You are on page 1of 71

KREU IV

PASHALLËQET E MËDHA SHQIPTARE (1771 - 1831)


Vështrim i përgjithshëm i periudhës

Si në të gjithë Perandorinë Osmane, edhe në tokat shqiptare, gjatë shek. XVIII e


sidomos në gjysmën e dytë të tij, filloi të mbizotëronte një situatë e re, e cila solli
zhvendosje të rëndësishme në raportin e forcave ekonomiko-shoqërore dhe politike
të vendit.
Në jetën ekonomike mori përhapje të mëtejshme ekonomia e mallrave, vazhdoi të
fuqizohej sistemi i çifligjeve si pronë feudale private dhe u thellua diferencimi në
gjirin e klasës feudale, u shtypën njëra pas tjetrës kryengritjet fshatare, të
gërshetuara me rebelimin e feudalëve ushtarakë të rënë ekonomikisht, dhe filloi
afrimi i feudalëve qeveritarë me krerët ushtarakë malësorë. Lufta e familjeve
çifligare më të fuqishme për të marrë e për të mbajtur pushtetin, tërhoqi me vete
forca të rëndësishme të shoqërisë shqiptare. Kjo luftë e acaroi për disa dhjetëvjeçarë
gjendjen anarkike në të gjithë vendin, por edhe i dha fund asaj për të filluar një fazë
të re zhvillimi në lëmin ekonomik e kulturor dhe në atë shoqëror e politik.
Në gjysmën e dytë të shek. XVIII në tokat shqiptare pati një zhvillim më të madh
ekonomik e kulturor në krahasim me shekujt pararendës, u rrit prodhimi bujqësor e
blegtoral për treg, dhe lidhur me këtë, qytetet shqiptare njohën një zhvillim mjaft të
shpejtë. Ato u bënë tregje të rëndësishme në radhë të parë për artikujt e bujqësisë e
në mënyrë më të kufizuar për prodhimet e esnafeve vendase. Sfera e veprimtarisë
së këtyre qyteteve u shtri përtej tokave shqiptare, duke zhvilluar një tregti mjaft të
gjallë tranzite midis viseve perëndimore e qendrore të Gadishullit Ballkanik dhe
Evropës.
Lidhjet që u krijuan çuan në forcimin e dy tregjeve me rëndësi ndërkrahinore që
patën si bosht dy qytetet kryesore, Shkodrën dhe Janinën. Formimi i këtyre tregjeve
ishte një hap i rëndësishëm përpara drejt bashkimit ekonomik të vendit. Këtu filloi të
vepronte një shtresë e re shoqërore që po zhvillohej në qytete, borgjezia tregtare
shqiptare.
Por lidhjet me sferën e veprimit të këtyre tregjeve ishin ende të dobëta, ato hasnin
në vështirësitë dhe pengesat që krijonte sistemi i timarit me mjedisin e vet feudal
rrethues, i cili nuk lejonte shkrirjen e tyre në një treg të vetëm kombëtar. Borgjezia
tregtare ishte e dobët në numër dhe e varur nga përfaqësuesit e parisë së vjetër
feudale, që kishte në dorë pushtetin politik.
Ndryshimet që u kryen në planin ekonomik, sollën pasoja të rëndësishme edhe në
fushën shoqërore e politike, që u pasqyruan në fuqizimin e pronarëve të mëdhenj
çifligarë vendas, në kurriz të pushtetit qendror, i cili pa ata nuk ishte në gjendje të
ushtronte sundimin e vet mbi provincat. Këto familje të mëdha feudale, oxhaqet,
bashkuan me pushtetin ekonomik edhe atë vendor, vendosën sundimin e tyre në
vend, të cilin e bënë në fakt të trashëgueshëm.
Të interesuar në fillim për të mos ndarë më me osmanët pushtetin ekonomik të
vendit, ku kishin zotërimet e veta, oxhaqet shqiptare u drejtuan më në fund edhe
kundër pushtetit qendror dhe përpjekjeve të tij për të mbajtur ende në këmbë
sistemin e vjetër feudal ushtarak të timareve dhe për të ushtruar, nëpërmjet
funksionarëve të dërguar nga qendra, pushtetin e vet në tokat shqiptare.
Edhe pse ishte e lidhur me interesat e feudalëve të mëdhenj çifligarë, lindja e këtyre
pashallëqeve, objektivisht, u përgjigjej edhe interesave të shtresave të reja
shoqërore, elementëve të borgjezisë tregtare. Këta kishin nevojë për krijimin e një
pushteti të fortë në vend, që të ishte në gjendje t’i vinte fre anarkisë, gjë që s’e
bënte më pushteti qendror osman, dhe për krijimin e uniteteve politike më të mëdha
se sanxhakët, tek të cilët shihnin jo vetëm një zgjerim të tregut të brendshëm, por
edhe një përpjekje për të shkëputur trevat shqiptare, të Veriut e të Jugut nga
kontrolli i administratës osmane. Në këta faktorë i kishte rrënjët formimi e fuqizimi i
pashallëqeve shqiptare gjysmë të pavarura të Shkodrës e të Janinës në gjysmën e
dytë të shek. XVIII dhe në fillim të shek. XIX.
Pashallëqet shqiptare të shek. XVIII - fillimi i shek. XIX, shënuan një hap të parë
drejt bashkimit politik të vendit, siç ishte arritur deri diku deri në shek. XIV. Por, të
ngritur mbi themele ekonomike ende jo të shëndosha, kur mungonte uniteti në gjirin
e klasës feudale shqiptare dhe, të ndodhur në kushte jo të favorshme
ndërkombëtare, këto pashallëqe nuk mundën të bënin hapin vendimtar të
shkëputeshin vetë nga varësia e Stambollit dhe të shkëpusnin edhe Shqipërinë nga
sundimi i Perandorisë Osmane.
Krahas këtyre ndryshimeve, shek. XVIII shënoi dukuri të reja me interes edhe në
fushën e kulturës. U zhvillua më tej kultura popullore, sidomos poezia, që kishte
arritur vlera artistike me poezinë epike. Qytetet u pajisën me ndërtesa
monumentale, civile dhe të kultit, kurse në ambientin e kishës ortodokse piktura
murale shënoi një lulëzim të ri me elementë realistë. Në qytete zhvillohej një tip i ri
letërsie në gjuhën amtare, e cila në krahasim me letërsinë e mëparshme kishtare,
merrte tani karakter kryesisht didaktik, përmbante elemente laike e realiste. Krijohet
një shtypshkronjë, rritet numri i librave të botuar në gjuhën shqipe dhe numri i
shkollave, ku veprojnë tashmë mësues të ditur laikë, të cilët përçojnë deri diku
ndikimin e racionalizmit evropian.
Shtypja me armë e këtyre pashallëqeve nga ana e pushtetit qendror osman e acaroi
më tej konfliktin e sundimtarëve osmanë me popullin shqiptar. Për të realizuar
politikën e tij centralizuese në Shqipëri, pushteti sulltanor shtypi qëndresën e
shtresës drejtuese vendase, e cila nuk donte të hiqte dorë nga pozitat e veta në
administrimin e vendit. Zbatimi i kësaj politike centralizuese, që u quajt “pushtimi i
dytë osman i vendit”, e vuri Stambollin përballë lëvizjeve popullore, të cilat u
ndërthurën me ato të krerëve feudalë. Këto lëvizje çuan në vitet 30 të shek. XIX, në
një varg kryengritjesh të tjera kundër sundimit osman, të cilat, krahas faktorëve
ideologjik, kulturor dhe politik, përgatitën truallin për zhvillimin e lëvizjes kombëtare
të epokës së Rilindjes në Shqipëri.
Në periudhën e sundimit të sistemit feudal ushtarak osman, me gjithë kushtet e
vështira në të cilat ndodhej Shqipëria, u përgatitën një varg elementesh të reja
ekonomike, shoqërore, politike e kulturore, që krijuan premisat për kalimin në një
periudhë historike me përmbajtje të re, të Rilindjes Kombëtare.

1. ANARKIA FEUDALE DHE PËRPJEKJET PËR KAPËRCIMIN E SAJ


Fuqizimi i pushtetit të feudalëve krahinorë. Oxhaqet shqiptare

Procesi i shndërrimit të pronës shtetërore të tokës në pronën feudale private dhe


diferencimi i mëtejshëm në gjirin e shtresës feudale vendase shpunë, ashtu si në
pjesët e tjera të perandorisë, në fuqizimin politik të çifligarëve nëpër sanxhakët
shqiptarë dhe, rrjedhimisht, në dobësimin e pushtetit qendror në to.
Duke pasur nevojë për forca ushtarake që të mund të përballonte rreziqet e
brendshme e të jashtme, dhe duke qenë e detyruar që të siguronte me anën e
feudalëve vendas shuma sa më të mëdha të hollash për të mbuluar shpenzimet
gjithnjë në rritje, Porta e Lartë jo vetëm nuk mundi ta ndalte procesin e fuqizimit
politik të feudalëve provincialë, por edhe u mbështet kryesisht tek ata më të
fuqishmit. Sulltanët qenë të detyruar t’u besonin feudalëve të mëdhenj vendas
detyrat më të rëndësishme administrative e ushtarake dhe t’i njihnin ata zyrtarisht si
pari (si ajanë). Nga ana tjetër, kjo shtresë, ende e dobët, nuk kishte aspak
ndërmend të shkëputej nga Stambolli. Përkundrazi, ajanët mundoheshin të përfitonin
sa më shumë nga pushteti qendror për të dalë në krye të pushtetit provincial.
Si rrjedhim, sipas pasurisë dhe forcave të armatosura që dispononte, secili ajan
kishte vendosur ndikimin e tij mbi një krahinë më të madhe a më të vogël, ku
zakonisht ai kishte edhe çifligjet. Rreth ajanëve ishin grumbulluar çifligarë më të
vegjël, kurse jashtë krahinës ata kishin lidhur krushqi e aleancë për ndihmë
reciproke me feudalë të tjerë të mëdhenj. E mbështetur kryesisht mbi çifligjet e veta
të trashëgueshme, mbi pasurinë monetare dhe mbi aleancat feudale, kjo shtresë e
ajanëve e ndiente veten më pak të lidhur me pushtetin qendror sesa feudalët
ushtarakë. Familjet e këtyre ajanëve formuan në Shqipëri një elitë aristokrate
feudale, oxhaqet.
Nga këto oxhaqe, disa ishin ngritur në këtë pozitë shoqërore pasi u bënë pronarë të
mëdhenj çifligjesh dhe sipërmarrës kryesorë të taksave. Ata fituan gjithashtu grada
pashallarësh e vezirësh, sipas funksioneve që u detyrua t’u jepte pushteti qendror.
Të tilla oxhaqe ishin dyert e Kryezinjve në Gjakovë, të Biçakçinjve në Elbasan etj.
Kurse oxhaqet e Begollajve në Pejë, të Bushatllinjve në Shkodër, të Toptanëve në
Krujë, të Asllanpashallive në Janinë e në Gjirokastër etj., kishin qenë familje feudale
ushtarake të vjetra e me funksione të larta. Duke shfrytëzuar ofiqet e tyre, këto
familje u pasuruan, krijuan çifligje dhe, ndryshe nga e kaluara, burimin e fuqisë
tashmë e kishin kryesisht te këto prona, dhe jo aq te funksionet e dhuruara nga
sulltani.
Nga këto familje Porta detyrohej të zgjidhte funksionarët e vet për qeverisjen e
sanxhakëve, sepse vetëm ato ishin në gjendje ta kryenin këtë detyrë në sajë të
marrëveshjes me ajanë të tjerë të sanxhakut. Ajani më i fuqishëm, që ngarkohej me
detyrën e qeveritarit, që kishte ofiqet administrative nëpër krahinat e sanxhakut, ua
ndante komandat e kështjellave dhe sipërmarrjet e dyta të taksave të besuarve të tij
nga paria e këtyre krahinave. Kishte ikur tani ajo kohë kur pushteti qendror dërgonte
nëpër sanxhakët shqiptarë njerëzit e vet dhe vendasit i bindeshin. Pati raste kur
Porta e Lartë emëronte si qeveritarë përfaqësues nga oxhaqet e fuqishme të
sanxhakëve fqinjë, por as këta nuk mund ta mbanin pushtetin pa përkrahjen e
ajanëve më të fuqishëm vendas.
Shtresa e ajanëve përbënte tani shtyllat e pushtetit nëpër sanxhakët shqiptarë. Kjo
ishte shprehje e qartë e dobësimit të pushtetit qendror osman në periudhën para
formimit të pashallëqeve të mëdha në vendin tonë.

Lufta e parisë vendase për pushtet

Fuqizimi ekonomik e politik i shtresës së ajanëve nuk u arrit pa konflikte me


pushtetin qendror, që e kishin burimin në mospërfilljen e interesave të tij, pa
qëndresën e vazhdueshme e shpeshherë të armatosur të fshatarësisë dhe pa grindje
e luftime të ashpra e të gjata në gjirin e vetë parisë vendase. Të gjitha këto u bënë
shkak që i gjithë vendi u fut për një kohë të gjatë në një gjendje anarkie gjithnjë e
më të rëndë, pasojat negative të së cilës u pasqyruan në përgjithësi në zhvillimin
ekonomik e në veçanti në gjendjen ekonomike të popullsisë së thjeshtë të fshatit e
të qytetit.
Një nga shkaqet e konflikteve të shpeshta në gjirin e shtresës feudale vendase ishin
abuzimet e funksionarëve të mëdhenj në shpërndarjen e timareve. Këta, duke pasur
si qëllim të grumbullonin rreth vetes sa më shumë pasues dhe të merrnin tapitë e
tokave, të cilat synonin t’i akaparonin, propozonin për zotërim timaresh vakante
njerëzit e tyre, pavarësisht nëse këta kishin timare të tjera. Këto shkelje, edhe pse
shkaktonin qortime dhe madje ndëshkime nga ana e sulltanit, i cili disave u konfiskoi
edhe pasurinë, nxisnin në radhë të parë zemërimin e spahinjve të zhveshur nga
timaret. Këta spahinj, tashmë të shpronësuar, formonin zakonisht çeta të
armatosura dhe hidheshin në sulm, digjnin e grabisnin prona çifligarësh të mëdhenj,
prona shtetërore, qytete, ndërprisnin rrugët etj., dhe s’pyesnin për autoritetet
qeveritare. Regjistrat e kadilerëve të qyteteve shqiptare tregojnë se grindjet
shkaktoheshin edhe midis çifligarëve e spahinjve për faktin se çifligarët, pasi shtinin
në dorë tapitë ose zinin ndonjë ofiq zyrtar me rëndësi, fillonin të mos u njihnin
spahinjve të drejtat që u takonin si tapilëshues.
Mosmarrëveshje e konflikte të ashpra shkaktonin sidomos sipërmarrjet e taksave.
Heqja e një sipërmarrjeje nga dora e një familjeje dhe dhënia e saj një tjetre, që
ofronte më shumë ose kishte miq më të fortë në Stamboll, pasohej zakonisht me
turbullira. Nga interesat që kishin familjet e fuqishme me sipërmarrjet,
përcaktoheshin edhe aleancat dhe kundërshtinë midis tyre. Të pakënaqurit, duke
bashkëpunuar me tarafet e veta, u krijonin rivalëve vështirësi të mëdha. Ato në raste
të veçanta, sikurse feudalët e shpronësuar, dërgonin kundër objekteve të
sipërmarrjeve shtetërore ose pronave të rivalëve banda të armatosura. Këto
formoheshin nga çetat e feudalëve të shpronësuar, nga ato të krerëve ushtarakë
malësorë dhe në disa raste nga luftëtarë me rrogë të liruar pas përfundimit të
luftërave, të cilëve nuk u ishin dhënë plotësisht pagesat që u takonin. Krerët e Matit,
nga familjet e Zogollëve dhe e Çelajve me rreth njëmijë veta, të lidhur fshehurazi me
zëvendësin e qeveritarit të sanxhakut të Manastirit, që deshi të diskreditonte eprorin
dhe rivalin e vet për postin e mytesarifit të Manastirit, në vitin 1711 sulmuan e
plaçkitën dy herë këtë qytet dhe penguan grumbullimin e taksave. Në gusht të vitit
1712 disa feudalë të vegjël peqinas, të cilët kishin tre vjet që cenonin rendin në
qytetin e Peqinit, duke prerë rrugën tregtare të Durrësit dhe duke grabitur kripën e
shtetit, që shpihej me karvan në Elbasan, dëmtuan rëndë sipërmarrësin e të
ardhurave të skelës së Durrësit. Në maj-qershor të vitit 1714, feudalët frashërllinj,
përmetarë e kolonjarë dhunuan Voskopojën, Shipskën etj., duke grabitur bagëti e
plaçka deri te vathët e grave. Në të njëjtën kohë, çeta prej 200-400 vetash nga
Margëllëçi e Kuçi grabitën e dogjën dajlanin e Prevezës dhe shkatërruan çifligjet e
fshatrat përreth.
Në disa raste antagonizmi ndërfeudal arrinte deri atje saqë, përfaqësues të
feudalëve, përkrahnin lëvizjet fshatare kundër pagimit të taksave për të dëmtuar
rivalët, sikurse ndodhi në vitet 1703-1704 dhe në vitet 1714-1715.
Nga të gjitha këto forma të grindjeve feudale përfitonin në fund të fundit familjet më
të fuqishme, oxhaqet. Këto shfrytëzonin forcat e feudalëve të vegjël, që i merrnin në
mbrojtje kur ua kishin nevojën dhe i futnin nën varësinë e tyre, ose i luftonin ato me
anë të forcave ushtarake qeveritare kur nuk ua kishin nevojën. Kështu oxhaqet
forcuan pozitat e veta dhe u bënë jo vetëm shtyllat e pushtetit krahinor në
sanxhaqe, por edhe mbështetja kryesore e pushtetit qendror, i cili tashmë nuk bënte
dot pa ta.
Disa përfaqësues më të fuqishëm oxhaqesh nga radhët e ajanëve të krahinave, Porta
e Lartë i ngarkonte me detyrën e qeveritarit të sanxhakut. Por, qoftë për të frenuar
fuqizimin e tyre, qoftë për të marrë shpërblime nga ata, qoftë edhe për të ndëshkuar
të pabindurit, ajo brenda një ose dy viteve i shkarkonte dhe emëronte rivalët e tyre.
Familje të tilla rivale, në gjysmën e parë të shek. XVIII, kishte pothuajse në çdo
sanxhak: në sanxhakun e Shkodrës ishin Çaushollajt e Bushatllinjtë; në atë të
Dukagjinit ishin Begollajt e Pejës dhe Kryezitë e Gjakovës; në sanxhakun e Elbasanit
ishin Vërlacët e Biçakçinjtë; në atë të Beratit ishin Vlorajt, Velabishtajt e Ngurzajt;
në sanxhakun e Delvinës ishin Asllanpashallitë e Kokajt; në atë të Janinës ishin
gjithashtu Asllanpashallitë e Alizotajt.
Secila nga këto familje feudale, e mbështetur në tarafet e veta e që përbëheshin nga
feudalë më të vegjël dhe nga bylykbashë e krerë ushtarakë malësorë të krahinave, si
dhe nga udhëheqës esnafesh nëpër qytete, përpiqej të merrte e të ruante pushtetin
në vend në kundërshtim me politikën e ekuilibrimit të forcave rivale që ndiqte Porta e
Lartë. Si pasojë, konfliktet u shtrinë në gjithë vendin, çrregullimet kapnin gjithë
aparatin shtetëror, pasiguria e jetës dhe e pasurisë kërcënonte këdo, zhvillimi
ekonomik pengohej për kohë të tëra.
Në sanxhakun e Shkodrës, për shkak të rivalitetit midis familjes së Bushatllinjve dhe
asaj të Çaushollajve, në vitet 30 të shek. XVIII mundën të sundonin familjet
kryesore të sanxhakut të Dukagjinit, ajo e Begollajve të Pejës dhe ajo e Kryezinjve
të Gjakovës. Rivale midis tyre edhe për pushtetin e sanxhakut të Dukagjinit, këto dy
familje arritën të qeverisnin në Shkodër duke u mbështetur herë te Bushatllinjtë e
herë te Çaushollajt, pa siguruar qetësinë e domosdoshme. Në vitet 40, nevoja për t’i
dhënë fund anarkisë i zhvendosi forcat e brendshme, esnafet dhe malësorët, në
favor të Çaushollajve, të cilët qeverisën thuajse pesëmbëdhjetë vjet me ndonjë
ndërprerje të vogël. Megjithatë, as këta nuk mundën ta shuanin grindjen me
Bushatllinjtë derisa këta të fundit arritën të grumbullonin rreth tyre masën kryesore
të zejtarëve e të malësorëve dhe, në vitin 1755, i dëbuan përfundimisht Çaushollajt
nga Shkodra. Bushatllinjtë, të mbështetur nga shumica e shtresave shoqërore të
qytetit dhe të krahinës, jo vetëm nuk e lëshuan më pushtetin nga duart e tyre, por
duke e shtrirë atë mbi sanxhakët e Shqipërisë Veriore, u dhanë fund grindjeve të
feudalëve lokalë, të cilët i nënshtruan me dhunë ose me marrëveshje.
Në Shqipërinë Jugore, lufta për pushtet vazhdoi më gjatë. Në sanxhakun e Beratit,
deri më 1764, ajo u zhvillua kryesisht midis familjes së vjetër të Vlorajve dhe degës
së saj në Berat, Velabishtajve, kur atë e mori një familje e tretë, ajo e Ngurzajve që
përkrahte Velabishtajt. Por edhe Ngurzajt nuk mundën ta mbanin pushtetin veçse
gjer më 1788, kohë në të cilën kundërshtarët e tyre e morën dhe e mbajtën deri në
1810, kur thuajse gjithë Shqipëria Jugore ra nën sundimin e vezirit të Janinës, Ali
pashë Tepelenës. Ashtu si Bushatllinjtë, edhe ky pasha i fuqishëm i kishte dhënë
fund luftës për pushtet si në sanxhakun e Janinës (1787), ku grindeshin
Asllanpashallitë me Alizotajt, ashtu dhe në sanxhakun e Delvinës, ku
mosmarrëveshjet midis familjeve rivale vendase nuk reshtën thuajse gjatë gjithë
shek. XVIII.

2. PASHALLËKU I SHKODRËS NËN SUNDIMIN E


BUSHATLLINJVE. LUFTA PËR SHKËPUTJE NGA
STAMBOLLI(1771-1796)
Ardhja në fuqi e Bushatllinjve

Qeverisja e sanxhakut të Shkodrës nga përfaqësuesit e pashallarëve të Gjakovës dhe


të Pejës, nuk mundi të ndalte gjendjen anarkike; konfliktet nuk reshtën as në qytete
e as në krahina ku vepronin përkrahësit e dy familjeve të fuqishme feudale
shkodrane: Çaushollajve dhe Bushatllinjve. Më 8 shtator 1736 në mes të tregut të
Shkodrës u vranë e u plagosën 29 veta nga tarafet e esnafëve të tabakëve (që
përkrahnin Bushatllinjtë) dhe të terzijve (që përkrahnin Çaushollajt). Tetë ditë më
vonë u vranë e u plagosën 87 veta në një konflikt midis krahinave të Shkrelit dhe të
Kastratit, i cili filloi me armë zjarri dhe përfundoi me shpata.
Gjatë luftës austro-osmane të viteve 1736-1739 banorët e Malësisë së Madhe u
ngritën përsëri kundër sundimit osman nën nxitjen e kryepeshkopit të Tivarit, Mëhill
Sumës, dhe, duke u bashkuar me ushtritë austriake, u bënë ballë me sukses
ekspeditave ndëshkimore të vezir Mahmud pashë Begollit. Ndërkohë feudalët
shkodranë e vlerësuan fuqinë e tyre luftarake dhe bënë përçapjet e duhura për ta
përdorur atë në dobi të synimeve të veta. Që në këtë kohë malësorët filluan të luanin
rol me rëndësi në luftën e familjeve rivale vendase për të shtënë në dorë pushtetin e
sanxhakut. Çaushollajt ishin të parët që e shfrytëzuan këtë forcë kundër vezirit
pejan, Mahmut pashë Begollit, dhe përkrahësve të tij, Bushatllinjve. Me ndihmën e
malësorëve Çaushollajt, më 5 shkurt 1739 vranë vezirin në mes të rrugës dhe arritën
të merrnin pushtetin në sanxhakun e Shkodrës që e mbajtën thuajse për dhjetë vjet
rresht. Gjatë kësaj kohe dështuan orvatjet e Bushatlinjve dhe të përkrahësve të tyre,
tarafit të fuqishëm esnafor të tabakëve të Shkodrës dhe agallarëve të pasur e
guximtarë të Ulqinit, për të përmbysur Çaushollajt. Këta, duke bërë për vete
malësorët dhe duke gëzuar përkrahjen e tarafit esnafor të terzijve, që mbronte edhe
interesat e tregtarëve shkodranë, arritën të hynin në luftë dhe të sprapsnin me armë
forcat e valiut të Rumelisë, të cilat erdhën në Shkodër për të nxjerrë disa taksa të
reja, që tregtarët shkodranë nuk deshën t’i paguanin. “Nuk ka krahinë në botë kaq të
pabindur ndaj sulltanit”, shkruante në këtë kohë zëvendëskonsulli venedikas, Anton
Duoda. Duke organizuar një sulm rrethues, Çaushollajt vranë më 8 gusht 1731 në
sarajin e vet edhe Ethem pashë Begollin me të vëllanë, të cilët Porta e Lartë i kishte
dërguar të qeverisnin në Shkodër pas revoltës së Çaushollajve kundër valiut të
Rumelisë. Por dy vjet më vonë, më 1753, Porta u detyrua t’u ligjëronte pushtetin.
Megjithatë, lufta e Çaushollajve kundër Begollajve, Kryezinjve dhe Bushatllinjve,
vazhdoi të ashpërsohej dhe të dëmtonte veçanërisht zhvillimin ekonomik të vendit,
gjer në tetor të vitit 1755.
Paaftësia e Çaushollajve për të vendosur hegjemoninë e tyre mbi kundërshtarët dhe
për t’i dhënë fund anarkisë në sanxhak, e detyroi tarafin e terzijve të mos i përkrahte
më ata dhe të pajtohej me tarafin e tabakëve, në krye të të cilit kishte dalë Mehmet
bej Bushatlliu (vdiq më 1775). Në këtë mënyrë ata shpresonin që të vendosej një
pushtet i vetëm e i fortë, për të cilin ishin të interesuar kryesisht zejtarët e tregtarët.
Lufta shpërtheu dhe në këto rrethana, Çaushollajt të braktisur nga forcat kryesore të
tarafeve të tyre, u dëbuan nga Shkodra. Bushatllinjtë mbetën e vetmja familje e
madhe vendase që mundi të merrte pushtetin e sanxhakut.
Pas dëbimit të Çaushollajve, Mehmet bej Bushatlliu ende nuk ishte emëruar qeveritar
i sanxhakut të Shkodrës, por, i përkrahur nga dy tarafet esnafore dhe nga forca
malësorësh me rrogë, ai ishte në fakt sundimtari i vërtetë i vendit, derisa Porta e
njohu atë si mytesarif të sanxhakut të lartpërmendur në gusht të vitit 1757, duke i
dhënë edhe titullin pashë. Nga kjo kohë e deri më 1831 familja e Bushatllinjve, e
mbështetur në shumicën e ajanëve të sanxhakut, të bylykbashëve dhe të
bajraktarëve, si dhe nga një pjesë e mirë e zejtarëve, të tregtarëve e të detarëve,
mbajti pa ndërprerje këtë pushtet duke e trashëguar.
Për përforcimin e pushtetit të vet, Mehmet pashë Bushatlliu ndoqi në përgjithësi një
politikë të brendshme që u përshtatej edhe interesave kryesorë të vendit. Synimi i
kësaj politike ishte në radhë të parë të vendoste rregullin e qetësinë kaq të dëshiruar
si nga fshatarësia, ashtu edhe nga qytetarët e dëmtuar rëndë gjatë periudhës së
anarkisë.
Arritja e këtij synimi ishte e pashkëputur nga zgjidhja e një vargu çështjesh. Një nga
këto ishte mposhtja e ajanëve të fuqishëm kundërshtarë. Që para njohjes së tij si
mytesarifi i sanxhakut, Mehmet Pasha e kishte filluar këtë detyrë dhe thuajse kishte
eleminuar krerët e tarafeve esnafore të tabakëve dhe të terzinjve, si dhe një varg
krerësh të tjerë. Disa krerë kishin mundur të arratiseshin, por ai nuk i la të qetë
gjatë gjithë jetës së vet.
Mehmet Pasha i kushtoi vëmendje mbështetjes së pushtetit të tij nga ana e
elementit të krishterë, forca ushtarake e të cilit në sanxhakun e Shkodrës ishte
shumë e rëndësishme. Këtë mbështetje ai e arriti duke mbrojtur tregtarët e krishterë
e duke bashkëpunuar me ta, duke shtuar pjesëmarrjen e malësorëve katolikë në
ushtrinë e tij me pagesë dhe duke mos penguar veprimtarinë e klerit katolik. Me
përkrahjen e krerëve ushtarakë malësorë dhe me njohjen e privilegjeve të tjera të
malësive, ai arriti të siguronte prej këtyre një burrë për shtëpi në rast lufte dhe
pagesën e një dukati për shtëpi në vit.
Një çështje e rëndësishme, kryesisht me karakter ekonomik, ishte zgjidhja e
mosmarrëveshjeve midis ulqinakëve dhe venedikasve, të cilat pengonin zhvillimin e
lirë e të sigurt të tregtisë në sanxhakun e Shkodrës. Konkurrenca e pamëshirshme e
venedikasve me flotën ulqinake në rritje e sipër, kishte shtyrë një pjesë të mirë të
agallarëve të Ulqinit qysh në vitet 20 të shek. XVIII të lidheshin shumë ngushtë me
një rival të fuqishëm të Venedikut, me Beun e Tripolit. Si rrjedhim, flota e Ulqinit dhe
e Tripolit bashkëpunonin për mbrojtje, por në disa raste sulmonin edhe flotat
perëndimore e sidomos atë të Venedikut. Kështu, pirateria kishte marrë hov në
Adriatik dhe Ulqini ishte bërë një fole piratësh. Mehmet Pasha e luftoi me ashpërsi
piraterinë e ulqinakëve si dhe lidhjet e tyre me Tripolin, duke djegur të gjitha anijet
pirate që shtiu në dorë. Kështu brenda një kohe të shkurtër Ulqini u kthye në një
qytet normal tregtie e lundrimi dhe Bushatlliu siguroi marrëveshjen si me agallarët e
këtij qyteti, që kërkonin të punonin me anijet e tyre në kushte të qeta brenda e
jashtë vendit, ashtu edhe me autoritetet e Republikës së Venedikut, në duart e së
cilës ishte një pjesë e mirë e tregtisë në Adriatik. Si rrjedhim, Anton Duoda
njoftonte: “askush nuk guxon më të shkojë në Berberi (është fjala për Tripolin -
shën. i aut.)”, se u shpall urdhri që “në brigjet e Tivarit, Valdanosit e Shën Gjinit të
Medues si dhe në Grykën e Bunës, askush të mos guxojë të trazojë shtetasit
venedikas, sepse i shkon koka”.
Frytet e një politike të tillë të brendshme, që vendosi me të vërtetë rregullin e
qetësinë, u panë qysh në dhjetë vitet e para të sundimit të Mehmet Pashës, sidomos
në fushën e prodhimit dhe të qarkullimit të mallrave.

Qyteti i Shkodrës, qendër e tregut ndërkrahinor të Shqipërisë së Veriut

Ndryshe nga qytetet e tjera shqiptare, Shkodra kishte kushte shumë të favorshme
për t’u bërë qendra më e rëndësishme ekonomike e vendit.
E vendosur anash një liqeni të madh, të pasur me peshk dhe të lidhur me detin
nëpërmjet lumit të lundrueshëm të Bunës, e rrethuar me fusha, që udhëtarët i kishin
cilësuar “të bukura e pjellore”, e përshkuar nga rrugë tregtare që vinin nga Kosova,
nga Shqipëria Qendrore e Jugore, nga Maqedonia e nga Bosnja, Shkodra u rrit jo
vetëm si qendra administrative e një sanxhaku të rëndësishëm, por para së gjithash
si qendër zejtare e tregtare. Përveç skelës së saj në lumin Bunë, limanet e Tivarit,
Ulqinit, Lezhës dhe të Durrësit ishin gjithashtu skela të saj. Më 1736,
zëvendëskonsulli venedikas në Shkodër, që ishte tregtari shkodran Anton Duoda,
shkruante se qyteti i Shkodrës numëronte një mijë dyqane në treg. Tre vjet më
vonë, gjeografët venedikas njoftonin se Shkodra ishte “një qytet i madh”, ishte
“qyteti kryesor i Shqipërisë”. Aty nga fundi i shek. XVIII ajo numëronte 6 700 shtëpi,
d.m.th rreth 30-35 mijë banorë, ndërsa konsulli rus në Raguzë, himarioti Gjika, e
çmonte popullsinë e qytetit deri në 60 000 frymë.
Për fuqizimin ekonomik të Shkodrës shërbeu në mënyrë të veçantë qyteti shqiptar i
Ulqinit me 7-8 mijë frymë, i cili qysh në fillim të shekullit kishte një flotë tregtare
prej 250 njësish të mëdha e të vogla të ndërtuara në kantieret e veta, prej nga
vazhdimisht hidheshin në det anije të ndryshme të tipave tartanë, polakë, pink,
trabekull, felikë si dhe një numër i madh barkash. Punëtorët, të gjithë myslimanë,
zotëronin dijeni të shumta e të shumëllojshme për ndërtimin e anijeve. Duke qenë
fare afër kësaj skele dhe duke qenë pjesëtarë në investimet e flotës ulqinake,
tregtarët e Shkodrës, e rrjedhimisht edhe qytetarët e saj, patën te kjo flotë një mjet
të rëndësishëm për tregtinë e mallrave.
Tregtarët shkodranë, ashtu si shumë tregtarë të tjerë shqiptarë, e lidhën
veprimtarinë e tyre me Venedikun qysh në fillim të shek. XVIII. Me kalimin e viteve,
duke shfrytëzuar me zgjuarsi konkurrencën midis porteve rivale të detit Adriatik, ata
lidhën marrëdhënie tregtare edhe me Ankonën, Triesten etj. Jo vetëm në skelat
veriore të vendit, por edhe në skelën me rëndësi ndërballkanike të Durrësit, ku ishin
vendosur konsujt e Venedikut, Raguzës, Francës, Anglisë, Holandës dhe të Austrisë,
shkodranët u dalluan si më aktivët. Mbi 80 për qind e tyre ishin myslimanë që
tregtonin pjesën dërrmuese, rreth 90 për qind të vëllimit të mallrave. Kjo pasqyronte
jo vetëm përbërjen fetare të banorëve të Shkodrës, por edhe fuqinë ekonomike të
popullsisë myslimane që ishte më e madhe nga ajo e të krishterëve.
Hov më të madh tregtia shkodrane mori pas ardhjes në fuqi të Bushatllinjve e
sidomos në dhjetë vitet e para të sundimit të Mehmet Pashës. Krahas zhdukjes së
piraterisë dhe rregullimit të mosmarrëveshjeve me venedikasit, rol vendimtar në
zhvillimin ekonomik të Shkodrës luajti rritja e prodhimit bujqësor e blegtoral për
treg. Ekonomia bujqësore u lidh me tregun në të tillë shkallë, sa çifligarët, për të
realizuar fitime të mëdha, filluan të mbillnin ato kultura që kërkonte më shumë
tregu. Një ndër këta çifligarë ishte vetë Mehmet Pasha, i cili qysh në vitin 1764
mbolli sipërfaqe të mëdha me oriz e pambuk, dhe, si shumë feudalë të tjerë, u bë
pjesëtar në tregti dhe në lundrim duke investuar këtu shuma të konsiderueshme. Në
këtë periudhë tregtia shkodrane u gjallërua edhe për shkak se ajo filloi të përdorë
gjerësisht kreditin. Konsulli venedikas i Durrësit shkruante më 1762 se pjesa më e
madhe e tregtisë shqiptare ishte në duart e tregtarëve shkodranë dhe se ata ishin
bërë “shpirti i saj”. Tregtarët shkodranë grumbullonin lesh, dyllë, lëkurë të punuara,
drithëra dhe prodhime të tjera bujqësore e zejtare sidomos nga Tirana, Elbasani,
Kavaja, Berati, Gjakova, Prizreni, Ohri e nga tregje të tjera shqiptare, ku kishin
arritur të përcaktonin edhe çmimet e blerjes dhe të shitjes së mallrave. Ata futeshin
edhe në Rumeli, e sidomos në Manastir, Shkup, Seres dhe në krahinat përqark tyre
gjer në zonën e Selanikut, ku grumbullonin lesh, pambuk, lëkurë etj. Përveç
Rumelisë tregtarët e Shkodrës kalonin thellë edhe në Serbi, Vllahi, prej nga sillnin
dyllë, mëndafsh etj. Këto mallra ata i blinin ose kundrejt të hollash, ose kundrejt
cohërash, pëlhurash mëndafshi etj. Në vitet 1760-1769, nga i gjithë vëllimi i
mallrave që eksportoheshin për në Venedik prej limaneve të Durrësit dhe të
Shkodrës, shkodranëve u takonte 87,4 për qind e leshit, 95,3 për qind e dyllit, 98,3
për qind e mëndafshit, 56,8 për qind e lëkurëve të punuara dhe kështu edhe për
artikujt e tjerë.
Duke qenë se kapitali tregtar shkodran ishte bërë ndërlidhës kryesor i krahinave të
ndryshme të Gegërisë me Shkodrën, pavarësisht nga copëzimi administrativ-politik
ekzistues, lidhjet ekonomike të krijuara qysh nga gjysma e parë e shekullit, u
përforcuan aq shumë në kohën e sundimit të Bushatllinjve sa morën trajtën e një
tregu të madh ndërkrahinor. Ky treg ishte një hap shumë i rëndësishëm përpara
drejt formimit të tregut të brendshëm kombëtar. Pjesa kryesore e kapitalit tregtar,
në formë mallrash, anijesh, magazinash e parash, ndodhej ende në duart e
çifligarëve, e veçanërisht të ajanëve të mëdhenj.

