. Qëndron duke parë telefonin, pastaj ngre dorezën dhe e lë
mbi tryezë. Sofisë.) Të lutem, më trego çfarë ndodhi? Unë s’di më
shumë se ç’dinë ata.
SOFIA - Zoti Diner erdhi këtu; dontë të këmbente dy fjalë me dikë. Kur
më pa mua, më recitoi disa vjersha, m’u ankua për hallet e veta dhe
kërkoi të më puthte pa ngulur këmbë shumë. Emrin tim nuk e mbante
mend fort mirë dhe tërë natën se ç’thërriste një farë Xhuli. Megjithëse
nja dy herë më mori për një farë Sesilë. Pastaj e zuri një gjumë kaq i
rëndë, sa s’munda ta zgjoj. S’ke ç’t’i bësh, i ka alkooli këto. Edhe tek
ne në Francë ndodh kështu, si kudo.
KONSTANSA - (Me zë të ulët, me dhembje.) Ti i thua me
mendjelehtësi të gjitha këto, Sofi.
SOFIA - (Kthehet, shkon tek divani dhe fillon të ngrejë shtresat, duke i
palosur njëra mbi tjetrën.) Mirë teto Konstansë, do të flas seriozisht.
KONSTANSA - Pa më thuaj, përse qëndrove këtu? Përse nuk më thirre
mua, ose...

89
NIKU - Dëgjo, kjo kuptohet... Vajza nuk deshi të bënte zallahi dhe ka
menduar se unë do të zgjohesha dhe do të shkoja në dhomën time.
Djalli e mori, sa fisnike! Sofi, besomëni, ju jam shumë mirënjohës...
KONSTANSA - Fisnikëri me zarar. Oh, sa me zarar!
(Sofia ngre sytë dhe e vështron Konstansën me ngulm.)
NIKU - E kuptoj, Konstansë, ty nuk të vjen mirë, por në të vërtetë, e
gjithë kjo histori s’ishte kurrgjë.
KONSTANSA - Kurrgjë? A nuk pe në dritare? Tani shko e dëgjo se
çfarë thonë në farmaci.
NIKU - Prit! Piu burri... u deh... si budalla...
ROZA - (Shikon Sofinë.) O Zot, pa shikojeni këtë vajzë. Sikur të mos
kishte ndodhur asgjë. Sikur një gjë e tillë të ndodhte çdo natë.
KONSTANSA - (Shikon përreth, vëren se në dhomë është dhe Roza.)
Po ju, ç’bëni këtu?
ROZA - Po mendoj për atë që një burrë nuk bie në shtrat me një vajzë,
nëse ajo nuk i jep të kuptojë... (Konstansa e vështron me sy të
zgurdulluar.)
Nikun mund ta bëni fajtor sa të doni. Po ju e dini dhe vetë se një vajzë
e ndershme do të thërriste...
KONSTANSA - Si guxoni! Kush ju jep të drejtën... Besoj se ju do të
ikni sot. Gjeneralit do t’i kërkoj unë ndjesë.
ROZA - (Me të butë.) Mirë. Sidoqoftë, unë do të ikja sot... (Psherëtin
kinse e mërzitur.) Së shpejti do t’i merrni vesh të gjitha dhe nuk do të
më mbani më mëri. Oh, sa e lodhur jam! A mund të ma sjellin
mëngjesin në shtrat? Mjeku më tha se duhet ta ha mëngjesin në shtrat.
(Del dhe tek dera takon Krosmanin që vjen për në dhomë. Me ton

90
funebër.) Mirëmëngjes, i dashur Ned... (Papritur nuk duron dot.) E
dëgjuat?...
KROSMANI - (Gëzueshëm.) Mirëmëngjes. Po dëgjova. S’jam shurdh.
(I kalon pranë. Ajo e shikon nga prapa dhe ngjit shkallët pa dëshirë.)
KONSTANSA - (Kthehet nga ai.) Ned, ç’të bëjmë?
KROSMANI - Mos vallë, gjithnjë mund të bëhet diçka, të riparohet, të
ngjitet sërish? S’ke ç’bën, Kros. (I buzëqesh Sofisë, gëzueshëm.) Si e
ndjeni veten, Sofi?
SOFIA - Mirë jam, zoti Ned.
NIKU - Ned, vërtet kaq keëq ka vajtur puna sa ç’thotë Konstansa?
KONSTANSA - Po ty, ç’të duhet? Ti na vështron dhe mendon me vete:
“provincialët e shkretë!”, sa mirë do të ishte të rrije tani në bar Rite, me
shokët, të cilët do të shkriheshin me këtë mesele. (Me mllef.) Sipas
zakoneve tona ti e turpërove këtë shtëpi. Sa vjet m’u deshën për t’a
kuptuar se çfarë njeriu je ti!...
KROSMANI - Mirë, mirë, Konstansë, ndoshta ashtu është, por a ka
kuptim ta gjykosh Nikun në këtë çast?
NIKU - (Me sinqeritet Konstansës.) Sido që të mendosh për mua, unë
nuk desha që puna të vente kështu. Do të qëndroj dhe do të mundohem
t’i marr mbi vete të gjitha goditjet. Gjithçka me ç’mund të të ndiihmoj,
me fjali e me vepra.
SOFIA - (I ka ngritur plaçkat.) Ç’rrezik ka kjo për mua, zoti Ned?
KONSTANSA - (Me zë të ulët.) Ti je e rritur tani për ta kuptuar dhe
vetë.
KROSMANI - (Sofisë.) Emri i Elizëve është i gjithëpushtetshëm. Për ta
nuk do të flasë kush me zë të lartë. Edhe ata nuk do të duan të dëgjojnë

91
fjalë për ju. Ata do të mund të ta sheshojnë këtë histori. Të jesh i sigurt
për këtë. Fare i sigurt.
SOFIA - (Pasi hesht një çast.) Dhe vetëm kaq?
KROSMANI - Vetëm kaq.
SOFIA - (Me zë të ulët.) Ju faleminderit, zoti Ned.
KONSTANSA - Ta sheshojnë? Po ajo nuk ka asnjë faj, vetëm se u
tregua pak mendjelehtë. Emri i Takermanëve nuk bie më poshtë se ai i
Elizëve.
KROSMANI - Po, po, natyrisht.
(Sofia shikon Krosmanin një çast e del. Në paradhomë takon Leonin, i
cili mban kapelën në dorë.)
LEONI - Zonja Elis është inatosur që ende nuk i kanë çuar mëngjesin.
Sedi pret udhëzime.
KONSTANSA - I thoni se tani vij. (Shkon tek dera.) Po kapelën, përse
e ke vënë?
LEONI - Sot dielli të përvëlon.
KONSTANSA - Ku, në dhomë? Lëreni kapelën. Keni kohë për
thashatheme, pasi të perëndojë dielli. (Del.)
NIKU - (Ankueshëm.) Ned, besomëni, nuk desha... Për Zotin,
Konstansa kot bën kaq zhurmë... ajo është një lëneshë tipike... Apo,
mbase me të vërtetë puna ka vajtur shumë keq?
KROSMANI - Keq. Ajo e do shumë vajzën.
NIKU - (Rënkon.) Oh, sikur të mundja të bëja diçka.
KROMANI - Mos u merakosni... ju bëtë gjithçka mundët.
NIKU - (I gëzuar që dëgjoi më në fund një fjalë të mirë.) Të
faleminderit, mik.

