You are on page 1of 2

DALLIMET MIDIS REGJIMEVE TOTALITARE TË MAJTA DHE TË DJATHTA

Përcaktimi zyrtar i diktaturës enveriane në Shqipëri si “e majtë” lidhet me dy faktorë: qëndrimin


ndaj pronës private dhe faktin që regjimi e filloi jetën si i majtë. Por në rastin e diktaturave
totalitare nuk ka shumë kuptim të flitet për të majtë ose të djathtë. E majta dhe e djathta kanë
vlerë operacionale, si koncepte, kur zbatohen në kushtet e një demokracie pluraliste, përndryshe
si kategori aplikative mund të krijojnë probleme, më shumë sesa t’i zgjidhin. Në të vërtetë, një
regjim totalitar është i majtë për sa kohë nuk është konsoliduar dhe lufton për t’u totalizuar, dhe
pastaj priret të bëhet gjithnjë e më i djathtë, në atë masë që përpiqet të ruajë vetveten pasi është
konsoliduar. Gjithashtu, tipare si arbitrariteti, dhuna shtetërore, imponimi me forcë si formë
mbizotëruese e çdo transaksioni social, mungesa e lirive themelore dhe e demokracisë, terrori
policor, shpërfillja e vullnetit të individit, armiqësia ndaj tregut dhe kulturës tregtare etj., nuk
mund të konsiderohen as të majta as të djathta, por thjesht totalitare-diktatoriale.
Po cilat mund të ishin disa nga karakteristikat djathtiste të totalitarizmit shqiptar?
Ndarja e shoqërisë shqiptare në klasa kufijtë midis të cilave ishin pak a shumë të
pandryshueshëm, në kuptimin që një përfaqësues i klasave të ashtuquajtura “të përmbysura” nuk
mund të shpresonte të konsiderohej ndonjëherë si qytetar “normal”, por ishte përgjithnjë i dënuar
të hapte kanale në fushë, ose të nxirrte bakër në zgafellë.
Shpërndarja e privilegjeve materiale, sociale dhe të karrierës në përputhje me origjinën klasore
dhe/ose familiare – të drejtat e studimit, bursat për të studiuar jashtë, vendet e punës të preferuara
në institucione qendrore, autorizimet për frigoriferë, pashaportizimet, strehimi.
Krijimi i një “aristokracie të kuqe”, fëmijët e së cilës u prirën të martoheshin me njëri-tjetrin. Me
këtë lidhet edhe nepotizmi aq karakteristik për vitet 80 dhe sidomos për periudhën Alia.
Shndërrimi i prejardhjes familiare në një kriter përkufizues të individit, në bazë të një konceptimi
mesjetar-mistik të lidhjeve të gjakut dhe të individit vetë si aktualizim të familjes dhe/ose klanit
ku bënte pjesë.
Himnizimi i kombit shqiptar, i historisë parë si avancim i pandërprerë drejt Shqipërisë së
pavarur, sovrane dhe socialiste. Mbizotërimi i momentit historik në simbolikën urbane – varrezat
e dëshmorëve, bustet, lapidaret, pllakat përkujtimore, shtëpitë muze të themelimeve të ndryshme,
miti i Skënderbeut, ceremonitë e rikujtimit të së kaluarës. Kulti i së kaluarës dhe i të vdekurve,
mitizimi i historisë së shqiptarëve.
Ksenofobia, si vështrim herë me mosbesim, dhe herë haptazi më përçmim i të huajës, duke
përfshirë këtu shtetet e huaja, kulturën e huaj, librin e huaj, shfaqjet e huaja e deri edhe tek
turistët e paktë të rastit.
Puritanizmi etik dhe seksofobia, difidenca ndaj sensualitetit dhe ndjeshmërisë estetike, dënimi
moral e shpesh politik i divorcit dhe i abortit, intoleranca totale e homoerotizmit, mungesa e
planifikimit familiar në çfarëdolloj forme të organizuar (me përjashtim të të mirëkolauduarit
coitus interruptus); nxitja e shtimit të popullsisë, kulti i familjes dhe i dasmave.
Shtangësia e strukturave të shtetit dhe të pushtetit, druajtja nga ndryshimet strukturore dhe
organizative, rezistenca ndaj reformave operative, idealizimi a posteriori i formave dhe i
metodave ekzistuese të praktikës sociale, sado banale të kishin qenë në zanafillë.
Kulti i fshatit, i kulturës fshatare/rurale dhe i folklorit fshatar; folkloristikja si simbolikë e lidhur
ngushtë më të gjitha ato momente kur udhëheqja e lartë merrte kontakt më popullin. Difidenca
ndaj kulturës qytetare. Qeleshja, xhamadani, tirqet, xhubleta, kënga labe.
Koncentrimi në udhëheqjen e lartë të shtetit, të Partisë dhe të institucioneve i një grupi pleqsh
relativisht të sklerotizuar. Vetë kulti i shfrenuar i Enver Hoxhës.
Justifikimi i çfarëdolloj veprimi politik dhe social, sado minimal, me një diçka të shkruar,
përgjithësisht nga Enver Hoxha në një nga veprat e veta – ose dominimi i praktikës sociale nga
preceptet e shkruara.
Natyrisht, po të nisemi nga një kriter i tillë fondamental si qëndrimi ndaj pronës, regjimi
enverian nuk mund të përkufizohet veçse si thellësisht i majtë, në atë masë që i dha dërrmën jo
vetëm pronave private ekzistuese, por edhe vetë nocionit të pronës private si kategori elementare
e së drejtës.
Po kështu, disa momente kyçe të fundit të viteve 60 dhe të fillimit të viteve 70, si për shembull
lufta e hapur kundër institucioneve fetare dhe shkatërrimi i praktikës fetare të organizuar në
vend; revolucioni antiburokratik, promovimi histerik i praktikave të fletërrufeve dhe të
autokritikës, qarkullimi i kuadrove dhe krijimi i grupeve të kontrollit punëtor dhe fshatar; lëvizja
për emancipimin e gruas, prishjen e fejesave dhe lufta kundër konservatorizmit dhe
patriarkalizmit në provincë; asgjësimi i gegërishtes letrare si variant gjuhësor me traditë shumë të
pasur dhe të konsoliduar; revolucionarizimi i shkollës dhe afrimi i saj me veprimtari të tilla si
mbrojtja dhe prodhimi; heqja e gradave në ushtri dhe krijimi i shkollës së lirë ushtarake;
kooperativizimi i detyruar etj., kishin karakter të theksuar majtist, ashtu siç ishte e tillë edhe
nisma me pasoja katastrofike e tufëzimit në vitet e mëpasme. Shumica e tipareve djathtiste në
politikën e regjimit u shfaqën në një kohë që koincidoi me izolimin ndërkombëtar pothuajse total
të Shqipërisë.
Këto luhatje në boshtin e politikës së regjimit totalitar pasqyrohen mirë edhe në veprën e
shkrimtarit Ismail Kadare: që nisi si e majtë në vitet 60 (poemat futuriste te “Shekulli im”,
romani “Dasma”) dhe erdhi duke u bërë gjithnjë e më e djathtë (që me vëllimin poetik “Koha”,
por sidomos me ciklin e novelave fanta-historike në vitet 80).

PUNOI: ROEL MALOLLARI

You might also like