Formimi i Pashallëkut të Shkodrës

Nën qeverisjen energjike të Mehmet Pashës, i cili nuk la pa përdorur edhe pushtetin
e vet në dobi të përforcimit të lidhjeve ekonomike të Shkodrës me krahinat e tjera,
tregtarët vendas arritën të vinin në duart e tyre, me përjashtim të duhanit, gjithë
tregtinë që kryenin venedikasit në bregdetin shqiptar dhe ta detyronin kapitalin
venedikas të rriste kreditin në favor të tregtarëve shqiptarë, në mënyrë që mallrat e
tyre të mos kalonin në skelat e tjera të Adriatikut e veçanërisht në Trieste. Por edhe
këtu sa vinte e po shtohej numri i agjencive tregtare shqiptare.
Lidhjet e tregut të Shkodrës me krahinat e tjera nuk mund të kryheshin pa pengesa
e rreziqe. Dihet se skelat e rrugët tregtare gjendeshin në sanxhakët fqinjë, ku
rivaliteti i grupeve të ndryshme feudale për çështjen e pushtetit dhe të sipërmarrjeve
të taksave, i kishte bërë këta sanxhakë fole grindjesh të vazhdueshme dhe
njëkohësisht qendra të rrezikshme edhe për vetë pushtetin e Bushatllinjve në
sanxhakun e Shkodrës. Kështu, bejlerët e Lezhës, që sundonin në fushën e
Zadrimës, bënin pjesë në tarafin e rivalëve kryesorë të Bushatllinjve, të Begollajve të
Pejës, dhe gëzonin përkrahjen luftarake të forcave mirditore të komanduara nga
Gjon Marku; Toptanët e Krujës ishin lidhur me Çaushollajt e arratisur dhe kërcënonin
aleatët e Bushatlliut; në gjirin e familjes së Alltunëve të Kavajës, të cilët ishin
sipërmarrës të dytë të skelës së Durrësit, kishte hyrë një grindje për punë të kësaj
sipërmarrjeje. Një gjendje e tillë kërkonte medoemos vendosjen e një pushteti të
vetëm mbi këto krahina. Mehmet pashë Bushatlliu nuk ngurroi t’i hynte kësaj detyre
me energji e zgjuarsi në kohën e luftës ruse-osmane të viteve 1768-1774.
Pasi mori pjesë me të gjitha forcat e sanxhakut në luftën kundër Malit të Zi më 1768,
ai dërgoi nën komandën e djalit të madh, Mustafa Beut, një repart të fortë
luftëtarësh në frontin rus në mars të vitit 1769, ndërsa një repart tjetër nën
komandën e djalit të dytë, Mahmut Beut, mori pjesë në shtypjen e një kryengritjeje
në More më 1770. Kështu ai mundi të fitonte besimin e Vezirit të Madh osman. Ky,
pasi dënoi me vdekje Kahreman pashë Begollin e Pejës për rebelizëm dhe
shpërdorim financiar, i dha Mehmet pashë Bushatlliut qeverisjen e sanxhakut të
Dukagjinit dhe, nga ana tjetër, e gradoi Mustafa Beun pashë për një akt trimërie në
luftë. Duke marrë zemër nga këto ofiqe, Mehmet Pasha u vërsul kundër krerëve
kundërshtarë të Lezhës, të cilët i vari dhe mori në zotërim Zadrimën. Në të njëjtën
kohë ai ndërhyri në Tiranë. Kështu bëri hapin e parë drejt vendosjes së pushtetit të
vet mbi këto zona, që bënin pjesë në tregun ndërkrahinor të Shkodrës.
Në vitin 1771 Mehmet Pasha bëri hapin e dytë që do të shpinte në formimin e
Pashallëkut të madh të Shkodrës. Pas disfatës së flotës osmane në betejën detare të
Çesmës në Detin e Zi, ai i kërkoi Portës së Lartë komandën e një armate detare, të
cilën u zotua ta krijonte me forcat e veta për mbrojtjen kundër rusëve në det dhe
kundër aleatëve të tyre, malazezëve, në tokë. “Për faktin se rrethanat dhe gjendja e
tanishme kërkojnë vendosjen e një personaliteti të fuqishëm në krye të punës, në
atë të frontit, - thuhet në dekretin përkatës të emërimit të tij si vezir, - doli urdhri i
lartë mbretëror që Mehmet Pashës t’i jepet posti e grada e lartë e vezirit..., dhe të
birit të tij, Mahmudit, t’i jepet sanxhaku i Shkodrës me titullin mirimiran, ndërsa
djalit tjetër t’i jepet një sanxhak sikurse Elbasani”. Grada e vezirit u shoqërua me
shtrirjen e kontrollit të vezirit shkodran edhe në sanxhakun e Ohrit. Për këtë ngjarje,
konsulli venedikas i Durrësit njoftonte qeverinë e vet në fillim të vitit 1772, se
Mehmet Pasha u bë aq i fuqishëm, sa “prej kufijve venedikas gjer nën Manastir
komandon absolutisht dhe e druajnë të gjithë”.
Kështu u zgjerua pushteti i Bushatllinjve mbi trojet e katër sanxhakëve, atje ku
shtrihej më e fortë rrezja e veprimit të tregut ndërkrahinor të Shkodrës. I përbërë
nga sanxhakët e Shkodrës, të Dukagjinit, të Ohrit dhe të Elbasanit, qysh në vitin
1771 u krijua kështu një formacion politik i bashkuar në dorën e një pashai të
fuqishëm shqiptar, Pashallëku i madh i Shkodrës.
Skela e Durrësit kishte një rëndësi po aq të madhe për tregtinë e Pashallëkut të
Shkodrës sa edhe skela e Shkodrës. Mirëpo oxhaqet e Alltunëve të Kavajës dhe të
Toptanëve të Krujës ishin bërë pengesë e madhe për vendosjen e rregullit dhe të
qetësisë në këtë zonë të varur drejtpërdrejt nga veziri i Shkodrës. Toptanët kishin
mbyllur rrugët tokësore për tregtarët shkodranë. Për më tepër, këta tregtarë si dhe
lundërtarët ulqinakë nuk gjenin në skelën e Durrësit mbrojtjen e duhur. Tarafët e
tabakëve dhe të terzinjve, si dhe, në radhë të parë, tregtarët e Shkodrës kërkonin
me çdo kusht, bashkë me lundërtarët e Ulqinit, përmirësimin e gjendjes së krijuar në
zonën Durrës-Kavajë-Krujë.
Për zgjidhjen e kësaj çështjeje urgjente e me shumë rëndësi veziri i Shkodrës bëri
për vete Alltunët nga Kavaja dhe u detyrua të pajtohej me Toptanët e Krujës. Kështu
u hapën rrugët tregtare dhe zona e skelës së Durrësit u fut nën ndikimin e pushtetit
të Shkodrës.
Ndërkohë Mehmet Pasha, sipas premtimit të tij, kishte marrë urdhër nga Porta për të
dërguar në luftë me rusët një armatë detare dhe një ushtri tokësore. Por në vend të
tridhjetë anijeve të mëdha me gjashtë mijë detarë, veziri përgatiti vetëm një të
tretën. Edhe këtë fuqi, që e armatosi keq, e vonoi dhe e nisi në shtator 1772 nën
komandën e të birit, Mustafa Pashës, vetëm kur midis palëve ndërluftuese ishte
arritur një armëpushim. Po kështu ai i ktheu në Stamboll me duar zbrazur të
dërguarit e sulltanit, të cilët kishin ardhur në Shkodër për të dërguar ushtrinë
tokësore në frontin rus. Veziri nxori si shkak për këtë rritjen e rrezikut malazias,
sepse prijësi i Malit të Zi, agjenti rus i quajtur Stefani i Vogël, po kërcënonte
Podgoricën.
Në këtë mënyrë veziri Bushatlli i shkeli urdhrat perandorakë dhe zotimin e tij lidhur
me luftën për të rregulluar punët e veta. Që të siguronte kufirin verior nga sulmet e
kuçasve mbi fushën e Podgoricës dhe që të pengonte bashkimin e tyre me Malin e Zi,
Mehmet Pasha u propozoi atyre të largoheshin me të mirë nga malet ku jetonin dhe
të zgjidhnin brenda pashallëkut një truall tjetër për banim. Kur ky propozim nuk u
pranua prej kuçasve, ushtria shkodrane hyri në muajin maj 1774 në Kuç dhe
shkaktoi dëme të mëdha me qëllim që ta bënte të pabanueshëm, por edhe pas kësaj
ekspedite kuçasit nuk iu nënshtruan.
Pas nënshkrimit të traktatit të paqes së Kyçyk Kajnarxhes, Porta e Lartë, e çliruar
nga barra e luftës, e drejtoi vëmendjen nga Pashallëku i Shkodrës, kreu i të cilit po
bëhej tepër i fuqishëm dhe i rrezikshëm. Mjeti më i mirë për ta neutralizuar ishte
ndezja e armiqësisë me oxhaqet më të fuqishme kundërshtare.
Mehmet pashë Bushatlliu, duke ofruar 9 000 qese groshë për të marrë në
sipërmarrje haset e sulltanit në Myzeqe, kishte dalë si rivali kryesor i Ahmet Kurt
pashës së Beratit. Kurse ky ishte rival i Bushatlliut në sipërmarrjen e taksave të
skelës së Durrësit dhe për komandën e zonës që përfshinte kjo sipërmarrje, e cila
shtrihej gjer në afërsi të Lezhës.
Megjithëse veziri i Shkodrës paraqiti një ofertë më të madhe, motra e sulltanit, që e
administronte dhe merrte të ardhurat e kësaj skele si sipërmarrëse e parë, pranoi
ofertën e sundimtarit të Beratit. Mehmet pashë Bushatlliu vendosi të mos bindej. Kur
Ahmet Kurt pasha, në prill të vitit 1775, hyri me 12 000 ushtarë në maliqanenë e
Durrësit, veziri i Shkodrës dërgoi kundër tij ushtrinë shkodrane të komanduar nga dy
bijtë e vet. Me këtë veprim filloi hapur konflikti me Stambollin dhe me veglën e tij,
Ahmet Kurt pashën.
Më 14 korrik 1775 vdiq veziri plak i Shkodrës. Porta e Lartë emëroi në vendin e tij
një besnik të saj, vezirin Mehmet pashë Kystendilin, dhe urdhëroi Ahmet Kurt pashën
të hynte në zonën e Durrësit. Mirëpo ky vendim nuk përputhej me interesat e
Bushatllinjve dhe të ajanëve aleatë të tyre në atë zonë. Aq më pak ai nuk pajtohej
me interesat e tregtarëve shkodranë, të lundërtarëve ulqinakë si dhe të tregtarëve të
tjerë të Veriut të Shqipërisë, që do të humbisnin përkrahjen e Bushatllinjve dhe
monopolin e tregtisë së vendit.
Në kundërshtim me pushtetin qendror, ajanët shkodranë e fqinjë të grumbulluar në
Shkodër u betuan të mos i bindeshin vezirit nga Kystendili dhe vendosën ta ndalnin
me luftë hyrjen e Ahmet Kurt pashës në zonën e Durrësit. Ata zgjodhën Mustafa
pashë Bushatlliun për komandant të ushtrisë shkodrane.
Më 12 shtator të vitit 1775 kjo ushtri prej 14 000 vetash u ndesh me forcat e Ahmet
Kurt pashës në afërsitë e Peqinit, por u thye keqas duke humbur 4 000-5 000 veta,
ndër të cilët ishte edhe kreu ushtarak mirditas Gjon Marku me 60 veta.
Pas kësaj disfate Porta e Lartë vendosi t’i shfaroste Bushtallinjtë dhe të nënshtronte
përkrahësit e tyre. Për këtë qëllim ajo organizoi dy ekspedita ndëshkimore kundër
tyre, duke ngritur më këmbë oxhaqet kundërshtare të Bushatllinjve, të cilat i vuri
nën komandën e vezirit, Mehmet pashë Kystendilit. Në këto ekspedita morën pjesë
Ahmet Kurt pasha, Çaushollajt, Toptanët dhe agallarët e Ishmit. Ndërsa ekspedita e
parë pësoi disfatë, e dyta nuk u realizua gjer në fund, sepse paria shkodrane i mbeti
besnike Bushatllinjve. Porta e Lartë, pasi kishte shpallur luftën me Persinë, pranoi t’i
falte rebelët shkodranë duke e kufizuar pushtetin e tyre vetëm në sanxhakun e
Shkodrës dhe duke i detyruar ata të paguanin një dëmshpërblim prej 2 000 qesesh.
Pashallëku i Shkodrës u gjymtua rëndë, por vetëm përkohësisht. Ndërkaq mbetën
shkaqet ekonomike e shoqërore që kërkonin një pushtet vendor të fortë e të
përqendruar.

Qëndresa e Mahmud pashë Bushatlliut kundër Stambollit

Sipërmarrja e skelës së Durrësit qëndroi në dorën e Ahmet Kurt pashës rreth pesë
vjet. Ky feudal i fuqishëm dhe paria që e përkrahte atë në Kavajë, Peqin, Ishëm e në
Tiranë, u përpoqën të nxirrnin për vete përfitime të shumta e shpesh në dëm të
banorëve. Ata mbyllën rrugët tregtare dhe limanet për shkodranët e ulqinakët. Kjo
masë u dha mundësi venedikasve të shtinin përsëri në dorë monopolin e tregtisë dhe
të lundrimit që kishin pasur para ardhjes në fuqi të Bushatllinjve. Si pasojë,
pakënaqësia e banorëve arriti kulmin. E pakënaqur ishte edhe motra e sulltanit, së
cilës iu pakësuan së tepërmi të ardhurat nga maliqaneja e Durrësit.
Veprimtaria e tregtarëve elbasanas, beratas, kavajas, krutanë e tiranas nuk mund ta
zëvendësonte atë të tregtarëve shkodranë e ulqinakë, si dhe rolin vendimtar të
kapitalit tregtar shkodran në jetën ekonomike të skelës së Durrësit. Prandaj motra e
sulltanit nuk ngurroi më 1781 t’ia hiqte komandën e sundimtarit të Beratit dhe t’ia
jepte Mahmud pashë Bushatlliut (1749-1796). Për të siguruar mbrojtjen e rrugës
tregtare midis Shkodrës e Prizrenit, ajo ndërhyri që Bushatlliut të ri t’i jepej edhe
qeverisja e sanxhakut të Dukagjinit.
Pas vendosjes së pushtetit të Mahmut Bushatlliut në këto vise, rrugët u hapën e u
sigurua qarkullimi i lirë nga bregdeti gjer në thellësi të Kosovës e të Maqedonisë,
prodhimet e të cilave drejtoheshin për në skelat e Adriatikut. Jeta ekonomike u
gjallërua shumë shpejt. Mahmud Pasha, duke ndjekur politikën ekonomike të të atit,
e zgjeroi pjesëmarrjen në tregti e në lundrim dhe shtiu në dorë sipërmarrje të
shumta, ndër të cilat edhe atë të nxjerrjes dhe të shitjes së serës së Selenicës së
Vlorës. Ashtu si i ati, ai përdori pushtetin e vet për të përkrahur tregtarët vendas
kundër atyre venedikas, të cilët humbën përsëri atë pjesë të tregtisë së drithrave, të
vajit e të ziftit që kishin vënë në dorë gjatë viteve 1775-1780.
Më 1784 Mahmud Pasha arriti të siguronte për vëllanë e vet, Ahmet Beun, qeverisjen
e sanxhakut të Ohrit bashkë me gradën pashë. Ndërkohë ai i siguroi kunatit të vet,
Sulejman pashë Vërlacit, qeverisjen e sanxhakut të Elbasanit. Në këtë mënyrë
Mahmud pashë Bushatlliu e përtëriu Pashallëkun e Shkodrës. Ndryshe nga
sundimtarët e sanxhakëve të tjerë, ai e lidhi fuqizimin e tij politik me zhvillim
ekonomik të pashallëkut.
Kujdes të veçantë Bushatlliu i ri tregoi për ushtrinë. Krijoi një ushtri të rregullt, e cila
dy-trefishohej me forcat luftarake të ajanëve aleatë vartës dhe me ato, që vinin prej
malësive sipas zakonit “burrë për shtëpi”, kur bënte thirrje me tri të shtëna topi nga
kështjella e Rozafës.
Qysh nga viti 1782, Mahmut Pasha kishte forcuar pushtetin në pashallëk e po
vepronte me vullnetin e vet, duke mos përfillur fermanet e Portës së Lartë. Konsujt
venedikas njoftonin qeverinë e tyre se ai po punonte për t’u bërë sa më i pavarur.
Komandantin e kështjellës së Shpuzës, që kishte ngritur krye me rastin e dy
ekspeditave të vitit 1775-1776, në shkurt të vitit 1785 e detyroi të largohej pa
kundërshtimin më të vogël. Katër muaj më vonë, me ushtrinë e riorganizuar, shkeli
dhe nënshtroi Malin e Zi të rebeluar qysh nga lufta e viteve 1768-1774. Pasi mori
tributin e prapambetur dhe pengjet e bindjes dhe të nënshtrimit, në rrugën e kthimit
për në Shkodër ndëshkoi rëndë krahinën e Pastroviqit për punë të një provokimi të
armatosur të kryer me nxitjen e autoriteteve të Venedikut. Qëllimi i këtij provokimi
kishte qenë shpresa se Porta e Lartë, për të mos krijuar një skandal politik me
Republikën e Shën Markut, do ta hiqte qafe këtë pasha të pabindur dhe të
rrezikshëm si për autoritetin e sulltanit në Shqipëri, ashtu edhe për sigurinë e
zotërimeve venedikase në kufi të Pashallëkut të Shkodrës dhe për interesat
ekonomikë të republikës në këtë trevë.
Menjëherë pas nënshtrimit të Malit të Zi, Mahmud Pasha u vërsul në drejtim të
Elbasanit e të Beratit, sepse armiku i vjetër i Bushatllinjve, Ahmet Kurt pasha, kishte
tërhequr nga ana e vet pashanë e Elbasanit dhe u kishte mbyllur limanet ulqinakëve.
Gjatë muajve korrik e gusht 1785, pasi siguruan nga ana juglindore bashkëpunimin e
Ali pashë Tepelenës, armikut të sundimtarit të Beratit, që e kishte penguar të merrte
qeverisjen e sanxhakut të Janinës, Mahmud Pasha dhe i vëllai Ahmed Pasha, e
nënshtruan qeveritarin e Elbasanit dhe e ndëshkuan Ahmet Kurt pashën, duke i rënë
kryq e tërthor sanxhakut të tij. Duke u kthyer nga Korça, Mahmud Pasha dhe Ahmet
Pasha nga Buzi i Tepelenës, thyen ushtrinë kryesore të qeveritarit të Beratit në
Peqin, pikërisht aty ku ushtria shkodrane kishte pësuar disfatën e madhe dhjetë vjet
më parë.
Këto fushata e ngritën më lart autoritetin e Bushatllinjve në sy të të gjithë feudalëve
shqiptarë dhe i ndanë ata në përkrahës e në kundërshtarë të tyre. Në të njëjtën
kohë, këto fushata shkaktuan zemërimin e Portës së Lartë dhe të Senatit të
Venedikut dhe, nga ana tjetër, tërhoqën vëmendjen e atyre shteteve evropiane që
kishin interesa të kundërta me Perandorinë Osmane. Në radhë të parë ishte
diplomacia e Austrisë, që filloi ta inkurajonte Bushatlliun për veprime më të
guximshme kundër varësisë ndaj Stambollit.
Për shkak të fushatës kundër sanxhakëve të Elbasanit e të Vlorës, që Porta e Lartë e
quajti veprim rebel, sulltani i shpalli dy Bushatllinjtë dhe Ali pashë Tepelenën si
kryengritës dhe në vjeshtë të vitit 1785 dha urdhër për të përgatitur një ekseditë të
madhe ndëshkimore kundër Shkodrës. Këto masa e shtynë Bushatlliun që ta
shndërronte mosbindjen e tij në kryengritje. Ndërkaq afrimi i luftës së Rusisë dhe
Austrisë kundër Perandorisë Osmane që po shqetësonte diplomacinë evropiane, i
nxiti disa nga pashallarët shqiptarë, me Mahmud Pashën në krye, ta shikonin
kryengritjen si rrugën e vetme për shpëtimin nga sundimi i një perandorie që dukej
se po shembej. Ndaj Mahmud Pasha, në vend që të pranonte faljen dhe gradën e
vezirit që i ofroi Porta e Lartë në prag të luftës me Rusinë e Austrinë, në prill të vitit
1786, shpalosi zyrtarisht flamurin e luftës.
Forcat e ushtrisë kryengritëse të përbëra, sikurse shkruante një funksionar i lartë
osman në një raport dërguar Portës së Lartë, nga ushtarë e bylykbashë shqiptarë, të
veshur me kostumet e tyre popullore të krahinës së Shkodrës dhe të atyre fqinje me
të, gjetën shumë shpejt përkrahje në të gjithë Kosovën gjer në Kystendil. Ato patën
ndihmën e një vargu feudalësh të Kosovës, të cilët autori i këtij raporti i quante
“tradhtarë”. Pastaj kryengritja u shtri edhe në Shqipërinë e Jugut. Ahmet Kurt pasha
i Beratit ndoqi shembullin e Bushatllinjve, i shtyrë nga i njëjti shqetësim për fatin e
Perandorisë Osmane, dhe u ngrit kundër Stambollit, duke u pajtuar dhe duke u
bashkuar me Mahmud Pashën. Kështu forcat ushtarake kryengritëse të dy feudalëve
më të fuqishëm shqiptarë u shtrinë në të gjithë Shqipërinë dhe në Maqedoni.
Nga muaji prill i vitit 1786 e gjer në mars të vitit 1787, kryengritja thuajse nuk
ndeshi në ndonjë qëndresë serioze si nga forcat kundërshtare në Shqipëri, ashtu
edhe nga forcat ushtarake të vezirëve të Rumelisë dhe të Bosnjës. Vezirët e
Rumelisë dhe të Bosnjës, të urdhëruar nga Porta e Lartë, e cila shpresonte se mund
t’i kthente kryengritësit në rrugën e bindjes, mbajtën qëndrim pasiv. Në këto kushte
Bushatlliu përvetësoi të gjitha të ardhurat shtetërore, vuri dorë mbi shtatë barrë të
hollash nga thesarët e Beogradit dhe të Vidinit dhe, me anë të njerëzve të vet, mori
në dorë qeverisjen e viseve të pushtuara. Hovi i papërmbajtur luftarak, trimëria dhe
guximi i rrallë, si dhe fitoret kundër pashallarëve rivalë, bënë që pashai shkodran të
mbiquhej “Kara Mahmud Pasha” (Mahmud Pasha i zi, i tmerrshëm). Mirëpo, kur
Porta e Lartë pa se shpresat për t’i bindur kryengritësit ishin të kota dhe se çifligarët
e tjerë shqiptarë mund të bashkoheshin me ta, mori masa për të përçarë forcat
shqiptare, si edhe për përgatitjen e një ekspedite të madhe kundër Shkodrës. Për
këtë qëllim ajo i kënaqi ambiciet për pushtet të katër personaliteteve politike
shqiptare: Ali pashë Tepelenës i dha qeverisjen e sanxhakut të Tërhallës, Ibrahim bej
Vlorës i dha gradën e pashës dhe sanxhakun e Janinës, Mehmet pashë Çaushollit
qeverisjen e sanxhakut të Shkodrës dhe Mustafa bej Toptanit komandën e
maliqanesë së Durrësit. Më në fund, në mars të vitit 1787, Porta e Lartë arriti të
mënjanonte Ahmet Kurt pashën, duke e helmuar me anë të mjekut të tij, dhe futi të
birin dhe dhëndrin në grindje për trashëgimin e pushtetit. Me këto mënyra ajo arriti
të bënte për vete krerët e Toskërisë dhe t’i shkëpuste ata nga lëvizja kryengritëse e
kryesuar nga Kara Mahmud Pashë Bushatlliu.
U bë e qartë se feudalët e Toskërisë, të tërhequr edhe nga interesat e tyre vetjake,
nuk qenë në gjendje të arrinin në një bashkim politik të qëndrueshëm me ata të
Gegërisë. Kështu, Porta krijoi kushtet e nevojshme për të ndërmarrë ekspeditën e
saj të madhe ndëshkimore kundër Shkodrës. Kjo ekspeditë shërbeu për të përçarë
edhe radhët e feudalëve të Gegërisë, vartës e aleatë të Bushatllinjve.
Megjithëkëtë, Kara Mahmudi nuk hoqi dorë nga rruga e nisur. Për ta fuqizuar
kryengritjen, ai u mundua të tërhiqte në të sa më shumë njerëz nga radhët e
shtresave të gjera popullore. Për këtë qëllim ai premtoi se do të lehtësonte gjendjen
ekonomike të shtresave popullore duke shpallur se do t’i falte nga taksat për 20 vjet.
Ai shfrytëzoi njëkohësisht edhe urrejtjen e trashëguar të shqiptarëve kundër
sunduesve të huaj osmanë, e sidomos emrin e heroit kombëtar të shek. XV, që
vazhdonte të rronte në popull si simbol i luftës për liri dhe e shpalli veten pasardhës
të Skënderbeut. Si pasojë, Mahmud Pasha dhe i vëllai korrën disa fitore ushtarake
kundër Mehmet pashë Çaushollit në afërsitë e Prishtinës dhe kundër Mahmud pashë
Ajdoslliut pranë Shkupit, si dhe bënë një qëndresë këmbëngulëse e me shumë
humbje për armikun në kufijtë e sanxhakut të Shkodrës. Me këto fitore ata arritën të
vononin për disa muaj përparimin e fuqive të shumta ushtarake të Portës drejt
Shkodrës. Por epërsia numerike e forcave osmane, lëkundjet e feudalëve, aleatë të
Bushatllinjve dhe veçanërisht tradhtia e disa funksionarëve të tij, bënë që, në pjesën
e dytë të muajit gusht, t’u dorëzoheshin njëri pas tjetrit forcave detare e tokësore
osmane qytetet e Tivarit, Ulqinit dhe më në fund edhe qyteti i Shkodrës. Kështu
forcat kryengritëse u përçanë. Më 26 gusht, pas vrasjes së Ahmet pashë Bushatlliut
në një pusi, Kara Mahmudi bashkë me 250-300 veta nga më besnikët e tij, u mbyll
në kështjellën e Shkodrës. Ushtria e Portës filloi rrethimin e kështjellës së Rozafës.
Kështu u krijua një gjendje shumë e vështirë për Bushatlliun.
Ndërkohë edhe në radhët e rrethuesve lindën vështirësi serioze, siç qenë ato lidhur
me furnizimin e trupave me municione, ushqime e të holla, që filluan të shfaqeshin
menjëherë pas fillimit të luftës me Rusinë. Këto vështirësi shkaktuan përçarje në
radhët e komandës osmane. Valiu i Rumelisë dhe Mehmet pashë Çausholli morën
masa që t’i nxirrnin ushqimet e nevojshme me anë grabitjesh dhe dhunimesh të
popullsisë vendase. Valiu i Bosnjës dhe komandanti i flotës, bashkë me forcat e tyre,
u larguan nga veprimet luftarake. Kjo përçarje e ndryshoi situatën në favor të
Bushatlliut. Rol vendimtar pati ndërhyrja e qytetarëve të Shkodrës, e fshatarëve
rreth saj dhe e malësorëve të Hotit, të Shalës, të Shoshit, të Postribës etj. Të
zemëruar nga grabitjet, vrasjet dhe nga përdhunimet e kryera prej forcave
ushtarake të valiut të Rumelisë dhe të Mehmet pashë Çaushollit, më 25 nëntor, 8
000 ushtarë vendas u vërsulën njëkohësisht bashkë me garnizonin e kështjellës mbi
rrethuesit dhe i shpartalluan aq keq sa, në Shkodër e nëpër rrugët gjer në Drin,
mbetën rreth gjashtë mijë të vrarë përveç robërve. Ndër të vrarët ishte edhe vetë
Mehmet pashë Çausholli.
Një disfatë të tillë trupat osmane nuk e kishin pësuar prej shumë vitesh në Shqipëri.
Me qëllim që konflikti të merrte fund dhe të mos bëheshin më viktima të një
ekspedite ndëshkimore të re, qytetarët e Shkodrës kërkuan qysh të nesërmen e
fitores që sulltani të falte Kara Mahmudin dhe ky të lironte robërit e të pajtohej me
pushtetin qendror.
Pas shpartallimit të valiut të Rumelisë dhe Mehmet pashë Çaushollit, raporti i ri i
forcave në lëmin ndërkombëtar dhe në pashallëk e vuri Mahmud pashë Bushatlliun
para dy rrugëve: ose të pajtohej me Portën e Lartë, ose të ecte në rrugën e
shkëputjes dhe të lidhej me fuqitë armike të saj për të vazhduar luftën.
Ata feudalë të sanxhakut, që e kishin braktisur dhe tradhtuar gjatë kryengritjes, nuk
përbënin për të një mbështetje të sigurt. Përkundrazi, ata kërkonin nënshtrimin ndaj
sulltanit e madje largimin e Bushatlliut nga pushteti i pashallëkut. Edhe pronarët e
vegjël, që përbënin shumicën myslimane të banorëve të qyteteve, sidomos të
Shkodrës, ndonëse e kërkonin për qeveritar, e kushtëzonin këtë me nënshtrimin e tij
ndaj sulltanit. Në këtë qëndrim ndikuan edhe dëmi që shkaktoi bllokimi i rrugëve
tokësore e detare, i cili paralizoi veprimtarinë ekonomike të qytetit dhe frika e një
ekspedite të dytë. Ndërsa banorët e krishterë dhe në veçanti malësorët të cilët
përbënin shumicën e ushtrisë së Bushatlliut, ishin për vazhdimin e kryengritjes, për
t’u marrë vesh me fuqitë e krishtera armike të Portës, me Rusinë e sidomos me
Austrinë, nën mbrojtjen e së cilës ishte futur kisha katolike. Duke mos pasur më
besim te falja nga ana e Portës dhe duke qenë i bindur për shkatërrimin e shpejtë të
Perandorisë Osmane, Mahmud Pasha prirej për rrugën e dytë.
Ngjarjet e Shkodrës tërhoqën vëmendjen e diplomacisë ruse e austriake, sidomos
pas hyrjes në luftë të Perandorisë Austriake kundër Portës së Lartë, në janar të vitit
1788.
Oborret e Petërsburgut dhe të Vjenës ngarkuan diplomatët e tyre që t’i premtonin
Bushatlliut përkrahje ekonomike e ushtarake për të vazhduar kryengritjen kundër
Stambollit dhe për të marrë pjesë në luftë në ndihmë të veprimeve të tyre
ushtarake. Porta e Lartë, nga ana e vet, u kërkoi shkodranëve kokën e qeveritarit të
tyre, përndryshe Shkodra do të shkatërrohej nga një ekspeditë e dytë dhe banorët e
saj do të trajtoheshin si robër për pesë vjet rresht. Në shkurt të vitit 1788 filluan të
gjallëroheshin pashallarët e Sarajevës dhe të Beratit, si dhe komandanti i maliqanesë
së Durrësit, Mustafa pashë Toptani, që bashkëpunoi me krerët kundërshtarë në
sanxhakun e Shkodrës. Krahinat e Pogradecit, të Shpuzës, të Kuçit dhe të Piprit
ngritën krye me armë, kurse Mustafa pashë Toptani kërcënoi me luftë aleatët e
Bushatlliut në Kavajë e në Tiranë dhe mbylli rrugët.
Me gjithë këtë gjendje të rëndë, Mahmud Pasha me forcat e tij ushtarake arriti të
nënshtronte përsëri krahinat e Veriut, të ndëshkonte krerët e tyre kundërshtarë dhe
ata të qytetit të Shkodrës, që ishin lidhur me ta, dhe të dëbonte nga qyteti një varg
familjesh të dyshimta. Por ai nuk mundi t’u shkonte në ndihmë aleatëve evropianë,
sepse këto ngjarje kishin shkaktuar lëvizje në popullsinë qytetare dhe ai ruhej nga
ndonjë kryengritje në Shkodër.
Në muajin maj të vitit 1788, Mahmud Pasha u takua në kështjellën e Rozafës me një
përfaqësues të ambasadorit rus në Venedik. Në këtë takim Bushatlliu pranoi të
vazhdonte kryengritjen kundër “armikut të përbashkët” (Perandorisë Osmane) dhe u
zotua të lehtësonte hyrjen e trupave ruse në Stamboll, duke pushtuar Shqipërinë
deri në Manastir e një pjesë të Maqedonisë deri në Selanik. Kundrejt kësaj
pjesëmarrjeje në luftë, ai kërkoi t’i jepej një shumë të hollash për të bërë për vete
pashallarët shqiptarë dhe të dërgohej në bregdet një skuadër anijesh luftarake për të
kërcënuar ose, po të ishte nevoja, për të bombarduar ato qytete që do të mbanin
anën e Portës. Gjithashtu ai kërkoi të njihej autonomia e tokave të kontrolluara prej
ushtrisë shqiptare, një autonomi politike e fetare, nën mbrojtjen e fronit perandorak
rus, siç ndodhi me Hanatin e Krimesë. Kjo marrëveshje duhej të miratohej nga
Katerina II e Rusisë.
Ndërsa pritej ky miratim, sipas një kërkese që kishte bërë vetë Bushatlliu me anë të
kryepeshkopit të Tivarit, Gjergj Radovanit, oborri i Vjenës dërgoi përfaqësuesit e vet
në Shkodër. Kjo përfaqësi mbërriti në Shkodër në mesin e muajit qershor,
pavarësisht se diplomatët rusë ishin përpjekur për ta penguar.
Kërkesat e Bushatlliut ishin pothuajse të njëllojta me ato që iu parashtruan
përfaqësuesit rus. Por kërkohej që vendi të vihej jo nën mbrojtjen e Rusisë, por të
shtëpisë së Habsburgëve. Austriakët synonin tërheqjen e forcave të qeveritarit të
Shkodrës, në ndihmë të ushtrive të tyre në luftën për pushtimin e Bosnjës. Por, kur
dërgata austriake mori rrugën e kthimit, forcat kundërshtare të Bushatlliut kapën
dhe vranë të gjithë pjesëmarrësit e saj. Kështu nuk mbeti asnjë shpresë për lidhje
me Vjenën. Petërsburgu nga ana e vet nuk dha përgjigje. Bushatlliut nuk i mbeti
veçse rruga e pajtimit me Portën e Lartë.
Ndërkohë, i detyruar nga rrethanat e luftës, divani i sulltanit kishte ndryshuar
mendim dhe i premtoi Kara Mahmudit faljen dhe gradën e vezirit, në qoftë se ai
merrte pjesë në luftë me forcat e veta në frontin e Bosnjës kundër austriakëve.
Bushatlliu e pranoi këtë premtim, por duke i shkëputur Portës së Lartë qeverisjen e
sanxhakut të Ohrit dhe atij të Elbasanit, si dhe gradën e pashës për të vëllanë,
Ibrahim Beun, dhe për të nipin, Mehmet Beun. Kështu Pashallëku i Shkodrës e
përforcoi përsëri pozitën e vet. Jeta ekonomike filloi të gjallërohej.
Pjesëmarrja e Bushatlliut në këtë luftë, gjersa u nënshkrua me Austrinë traktati i
paqes së Sistovës (4 gusht 1791), i shërbeu përgatitjes për kryengritjen e dytë.
Duke shfrytëzuar gradën e vezirit dhe të kryekomandantit të frontit të Vidinit, Kara
Mahmudi grumbulloi sasi të rëndësishme të hollash dhe armatimesh, të cilat i dërgoi
në Shkodër.
Por lufta nuk vazhdoi më tej. Duke iu trembur përhapjes së ideve të revolucionit
frëng edhe Rusia, ashtu siç kishte bërë më parë Austria, shpejtoi të nënshkruante
traktatin e paqes me Perandorinë Osmane në Jassi, më 2 janar 1792. Kështu shteti
osman shpëtoi nga shkatërrimi. Por kriza e brendshme e tij u thellua më tej, prandaj
sulltan Selimi III filloi përpjekjet për të përqendruar pushtetin e për të modernizuar
ushtrinë. Këto reforma, që njihen me emrin “Nizam-i-xhedid”, nuk përputheshin me
interesat e parisë së provincave. Për rrjedhim, kundër reformave të sulltan Selimit u
organizua me shpejtësi një qëndresë e gjerë e kryesuar nga ulematë dhe nga
feudalët e çifligarët më të fuqishëm të provincave. Mahmud pashë Bushatlliu e Ali
pashë Tepelena ishin nga më kryesorët në Gadishullin Ballkanik.
Pasi u kthye në Shkodër, Bushatlliu dha shenjat e para të një kryengritjeje të dytë.
Ai e filloi atë me një fushatë ndëshkimore e nënshtrimi të feudalëve përkrahës të
Stambollit. Këtë e bëri jo vetëm brenda katër sanxhakëve që përbënin Pashallëkun e
Shkodrës gjer në atë kohë, por edhe në sanxhakët e Prizrenit e të Shkupit, ku, për
shkak të lidhjeve të tyre ekonomike me Shkodrën dhe të prirjeve separatiste të
vezirit të saj, një pjesë e parisë feudale dhe tregtare të këtyre qendrave morën anën
e tij. Kundërshtarët e vezirit shkodran në qytetet e rrethet e Pejës, të Prishtinës, të
Shkupit, të Ohrit dhe të Elbasanit njohën tani goditjen e rëndë të tij që i çoi deri në
shfarosje. Kështu filloi periudha e kryengritjes së dytë, e cila synonte shkëputjen e
plotë nga varësia e Portës. Veziri i Shkodrës tanimë nuk i nënshtrohej fare autoritetit
të Portës. Ai nuk nxirrte më taksa për thesarin perandorak, por i dëbonte gjyqtarët e
Stambollit dhe vetëm fjala e tij ishte ligj. Kjo kryengritje e shkëputi faktikisht pjesën
më të madhe të tokave shqiptare nga perandoria.
Politika e re e Mahmudit shkaktoi një reaksion të fortë, që filloi në gjirin e vetë
familjes së Bushatlliut, te vëllai dhe nipi i tij. Këta u vunë në krye të atij grupi
feudalësh, të cilët ishin kundërshtarë të shkëputjes së vendit nga Perandoria
Osmane, duke e quajtur atë të rrezikshme për jetën, pasuritë dhe për postet e tyre.
Prandaj e braktisën atë. Kjo i dha dorë sulltanit të merrte masa të shpejta. Në fillim
të vitit 1793 ai nisi kundër Shkodrës një ekspeditë ndëshkimore. Ekspedita, e
përbërë nga forcat e shtatë pashallarëve shqiptarë me në krye valiun e Rumelisë,
Beqir Pashën, mundi të mbërrinte në Shkodër vetëm pas tetë muajsh. Pas një
qëndrese të fortë, Mahmud Pasha u detyrua më së fundi të mbyllej në kështjellë më
1787. Edhe këtë herë shumica e parisë vartëse dhe e aleatëve e braktisën, duke u
besuar premtimeve të Portës së Lartë që kishte shpallur se do t’u njihte privilegjet që
kishin. Por fshatarët e malësorët dhe shtresat e gjera qytetare shkodrane, të
shqetësuara nga mundësia e kthimit të anarkisë, nuk ndoqën rrugën e krerëve
feudalë. Të mbushura edhe me urrejtjen e një populli që nuk mund t’i duronte aktet
e dhunshme të pushtuesit të huaj, ato u bashkuan me vezirin kryengritës dhe i
shpartalluan përsëri forcat qeveritare, duke u shkaktuar dëme shumë të rënda.
Përçarja e lëkundjet e aleatëve të vet vendas si dhe frika nga një ekspeditë tjetër e
Portës e detyruan Mahmud Pashën, me gjithë fitoren që korri, të shpallte përsëri
faljen e të gjithë atyre që e kishin braktisur, të lironte robërit e kapur dhe të padiste
vëllanë e nipin si shkaktarë të vërtetë të konfliktit, kurse sulltanin ta paraqiste si
viktimë të mashtrimit të tyre. Ndërkaq, me anën e klerit katolik ai siguroi
ndërmjetësinë e oborrit të Spanjës, për t’i kërkuar falje sulltanit. Por të gjitha këto
veprime, ashtu si edhe më 1787, nuk shprehnin ndjenjat e mendimet e vërteta të tij.
Ndërmjetësimi i përfaqësuesit diplomatik të Spanjës në Stamboll, vështirësitë e
mëdha financiare të perandorisë e, mbi të gjitha, pamundësia e Portës për të
organizuar një ekspeditë te re bënë që në muajin mars të vitit 1795, sulltan Selimi
III t’i jepte Bushatlliut faljen, me kusht që të zotohej se nuk do të ngrinte krye më,
të derdhte në thesarin perandorak shumat e mëdha të taksave të prapambetura nga
e kaluara dhe të pranonte zbatimin e reformave ushtarake e financiare.
Gjersa erdhi falja, Bushatlliu e përforcoi përsëri pozitën e vet dhe i nënshtroi
sanxhakët e Ohrit dhe të Elbasanit duke ua dhënë për qeverisje të vëllait dhe të
nipit, të cilët ishin kthyer në Shkodër e i kishin kërkuar falje. Veziri i Shkodrës i
kërkoi edhe Ali pashë Tepelenës të hiqte dorë nga orvatja e të birit, Myftar Pashës,
për të qeverisur sanxhakun e Ohrit dhe për të vënë dorë mbi sipërmarrjen e
Durrësit. Në vjeshtën e vitit 1795 ai shpartalloi edhe forcat e pashallarëve kosovarë,
të cilët ishin lidhur kundër tij dhe kishin marrë pushtetin në Prizren. Këtë fat pësoi
edhe Jusuf bej Dibra, i cili kishte guxuar të dëbonte nga Dibra qeveritarin e vendosur
prej Bushatlliut.
Këto veprime që ishin në kundërshtim me kushtet e faljes, i acaruan përsëri
marrëdhëniet e Stambollit me vezirin e pabindur të Shkodrës. Por Porta e Lartë, e
mbërthyer nga reaksioni i brendshëm kundër reformave, nuk ishte aspak në gjendje
të merrte masa energjike kundër tij.
Mahmud Pasha e drejtoi tani vëmendjen kundër krahinave malore shqiptare të Kuçit,
të Piprit e të Palabardhit, të cilat, qysh nga lufta ruso-turke e viteve 1787-1792, ishin
bashkuar me Malin e Zi dhe i kishin dalë duarsh vezirit të Shkodrës. I zënë me
ngjarjet e lartpërmendura, Kara Mahmudi nuk kishte pasur kohë të merrej me to.
Kurse tani rrethanat ndërkombëtare kishin ndryshuar. Franca ishte hedhur në sulm
kundër monarkive evropiane, dhe oborret e Vjenës e të Petërsburgut i kishin lënë
mbas dore synimet e tyre në Mal të Zi. Kjo gjendje e re politike i dha mundësi
Bushatlliut të përgatitej për nënshtrimin e tyre. Edhe diplomacia frënge, për të mos
lejuar që Mali i Zi t’i shërbente si bazë politikës ruse e austriake dhe, me qëllim që të
tërhiqte qeveritarin e Shkodrës nga ana e Francës, krijoi lidhje me Bushatlliun me
anë të ambasadorit të saj në Venedik. Gjeneral Bonaparti, i cili pas nënshtrimit të
Italisë Veriore projektonte të pushtonte edhe Dalmacinë, dërgoi në Shkodër në
muajin maj 1796 shtatë specialistë ushtarakë për organizimin më të mirë të ushtrisë
shqiptare si dhe shtatë galera me municione e ushqime për fushatën që Kara
Mahmud Pasha kishte parasysh të ndërmerrte kundër Malit të Zi. Por këto të fundit u
konfiskuan në det prej venedikasve, që dyshonin se fushata e Bushatlliut drejtohej
edhe kundër tokave të tyre.
Në korrik të vitit 1796 tri reparte të sundimtarit të Shkodrës hynë në Mal të Zi.
Malazezët dhe malësorët e tri krahinave shqiptare të lidhur me ta i kishin dërguar
fjalë vezirit të Shkodrës se do të luftonin gjer në pikën e fundit të gjakut po t’i
sulmonte. Dhe me të vërtetë forcat e Bushatlliut ndeshën në një mbrojtje shumë të
fortë, që i detyroi ato të tërhiqeshin dhe që bëri të dështonte sulmi. Në shtator, Kara
Mahmud Pasha e përsëriti sulmin mbi Malin e Zi, por edhe këtë herë ushtria e tij nuk
përparoi dot, kurse ai vetë bashkë me shtabin e tij, në të cilin ishin edhe katër
oficerë francezë, ra në kurth, me sa duket i tradhtuar, u rrethua dhe u vra nga
malazezët (1796).