92
KROSMANI - Juve nuk do t’ju gjykojnë shumë ashpër. Vajza është e
huaj, atë nuk e kuptojnë, prandaj s’para e duan. Kurse ju jeni yni, i
këtushëm, prandaj gjithçka që bëni ju, mund ta bënin dhe ata. E kush
nuk harbohet në rini? Rinia i ka buzët me qumësht, kurse tek ne në jug
nuk ka ende sens moshe për rininë e burrëruar! Prandaj ajo “mëkatarja”
me siguri ju ka ngatërruar... a si i thonë ndryshe... Ju do të trembeni pak
e aq. Mesa kuptoj unë, gjatë gjithë jetës ia keni hedhur me një trembje
të lehtë.
NIKU - Ti thua se kjo hitori do të përfundojë keq?
KROSMANI - Ashtu them.
NIKU - Po unë as që kisha punë fare me vajzën. As që më kishte vajtur
mendja që...
KROSMANI - (Me keqardhje të tepruar.) Ah, sa keq! Shpresoj që herë
tjetër t’ju vejë më mbarë. Ju jeni ende kaq i ri në shpirt.
(Krosmani del në holl dhe niset për në dhomën e ngrënies. Nëpër
shkallë zbret Hilda; ajo mban në duar kutinë e xhevahireve dhe një kuti
kapelesh. Vetë ka veshur kapelen e dorezat.)
NIKU - (Është ulur me fytyrë nga dera dhe me ta parë atë e pyet.) Për
ku kështu?
HILDA - (Gjermanisht.) Mirëmëngjes, sër. Po çoj plaçkat e zonjës te
treni i orës nëntë e tridhjetë.
(Kalon duke i hapur rrugë Ninës, e cila gjithashtu mban kapele e
doreza. Pas tyre vjen Roza e veshur me pellush. Roza flet papushuar.)
ROZA - As që dua ta justifikoj! Natyrisht, ai u tregua i pakujdesshëm,
po ju jeni grua mondane, Nina dhe e dini si sillen vajzat me burrat që

93
kanë ardhur në qejf. Nina, unë i pashë të dy sot në mëngjes, ai nuk
shfaqte asnjë interes për të. Nina...
NINA - (Pa u ndalur, kthen kokën nga ajo, me ton të sjellshëm.) Unë
kam një tekë të çuditshme, zonja Grigz. Nuk duroj dot, kur më thërrasin
“Nina” para mesnatës.
ROZA - (E prekur, me zë të ulët.) S’duhet të më përçmoni. Unë dua ta
ndihmoj Nikun. E njoh shumë mirë atë, besomëni, ai nuk mund të... Ai
ka qenë miku im. (Nina qesh.) Edhe unë dua të jem mike me të.
NINA - Ju keni në dispozicion mundësi të pakufizuara.
NIKU - (Shumë i nxehur.) Ju lutem, mjaft diskutuat për personin tim ju
të dyja.
ROZA - A-a! (Shikon Nikun, pastaj Ninën, kthehet në holl dhe u thërret
atyre në kuzhinë) Leon! Ju lutem, ma sillni lart mëngjesin! (Ngjit
shkallët.) E ka parë kush tim shoq? (Del.)
NIKU - Nina! (Ajo hyn në dhomë.) Besomë, ata bënë gjithë këtë
gurgule për hiçmosgjë...
NINA - Nuk je i detyruar të justifikohesh para meje.
NIKU - Po, por të betohem se nuk ndodhi asgjë. Asgjë.
NINA - Për këtë mundohu t’ia mbushësh mendjen ndonjë tjetre, si
zonja Grigz, fjala vjen.
NIKU - (Vë buzën në gaz.) Më vjen shumë keq, por ata me të vërtetë e
fryjnë kot, gjithë këtë histori.
NINA - Sigurisht, është një histori tepër pikante. Sidomos për një vajzë,
që do të martohet së shpejti.
NIKU - (Shikon rreth e qark duke u munduar të gjejë ndonjë shkak për
të mos e lënë të ikë.) Dëshiron një filxhan kafe, zemër?

94
NINA - Jo. Zemra do të pijë kafe në tren.
NIKU - Nina, të betohem që nuk kam fjetur me të.
NINA - E di. Ajo nuk të honeps dot.
NIKU - Ashtu mendon ti? Ajo u tregua shumë e sjellshme me mua. E
merr dot me mend se ç’skandal mund të bënte. Nuk tingëllon sikur s’i
pëlqej... (Nina qesh.) Mos qesh... sot të paktën. (Pas një çasti.) Si thua
ti, çfarë mund të bëj për të?
NINA - Herët e tjera ke dërguar shporta me trëndafila të bardhë dhe një
kartolinë me shënimin: “Të bardha, në shenjë pastërtie e mirënjohjeje
para ndarjes...
NIKU - E poshtër! (Pastaj buzëqesh dhe i afrohet.) Mbase ti nuk më
mban mëri?!
NINA - Jo, vetëm se bisedoj me ty për forcë zakoni. (I kthen krahët.)
Nuk e di sa kohë do të qëndroj në Nju Jork, por ti mund t’i telefonosh
Horacit dhe ai do të marrë përsipër të gjitha formalitetet gjyqësore!
NIKU - (I vjen pranë.) Mbrëmë të thashë se jam dakort të ndahemi, se
ti ke të drejtë morale...
NINA - (Ftohtë.) Ti më the diçka krejt tjetër.
NIKU - Kam qenë i dehur, po pikërisht këtë desha të të thosha.
NINA - (Me shumë inat.) Gënjen! Ti më the atë që deshe të më thoshe:
“Nisu. Dhe mos më kërko të kthehesh, më vjen ndot nga ti!”
NIKU - Prit. Në do të hakmerresh, kjo është e drejta jote, vetëm të
lutem, jo sot. (Përkulet mbi të; mbështet fytyrën në të sajën.) Mos më
braktis, asnjëherë! Ne kemi shkuar aq mirë! A nuk ia vlen të durosh
mërzira e shqetësime të vogla për hir të lumturisë? Shumica e njerëzve