Rëndësia dhe karakteri i Pashallëkut të Shkodrës

Dëshmitë shkodrane të kohës, të shkruara dhe gojore, duke e cilësuar Kara


Mahmudin “asllan i Shkodrës” e “i madhi Kara Mahmud Pasha” dhe duke e krahasuar
atë “me të shkëlqyeshmin Kastriot”, tregojnë konsideratën që shkodranët
bashkëkohës kishin për të. Vrasja e tij u prit me keqardhje të veçantë në
Pashallëkun e Shkodrës e në Mal të Zi dhe u konsiderua si fatkeqësi për vendin.
Kurse dëshmitë e huaja bashkëkohëse, duke theksuar se Kara Mahmudi “e mbajti
vendin të pavarur gjer në atë shkallë sa u duk se synonte të bëhej sundimtar
absolut”, ose se “talenti i tij, trimëria e tij, pasuria e tij dhe bindja e popullit që
sundonte, kanë treguar përherë pavarësinë e vërtetë të tij”, nxjerrin në dritë se
konsiderata e popullit për “Vezirin e Shqipërisë” lidhej kryesisht me veprimtarinë
politike të ndjekur prej tij e, në radhë të parë, me qeverisjen e pavarur të
Pashallëkut të Shkodrës.
Kara Mahmudi kishte bërë për vete shumicën e popullsisë të Pashallëkut të
Shkodrës, e cila e mbështeti atë fuqimisht dhe i doli zot duke rrëmbyer armët në
çastet më të vështira të konfliktit të armatosur me pushtetin qendror e rivalët e vet
brenda vendit. Kjo tregon se veprimtaria politike e tij pasqyronte aspiratat themelore
të kësaj popullsie, për të jetuar e pavarur nga pushteti i Stambollit dhe se lufta e
banorëve të Pashallëkut të Shkodrës, të udhëhequr prej Kara Mahmudit ishte
vazhdim i luftës së popullit shqiptar kundër zgjedhës së huaj osmane. Pra, synimi
përfundimtar i veprimtarisë së tij politike ishte dobësimi e çrrënjosja e pushtetit
qendror të sulltanit në Pashallëkun e Shkodrës dhe zëvendësimi i tij me pushtetin e
përqendruar të Kara Mahmudit. Me fjalë të tjera, Pashallëku i Shkodrës të
shndërrohej në një shtet feudal shqiptar të pavarur ose dhe vasal të ndonjërës nga
Fuqitë e Mëdha të Evropës, siç treguan projektmarrëveshjet me përfaqësuesit e
Rusisë dhe të Austrisë.
Kara Mahmudi arriti të dobësonte në një shkallë të theksuar pushtetin qendror të
sulltanit në Pashallëkun e Shkodrës. Brenda këtij pashallëku veprohej kryesisht sipas
urdhrave të pashait shkodran, të cilat ishin të detyrueshme për të gjithë banorët,
madje edhe për shtetasit e huaj, ndonëse konsujt e tyre protestonin kur ato urdhra
nuk përputheshin me marrëveshjet e përfunduara midis qeverive të tyre dhe Portës
së Lartë. Kara Mahmudi hyri në bisedime për marrëveshje ushtarake e politike me
fuqitë e krishtera, armike të Perandorisë Osmane dhe, në kundërshtim me ndarjen
administrative të saj e pa pëlqimin e Stambollit, shtriu pushtetin e vet në sfera
administrative-ushtarake të tjera nga ato që i takonin si pasha e si vezir. Këto e të
tjera veprime si këto, ashtu dhe qëndresat e armatosura kundër ushtrive qeveritare
që u dërguan kundër tij, treguan se Bushatlliu kishte marrë rrugën drejt pavarësisë,
se ai kishte krijuar një sundim efektivisht autonom në zotërimet që përfshinin
Shqipërinë Veriore e Verilindore ose mbarë Gegërinë. Vdekja e tij e parakohshme
(1796) nuk e lejoi të realizonte deri në fund synimin për shndërrimin e pashallëkut të
tij në një shtet shqiptar, qoftë edhe tributar apo vasal ndaj Perandorisë Osmane ose
ndaj ndonjë shteti evropian.
Megjithëkëtë, rezultatet kryesore të veprimtarisë politike të Kara Mahmud Pashës,
përhapja e forcimi i lidhjeve ekonomike midis krahinave të Shqipërisë Veriore e
Verilindore dhe bashkimi i tyre nën pushtetin e një familjeje të fuqishme feudale
shqiptare ishin dy hapa të mëdhenj përpara drejt krijimit të shtetit kombëtar
shqiptar. Prandaj veprimtaria e Bushatlliut shënoi një kthesë me rëndësi në historinë
ekonomike e politike të Shqipërisë.

3. PASHALLËKU I JANINËS NË VITET 1787-1812


Lufta për pushtet në Shqipërinë Jugore

Ashtu si në Shqipërinë Veriore, edhe në atë Jugore, anarkia nxiti veprimtarinë


politike të familjeve të vjetra feudale, të cilat ishin nga më të fuqishmet. Në
sanxhakun e Vlorës familjet rivale për pushtetin lokal ishin ajo e pashallarëve të
Vlorës dhe dega e tyre, familja e Velabishtajve, që ishte vendosur në fshatin
Velabisht, afër Beratit. Që të dyja përpiqeshin të shtinin në dorë jo vetëm pushtetin e
sanxhakut të Vlorës, por edhe atë të sanxhakut të Delvinës. Në gjysmën e parë të
shek. XVIII më shpesh sunduan pashallarët e Vlorës, por, me lidhjet që krijoi
Mahmud pashë Velabishti me feudalët e vegjël të Tepelenës, të Përmetit, të
Skraparit etj., edhe ky nuk mbeti pa e marrë pushtetin kohë mbas kohe. Që nga viti
1751 e gjer nga vjeshta e vitit 1759 sanxhakun e Vlorës dhe, shpeshherë, edhe atë
të Delvinës, i qeverisi i biri i Mahmud pashë Velabishtit, Ismail Pasha, i cili përkrahej
nga një shtëpi tjetër feudale, ajo e Ngurzajve, përfaqësuesit e së cilës ishin nga
ajanët kryesorë në Myzeqe. Në vitin 1754 Porta i dha Ismail Pashës gradën e vezirit
bashkë me qeverisjen e sanxhakut të Ohrit dhe me komandën e derbendëve. Ajo
synonte që, duke bashkuar nën urdhrat e tij sa më shumë forca feudale vendase, të
nënshtronte popullsinë e Shqipërisë Jugore, dhe kështu të mund të kryhej vjelja e
taksave shtetërore, sepse banorët e disa zonave malore kishin vite të tëra pa paguar
taksat.
Ismail Pasha, sikurse edhe i ati, përveç lidhjeve me feudalët beratas e myzeqarë,
ruajti edhe lidhjet që vazhdimisht kishte pasur familja e tij me feudalët e vegjël të
zonave malore, shumica e të cilëve komandonte reparte ushtarësh me rrogë, aq të
nevojshëm për të ruajtur grykat dhe rrugët.
Më 1758 sulltani urdhëroi vezirin e Beratit të nisej vetë në krye të një ekspedite për
të vjelë taksat në sanxhakët e Vlorës dhe të Delvinës dhe “për të nënshtruar rebelët,
duke vendosur kështu rendin e qetësinë”, por në të njëjtën kohë, kinse për t’i lënë
vezirit duart e lira, e shkarkoi atë nga komanda e derbendëve, që e bënte shumë të
fuqishëm dhe të rrezikshëm. Meqë ky urdhër çonte në shkatërrimin e mbështetjes së
vezirit të Beratit në zonat malore të dy sanxhakëve dhe u jepte dorë Vlorajve që të
bënin për vete malësorët derbendxhinj, Ismail Pasha nuk iu bind atij. Valiu i
Rumelisë, më 1759, dërgoi kundër tij zëvendësin e vet. Atëherë Ismail Pasha u
arratis bashkë me tre besnikë, ndër të cilët ishte i kunati, Ahmet Kurt beu i
Ngurzajve.
Meqenëse familja e Vlorajve e përfaqësuesit e Stambollit nuk gjenin mbështetje nga
ajanët vendas, Porta e Lartë u detyrua ta falte Ismail Pashën në vjeshtën e vitit 1761
dhe t’i njihte atij privilegjet që gëzonte dy vjet më parë. Edhe ky, meqë nuk ishte në
gjendje t’u imponohej feudalëve beratas e myzeqarë, e pranoi faljen. Por Ismail
Pasha nuk e la pa shfrytëzuar këtë dobësi të pushtetit qendror për të nënshtruar
krahinën e Vlorës bashkë me pinjollët e familjes së Vlorajve, që ishin të mitur dhe
nën tutelën e nënës së tyre, të vesë së Kapllan pashë Vlorës, kushëririt të tij. Në
fillim të gushtit, Ismail Pasha u nis nga Berati me forcat e veta dhe hyri në qytetin e
Vlorës pa luftë. Për t’ia arritur qëllimit, kërkoi dorën e vejushës së të kushëririt. Kjo e
la me shpresën se pranonte të martohej me të, por ndërkohë përgatiti kurthin për ta
vrarë. Kështu Ismail Pasha u rrethua prej forcave të saj në shtëpinë ku u vendos
dhe, në luftim e sipër, u vra.
Vezir Ismail pashë Velabishtin e zëvendësoi i kunati, Ahmet Kurt pasha, që qeverisi
sanxhakun për njëzet vjet rresht. Duke ruajtur pushtetin e vet, ky feudal ndoqi në
përgjithësi një politikë bindjeje ndaj Stambollit dhe një politikë paqësore me
oxhakun e Vlorajve. Ahmet Kurt pasha si derbend-pashë mbrojti interesat e
feudalëve çifligarë dhe ndoqi pa mëshirë feudalët e vegjël, si dhe lëvizjet e tyre
rebele kundër qyteteve, mukatave dhe pronave të çifligarëve të mëdhenj. Një nga
viktimat e sulmeve grabitqare të tyre, gjatë luftës ruso-turke të viteve 1768-1774, u
bë qyteti tregtar i Voskopojës.
Edhe në sanxhakët e Delvinës e të Janinës u zhvillua një luftë e gjatë dhe e ashpër
për pushtet midis familjeve të mëdha vendase, e cila e futi Shqipërinë Jugore në një
anarki të rëndë me rrjedhoja shkatërrimtare, veçanërisht për zhvillimin ekonomik.
Kjo gjendje u dha mundësi disa familjeve më të vogla feudale të përfitonin për t’u
fuqizuar dhe, duke marrë pjesë në grupet rivale, të krijonin tarafet e veta dhe të
pretendonin për marrjen e pushtetit krahinor në duart e tyre. Një nga këto familje u
bë ajo e Hysove të Tepelenës, e cila i përkiste shtresës së komandantëve ushtarakë
apo të bylykbashëve, d.m.th. shtresës së atyre shtëpive feudale të zonave malore që
nuk kishin prona të shumta tokësore. Këto mbaheshin e pasuroheshin kryesisht duke
pajtuar e drejtuar njerëz me rrogë në shërbim të forcave të armatosura perandorake
dhe të qeveritarëve të sanxhakëve brenda apo jashtë Shqipërisë, ose duke marrë
nën mbrojtje fshatra e krahina kundrejt shpërblimesh. Ndryshe nga ç’pretendohet në
disa gojëdhëna që i paraqisin me prejardhje anadollake, meqenëse i pari i tyre paska
qenë një dervish i arratisur për krime nga rajoni i Anadollit, Hysot vinin nga një
shtëpi e vjetër labe, të parët e së cilës kishin qenë të krishterë, por që u islamizuan
pas pushtimit osman. Me rrënjë të vjetra në krahinën e Tepelenës, Hysot u dalluan si
shtëpi bylykbashësh në fundin e shek. XVII, pikërisht kur Perandoria Osmane filloi të
mbushte radhët e forcave të armatosura të saj me ushtarë me pagesë. Përfaqësuesi
i saj në mbarim të shek. XVII deri në mesin e dhjetëvjetorit të dytë të shek. XVIII
ishte Mustafa agë Hysoja ose Muço Hysoja. Në dokumentacionin e kohës ai
përmendet herë si çaush jeniçerësh e herë si dizdar i kështjellës së Tepelenës, por
kryesisht përmendet si një aga i pasur e i fuqishëm që ndiqej prej disa qindra
trimash luftëtarë. Ai njihej gjithashtu si rebel dhe si një nga krerët e kryengritjes së
Labërisë në vitet 1704-1714 për të mos paguar xhizjen, ndërsa djemtë e tij dalin si
sipërmarrës të kësaj takse të rëndësishme shtetërore në krahinën e Myzeqesë dhe të
Mallakastrës, të cilën mund ta vilnin, sidomos në periudhën e anarkisë feudale,
vetëm feudalët më të fuqishëm. Muço Hysoja ishte një nga krerët labë më në zë dhe
shtëpia e tij, njëra nga më të shquarat e Labërisë, që kishte filluar të ngjiste shkallët
e hierarkisë së lartë administrative dhe të rivalizonte me oxhaqet kryesore të
Shqipërisë Jugore në luftën për pushtetin politik.
Pjesëmarrja e Myftar bej Hysos si komandant ushtarak me rrogë në luftën veneto-
osmane të viteve 1714-1718 dhe vrasja e tij në rrethimin e kështjellës së Korfuzit në
vitin 1716 e rritën rolin e të birit, Veli Beut, si pretendent për kreun e sanxhakut të
Delvinës. Ky pinjoll i Hysove, që kishte hyrë dhëndër në oxhakun e Mahmud pashë
Konicës, arriti të ngrihej në radhët e mirmiranëve dhe në mesin e shek. XVIII u
emërua qeveritar i sanxhakut të Delvinës me gradën pashë. Por grindjet për pushtet
vijuan dhe u acaruan më tej, prandaj Veli pashë Hysoja nuk qëndroi gjatë në
pushtet. Pas vdekjes së tij, rivalët mundën të kapnin edhe të venë e tij që e
burgosën për disa muaj në qytetin e fortifikuar të Kardhiqit, për ta liruar pastaj
kundrejt një shpërblimi e garancish të miqve të shtëpisë së Hysove. Sidoqoftë kjo
shtëpi tashmë ishte në radhët e oxhaqeve shqiptare. Nën drejtimin e Ali Beut, djalit
të Veli Pashës, ajo do të bëhej shtëpia më e fuqishme e Shqipërisë Jugore dhe e
gjithë Shqipërisë.
Stërnipi i Muço Hysos dhe djali i Veli Pashës, Ali Beu, nuk e filloi karrierën e tij si
hajdut rrugësh, sikurse mëtohet në gojëdhënat që janë pasqyruar në shumicën e
literaturës së shkruar për jetën e Ali pashë Tepelenës (1740-1822), e sidomos për
dyzetë vitet e para të jetës së tij. Përkundrazi, ai u rrit e u edukua si të gjithë djemtë
e tjerë të oxhaqeve feudale të kohës së vet. Ali Beu u arsimua si një bir pashai dhe,
duke u ndihmuar nga të afërmit dhe sidomos nga miqtë e shtëpisë së vet, që e
kishin lidhur të ardhmen e tyre me atë të kësaj shtëpie të dëgjuar, u vu shpejt në
krye të formacioneve ushtarake me pagesë të krahinës së vet aq të kërkuara nga
qeveritarët e ndryshëm të sanxhakëve e sidomos nga valiu i Rumelisë. Si i tillë, ai u
lidh me krushqi dyfishe me oxhakun feudal të Asllanpashallive të Gjirokastrës më
1768 dhe u bë një nga prijësit ushtarakë më të dëgjuar. Pa arritur moshën 40 vjeç,
ai fitoi më 1784 gradën pashë në rreshtat e ushtrisë perandorake të Rumelisë. Po atë
vit, për shkak se Selim pashë Koka kishte uzurpuar pushtetin e sanxhakut të
Delvinës duke vrarë tre vjet më parë Mustafa Pashën e Delvinës, Porta e Lartë e
emëroi mytesarif të këtij sanxhaku. Me këtë rast ai u urdhërua nga sulltani që, pasi
të shtinte në dorë pushtetin, të ndëshkonte me vdekje fermanliun Selim pashë
Kokën e përkrahësit e tij kryesorë dhe të vilte me forcë xhizjen e papaguar nga
krahinat malore. Në krye të një fuqie ushtarake të madhe, me luftë dhe aspak me
pabesi, pashai i ri zbatoi urdhrat e Portës së Lartë dhe në fundin e vitit 1784 mori në
dorë pushtetin e sanxhakut të Delvinës. Pas të atit ai u bë pashai i dytë i familjes së
Hysove që qeverisi këtë sanxhak. Edhe Aliu, që i përkrahu djemtë e Selim Pashës,
nuk lejoi t’u konfiskoheshin çifligjet dhe nuk i arrestoi e i burgosi ata, siç
pretendojnë, pa asnjë bazë, gojëdhënat, nuk u kufizua vetëm me sundimin në këtë
sanxhak. Të ardhurat e atij sanxhaku të vogël nuk mjaftonin për të përballuar
shpenzimet e ushtrisë së tij mjaft të madhe, prandaj Aliu synonte të shtinte në dorë
sanxhakët më të rëndësishëm. Qysh në fillim të vitit 1785 kërkoi qeverisjen e
sanxhakut të Tërhallës ose atë të Janinës. Më 1786 atij iu dha qeverisja e sanxhakut
të Tërhallës dhe detyra e zëvendëskomandantit të derbendëve, kurse në mars të vitit
1787, kur vezir Ahmet Kurt pasha i Beratit vdiq i helmuar si aleat i Mahmud pashë
Bushatlliut, atij iu besua detyra e komandantit të derbendëve. As i biri i vezirit të
helmuar, Mehmet Pasha i Ngurzajve, dhe as kunati i këtij, Ibrahim Pasha i Vlorajve,
që hynë në grindje midis tyre për punën e trashëgimit të pushtetit në sanxhakun e
Vlorës, nuk ishin në gjendje të kryenin atë detyrë. Por Ibrahim Pasha, i cili arriti të
merrte pushtetin në Berat, nuk mungoi ta kërkonte postin e derbend-pashës dhe të
rivalizonte me Ali Pashën për një kohë të gjatë.
Duke përfituar nga mungesa e mytesarifit të sanxhakut të Janinës, Alizoi Pashës, që
ishte larguar nga Shqipëria dhe ishte dërguar në frontin e luftës me Rusinë, pasi u
mor vesh me Tahir Pashën e Asllanpashallive (që i kishte dhënë Aliut vajzën e vet
për grua të dytë) dhe, duke pasur përkrahjen e shtresave të pasura të qytetit e të
rrethit të Janinës që shihnin tek ai të vetmin qeveritar, që mund të vendoste e të
ruante qetësinë, ashtu siç kishte bërë në Thesali, Ali Pasha i Tepelenës hyri në Janinë
dhe vendosi sundimin e vet në fund të vitit 1787. Ai e vlerësonte drejt Janinën kur e
quante “kyç të Shqipërisë”. Janina prej kohësh priste një qeveritar si ai për t’u bërë
me të vërtetë kyç jo vetëm nga pikëpamja strategjike e administrative, por edhe nga
ana ekonomike, duke u shndërruar në qendër e tregut ndërkrahinor të Shqipërisë
Jugore.
Janina, qendër e tregut ndërkrahinor të Shqipërisë Jugore

Qyteti i Janinës ishte vendosur në krye të një fushe pjellore, e përmendur si e tillë
qysh në antikitet dhe anash një liqeni të pasur me peshk. E mbrojtur prapa e anash
prej malesh të larta, në afërsi të detit Jon dhe duke qenë nyje e gjashtë rrugëve
tregtare që e lidhnin jo vetëm me qytetet e tjera të Shqipërisë, por edhe me
Maqedoninë e Greqinë, ajo i kishte të gjitha kushtet e duhura gjeografike dhe
ekonomike për t’u bërë një qendër shumë e rëndësishme administrative dhe
ekonomike.
Zejtaria dhe tregtia e Janinës, të ushqyera gjithnjë e më mirë me lëndë të para
bujqësore e blegtorale nga tepricat e fshatarësisë si dhe nga të ardhurat e pronarëve
çifligarë, u gjallëruan pa ndërprerje aq sa në gjysmën e dytë të shek. XVII udhëtarët
evropianë e quajtën atë “qytet i pasur e tregtar”. Por në kushtet e anarkisë feudale
që mbuloi gjithë Shqipërinë Jugore, sidomos gjatë shek. XVIII, ritmet e zhvillimit të
qytetit të Janinës u ngadalësuan. Megjithëse me shumë vështirësi e pengesa,
ekonomia e këtij qyteti i ruajti lidhjet e veta me tregjet e panairet e brendshme dhe
të jashtme, prapëseprapë kapitali tregtar janinot nuk gjente kushte të merrte frymë
lirisht për të luajtur rolin e një qendre tregtare ndërkrahinore, sikurse qyteti i
Shkodrës në Shqipërinë Veriore. Ndryshe nga Shkodra, Janina nuk kishte një pushtet
të fortë që t’i vinte fre anarkisë feudale dhe i mungonte bregdeti me qytete-skela për
të forcuar e zgjeruar si lidhjet e brendshme, ashtu dhe ato të jashtme. Dalja në det
me anë të skelës së Salahorës në Gjirin e Artës ishte krejt e pamjaftueshme.
Zotërimet venedikase, ku gjendeshin portet e Vonicës, Prevezës, Pargës etj., dhe
politika monopoliste tregtare e lundruese e sundimtarëve të tyre ishin me të vërtetë
pengesa serioze që i zinin frymën. Mallrat, që tregtarët vendas grumbullonin sidomos
në trevat e Janinës e të Artës si dhe tepricat e atyre që sillnin nga Thesalia ose
krahinat e tjera të Rumelisë, nuk mund t’i shisnin drejtpërdrejt në ishullin e madh të
Korfuzit e në ishujt e tjerë. Venedikasit nuk lejonin anije të huaja e, rrjedhimisht,
edhe tregtarë të huaj të hynin në skelat e tyre të bregdetit Jon, me qëllim që të
zbatonin deri në fund politikën e vartësisë ekonomike të këtyre ishujve nga tregtia e
lundrimi venedikas. Kështu tregtarët janinotë ose të qyteteve të tjera detyroheshin
që mallrat e tyre t’i shpinin e t’i shisnin në portet venedikase të bregdetit ku gjenin
vetëm tregtarë e lundërtarë venedikas. Mallrat që grumbullonin në pazaret e
panairet e sanxhakëve fqinjë, veçanërisht në atë të Magarës, të Larisës e të
Mavronorosit, ata detyroheshin t’i shpinin në portin e Selanikut meqenëse aty, edhe
pse kishin të bënin kryesisht me tregtarët e lundërtarët venedikas që luanin rolin
kryesor në jetën ekonomike të portit, gjenin kushte më të favorshme për shitblerje e
për transport, por edhe anije e tregtarë të tjerë të huaj. Edhe për të blerë mallra
industriale, tregtarët vendas detyroheshin të plotësonin kërkesat e veta kryesisht në
pjacën e Venedikut, megjithëse e dinin që aty këto mallra u shiteshin me çmime më
të larta se në pjacat e tjera të Adriatikut. Prandaj janinotët e sidomos shtresat e
pasura të tyre i kishin sytë nga bregdeti dhe prisnin që gjendja e tij të ndryshonte
dhe të merrte fund politika e venedikasve.
Pengesë tjetër që rrezikonte jetën dhe kapitalin ose që kapërcehej me shpenzime të
rënda ishte pasiguria e rrugëve të karvanëve, që vinin nga tregjet e sanxhakëve
fqinjë dhe sidomos nga ata të Delvinës e të Vlorës. Çetat grabitqare të himariotëve
dhe sidomos ato të feudalëve labë e çamë dëmtonin shpesh qarkullimin e mallrave
dhe nuk lejonin forcimin e lidhjeve ekonomike të qytetit të Janinës me Gjirokastrën,
Delvinën, Paramithinë, Margëllëçin etj. Por jo më pak dëm bënin edhe çetat
grabitqare të suliotëve në rrugët e tjera tregtare që vinin nga Thesalia, Akarnania
etj. Anarkia feudale që ishte bërë plagë e rëndë për të gjithë vendin, duhej frenuar si
një nevojë e domosdoshme për zhvillimin ekonomik, politik dhe kulturor.
Ardhja e Ali pashë Tepelenës në krye të sanxhakut të Janinës (1787) shqetësoi jo
vetëm feudalët e vegjël, të cilët ose iu nënshtruan ose u arratisën, por edhe
qeveritarët fqinjë dhe kapedanët e malësive të vetëqeverisura. Këta shihnin tek ai
njeriun e fortë dhe të etur për pasuri e pushtet, i cili, duke pasur funksionin e
derbend-pashës, do të orvatej të shtrinte autoritetin e tij mbi sanxhakët e tyre dhe
do t’u vinte fre veprimeve anarkiste, së pari në sanxhakun e Janinës e pastaj edhe
në të tjerët. Edhe autoritetet venedikase nuk u shqetësuan më pak, duke parë tek ai
mbrojtësin e interesave ekonomikë të vendit në dëm të tregtarëve e të lundërtarëve
venedikas, sikurse kishin bërë e po bënin qeveritarët e fuqishëm të Shkodrës.
Alarmin e parë tek ata e dhanë zënia prej tij e sipërmarrjes së të ardhurave të Artës
e të doganës së Salagorës, si dhe përpjekjet e tij për të ndërtuar fortifikime në këtë
skelë që të mbroheshin anijet osmane kundër orvatjeve të vazhdueshme të atyre
venedikase, të cilat vepronin lirisht në Gjirin e Artës. Duke mos dashur të kishin një
sundimtar të fuqishëm, i cili pa ardhur mirë në fuqi i hodhi sytë drejt bregdetit,
diplomatët venedikas u përpoqën ta luftonin si brenda vendit, duke nxitur kapedanët
suliotë e feudalët çamë të vijonin veprimet e tyre grabitqare e kundërshtimet ndaj
tij, si dhe besëlidhjet e qeveritarëve fqinjë kundër tij. Venedikasit ndërhynë
gjithashtu pranë Portës së Lartë, duke e paraqitur veprimtarinë e Ali Pashës për të
vendosur rregullin e qetësinë tepër të rrezikshme për pushtetin qendror të sulltanit.
Përveç kësaj, me qëllim që të mënjanonin kërcënimin që mund t’u bënte Aliu nga
toka, ata arritën të përfundonin me Portën e Lartë një marrëveshje, e cila ndalonte
kalimin e anijeve luftarake në ngushticën e Korfuzit pa lejën e tyre si dhe ndërtimin e
fortifikimeve ushtarake në afërsi të zotërimeve venedikase.
Vështirësitë që i krijuan Ali Pashës kundërshtarët vendas e të huaj të cilët u lidhën
kundër tij, u kapërcyen pas përpjekjeve që vazhduan për një kohë mjaft të gjatë. Ali
Pasha qysh në vitet e para vendosi autoritetin e vet në rrugët që lidhnin Janinën me
Artën e Manastirin përveç atyre me Thesalinë; por atij iu deshën dhjetë vjet që të
vendoste lidhjet me një pjesë të qyteteve të sanxhakut të Delvinës ose të shtinte në
dorë bregdetin nga Butrinti në Prevezë, përveç qytetit të Pargës, që kaloi në duart e
francezëve e pastaj të rusëve. Për të siguruar kalimin e qetë të karvaneve në zonën
lindore e juglindore të sanxhakut të Janinës, ku vepronin çetat suliote, atij iu deshën
plot gjashtëmbëdhjetë vjet luftë, kurse për të vendosur sundimin e plotë mbi
sanxhakun e Delvinës e të Vlorës iu deshën rreth njëzet e pesë vjet. Sidoqoftë, me
këmbënguljen e tij të jashtëzakonshme dhe duke përfituar me zgjuarsi nga rrethanat
politike të brendshme e të jashtme, Ali Pasha mundi t’ia arrinte qëllimit të vet, t’i
jepte thuajse fund anarkisë dhe të vendoste sundimin e tij mbi bregdetin shqiptar,
nga gryka e Shkumbinit deri në Gjirin e Prevezës.
Në këtë mënyrë tregtisë së jashtme të Pashallëkut të Janinës iu krijuan mundësitë e
nevojshme që të lidhej me skelat mesdhetare evropiane të Lindjes. Kështu
drithërave, mishit, lëkurëve, leshit, serës e prodhimeve të tjera vendase dhe atyre të
sjella nga sanxhakët fqinjë e nga pjesa e brendshme e Rumelisë, iu sigurua
qarkullimi më i qetë nëpër rrugët tokësore, iu krijua mundësia të vinin në skelat
bregdetare të pashallëkut; prej këtej ato niseshin me anije ulqinake e hidriote, si dhe
me ato të flotës tregtare të Ali Pashës në drejtim të ishujve Jonianë, të Stambollit e
të Aleksandrisë dhe sidomos në drejtim të Maltës, të Venedikut, të Ankonës, të
Triestes, të Raguzës etj. Nga këto vende sillnin prodhime industriale e koloniale që
mbërrinin në depot e tregtarëve janinjotë në Prevezë, Gumenicë, Salshorë e sidomos
në Artë e Janinë, prej nga shpërndaheshin në qytetet e tjera të pashallëkut ose edhe
të Rumelisë.
Në tregun e Janinës dhe dy herë në vit në panairin e Bonilas, një milje larg saj,
përveç shqiptarëve, vinin për shitblerje edhe tregtarë të kombësive të ndryshme,
madje edhe ata që më parë frekuentonin Beratin e Manastirin. Kështu, duke u
shndërruar në një qytet zejtar e sidomos tregtar të dorës së parë si dhe në një
qendër administrative të një pashallëku të madh, Janina u bë qendra e tregut
ndërkrahinor të Shqipërisë Jugore, si edhe të krahinave fqinje. U rrit dhe u fuqizua
borgjezia tregtare, veçanërisht në këtë qytet, si dhe në qytetet e tjera që
përfshiheshin në radhë të parë në rrezet e kapitalit janinjot. Por, pjesa dërrmuese e
kapitalit tregtar gjatë sundimit të Ali Pashës gjendej në duart e pronarëve të
mëdhenj të tokës e të bagëtive; edhe mjetet kryesore të qarkullimit i përkisnin po
shtresës feudale (një pjesë e së cilës merrte pjesë në veprimtarinë ekonomike me
anë të kreditit e të ortakërisë). Në këto rrethana, borgjezia tregtare ishte në
përgjithësi e varur ekonomikisht prej tyre. Vetëm ata janinjotë që u vendosën në
Lajpcig, në Vjenë, në Bukuresht, në Moskë e gjetiu u shkëputën nga kjo vartësi.
Rrjedhojat e pasurimit të dy shtresave të pasura shoqërore u dukën në qytetin e
Janinës si dhe në qytetet e tjera sidomos në ndërtimet publike me karakter urban
dhe ekonomik, si dhe në ndërtimet private. Rrugët u mbushën me ura e hane që
shprehnin gjallërinë e lidhjeve ekonomike me Janinën. Hani i Luros i gjerë, i lartë e i
madh sa një pallat në rrugën Prevezë-Janinë u ndërtua nga Ali Pasha, i cili po në
këtë rrugë ndërmori edhe gërmimin e kanalit lundrues të Strevinës që afroi tregtinë
detare me Janinën. Në rrugën Tepelenë-Janinë ai ndërtoi edhe urën e madhe të
Tepelenës mbi lumin Vjosë. Në qytetin e Gjirokastrës ndërtoi ujësjellësin, kurse në
Janinë sarajet madhështore të tij e të bijve të tij, dhe në një varg qytetesh ose
çifligjesh vila të bukura e komode ku pushonte sa herë largohej nga Janina. Por edhe
përfaqësues të tjerë të shtresave të pasura, në një mënyrë ose në një tjetër, arritën
të plotësonin nevojat komunale të qytetit të tyre, shtruan me kalldrëm copa rrugësh,
ndërtuan çezma etj. Megjithëse Janina u bë qyteti, ku për herë të parë u zbatua
vaksinimi, u luajtën aty-këtu pjesë teatrale dhe u organizuan biseda sallonesh me
karakter kulturor, prapëseprapë ajo ruajti pamjen orientale në arkitekturën e
ndërtimit dhe të urbanizimit. Sidoqoftë, Janina u bë një qytet i gjallë që gumëzhinte
nga veprimtaria ekonomike dhe ajo administrative e aparatit të sundimtarit energjik
të saj, nën qeverisjen e të cilit arriti kulmin e zhvillimit të vet edhe nga pikëpamja
demografike.
Disa nga dëshmitarët e kohës e çonin numrin e banorëve të kryeqytetit të
pashallëkut të Shqipërisë Jugore deri më 50 000 frymë, por të tjerë që përbënin
shumicën, midis të cilëve edhe ata që jetuan aty disa vjet me radhë, pohonin se
Janina nuk mund të kishte më shumë se 35-36 000 banorë, nga të cilët vetëm 25-28
000 ishin të qëndrueshëm. Nga këta 2/3 ishin të krishterë kurse 1/3 myslimanë. Të
krishterët i përkisnin kombësisë shqiptare, vllahe, greke etj., kurse myslimanët
thuajse të gjithë ishin shqiptarë. Midis banorëve të qëndrueshëm nja 400 familje
ishin hebrenj. Banorët e përkohshëm të Janinës përbëheshin në radhë të parë nga
ushtarët shqiptarë në shërbim të Ali Pashës, nga pengjet e ndryshme të krahinave,
nga tregtarët klientë dhe nga të huajtë kalimtarë. Fakti që elementi shqiptar mbante
pozitat drejtuese administrative dhe ushtarake dhe kishte epërsi si numër banorësh,
të qëndrueshëm e të përkohshëm, i jepte Janinës më shumë pamjen e një qyteti
shqiptar se sa të përzier.