95
as këtë nuk e kanë. Unë e ti kemi një të keqe: ti e përbuz veten, ngaqë
më do...
NINA - Po. Unë s’kam të drejtë...
NIKU - Askush nuk ka. Kurrfarë të drejte.
NINA - Sikur ta dija, nuk do të isha martuar me ty.
NIKU - E megjithatë, do të ishe martuar. Në mos me mua, me ndonjë
tjetër si unë. Sepse ti duhet të më shohësh nga lart. Duhet të më
përçmosh dhe të të vijë zor që e bën këtë.
NINA - (Me zë të ulët.) Vërtet, kaq e sëmurë qenkam?
NIKU - Ti e di vetë. Të ra në pjesë një burrë që e meriton. Kjo është e
gjitha. Ty të pëlqen ta ulësh veten, kurse unë gjithmonë të kam dashur
dhe e dija se ne do të kalonim çdo provë. Kthehu tek unë, mos të të vijë
turp që ke dëshirë të kthehesh. (Përkulet dhe e puth në qafë.) Duromë
dhe pak, zemër. Po plakem dhe nuk do të kem më fuqi.
NINA - (Buzëqesh, e prekur.) Kurrë s’të kam dëgjuar të thuash “po
plakem”.
NIKU - (Shpejt.) Po, po. (Pas pak.) “Il dë Fransë” niset javën e
ardhshme. Shkojmë bashkë. Do të jemi përbukuri. Hë, më thuaj që jemi
sërish bashkë e që ndjehesh e lumtur. ma thuaj Nina, shpejt!
NINA - Unë jam e lumtur!
(Ai e përqafon, e puth dhe pastaj largohet, e shikon në sy e buzëqesh i
drojtur.)
NIKU - S’do të kthehem më kurrë në “Shkrumbin e vjetër”, siç të
pëlqen ty ta quash, te miqtë e vjetër e të tjera si këto. Ata janë
tmerrësisht të mërzitshëm, këta miqtë e mi që mezi shtyjnë ditët.
NINA - Në këtë aspekt, a nuk ngjajnë me ne, vallë?

96
NIKU - Do të ishte mirë të bënim diçka për atë vajzë. Ndoshta ta
marrim me vete sa të harrohen thashathemet e tyre.
NINA - Jo, jo, me vete nuk mund ta marrim.
NIKU - (Qesh.) Ah, ç’je një ti! E kupton se ç’kam unë parasysh...
NINA - Po, e kuptoj, e megjithatë nuk e marrim me vete.
NIKU - Ke të drejtë. Jemi të pafuqishëm për të bërë diçka. (Me zë të
ulët, vë pëllëmbën mbi ballë.) Jam shumë i sëmurë, Nina.
NINA - E ke nga pija e tepërt.
NIKU - Jo, më dhembin grykët, më ther kurrizi. Eja, shpirt, të nisemi sa
më shpejt për në stacion.
NINA - Nisu ti përpara. Unë po rri dhe pak të shoh në mund të bëhet
diçka. Edhe ti kështu do, apo jo? Hë, pra, nisu!
NIKU - Nuk mund të lejoj që ...
NINA - Mos humb kohë, zemër. Do të bëhesh vonë për trenin. Teshat
t’i sjell unë.
NIKU - (Qesh i mërzitur.) Po të mos më shihje tej e tej nuk do të
skuqeshe për mua. (I afrohet.) Ti je një grua e mrekullueshme! Sa
fisnike tregohesh duke e marrë përsipër gjithçka vetë.
NINA - Nuk e kam për herë të parë.
NIKU - (I fyer.) S’është e vërtetë. Ti e di fort mirë që rast të tillë nuk ka
patur.
NINA - Ti i ngatërron gjërat, Nik. Afërmendsh që ajo që ndodh për
herë të parë nuk i ngjan plotësisht rastit të dytë apo të tretë. Po, këtu e
ke për herë të parë. Kora kishte një burrë, kurse Silvia desh të gjente
një të tillë. Dhe këtu nuk jemi në hotelin e Antibeve, ndërsa Sofia nuk

97
është ajo egjiptiania e pasur. Këtë herë, nuk theve dorën në kuvertë dhe
tani nuk jemi në vitin 1928.
NIKU - Sot ti flet kaluar, Nina. Veç, po të isha unë në vendin tënd, nuk
do të kisha përfituar nga rasti. Merrmë të tillë, siç jam, ose lermë...
NINA - Ke të drejtë. Nisu tani.
NIKU - Kur do të vish? A e di se çfarë; merr makinën dhe eja në Mobil.
Do të të pres në hotel. Besoj se do ta gjej mënyrën për të vrarë disa
orë...
NINA - (E gëzuar.) Nuk dyshoj. Vetëm mos e tepro. Bëjmë të paktën
një javë pushim. Nisu tani.
NIKU - (E përqafon.) Të dua. Do të bëjmë kokrrën e qejfit, si kurrë
ndonjëherë. Të uroj fat të mirë, e dashur. Të faleminderit. (E puth.) Do
të porositim një kabinë për çifte të sapomartuara. Do të hamë vetëm në
shtrat. (Largohet prej saj.) Po munde, merr dhe portretin e ri. Tani do të
mundem ta përfundoj. Mundohu mos marrësh dhe portretin e vjetër.
Konstansa, mbase na e shet... (Nina qesh.) Mirë, mirë. Mendo për mua
si të duash. Unë jam ky që jam. Sido që të jetë, ti më do dhe unë të dua
e kështu do t’i ngrysim ditët tona. (Del.)
NINA - (Qëndron pa lëvizur.) Ti më do dhe unë të dua e kështu do t’i
ngrysim ditët...
(Kthehet prapa, i afrohet ziles dhe tërheq spangon. Pas një çasti, në
sallon duket Konstansa. Nina qëndron me shpinë nga ajo.) Leon, ma
sillni dot mëngjesin në tarracë?
KONSTANSA - (Te dera me tabaka në duar.) Natyrisht. Tani po u
them.

98
NINA - (Kthehet dhe e vështron në sy.) Më vjen keq që ndodhi kështu,
Konstansë.
KONSTANSA - Edhe mua më vjen keq, e dashur.
NINA - Nuk di ç’të them. Do të doja të ...
KONSTANSA - E ç’mund të bëjmë ne? (Pauzë e rëndë për të dyja.) Po
i them Leonit t’ju sjellë mëngjesin. Zonja Elis, plaka, po ha mëngjesin
e dytë. Nuk e di pse, por ditën e fundit, para se të largohet që këtej, ajo
ha dy herë mëngjes. (Shkon drejt derës.)
(Ndërkohë, nga shkallët zbresin Kerri e Frederiku. Kerri është veshur
për rrugë e Frederiku ka në duar dy valixhe.) Nikut, t’ia dërgoj
mëngjesin lart?
NINA - (Me nxitim.) Jo, jo, unë do të ha shpejt, pastaj ...
FREDERIKU - (Me zë të lartë Konstansës.) Ku është Sofia?
KONSTANSA - Tani po i them të vijë.
FREDERIKU - (Buzagaz.) Përse me kaq solemnitet, zonjushë
Konstansë?
KONSTANSA - (Prerë.) Ç’solemnitet është ky? (Ajo shkon drejt
dhomës së ngrënies, ndërsa Frederiku e Kerri hyjnë në dhomë.)
NINA - Zoti Elis, unë duhet të mbaja një pllakatë, ku shkruhej se mua
dhe tim shoqi na vjen keq për atë që ndodhi.
(Frederiku vë buzën në gaz. Nina hyn në tarracë e mbyll derën.)
KERRI - (E pavendosur.) Më duket grua e mirë. Po bën jetë të vështirë.
FREDERIKU - (Qesh.) S’e besoj. (Dëgjon hapat e Sofisë dhe nxiton ta
takojë.)
Mos harro mama... (Në derë duket Sofia, Frederiku i afrohet, e kap për
mjekre dhe e puth.) Nxitoj t’ju them diçka. Nuk di si ta shpjegoj, por