Formimi i Pashallëkut të Janinës (1787)

Në mbarim të vitit 1787, kur Ali pashë Tepelena vuri në dorë sundimin e Janinës, në
Shkodër kishte dështuar ekspedita e parë ndëshkimore kundër Kara Mahmud
Pashës. Po në këtë kohë ose më saktë në fillim të vitit 1788 hyri në luftë kundër
Perandorisë Osmane edhe Austria. E gjetur në luftë me Rusinë dhe me Austrinë,
Porta e Lartë e miratoi shtrirjen e qeverisjes të Aliut në sanxhakun e Janinës, jo
vetëm pse kishte nevojë të madhe për forcat e tij luftarake, por edhe pse me këtë
veprim ajo synonte që të pengonte mundësinë e marrëveshjes së dy pashallarëve të
fuqishëm shqiptarë, të cilët dy vjet më parë kishin qenë aleatë, dhe të ndalonte
kalimin e tyre në anën e Fuqive të Mëdha.
Shtrirja e pushtetit të Ali pashë Tepelenës edhe në sanxhakun e Janinës, ose
përqendrimi i qeverisjes së sanxhakëve të Tërhallës e të Janinës në një dorë të
vetme, krijoi bërthamën e Pashallëkut të Janinës (1787). Ky përqendrim i dha dorë
parisë feudale shqiptare të bëhej klasë sunduese edhe nga pikëpamja ekonomike,
duke u shndërruar pronare e pjesës më të madhe e më të rëndësishme të kullotave,
të pyjeve dhe të tokës së punueshme të këtyre dy sanxhakëve. Kështu u krijua baza
nga e cila kjo pari, nën drejtimin e Ali Pashës, mundi të shtrinte pushtetin e vet mbi
të gjitha trojet e Shqipërisë Jugore.
Ndërsa pas nënshkrimit të traktatit të paqes së Kyçyk Kajnarxhisë, më 1774, besimi i
çifligarëve shqiptarë te qëndrueshmëria e Perandorisë Osmane vetëm sa kishte
filluar të tronditej, pas 15 vjetësh, kur ajo kishte hyrë në luftë kundër dy perandorive
më të fuqishme evropiane, që synonin ta copëtonin, mosbesimi u rrit bashkë me
theksimin e rrezikut të shembjes së saj të afërme.
Ashtu si pjesa kryesore e ajanëve shkodranë, përkrahës të vezirit Bushatlli, edhe
shumica e ajanëve të Shqipërisë Jugore, mbi të cilët mbështetej Ali pashë Tepelena,
kujtonin se lufta e Rusisë dhe e Austrisë kundër Perandorisë Osmane do të sillte
ndryshime të rëndësishme politike në pjesën evropiane të kësaj perandorie të kalbur
nga brenda. Duke menduar për të ardhmen e tyre, por në të njëjtën kohë edhe për
fatin e vendit ku sundonin, krerët e parisë shqiptare synonin që, pas dëbimit të
osmanëve, të ruanin pushtetin në atë pashallëk ku kishin pronat e tyre. Në
përshtatje me këto interesa jetike u rrit në radhë të parë bashkimi i shtresës së
çifligarëve rreth Aliut, i cili përcaktoi, sipas rrethanave, vijat e politikës së
pashallëkut të ri.
Në politikën e brendshme Ali Pasha veproi me shkathtësi të madhe, për të mos i
lejuar familjet e vjetra feudale, të cilat kishin qenë mbështetja kryesore e Portës së
Lartë, të bashkoheshin kundër tij. Prandaj, ai i goditi me shpejtësi duke shkatërruar
jo vetëm pushtetin e tyre politik, por edhe atë ekonomik. Për të krijuar një bazë sa
më të gjerë e më të shëndoshë shoqërore, Ali Pasha siguroi mbështetjen e familjeve
të vjetra kundërshtare që sundonin në sanxhakun e Janinës, duke u dhënë atyre jo
vetëm ofiqe në administratë e në ushtri, por edhe prona e pasuri të konfiskuara të
feudalëve të vrarë, të kapur apo të arratisur. Në këtë mënyrë, bashkëluftëtarët e
vjetër dhe të rinj të pashait tepelenas, sikurse edhe vetë ai, e rritën pasurinë e tyre
dhe nuk mbetën rrogëtarë apo shërbëtorë të tij, siç pretendohet në ndonjë studim pa
asnjë mbështetje dokumentare. Për më tepër, kjo shtresë e re sunduese, e përbërë
thuajse tërësisht nga shqiptarë, duke përdorur të gjitha format, e shpejtoi ritmin e
procesit të çifligimit dhe e shtoi numrin e çifligjeve që kishte në zotërim. Vetë Ali
Pasha u bë çifligari më i madh. Ndryshe nga ajanët me origjinë feudale-ushtarake të
shtresave të larta dhe nga ata që më parë u pasuruan, e pastaj vunë në dorë
pushtetin, paria sunduese e sanxhakëve të Janinës dhe të Tërhallës me Ali Pashën në
krye e shumëfishoi pasurinë pasi mori pushtetin në duart e veta.
Mirëpo ekonomia çifligare lidhej ngushtë me ekonominë qytetare. Edhe Ali pashë
Tepelena, ashtu si Mahmud pasha i Shkodrës, ishte i interesuar për një zhvillim të
shpejtë të ekonomisë qytetare që përbënte një burim tjetër të madh pasurimi.
Prandaj ai e përdori pushtetin politik në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit.
Pasi zhduku një numër familjesh të mëdha feudale, ai shpartalloi, dëboi jashtë
kufijve ose i nënshtroi duke i futur në shërbimin e tij thuajse të gjitha bandat, që
mbillnin pasigurinë ndër banorët ose që pengonin me grabitjet e tyre qarkullimin e
lirë të mallrave. Me përjashtim të viseve përreth malësisë së Sulit, ku kohë më kohë
sulmonin çetat e suliotëve, thuajse kudo në pashallëk u vendos qetësia. Pa cenuar
privilegjet e parisë sunduese vendase, por edhe pa i lejuar asaj të kryente veprime
arbitrare, Ali Pasha tregoi kujdes të veçantë për mbrojtjen e jetës dhe të pronës së
shtresës së pasur zejtare e tregtare, pa bërë dallim nëse i përkiste kombësisë
shqiptare apo greke dhe nëse ishte myslimane, hebraike apo e krishterë. Kështu ai
siguroi përkrahjen e kësaj shtrese.
Në të njëjtën kohë, për të tërhequr pas vetes popullsinë e besimeve të ndryshme të
pashallëkut, Ali Pasha lejoi ushtrimin e lirë të veprimtarisë së institucioneve fetare të
të gjitha llojeve dhe inkurajoi si arsimin fetar, ashtu edhe atë laik. Në këtë mënyrë
sundimtari i ri mundi të afronte edhe klerin, e sidomos atë ortodoks.
Duke qenë se shtylla kryesore e sundimit të vet ishte ushtria, Ali Pasha vëmendjen
kryesore ia kushtoi asaj. Themelin e kësaj ushtrie e bënin ushtarët me rrogë, me
prejardhje kryesisht nga malësitë e varfra të Shqipërisë Jugore. Këta ushtarë të
varfër plotësonin nevojën e jetesës së familjeve të tyre me rrogat që merrnin dhe
për këtë arsye interesat e tyre ishin të lidhura me ato të parisë feudale sunduese, së
cilës i shërbenin.
Krahas ushtarëve shqiptarë, në forcat e armatosura të Pashallëkut të Janinës,
veçanërisht për ruajtjen e grykave e të rrugëve, bënin pjesë gjithashtu me rrogë
edhe reparte malësorësh vllahë e grekë, martallozët ose armatolët, të cilët dikur
përbënin repartet e vetëmbrojtjes fshatare kundër arbitraritetit fedual. Tani këtë
detyrë e kryenin forcat e derbendëve të Aliut. Në rast nevoje mobilizoheshin me
detyrim edhe forcat e esnafeve qytetare, si dhe forcat fshatare nga çifligjet. Nuk
munguan të pajtoheshin e të shërbenin në ushtrinë e Pashallëkut të Janinës edhe
ushtarë me pagesë nga Shqipëria Veriore e Verilindore.
Ushtria ndahej në reparte këmbësore, që përbënin forcën kryesore të saj, por në të
filluan të dukeshin edhe bërthama kalorësie e artilerie.
Pashallëku u pajis edhe me një aparat administrativ e gjyqësor sipas organizimit
osman, me ndryshimin e rëndësishëm se pranë çdo myteselimi ose qeveritari
krahinor, u krijua një këshill i përbërë nga paria myslimane ose ajanët, të cilët ishin
përfaqësuesit e krahinave myslimane, dhe nga paria e krishtere ose koxhabashët, të
cilët ishin përfaqësuesit e krahinave të krishtere. Veç kësaj, vendimet gjyqësore
apeloheshin në Janinë e jo në Stamboll dhe në krye të këtij aparati, përveç
myslimanëve me përvojë, Ali Pasha tërhoqi një varg këshilltarësh dhe sekretarësh
nga elementi i krishterë.
Në krye të aparatit të pashallëkut qëndronte vetë Aliu si një sundimtar absolut. Ai
ndihmohej nga një këshill i lartë apo divan, që përbëhej nga djemtë e tij si dhe nga
miqtë më të ngushtë e më besnikë, sikurse ishin Thanas Vaja, Jusuf Arapi, Tahir
Abazi, Meço Bono, Veli Gega, Hysen Poda, Dalip Përmeti, Dervish Hasani, Ago
Vasjari, Mehmet Myhyrdari etj. Përveç pushtetit ekzekutiv, Ali Pasha kishte kthyer në
pronë private të tij edhe thesarin, i cili nën kujdesin e tij të veçantë, ishte gjithmonë
në gjendje të përballonte shpenzimet.
I ndërtuar në këtë mënyrë, ky aparat i shërbente pushtetit tanimë autonom të
shtresës sunduese të çifligarëve vendas, e cila ndonëse nuk ishte shkëputur
plotësisht nga varësia politike e pushtetit qendror, qeveriste në mënyrë autonome,
kurse me dëbimin e osmanëve, ajo synonte të krijonte shtetin e vet të pavarur.
Udhëheqësi i saj mbajti lidhje të rregullta me pushtetin duke shlyer gjithë detyrimet
financiare ndaj arkës perandorake, për të mënjanuar çdo konflikt të parakohshëm
dhe për ta përdorur atë në dobi të përforcimit të mëtejshëm të pashallëkut e të
shkëputjes së tij nga kjo vartësi e Stambollit.
Përforcimi i pushtetit brenda pashallëkut dhe shtrirja e tij kryesisht në troje
shqiptare, për të arritur pastaj në shkëputjen nga varësia e Portës së Lartë, ndodhën
në kushtet kur u shtrua mundësia e dëbimit të osmanllinjve nga Evropa, që përbënte
njëherazi qëllimin kryesor të veprimtarisë së Ali Pashës në dhjetëvjeçarin e fundit të
shek. XVIII. Në përputhje me këtë qëllim ai ndoqi një politikë të dyfishtë: synonte të
shfrytëzonte në dobi të vet, sa të qe e mundur më shumë, konfliktin midis
Perandorisë Osmane e fuqive armike të saj, si dhe konfliktet midis vetë Fuqive të
Mëdha evropiane, që cenonin drejtpërsëdrejti ose tërthorazi ekzistencën e shtetit
osman dhe që lidheshin në një farë mase edhe me të ardhmen e Pashallëkut të
Janinës dhe të të gjithë Shqipërisë. Pasi forcoi pozitat e veta duke marrë pjesë në
luftë, në frontin e Danubit gjatë vitit 1788, Ali Pashës iu desh të ndeshej me një
besëlidhje të kapedanëve suliotë dhe të qeveritarëve të sanxhakëve të Delvinës e të
Vlorës, të cilën e përkrahën autoritetet osmane për të ruajtur anarkinë feudale në
Shqipërinë Jugore.
Të shqetësuar prej ardhjes në fuqi të Ali Pashës në sanxhakun e Janinës, sunduesit
osmanë mbajtën qëndrim armiqësor ndaj tij. Ata strehuan në zotërimet e tyre
feudalët e ndjekur dhe të shpronësuar nga sundimtari i Janinës, nxitën dhe
ndihmuan me armë, me municione e me ushqime suliotët e himariotët, u premtuan
atyre ndihmë kundër Ali Pashës dhe ndërhynë që paria çame dhe pashallarët e
Delvinës e të Beratit të lidheshin kundër tij.
Të inkurajuara në këtë mënyrë, të gjitha këto forca filluan të lëvizin. Sidomos
suliotët dendësuan sulmet e tyre kundër trafikut të rrugës Janinë-Artë. Prania e
malësisë së panënshtruar e të vetëqeverisur të Sulit dhe veprimtaria e banorëve të
saj përbënin për pashallëkun një rrezik të brendshëm që duhej mënjanuar me çdo
mënyrë. Këta malësorë trima e guximtarë, të vendosur në një vend strategjik, 50 km
në jugperëndim të Janinës, jo vetëm shqetësonin rrugët e pronat feudale, por kishin
arritur të dëbonin një varg feudalësh nga 60-70 fshatra përreth malësisë së tyre, të
cilat i kishin vënë “nën mbrojtje” kundrejt një rente të rregullt në prodhime e në të
holla. Për ta mënjanuar rrezikshmërinë e suliotëve, për Aliun kishte vetëm dy
zgjidhje: ose t’i afronte që t’u shërbenin interesave të tij, të pashallëkut, ose t’i
nënshtronte me forcë.
Duke i mbetur besnikë lidhjeve të tyre të vjetra me Republikën e Venedikut, suliotët
nuk pranuan propozimet e Ali Pashës për marrëveshje. Kështu filloi lufta e gjatë dhe
e vështirë që ndërmori Ali Pasha kundër anarkisë feudale brenda vendit. Kjo luftë u
gërshetua edhe me orvatjet e tij për të nënshtruar sanxhakët e Shqipërisë Jugore
nën një pushtet të vetëm politik, dhe për t’i dhënë fund anarkisë. Në shkurt të vitit
1789 ushtria e Janinës, që u nis kundër malësisë së panënshtruar të Sulit, u detyrua
të tërhiqej për shkak të kundërsulmit të malësorëve trima, por edhe për shkak të
komplotit të madh të mytesarifit të Janinës, që u përgatit nga feudalët kundërshtarë
përreth pashallëkut. Ali Pasha përfundoi menjëherë paqen me suliotët, të cilëve u
pagoi shuma të konsiderueshme dhe iu vu punës për të mënjanuar ngatërresat që
ishin kurdisur prapa krahëve të tij.
Lufta e Ali Pashës kundër suliotëve e kishte favorizuar lidhjen e një marrëveshjeje
midis agallarëve të Çamërisë dhe sundimtarëve të sanxhakëve të Delvinës dhe të
Vlorës. Këta nuk e shihnin me sy të mirë ardhjen në fuqi të Ali pashë Tepelenës dhe
përforcimin e pushtetit të tij për shkak të pasojave ekonomike e ushtarake që do të
sillnin ato në sanxhakët e tyre. Nën ndikimin e një shqetësimi të tillë, Ibrahim pashë
Vlora, rivali i Aliut për postin e derbend-pashës, mori nga valiu i Rumelisë për vitin
1789 sipërmarrjen e të ardhurave të krahinës së Korçës, që qeveritari i Janinës e
kishte marrë një vit më parë. Mirëpo Ali Pasha nuk hoqi dorë dhe e mbajti
sipërmarrjen me forcë, duke zhvilluar luftime në zonën Kostur-Bozhigrad-Korçë
kundër rivalit dhe të besëlidhurve të tij, të cilët mundi t’i shpërndante. Gjatë këtyre
luftimeve ndëshkoi fshatrat e Hormovës dhe të Leklit, që dikur kishin qenë nën
“mbrojtjen” e shtëpisë së tij dhe që tani bënin pjesë në radhët e të besëlidhurve
armiq të tij. Rivaliteti midis qeveritarëve të Janinës e të Beratit, i shkaktoi ngatërresa
të mëdha Aliut: Porta e Lartë, për të mënjanuar sherrin midis dy rivalëve, ia hoqi Ali
Pashës qeverisjen e sanxhakut të Tërhallës si dhe detyrën e derbend-pashës dhe ia
dha këtë dhëndrit të sulltanit, Beqir Pashës. Mirëpo ky nuk mundi të vendoste
rregullin e qetësinë, sepse forcat ushtarake qenë lidhur me Aliun e i mbetën besnike
atij. Valiu i Rumelisë kërkoi me ngut që ato detyra t’i ktheheshin Aliut, sepse vetëm
ai ishte në gjendje të vendoste qetësinë dhe të rekrutonte ushtarë për në front.
Ndërkohë luftimet në frontin rus nuk shkuan mbarë për osmanët. Kjo e nxiti Ali
Pashën për të krijuar pa humbur kohë lidhje me rusët. Duke iu bindur thirrjes së
sulltanit për të shkuar në luftë, Aliu nuk ndenji atje veçse aq kohë sa iu desh që të
hynte në letërkëmbim me princin Potjomkin. Ky i premtoi një marrëveshje të
favorshme dhe e shtyti të vazhdonte të pengonte dërgimin e forcave ushtarake të
pashallarëve shqiptarë në luftën kundër Rusisë.
Në shkurt të vitit 1791, Ali Pasha zhvilloi bisedime të reja me një diplomat rus, të
cilit i deklaroi se ishte gati të merrte anën e Rusisë në qoftë se i jepeshin garanci se
pas luftës do të mbetej i pavarur. Kurse në muajin qershor i kërkoi komandantit të
flotiljes ruse në detin Mesdhe t’i dorëzonte princit Potjomkin propozimet e veta për
një aleancë ushtarake dhe për të diskutuar për fatin e mëtejshëm të Pashallëkut të
Janinës pas dëbimit të osmanëve nga Gadishulli Ballkanik. Ali Pasha premtoi të
merrte pjesë në një kryengritje antiosmane të shqiptarëve dhe të grekëve. Për këtë
qëndrim ai kërkoi sigurime për njohjen e tij si zot e sundues i pashallëkut, për
njohjen e kufijve të territorit që do të zotëronte dhe për ushtrimin e lirë të fesë nga
myslimanët. Nga ana e vet ai u zotua t’i trajtonte njëlloj si myslimanët, ashtu edhe
të krishterët në administratë e në ushtri dhe pranonte që Rusia të kishte të drejtën e
mbrojtjes së të krishterëve në shtetin e tij. Ali Pasha kërkoi gjithashtu që, në rast se
kryengritja do të dështonte, Rusia ta merrte nën mbrojtjen e saj për t’i shpëtuar
ndëshkimit të sulltanit. Më në fund, ai pranoi që, si garanci të dërgonte peng në
Petërsburg njërin nga djemtë e vet, i cili të mësonte atje artin ushtarak rus. Mirëpo,
për këtë çështje kaq të rëndësishme, atij iu tha se duhej të priste përgjigjen nga
qeveria qendrore.
Propozimeve të lartpërmendura, që shprehnin dëshirën e Ali Pashës për të siguruar
pas fitores mbi osmanët pozitën e vet si sundimtar i një shteti shqiptar, qeveria ruse
nuk u dha përgjigje. Së pari, si qeveri e një populli të madh ortodoks, që i kishte
vënë detyrë vetes të çlironte popujt e krishterë nga sundimi i gjysmëhënës dhe t’i
fuste nën zotërimin e saj, Rusia nuk mund të pranonte sundimin e një princi
mysliman mbi të krishterët shqiptarë e grekë dhe, së dyti, ishte koha kur lufta me
Perandorinë Osmane po merrte fund. Në fillim të vitit 1792 u nënshkrua traktati i
paqes në Jashi. Ndërsa qeveritari i Janinës zhvillonte bisedimet me diplomatët rusë
dhe priste përgjigjen e oborrit rus, suliotët ia filluan një fushate plaçkitjesh që zgjati
nga pranvera e vitit 1791 deri në mbarim të tij. Përveç fshatrave dhe rrugëve
tregtare, ata sulmuan dhe plaçkitën krahinat e Paramithisë, Margëllëçit dhe Artës.
Këto veprime i shtrinë deri në fshatrat e Pindit. Kështu ata ndezën zemërimin jo
vetëm të çifligarëve, por edhe të fshatarësisë së dëmtuar rëndë dhe të zejtarëve e të
tregtarëve të Janinës, të Artës, të Paramithisë, të Margëllëçit etj., dhe të qyteteve të
lidhura ekonomikisht me to.
Në muajin korrik 1792 Ali Pasha, i lidhur me agallarët e bejlerët çamë si dhe me
krerët e armatolëve të fshatrave të dëmtuara, sulmoi malësinë e Sulit për ta
nënshtruar, meqenëse edhe këtë herë, krerët e saj kishin refuzuar çdo lloj
marrëveshjeje. Por edhe këtë herë sulmi i pashës së Janinës dështoi, mbasi nën
nxitjen e agjentit rus në Korfuz, L. Benaqi, u krijua një besëlidhje e re e feudalëve të
sanxhakëve fqinjë dhe e kapedanëve suliotë. Ali Pasha mënjanoi më parë suliotët.
Besëlidhja nuk arriti të hynte në veprim, sepse Aliut i erdhi në ndihmë edhe Porta e
Lartë, e cila ndërhyri për t’i pajtuar, duke vendosur marrëdhënie krushqie midis
qeveritarëve të Janinës dhe të Beratit.
Gjatë viteve 1787-1797 Ali Pasha kishte mundur të shtrinte pushtetin e vet vetëm në
një territor të ngushtë që kapte krahun e djathtë të lumit Vjosë deri në krahun
perëndimor të vargmalit të Pindit, d.m.th. hapësirën Konicë-Këlcyrë-Korçë, si dhe
krahinat e Artës. Por ky pushtet bazohej më shumë në sipërmarrjet e të ardhurave
të tyre dhe në pëlqimin e valiut të Rumelisë e të Kapedan Pashës se sa në forcën e
armëve të tij. Sidoqoftë, me këtë përfundoi faza e parë e përpjekjeve për forcimin e
pashallëkut. Suksesin më të madh për shtrirjen drejt bregdetit dhe në Shqipërinë
Jugore Ali Pasha e arriti në vitet e fundit të shek. XVIII, kur ndodhën ngjarje të
mëdha politike në arenën ndërkombëtare.
Në këtë kohë Republika Franceze kishte filluar luftërat pushtuese. Armata e Italisë,
që komandohej nga gjeneral Napoleon Bonaparti, pasi nënshtroi një numër shtetesh
italiane, nënshtroi edhe Republikën e Venedikut. Me nënshkrimin e traktatit të
Kampo Formios midis Republikës Franceze dhe Perandorisë Austriake iu dha fund në
vitin 1797 sundimit në këtë trevë të shtetit venedikas, zotërimet e të cilit në ishujt
dhe në bregdetin Jonian u vunë nën sundimin francez. Kështu kufijtë e Francës u
shtrinë deri në kufijtë e Pashallëkut të Janinës.
Sukseset e forcave të armatosura në Itali, i dhanë dorë gjeneral Bonapartit që t’i
paraqiste Direktoratit planin e sulmit kundër kolonive angleze, të cilat përbënin
burimin kryesor të potencialit ekonomik të Anglisë. Ky plan do të fillonte me
depërtimin e një armate franceze në Egjipt. Direktorati e miratoi planin edhe pse
depërtimi me luftë në Egjipt do ta armiqësonte me Perandorinë Osmane.
Për të lehtësuar ndërmarrjen ushtarake në Egjipt, Franca përkrahte fuqizimin e
pashallarëve të Rumelisë dhe prirjet e tyre vetëqeverisëse në dëm të pushtetit
qendror të sulltanit. Komandanti francez i Korfuzit u urdhërua ta përkrahte Ali pashë
Tepelenën në forcimin e pushtetit të tij brenda pashallëkut dhe jashtë tij. Përforcimi i
këtij sundimtari shqiptar, theksonte Bonaparti, ishte në interes të Republikës.
Në sajë të kësaj përkrahjeje, që e shfrytëzoi në dobi të synimeve të tij, Ali Pasha
ndërmori në gusht të vitit 1797 një sulm të befasishëm kundër bregdetit shqiptar të
Himarës. Para kësaj, me lejen e francezëve, kishte futur flotiljen e tij në kanalin e
Korfuzit. Si rrjedhim, ai shtiu në dorë pjesën kryesore të këtij bregdeti që nga
Butrinti deri në Porto Palermo. Këto pushtime ishin një hap i rëndësishëm për
shtrirjen e mëtejshme të pushtetit të Ali Pashës në Shqipërinë Jugore. Duke u njohur
banorëve të këtyre trevave privilegjet e tyre dhe duke i trajtuar mirë, ai i ktheu ata
në rezervën e vet ushtarake. Përparimin përtej Porto-Palermos nuk e ndalën aq
forcat e bashkuara të Xhafer Pashës së Vlorës dhe Mustafa Pashës së Delvinës, sesa
ndërhyrja e Ibrahim pashë Bushatlliut, që u dërgoi ushtri osmanëve, si dhe aleanca
ruso-osmane që u krijua në këtë kohë kur Bonaparti filloi fushatën kundër Egjiptit.
Tani sundimtarit të Janinës i erdhi rasti për t’u kthyer kundër Francës dhe për të
shtënë në dorë ish-zotërimet venedikase në bregdet.
Napoleon Bonaparti dërgoi adjutantin e tij për t’i kërkuar Aliut të mbante anën e
Francës kundrejt premtimit se do t’ia rriste shumë lavdinë e tij, ose të mbante të
paktën neutralitetin nëse nuk mund të merrte pjesë aktive në kryengritjen e pashës
së Vidinit, Pasvan Ogllusë, që i shkaktoi shqetësime Stambollit. Por Aliu, me të marrë
vesh aleancën anglo-ruso-osmane kundër Francës, pa pritur të mbërrinte flota e
bashkuar ruso-turke, që do t’i dëbonte francezët nga qytetet dhe ishujt jonianë,
pushtoi Butrintin, të cilin francezët kishin refuzuar t’ia jepnin në formë miqësore, dhe
pastaj Prevezën e Vonicën. Pargën nuk e mori dot, sepse ndërkohë mbërritën forcat
ruse që e vunë nën kontrollin e tyre. Kështu u realizua më së fundi synimi për t’i
siguruar pashallëkut një dalje të gjerë në bregdet dhe zotërimin e një vargu skelash
me rëndësi tregtare.
Për ta shpërblyer për pjesëmarrjen e forcave të Pashallëkut të Janinës në luftën
kundër francezëve, Porta e Lartë, në vitin 1799, i dha Ali Pashës gradën e vezirit. Por
kjo gradë nuk ishte veçse një akt ngushëllimi, sepse, me këmbënguljen e rusëve, të
cilët e shihnin Ali Pashën si një pengesë të synimeve të tyre sunduese në Gadishullin
Ballkanik, qytetet bregdetare duhej t’i hiqeshin atij nga dora. Konventa ruso-osmane
e muajit prill 1800 krijoi Republikën e Shtatë Ishujve dhe me këtë sanksionoi
vendosjen e rusëve në ishujt jonianë. Duke i njohur ish-qytetet venedikase si prona
të sulltanit, konventa sanksionoi shkëputjen e tyre nga sundimi i Ali Pashës. Mirëpo
ky i fundit edhe pse i largoi garnizonet e veta ushtarake nga këto qytete, e ktheu në
një vegël të vetën të dërguarin e sulltanit të caktuar për administrimin e tyre.
Ndërhyrja e rusëve në Pargë dhe në përpilimin e konventës i ashpërsoi aq shumë
marrëdhëniet e vezirit të Janinës me përfaqësuesit diplomatikë rusë, sa këta filluan
të ndiqnin politikën e venedikasve, duke nxitur e përkrahur suliotët si dhe bllokun
feudal të Shqipërisë së Jugut kundër tij.
Vendosja e rusëve në ishujt jonianë dhe qëndrimi i tyre armiqësor ndaj vezirit të
Janinës, që nisi qysh më 1798, i dha zemër Mustafa pashë Delvinës të kërkonte
ndihmë prej tyre dhe të ngrihej kundër Ali Pashës. Por në tetor 1799, Aliu e detyroi
me forcën ushtarake Mustafa Pashën të nënshtrohej. Pastaj nën komandën e Jusuf
Arapit, të cilin e dërgoi në Filipopoli, nënshtroi rebelin Kara Fejzi, komandant i
kërxhallinjve. Por rusët, pasi e detyruan Portën e Lartë të nënshkruante traktatin e
21 prillit 1800, kërkuan që sundimin e sanxhakut të Delvinës t’ia jepnin agjentit të
tyre, Mustafa Pashës. Kjo ngjarje, si dhe veprimtaria ruse kundër Ali Pashës, u dha
siguri suliotëve që kishin gjetur tani një aleat të fuqishëm. Megjithëse kishin rënë në
një farë marrëveshje me Ali Pashën dhe nuk e kishin trazuar për të mos provokuar
sulme të tjera, suliotët e shkelën ujdinë dhe, të ndihmuar prej rusëve, arritën të
grabisnin edhe kopetë e Aliut. Ai nga ana e vet vendosi tani t’i nënshtronte
përfundimisht suliotët, duke i akuzuar si vegla të rusëve. Këta filluan të veprojnë
ndaj tij dhe e paditën në Stamboll për përpjekje për pavarësi.
Në muajin qershor 1800, pasi siguroi përkrahjen e agallarëve kryesorë çamë, Aliu
filloi ekspeditën kundër Sulit, por këtë herë duke përdorur një taktikë të re, atë të
një rrethimi të fortifikuar që sa vinte e ngushtohej. Ndonëse rusët bënë përpjekje për
të ndihmuar malësorët suliotë me armë e municion, duke organizuar një besëlidhje
me feudalët kundërshtarë fqinjë, zgjuarsia e vezirit bëri që ato të mos kishin sukses.
Pas luftimesh të dëshpëruara, më 25 dhjetor 1803, malësorët trima të Sulit
nënshkruan aktin e kapitullimit para Veli Pashës, i cili pranoi kushtin që ata të
largoheshin jashtë kufijve të pashallëkut. Por veziri, duke paraparë se suliotët do të
vazhdonin luftën nga Parga e ishujt jonianë, nuk e miratoi marrëveshjen dhe
urdhëroi që karvanët e suliotëve të ktheheshin e të vendoseshin në trojet e
pashallëkut, ku ai do t’u krijonte kushte jetese, pune e shërbimi siç u kishte
premtuar disa herë me radhë. Mirëpo suliotët nuk pranuan të ktheheshin dhe filluan
luftimet kundër reparteve të vezirit. Në këto luftime ndodhi edhe heroizmi i grave
suliote, të cilat u sakrifikuan bashkë me fëmijët e tyre duke u hedhur në rrëpirën e
shkëmbit të Za-Llongut. Një pjesë e mirë e suliotëve duke pasur edhe armët në dorë
kapërcyen kufijtë e pashallëkut dhe u strehuan në Pargë e në ishujt jonianë. Ata,
ashtu siç kishte parashikuar Ali Pasha, vazhduan luftën e tyre kundër tij, sidomos
inkursionet në vendbanimet bregdetare duke shkaktuar aty vrasje, djegie e grabitje
të shpeshta gjatë dy dhjetëvjeçarësh. Këtë çështje të rëndë Aliu u përpoq ta
mënjanonte, por nuk e zgjidhi, veçse në fund të vitit 1820, kur suliotët morën anën e
tij kundër sulltanit.
Edhe pas kapitullimit të suliotëve, konti Mocenigo, përfaqësues rus në Korfuz, e
vazhdoi qëndrimin armiqësor ndaj Ali Pashës. Ai nënshkroi me dy krerët e Çamërisë,
Hasan Çaparin dhe Islam Pronjën, një marrëveshje për ndihmë kundër vezirit të
Janinës. Ali Pasha, i cili mundi ta shtinte në dorë këtë akt, e denoncoi marrëveshjen
e tyre pranë Portës së Lartë, si ndërhyrje të rusëve në punët e brendshme të
Perandorisë Osmane. Ishte viti 1806 para se të fillonte lufta ruso-osmane e viteve
1806-1812.
Në pragun e kësaj lufte sulltani mori anën e Aliut, i la atij dorë të lirë mbi qytetet
bregdetare të Prevezës, Vonicës e Butrintit dhe urdhëroi agallarët çamë t’i
nënshtroheshin autoritetit të tij.
Ndërsa veziri i Janinës kishte filluar tanimë luftën për të nënshtruar përfundimisht
suliotët dhe po ndeshej dhëmb për dhëmb me veprimtarinë armiqësore të rusëve, në
muajin prill të vitit 1802, Porta e Lartë e ngarkoi të vendoste qetësinë në Rumeli ku
vlonte mosbindja e anarkia, gjendje kjo që u interesonte synimeve ruse në Ballkan,
ashtu siç u interesonte edhe gjendja e krijuar dhe e nxitur prej tyre në Shqipërinë
Jugore.

Shtrirja e mëtejshme e Pashallëkut të Janinës në Shqipërinë Jugore (1804-


1812)

Postin e valiut të Rumelisë Ali Pasha e pranoi dhe u mundua ta shfrytëzonte për të
luftuar rusët në një front më të gjerë dhe për të rritur autoritetin e vet në Rumeli e
sidomos në Shqipëri, duke bërë për vete sa më shumë përkrahës. Meqenëse në këtë
kohë, krahas suliotëve, kundër tij ishte formuar përsëri besëlidhja e qeveritarëve
kufitarë të Delvinës dhe të Vlorës, të cilët kishin siguruar edhe përkrahjen e Ibrahim
pashë Bushatlliut, Aliu e pranoi detyrën e re pasi vuri si kusht që Porta e Lartë të
garantonte zotërimet e veta nga kërcënimi i tyre. Kësaj pune Porta e Lartë ia doli
mbanë dhe besëlidhja këtë herë nuk arriti të vepronte kundër Aliut. Kështu ai, pa e
pezulluar luftën kundër suliotëve, filloi me zell detyrën e re. Ushtria e madhe që
grumbulloi për të vendosur qetësinë në Rumeli, e sidomos në Bullgari, sukseset e
rrufeshme që pati kundër Osman Pashës së Silistrës, kundër çetave rebele dhe
feudalëve të pabindur, si dhe pasuritë e armët që shtiu në dorë kudo që kaloi,
shqetësuan kaq shumë qeveritarët osmanë, sa këta përhapën fjalën se tepelenasi po
bëhej rrezik për fronin e sulltanit. Në muajin qershor 1803 Selimi III, i cili pati më
shumë frikë sesa nevojë për të, e liroi nga ai post dhe në vend të tij emëroi si vali të
Rumelisë vezir Ibrahim pashë Bushatlliun.
Edhe ky korri një varg suksesesh kundër feudalëve rebelë. Madje në muajin nëntor
1804 pashai Bushatlli përqendroi 30 000 ushtarë në Manastir. Ky përqendrim në
afërsi të Pashallëkut të Janinës e shqetësoi Ali Pashën, i cili pati frikë se mos i iknin
nga duart 14 kaza që kishte shkëputur nga sanxhaku i Manastirit. Prandaj u
shpërngul në Tepelenë dhe bëri përgatitje për mbrojtje, duke hyrë në bashkëpunim
me Ibrahim Pashën e Beratit, tashmë rival i Bushatlliut për sanxhakun e Elbasanit.
Në maj të vitit 1805 Bushatlliu filloi operacione luftarake për pushtimin e sanxhakut
të Elbasanit, që e qeveriste si shtesë Ibrahim Pasha i Beratit. Mirëpo u gjend para
qëndresës së forcave ushtarake të dy sundimtarëve të fuqishëm të Shqipërisë
Jugore, të cilët e detyruan të hiqte dorë nga synimi i vet.
Ndërkohë po zhvilloheshin ngjarje të rëndësishme politike në arenën ballkanike dhe
në atë evropiane. Pas fushatës kundër Republikës Franceze, sulltan Selimi III, duke
dashur të përforconte pushtetin qendror në perandori, filloi zbatimin e reformave.
Mirëpo feudalët e mëdhenj provincialë në Gadishullin Ballkanik, si Ismail bej Serezi,
Tersekli Ogllui dhe Pasvan Ogllui, u ngritën kundër reformave të sulltanit, e
veçanërisht kundër reformës ushtarake, e cila parashihte organizimin e ushtrisë
sipas mënyrës evropiane. Me këta u bashkua edhe Ali Pasha, jo vetëm pse
dëshironte dobësimin e pushtetit qendror të sulltanit për t’u bërë sa më i pavarur,
por edhe sepse me sistemin e rekrutimit sipas mënyrës evropiane do të goditej
rëndë sistemi i rekrutimit të ushtarëve me rrogë e bashkë me të do të goditeshin
edhe interesat e shtresës feudale që mbështeste pushtetin e tij. Me nxitjen edhe të
Aliut, në korrik të vitit 1806, në Edrene u rebeluan jeniçerët. Kështu për pushtetin
qendror u krijua një situatë shumë e rrezikshme, që sulltanit reformator ia veniti
hovin për të vënë në jetë reformat.
Ndërkohë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, Perandoria Osmane po afrohej
me Francën dhe po ftohej me Rusinë e Anglinë. Lufta me këto dy shtete ishte bërë e
pashmangshme. Si rrjedhim, edhe diplomacia e këtyre shteteve po merrte tjetër
qëndrim ndaj vezirit të Janinës. Oborri i Petërsburgut kërkoi nga kont Mocenigo të
ndiqte një politikë paqësore me të. Parisi i premtoi Aliut ta njihte si sundimtar të
pavarur, në rast se trupat frënge do të pushtonin Gadishullin Ballkanik, dhe se do ta
merrte nën mbrojtje kundër çdo ndëshkimi nga ana e sulltanit. Kur më 1806 Fransua
Pukëvili (François Pouqueville), i emëruar konsull i përgjithshëm i Francës, mbërriti
në Janinë në krye të detyrës, i solli Aliut edhe premtimin e Bonapartit se do ta
ngarkonte me qeverisjen e Korfuzit, po qe se nuk do të kursente ndihmën e tij për
dëbimin e rusëve që andej. Duke shpresuar se do të siguronte përkrahjen e
Napoleonit për t’u bërë sovran i pavarur, Aliu u mundua të lidhej sa më ngushtë me
Francën, aq më shumë kur rusët vazhdonin të nxisnin besëlidhjen e feudalëve
kundërshtarë të tij. Me anë të Pukëvilit ai i paraqiti qeverisë franceze një plan
bashkëpunimi ushtarak për dëbimin e rusëve nga ishujt jonianë. Sipas këtij plani, Ali
Pasha do t’i luftonte rusët me forcat e veta gjatë bregdetit deri në Selanik, pastaj do
të merrte pjesë në nënshtrimin e serbëve, lëvizja e të cilëve u shërbente rusëve.
Qeveria franceze e vonoi përgjigjen me prapamendim për të mos i prerë hovin Ali
Pashës, por edhe për të mos e prishur me Portën e Lartë që arriti ta bënte atë aleat
të saj kundër Rusisë dhe Anglisë.
Në dhjetor të vitit 1806, Porta e Lartë i shpalli luftë Rusisë. Në janar 1807 Aliu
arrestoi konsujt rusë në territorin e vet dhe, i armatosur me artileri nga francezët, u
orvat të sulmonte ishullin e Shën Maurës, por rusët ngritën kundër tij feudalët çamë,
kurse martallozët grekë i hodhën në një revoltë të fuqishme në Thesali. Aliu gjeti
mënyrën se si të pajtohej me çamët, kurse kundër revoltës së martallozëve
thesaliotë dërgoi Myftar Pashën, i cili e mbyti në gjak dhe e shtypi atë. Kurse
Napoleoni, duke u nisur nga synimi që të siguronte aleancën e Portës së Lartë dhe
futjen e saj në luftë me Rusinë e Anglinë, e këshilloi Ali Pashën që interesat e
“vërteta të tij” t’i shihte të lidhura me ato të Perandorisë Osmane. Me fjalë të tjera,
Franca nuk pranoi shkëputjen e vezirit të Janinës nga shteti osman. Edhe pse në
këtë kohë Ali Pasha e trajtoi përfaqësuesin e Francës me përzemërsi, marrëdhëniet
me këtë shtet nuk mbetën të përzemërta dhe veziri i Janinës kërkoi të gjente një
mbështetje të jashtme që ta përkrahte në synimet e tij.
Kur në pranverën e vitit 1807 filluan në Tilsit bisedimet e paqes midis perandorëve të
Rusisë dhe të Francës, Aliu dërgoi përfaqësuesin e vet për t’i kujtuar Napoleonit I
premtimin lidhur me qeverisjen e Korfuzit. Mirëpo ky nuk e përfilli. Si rrjedhim,
marrëdhëniet me forcat frënge, që u vendosën përsëri në ishujt jonianë, u ftohën
shumë. Pashai i Janinës u bë pengesë e pakapërcyeshme për planet e Bonapartit për
zotërimin e Butrintit dhe për ta kthyer këtë skelë në një bazë që do t’u shërbente
forcave franceze për të mbrojtur më mirë kanalin e Korfuzit dhe si pikënisje për të
depërtuar më vonë në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane.
Porta e Lartë e dha gojarisht pëlqimin për dorëzimin e Butrintit në duart e komandës
franceze të Korfuzit, si dhe për kalimin e trupave franceze nga Dalmacia në këtë
pikëmbështetje nëpërmjet tokave shqiptare. Mirëpo shqiptarët si në veri, ashtu edhe
në jug, e kundërshtuan një veprim të tillë të Stambollit. Në këto rrethana, Ali pashë
Tepelena, Ibrahim pashë Bushatlliu dhe pashallarët e tjerë shqiptarë, nuk i pranuan
kërkesat franceze. Ata lanë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre dhe u përgatitën për
mbrojtjen e përbashkët. Në shkurt të vitit 1808 gjenerali Bertje kërkoi dorëzimin e
Butrintit. Pasi u deklaroi diplomatëve dhe ushtarakëve francezë se “nuk do ta lëshojë
Butrintin dhe asnjë pëllëmbë të tokës shqiptare pa luftë ... e se francezët nuk do të
kalonin në vendin e tij veçse mbi valë gjaku”, Ali Pasha e shpalli në popull
ultimatumin francez dhe bëri thirrje për mbrojtje. Popullsia e përkrahu qëndrimin e
vezirit të Janinës. Po kështu bëri edhe Porta e Lartë, e cila anuloi pëlqimin gojor që u
kishte dhënë francezëve. Për të mos i prishur marrëdhëniet me Stambollin që e
ndryshoi qëndrimin e vet, Bonaparti largoi gjeneralin Bertje nga Korfuzi, ashtu siç
largoi edhe ambasadorin Sebastian nga Stambolli. Por plani i tij dështoi. I
armiqësuar tani si me Rusinë, ashtu edhe me Francën, Ali Pasha, për të mbrojtur
qytetet bregdetare, u drejtua nga Anglia, me të cilën ishin vendosur kontaktet e para
qysh më 1803. Përfaqësuesit anglezë në Stamboll e Patras i kishin dhënë pashait të
Janinës informata rreth veprimeve të rusëve kundër tij dhe kishin nxitur popullsinë
myslimane ta përkrahte atë. Më 22 prill 1806, në Janinë u vendos konsulli anglez J.
P. Morier. Me këtë rast Ali Pasha u përpoq të përmirësonte marrëdhëniet e tij me
agallarët çamë të përkrahur nga rusët. Edhe Morieri ishte i mendimit se rusët do të
kishin më shumë përfitime, nëse do ta kishin mik vezirin e Janinës sesa armik,
prandaj i këshilloi të hynin në bisedime me të. Por edhe pse filluan, këto bisedime u
ndërprenë sidomos nga fundi i vitit 1806, kur politika osmane mori drejtim profrëng
dhe Stambolli i shpalli luftë Rusisë e pastaj, edhe aleates së saj, Anglisë.
Në nëntor të vitit 1807, kur i kishte prishur marrëdhëniet me Francën, Aliu i rifilloi
bisedimet me anglezët për të siguruar të paktën mbështetjen e tyre. Më 1808 ai nisi
për në Londër një përfaqësuesin e vet, Said Ahmetin, që të shfaqte gatishmërinë e
vezirit të Janinës për të ndërmjetësuar në Stamboll rreth përfundimit të paqes midis
Perandorisë Osmane e Mbretërisë Angleze dhe për të ndihmuar forcat detare të saj
kundër francezëve.
Vrasja e sulltan Mustafait IV dhe sidomos vrasja e Mustafa pashë Bajraktarit bënë që
politika profrënge të fashitej dhe të miratohej përfundimi i traktatit të paqes me
Anglinë në fillim të muajit janar 1809. Ali Pasha, që kishte luajtur një rol me rëndësi
në këto ngjarje, vazhdoi përpjekjet për zgjerimin e pashallëkut në drejtim të
Shqipërisë Jugore. Pasi u arrit paqja midis Londrës e Stambollit, në shkurt të vitit
1809, qeveria angleze i dërgoi atij si dhuratë një pajisje të plotë artilerie me predha
ndezëse, një nga prodhimet e fundit të armëve të kohës. Bashkë me këtë dhuratë,
në Janinë erdhi dhe u vendos si përfaqësues diplomatik i qeverisë angleze V. M. Lik
(William Martin Leake). Në këtë atmosferë, më 1809, e vizitoi Ali Pashën edhe
Xhorxh Bajroni me Hobharzin. V. M. Lik nuk solli me vete përgjigjen ndaj propozimit
të Ali Pashës për aleancën me Anglinë dhe për ta marrë atë në mbrojtjen e saj siç i
kishte premtuar edhe në bisedimet e fshehta. Pasi siguruan aleancën me Portën e
Lartë, anglezët s’kishin më nevojë për një aleancë me Aliun kundër francezëve.
Madje Liku e këshilloi Aliun të mos ndërmerrte veprime luftarake kundër francezëve.
Atëherë Aliu u përgatit të asgjësonte aleatët vendas të francezëve. Rasti i
përshtatshëm iu paraqit atij me vdekjen e Ibrahim pashë Bushatlliut dhe me grindjet
në Shkodër për punën e trashëgimisë së pushtetit.
Duke pasur një farë përkrahjeje nga ana e qeverisë angleze, duke bërë për vete
grupimin e fortë të çifligarëve beratas që kryesonte Omer bej Vrioni dhe duke
shfrytëzuar kohën kur Porta e Lartë gjendej në luftë me Rusinë dhe se telashet e saj
me kryengritësit serbë u bënë me të vërtetë serioze, Ali Pasha iu vu pushtimit të
plotë të sanxhakut të Vlorës dhe të Elbasanit. Nën drejtimin e të birit, Mustafa
Pashës, ai i hyri pushtimit të sanxhakut të Vlorës duke filluar nga kryeqendra e tij,
Berati. Aliu dërgoi drejt këtij qyteti një ushtri të fortë. Pas katër muaj luftimesh,
Ibrahim Pasha i Beratit kërkoi paqe, duke i lënë Ali Pashës një pjesë të sanxhakut të
vet dhe duke hequr dorë nga sanxhaku i Elbasanit. Këtë sanxhak sulltani ia njohu
nipit të Aliut, Mehmet Pashës.
Për të shmangur zemërimin e sulltanit, Aliu nuk vonoi të dërgonte një pjesë të
forcave të tij në front. Me pjesën tjetër të ushtrisë ai ndërmori në vjeshtë një sulm të
dytë e të befasishëm kundër Beratit, të cilin këtë herë e pushtoi. Ibrahim Pasha u
mbyll në kështjellë. Por përpara se t’i vinte ndihma nga aleatët e vet, nga feudalët
çamë dhe nga Mustafa pashë Delvina dhe i braktisur nga ushtarët e vet, Ibrahim
Pasha u detyrua në fillim të vitit 1810 të pranonte kushtet e kapitullimit dhe të
tërhiqej në Vlorë. Përpjekjet e tij për të rifituar tokat e humbura patën një sukses
kalimtar me ripushtimin e përkohshëm të Beratit. Por gjatë veprimeve luftarake të
mëtejshme Ibrahim Pasha dështoi dhe flota e vezirit të Janinës e ndihmuar prej
anglezëve e mbajti atë të bllokuar.
Bashkë me Beratin mori fund edhe nënshtrimi i pjesës së papushtuar të Himarës,
shumica e banorëve të lirë të së cilës ishin lidhur me francezët duke shërbyer në
formacionet ushtarake të tyre. Ali Pasha e bllokoi krahinën nga deti dhe nga toka,
zbarkoi së pari në Vuno e pastaj në Himarë, Piqeras e Dhërmi ku vendosi garnizone
dhe mori pengje. Më 24 dhjetor 1810 krahina e Himarës u detyrua të nënshtrohej.
Pas nënshtrimit të Himarës, feudalët çamë, të gjendur përballë kundërshtimit të
popullsisë çame, e cila e shihte pushtetin e vezirit të fuqishëm të Janinës si mbrojtës
të vetëm të interesave të saj, pranuan njëri pas tjetrit të hynin nën kontrollin e tij.
Në muajin qershor 1811 iu nështruan edhe njëzet e dy krerë të Dukatit (rrethi i
Vlorës) që kishin qenë lidhur deri atëherë me Ibrahim Pashën. Për garanci të
besnikërisë së tyre ata i dhanë pengje Ali Pashës. Kështu ra në duart e tij edhe
Pashalimani.
Ndërkohë, krahas krahinave bregdetare vazhdoi edhe nënshtrimi i brendisë së
vendit. Jashtë kontrollit mbetën ende Gjirokastra, Kardhiqi, Zhulati e Vlora, si dhe
zonat fshatare të Nivicës, të Malëshovës e të Kuçit. Marrja e qytetit të Vlorës
paraqiste vështirësi, sepse binte ndesh me këmbënguljen e Portës së Lartë për të
mos e zhveshur nga pushteti Ibrahim Pashën, të cilin e përkrahte diplomacia
franceze. Por nuk vonoi që edhe kjo nyje të zgjidhej. Ali Pasha mundi të shtinte në
dorë faktet që zbuluan se Ibrahim Pasha ishte orvatur t’ua dorëzonte Vlorën
francezëve. Kështu Porta e Lartë mori anën e Aliut dhe hodhi poshtë të gjitha akuzat
franceze kundër vezirit të Janinës. Ajo nuk kundërshtoi pushtimin më 1 gusht 1811
të Vlorës nga Ali Pasha, me të cilin u bashkuan edhe krerët feudalë vlonjatë.
Përkundrazi urdhëroi vrasjen e Ibrahim Pashës që u arratis në malet e Labërisë. Por
Ali Pasha mundi ta shtinte në dorë dhe nuk e vrau, e strehoi në Konicë e pastaj në
sarajet e veta në Janinë, duke e lënë atë dhe djalin e tij Sulejman Pashën, nën
kujdesin e grave të Myftarit dhe Veliut, që ishin bijat e Ibrahimit.
Rënia e Vlorës dhe premtimi që emisari francez nga Stambolli u bëri krerëve të
Shqipërisë së Jugut, për t’u siguruar përkrahjen e Portës së Lartë dhe të komandës
franceze të Korfuzit, i vuri këta në lëvizje. Në fund të muajit gusht 1811, Mustafa
pashë Delvina, i vëllai i Sali Beut, Demir Dosti i Kardhiqit, bejlerët e Gjirokastrës dhe
agallarët e Zhulatit, u lidhën midis tyre në kuvendin e Palavlisë dhe vendosën t’i
kundërviheshin me 10 000 ushtarë shtrirjes së mëtejshme të pushtetit të vezirit të
Janinës. Prandaj më 9 tetor Aliu nisi 2 000 ushtarë kundër Gjirokastrës. Mustafa
Pasha e i vëllai ngritën krye duke dëbuar njerëzit e vezirit. Atëherë kundër tyre Ali
Pasha dërgoi një ushtri tjetër, e cila i detyroi të dy vëllezërit të braktisnin Delvinën e
të shkonin në Kardhiq. I rrethuar prej dy ushtrive të Aliut, qyteti i Gjirokastrës, pas
marrëveshjes që u arrit me bejlerët vendas, u dorëzua më 20 nëntor 1811. Nën
presionin e banorëve dhe me ndërmjetësinë e motrës së vezirit Shanishasë, bejlerët
vendas u detyruan t’i nënshtroheshin pasi artileria prishi ujësjellësin dhe mullinjtë e
qytetit.
Pas kësaj ngjarjeje agallarët e Zhulatit u tërhoqën nga beslidhja kundër Ali Pashës
dhe iu nënshtruan atij pa luftë. Mbeti vetëm Kardhiqi, krerët e të cilit vendosën të
luftonin.
Luftimet zgjatën nga muaji nëntor 1811 dhe deri nga fundi i muajit shkurt 1812.
Forcave rrethuese të Aliut iu desh të bënin sakrifica të shumta për të përparuar duke
shembur njërën pas tjetrës shtëpitë fortesa ku qëndronin mbrojtësit e qytezës.
Luftimet do të zgjasnin edhe më, po të mos qe ndërhyrja e shtresave të ulta
qytetare që i detyroi krerët të ndërprisnin luftën, e cila u bë e pashpresë sidomos pas
ikjes fshehurazi të emisarit francez në Korfuz. Mustafa Pasha, Demir Dosti e të tjerë
u dorëzuan dhe u dërguan në Janinë ku u burgosën. Aty mjaft prej tyre u
pushkatuan me përjashtim të Mustafa Pashës, i cili vdiq më vonë në burg. Mirëpo Ali
Pasha nuk la pa ndëshkuar qytezën dhe banorët e saj që i kundërshtuan me luftë.
Ndryshe nga trajtimi i qyteteve të tjera, përveç djegies fund e majë të Kardhiqit, ai
pushkatoi edhe shtatëqind meshkuj. Ky akt i rëndë hakmarrës për gjakun e derdhur
gjatë luftimeve duket se u bë edhe si masë frikësimi politik për të shmangur
kundërshtimet e tjera në rrugën e pushtimeve të mëtejshme drejt veriut të
Shqipërisë.
Porta e Lartë pranoi kërkesën e vezirit të Janinës që Myftar Pasha të emërohej
qeveritar i sanxhakut të Vlorës. Duke vënë nën pushtetin e vet Thesalinë, Morenë
dhe Shqipërinë Jugore nga Preveza deri në Shkumbin, familja e Ali pashë Tepelenës
arriti kulmin e fuqizimit të vet. Me shtrirjen e pushtetit të vezirit të Janinës në gjithë
Shqipërinë e Jugut, u bë një hap i rëndësishëm përpara për bashkimin politik të
trojeve shqiptare. Ky ishte një objektiv, drejt të cilit bashko
heshin synimet e feudalëve më të fuqishëm shqiptarë të çerekut të parë të shek.
XIX.