99
kjo që ndodhi më gëzoi. Ju u bëtë më e afërt për mua, paçka se mënyra
ishte disi e veçantë. Jua them sinqerisht, besomëni.
SOFIA - Unë bëra që t’ju përgëzojnë, Frederik. Për këtë duhet të
bisedojmë bashkë. Që tani.
FREDERIKU - Ç’ka këtu për të biseduar? Një histori e marrë dhe aq.
Dhe ju nuk do të bënit keq të qeshnit me të.
SOFIA - (Buzëqesh.) Po, unë qesha, por askush nuk donte të qeshte
bashkë me mua. Edhe në Nju Orleans nuk do të qeshë njeri. A nuk
është kështu, zonja Elis?
KERRI - Unë mendoj, se për ju është më mirë të vini me ne, Sofi. Çdo
gjë që të ndodhë, le ta marrim goditjen bashkë.
FREDERIKU - (E shikon; duket që ata e kanë biseduar më parë midis
tyre.) Ç’marrëzi! Përse u jep kaq rëndësi gjërave të tilla? Ne nuk presim
ndonjë goditje.
SOFIA - (I vë dorën në sup.) Për ju, kjo s’është pa rëndësi. Dhe ju nuk
duhet të bëni sikur ...
KERRI - (Me nxitim.) Nxitoni lart dhe bëni gati plaçkat. Sot, moti është
shumë i bukur, në drekë do të jemi në qytet. Dhe le të mos flasim më
për këtë.
SOFIA - Jo. Do të jetë një gabim shumë i madh nëse unë nisem me ju
tani. Të tjerët do të kujtojnë se mua më vjen turp nga diçka - kurse juve
për mua. Unë nuk duhet të vij sot me ju. Unë duhet të qëndroj këtu.
(Buzëqesh.) Goditjen duhet ta pres vetë.
FREDERIKU - Po mirë. Punë me mend. Mamaja dhe gjyshja le të
nisen, kurse unë po qëndroj me ju...

100
SOFIA - (Me nxitim.) Jo, jo. Ju nuk duhet të qëndroni këtu. (Tregon
qytetin tej dritares.) Ne duhet të sillemi sikur të mos kishte ndodhur
asgjë. Po të mos shprehim ndonjë shqetësim, e gjitha kjo do të mbarojë
shumë shpejt. (I afrohet, Frederikut.) Besomëni, Frederik. Ju e dini dhe
vetë që kam të drejtë. (Zonjës Elis.) Ju lutem, ia thoni dhe ju, zonja
Elis.
KERRI - Nuk e di... Nuk duam t’ju lëmë në mëshirë të fatit as juve, as
Konstansën. Mua më duket se është mirë që edhe ajo të vijë me ne.
SOFIA - Ç’është ajo fjalë? Nuk ikën ajo këtej! (Buzëqesh shumë e
gëzuar.) Ja kështu. Ju të dy jeni shumë të mirë. Por zgjidhja që ju
propozoj unë është e mirë për të gjithë ne. Ç’rol lot, nëse unë do të vij
një javë më parë, apo një javë më vonë?... (E kap Frederikun përdore.)
E thatë vetë që duhet të qesh. Ja dhe unë po qesh. Për mua nuk ka asgjë
të keqe nëse... qëndroj këtu.
(Zonja Elis del nga dhoma e ngrënies dhe shfaqet në derë.)
KERRI - Mirupafshim, Sofi. Ne po ju presim. (Del duke kaluar pranë
zonjës Elis.)
FREDERIKU - (Me keqardhje.) Ju, mesa duket, e dini më mirë sesa
unë, se ç’është mirë e ç’është keq...
SOFIA - (Buzëqesh dhe ia zë gojën me pëllëmbë.) Ju lutem...
FREDERIKU - (E puth.) Ju jeni vajzë e mirë. (Kalon pranë zonjës
Elis.) Mirupafshim së shpejti. Gjyshe, e di ti që jam i lumtur?
(Zonja Elis miraton me kokë, pret sa të dalë ai. Sofia ulet.)
Zonja ELIS - (Pasi hesht pak.) Sofi ...
SOFIA - (Buzëqesh, sikur ta dijë se ç’do t’i thotë.) Urdhëroni.

101
Zonja ELIS - A ju tha Kerri që të vini bashkë me ne? (Sofia bën po me
kokë.) A-a! Shumë keq. Kur dredhon Kerri, bëhet dhelpër e shkuar
dhelprës, kurse Frederiku thotë gjithmonë atë që mendon. Por unë i
njoh të dy dhe vë bast se pas një jave apo dy ai do të pranojë të niset
me të ëmën në Evropë, kurse juve do t’ju thotë se bëhet fjalë vetëm për
një shtyrje të vogël... Dhe do ta besojë edhe vetë këtë. Atij mendimet e
veprimet i pështjellohen në tru; pas dhjetë vjetësh do të jetë plotësisht i
sigurtë se ishit ju ajo që refuzuat të martoheni me të. Dhe gjithnjë do të
ndjejë një mall të lehtë sa herë të mendojë se sa i lumtur do të kishte
qenë me ju.
SOFIA - Po. Domosdo.
Zonja ELIS - Kerri nuk do të pranojë që ai të martohet dhe asnjëherë
nuk do ta pranojë hapur këtë. Epo... edhe atë e kanë mashtruar shumë
vite më parë. Kurse unë nuk kam shumë në dorë, mbase dhe nuk kam
shumë dëshirë për të bërë diçka. Mos e gjyko fort ashpër atë, bija ime.
SOFIA - (Buzëqesh.) Jo, nuk do ta gjykoj. Do t’i shkruaj një letër.
Zonja ELIS - Të lumtë. Mos na e merr atë ç’ka nuk je e detyruar të na e
marrësh dhe mos e harxho jetën për një njeri të destinuar për të mbetur
i pafat. (Ngrihet.) Mëshiroje Frederikun, Sofi. Ai është një hiç i
këndshëm, i tillë ka qenë dhe babai i tij, edhe djemtë e tjerë. Madje dhe
unë vetë. Në një tjetër kuptim. Epo, nëse do të kesh ndonjëherë dëshirë
të më takosh...
(Zonja Elis del ngadalë nga dhoma. Sofia vazhdon të qëndrojë pa
lëvizur. Pas pak, në dhomë hyn Konstansa. Vështron Sofinë.)
KONSTANSA - (E pavendosur.) Kerri më tha se pas disa javësh ti do
të shkosh tek ata në qytet. U gëzova shumë. (Sofia nuk i kthen

102
përgjigje.)... Hm, pse nuk ngjitesh në dhomën time e të shtrihesh pak?
(Tregon tarracën.) Ende në tarracë është ajo? Dinërve do t’i them të
ikin sot. Ndonëse ata mund të ikin vetë. Edhe Grigzët do të largohen.
Dhe ne do të mbetemi vetëm, unë dhe ti...
SOFIA - Unë nuk do të shkoj në Nju Orleans, teto dhe me Frederikun
nuk do të martohem.
KONSTANSA - (E vështron me ngulm.) Po Kerri më tha se...
SOFIA - Tani ajo ende mendon se më do, por do t’i kalojë.
KONSTANSA - (Pasi hesht një hop.) Nuk mund të them se më vjen
keq. Martesa pa dashuri...
SOFIA - (Me mirësjellje.) Po, po.
KONSTANSA - (Me të mirë.) Ti nuk duhet të ndjehesh e fyer.
SOFIA - Jo, nuk jam fyer.
KONSTANSA - Unë... gëzohem shumë. Shumë. Gjithçka do të dalë si
s’ka më mirë. Do ta shohësh. Kur të ikin të gjithë, ne do të rregullojmë
shtëpinë, do të bëjmë llogarinë... si zakonisht. (Gëzueshëm.) Pastaj të
dyja do të bëjmë një udhëtim të shkurtër. Kam vite pa vajtur në
Memfis. A e di çfarë? Mund ta shesim këtë shtëpi ose ta japim me qera.
Mund të bëhemi gati të shkojmë... ku të duam. Apo jo? Do t’ia kalojmë
mirë.
SOFIA - (Si të bisedontë me një fëmijë.) Po, teto Konstansa, natyrisht.
(Konstansa del. Sofia ndjek me sy se si Leoni, i cili ka shkuar në
tarracë, po i shërben mëngjesin Ninës. Sofia ngrihet e drejtohet për në
tarracë. Ajo i merr Leonit ibrikun e kafesë nga dora dhe i bën shenjë
me kokë të largohet. Enët e tjera janë shtruar. Leoni del. Nina kthen
kokën, sheh Sofinë e kthehet sërish në pozicionin e parë, pa e shikuar

103
në sy. Sofia i hedh kafe Ninës.) Zonja Diner, ju jeni grua e bukur, kur
keni fytyrë të lumtur.
NINA - Ju mendoni se sot fytyra ime shpreh lumturi?
SOFIA - Oh, sigurisht. Ju dhe zoti Diner u pajtuat me aq dashuri.
NINA - (Nuk ia ndan sytë, e habitur.) Hm... po, po... mund ta thuash.
SOFIA - (Ulet.) Më vjen mirë për ju. A mund të bisedoj pak me ju dhe
zotin Diner?
NINA - (E ndjen veten ngushtë.) Sofi, nëse unë mund të bëj diçka.
Hm... Niku nuk është. Pandeha se për të gjithë ne do të ishte më mirë ...
SOFIA - (Me zë të ulët.) Sa keq! Tetua do të mërzitet shumë.
NINA - Sofi, nuk ia vlen t’ju them se sa keq më vjen, se sa... Me çfarë
mund t’ju ndihmoj?
SOFIA - Ju mund të më jepni pesë mijë dollarë. Kuptohet, dollarë
amerikanë. (Me ndrojtje; aksenti i saj bëhet gjithnjë e më i theksuar.)
Unë kalova një provë të hidhur, pas së cilës një vajzë e re zor se e merr
veten.
NINA - Mund të më flisni frëngjisht.
SOFIA - Nuk e di përse, por për dashuri e për para e kam shumë më të
lehtë të flas frëgjisht. Por, po të flasim anglisht, e humba ose të paktën
rrezikoj të humbas dhëndrin tim shumë të dashur. Nuk kthehem dot në
shkollë, te shokët e mi me të cilët kam qenë aq e lumtur; tetoja është
mërzitur shumë dhe duhet të mbajë në kurriz dhe telashet e edukimit
tim për vite e vite me radhë. Jam shumë fatkeqe, zonja Diner. Jeta ime
u shkatërrua. (Nina ia plas të qarit, kurse Sofia vë buzën në gaz.) Mos
qeshni me mua.
NINA - Ju jam shumë mirënjohëse që e kthyet gjithçka në shaka.

104
SOFIA - E keni gabim. Unë po flas mëse seriozisht.
NINA - (Nuk qesh më.) Ashtu? Unë e kuptoj, ndodhi diçka vërtet e
pakëndëshme dhe besomëni Sofi, nuk kam ndërmend ta minimizoj atë.
Por, a nuk ju duket se ju, sikur e dramatizoni pak si tepër?
SOFIA - Aspak madam. Unë po ju shpreh menimin tim për këtë
problem. Por, qëndrimi i të tjerëve këtu, në këtë qytet, në këtë rreth
njerëzish do të jetë pikërisht ky që thatë. Këtyre njerëzve iu pëlqen ta
bëjnë qimen tra.
NINA - Edhe në vendin tuaj nuk është më mirë.
SOFIA - Më mirë është, zonja Diner. Mund të thoni që nuk është më
mirë në Bruksel, në Strasburg apo në Paris, në mes të njerëzve, me të
cilët takoheni ju. Tek njerëzit e klasës sime, në qytetin tim, gjithçka
ndodh krejt ndryshe. Në një shtëpi të varfër, nëse dikush dehet dhe e zë
gjumi - dhe tek ne kjo nuk ndodh rrallë, por gati çdo të shtunë - ai
s’mund të qëndrojë vetëm me një vajzë të re e të pafajshme, të paktën
për faktin e thjeshtë se prindërit e saj ndodhen në po atë dhomë, ngaqë
s’kanë ku të shkojnë tjetër. Atje gjithçka ndodh ndryshe, kurse ju keni
më shumë dhoma, pra më shumë andralla.
NINA - Po, ju kuptoj. (Heshtje.) Përse ju duhen pesë mijë dollarë?
SOFIA - Dua të shkoj në shtëpinë time.
NINA - (Me të mirë.) Atëhere, unë do t’ua jap me kënaqësi këto para.
SOFIA - Nuk dyshoj. veç unë nuk i pranoj paratë si shenjë
zemërgjerësie nga ana juaj. Nuk dua t’jua bëj këtë nder. Më mirë le t’i
quajmë këto para borxh, të marra me forcë. Askush nuk të falenderon
për paratë që merr duke përdorur shantazh. Dhe s’ka përse të më quani
objekt të bamirësisë suaj.