4. PASHALLËKU I SHKODRËS NË VITET 1797-1812


Pashallëku i Shkodrës nën qeverisjen e Ibrahim pashë Bushatlliut (1797-
1809)

Ndërsa po fuqizohej e zgjerohej Pashallëku i Janinës dhe po theksoheshin prirjet e


sundimtarit të tij për t’u shkëputur nga varësia e Portës, Pashallëku i Shkodrës, hyri
në vitet e fundit të shek. XVIII, kur qeverisej nga Ibrahim pashë Bushatlliu, në
rrugën e bindjes ndaj Stambollit. Këtë veprim e bëri me kusht që interesat e
shtresës së tij dhe sidomos trashëgimia e pushtetit nga familja e tij të mos
cenoheshin. Si përfaqësues i grupit më të fuqishëm feudal në Shkodër, ai u njoh prej
sulltanit në maj ose në qershor 1797 si qeveritar i Pashallëkut të Shkodrës me
gradën bejlerbej, kurse i nipi Mehmet Pasha u emërua qeveritar i sanxhakut të
Elbasanit e, pak më vonë, edhe i atij të Ohrit. Por kjo njohje u arrit vetëm pasi ata
pranuan shlyerjen e shumave të detyrimeve të prapambetura nga Kara Mahmudi, i
cili i kishte përdorur ato për të financuar kryengritjen. Porta e Lartë u besoi atyre
pushtetin si pjesëtarë të së vetmes familje që mund të ngrinte shqiptarët e Veriut
për mbrojtjen e kufijve në një kohë kur armata franceze, e komanduar prej gjeneral
Napoleon Bonapartit, po korrte fitore pas fitoresh, po i jepte fund Republikës së
Venedikut dhe po u afrohej kufijve veriperëndimorë të Perandorisë Osmane.
Për ta përdorur në mbrojtjen e kufijve të perandorisë dhe kundër fuqizimit të
Pashallëkut të Janinës, Porta e Lartë i dha Ibrahim Pashës gradën e vezirit më 1799,
kur këtë gradë ia dha edhe Ali pashë Tepelenës, që kishte mbajtur qëndrim të
vendosur kundër rrezikut francez.
Ky rrezik, që e detyroi sulltanin të harronte të kaluarën e shtëpisë së Bushtallinjve, e
detyroi edhe Ibrahim Pashën të ndiqte një politikë bindjeje ndaj Stambollit për të
gjetur përkrahjen që i nevojitej. Veziri Bushatlli, ashtu si paraardhësit e tij, nuk e
ndërpreu kursin e politikës së brendshme të ndjekur prej tyre dhe sidomos politikën
e tolerancës fetare ndaj të krishterëve. Për rrjedhim, ai i ruajti marrëdhëniet e vjetra
me Papatin, me oborrin e Spanjës dhe vazhdoi me Austrinë marrëdhëniet e mira
ekonomike që kishte pasur me Venedikun. Ish zëvendëskonsulli venedikas, tani
austriak, Jak Mark Suma, vazhdoi funksionin që kishte pasur deri në traktatin e
Kampo Formios. Po kështu u soll Ibrahim Pasha edhe me Republikën e Raguzës.
Në sajë të kësaj politike të brendshme e të jashtme, Pashallëku i Shkodrës njohu për
disa vjet një periudhë relativisht të qetë, që i dha mundësi zhvillimit ekonomik të
vendit dhe rritjes së mëtejshme të autoritetit të Ibrahim Pashës në Shqipërinë
Veriore. Ai u bë sundimtar i pavarur e zot absolut në vendin e tij. Më 1802 vdiq
Mehmet Pasha dhe sanxhaku i Elbasanit kaloi në duart e Ali Pashës së Beratit.
Megjithëse midis vezirit të Shkodrës e atij të Beratit filluan mosmarrëveshje për
punë të këtij sanxhaku, sulltani duke parë te Bushatlliu një nga funksionarët e lartë
më të bindur, në tetor 1803 ia besoi atij postin e valiut të Rumelisë, pasi ia hoqi atë
Ali pashë Tepelenës. Detyrën që iu ngarkua në vitin 1804, për të shfarosur një varg
krerësh separatistë në Rumeli, Ibrahim Pasha e përmbushi me sukses.
I kënaqur prej valiut shkodran, sulltani jo vetëm ia konfirmoi ofiqet dhe sipërmarrjet
që kishte pasur, por i dha atij edhe të drejtën të emëronte në sanxhakun e Elbasanit
dhe të Dukagjinit njerëzit që dëshironte vetë. Bushatlliu emëroi në Elbasan dhëndrin
e vet Ahmet pashë Tiranën, kurse në Pejë ithtarin e vet Mustafa pashë Gjakovën.
Kështu Pashallëku i Shkodrës arriti përpjesëtimet tokësore që kishte pasur në kulmin
e sukseseve të vezirëve Bushatllinj paraardhës.
Mirëpo ky përforcim i pushtetit të Ibrahim Pashës së Shkodrës zgjoi shqetësimin e Ali
pashë Tepelenës, i cili u tremb se mos valiu shkodran do të shtinte në dorë edhe 14
kazatë që ai kishte shkëputur nga sanxhaku i Manastirit, të cilat i përkisnin
Bushatlliut si vali. Kjo e shtyu Alinë të pajtohej me vezirin e Beratit dhe të përgatitej
për luftë kundër Bushatlliut. Ishte koha kur kishte shpërthyer kryengritja serbe dhe
malazezët, të nxitur dhe prej rusëve, filluan trazira në kufi. Ibrahim pashë Bushatlliu
ndërmori një ekspeditë kundër Malit të Zi, me anë të së cilës shkëputi prej tij
krahinat e Kuçit, të Piprit dhe të Kelmendit, mirëpo nuk i eci puna mbarë ndaj dy
vezirëve toskë që korrën fitore kundër trupave të tij në Ohër e në Elbasan. Kjo
grindje mund të shndërrohej në një luftë të madhe po të mos ndërhynte Porta për
fashitjen e saj.
Në dhjetor 1805 Selimi III e konfirmoi përsëri Bushtalliun në postin e valiut të
Rumelisë edhe për vitin 1806. Një nga detyrat më me rëndësi që i ngarkoi Porta
Bushatlliut ishte shtypja e kryengritjes serbe. Në korrik 1806 bashkë me vezirët e
Bosnjës dhe të Vidinit ai ndërhyri me forcat e tij kundër kryengritjes në Serbi. Serbët
kërkuan pezullimin e luftimeve. Porta e Lartë, që nuk deshi të hynte në luftë me
Rusinë ku e shtynte Franca, pranoi. Ibrahim Pasha, i cili prishi marrëdhëniet e veta
me mirditasit duke vrarë prijësin e tyre, u largua para kohe duke paraqitur pretekste
të ndryshme, si mungesë furnizimi etj. Kronika shkodrane thotë se “kthej pa fare
dobijet në Shkodër”. Porta e Lartë e shkarkoi nga detyra e valiut të Rumelisë, edhe
nga ajo e kryekomandantit ushtarak të ekspeditës kundër Serbisë.
Ndërkohë francezët kishin pushtuar Dalmacinë dhe kishin mbërritur deri në kufijtë e
Pashallëkut të Shkodrës. Qeveria franceze dërgoi në Shkodër, ashtu siç kishte
dërguar në Janinë, përfaqësuesin e vet, konsullin Mark Bryer, me mision të lidhte e
të forconte marrëdhëniet miqësore. Bushatlliu u druhej fqinjëve të rinj të fuqishëm,
prandaj mbajti ndaj tyre qëndrim të rezervuar e korrekt dhe nuk pranoi të merrte
anën e tyre as përpara dhe as gjatë luftës ruso-turke që filloi në mbarim të vitit
1806. Jo vetëm nuk pranoi të bashkëpunonte me gjeneralët francezë kundër Malit të
Zi, por as të rekrutonte ushtarë me rrogë në pashallëkun e tij. Ai shfaqi dëshirën të
vendoste marrëdhënie miqësore në interes të të dy palëve, gjë që e miratoi edhe
qeveria franceze. Mirëpo këto marrëdhënie hasën në pengesa të shumta si nga
korsarët francezë që kapnin anijet shkodrane, ashtu dhe nga aparati administrativ
burokratik francez, drejtuesit e të cilit kërkonin të nxirrnin përfitime për veten e tyre.
Traktati i Tilsitit (më 1807) i dha fund konfliktit franko-rus dhe ngjalli shpresa se
paqja do të krijonte kushte për zhvillimin më të mirë të marrëdhënieve tregtare me
vendet e tjera. Ibrahim pashë Bushatlliu si çifligar i madh, si pjesëmarrës në
veprimtarinë tregtare e lundrimore dhe si qeveritar i një qyteti të madh tregtar si
Shkodra, shumica e banorëve të së cilës jetonin me tregti, i përmirësoi marrëdhëniet
me konsullin Bryer dhe lejoi disa favore në dobi të fqinjëve lidhur me furnizimin me
ushqime e me lëndë druri. Por mosbesimi që kishte ndaj francezëve mbeti. Duke
përfituar nga përvoja e hidhur e miqësisë së Ali pashë Tepelenës me ta, ai filloi ta
shihte miqësinë me Perandorinë Franceze si rrezik të afërt për pushtimin e
Shqipërisë, aq më shumë kur edhe Porta e Lartë deklaronte se në Tilsit ishin marrë
vendime sekrete kundër Perandorisë Osmane dhe se ndërmjetësimi i Francës për
rivendosjen e paqes me Rusinë ishte i rremë. Prandaj, edhe sipas udhëzimeve të
Stambollit, ai filloi përgatitjen për mbrojtje dhe, në të njëjtën kohë, u afrua me
vezirët e Beratit dhe të Janinës për lidhje ushtarake si e vetmja rrugë për mbrojtjen
e pushtetit të tyre dhe të gjithë vendit. Ultimatumi që guvernatori francez i Korfuzit i
dërgoi Ali pashë Tepelenës për t’i dorëzuar Butrintin se ndryshe do ta pushtonte me
forcë, si dhe kërkesa e autoriteteve ushtarake franceze për të kaluar një divizion
ushtarësh nëpër tokën shqiptare shkaktuan shqetësime në Shqipëri. Në këto
rrethana edhe popullsia e Shqipërisë Veriore, sikurse ajo e pjesëve të tjera të
Shqipërisë, bashkë me krerët e saj, shfaqi zemërim ndaj fqinjit të huaj dhe u
rreshtua rreth vezirit të vet, e gatshme për të mbrojtur vendin. Konsulli Bryer
shkruante në këtë kohë se “kokat e njerëzve ishin nxehur më shumë sesa kujtonte
veziri i Shkodrës”. Bushatlliu, ndonëse nuk i reshti masat mbrojtëse dhe njoftoi edhe
krerët e malësive të ishin gati për luftë, nuk e ndërpreu veprimtarinë e vet
diplomatike për të ruajtur marrëdhëniet paqësore me Francën. I ndërgjegjshëm për
pasojat shumë të rënda që do të sillte një luftë me Francën, ai i deklaroi konsullit
Bryer se në një rast të tillë, më shumë se kushdo tjetër ishte ai dhe vendi i tij që do
të pësonin po të prisheshin marrëdhëniet paqësore, por, në qoftë se lufta do të bëhej
e pashmangshme, ai do të kryente detyrën e vet.
Përpjekjet e Ibrahim Pashës për të mos provokuar konfliktin e armatosur dhe për të
ruajtur gjendjen paqësore dështuan. Vrasja e katër ushtarakëve francezë në Tivar
më 13 mars 1808, që erdhi si pasojë e sjelljes së tyre arrogante dhe e urrejtjes së
tivarasve ndaj tyre, solli rrjedhime të rënda në marrëdhëniet fqinjësore.
Megjithëse hetimet nxorën në dritë fajësinë e katër oficerëve francezë dhe me gjithë
kujdesin e veçantë të vezirit të Shkodrës e të vartësve të tij, në Tivar për të
mënjanuar incidentin, kryekomandanti i ushtrisë së Dalmacisë, gjenerali Marmon e
akuzoi Ibrahim Pashën te perandori Napoleon si shkaktar të vrasjes së katër
oficerëve dhe i kërkoi dënimin e komandantit të Tivarit e të personave të tjerë
pjesëmarrës në këtë vrasje. Në të njëjtën kohë, gjenerali Marmon burgosi të
dërguarin e vezirit të Shkodrës, që 11 ditë më parë i kishte shpënë dhurata në
shenjë miqësie.
Napoleon Bonaparti kërkoi të ndëshkoheshin shkaktarët e vrasjes së oficerëve
francezë në Tivar, urdhëroi që të kërkohej sadisfaksioni i plotë, ndryshe konsulli
Bryer do të largohej nga Pashallëku i Shkodrës me gjithë shtetasit francezë që
gjendeshin aty. Edhe ky urdhër kishte karakterin e një ultimatumi. Por, ashtu siç
dështoi ultimatumi për pushtimin me forcë të Butrintit, dështoi edhe ky. Sa për sy e
faqe Ibrahim Pasha, i përkrahur nga vezirët e Beratit e të Janinës, si dhe nga Porta e
Lartë, e pushoi nga detyra komandantin e Tivarit dhe e goditi këtë qytet. Kurse
francezët, që nuk kishin interes t’i prishnin marrëdhëniet diplomatike me Portën e
Lartë dhe që kishin nevojë për furnizime me ushqime, nuk e zgjatën më tej çështjen
e sadisfaksionit. Si përfundim, marrëdhëniet tregtare u normalizuan, por ngjarje të
rëndësishme në pashallëk e zhvendosën vëmendjen e Ibrahim Pashës nga politika e
jashtme në atë të brendshme.
Ndërsa filluan të normalizoheshin marrëdhëniet fqinjësore me francezët dhe të
gjallëroheshin shkëmbimet tregtare, që përbënin një nga preokupimet kryesore të
shkodranëve, në Tiranë lindi një konflikt i rëndësishëm brenda pashallëkut që solli
rrjedhime serioze me karakter politik dhe ekonomik në Shqipërinë e Veriut dhe
shënoi fillimin e procesit të shpërbërjes së Pashallëkut të Shkodrës.
Vdekja e Ahmet pashë Tiranës që ndodhi në këtë kohë, shtroi për Ibrahim pashë
Bushatlliun dy çështje me rëndësi: së pari, zëvendësimin e tij me një komandant
besnik në krahinën e Tiranës, dhe së dyti, sigurimin e administrimit të pasurisë së
dhëndrit të vdekur, e cila u përkiste vajzave të mitura që la pas. Për këtë ai shkoi
vetë në Tiranë i shoqëruar nga një forcë e rëndësishme ushtarake. Për komandant
vendosi Sulejman pashë Peqinin, megjithëse paria e Tiranës nuk e deshi, kurse për
administrator caktoi të bijën, Humajun hanëmin, nënën e vajzave trashëgimtare.
Pas largimit të vezirit shkodran, paria e Tiranës ngriti krye më 19 nëntor 1808. E
lidhur me Kapllan pashë Toptanin, ajo dëboi me forcë Sulejman Pashën, kurse
Kapllan Pasha nisi për në Shkodër Humajun hanëmin dhe mori vetë në dorë
administrimin e pasurisë së Ahmet Pashës së vdekur, duke u bërë kujdestari i
vajzave të tij. Kështu filloi armiqësia e vjetër e Bushatllinjve me Toptanët, të cilët jo
vetëm prenë rrugën me Shkodrën, por rrethuan edhe Durrësin, të cilit i mbetën
hapur vetëm rrugët detare për të komunikuar me Shkodrën.
Zgjidhja e këtij konflikti shumë të rëndësishëm nuk mund të arrihej veçse me forcën
e armëve. Në muajin shkurt 1809, veziri Bushatlli dërgoi kundër Tiranës një pjesë të
rëndësishme të ushtrisë, të përbërë kryesisht prej malësorësh, nën drejtimin e
komandantit të gardës së vet, Abdyl agë Dervishit. Por zgjidhja që kërkoi të arrinte
Ibrahim Pasha nuk u arrit, sepse pas një sëmundjeje prej pesë ditësh ai vdiq dhe
ushtria u kthye në Shkodër për të vendosur rendin. Kështu krahinat e Tiranës dhe të
Krujës mbetën të shkëputura nga Pashallëku i Shkodrës. Kjo shënoi fillimin e procesit
të shthurjes së këtij pashallëku.
Ibrahim Pasha la pas dy djem të rritur, Tahir Pashën dhe Dervish Beun. Porta e Lartë
ia la pushtetin Tahir Pashës, por meqenëse ai ishte i mitur (nuk kishte mbushur as
pesë vjeç) lindi grindja në gjirin e oborrit të Shkodrës për çështjen e qeverisjes, që
hapi rrugë për një thellim të mëtejshëm të procesit të thërmimit të pashallëkut të
Shqipërisë Veriore.
Megjithëse gjatë viteve 1796-1809 vezir Ibrahim pashë Bushatlliu u tregua më i
bindur ndaj Portës së Lartë sesa paraardhësi i tij Kara Mahmudi, në të vërtetë ishte
po aq i pabindur sa edhe i vëllai. Parimi i përparësisë së interesave të pashallëkut të
vet ndaj atyre të perandorisë mbeti edhe për të princip udhëheqës i marrëdhënieve
me pushtetin qendror. Ky qëndrim i dha atij mundësinë që jo vetëm të mbetej në
radhën e parë të feudalëve të krahinave, që faktikisht ishin autonomë, por edhe të
shtrinte pushtetin e familjes së vet në kufijtë maksimalë që kishte arritur Pashallëku i
Shkodrës në periudhën më të lulëzuar të të atit dhe të vëllait të vet.
Kur konflikti i madh evropian mbërriti në kufijtë veriperëndimorë të Perandorisë
Osmane dhe kur i gjithë vendi, e sidomos Shqipëria e Veriut u gjend në vijën e parë
të rrezikut të pushtimit që sillte me vete ky konflikt, Pashallëku i Shkodrës mundi t’i
përballonte pa pasoja të rënda politike dhe ekonomike synimet grabitqare të
shteteve të fuqishme ruse e franceze. Për rrjedhim, veprimtaria ekonomike e
brendshme dhe e jashtme ndoqi një ritëm thuajse normal. Ky ishte fryt i politikës së
aleancës ushtarake midis vezirëve e pashallarëve vendas, të cilët, përpara kërcënimit
që të humbisnin gjithçka, u detyruan të hiqnin dorë nga rivalitetet e tyre dhe
ndihmuan njëri-tjetrin me mjete dhe ushtarë derisa u kapërcye rreziku me tërheqjen
e fqinjëve agresorë francezë. Ky bashkëveprim, i mbështetur në ndjenjat patriotike
të popullsisë shqiptare që ata qeverisnin, e detyroi edhe Portën e Lartë të hiqte dorë
nga premtimet që u kishte dhënë francezëve për të shkelur dhe për të përdorur
trojet shqiptare në dobi të luftës së tyre.
Ibrahim Pasha, ashtu sikurse Ali pashë Tepelena, mbajti kundrejt rrezikut të jashtëm
një qëndrim të mençur e burrëror. Kurse në çështjen e bashkimit të Shqipërisë nën
një pushtet të vetëm e të përqendruar politik dhe të shkëputjes së saj nga varësia
politike e Portës së Lartë ose për t’u bërë një shtet autonom brenda suazës së
Perandorisë Osmane, ai u tregua konservator. Megjithatë, Ibrahim Pasha, në kushtet
e ndarjes së Shqipërisë në vezirate dhe pashallëqe, arriti të mbante të bashkuar
pjesën më të madhe të Shqipërisë së Veriut dhe krijoi kështu kushtet për zhvillimin
ekonomik të vendit. Ky nivel ekonomik, shoqëror e kulturor, që u sigurua në
Shqipëri, nxiste më shumë prirjen drejt bashkimit politik të vendit. Fillimi i procesit
të shthurjes së Pashallëkut të Shkodrës me shkëputjen e krahinave të Tiranës dhe të
Krujës nga varësia e vezirit të Shkodrës dhe afrimi e lidhja e tyre me vezirin e
Janinës, si dhe kalimi i Shqipërisë së Jugut nën pushtetin e Ali pashë Tepelenës, që
eci me ritme të shpejta, sidomos pas vdekjes së Ibrahim pashë Bushatlliut, ishin
shprehje të qarta të prirjes së vendit drejt bashkimit politik