105
NINA - (Pasi hesht një hop.) Me shantazh?
SOFIA - Po, madam. Ju do të më jepni pesë mijë dollarët, sepse po të
mos m’i jepni unë do të them se mister Dineri, më mashtroi. (Nina e
shikon me habi e qesh.) Si shumë e qeshur sot, madam?
NINA - (E zemëruar.) Sofi! Sa e papjekur jeni! Përse thoni gjëra të
tilla?
SOFIA - Nuk dua t’ju lejoj të më bëni borxhlie.
NINA - Nuk kam ndërmend t’ju bëj borxhlie. Dhe këto shakatë tuaja
s’më pëlqejnë. Niku as që mendonte t’ju mashtronte. (Me mirësjellje.)
Më mirë të merremi vesh miqësisht.
SOFIA - Unë s’po bëj shaka, zonja Diner. Dhe miqësia juaj nuk më
duhet.
NINA - (Duke u ngritur.) Unë dua vetë t’jua jap paratë. Prandaj jua jap,
për asnjë arsye tjetër.
SOFIA - Mua as që më intereson se çfarë doni ju. Do të m’i jepni ato
para për shkakun që përmenda unë, ndryshe nuk i marr fare.
(E zëmruar Nina bën drejt derës, pastaj kthen kokën dhe i buzëqesh
Sofisë.)
NINA - Seriozisht e keni? Për një fjalë, për një tekë, ju jeni gati të
dëmtoni tim shoq dhe mua?
SOFIA - Për mua kjo është shumë më tepër se një fjalë boshe.
NINA - Atëhere, qenkeni një vajzë shumë e pacipë.
SOFIA - A nuk ju duket se njerëzit si ju i quajnë të tjerët të pacipë, kur
nuk dinë si të zhvasin prej tyre.
NINA - (Me inat.) Unë s’kam ndërmend t’ju zhvat.

106
SOFIA - E ç’të zhvatur se! Doni të luani rolin e magjistares së mirë, e
cila kërkon të lahet - sipas takatit të vet - me borxhlinjtë e bezdisshëm.
Pastaj shkoni e pajtoheni me burrin tuaj, siç keni bërë dhe herë të tjera.
Nuk do të shkonit kurrsesi me zotin Diner pa pasur incidente të tilla.
Unë ju dhurova një muaj tjetër mjalti, të njëzetin sipas radhës.
NINA - Mos e keni parathënie këtë për të rritur çmimin?
SOFIA - (Buzëqesh.) Jo. Marrëveshja është marrëveshje.
(Në holl duket Krosmani, Sofia e shikon.)
NINA - Si të doni ju... Si do ta lidhim këtë marrëveshje?
SOFIA - (I thërret Krosmanit.) Zoti Ned! (Me mirësjellje Ninës.) Na e
thotë zoti Ned, si është më mirë.
NINA - (Me mëdyshje Krosmanit.) Më duhet të thyej një çek për një
shumë të madhe. A mund të bëheni dorëzanë për mua në bankë?
KROSMANI - Sigurisht. Fare lehtë. Banka është këtu afër.
SOFIA - Mos doni të vij dhe unë me ju, zoti Diner?
NINA - (Buzëqesh.) Mendoj se për ju është shumë më mirë të qëndroni
këtu. Po të na shohin bashkë në bankë, njerëzit mund të mendojnë se
bëhet fjalë për një larje hesapesh ose shantazh. (Del.)
SOFIA - Unë do të kthehem në atdhe, zoti Ned.
KROSMANI - (Buzëqesh.) Mrekulli! (Shikon në sy Sofinë e pastaj
Ninën, e cila del në holl.) Le të shpresojmë për mirë.
SOFIA - Unë them se kjo ka më tepër të mira se të liga.
(Krosmani del. Nëpër shkallë zbret Roza, në sjelljen e së cilës vihet re
një farë padurimi e nervozizmi. Shkon te dritarja e vështron poshtë,
pastaj kthen kokën e vëren Sofinë.)
ROZA - (Shumë nervoze.) Ju qenkeni? Mirëmëngjes, Sofi!

107
SOFIA - Ne u pamë njëherë sot, zonja Grigz.
ROZA - Qenka një makth për mua, sikur më kanë kaluar mijëra vite.
Kërkova disa herë të më sjellin mëngjesin, po asnjeri s’e çan kokën për
mua. Kurse mjeku më ka këshilluar të ha mëngjesin në shtrat.
SOFIA - (Duke dalë.) Tani po u them t’jua sjellin.
ROZA - (Pranë dritares, vazhdon t’i flasë Sofisë, e cila ka dalë.)
S’është nevoja. Ju keni hallet tuaja. Pastaj sot, unë nuk fus gjë në gojë.
(Nga dera me xhama hyn Grigzi me kostum kalorësi. Roza është në
thellësi të skenës dhe ai nuk e sheh.) S’kam lënë vend pa të kërkuar,
Ben.
GRIGZI - (Kthehet prapa.) Ti e dije ku isha.
ROZA - Në stallë të të kërkoja? Edhe kjo më duhej! Ben, ti e di që unë
i gjeta të dy bashkë. Ah, po, ti s’di gjë.
GRIGZI - Dëgjova.
ROZA - Çfarë tmerri, ë?
GRIGZI - Jo dhe aq.
ROZA - Ai më zhgënjen plotësisht. Rrija e shtrirë në shtrat e
vazhdimisht mendoja për Nik Dinerin.
GRIGZI - Sa keq!
ROZA - Ben, kam arritur në përfundimin se unë gaboj shpesh për
njerëzit, veçanërisht për burrat.
GRIGZI - Ç’kuturisët ju me Henrin, ë? Çfarë vendimi morët?
ROZA - Vendim? Çfarë vendimi?
GRIGZI - (Nxehet.) Mjaft u shtire si budallaçkë. Trembem, kur ti fillon
e bën lojëra të tilla.

108
ROZA - Ke frikë nga unë?
GRIGZI - Po, kam frikë. Ki mirësinë e më thuaj, çfarë vendosët?
ROZA - (Me zë të ulët e shumë nervoze.) S’është ashtu. Para se të
takoja Henrin, isha tek doktor Uillsi. Ti e di që atij s’para i pëlqen të
vizitojë të dielave.
GRIGZI - Veç kur e paguajnë dyfish.
ROZA - Më vjen keq që nuk e do Uillsin. Atë e mbajnë për specialistin
më të mirë të jugut. Të kujtohet pikniku, që na organizoi atëhere me atë
femrën? Vetëm një njeri me famë mund t’i lejojë vetes të mbajë
dashnore hapur...
GRIGZI - S’dua të dëgjoj më për Uillsin. Hyr në temë. Më thuaj çfarë
sajuat ti dhe Henri?
ROZA - Unë gjithnjë kam qenë pa qejf. Gjatë gjithë verës kam pasur
dhembje. Por qëkur ai mjeku ushtarak në tridhjetë e katrën... nuk dua të
flas për këtë... (E trembur, bën një lëvizje drejt tij.) Unë kam një
sëmundje të rrezikshme zemre, Ben.
GRIGZI - (Pasi ka heshtur pak, si të mos ndjehej mirë.) Mos më gënje,
Rozë. Kjo është poshtërsi.
ROZA - Nuk po të gënjej. Uillsi të ka shkruar një letër. (Kërkon në
xhepat e robdëshambrit dhe i zgjat një letër të palosur.)
GRIGZI - (E merr dhe e lexon; si i tërbuar.) Sa i pagoi Henri Uillsit për
këtë?
ROZA - (Me të mirë, seriozisht.) Kjo nuk shitet. As Henri nuk mundi ta
blinte. (Kthehet, shkon drejt derës me pamje krenare.)
GRIGZI - Tregomë, si është puna?

109
ROZA - E ç’ka këtu për të treguar? Unë kam vite që e di. Po kështu
edhe ti.Veçse nuk ma mori mendja, ose nuk doja ta besoja se gjendja
ishte kaq serioze. Uillsi thotë se duhet të bëj një jetë...shumë të
kujdesshme. të jetoj në fshat e të rri gjithë ditën në shtrat... kurse mua
më pëlqen qyteti... unë... nuk di ç’të bëj tani. Mbase duhet të rri në
diell, po unë e urrej diellin. Po më luan mendja. Ai më tha gjëra më të
tmerrshme të cilat s’mi zë goja t’i them.
GRIGZI - Ashtu? (Pas pak.) Më vjen keq.
ROZA - E di që të vjen keq për mua. Ti je miku im më i mirë. Kam
frikë, Ben. Unë luaj rolin e budallait, po nuk jam dhe aq mendjelehtë.
(me ndjenjë.) Unë e di cili është Henri. Gjithnjë e kam ditur. S’kam
njeri tjetër dhe tani s’jam më e re... dhe kam shumë frikë. Tmerr!
GRIGZI - Ti s’ke pse frikësohesh.
ROZA - (Qan me zë të ulët.) Uillsi më tha se po të kujdeset njeri,
ndoshta andej nga fundi i vitit, mund të shërohem plotësisht. të lutem,
qëndro me mua një vit, të paktën vetëm një vit. Të jap fjalën, të betohe,
pas një viti do ta pranoj ndarjen pa bërë fjalë fare, pa kurrfarë skandali.
të lutem, më ndihmo tani! Kam shumë frikë! Më ndihmo, të lutem ... E
kuptoj, një vit nuk është pak, por unë ...
(Grigzi i afrohet.)
GRIGZI - Mirë, mirë. Gjithçka do ta bëjmë si duhet.
(Ajo kthehet e del, kurse ai qëndron si i ngrirë. Pas një minute, në
dhomë hyn Krosmani, vështron Grigzin me vëmendje e kupton që me të
ka ndodhur diçka e pandreqshme.)
KROSMANI - (Shpenguar.) Mos e patë Sofinë?

110
GRIGZI - (E detyron veten me dembelizëm.) Më duket se është në
kuzhinë. Dush shumë i ftohtë për atë vajzë, ë?
KROSMANI - Ku ta dish. Mbase dhe jo.
(Krosmani ndjek me sy Grigzin, që nxjerr cigaren dhe e ndez. Tek fik
shkrepësen, duart i dridhen dhe ai rri e vështron.)
GRIGZI - (Buzëqesh.) Sa shumë më dridhen duart.
KROSMANI - Ç’keni kështu?
GRIGZI - Sëmundjen më të tmerrshme në botë. Unë nuk jam më.
Papritur, hodha sytë e vura re se Benjamin Grigzi nuk ekziston më!
KROSMANI - (Pas pak.) Ah, për këtë e keni fjalën!? Vërtet, vetëm tani
e morët vesh këtë?
GRIGZI - Vetëm sot. Vetëm tani.
KROSMANI - Pa shih, po ju qenkeni ende buzëqumësht.
GRIGZI - (Qesh.) Isha, deri në këtë çast. (Ngadalë, mundimshëm.) Çdo
njeri është përfundim i gjithçkaje, që ka bërë në jetë. Ora fatale, çasti i
kthesës në fatin tuaj, dita e dëshiruar, kur ju, me një të rënë të dorës,
mund t’i fshini të gjitha gabimet tuaja, të bëni atë që nuk e keni bërë
deri atëhere, të thoni atë që nuk e keni kuptuar, të merrni atë që ju ka
munguar - ky çast nuk vjen papritur. Ju, ose e keni përgatitur veten për
të dora dorës, ose e keni lënë jetën t’ju kalojë përmes gishtave, e keni
konsumuar veten me çikërrima. (Tund kokën.) E çova veten dëm.
KROSMANI - Përfundimisht. Kjo ka ndodhur me shumicën prej nesh.
GRIGZI - Ngushëllim i kotë. Unë s’kam patur të drejtë t’i lejoja të
tjerët të më asgjësonin. Dhe tani s’mund të më ngushëllojë fakti se dhe
unë jam një krijesë pa vlerë, si Elisi, Dineri, Takemrmani ose ...
KROSMANI - Mos u druani. Unë nuk fyhem. Ose Krosmani?

111
GRIGZI - Ju e keni konsumuar veten kot, me vetëdije.
KROSMANI - Mos është më e mirë kjo?
GRIGZI - Nuk e di në është më e mirë apo më e keqe. Roza është
sëmurë. Po ju e kuptoni që puna është vetëm tek Roza.
KROSMANI - E kuptoj.
GRIGZI - (Shumë ngadalë.) Nuk jam fort i sigurt, në ndjeva apo jo
kënaqësi në shpirt nga konkluzioni i mjekut. Ai më ndihmoi të
kapitulloja. (Me zë të ulët, sikur flet me vete.) Kurse unë nuk e dua
Rozën. Dhe sa më shumë kalon koha, aq më pak e dua.
(Drejtohet nga dera; në sallon duket Konstansa, me tabaka në duar
dhe pas saj vjen Sofia me fshasë, kovën me leckë etj.)
KONSTANSA - (Afrohet tek dera dhe i flet e lodhur Grigzit.) Sofia do
ta ndihmojë Rozën të përgatisë plaçkat. Nuk dua të tregohem jo
mikpritëse, po, meqë ju do të ikni nesër... (Me zë të ulët.) Jam shumë e
lodhur dhe do ta kem më të lehtë... Më falni, po ne jemi miq të vjetër
dhe ju do ta kuptoni...
GRIGZI - (Buzëqesh.) Ma jepni tabakanë ta çoj lart. (Ia merr tabakanë
dhe ngjitet lart.)
(Konstansa hyn në dhomë, psherëtin dhe ulet.)
KROSMANI - Sofi! (Ajo i afrohet.) Më porositën t’ju jap këtë! (I zgjat
një zarf.)
SOFIA - Ju faleminderit, zoti Ned.
KONSTANSA - (Pa ndonjë interesim, e lodhur.) Ç’i keni ato sekrete
ju?
KROSMANI - Posi, sekrete! Letra dashurie të kohës së shkuar i keni...
(Sofia qesh dhe del.)