Grindjet për pushtet në Pashallëkun e Shkodrës

Menjëherë mbas vdekjes së Ibrahim Pashës, u formua regjenca nën kryesinë e


qehajait të vezirit, Sali bej Koplikut, Sulejman Beut të vogël dhe të Mehmet agë
Tabakut, që ishin tre nga bashkëpunëtorët kryesorë të vezirit të vdekur. Regjenca
mori pushtetin në emër të Tahir Pashës pesëvjeçar dhe u mundua të ruante rendin e
qetësinë. Kjo ishte një masë e nevojshme veçanërisht kur doli në dritë rreziku i
shpërbërjes së pashallëkut, që filloi me ngjarjet e Tiranës. Por, me kthimin e ushtrisë
nga Tirana, doli si pretendent për të marrë pushtetin Xheladin Beu, kushëri i vezirit, i
përkrahur nga vëllezërit Dervishaj, njëri komandant i gardës dhe tjetri hazinedar
(përgjegjës i thesarit) i vezir Ibrahim Pashës. Këta pretendonin se detyra e
myteselimit të Tahir Pashës i takonte Xheladin Beut, meqenëse ai ishte më i
moshuari në farefisin e vezirit të vdekur dhe se vetë Ibrahim Pasha atë e linte si
mëkëmbës sa herë që largohej nga Shkodra. Në të vërtetë Dervishajt synonin ta
drejtonin vetë pashallëkun, meqë Xheladin Beu ishte njeri i pazotë. Por synimet e
tyre ndeshnin në antipatinë e krerëve shkodranë dhe të popullsisë së qytetit të
Shkodrës ndaj Xheladin Beut. Krahas këtij grupi doli një tjetër, i cili duke u
mbështetur në pjesën më të madhe të shkodranëve, kërkonte t’i jepte pushtetin
Mustafa Beut, djalit 13-14 vjeçar të Mehmet pashë Bushatlliut, kujtimi i mirë i të cilit
si burrë i virtytshëm ruhej ende në Shkodër. Ky pinjoll Bushatlli përkrahej edhe nga
veziri i Janinës, që kishte fejuar mbesën e vet me të. Ali Pasha i njoftoi krerët
feudalë shkodranë se kishte ndërhyrë në favor të tij pranë Portës së Lartë. Ky
interesim, që në dukje lidhej me krushqinë, nuk ishte i zhveshur nga interesa politike
me bazë bashkimin politik, vullnetar e paqësor të Shqipërisë.
Më 7 mars 1809 në Shkodër plasi një zjarr i shkaktuar nga grindjet midis grupeve
rivale. Ky zjarr u fashit pas djegies së një lagjeje të qytetit, dhe pas marrëveshjes së
krerëve kryesorë për t’ia lënë qeverisjen e përkohshme Xheladin Beut. Mirëpo, duke
pasur frikë se mos humbiste pushtetin dhe meqë Koplikajt, sipas tij, ishin nxitës të
një komploti që synonte t’i jepte qeverisjen Mustafa Beut, Xheladin Beu vrau
Sulejman Beun e vogël. Atëherë, për t’i dalë përpara përçarjes së mëtejshme dhe
luftës civile, krerët e shkarkuan Xheladin Beun nga funksioni që i kishin besuar dhe
ia kaluan atë Mustafa Beut, të bindur se vetëm autoriteti i derës së Bushatllinjve do
të shpëtonte pashallëkun dhe do të mënjanonte luftën civile.
Xheladin Beu megjithëse u ngrit me 300 pasuesit e tij kundër myteselimit të ri dhe
luftoi i mbyllur në sarajet e veta, u detyrua të dorëzohej me kusht që të largohej nga
qyteti pa iu prekur pasuria.
Ky sukses si dhe nënshtrimi i krahinës së Vasejoviqit, që në atë kohë kaloi në anën e
Malit të Zi, e rriti autoritetin e Mustafa Beut dhe u duk sikur u vendos qetësia. Mirëpo
intrigat në oborrin e Shkodrës nuk pushuan. Pas Xheladin Beut u revoltuan vëllezërit
Dervishaj. I këshilluar edhe prej Ali pashë Tepelenës, Mustafa Beu i shkarkoi ata nga
funksionet e larta që mbanin. Ata kundërshtuan dhe, më 21 dhjetor 1809, filluan
qëndresën e armatosur në sarajet e tyre ku kishin futur edhe artileri. Më 18 dhjetor,
edhe ata kapitulluan dhe u larguan nga Shkodra pasi siguruan paprekshmërinë e
pasurisë së tyre.
Fakti se Mustafa Beu ua detyronte pushtetin këshilltarëve e favoritëve që e
përkrahnin, u dha mundësi disave prej tyre të fillonin të pasuroheshin në kurriz të
popullit duke kryer veprime arbitrare.
Ky regjim arbitrar ndeshi në kundërshtimin e fortë të qytetarëve. Përfaqësuesit e
esnafeve me çaushbashin në krye shkuan në kështjellë dhe protestuan te Mustafa
Beu, duke kërkuar prej tij të ndëshkonte veprimin arbitrar të një oficeri të tij ndaj
një tregtari. Mustafa Beu, sipas këshillave të favoritëve të tij, jo vetëm refuzoi ta
ndëshkonte oficerin fajtor, por urdhëroi që çaushbashi të dëbohej nga Shkodra.
Përfaqësia shkodrane kundërshtoi dhe kërkoi prej tij të dëbonte këshilltarët e këqinj.
Shpërtheu kështu konflikti midis qytetarëve dhe qeveritarit. Qytetarët u bashkuan
dhe bllokuan kështjellën. Me lagjet e tjera të Shkodrës u lidh edhe ajo e tabakëve që
njihej si përkrahëse besnike e Bushatllinjve. Shumica e qytetarëve, zejtarë e
tregtarë, ngjeshën armët, ngritën barrikada, siguruan mallrat më të vyera të tregut
në vise ku nuk i kapte rrezja e qitjeve të artilerisë dhe e forcuan bllokadën e
kështjellës. Në këto përgatitje nuk munguan të merrnin pjesë edhe gra shkodrane të
armatosura.
Java e parë e rebelimit të popullit kundër qeveritarit Bushatlli e sidomos kundër
favoritëve të tij, shkoi pa u zbrazur armë nga të dy palët, sepse të gjithë e dinin se
Mustafa Beu ishte ende tepër i ri për ta ngarkuar me përgjegjësi të plotë. Edhe pas
një muaji gjendja nuk ndryshoi. Kjo gjendje pritjeje filloi të shkaktonte çrregullime
në qytet dhe të rrënonte shtresat e varfra qytetare për shkak të pezullimit të
veprimtarisë së tregut. Ndërkohë, përfituan nga trazira dhe mbërritën në Shkodër
Xheladin Beu dhe Dervishajt me qëllim që të merrnin pushtetin duke shfrytëzuar
mosmarrëveshjen midis popullit dhe qeveritarit Bushatlli. Për t’ia arritur qëllimit të
tyre, ata përgatitën një komplot të rrezikshëm. Ndërsa u lidhën me kapedanin e
Mirditës, Preng Lleshin, dhe me komandantin e Lezhës, Sulejman Agën, të cilët i
bindën të ngrinin krye, në Shkodër bënë për vete shumicën e krerëve të qytetit për
ta rrëzuar Bushatlliun e ri nga pushteti i myteselimit. Mirëpo lagjja e tabakëve u
shkëput nga lidhja qytetare, sepse krerët e saj nuk donin të vinte në fuqi Xheladin
Beu dhe as të ndërronte karakteri i lëvizjes që ishte ndëshkimi e dëbimi i favoritëve
të myteselimit të ri. Nga ana e tij, Mustafa Beu kërkoi ndihmën e malësive të
Shkodrës. Më 2 mars 1810 u ndez lufta civile midis përkrahësve të Xheladin Beut
dhe atyre të Mustafa Beut, kurse më 3 mars Zadrima ra në duart e mirditorëve dhe
Sulejman Aga i Lezhës u bashkua me Xheladin Beun.
I përkrahur nga banorët e lagjes së tabakëve dhe nga malësitë, Mustafa Beu filloi më
9 mars kundërsulmin, duke përdorur të gjitha forcat dhe armët e veta, pa
përjashtuar artilerinë. Dy ditë e dy net vazhduan luftimet dhe, megjithëse u vranë e
u plagosën 300 veta nga të dyja palët, fitorja nuk u buzëqeshi as rrethuesve e as të
rrethuarve.
Për të varrosur të vrarët dhe për të filluar bisedimet për marrëveshje, Mustafa Beu
dërgoi përfaqësuesin e vet në qytet. Të lodhur e të dëshpëruar nga konflikti që
shkaktoi aq gjakderdhje e aq dëme materiale në qytet, e sidomos në treg dhe, meqë
nuk prisnin asgjë të mirë nga ardhja në pushtet e Xheladin Beut, shkodranët e
thjeshtë e pritën me dëshirë lajmin e dërgatës së Mustafa Beut.
Bisedimet për marrëveshje filluan më 11 mars, por nuk nxorën në dritë asnjë
përfundim. Kjo gjendje i mërziti shkodranët, prandaj, ata më nevojtarët filluan nga
punët e veta. Shembullin e tyre e ndoqën edhe të tjerë, kështu lëvizja dalëngadalë u
shua. Në këtë mënyrë, heshtazi Shkodra nuk pranoi që pushteti të kalonte në duart
e Xheladin Beut, synimet e të cilit dështuan. Ndërkaq, nga Porta e Lartë mbërriti
fermani që i dha gradën e pashës me dy tuja Mustafa Beut dhe miratoi qeverisjen e
sanxhakut të Shkodrës nga ana e tij në emër të Tahir Pashës, derisa ky të arrinte
moshën madhore. Pashës së ri i mbetej të zgjidhte problemin e Zadrimës dhe të
Lezhës që rrezikonin t’i dilnin përfundimisht nga duart.
Meqenëse nuk ia arritën qëllimit me forcat e tyre në qytetin e Shkodrës, krerët
kundërshtarë u lidhën me forca të jashtme sikurse ato të Kapllan pashë Toptanit dhe
Numan pashë Begollit. Preng Lleshi e Sulejman Aga i dhanë pengje Kapllan Pashës,
kurse Numan Pashës i premtuan bashkimin e krahinave të Lezhës, të Zadrimës e të
Mirditës me sanxhakun e Dukagjinit. Kjo shkëputje që ishte dëshirë e vjetër e
Begollajve, të cilët i kishin humbur ato krahina qysh më 1769, i interesonte edhe
Kapllan Pashës, sepse kështu ai nuk do t’i kishte më në kufi Bushatllinjtë dhe do të
siguronte sundimin e vet në krahinat e Krujës, të Tiranës, të Durrësit dhe të Ishmit
deri në lumin Drin, që ishin vënë nga ajo kohë në “vartësi” të vezirëve shkodranë.
Fakti që krerët kundërshtarë nuk pranuan njohjen zyrtare të Mustafa Beut si
myteselim e si pashë dhe veçanërisht përhapja e lajmit për mundësinë e shkëputjes
së tri krahinave nga sanxhaku i Shkodrës, i afroi shkodranët dhe i lidhi me
qeveritarin e tyre ligjor. Ky lajm i detyroi edhe pashallarët kosovarë të Prizrenit, të
Prishtinës, të Shkupit dhe të Tetovës të afroheshin me Bushatlliun dhe t’i premtonin
atij përkrahje ushtarake kundër Numan Pashës së Pejës me të cilin ishin në grindje.
Shqetësimi i tyre lidhej në radhë të parë me ndryshimet që po ndodhnin në
Shqipërinë Jugore në dobi të pushtetit të Ali Pashës dhe me rrezikun e shtrirjes së
mëtejshme të sundimit të tij edhe në Shqipërinë Veriore, mbasi ndërkohë
administrimi i sanxhakëve të Elbasanit dhe të Ohrit kishin kaluar në duart e
tepelenasve.
I çliruar nga trazirat në qytetin e Shkodrës dhe i përkrahur nga pashallarët kosovarë,
Bushatlliu e drejtoi ushtrinë e vet, të përforcuar me malësorë besnikë të
Mbishkodrës, në Zadrimë e në Lezhë. Preng Lleshi dhe Sulejman Aga, të mbetur pa
ndihmën e forcave të Numan Pashës, që nuk guxoi të ndërhynte, sepse u gozhdua
nga forcat e pashallarëve kosovarë, pësuan disfatë. Kapidani i Mirditës, që u plagos
vetë dhe humbi të vëllanë e një numër pasuesish, u tërhoq në krahinën e vet, kurse
komandanti i Lezhës u kap i gjallë.
Kjo fitore e rëndësishme i detyroi krerët kundërshtarë shkodranë, duke filluar nga
më të moderuarit deri te Xheladin Beu e Dervishajt që kishin qenë koka e komplotit,
por që u fshehën prapa aleatëve të tyre, të kërkonin pajtim me myteselimin zyrtar e
fitimtar. Për t’u dhënë fund grindjeve, Bushatlliu pranoi t’i falte dhe të pajtohej me ta
në muajin gusht 1810. Por pajtimi nuk zgjati shumë. Xheladin Beu e Dervishajt, të
shqetësuar se mund të arrestoheshin, sikurse disa krerë përkrahës të tyre, u
rebeluan përsëri më 27 mars 1811 dhe luftuan kundër forcave të Bushatlliut deri më
2 shkurt 1811, derisa pozicionet e tyre u shkatërruan nga artileria e tij. Pas kësaj ata
u larguan fshehurazi nga Shkodra.
Ky sukses i ri si dhe një fitore tjetër mbi malazezët, që kishin sulmuar në kufi, i
dhanë fund përçarjes feudale në Shkodër dhe në sanxhak. Kjo u shpreh në bindjen e
plotë të komandantëve të krahinave, të cilët njëri pas tjetrit iu nënshtruan pashës
Bushatlli. Kështu u rivendos autoriteti i shtëpisë së Bushatllinjve dhe u rrit
përqendrimi i pushtetit në duart e saj. Por trazirat e deritanishme thuajse e kishin
reduktuar Pashallëkun e Shkodrës në kufijtë e sanxhakut të Shkodrës.
Nga Pashallëku i Shkodrës ishin shkëputur sanxhakët e Ohrit dhe të Elbasanit, që
kishin kaluar nën sundimin e vezirit të Janinës, ndërsa, nga ana tjetër, kishte dalë në
shesh armiqësia e Begollajve ndaj Bushatllinjve duke u asgjësuar kështu edhe lidhja
që e bënte sanxhakun e Dukagjinit të konsiderohej si pjesë përbërëse e atij
pashallëku. Më 1 gusht 1811, Ali pashë Tepelena pushtoi qytetin e Vlorës dhe bashkë
me të, pjesën dërrmuese të sanxhakut të Vlorës. Kjo gjendje i detyroi krerët
kryesorë të sanxhakut të Shkodrës si dhe ata të sanxhakëve të Kosovës të
shtrëngonin lidhjet e tyre rreth Mustafa Pashës, me qëllim që të krijohej një ekuilibër
i ri forcash në Shqipëri për të penguar shtrirjen e mëtejshme të sundimit të vezirit të
Janinës drejt veriut. Ky afrim u bë sidomos kur Bushatlliu i ri filloi përgatitjet për
martesën e vet me mbesën e Ali Pashës. Nën ndikimin e tyre, Mustafa Pasha i drejtoi
Portës së Lartë një kërkesë, me anën e së cilës i lutej t’i besohej detyra e mytesarifit
të sanxhakut të Shkodrës. Këtë kërkesë e motivoi me nevojën për t’i bërë ballë
vezirit të Janinës, i cili duke strehuar Xheladin Beun, si dhe bejlerët e agallarët e
tjerë të dëbuar nga Shkodra, kishte për qëllim të shtinte në dorë edhe sanxhakun e
Shkodrës dhe pastaj të shpallej sundimtar i pavarur. Në fund të lutjes ai shtonte se e
konsideronte Ali Pashën armik dhe, po ta lypte nevoja, ishte gati të jepte jetën e vet
për sulltanin.
Kjo kërkesë u shoqërua nga një varg deklaratash të kadilerëve të krahinave të
sanxhakut të Shkodrës, në të cilat thuhej se Mustafa Pasha ishte treguar i aftë të
vendoste rendin e qetësinë dhe të mbronte kufijtë, prandaj kërkohej nga Porta e
Lartë që ai të emërohej mytesarif i sanxhakut të Shkodrës.
Në të vërtetë, Mustafa Pasha dhe ata që qëndronin pas tij kishin arsye t’i shihnin me
dyshim synimet pushtuese të vezirit të Janinës, mbasi Numan Pasha i Pejës ishte një
nga të përkrahurit e tij, kurse Kapllan Pasha i Krujës ishte vartës i drejtpërdrejtë i tij,
meqenëse krahinat ku qeveriste ai i përkisnin sanxhakut të Ohrit. Xheladin Beu dhe
Dervishajt jo vetëm ishin strehuar në trojet ku sundonte Kapllan Pasha, por kishin
marrë edhe drejtimin e krahinës së Tiranës, kishin vrarë dy vëllezër të familjes së
Jellajve, që nuk kishin dashur të shkëputnin lidhjet e tyre me Bushatllinjtë, dhe
kishin detyruar Ahmet agë Jellën të braktiste sipërmarrjen e Durrësit e të arratisej.
Në këto rrethana Mustafa Pasha filloi të kundërvepronte. Nga njëra anë, dërgoi forcat
ushtarake deri 10 km larg Pejës për të nxitur e inkurajuar pejanët të ngriheshin
kundër Numan Pashës, për të dëbuar e për të vendosur në vendin e tij Ethem
Pashën; nga ana tjetër, filloi një fushatë të gjerë për pajtimin e gjaqeve dhe
armiqësive në të gjithë sanxhakun e Shkodrës. Fushata të tilla bëheshin vetëm në
raste të jashtëzakonshme, kur i duhej bërë ballë ndonjë rreziku të madh.
Të gjitha këto ngjarje treguan ndarjen në dy fronte armiqësore të pashallarëve
shqiptarë, që ishin njëri kundër bashkimit të vendit nën një pushtet të vetëm, kurse
tjetri pro këtij bashkimi. Kjo përçarje u kristalizua pikërisht kur mendohej se lidhja e
krushqive midis dy familjeve më të fuqishme të parisë shqiptare, mund të shpinte në
marrëveshje midis tyre për t’u kryer kthesa e madhe politike e bashkimit të klasës
feudale shqiptare dhe e shtetit të saj, pa të cilën nuk mund t’i jepej fund pushtimit
shekullor osman. Mirëpo përçarja e krerëve shqiptarë ishte ende një plagë e thellë,
që ushqehej në radhë të parë nga partikularizmi i theksuar i disa oxhaqeve kryesore
feodale.
Porta e Lartë nuk la pa e shfrytëzuar këtë gjendje. Ajo jo vetëm pranoi ta emëronte
Mustafa Pashën mytesarif të sanxhakut të Shkodrës, por shqyrtoi edhe mundësinë
për ta ngritur atë në shkallën e vezirit dhe për t’i krijuar kushtin e domosdoshëm që
të grumbullonte rreth vetes të gjithë krerët, kundërshtarë të vijës së bashkimit të
klasës feudale shqiptare nën një udhëheqje të vetme politike. Një vendim të tillë ajo
e mori kur Mustafa Pasha dërgoi 800 krushq të vinin të merrnin nusen e tij në
Janinë. Më 25 maj 1812, kur krushqit shkodranë po ktheheshin në Shkodër bashkë
me nusen, mbërriti i dërguari i Portës së Lartë me fermanin në fjalë. Në atmosferën
e gëzimit të dasmës, shpallja e fermanit që e emëronte Mustafa Pashën mytesarif të
sanxhakut të Shkodrës e të njësive që vareshin prej tij dhe që e ngrinte atë në
shkallën e vezirit, zhduku ato mundësi të pakta për afrimin e qeveritarëve të
Shqipërisë Veriore e Verilindore me qeveritarin e Shqipërisë së Jugut, i hapi rrugën
jo vetëm shembjes së afërt të dy pashallëqeve, por edhe asgjësimit ekonomik e
politik madje dhe fizik të dy familjeve sunduese që nuk arritën të merreshin vesh e
të bashkoheshin me njëra-tjetrën.

5. SHEMBJA E PASHALLËKUT TË SHQIPËRISË JUGORE


Konflikti i vezirit të Janinës me Stambollin

Qysh në fund të vitit 1787 Ali Pasha kishte synuar, sikurse thuhej, “të shpallej një
Mahmud Pasha i dytë sapo turqit të pësonin disfatën e parë”. Përforcimi i tij
ekonomik, dobësimi i vazhdueshëm i pushtetit qendror dhe rrethanat politike
ndërkombëtare ushqenin vazhdimisht shpresën e një pjese të krerëve shqiptarë që
përfaqësoheshin nga Ali Pasha, për të mënjanuar sa më shumë vartësinë nga Porta e
Lartë, për të mos e ndarë pushtetin dhe të ardhurat e vendit me pushtetin qendror
osman. Një varg dëshmish tregojnë se Ali Pasha nuk hoqi dorë nga ideja e
pavarësisë. Këtë çështje e kanë vënë në dukje sidomos personalitetet diplomatike
me të cilat ai pati lidhje. Nënadmirali rus Ushakov theksonte më 1789 se Ali Pasha
“përpiqet të jetë sundimtar i pavarur, madje kësaj mund t’ia arrijë së shpejti”.
Uilljam Hamiltoni, sekretar i ambasadës angleze në Stamboll, që vizitoi Janinën më
1803, i raportoi qeverisë angleze të njëjtin mendim, madje ai vuri në dukje se Ali
Pasha “në fakt është i pavarur nga qeveria turke”. Edhe personalitetet osmane kishin
krijuar një bindje të tillë nga veprimtaria e Aliut. Kapedan Pasha shfaqi më 1804
mendimin se “Ali Pasha kërkon të pushtojë gjithë Shqipërinë dhe pastaj të shpallet i
pavarur”. Në korrespondencën që i drejtohej sulltanit, thuhej se Ali Pasha “nuk ka
lidhje me fenë islame dhe ka për ta tradhtuar shtetin osman me të gjitha forcat e tij
gjer në shkallën e fundit”. Por edhe sulltan Mahmudi II priste të vinte koha e
përshtatshme për të larë llogaritë me mëkëmbësin e tij të fuqishëm e të pabindur,
edhe pse në marrëdhëniet zyrtare me Portën, ai ishte nga më të rregulltit në
shlyerjen e detyrimeve ushtarake e sidomos të atyre financiare.
Në vitin 1812, kur lidhi paqen me Rusinë dhe kur Fuqitë e Mëdha evropiane
gjendeshin në pragun e fazës vendimtare të luftës midis tyre, sulltan Mahmudi II e
drejtoi vëmendjen në problemet e brendshme të perandorisë. Pushteti qendror duhej
forcuar, duke kufizuar dhe mënjanuar sundimtarët e fuqishëm të provincave.
Vëmendja e tij u drejtua në radhë të parë mbi më të fuqishmin e më të rrezikshmin e
tyre, Ali pashë Tepelenën, i cili jo vetëm kishte qenë kundër përfundimit të paqes së
Bukureshtit të muajit maj 1812, por kishte ndezur në sanxhakun e Ohrit luftën me
Jusuf Beun e Dibrës, vartësin e vet të pabindur dhe ithtarin e vezirit të Shkodrës.
Mirëpo sulltani e njihte mirë fuqinë e këtij dhe nuk guxoi të merrte ndonjë vendim. I
nxitur nga ambasadori frëng Andreosi, ai arriti të merrte një masë të ndërmjetme,
me qëllim që ta kufizonte pushtetin e vezirit të Janinës. Prandaj urdhëroi që Veli
Pasha të transferohej në sanxhakun e Tërhallës dhe funksionet që mbante vetë Aliu
e Myftar Pasha të pezulloheshin deri në një urdhër tjetër. Ky qëndrim i sulltanit e
shqetësoi Ali Pashën dhe e detyroi të merrte masa mbrojtjeje e të mbështetej
kryesisht në forcat e veta. Nga ana tjetër, ai ruajti dhe i forcoi lidhjet me Anglinë, së
cilës ndihma e tij i shërbente për dëbimin e francezëve nga ishujt jonianë si dhe për
depërtimin e mallrave angleze në Evropë.
Në muajin prill 1813 u bë në Janinë takimi i vezirit me gjeneralin anglez Ejre, të cilit
Ali Pasha i premtoi ndihmën e vet kundër francezëve për pushtimin e Korfuzit. Në
emër të qeverisë angleze gjenerali premtoi t’i dorëzonte qytetin e Pargës dhe sipas
shërbimeve që do të kryente, mund t’i dorëzohej edhe Lefkadha, Itaka dhe
Meganisia. Ai i premtoi gjithashtu Aliut se, po të lindte nevoja, Anglia do ta mbronte
atë dhe familjen e tij nga zemërimi i sulltanit duke e strehuar në ishujt jonianë pas
vendosjes së protektoratit të saj mbi to. Afrimi me Anglinë si dhe ndërhyrja e vezirit
të madh, Hurshid Pashës, pranë sulltanit, për të mos i acaruar më marrëdhëniet me
vezirin e fuqishëm të Janinës në një kohë kur kryengritja serbe po zgjerohej, sollën
një farë zbutjeje. Porta e Lartë nuk nguli këmbë që ai e Myftari të merrnin pjesë në
shtypjen e kësaj kryengritjeje. Në muajin tetor 1813 detyra e derbend-pashës dhe
ajo e qeverisjes së sanxhakut të Janinës iu konfirmuan përsëri Ali Pashës, kurse të
bijve e të nipërve iu shpërndanë sanxhakët e Shqipërisë Jugore dhe grada
pashallarësh. Rrethanat politike ende nuk e lejonin sulltanin të vazhdonte goditjet e
papërgatitura kundër Ali Pashës, prandaj ky mundi të ruante pozitat kryesore
ushtarake e financiare. Por, duke parashikuar furtunën e ardhshme, ai vazhdoi të
shtonte armatimet dhe të pajisej dhe me 200 topa zjarrhedhës të prodhimit të fundit
anglez.
Në mars të vitit 1814, kur francezët po largoheshin nga ishujt jonianë dhe forcat
angleze nuk ia kishin më nevojën vezirit të Janinës, Londra i shkeli premtimet, ndër
të cilat edhe dorëzimin e qytetit të Pargës, të cilin e mori vetë nën mbrojtje.
Megjithëse Ali Pasha i kishte afruar shumë forcat e tij pranë këtij qyteti dhe ishte
munduar t’ua merrte atë francezëve, duke u premtuar se nuk do të lejonte që ata të
binin në duart e anglezëve, nuk ia arriti qëllimit. Francezët nuk i zunë besë Ali
Pashës dhe parapëlqyen të kapitullonin para anglezëve. Por Aliu nuk hoqi dorë dhe
priti rastin e duhur për të mos e lënë edhe atë pjesë të bregdetit shqiptar në duart e
të huajve.
Qëndrimi i ri i Anglisë ndaj Ali Pashës ishte lidhur me situatën e re ndërkombëtare që
u krijua në Evropë pas vitit 1815. Me shembjen e Perandorisë Franceze dhe me
stabilizimin e gjendjes ndërkombëtare që u shpreh në formimin e “Lidhjes së
Shenjtë”, Fuqitë e Mëdha u drejtuan kundër çdo lëvizjeje që rrezikonte fronet
mbretërore. Me fjalë të tjera, Londra nuk mund të përkrahte synimet e pavarësisë së
mikut të saj. Meqenëse pushtimi i Pargës solli me vete një farë ftohjeje me Portën e
Lartë, anglezët, që deklaruan se pushtimi ishte i përkohshëm, e ndreqën punën kur
përfunduan traktatin e Parisit. Ata pranuan me këtë rast t’i kthenin Perandorisë
Osmane Pargën kundrejt njohjes së protektoratit anglez mbi ishujt jonianë. Dorëzimi
i Pargës u arrit vetëm më 10 maj 1819 pasi Ali Pashai pagoi, siç rezulton nga regjistri
i llogarive të tij, 612 000 realë për të shpërblyer pasurinë e braktisur të atyre
parganjotëve që u shpërngulën në ishujt jonianë. Kështu, pas përpjekjesh
shumëvjeçare, Ali Pasha i sheshoi kufijtë politikë që e veçonin këtë qytet nga
bregdeti shqiptar dhe e bashkoi atë me mëmëdheun. Që prej kësaj kohe, i plotësuar
me banorë të rinj, të ardhur nga brendia e vendit, Parga, nga një vatër grindjesh e
lufte, u shndërrua në një qytet paqësor dhe në një skelë tregtare të rëndësishme.
Gjatë viteve 1815-1819, meqenëse kushtet ndërkombëtare dhe ato të brendshme
nuk ndihmonin në realizimin e procesit të bashkimit të trojeve shqiptare, Ali Pasha u
detyrua t’i përmirësonte marrëdhëniet e tij me Stambollin. Kështu, ai mundi të
ruante të paprekur sundimin e familjes së tij në Thesali, në Shqipërinë Jugore, dhe
në sanxhakët e Ohrit dhe të Elbasanit, ku u mundua të përforconte autoritetin e vet
duke tërhequr nga ana e tij një varg feudalësh kryesorë, të cilëve u la në dorë postet
drejtuese dhe sipërmarrjet. Në sanxhakun e Ohrit mbajti si myteselim Xheladin
Beun, dajën e Mustafa pashë Bushatlliut, në Elbasan Abdulla pashë Taushanin, në
sipërmarrjen e Durrësit Alltunët e Toptanët, në Dibër bëri për vete ajanin e Dibrës,
Abaz Beun dhe në Mat bejlerët kryesorë vendas, duke rekrutuar atje ushtarë me
rrogë etj. Si rrjedhim, ai arriti të kufizonte shtrirjen e ndikimit të Mustafa pashë
Bushatlliut në Tiranë ku komandën e vendit e mori Molla Beu. Përveç kësaj, duke
përkrahur qeveritarët e Prizrenit dhe të Shkupit, dy nga rivalët kryesorë të orvatjeve
të vezirit Bushatlli për të vendosur pushtetin e tij të drejtpërdrejtë ose dhe të
tërthortë në sanxhakun e Dukagjinit, Ali Pasha bëri që të dështonin këto orvatje në
këtë sanxhak. Porta e Lartë vendosi këtu si qeveritar një njeriun e vet. Pra,
mosmarrëveshjet ndërmjet vezirëve të Shkodrës e të Janinës, që filluan qysh në
mesin e vitit 1812, nuk u ndërprenë. Të dyja palët u qëndruan besnike vijave të tyre
politike.
Porta e Lartë, që kishte ndjekur me kujdes të veçantë veprimtarinë e dy vezirëve
dhe sidomos atë të vezirit të Janinës, nuk priste veçse rastin të ndërhynte kundër tij.
Më 1819 sulltani kishte arritur në përfundimin se “Ali pashë Tepelena ... ka
ndërmend të shtjerë në dorë edhe Gegërinë” dhe “po shkuan punët kështu, në
Shqipëri ka për të plasur kryengritja”. Mustafa pashë Bushatlliu, pushteti i të cilit
gjatë viteve 1812-1819 mbeti i lëkundshëm si brenda, ashtu dhe jashtë kufijve, doli
kundër synimeve të Ali Pashës. Ky mbështetej atëherë te Porta e Lartë edhe te
pashallarët kosovarë. Në këto rrethana Mustafa Bushatlliu vazhdoi ta nxiste Portën
kundër këtij rivali të fuqishëm. Bushatlliu shkruante se “qëllimi dhe ëndrra e Ali
Pashës qëndronte në pushtimin e Gegërisë, ashtu siç ka pushtuar vendet e
Toskërisë”. Por sulltan Mahmudi II nuk i besonte as Mustafa Pashës, sepse edhe te
ky, si te të gjithë feudalët e mëdhenj, shihte një kundërshtar të reformave që
synonin fuqizimin e pushtetit qendror. Për sulltanin ishte e qartë se edhe pashai
shkodran kishte “mendime rebelimi në kokën e tij”. Duke parë pozitën e dobët të
Portës në Shqipëri, sulltani zbatoi politikën e thyerjes së feudalëve të mëdhenj njëri
pas tjetrit, me anë të rivalëve të tyre. Mahmudi II u përpoq të përdorte Bushatlliun
kundër vezirit të Janinës, sa pa u bërë ndonjë marrëveshje midis tyre, dhe filloi të
merrte masa për të përgatitur shembjen e Pashallëkut të madh të Janinës. Në
përputhje me këtë vijë, qysh në fillim të vitit 1820, sulltani urdhëroi që ndaj Mustafa
pashë Bushatlliut të mbahej një qëndrim afrues, meqenëse, siç thuhej në urdhër,
“mytesarifi i Shkodrës është penduar nga rruga që ka ndjekur”. Më pas ai vuri në
zbatim fazën e parë të planit të vet, që parashihte kufizimin e pushtetit të Ali pashë
Tepelenës.

Organizimi i brendshëm i pashallëkut

Në të vërtetë, pas një vargu veprimesh kryesisht të paligjshme, por të mbuluara me


vellon e akteve të ligjshme, që kinse bëheshin për forcimin e pushtetit osman, Ali
Pasha kishte vënë nën sundimin e vet, në fillim të vitit 1819, një territor mjaft të
madh të banuar pjesërisht nga shqiptarë dhe pjesërisht nga popullsi greke, sllave,
vllahe e hebraike, që së bashku arrinin në rreth 1,5 milionë frymë. Kufijtë e këtij
territori fillonin nga lumenjtë Shkumbin e Vardar në Veri dhe mbaronin në gjirin e
Korinthit në Jug, pasi i vinin rrotull një pjese të deteve Adriatik e Jon në Perëndim
dhe një pjese të detit Egje në Lindje. Pashallëku i Janinës përfshinte sanxhakët e
Tërhallës, Lepantit, Janinës, Delvinës, Vlorës, Elbasanit dhe të Ohrit, 14 kaza të
sanxhakut të Manastirit dhe 3 kaza të sanxhakut të Selanikut.
Për të qeverisur këtë territor të madh, veziri i Janinës kishte bërë përpjekje që
ushtrinë e tij të viteve të para të sundimit ta zmadhonte, ta organizonte më mirë dhe
ta armatoste edhe me mjete më të reja të kohës. Tashmë ai kishte ngritur dhe
mbante në këmbë një ushtri të përhershme, repartet e së cilës shërbenin në të gjitha
pjesët e pashallëkut nëpër grykat e urat e rrugëve, nëpër kullat e fortifikimet e
shumta të kufijve dhe sidomos nëpër kështjellat gjatë bregdetit dhe brenda vendit.
Efektivi i kësaj ushtrie në vitin 1819 arrinte deri në 15 000 veta. Në kohë lufte Ali
Pasha mund të grumbullonte brenda dy-tri ditëve një ushtri prej 50 000 vetash dhe
brenda dy-tri javësh këtë forcë ushtarake mund ta dyfishonte dhe ta mbante në
këmbë për një kohë mjaft të gjatë me mjetet e veta financiare, me armatime dhe
me kuadro komanduese të sprovuara. Duke ndjekur sistemin e rekrutimit vullnetar
me pagesë, që e bënte me anën e bylykbashëve, kapedanëve dhe të bajraktarëve,
dhe duke qenë se këta ushtarë sidomos ata shqiptarë, ishin të stërvitur për punë
armësh që në vogëli, Ali Pasha nuk e kishte problem të veçantë përgatitjen për luftë
të forcave që i nevojiteshin. Përveç kësaj, këta ushtarë duke qenë qitës të mirë,
marshues të shpejtë e të qëndrueshëm dhe në përgjithësi trima, mbaheshin si
ushtarët më të mirë të Perandorisë Osmane. Përveç armës së këmbësorisë, në
ushtrinë e tij bënin pjesë si reparte më vete kaloria dhe artileria. Ali Pasha kishte
edhe një numër më të madh anijesh luftarake. Për aftësimin dhe përdorimin sa më
të mirë të armëve moderne, Aliu mori në shërbim instruktorë të aftë evropianë dhe
ngriti në Bonila edhe një fonderi për prodhim armësh, sidomos topa e bombarda.
Në krye të këtyre forcave të armatosura qëndronte Këshilli i Lartë ushtarak.
Komandant ushtarak ishte krijuesi dhe financuesi i tyre Ali Pasha. Anëtarë të këtij
Këshilli ishin mëkëmbësit e tij nëpër sanxhakë, si Myftar Pasha, Veli Pasha, Xheladin
bej Ohri, Abdullah pashë Taushani etj., dhe nga bashkëluftëtarët e vjetër që kishin
mbetur, Meço Bono, Ago Vasjari, Thanas Vaja, Mehmet agë Muhyrdari, Tahir Abazi
etj. Në të bënin pjesë edhe komandantë të rinj, si Omer bej Vrioni, Iljaz bej Poda,
Elmas e Selfo Bono etj., por fjalën e fundit edhe në këtë forum e thoshte vetëm Aliu.
Mëkëmbësit e Ali Pashës kryenin në sanxhakët e pashallëkut, përveç funksioneve
ushtarake, edhe funksione administrative; zëvendësit e tyre nëpër krahinat e
sanxhakëve, myteselimët, ushtronin pushtetin e tyre duke u mbështetur, sikurse
edhe më parë, te ajanët e koxhabashët.
Përveç këtij rrjeti administrativ që kishte ngritur e që përbënte themelin e
administratës së tij, Ali Pasha kishte ruajtur e zgjeruar në Janinë edhe aparatin
qendror. Ai solli aty zyrtarë të zgjuar e me përvojë, myslimanë e të krishterë, që i
shërbenin si këshilltarë e sekretarë për çështjet e brendshme, për lidhjet me Portën
dhe për marrëdhëniet me jashtë. Këta zyrtarë ishin zgjedhur nga gjiri i parisë së
pashallëkut, sikurse Mehmet Efendiu, Said Ahmeti, Haxhi Shehriu, Hysen bej Konica,
Sali Çami etj. Kurse Kosta Gramatikoi, Spiro Kolovoi, Mantho Konomi, Lluka Vaja
etj., ishin zgjedhur nga borgjezia e pasur e krishtere me kombësi shqiptare, greke,
vllahe etj. Për punë të veçanta me karakter ekonomik, fetar e politik, Ali Pasha
shfrytëzonte edhe arkondët Stavro Capallano e Dhimitër Dhroso, peshkopët e
Janinës e të Artës, profesorin Athanas Psalidha etj. Ndër këshilltarët më të afërt, që
kryenin detyrën e sekretarëve, të cilët mbrojtën për një kohë të gjatë interesat e
vezirit të Janinës pranë Portës së Lartë, ishte edhe Hysen bej Konica, një i afërt i tij
nga e ëma.
Duke përqendruar gjithnjë e më shumë pushtetin në duart e veta, Ali Pasha ushtroi
më me kujdes edhe të drejtën e gjyqit të apelit, me të cilin ai kontrollonte
veprimtarinë e gjykatave dhe titullarët e tyre, kadilerët.
Ndryshe nga qeveritarët e tjerë të perandorisë, Ali Pasha krijoi ndërkohë një armë të
re, atë të policisë. Kjo i shërbeu kryesisht për ta informuar lidhur me veprimtarinë
sekrete të kundërshtarëve të tij brenda dhe jashtë pashallëkut, me planet e qeverisë
qendrore në Stamboll dhe me pikëpamjet e qeverive evropiane lidhur me politikën
ndërkombëtare.
Shpenzimet për ushtrinë dhe administratën, për ngritjen, pajisjen dhe për mbajtjen e
pallateve e të vilave, si dhe rezervat e thesarit për ditët e vështira, Ali Pasha e
djemtë e tij i siguruan në sajë të dy burimeve kryesore të ardhurash, prej pasurisë
private të tyre dhe prej monopoleve. Pasuria private e familjes së Ali Pashës erdhi
duke u rritur vazhdimisht nga konfiskimet e pronave të familjeve kundërshtare, nga
“blerja” e tokave të një vargu fshatrash, nga tregtimi i prodhimeve bujqësore e
blegtorale brenda e jashtë vendit, nga veprimtaria bankare etj. Prodhimi e tregtimi i
kripës, i ziftit etj., që tradicionalisht kanë qenë monopole shtetërore, i sillnin arkës së
Ali Pashës të ardhura të mëdha.
Megjithëse shpenzimet ushtarake e administrative ishin mjaft të mëdha në krahasim
me ato të vezirëve të tjerë, sepse Aliu përgatitej që një ditë të mund të shpallej
sundimtar i pavarur ose autonom, ai mundi të krijonte një thesar të konsiderueshëm,
i cili në vitet 1819 vlerësohej në 250 milionë piastra.
Në varësi të synimeve që Ali Pasha kërkonte të arrinte me anë të pushtetit të vet të
fuqishëm e të organizuar, ai zbatoi edhe një politikë të tolerancës fetare. Nuk ishte i
rastit fakti që një pjesë e klerit, sidomos bektashinjtë, propagandonin se ai ishte
njeri me fat të madh, se ishte caktuar të themelonte dinastinë e mbretërisë
shqiptare. Nuk ishte e rastit as edhe prirja e disa klerikëve për të futur në shërbesat
kishtare edhe gjuhën shqipe. Më së fundi, nuk ishte e rastit as propaganda e një
vargu oborrtarësh që e krahasonin atë me Pirron e Epirit.

Shembja e Pashallëkut të Janinës (1822)


Sulltan Mahmudi II, e kuptoi rrezikun e madh që i vinte Perandorisë Osmane nga
ngritja dhe fuqizimi i pushtetit të Ali Pashës dhe sidomos nga përpjekjet e tij për të
nënshtruar gjithë Shqipërinë e Veriut, prandaj kur pa qartë se veziri i Janinës nuk
arriti të bëjë për vete pashallarët e kësaj treve, më 1819 vendosi të vinte në jetë
planin e vet kundër tij, të ndërprerë më 1810. Atë e ndihmoi në këtë vepër edhe
qëndrimi i vezirit të Shkodrës, i cili pranoi të vihej në shërbim të Portës së Lartë për
të luftuar e shkatërruar Ali Pashën. Për rrjedhim, në fillim të vitit 1820 sulltani i dha
goditjen e parë; e emëroi të birin e Aliut, Veli pashë Tepelenën qeveritar të
sanxhakut të vogël të Lepantit, kurse sanxhakun e rëndësishëm të Tërhallës ia dha
një besniku të perandorisë, Sulejman Pashës.
Pasi mësoi se ky qëndrim ishte rrjedhim edhe i këshillave të favoritit të sulltan Halit
Efendiut, që ishte nxitur nga intrigat e Pasho Beut, një feudal janinjot i dëbuar prej
tij, Ali Pasha vendosi që këtë ngatërrestar ta zhdukte. Por atentati që organizoi në
muajin mars kundër tij në Stamboll dështoi, ndërsa njerëzit që u kapën treguan se
ishin dërguar nga Janina prej Ali Pashës.
Sulltan Mahmudi II e quajti atentatin një fyerje ndaj autoritetit të vet. Duke marrë
shkas nga ky veprim, i hoqi vezirit të Janinës detyrën e derbend-pashës dhe dëboi
nga Stambolli Hysen bej Konicën bashkë me vartësit e tij si mbështetës të
atentatorëve. Po në këtë kohë iu dha urdhri valiut të Rumelisë, Hysen Pashës, të
shpërngulej nga Sofja, të kalonte në Manastir, ku të vendoste pushtetin e vet dhe të
shkatërronte ndikimin e Aliut në këtë zonë, duke i rimarrë 14 kazatë që tepelenasi i
qeveriste në emër të tij. Edhe Veli Pashës, i akuzuar se ishte larguar nga Lepanti pa
leje për të takuar Aliun në Prevezë, Porta e Lartë i hoqi gradën e vezirit dhe
komandën e Lepantit, të cilën ia dha Pehlivan Ibrahim pashës. Ndërkohë sulltani nuk
mori parasysh protestën e Ali Pashës lidhur me postin e derbend-pashës dhe nuk
lejoi që komisioni i të krishterëve, i cili do t’i parashtronte lutjen për t’ia kthyer Aliut
atë post, të hynte në Stamboll. Meqenëse veziri i Janinës nuk kishte larguar forcat e
veta nga derbendet, por përkundrazi kishte filluar të rekrutonte ushtarë, Porta e
Lartë vendosi t’i hiqte sanxhakët e Ohrit dhe të Elbasanit, të cilat ia dha vezir
Mustafa pashë Bushatlliut. Veziri i Madh i shkruante Aliut se sulltani e dënoi për fajet
e tij dhe, duke pasur mëshirë për të e besim se do të largonte forcat ushtarake nga
sanxhakët e kazatë që tashmë u përkisnin vezirëve të tjerë, po i linte atij sanxhakun
e Janinës, Sali Pashës sanxhakun e Vlorës dhe Mehmet Pashës (nipit) sanxhakun e
Delvinës.
Ali Pasha, që e kuptoi se masat e lartpërmendura do të pasoheshin nga të tjera,
kërkoi nga Porta anulimin e tyre. Me këtë rast ai e njoftoi Stambollin se pranonte më
mirë luftën se sa të hiqte dorë vullnetarisht nga pushteti, të cilin Porta po ia merrte
nga duart gradualisht me metoda tinëzare. Ai kishte kohë që po përgatitej për një
luftë të tillë dhe nuk i largoi forcat as nga derbendet, as nga sanxhakët. Përkundrazi,
Ali Pasha urdhëroi shpejtimin e ritmit të rekrutimit ushtarak duke shpallur
mobilizimin “një burrë për shtëpi”, si dhe duke marrë masa të tjera ushtarake. Në
mesin e muajit maj 1820 ai thirri Muhtar Pashën e Veli Pashën për të biseduar e për
të vendosur. Tri ditë zgjatën bisedimet e tyre në çifligun e Rapçishtës. Muhtar Pasha
kërkoi që pajtimi me sulltanin të arrihej me çdo kusht. Por Aliu nuk ia pranoi një
qëndrim të tillë kapitullues, duke menduar se po të tërhiqte forcat e të ngushtohej në
tre sanxhakët e Shqipërisë Jugore, do të bëhej e pamundur mbrojtja e vendit dhe e
pushtetit. Ky ishte edhe qëllimi që kërkonte të arrinte sulltani. Prandaj vendosi të
mos i lëshonte këta sanxhakë e kaza pa luftë. Vetëm kjo rrugë do ta shpëtonte
pushtetin e tij dhe vendin. Ai e lidhi kështu fatin e tij dhe të familjes së tij me fatin e
vendit.
Në përputhje me këtë vendim, Aliu mblodhi në sarajet e veta, në Janinë, krerët e
krahinave shqiptare e greke të pashallëkut dhe u kërkoi këtyre, si përfaqësues të
popullsisë myslimane e të krishterë, që ta përkrahnin në luftën kundër sulltanit. Ai
shpalli më 23 maj 1820 se, në rast fitoreje, do të krijonte një shtet monarkik
konstitucional shqiptar, të përbërë nga zotërimet shqiptare dhe nga Thesalia, në krye
të të cilit do të vihej vetë. Greqia qendrore dhe Moreja mund të formonin një shtet
grek autonom, i cili do të vihej nën protektoratin e tij. Grekëve, për t’i nxitur të
fillonin luftën, u premtoi një milion e gjysmë piastra. Njëkohësisht Ali Pasha shpalli
heqjen e disa taksave në Pashallëkun e Janinës për të bërë për vete shtresat
popullore dhe filloi propagandën e luftës.
Mirëpo programi i shpallur nga Ali Pasha nuk kënaqte interesat e të gjithë
pjesëmarrësve në mbledhje. Duke ruajtur në kufijtë e “shtetit konstitucional
shqiptar” krahinën e pasur të Thesalisë dhe duke shpallur protektoratin e tij në
shtetin grek që do të krijohej, Ali Pasha nuk kënaqte kërkesat e borgjezisë greke, e
cila, me luftën nacionalçlirimtare që po përgatitej të shpërthente, synonte të
vendoste pushtetin e vet të paktën mbi të gjithë territorin nacional grek. Në të
njëjtën kohë, premtimi i Ali Pashës për një “shtet konstitucional shqiptar”, ndonëse
nuk cenonte pasuritë e feudalëve shqiptarë, cenonte në një farë mase monopolin e
pushtetit të tyre, prandaj nuk i nxiste as këta të hynin në luftë kundër Stambollit.
Meqë masat e Portës së Lartë synonin të godisnin vetëm Ali Pashën dhe nuk preknin
privilegjet e feudalëve vendas dhe, meqë nuk ekzistonte rreziku i shembjes së
Perandorisë Osmane, tek e cila shihnin një garanci më të sigurt për interesat e tyre
se sa te “shteti konstitucional”, feudalët shqiptarë u treguan pak të interesuar për ta
mbështetur Aliun në kryengritjen e tij. Edhe shtresat popullore, mbi të cilat rëndonte
pesha e sistemit çifligar dhe e regjimit fiskal të vezirit të Janinës, nuk arriti t’i
frymëzonte premtimi i “shtetit konstitucional” për të hyrë në luftë, edhe pse në
programin e shpallur bëhej fjalë për heqjen e disa taksave. Kështu, mbështetja
shoqërore e Ali Pashës në luftën kundër Stambollit ishte e kufizuar dhe përbëhej
kryesisht nga fshatarësia malore e lidhur me të me anë të sistemit të rekrutimit me
rrogë. Por edhe kjo mbështetje ishte e pasigurt, mbasi ajo varej nga qëndrimi i
shtresës së feudalëve bylykbashë, që tashmë ishin bërë edhe pronarë tokash e
tufash blegtorale dhe me të cilët kjo fshatarësi ishte lidhur drejtpërdrejt. Meqë nuk u
përgjigjej interesave të shtresave të ndryshme shoqërore të Pashallëkut të Janinës,
programi i 23 majit nuk luajti ndonjë rol me rëndësi në konfliktin e Janinës me
Stambollin. Pa pasur tjetër rrugëdalje dhe duke u mbështetur në forcat ushtarake që
dispononte e që ishin të mjaftueshme për t’i bërë ballë një ekspedite të Portës së
Lartë, Ali Pasha nuk bëri hapa prapa dhe deklaroi se ushtria e tij e fuqishme nuk do
të lejonte forcë tjetër të shkelte vendin. Por, tashmë, gjithçka varej nga qëndrimi që
do të mbante kjo ushtri.
Me besim se do t’i bënte ballë rrethimit të vezirëve kundërshtarë, Ali Pasha filloi të
zbatonte menjëherë edhe planin luftarak që vendosi në Rapçishtë bashkë me dy
djemtë e tij. Veli Pashën e dërgoi në Prevezë, ku gjendej edhe flotilja prej 40 njësish
luftarake, për të drejtuar qëndresën nga jugu e deti. Muhtar Pashën e nisi në Berat,
që të mbronte kufijtë verilindorë, kurse vetë qëndroi në Janinë për të drejtuar
qëndresën në drejtimet juglindore duke pasur nën komandë Omer bej Vrionin, të
cilin e dërgoi në Tërhallë. Ai vuri gjithashtu në lëvizje njerëzit e vet të besuar në Mal
të Zi, në Serbi e sidomos në Vllahi, për të nxitur e acaruar lëvizjen çlirimtare në ato
vende. Plani luftarak i vezirit të Janinës i përshtatej gjendjes së krijuar dhe
mbështetej në forcën e konsiderueshme ushtarake të pashallëkut. Por, edhe ky plan,
në vend që të vihej në jetë me guxim, u minua nga vetë bijtë e Aliut, prandaj ishte i
destinuar të dështonte.
Më 2 qershor 1820, edhe pse i druhej sulmit të malazezëve, Mustafa pashë
Bushatlliu, i inkurajuar nga qëndrimi i favorshëm i Portës së Lartë kundrejt tij, u nis
me një ushtri të madhe prej Shkodre drejt jugut. Duke mos ndeshur në ndonjë
kundërshtim serioz nga ana e forcave të Muhtar Pashës, të cilat morën rrugën për në
Berat, Bushatlliu shtiu në dorë sanxhakët e Elbasanit dhe të Ohrit. Muhtar Pasha,
duke synuar që të pajtohej me çdo kusht me sulltanin, nuk ndërmori ndonjë veprim
për ta penguar ose ndaluar Bushatlliun.
Në fillim të muajit qershor valiu i Rumelisë u nis nga Sofja për në Manastir, ku
mbërriti më 26 të atij muaji, duke mbledhur rrugës një forcë ushtarake mjaft të
madhe. As ai nuk e pati të vështirë të vinte nën pushtetin e vet të 14 kazatë e
sanxhakut të Manastirit që Ali Pasha ia kishte shkëputur. Krerët e këtyre kazave, me
përjashtim të asaj të Kosturit, shkuan në Manastir dhe i kërkuan falje. I udhëzuar
nga Stambolli, ai i fali që të gjithë. Me krerët që kërkuan falje prej tij u radhit në
fundin e muajit qershor edhe Iljaz bej Poda, kur valiu vajti në Korçë. Kështu veproi
edhe Pehlivan Ibrahim pasha, që mori në dorë, pa kundërshtim serioz, qeverisjen e
sanxhakut të Lepantit, si edhe Siri Selim pasha i Selanikut, që futi nën pushtetin e
vet tri kazatë e shkëputura nga sanxhaku i tij prej Ali Pashës.
Ndërkohë, meqenëse Sulejman Pasha i Tërhallës nuk pranoi të dëbonte forcat e Aliut
nga Thesalia, dhe i dha mundësi atij të dërgonte atje Omer bej Vrionin me 2 000
veta, sulltani e shkarkoi nga të gjitha funksionet, duke e akuzuar për bashkëpunim
me Ali Pashën dhe e zëvendësoi me armikun e betuar të tepelenasit, Mahmud
Pashën e Dramës. Këtë qeveritar të ri e nisi menjëherë për në Tërhallë që të merrte
pushtetin me ndihmën e ushtrisë, të cilën do ta grumbullonte, në rrugë e sipër, me
ndihmën e vezirëve fqinjë.
Realizimi i kësaj faze të sulmit të sulltanit kundër Ali Pashës, që u arrit pa hasur
kundërshtim serioz nga forcat vartëse të vezirit të Janinës, i dha dorë Stambollit që
të përcaktonte orientimet e veta ndaj feudalëve shqiptarë, duke shpallur me
solemnitet se nuk do t’u prekte pasurinë dhe privilegjet e tyre. Kjo propagandë bëri
efektin që pritej dhe krijoi kushtet që sulltan Mahmudi II të urdhëronte zbatimin e
fazës tjetër të planit të vet, asgjësimin e Pashallëkut të Janinës
Në të njëjtën kohë sulltani nënshkroi fermanin për likuidimin e Pashallëkut të
Janinës, të cilin nuk e shpalli menjëherë. Me këtë ferman iu dha Ismail Pasho beut
qeverisja e sanxhakëve të Janinës e të Delvinës dhe grada e vezirit, si dhe
kryekomanda e ekspeditës ushtarake të drejtuar kundër Ali Pashës, djemve dhe
nipave të tij, po qe se këta nuk do t’i bindeshin urdhrit që i shkarkonte nga të gjitha
funksionet e gradat zyrtare dhe nuk do të pranonin të shkonin në Tepelenë ku duhej
të banonin këtej e tutje. Mirëpo nga frika se mos Ali Pasha kalonte në sulm pa u
përgatitur ende ushtritë e Dramalliut dhe të Ismail Pasho beut, sulltan Mahmudi II
nuk e shpalli këtë ferman, ndërsa Ismail Pasho beun e nisi, bashkë me vjehrrin e tij,
Mahmud Pashën e Dramës, me detyrën e hazinedarit.
Në mesin e korrikut 1820, kur u duk se erdhi koha e përshtatshme, sulltani shpalli
papritur fermanin për likuidimin e Pashallëkut të Janinës, i cili u lexua edhe në
Janinë. Ali Pasha nuk iu bind urdhrit dhe deklaroi se do të mbrohej me luftë. Atëherë
Porta e Lartë e shpalli “fermanlli”, jashtë ligjit, dhe Shejhylislami miratoi fetvanë e
ndëshkimit të tij me vdekje. Filluan njëkohësisht veprimet luftarake të ushtrive
qeveritare në tokë e në det dhe u shpallën premtimet e Stambollit, sipas të cilave,
me përjashtim të Ali Pashës, të gjithë të afërmit dhe pasuesit e tij do të faleshin dhe
nuk do t’u prekeshin privilegjet që gëzonin po t’i nënshtroheshin padishahut dhe të
braktisnin Aliun. Kaq prisnin pasuesit e Ali Pashës, të cilët, duke filluar nga djemtë e
nipat e tij, nga motra dhe deri te bashkëpunëtorët e tij më të vjetër, vendosën që në
rastin më të parë ta braktisnin Aliun në fatin e vet. Kështu shtresa feudale vendase,
duke u dhënë përparësi interesave të çastit, mori një rrugë që nuk u përgjigjej as
synimeve të saj të ardhshme, as atyre të të gjithë vendit. Këtë veprim kaq të gabuar
ajo do ta kuptonte me vonesë dhe do të përpiqej ta ndreqte pas vdekjes së Ali
Pashës, por hapi i hedhur i kushtoi shumë shtrenjtë.
Gjatë muajit gusht filloi sulmi i ushtrive të vezirëve që ishin ngarkuar me ripushtimin
e Shqipërisë Jugore dhe me asgjësimin e Pashallëkut të Janinës. Pas rënies së
Tërhallës në duart e vezir Mahmud pashë Dramës dhe vezir Ismail Pashës, që ndodhi
për shkak se forcat e Aliut, të nxitura nga krerët e lëkundur, u tërhoqën, i erdhi
radha Beratit. Muhtar Pasha e Salih Pasha iu dorëzuan vezirit Mustafa pashë
Bushatlliut, kur ky rrethoi kështjellën e Beratit. Në përputhje me fermanin sulltanor,
Bushatlliu i dërgoi në Tepelenë të shoqëruar nga vëllai i Ismail pashë Plasës, i cili
gjithashtu mori pjesë në rrethimin e kështjellës së Beratit në krye të një force
ushtarake të nisur nga Korça. Ata qenë dërguar nga valiu i Rumelisë, i cili filloi
veprimet luftarake për të mbërritur sa më parë në Janinë bashkë me vezirët e tjerë.
Pas rënies së Beratit, Mustafa Pasha u urdhërua të nënshtronte gjithë sanxhakun e
Vlorës dhe të vendoste një myteselim derisa të mbërrinte aty vezir Nurullah Pasha,
që ishte emëruar qeveritar. Në shtator 1820, kur ky vezir mbërriti në Vlorë, motra e
Ali Pashës, Shanishaja, me djemtë e saj, Izet Beun e Maliq Beun, si dhe komandanti
i kështjellës së Gjirokastrës, Ago Myhyrdari, kërkuan falje. Porta e Lartë miratoi
faljen pa prekur pasuritë e tyre. Kështu vepruan edhe Veli Pasha me djemtë e tij,
Mehmet Pashën e Selim Beun. Këta iu dorëzuan kapedan Ali Beut, duke i lëshuar pa
luftë qytetet e bregdetit nga Vlora në Pargë. Më 1 shtator këta dorëzuan edhe
Prevezën, të cilën kapedani mundi ta merrte me shumë sakrifica pasi kaloi një kohë
e gjatë. Vetëm qyteti i Artës i rezistoi me luftë për 25 ditë forcave të vezirit të
Lepantit.
Në muajin gusht gjithçka që përbënte Pashallëkun e Janinës, me përjashtim të
kryeqytetit të tij, kishte rënë në duart e ushtrive të sulltanit. Veziri plak, megjithëse
humbi pjesën kryesore të ushtrisë, të bashkëluftëtarëve më të ngushtë dhe thuajse
të të gjithë territorit që sundonte, nuk e humbi shpresën për një përmbysje të kësaj
gjendjeje tepër të dëshpëruar. Këtë shpresë ai e mbështeti në një varg faktorësh që
ishin në dobi të tij: kishte dy kështjella të fuqishme me 250 gryka zjarri, me një
garnizon ushtarak të fortë dhe me rezerva të shumta ushqimore e municione; ushtria
osmane nuk u grumbullua me kohë dhe nuk ishte në gjendje të organizonte ndonjë
sulm të përgjithshëm para se të vinte dimri; banorët e larguar nga qyteti i Janinës
nuk do t’i shërbenin Turqisë, kurse shkatërrimi i pjesës më të madhe të ndërtesave
të vendit e linte ushtrinë osmane pa strehë; ajo do ta kishte të vështirë të siguronte
edhe furnizimet e domosdoshme, për shkak të luftës së organizuar të çetave
shqiptaro-greke.
Frytet, që Ali Pasha parashikonte të korrte, nuk vonuan. Mosmarrëveshjet në shtabin
drejtues të forcave osmane morën hov aq sa i paralizuan veprimet e rëndësishme
ushtarake. Pehlivan Ibrahim pasha një mëngjes të muajit tetor 1820 u gjend i
vdekur në çadrën e tij, i helmuar si tradhtar, me urdhrin e kryekomandantit dhe me
pëlqimin e Portës së Lartë, për shkak se kishte hyrë në lidhje me Ali Pashën dhe
kërkonte të merrte kryekomandën.
Sulmi i parë i përgjithshëm, që mezi u organizua pas një kohe mjaft të gjatë
grindjesh, u zmbraps me trimëri nga të rrethuarit dhe u shoqërua me një
kundërsulm që e kryesoi vetë Ali Pasha. Ky sukses luftarak, dhuna e ushtarëve armiq
e grabitjet e tyre në popull, mungesa e furnizimeve, mospagimi i rrogave dhe të
ftohtët e dimrit shkaktuan dezertime të forta në radhët e trupave perandorake. Në të
njëjtën kohë komanda osmane kishte filluar të trajtonte keq krerët shqiptarë, si
Tahir Abazin, Iljaz Podën, Ago Vasjarin, Dervish Hasanin, Aleks Nuçe Marinogllun
etj., të cilët e kishin braktisur Aliun dhe ishin bashkuar me osmanët. Në këto
rrethana ata, të pakënaqur nga komanda osmane e veprimet e saj, vendosën të
ktheheshin tek Aliu.
Për të shfrytëzuar pakënaqësinë e popullit që sa vinte e rritej, Ali Pasha i dërgoi këta
krerë të penduar nëpër krahinat shqiptare që të grumbullonin ushtri dhe të sulmonin
osmanët. Edhe suliotët, të cilët ishin bashkuar me ushtritë e Portës për t’u hakmarrë
ndaj Ali Pashës dhe për të çliruar vendlindjen, të dëshpëruar nga vezir Ismail
Pashoja, i cili jo vetëm nuk e mbajti fjalën për t’i kthyer në malësinë e tyre, por
mendonte t’i shfaroste krejt, u morën vesh me Ali Pashën. Pasi u premtoi suliotëve t’i
linte të lirë në malësinë e tyre dhe pasi u dha një shumë të hollash, Aliu ra në
marrëveshje me ta për të sulmuar forcat armike, duke shkëmbyer më 12 dhjetor
pengjet e rastit sikurse ishte zakoni. Në këtë mënyrë Ali Pasha filloi të shpresonte se
lufta e tij kundër Stambollit jo vetëm nuk do të mbetej pa mbështetje, por edhe
mund të sillte fitoren.
Ndërkaq, Ismail Pashoja dhe shtabi i tij, të nxitur edhe nga një i dërguar i Portës së
Lartë, u përgatitën të sulmonin e të pushtonin kështjellën e vogël të Litharicës. Në
murin e saj ishte hapur një çarje e rëndësishme ku mund të hynin 30 veta
njëherësh. Ali Pasha, që mësoi synimin e shtabit armik, nuk i la kohë atij ta vinte në
jetë planin e vet. Në një natë me stuhi të 14 dhjetorit, Aliu doli me forcat e tij dhe
sulmoi në befasi rrethuesit që u zmbrapsëm me humbje të mëdha dhe që braktisën
jo vetëm pozicionet e përparuara, por edhe bateritë e topave që ishin më pranë
kështjellës së Litharicës.
Pas 12 dhjetorit 1820, bashkë me Ali Pashën, edhe suliotët filluan luftën e çetave në
rrugën Artë-Janinë kundër karvaneve që furnizonin ushtrinë osmane. Ali Pasha qysh
më parë kishte vënë në krye të tyre kapedan Odhise Andrucon, duke e nxjerrë atë
dhe trimat e tij jashtë nga kështjella. Kjo luftë u zgjerua nga fillimi i vitit 1821, kur
me Aliun u bashkuan repartet e reja që krerët shqiptarë i kishin mobilizuar e
përqendruar në krahina të ndryshme. Labëria, Myzeqeja dhe Çamëria, si edhe
krahinat e Zagorit dhe Agrafës, u vunë në përkrahje të luftës së Ali Pashës. Kjo
kthesë me rëndësi u konkretizua me përfundimin e një besëlidhjeje të krerëve dhe
kapedanëve shqiptarë, si Iljaz Poda, Ago Vasjari, Tahir Abazi, Aleks Nuço, Marko
Boçari, Noti Boçari, Kiço Xhavella etj. Këta udhëheqës të kryengritjes popullore u
zotuan “se do të jenë vëllezër me trup e me shpirt dhe së bashku do të derdhin
gjakun për të shpëtuar Ali Pashën”. Frytet e kësaj besëlidhjeje forcat osmane i ndien
thellë jo vetëm me shkatërrimin e disa karvanëve, por edhe me rritjen e qëndresës
popullore, që tashmë po organizohej e po drejtohej nga njerëzit e vezirit të Janinës.
Porta e Lartë u detyrua të dërgonte në krye të ushtrisë së saj në Janinë ish-Vezirin e
Madh, Hurshid Pashën, të cilin e hoqi nga Moreja bashkë me trupat që komandonte.
Ky veprim u dha mundësi udhëheqësve të lëvizjes nacionalçlirimtare greke të fillonin
kryengritjen. Ndërsa në muajin mars 1821, Hurshid Pasha përpiqej të vinte rregull
në ushtrinë që rrethonte Janinën dhe kërkoi përforcime të reja, Aleksandër Ipsilanti
shpalosi në Moldavi flamurin e kryengritjes. Edhe në More shpërtheu kryengritja, e
cila me të shpejtë, nën drejtimin e “Shoqërisë së Miqve” (“Filiqi Eteria”)?, shënoi
fillimin e luftës për çlirimin kombëtar dhe formimin e shtetit grek.
Në kushtet e zgjerimit të kësaj lufte, Porta e Lartë mendoi të merrej vesh me Ali
Pashën, por duke kërkuar kapitullimin e tij, ndërsa ai vuri si kusht kryesor largimin e
forcave osmane nga Pashallëku i Janinës dhe shpalljen e tij si qeveritar i përjetshëm
i këtij pashallëku. Porta e Lartë nuk pranoi, prandaj lufta filloi përsëri. Aliu ndërmori
veprime luftarake me qëllim që Hurshid Pasha të mos organizonte një sulm të
përgjithshëm kundër tij dhe të mos shkëpuste ndonjë pjesë të forcave, që
dispononte për t’i dërguar kundër kryengritjes greke. Edhe para këtyre ngjarjeve Ali
pashë Tepelena u kishte lënë dorë të lirë eteristëve të zhvillonin veprimtarinë e tyre
propagandistike dhe organizative në pashallëkun e vet. Me këtë veprimtari Aliu
ndihmoi grekët dhe lëvizjen e tyre çlirimtare. Ai hyri në bisedime me kryengritësit
grekë duke shpresuar se ata mund të bëheshin aleatë në luftën kundër sulltanit dhe
se me këtë rrugë do të siguronte ndihmën e Rusisë. Ndonëse ishte në dijeni të letrës
që Aleksandër Ipsilanti u kishte dërguar krerëve të kryengritjes, ku i porosiste ta
shfrytëzonin Ali Pashën duke i zhvatur të holla e armatime dhe ta linin në fatin e vet
për të rënë mbi të goditja e ushtrive osmane, ai i dha udhëzime Aleks Nuços që të
takohej me përfaqësuesin e “Shoqërisë së Miqve”, H. Porevos, dhe të fillonte
bisedimet për marrëveshje. Këto bisedime filluan në qershor 1821 dhe iu kushtuan
përgatitjes së një bashkëpunimi luftarak kundër armikut të përbashkët. Vetë Ali
Pasha, me qëndresën e tij të patundur dhe me prirjen për bashkëpunim, krijoi besim
te një pjesë e mirë e krerëve grekë, të cilët i njoftoi se kishte dërguar njerëz të
nxitnin për kryengritje edhe popujt e tjerë ballkanikë.
Në vjeshtë të vitit 1821 Ali Pasha dërgoi në Misolongji, që ishte njëra nga qendrat
kryesore të luftës greke, dy nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, Tahir Abazin e
Aleks Nuçon për të bashkërenduar veprimet me kryengritësit grekë. Por, megjithëse
u arrit marrëveshja, kryetari i lëvizjes në Greqinë Perëndimore, A. Mavrokordato,
ndryshe nga një varg krerësh të tjerë që ishin për bashkëpunim, nuk e respektoi atë
dhe, duke vepruar në kundërshtim me interesat e të dy popujve fqinjë, bëri krime të
shëmtuara ndaj popullsisë myslimane shqiptare. Duke parë këtë qëndrim, Tahir
Abazi e krerët e tjerë shqiptarë e hoqën shpresën për bashkëpunim me kryengritësit
grekë.
Krerët shqiptarë e vazhduan luftën. Pasi ra kështjella e Tepelenës në duart e
kryengritësve shqiptarë, Iljaz Poda, që arriti të grumbullonte rreth 6 000 veta
myslimanë e të krishterë nga krahinat e Myzeqesë, Tepelenës dhe Gjirokastrës, u nis
në drejtim të Zagorit, ku në bashkëpunim me kryengritësit e rrethit të Janinës
synonte të çante rrethimin e Ali Pashës. Më pas iu drejtuan rrethinave të Artës, ku
vepronte pjesa tjetër e të besëlidhurve. Në kohën kur Arta ishte e rrethuar nga larg
prej suliotëve dhe forcave të Tahir Abazit dhe Ago Vasjarit, njësitë e Iljaz Podës u
hodhën drejt saj duke e ndarë ushtrinë në reparte të vogla, që u shkrinë me çetat
suliote dhe ato të kleftëve. Çlirimi i Artës do ta bënte më të lehtë sulmin për çlirimin
e Ali Pashës nga rrethimi. Ky, pasi kështjella e Litharicës pati rënë më 16 nëntor në
duart e Hurshid Pashës, ishte përqendruar i vetëm në kështjellën e Kastros. Por
gjendja e garnizonit osman në Artë ishte aq e vështirë, sa nuk mund të qëndronte
gjatë. Përveç mungesës së ushqimeve ndikoi edhe qëndrimi i njërit prej
komandantëve shqiptarë të ushtrisë osmane, Mehmet Beut, që ishte lidhur me forcat
shqiptare, të cilat pas mbërritjes së Iljaz Podës, arritën në 10-12 000 veta. Gjendja e
garnizonit osman u vështirësua më shumë, kur kjo forcë mjaft e madhe shqiptare iu
afrua me luftë qytetit më 25 nëntor dhe më 28 në mëngjes u gjend në portat e tij.
Ndërsa pritej që të çlirohej Arta me urdhër të Mavrokordatos, mbërriti aty kapedan
Makriu me 2 000 grekë, i ngarkuar që të mos lejonte që qyteti të binte në duart e
forcave shqiptare. Pikërisht në këtë kohë suliotët shkelën zotimet e besëlidhjes, u
bashkuan me lëvizjen greke dhe u vunë nën komandën e kapedan Makriut. Ndërkaq,
në ndihmë të garnizonit të Artës mbërritën dy reparte të fuqishme osmane, njëri nga
të cilët u doli nga prapa forcave shqiptare. Suliotët braktisën pozitat e tyre në Pesë
Puset, ndërsa forcat shqiptare, që u rrezikuan të mbeteshin të gozhduara midis dy
zjarresh, u detyruan të hiqnin dorë nga rrethimi i Artës dhe të kalonin në pozitat që
kishin pasur para sulmit të 25 nëntorit. Por luftimet u ndërprenë nga të dyja palët,
sepse komandantët kryengritës shqiptarë, duke parë se po dështonin synimet e tyre
dhe duke ndjerë rrezikun që u kanosej trojeve shqiptare nga veprimet aneksuese
greke, nuk ngurruan t’i dorëzoheshin Omer pashë Vrionit në Pesë Puset, të siguronin
faljen nga Hurshid Pasha dhe të viheshin përsëri nën komandën e tij.
Kjo ngjarje shënoi afrimin e fundit të qëndresës së Ali Pashës. Pas kësaj, i ndodhur
përballë forcave shqiptare të Mustafa pashë Bushatlliut, që dërgoi në Janinë një fuqi
prej 3 000 vetash, të pashallarëve dhe krerëve të tjerë shqiptarë, edhe garnizoni i
Kastros nuk vonoi të braktiste vezirin plak dhe të hapte dyert e kështjellës. Kështu
më 23 janar 1822 trupat osmane e pushtuan kështjellën me përjashtim të një pjese
të brendshme të saj, ku mbeti i rrethuar Ali Pasha me rreth 50 veta besnikë dhe me
gruan e tij, Vasiliqinë. Në këto kushte Ali Pasha nuk mundi të qëndronte gjatë. I
mashtruar edhe nga njerëzit e vet, që ishin vënë në shërbim të Hurshid Pashës dhe
që i premtuan se do të falej, Aliu ra në kurthin e kryekomandantit osman. Ky e
siguroi se sulltani kishte nxjerrë fermanin e faljes, i cili nuk mund të zbatohej para se
ai të tërhiqej në ishullin e liqenit dhe të dorëzonte fortesën e fundit, ku po vazhdonte
qëndresën i vetmuar. Ali Pasha e priti me plumb të ngarkuarin e Hurshid Pashës, i
cili, në vend të fjalës së premtuar, lexoi dënimin me vdekje. Më 5 shkurt 1822, Ali
pashë Tepelena. u vra me armë në dorë në manastirin e Shën Pandelemonit, në
ishullin e liqenit të Janinës. Koka e tij u ekspozua më pas në oborrin e sulltanit

Karakteri i Pashallëkut të Janinës

Me vrasjen e Ali Pashës mori fund konflikti ndërmjet pushtetit qendror osman dhe
sundimtarit të fuqishëm shqiptar të Pashallëkut të Janinës, i cili kishte për qëllim të
arrinte shkëputjen e këtij pashallëku nga varësia e Stambollit dhe ta shndërronte atë
në një shtet shqiptar të pavarur ose autonom.
Edhe ky vezir shqiptar, si një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të shtresës së
pronarëve të mëdhenj të tokës dhe të komandantëve të reparteve ushtarake, që
shtinë në duart e tyre pushtetin politik e ushtarak krahinor në Shqipërinë Jugore, në
sajë të pushtetit ekonomik synonte të siguronte vetëqeverisjen e vendit. Qysh në
vitet e para të sundimit të vet, Ali pashë Tepelena formoi bindjen se Perandoria
Osmane po shkonte drejt greminës. Për rrjedhim, ai dhe shtresa e çifligarëve që
përfaqësonte, për të shpëtuar pasuritë dhe pushtetin e vet, ndoqi rrugën e
shkëputjes së pashallëkut. E gjithë veprimtaria e Ali Pashës, si në politikën e
brendshme, ashtu edhe në atë të jashtme, tregoi se ai u përpoq “të jetë sundimtar i
pavarur”. Duke ngritur në gjithë hapësirën nga Thesalia në Shkumbin një aparat
administrativ e ushtarak të posaçëm, që vepronte brenda pashallëkut sipas
vendimeve të tij, duke lidhur marrëveshje politike, ushtarake e ekonomike me shtete
të huaja pa pëlqimin e dijeninë e Portës së Lartë dhe duke shtrirë pushtetin e vet në
territore të qeverisura nga funksionarë të emëruar prej sulltanit, Ali Pasha qeverisi
në mënyrë autonome. Prandaj Pashallëku i Janinës, ashtu si dhe ai i Shkodrës kishte
nga pikëpamja organizative dhe nga pikëpamja e mënyrës së ushtrimit të pushtetit
tiparet e një shteti në fakt autonom.
Megjithëkëtë, edhe në Pashallëkun e Janinës, ashtu sikurse në atë të Shkodrës,
pushteti ishte i deleguar nga sulltani sovran dhe ushtrohej në emër të tij. Prandaj
edhe Pashallëku i Janinës mbeti një zotërim autonom pa u kthyer ende në një shtet
shqiptar.
Deri më 1812, edhe pse rreziku i copëtimit të Perandorisë Osmane ishte në rendin e
ditës, Ali Pasha nuk u shpall dot sundimtar i pavarur, sepse mungonin për këtë akt
kushtet e brendshme. Ai nuk kishte mundur të shtrinte e të konsolidonte pushtetin e
vet mbi sanxhakët e tjerë të Shqipërisë Jugore, dhe nuk kishte mundur t’i jepte fund
anarkisë feudale. Ndërsa pas vitit 1812, kur u pa qartë se rreziku i jashtëm po
mënjanohej, Aliu nuk e hodhi hapin vendimtar, sepse gjendja e përgjithshme politike
ndërkombëtare nuk e favorizonte. Në këto kushte, as feudalët shqiptarë, mbi të cilët
mbështetej Aliu, nuk u treguan të gatshëm si më parë për t’u shkëputur nga
Stambolli dhe parapëlqyen të ruanin gjendjen ekzistuese të pashallëkut. Ja përse
deri në muajin prill të vitit 1820 Ali Pasha nuk guxoi të hidhej në kryengritje për t’u
shpallur sundimtar i pavarur ose edhe vasal i sulltanit. Por kur sulltan Mahmudi II
filloi zbatimin e reformave centraliste, me qëllim që të përqendronte pushtetin në
duart e veta dhe ta ushtronte atë me funksionarë turq, Ali Pasha pa qartë se shtresa
feudale shqiptare do të humbiste privilegjet politike dhe ekonomike që kishte
mundur të fitonte, kurse vendi do të ndiente në kurrizin e tij gjithë peshën e
pushtimit të ri osman. Prandaj, edhe pse të bijtë dhe bashkëluftëtarët më besnikë e
këshilluan të pajtohej me Stambollin, ai nuk pranoi të nënshtrohej, por u ngrit mbi
interesat e veta dhe luftoi deri në fund për një çështje më të madhe: për shkëputjen
e vendit me luftë nga sunduesit shekullorë osmanë.
Me qartësinë e një politikani të shquar të kohës, Ali Pasha u përpoq ta
bashkërendiste kryengritjen kundër Stambollit me lëvizjen çlirimtare të popujve
ballkanikë duke e parë këtë si të vetmen rrugë drejt fitores. Ai u përpoq që të nxiste
luftën e popujve në Mal të Zi, në Serbi e në Vllahi, ndihmoi drejtpërsëdrejti
kryengritjen e popullit grek (1821) dhe kërkoi bashkëpunimin luftarak me
udhëheqësit e saj, duke u mbështetur kryesisht tek ajo pjesë e krerëve grekë që e
vlerësonin drejt faktorin shqiptar në luftën kundër Perandorisë Osmane.
Veprimtaria e Ali Pashës për formimin e Pashallëkut të Janinës dhe lufta e tij për
mbrojtjen dhe për shndërrimin e këtij pashallëku në një shtet të pavarur ose me
statusin e vasalitetit, ishte një hap i madh përpara drejt bashkimit ekonomik e politik
të vendit, ishte një kthesë me rëndësi në historinë e Shqipërisë.
“Pushtimi i dytë i Shqipërisë”, që erdhi si pasojë e shembjes së Pashallëkut të
Janinës, me pasojat e tij të rënda materiale e shpirtërore, vërtetoi se sa e drejtë
kishte qenë përpjekja e Ali Pashës për një kryengritje të të gjitha forcave shoqërore
të vendit. Ky pushtim, që nuk u mënjanua as nga lëvizja feudale e viteve 20 të shek.
XIX, tregoi qartë se në Shqipëri ende nuk ishin pjekur kushtet ekonomike, shoqërore
e politike për të hedhur poshtë robërinë shekullore osmane.
Shembja e Pashallëkut të Janinës i hapi rrugën zbatimit të reformave centraliste në
Shqipëri, por dhe një periudhë të re qëndrese ndaj sunduesit osman.

6. LËVIZJA NË SHQIPËRINË JUGORE PËR VETËQEVERISJEN E


VENDIT
Shqiptarët dhe kryengritja çlirimtare greke

Me shembjen e Pashallëkut të Janinës u duk sikur politika e reformave centralizuese