112
KONSTANSA - (Pas pak.) Sot nuk e shoh dot këtë shtëpi.
KROSMANI - S’ka gjë. Së shpejti, të gjithë do të largohen.
KONSTANSA - Po ju nuk do të ikni, apo jo? Ju lutem, mos ikni!
KROSMANI - Po deshët, unë mund të qëndroj dhe për disa ditë.
KONSTANSA - Po, kam shumë dëshirë të qëndroni.
KROSMANI - (Tregon me kokë dritaren.) Mos u bëni merak se ç’do të
mendojnë njerëzit. Sillemi sikur të mos kishte ndodhur asgjë dhe ata
nuk do të llomotisin më.
KONSTANSA - Nuk është kjo, që më shqetëson. (Pauzë.) E ndiej
veten krejt të humbur, Ned. Sikur nuk kam, ku të mbështetem më. (E
ndrojtur.) Mbi çfarë e ndërtova gjithë jetën time? E kupton përse e kam
fjalën?
KROSMANI - E kuptoj.
KONSTANSA - (I merret goja e mezi i gjen fjalët.) Më dhemb shpirti.
(Pastaj si të donte të ndërronte temën e bisedës.) Sofia do të shkojë në
Evropë, tani sapo ma tha. Kërkon të kthehet në shtëpinë e saj.
KROSMANI - E di.
KONSTANSA - Isha e bindur se veprova drejt, kur e solla këtu. Ka
gjëra, të cilat kujtoja se i dija, por e vërteta është ndryshe. Ajo kërkon
që të shkoj dhe unë të jetoj me ta, po i thashë se atje nuk do të jem e
lumtur. Ashtu sikur dhe ajo këtu. (Hesht, sikur nga çasti në çast, do të
thotë fjalët, që nuk i nxjerr dot.) Niku më tha se nuk do të vini verës që
vjen. Është e vërtetë, apo Niku më gënjeu si gjithmonë? (Ai nuk
përgjigjet e ajo e shikon në sy.) Përse, Ned?

113
KROSMANI - Ju nuk hyni në këtë mes. A e kuptoni? Është budallallëk
të vish këtu për dy javë e të bësh atë jetë, që nuk është më për ty.
(Qesh.) Ajo është për mua tepër e ndershme. S’e arrij dot më.
KONSTANSA - Kurse unë e pres me padurim çdo verë. Po tani, ç’do të
bëj? (Shumë shpejt.) Ku është Niku? Nuk e pashë gjëkundi. Do të doja
që ata të iknin një orë e më parë.
KROSMANI - Ata ikën.
KONSTANSA - (Me habi.) Pa më thënë asnjë fjalë? Ashtu siç iku vite
më parë? Jua kam thënë, apo jo? Ne u morëm vesh që ai të vinte për
drekë, po nuk erdhi. I hipi vaporit dhe iku. Këtë nuk ia kam treguar
askujt. (E inatosur.) Budallaçkë! Kaq vite me radhë kam bërë hero një
hiç, kam ëndërruar që ja, do të vijë ai dhe jeta do të bëhet e lumtur, e
shkëlqyer.
KROSMANI - Tregohuni e drejtë. Ai s’ju kërkoi t’i atribuoni ato, që
nuk i kishte. Dhe pritët 20 vjet për të mësuar se ç’maskara ishte?!
KONSTANSA - Jo, nuk më kërkoi. Ashtu është. (Ngrihet, i afrohet
portretit dhe e shikon.) Vërtet, e tillë jam unë?
KROSMANI - Ju jeni e bukur.
KONSTANSA - Shikojeni ...
KROSMANI - Nuk dua.
KONSTANSA - Ajo është më plakë nga ç’e pandehja... Edhe në fytyrë
nuk duket fort e zgjuar. (E kthen portretin me fytyrë nga muri.) Nuk
mund të thuash se jam treguar e mençur. Dua t’ju them diçka... A mund
të më falni?
KROSMANI - T’ju fal? Për çfarë?

114
KONSTANSA - Për gjithë ato vite të humbura kot. Që nuk e dija as
vetë se ç’ndjeja për ju, ose që nuk desha ta dija. Ned, a do të më
merrnit tani?
KROSMANI - (I turbulluar.) Si thatë?
KONSTANSA - A do të martoheshit me mua tani?
(Pauzë. Nga dhoma e ngrënies del Sofia me fshesë e leckë në dorë, e
cila këndon e gëzuar nën buzë.) Ajo është e lumtur.
KROSMANI - (Ngadalë, pa ia hequr sytë.) Unë banoj në një dhomë
me qera, shkoj në punë dhe bëj atë lojën: “Sa më shpejt ta ngrys këtë
ditë”... Nata më përket mua, vetëm mua dhe nuk mund të bëj me të ç’të
më teket. Dikur kam patur shumë punë, kurse tani ka mbetur vetëm
njëri bar, pastaj një tjetër, po ata njerëz në secilin bar. Pasi pi aq sa
duhet, kthehem në dhomën time ose në ndonjë dhomë tjetër, ç’rëndësi
ka? Para disa vitesh lexoja me një frymë, çdo natë, vetëm me veten.
Kurse tani këtë e bëj rrallë e tek. Rrallëherë, lexoj gjithë natën. Sa keq,
kështu njeriu ndjehet mirë.
KONSTANSA - S’e kam provuar ndonjëherë. S’para më pëlqen të
lexoj.
KROSMANI - (Si të mos e kishte dëgjuar fare.) Disa vite më parë,
udhëtoja dy herë në vit, tani as këtë nuk e bëj më. Dhe as që dua t’ia di.
(Buzëqesh.) Gjithë këto vite i kam thënë vetes se sikur ju të më donit,
gjithçka do të shkonte ndryshe. Do të nisja një jetë tjetër. Të paktën, do
të kisha respekt për veten. Grigzi ka të drejtë. Unë jo vetëm e shkova
kot jetën, po as që kërkova gjë tjetër. Gjithë këto vite nuk kam dashur
asgjë tjetër.
KONSTANSA - Dhe nuk më doni më?

115
KROSMANI - Jo, Konstansë. Tani nuk ju dua më.
KONSTANSA - Ejani të hamë një drekë të mirë bashkë, vetëm ju dhe
unë, pastaj shkojmë në kinema, mirë?
KROSMANI - Gërmoja brenda shpirtrave të të tjerëve, për të mos parë
brenda shpirtit tim. (Me të butë.) Nëse me një fjalë apo veprim timin ju
kam dhënë të kuptoni se ende ju dua, më ndjeni. Më vjen keq që ju
kam mashtruar, më vjen keq që kam mashtruar dhe veten. Gjithnjë i
kam urryer gënjeshtarët, veçanërisht ata, që gënjejnë veten.
KONSTANSA - S’ka rëndësi. Pothuaj të gjithë, i dashur, e gënjejmë
veten, pothuaj të gjithë.

***************************
P E R D J A

116

You might also like