u kufizua me asgjësimin e shtëpisë së fuqishme feudale të tepelenasve. Duke i
dhënë Omer pashë Vrionit gradën e vezirit dhe qeverisjen e sanxhakëve të Janinës,
të Delvinës dhe të Vlorës, Porta e Lartë synonte të provonte se po e vinte përsëri
qeverisjen e Shqipërisë Jugore në duart e feudalëve vendas. Por kjo qe një dukuri e
përkohshme, sepse sulltani pasi ia arriti qëllimit të tij të parë me asgjësimin e
pushtetit krahinor të Ali Pashës, nuk hoqi dorë nga synimi i tij kryesor për të
rrënjosur, jo vetëm në Shqipërinë Jugore, por në të gjithë Shqipërinë, sundimin e vet
të tërëfuqishëm. Për këtë dëshmoi edhe fakti që nga fundi i vitit 1822 sulltani i hoqi
Mustafa pashë Bushatlliut sanxhakët e Ohrit dhe të Elbasanit.
Nevoja për të përdorur të gjithë potencialin ushtarak të Shqipërisë Jugore për të
shtypur kryengritjen greke ishte shkaku që detyroi Mahmudin II të sillte në pushtet
Omer pashë Vrionin dhe të mbante përkohësisht premtimet për të mos cenuar
privilegjet e feudalëve toskë. Porta e Lartë kërkonte të grumbullonte rreth 40 000
ushtarë shqiptarë, kryesisht nga Shqipëria Jugore, që do të viheshin nën komandën
e përgjithshme të Hurshid Pashës kundër kryengritjes nacionalçlirimtare greke. Për
këtë, qysh në muajin mars 1822, u shpall në të gjithë Shqipërinë fermani për
mobilizimin e një burri për shtëpi.
Mirëpo ky mobilizim ndeshi në dy pengesa të mëdha: së pari, popullsia e sanxhakëve
të Shqipërisë Jugore ishte dëmtuar rëndë nga fatkeqësitë që i kishin rënë mbi
shpatulla gjatë pushtimit osman. Si rrjedhim, e mërzitur nga lufta popullsia nuk
donte të jepte ushtarë. Përveç kësaj, pa i vënë rëndësi të posaçme fesë, shqiptarët
toskë, shumica e të cilëve ishin myslimanë, dëshironin të mbanin marrëdhënie
miqësore me grekët, me vllahët etj., me të cilët i afronte bashkëjetesa paqësore
shumëshekullore, njohja e ndërsjelltë dhe bashkëpunimi si fqinjë, si dhe mjaft
zakone që i kishin të ngjashme e të përbashkëta, si popuj fqinjë e si ballkanas. Së
dyti, bejlerët shqiptarë, të dëshpëruar nga humbja e pushtetit pas vrasjes së Ali
Pashës (të cilin e varrosën me nderime të mëdha), nuk ia vunë veshin thirrjes për
mobilizim, megjithëse Hurshid Pasha nuk ngurroi të ofronte paga të larta për çdo
ushtar.
Ky qëndrim bëri që planet luftarake të Hurshid Pashës për të shtypur kryengritjen
greke ende të dobët, të dështonin njëri pas tjetrit; edhe ata ushtarë shqiptarë, që
detyroheshin të shkonin për të shërbyer, shpesh herë hynin në grindje me ushtarët e
komandantët osmanë, duke hapur atë plagë të madhe që karakterizoi ushtritë
osmane gjatë viteve të kryengritjes greke, dezertimin në masë. Si rrjedhim i
qëndrimit të ftohtë e mospërfillës që shqiptarët shfaqën qysh në vitin 1822,
Stambollit iu deshën të paktën 6 muaj që të grumbullonte një ushtri për fushatën
ndëshkimore kundër kryengritjes greke. Por edhe kjo ushtri ishte shumë më e vogël
nga sa pritej. Kjo vonesë në mobilizimin e ushtrisë ishte një ndihmë për kryengritjen
greke, sepse u dha mundësi e kohë krerëve të saj të grumbullonin forca të
mjaftueshme, madje të arrinin edhe epërsi numerike ndaj ushtrive osmane. Por kjo
epërsi nuk solli rezultatet që priteshin, sepse midis udhëheqësve grekë filloi grindja,
ndërsa synimet shoviniste të krerëve fanariotë ndaj Shqipërisë Jugore e paralizuan
ndihmën e atyre forcave shqiptare, të cilat u bashkuan atëherë me suliotët dhe bënë
që të dështonte plani i nënshtrimit të malësisë së Sulit nga divizioni osman, i
komanduar nga Mehmet Reshit Pasha.
Këto ngjarje i dhanë dorë Hurshid Pashës që të vinte theksin te rreziku grek për
Shqipërinë, të shpallte faljen e dezertorëve dhe të grumbullonte forca të
mjaftueshme për të ndërmarrë ekspeditën ndëshkimore të vitit 1822. Në muajin
shtator, ushtria e komanduar prej tij mundi të depërtonte në More ku ishte vatra e
kryengritjes greke, kurse ai vetë me një ushtri tjetër, arriti suksesin e parë kundër
mbrojtësve të Termopileve. Kjo i dha shpresë se do të mund të nënshtronte Morenë,
ku gjendej e robëruar edhe familja e tij. Ky rrezik i detyroi krerët grekë të hidhnin
prapa krahëve grindjen dhe t’u kushtoheshin luftimeve. Ata korrën suksese, sidomos
duke bllokuar ushtritë osmane në More. Por një rol të dorës së parë luajtën edhe
shqiptarët. Një pjesë e tyre, u morën vesh me kapedanët grekë për t’u hapur rrugën
dhe dezertuan, ndërsa pjesa tjetër, që kishte mbetur në garnizonet e kështjellave të
Moresë si dhe në ushtrinë e komanduar nga vetë Hurshid Pasha, u rebelua për shkak
të pagave të prapambetura dhe paralizoi gjithçka. Kështu kryengritësit grekë
mundën të ndërprisnin lidhjet midis kryekomandantit në Larisa dhe Omer pashë
Vrionit e Mehmet Reshid pashës në Prevezë e në Artë, dhe e bënë të pamundur
hyrjen e tyre në Akarnani. Mirëpo ky sukses nuk dha fryt, sepse kapedan Varuskioti
tradhtoi e kaloi në anën e dy pashallarëve. Tradhtia e tij bëri të mundur sulmin e
forcave të Omer Pashës e të Mehmet Reshid pashës drejt Akarnanisë e sidomos drejt
qytetit të Misolongjit.
Më 3 nëntor 1822 artileria osmane filloi të godiste forcat greke të mbyllura në
Misolongji. Por osmanët nuk ndërmorën atëherë sulmin e përgjithshëm, i cili filloi
vetëm më 6 janar 1823. Ndërkaq të rrethuarve u erdhën ndihma nga deti, me të
cilat u përgatitën për të përballuar sulmin e 6 janarit. Sulmi i përgjithshëm dështoi
dhe pas një jave, më 12 janar filloi tërheqja. Gjatë largimit Mehmet Reshid pasha
ndërmori një fushatë terrori duke grabitur fshatrat përgjatë rrugës. Por edhe grekët
masakruan gjithë myslimanët që u ranë në dorë. Shqiptarët, të mërzitur nga këto
veprime, dezertuan në masë dhe u morën vesh me kapedanët grekë që u hapën
rrugët. Kështu nga 12 000 ushtarë që u nisën nga Preveza, mbetën në ushtri vetëm
1 500.
Përgjegjësia e dështimit të ekspeditës iu ngarkua Hurshid Pashës, i cili u dënua me
vdekje me helmim. Sulltani e ruajti Omer pashë Vrionin me shpresë se ai do të mund
të grumbullonte forca të reja. Këto ngjarje treguan se përkrahja e kryengritjes greke
nga shqiptarët qe një faktor i rëndësishëm në dështimin e ekspeditës së vitit 1822
kundër kryengritjes greke, që në atë kohë ishte ende e dobët.
Pa përfunduar mirë ekspeditën e parë, Porta vendosi të organizonte një të dytë, por
këtë herë duke shpresuar në mobilizimin në masë të shqiptarëve me ndihmën e
krerëve të tyre feudalë. Kjo detyrë iu ngarkua së pari Omer pashë Vrionit.
Ky vezir u bëri thirrje shqiptarëve që në “emër të fesë dhe të sulltanit” të hynin me
forcat e tyre në radhët e ushtrisë osmane për të nënshtruar Akarnaninë. Mirëpo
krerët shqiptarë të mbledhur në kuvend vendosën të mos dërgonin forcat e tyre
jashtë sanxhakëve shqiptarë dhe të rrëmbenin armët vetëm po qe se trojet e tyre do
të sulmoheshin prej grekëve. Në fakt synime të tilla shoviniste ndaj trojeve shqiptare
u shfaqën atëherë në udhëheqjen greke, të kryesuar nga princi Dh. Ipsilanti. Përveç
kësaj në sanxhakun e Vlorës ziente lufta për pushtet midis shtëpisë së madhe
feudale të Vlorajve, të kryesuar nga Ismail Beu, që kërkonte marrjen e pushtetit nga
Sulejman Pasha, të birit të vezir Ibrahim Pashës, dhe shtëpisë së Vrionasve,
partizanët e së cilës pretendonin që pushteti i sanxhakut të vihej në duart e Hasan
Beut, vëllait të vezirit të tre sanxhakëve. Në janar 1823, para se të mbërrinte në
Berat thirrja e Omer Pashës, Hasan Beun e dëbuan nga qyteti. Kjo tregoi se bejlerët
shqiptarë nuk e përfillën autoritetin e vezirit dhe se mobilizimi nuk do të kishte
sukses.
Meqenëse thirrja e Omer Pashës nuk dha rezultatet e pritura, sulltan Mahmudi II
kërkoi nga krerët shqiptarë të paraqiteshin me forcat e tyre në Larisë, ku do të
grumbullohej ushtria perandorake. Fermani iu drejtua Iljaz Podës, Ismail bej Vlorës,
Shahin bej Delvinës, Haxhi Ismail Pronjës, Tahir e Mehmet Çaparit dhe Abdyl bej
Kokës. Në mars të vitit 1823 sulltani, pasi ia kishte kthyer përsëri sanxhakët e Ohrit
dhe të Elbasanit vezir Mustafa pashë Bushatlliut, e urdhëroi edhe këtë të nisej me
forcat e Gegërisë për të nënshtruar Akarnaninë. Me përjashtim të Iljaz Podës, që
kishte dalë fitimtar në grindjen me Taho Podën, ungjin e vet, dhe që druhej nga
ndëshkimi i Omer Pashës, deri në muajin maj asnjë feudal toskë, lab apo çam, nuk
shkoi në Larisë. Disa prej tyre, duke përfituar nga fakti se Portës së Lartë i mungonin
të hollat, vunë si kusht për pjesëmarrjen në ushtri akordimin e një paradhënieje për
disa muaj dhe të një page mujore prej 100 piastrash për çdo ushtar. Sidoqoftë pas
Iljaz Podës u paraqitën në Larisë disa bejlerë të tjerë toskë e gegë, por edhe pas
kësaj në radhët e reparteve të ushtrisë që u grumbulluan në Larisë ndodhi diçka e
paparë. Ushtarët, meqë nuk u paguan rrogat, ngritën krye, rrahën komandantët e
tyre, kurse kryekomandanti Ahmet Pasha mezi shpëtoi kokën duke dalë nga dritarja
prapa shtëpisë.
Pas përfundimit të paqes me Persinë, Porta e Lartë në mesin e vitit 1823 arriti të
gjente fonde dhe të dërgonte edhe ushtarë turq. Kështu ajo formoi ushtrinë e vet në
Larisë, që do të hynte në veprim menjëherë pas Bajramit. Por edhe në gjirin e saj,
përveç mungesës së disiplinës, u shtua edhe urrejtja e ndërsjelltë midis shqiptarëve
dhe turqve që shiheshin si të huaj e armiq.
Kur ushtria osmane e grumbulluar në Larisë, por përgatitej të fillonte veprimet
luftarake, u nis nga Shkodra për në Akarnani edhe ushtria e vezirit të Shkodrës.
Ndërkohë, në Prevezë u formua prej Jusuf Pashës së Patrasit edhe një ushtri tjetër
mercenare prej 6 000 vetash, e cila pasi të bashkohej me atë të Mustafa pashë
Bushatlliut, do të sulmonte Akarnaninë. Hyrjen e këtyre dy ushtrive në Akarnani
ishin ngarkuar ta ndalnin kapedanët kryengritës grekë, që ishin caktuar të mbronin
krahinën. Në të vërtetë, atë e ndalën shqiptarët e rekrutuar nën komandën e Jusuf
Pashës. Pasi u morën vesh me kapedanët grekë, ata dezertuan në masë dhe u ndanë
në dy pjesë nga 3 000 veta secila. Kështu kjo ushtri u shkri dhe komandanti i saj, i
mbetur vetëm, u detyrua të hipte në një barkë e të strehohej në një anije të flotës
osmane që të shpëtonte kokën dhe të mos binte në duart e grekëve. Ky dezertim, i
paparë ndonjëherë, siç shkruante konsulli francez në Korfuz, dë Shantal, vërtetoi
plotësisht “se shqiptarët myslimanë nuk deshën të luftonin kundër grekëve”. Kështu,
shqiptarët ndihmuan edhe një herë kryengritjen greke.
Pas kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme, forcat e kapedanëve grekë shkuan nga
Akarnania në rrethin e Agrafës që të pengonin marshimin e forcave të vezirit të
Shkodrës për në Akarnani. Por këto orvatje të kapedanëve grekë dështuan. Ushtria e
vezirit shkodran, e cila me qëllim të paramenduar nuk u nxitua të arrinte në
Akarnani dhe nuk përdori dhunën gjatë rrugës së vet derisa u sulmua në Karpenisi,
mbërriti përpara Misolongjit pa ndonjë pengesë tjetër. Me këtë ushtri u bashkua
edhe një forcë prej 3-4 mijë vetash që solli aty Omer pashë Vrioni. Por, këto reparte
shqiptare të prirura për të mos luftuar kundër kryengritësve grekë, vazhduan të
mbanin qëndrim pasiv, ashtu si edhe ushtria shkodrane dhe, pasi u plotësua afati
gjashtëmujor i pajtimit të ushtarëve me pagë, filluan të tërhiqeshin dhe të
ktheheshin në vendlindje. “Heqja e rrethimit të Misolongjit, - shkruante konsulli dë
Shantal - nga pashai i Shkodrës së Shqipërisë, nuk është aspak rezultat i ndonjë
luftimi ushtarak të grekëve. Kjo ngjarje është vetëm fryt i tërheqjes së trupave të
pashait në fjalë, të cilat ... vendosën të kthehen secila në shtëpi të vet”.
Qëndrimi i forcave shqiptare që u endën rrugëve ose që nuk ndërmorën thuajse
asnjë veprim serioz luftarak si gjatë marshimit, ashtu dhe gjatë “rrethimit” të
Misolongjit, minoi ekspeditën e vitit 1823.
Me dështim të plotë përfundoi edhe ekspedita e vitit 1824 kundër kryengritjes greke
që iu ngarkua Dervish pashë Pejës, i cili sulmoi nga ana e Larisës, dhe Omer pashë
Vrionit që u hodh në anën e Akarnanisë. Ajo dështoi në radhë të parë, ngaqë Mustafa
pashë Bushatlliu dhe krerët kryesorë të Shqipërisë Jugore kundërshtuan të merrnin
pjesë në të. Përveç kësaj, masakrimi i 300 shqiptarëve nga komanda osmane në
Eube (Negropont), shkaktoi dezertimin e më shumë se 300 luftëtarëve shqiptarë të
grumbulluar nga veziri Vrionas. Pas kësaj hemorragjie, ky vezir nuk paraqiste më
ndonjë rrezik për forcat greke. Duke u përqendruar kundër Dervish Pashës, ato e
thyen edhe atë. Kështu, për shkak të qëndrimit dashamirës të shqiptarëve ndaj
kryengritjes greke, përfundoi me dështim edhe kjo fushatë ndëshkimore osmane.
Qëndrimi i shqiptarëve, që me të drejtë u konsiderua si shkaku kryesor, i cili bëri që
“ushtritë e Rumelisë nuk kryen asnjë shërbim të frytshëm”, u kthye në një “problem
shqiptar”, të cilin Porta e Lartë e shtroi për zgjidhje. Stambolli vendosi atëherë që
Omer pashë Vrioni të hiqej si i paaftë nga posti që mbante në Shqipërinë Jugore dhe
të transferohej në sanxhakun e Selanikut; qeverisja e sanxhakut të Vlorës ku kishte
ndikim më të fortë shtëpia e vjetër e Vlorajve, t’i jepej Sulejman pashë Vlorës, kurse
derbendët t’i jepeshin Iljaz bej Pashës. Sanxhakët e Janinës dhe të Delvinës si dhe
posti i valiut të Rumelisë e kryekomanda e ekspeditave kundër Greqisë, t’i jepeshin
Mehmet Reshid pashës.
Me këto masa, që përbënin hapin e parë drejt rivendosjes së funksionarëve osmanë
në Shqipërinë Jugore, u pajtuan shumica e krerëve të Shqipërisë. Kështu, Mehmed
Reshid pasha, ngriti një ushtri prej 15 000 vetash, shumica e të cilëve ishin
shqiptarë. Por, kur kjo ushtri hyri në Akarnani dhe rrethoi Misolongjin, shqiptarët u
trajtuan keq prej kryekomandantit osman. Në këto rrethana ata filluan përsëri të
dezertonin dhe kundërshtuan të merrnin pjesë në sulmin e përgjithshëm që u
ndërmor në shtator 1824. Atëherë Mehmet Reshid pasha, të cilit sulltani i kishte
kërkuar ose Misolongjin ose kokën, dërgoi Haxhi bej Gegën, Veli bej Jaçen dhe
Banush aga Sevranin të merreshin vesh me kapedanët suliotë për t’i bindur që të
dorëzonin qytetin me të mirë, sa pa ardhur i biri i Mehmet Ali Pashës së Egjiptit, i cili
kishte zbarkuar në More. Mirëpo, në vend që t’u mbushnin mendjen mbrojtësve të
Misolongjit për të dorëzuar qytetin, anëtarët e delegacionit u thanë kapedanëve
suliotë të vazhdonin të qëndronin, pasi ashtu si Mehmet Reshid pasha, do të
dështonte edhe Ibrahim pasha i Egjiptit. Atëherë kryekomandanti osman urdhëroi
arrestimin e Haxhi bej Gegës. Me këtë masë e acaroi gjendjen dhe shpejtoi
dezertimin. Ushtarët gegë u rebeluan, nxorën nga burgu komandantin e tyre dhe u
larguan. Kështu bënë edhe të tjerët e sidomos Sulejman pashë Vlora, i cili mësoi se
ndërkohë ishte shkarkuar nga qeverisja e sanxhakut, i cili i ishte dhënë Ismail pashë
Plasës.
I mbetur me një ushtri të pakët në numër, Mehmet Reshid pasha e hoqi rrethimin e
Misolongjit, u tërhoq në pozita të tjera dhe e njoftoi Mahmudin II për disfatën e
ekspeditës, dhe se kishte vendosur të dimëronte aty dhe do të priste përforcime nga
qendra.
Masat që u morën për likuidimin e “çështjes shqiptare” nuk dhanë rezultat. Feudalët
shqiptarë, siç kishte thënë Sulejman pashë Vlora në komisionin që shqyrtoi këtë
çështje vitin e kaluar, kërkonin ta qeverisnin vetë vendin e tyre si në kohën e Ali
pashë Tepelenës. Veprimet e Stambollit u treguan atyre se sjellja në fuqi e Mehmet
Reshid pashës në sanxhakët e Janinës dhe të Delvinës ishte një hap i madh kundër
vetëqeverisjes së vendit nga shqiptarët. Por kjo u duk më qartë kur në qershor të
vitit 1826 filloi reforma ushtarake, me asgjësimin e korpusit të jeniçerëve.
Porta e Lartë mbajti një qëndrim të veçantë ndaj shqiptarëve, të cilët treguan se
ishin kundër sistemit të ri ushtarak të quajtur nizami xhedid (nizam-i cedid). Ajo e
ndaloi Mehmet Reshid pashën të përdorte dhunën për të zbatuar reformën ushtarake
në Shqipëri dhe urdhëroi ta shtynte atë për më vonë. Sulltani theksonte atëherë se
“më parë duhej zgjidhur problemi grek, prandaj detyra kryesore ishte të nxirreshin
sa më shumë trupa shqiptare për t’i hedhur në Greqi”. Pas pushtimit e shkatërrimit
në prill 1826 të qytetit të Misolongjit nga trupat egjiptiane-osmane, Stambolli shtroi
si synim të nënshtronte pjesën tjetër të Greqisë e në radhë të parë kështjellën e
Akropolit të Athinës, për të hapur rrugën drejt Moresë. Në këto rrethana Mehmet
Reshit pasha e ndryshoi qëndrimin ndaj feudalëve shqiptarë e sidomos ndaj Iljaz
Podës, komandantit të derbendëve, të cilit filloi t’i paguante rregullisht rrogat e
ushtarëve. Përveç kësaj, Porta e Lartë emëroi si myteselim të sanxhakut të Janinës
Ismail bej Tepelenën, nipin e Ali Pashës. Qëllimi ishte që t’u krijohej përshtypje
shqiptarëve se synimet e tyre për vetëqeverisjen e Shqipërisë Jugore po
realizoheshin. Këtë bindje pati formuar edhe Iljaz Poda, i cili e festoi me gëzim të
madh lajmin e emërimit të Ismail bej Tepelenës në Janinë.
Luftimet për pushtimin e kështjellës së Akropolit, që filluan në muajin gusht 1826,
përfunduan në qershorin e vitit 1827. Nën komandën e gjeneralit anglez Kurç,
mbrojtësit e jashtëm të kështjellës luftuan pa zell, bënë gabime të rënda dhe
humbën betejën e 6 majit me dëme të shumta. Ndërkaq edhe ushtria e Mehmet
Reshid pashës nga 18 000 ushtarë që kishte në fillim, tani ishte katandisur me 8 000
veta, për shkak të dezertimeve të shqiptarëve. Në pamundësi të vazhdonte
mbrojtjen, garnizoni grek i kështjellës kapitulloi dhe ia dorëzoi atë Mehmet Reshid
pashës.
Pas kësaj fitoreje ky ngriti zërin kundër silahdar Iljaz Podës, të cilin e akuzoi se nuk
kishte zbrazur asnjë pushkë kundër kryengritësve grekë, madje, i kishte ndihmuar
ata fshehurazi. Ai nuk i kishte shkuar në ndihmë as Ismail bej Tepelenës kur ky ishte
rrethuar në Salona, dhe as Musa bej Qafëzezit në Rahovë të Livadhisë ku edhe u vra.
Iljaz Poda kishte liruar pengjet e zonave të Agrafës e të Patërxhikut.
Krerët shqiptarë iu vunë punës për të diskredituar e hequr Mehmet Reshid pashën
nga pushteti i Shqipërisë Jugore dhe për ta detyruar sulltanin që t’u linte atyre
vetëqeverisjen e vendit. Këto veprime lehtësuan kryengritësit grekë. Qëndrimi i
krerëve shqiptarë dhe dezertimet e ushtarëve e penguan kryekomandantin anadollak
të vazhdonte marshimin për në More. Meqë i mbetën pak forca, ai ra moralisht deri
në atë shkallë sa kërkoi dorëheqjen nga postet e tij.
Për të kapërcyer këtë gjendje të vështirë që u krijua në Shqipërinë e Jugut, Porta e
Lartë i propozoi sulltanit, që Iljaz Poda të gradohej pashë dhe t’i jepej qeverisja e
sanxhakut të Tërhallës, ndërsa Omer pashë Vrionit t’i jepej qeverisja e tre
sanxhakëve të Shqipërisë Jugore, por me kusht që të dy të siguronin bashkimin e
feudalëve të tre sanxhakëve shqiptarë rreth tyre për të sulmuar Greqinë dhe të
zbatonin reformën ushtarake. Silahdar Iljaz Poda, si çdo feudal tjetër shqiptar,
autoriteti i të cilit mbështetej në radhë të parë në forcat ushtarake me rrogë, nuk e
pranoi detyrën e re. Ai propozoi që sanxhaku i Tërhallës t’i jepej Omer pashë Vrionit,
kurse ai vetë do të shërbente nën urdhrat e tij. Nga ana tjetër, ai e njoftoi Portën e
Lartë, me anë të përfaqësuesit të vet që dërgoi në Stamboll, se feudalët shqiptarë
nuk mund të bashkoheshin për të shkuar kundër grekëve. Këtë nuk mund ta bënin jo
vetëm pse ishin kundër zbatimit të reformës ushtarake, por edhe sepse ky bashkim
konsiderohej thuajse i pamundur në kohën kur Fuqitë e Mëdha, me protokollin e 4
prillit 1827, kishin vendosur të përkrahnin çështjen greke. Ai i bëri të qartë Portës së
Lartë se në këto kushte nuk duhej të shpresonte në pjesëmarrjen e shqiptarëve në
luftën kundër Greqisë.
Ndërkaq, Fuqitë e Mëdha evropiane që kishin kërkuar pezullimin e veprimeve
luftarake të Ibrahim Pashës së Egjiptit kundër Moresë dhe Hidrës, më 19 tetor 1827
shkatërruan flotën osmane në gjirin e Navarinit.
Porta e Lartë refuzoi kushtet e Fuqive të Mëdha për të njohur pavarësinë e popullit
grek, dhe, duke shpresuar se do të gjente përkrahje nga shtetasit e vet myslimanë,
nga kleri dhe feudalët, filloi përgatitjet për të kundërvepruar. Për të tërhequr
feudalët shqiptarë, sulltani emëroi Omer pashë Vrionin në krye të sanxhakut të
Tërhallës, mirëpo qeverisjen e Shqipërisë Jugore, duke përfshirë edhe sanxhakun e
Vlorës, ia la përsëri Mehmet Reshid pashës. Ky vazhdoi të ngulte këmbë që Shqipëria
Jugore të mos binte në duart e feudalëve vendas. Pas kësaj, shumica e krerëve
shqiptarë nuk u bashkua me Portën. Pakënaqësinë e tyre ata e shfaqën hapur,
veçanërisht gjatë luftës ruso-turke që u shpall më 14 mars 1828.

Kuvendi i Beratit (nëntor 1828)

Gjatë përgatitjeve që Porta e Lartë po bënte për të përballuar presionin e Fuqive të


Mëdha në favor të çështjes greke, sulltani, ashtu si gjithë myslimanëve të
perandorisë, edhe myslimanëve shqiptarë u bëri thirrje të rrëmbenin armët për të
mbrojtur “fenë e shtetin”.
Mehmet Reshid pasha urdhëroi krerët feudalë të Shqipërisë Jugore të paraqiteshin në
Janinë bashkë me luftëtarët e tyre. Këtij urdhri nuk iu bind së pari Iljaz Poda,
megjithëse veziri anadollak i kishte dërguar njoftime se e kishte falur për qëndrimet
e kaluara. Për ta bindur Iljaz Podën, ndërhyri edhe Porta e Lartë, e cila, në të njëjtën
kohë, e kërcënoi se do ta ndëshkonte po të mos bindej. Iljazi nuk iu bind as Portës
dhe, bashkë me krerët e tjerë që ndoqën shembullin e tij, filloi punën për t’i dëbuar
Mehmet Reshid pashën dhe funksionarët e tjerë nga Shqipëria Jugore.
Ndërkohë kryengritja greke, që ishte çoroditur nga goditjet e forta të ushtrive
osmane-egjiptiane, me përkrahjen e Fuqive të Mëdha filloi të ringjallej. Meqë në këtë
kohë dhe ushtritë e Portës ishin larguar nga Moreja, ndërsa forcat e tjera osmane
duke përfshirë edhe ato të Omer pashë Vrionit e të Ismail pashë Plasës ishin
përqendruar në luftën me rusët, Stambolli urdhëroi Valiun e Rumelisë të organizonte
një ekspeditë të re kundër grekëve. Por edhe kjo ekspeditë mund të ndërmerrej
vetëm me ndihmën e feudalëve shqiptarë.
Feudalët shqiptarë, jo vetëm pse ushqenin simpati për çështjen greke, por edhe
sepse ishin të bindur se ajo do të triumfonte, dhe pse e quanin me rrezik për
interesat e tyre dhe për vendin, pjesëmarrjen në ekspeditë, nuk pranuan të
angazhohen në luftën kundër Greqisë. Ata e shihnin këtë veprim si një nga rrugët
për të dëbuar Mehmet Pashën dhe funksionarët e tjerë osmanë nga Shqipëria
Jugore. Iljaz Poda, Ismail bej Vlora dhe Shahin bej Delvina, vendosën që për këtë
çështje të thirrej një kuvend i gjerë i përfaqësuesve të krerëve shqiptarë. Ndërkaq,
para se të mblidhej kuvendi, ata hynë në bisedime me qeverinë greke për të
përcaktuar qëndrimin që do të mbanin të dyja palët në konfliktin që kishte
shpërthyer. Gjatë bisedimeve të dyja palët u zotuan të mos sulmonin trojet e njëri-
tjetrit.
Pas kësaj marrëveshjeje, në javën e parë të muajit nëntor 1828, u mblodh në Berat
kuvendi i krerëve shqiptarë. Kuvendi i zhvilloi punimet e veta në mbledhje të
fshehta, që zgjatën nga 6 deri më 8 të atij muaji dhe u mbajtën nën kryesinë e
Ismail bej Vlorës, Iljaz Podës dhe Shahin bej Delvinës. Në kuvend u diskutua
kryesisht për çështjen e qeverisjes dhe u theksua se funksionarët osmanë kishin
përqendruar në duart e tyre të gjitha privilegjet, duke dëbuar vendasit. Prandaj u
vendos që të thyhej autoriteti i vezirit nga Kytahijaja e Anadollit, ta largonin atë nga
qeverisja e Shqipërisë dhe nëse ai do të zëvendësohej me të tjerë, edhe këta të
dëboheshin duke u krijuar pengesa, derisa pushteti i vendit të përqendrohej në
dorën e shqiptarëve. Mendohej që ky synim të arrihej para se Stambolli të zgjidhte
mosmarrëveshjet e veta me Fuqitë e Mëdha, sepse kur Mehmet Reshid pashës t’i
liroheshin duart, u tha në kuvend, ai do të hakmerrej ashpërsisht ndaj tyre dhe do ta
nënshtronte vendin duke përdorur shqiptarët kundër shqiptarëve.
Më 9 nëntor, të dërguar nga Mehmet Reshid pasha, mbërritën në Berat, Sulejman
bej Konica dhe Tahir aga Abazi, që kërkuan përgjigjen e shqiptarëve ndaj thirrjes së
vezirit. Krerët e kuvendit i kthyen prapa duke u kumtuar se përgjigjen do t’ia jepnin
vezirit me gojë në Zicë, ku do të paraqiteshin me forcat e tyre. Ata mendonin t’i
njoftonin Mehmet Reshid pashës se pranonin të merrnin përsipër mbrojtjen e kufijve
të Shqipërisë Jugore me forcat e tyre, por me kusht që, përveç sigurimit të ushqimit
dhe municioneve, t’i jepej sanxhaku i Vlorës për qeverisje Ismail bej Vlorës,
sanxhaku i Delvinës Shahin bej Delvinës dhe derbendët e sanxhaku i Tërhallës, Iljaz
bej Podës. Ndërsa për trupat që do të nevojiteshin për t’u përdorur jashtë kufijve të
Shqipërisë Jugore, kundër trupave franceze ose greke, kërkonin sigurimin e pagave
të ushtarëve. Kërkesat e krerëve të kuvendit synonin në të vërtetë dëbimin e
Mehmet Reshid pashës dhe të funksionarëve osmanë nga Shqipëria Jugore.
Mehmet Reshid pasha, që u informua mbi vendimet e kuvendit nga një agjent i tij i
fshehur në radhët e pjesëmarrësve të kuvendit, nuk u paraqit në Zicë, por dërgoi tre
përfaqësues të tij. Krerët e kuvendit të Beratit e kuptuan këtë shmangie të vezirit,
ndaj u larguan dhe nuk morën pjesë në ekspeditë, që nuk u arrit të ndërmerrej.
Sipas shembullit të tyre edhe feudalët çamë, që kishin pranuar në një farë mënyre të
shkonin nën urdhrat e Mehmet Reshid pashës, jo vetëm hoqën dorë, por dëbuan
forcat dhe përfaqësuesit e tij nga Paramithia. Ky veprim shënoi fillimin e lëvizjes
feudale shqiptare për vetëqeverisjen e vendit si në kohën e Ali pashë Tepelenës.
I demoralizuar nga dështimi që pësoi dhe i shqetësuar se mos dëbohej me forcë,
Mehmet Reshid pasha edhe këtë herë kërkoi të hiqej nga postet që mbante. Mirëpo
Porta e Lartë nuk e pranoi këtë kërkesë dhe, meqenëse feudalët shqiptarë u
mjaftuan vetëm me këto akte dhe nuk ndërmorën veprime për të pastruar
sanxhakun e tyre nga funksionarët osmanë, Stambolli hartoi një plan tjetër, për të
vrarë krerët kryesorë shqiptarë - Ismail bej Vlorën dhe Iljaz Podën, dhe të
shpërndante kështu besëlidhjen e Beratit, ta shtypte atë ose ta detyronte t’u bindej
urdhrave të pushtetit qendror. Për t’ia arritur këtij qëllimi, u përhap fjala se Mehmet
Reshid pasha do të hiqej nga detyra e vet për shkak se u tregua i pazoti për ta bërë
Besëlidhjen Shqiptare një mbështetje të perandorisë në periudhën e krizës së asaj
kohe. Njëkohësisht iu dërguan Ismail bej Vlorës fermani i emërimit të tij si qeveritar i
sanxhakut të Vlorës me gradën pashë me dy tuja dhe Iljaz bej Podës, fermani i
emërimit të tij si komandant i përkohshëm i Janinës derisa të mbërrinte aty Ismail
bej Tepelena.
Ismail bej Vlora ra në kurthin e kurdisur dhe shkoi në Janinë, ku më 5 janar 1829,
kur po ngjiste shkallët e sarajit, u vra nga njerëzit e Mehmet Reshid pashës. Ndërsa
Iljaz Poda shpëtoi, sepse nuk shkoi në Janinë. Por vrasja e Ismail bej Vlorës nuk i
vërtetoi shpresat e Portës së Lartë për të nënshtruar shqiptarët. Përkundrazi, lëvizja
mori karakterin e një revolte të vërtetë, që u shoqërua me dëbimin e funksionarëve
osmanë dhe me vendosjen e pushtetit të parisë shqiptare në krahinat përreth
Janinës, në Zagori, Konicë, Mecovë. Qëllimi ishte që Mehmet Reshid pasha të
largohej. Ky i fundit, pasi i kumtoi Portës se për të nënshtruar shqiptarët duheshin
përdorur forca të mëdha ushtarake, u përgatit të largohej nga Shqipëria. Ndërkohë,
sulltani e ngarkoi me detyrën e Vezirit të Madh dhe të kryekomandantit të ushtrisë
në luftën kundër Rusisë. Ky vendim u shpall në Janinë më 6 shkurt 1829.

Masakra e Manastirit (9 gusht 1830)

Me pretekstin se nuk u ishin paguar rrogat ushtarëve, një varg komandantësh të


tjerë shqiptarë u larguan nga shërbimi zyrtar. Ndërkohë, Besëlidhja e Beratit kishte
mundur të tërhiqte në anën e vet edhe disa kapedanë grekë që qëndronin në
krahinat e tyre për t’i mbrojtur nga dhuna osmane. Por radhët e saj u shtuan edhe
me krerë të tjerë shqiptarë të pakënaqur nga Porta e Lartë. Në këto rrethana u
krijua në sanxhakun e Janinës një gjendje e turbullt.
Megjithëse sulltani nuk ia hoqi menjëherë Mehmet Reshid pashës detyrat e valiut të
Rumelisë dhe të vezirit të tre sanxhakëve të Shqipërisë Jugore, për të mos ia ulur
autoritetin në sytë e shqiptarëve, pas largimit të tij për në front, e ngarkoi me
detyrën e valiut të Rumelisë dhe të qeveritarit të sanxhakut të Tërhallës e të nazërit
(mbikëqyrës, ministër - shën. i aut.), të derbendëve ish-Vezirin e Madh, Mehmet
Selim pashën. Ndërsa në postin e qeveritarit të të tre sanxhakëve shqiptarë u
emërua, me gradën e vezirit Mahmud Hamdi pasha, një nga vartësit e Mehmet
Reshid pashës. Edhe pas dërgimit të tij në front, Mahmudi II ia besoi pushtetin në
Shqipëri një funksionari osman. Kjo tregonte edhe një herë se ai nuk donte të
kënaqte kërkesën e krerëve feudalë shqiptarë për vetëqeverisje, sepse, siç shprehej
ai, “shqiptarët do të vazhdonin turbullirat e nuk do të shërbenin si duhej, dhe se këtë
do ta bënin kur mbi ta të ushtrohej një dhunë e fortë nga ana e shtetit”. Megjithatë,
për të ulur hovin e lëvizjes në Shqipërinë Jugore dhe sidomos, për të nxitur më tej
rivalitetin dhe armiqësitë midis krerëve kryesorë të kësaj lëvizjeje, sulltani kërkoi
nga Mehmet Selim pasha që të thërriste Iljaz Podën në detyrën e myteselimit të
sanxhakut të Tërhallës dhe të agait të derbendëve.
Pas këtyre emërimeve, në vargun e feudalëve të rebeluar u përfshi edhe Asllan bej
Puçeja, ish-myteselim i sanxhakut të Tërhallës, një nga krerët më në zë të
Shqipërisë Jugore, që mbeti pa ndonjë post zyrtar. I pakënaqur ishte edhe Ismail bej
Qafëzezi i Kolonjës, të cilit Mehmet Reshid pasha i kishte premtuar myteselimllëkun
e Tërhallës. Po ashtu, në këtë grup u radhit edhe Myslim Beu, vëllai i Veli bej Jaçes,
komandant i Prevezës e i Artës, i cili ishte një tjetër feudal shqiptar po aq i fuqishëm
sa Iljaz Poda ose Asllan Beu. Mehmet Reshid pasha i kishte premtuar Myslim Beut
agallëkun e derbendëve, që nuk iu dha. Në këto kushte gjendja e turbullt u thellua
në Shqipërinë Jugore dhe në të njëjtën kohë u shtuan armiqësitë dhe rivaliteti midis
krerëve kryesorë.
I braktisur nga një pjesë e mirë e komandantëve shqiptarë, veziri Mahmud Hamdi
pasha u detyrua të thërriste në Janinë Veli bej Jaçen. Me këtë veprim Veli bej Jaçja,
që konsiderohej ndër feudalët e fuqishëm shqiptarë, përveç Prevezës dhe Artës, vuri
nën komandën e vet edhe kështjellën e Janinës, ndërsa veziri osmanlli u gjend në
mëshirën e tij. Në këtë kohë edhe Vlora e rrethi i saj kishin rënë në duart e Beqir bej
Vlorës, vëllait të Ismail Beut, ish-kryetarit të Besëlidhjes së Beratit, ndërsa qyteti i
Beratit kishte rënë në duart e Tafil Buzit. E njëjta gjendje ishte krijuar edhe në
sanxhakun e Delvinës, ku Shahin bej Delvina, bejlerët e Gjirokastrës dhe ata të
Çamërisë, vepronin me kokë të vet, pa pyetur për autoritetin e Mahmut Hamdi
pashës.
Meqenëse ky vezir nuk solli ndonjë shërbim, Porta e Lartë e hoqi dhe e dërgoi në
frontin rus, ku Mehmet Reshid pasha po pësonte disfata mbas disfatash. Detyrën e
qeverisjes së Shqipërisë Jugore Porta ia ngarkoi valiut të Rumelisë. Ky, me qëllim që
të shtinte në dorë komandën e kështjellës së Janinës, kërkoi ndihmën e njërit prej
feudalëve shqiptarë, Latif Efendiut. Ndërkaq, i premtoi komandantit të saj, Veli bej
Jaçes, se do t’i paguante rrogat e ushtarëve nëse ky i largonte trupat e tij nga
Janina. Por këto orvatje nuk patën sukses. E gjithë Shqipëria Jugore si dhe Tërhalla e
derbendët, ranë në fakt në duart e feudalëve shqiptarë.
Pasi njohu pavarësinë e Greqisë (1830), Porta e Lartë u mor tërësisht me
nënshtrimin e Shqipërisë, e cila për shkak të popullsisë së saj, që në shumicë ishte
myslimane, bashkë me Bosnjën, konsideroheshin si dy mbështetjet e pushtetit
osman në Rumeli. Detyrën e nënshtrimit të Shqipërisë së Jugut sulltani ia ngarkoi
Vezirit të Madh, Mehmet Reshid pashës. Pas kësaj do të fillonte nënshtrimi i
Shqipërisë Veriore dhe do të zbatoheshin në vend reformat centralizuese, sidomos
ajo ushtarake.
Pa u larguar akoma nga Edreneja, Veziri i Madh emëroi të birin, Emin Pashën, si
qeveritar të Janinës, Mahmud Hamdi pashën si qeveritar të Tërhallës dhe si
komandant të derbendëve, Iljaz Podën. Sipas mendimit të sulltanit, ai duhet ta
emëronte këtë të fundit myteselim të sanxhakut të Vlorës me titullin “Kapëxhëbash
(kryeportier - shën. i aut.) i Oborrit”, por kjo nuk pati efekt, sepse Iljaz Poda ishte
kundërshtari kryesor i qeverisjes së Shqipërisë Jugore nga osmanët.
Nga Edreneja Mehmed Reshid pasha mbërriti në Manastir, ku ftoi krerët shqiptarë e
sidomos Iljaz Podën, Asllan bej Puçen dhe Veli bej Jaçen etj., të paraqiteshin në
selinë e tij për të biseduar për çështje të organizimit të ushtrisë dhe të pagesave të
prapambetura.
Asllan bej Puçja, që kishte qenë në luftë me forcat e Vezirit të Madh në Alasonjë, i
ndërpreu luftimet dhe, pasi u takua me Veli bej Jaçen në Mecovë, vendosën të
shkonin bashkërisht në Manastir të shoqëruar me kontingjente të forta ushtarësh,
për të parandaluar ndonjë pabesi dhe për t’i shkëputur vezirit të drejtat që
pretendonin.
Ndërsa Asllan Beu e Veli Beu shkuan në Manastir, Iljaz Poda, që nuk i zuri besë
Vezirit të Madh, u tërhoq në zonën e Dangëllisë dhe filloi përgatitjet për t’u mbrojtur
në malin e Melesinit në rast se sulmohej nga forcat qeveritare, që mund të vinin
kundër tij nga Korça ose Janina.
Mehmed Reshid pasha nuk kishte aspak ndërmend të bisedonte me krerët shqiptarë
që erdhën në Manastir, përkundrazi, ai kishte marrë masat për t’i likuiduar ata me
pabesi. Pikërisht në këtë kohë ai i preu kokën në Berat Hasan bej Vrionit dhe vari në
Manastir Shaban Gegën, që kishte zënë rob në Janinë. Ndërsa ndaj bejlerëve që
mbërritën në Manastir, Mehmet Reshit pasha, pasi u bëri një pritje madhështore,
organizoi më 9 gusht një masakër të paparë. Në këtë ditë ai i ftoi ata të merrnin
pjesë në një stërvitje të reparteve të rregullta ushtarake që u bë jashtë qytetit. Këtu
ata do të hanin edhe drekën në një kopsht të hapur. Mirëpo sapo mbërritën në
vendin e ceremonisë, dy të ftuarit e parë, Veli Jaçe beu dhe Asllan Puçe beu,
ushtarët që stërviteshin i kthyen pushkët kundër tyre dhe hapën zjarr mbi ta. Kështu
të qëlluar në befasi, dy bejlerët shqiptarë dhe shoqëruesit e tyre nuk mundën të
bënin veçse një qëndresë të vogël. Veli Beu u vra në vend, kurse Asllan Beu, të cilit
iu plagos kali, u godit dhe iu pre koka. Pas tyre, po atë ditë të 9 gushtit u vranë të
masakruar po në vendin e ceremonisë edhe 800-1 000 shqiptarë kurse 400-500 të
tjerë u zunë robër.
Një veprim i ngjashëm dhe i pabesë u krye edhe nga i biri i Vezirit të Madh, Emin
Pasha, ndaj Myslim Beut e Kapllan Beut, i pari vëlla i Veli Beut, ndërsa i dyti i Asllan
Beut. Kapllan Beu mundi të shpëtonte por, para se të largohej nga Janina, bëri një
akt të pakuptimtë e barbar, dogji thuajse gjysmën e qytetit.
Me masakrën e Manastirit dhe të Janinës Mehmet Reshid pasha synonte t’u jepte një
mësim krerëve të tjerë shqiptarë dhe t’i bënte që të nënshtroheshin.
Kjo masakër, që zhduku krerët më të rëndësishëm të lëvizjes shqiptare të Jugut,
arrestimi i familjeve të luftëtarëve të garnizoneve të qyteteve të Shqipërisë Jugore,
konfiskimi i pasurive të tyre si dhe presioni i vazhdueshëm i forcave qeveritare mbi
popullsinë, bënë që feudalët shqiptarë të hiqnin dorë nga lëvizja. Megjithëse një
pjesë e tyre u hodh në male për një farë kohe, lëvizja u topit, për t’u gjallëruar më
pas, në mesin e muajit prill 1831, kur feudalët e jugut mbështetën luftën e Mustafa
pashë Bushatlliut kundër reformave centraliste në Shqipërinë Veriore.

7. LËVIZJA PËR VETËQEVERISJE NË SHQIPËRINË VERIORE.


SHEMBJA E PASHALLËKUT TË SHKODRËS
Mustafa pashë Bushatlliu në luftën ruso-osmane të viteve 1828-1829

Porta e Lartë, që kërkonte me çdo kusht të shuante kryengritjen greke, në pranverën


e vitit 1824 e urdhëroi vezirin Bushatlli, pa mbërritur mirë në Shkodër nga
Akarnania, të nisej përsëri kundër lëvizjes greke. Por ky nuk pranoi jo vetëm pse
kërkonte të ruante forcat e veta për t’u bërë ballë turbullirave brenda pashallëkut
dhe për t’u mbrojtur nga rivali i tij, Dervish pashë Peja, që ishte emëruar vali i
Rumelisë, por edhe sepse ushtarakët shkodranë e malësorët nuk dëshironin të
ktheheshin në Greqi ku, krahas të tjerave, kishin shpërthyer edhe epidemitë.
Megjithatë, më 1825, si Bushatlliu, ashtu dhe pashallarët kosovarë u detyruan të
dërgonin nën komandën e valiut të Rumelisë, Mehmet Reshid pashës, kontingjentet
e tyre ushtarake, por kur panë trajtimin e keq të shqiptarëve nga kryekomandanti
osman, që po i përdorte ata si mish për top, i tërhoqën forcat e tyre. Kjo shkaktoi
zemërimin e valiut, që ra sidomos mbi Mustafa Pashën e Shkodrës.
Veziri Bushatlli, pushteti i të cilit ende nuk ishte konsoliduar si duhej, u mundua t’u
shmangej sa më shumë detyrimeve ndaj pushtetit qendror. Kështu veproi atëherë
edhe shumica e pashallarëve kosovarë. Mirëpo Mehmet Reshid pasha përsëri
shkaktoi ngatërresa midis tyre. Me kryengritjen që nxiti në marsin e vitit 1826 në
Prishtinë kundër Jashar Pashës, kunatit të Tahir pashë Bushatlliut, dhe me një
komplot që organizoi në muajin maj të të njëjtit vit në Shkodër për të vrarë Mustafa
Pashën e për të sjellë në fuqi Tahir Pashën, ai arriti të përçante pashallarët gegë.
Përçarja u thellua më shumë me shpalljen e reformës ushtarake, pasojat e rënda të
së cilës për pushtetin e tij, veziri shkodran, edhe pse me vonesë, i kuptoi dhe e
kundërshtoi së bashku me krerët feudalë boshnjakë, të cilët u shpallën gjithashtu
haptazi kundër saj. Mirëpo, edhe pse sistemi i ri ushtarak binte ndesh gjithashtu me
interesat e pashallarëve kosovarë, këta jo vetëm nuk ndoqën veprimin e Bushatlliut,
por iu kundërvunë atij duke ndihmuar përfaqësuesin e Portës së Lartë në Bosnjë,
vezir Abdurrahman Pashën. Ky mundi ta paralizonte për një kohë lëvizjen boshnjake
dhe pas kësaj filloi të vepronte kundër Mustafa Pashës duke bërë presion në kufijtë e
pashallëkut të tij me anën e forcave të pashallarëve të Shkupit e të Prizrenit. Por
edhe këto veprime u ndalën, pasi Bushatlliu dërgoi kundër këtyre dy pashallarëve
shqiptarë një ushtri prej 14 000 vetash. Pas kësaj Porta e Lartë, u detyrua të
ndërhynte për ndërprerjen e konfliktit.
Në vitin 1826 veziri Bushatlli kundërshtoi të dërgonte forca ushtarake në Greqi.
Mirëpo Porta e Lartë, që po shkonte drejt një konflikti të madh me Fuqitë e Mëdha
evropiane, të cilat filluan të ndërhynin hapur në favor të njohjes së Greqisë si shtet
më vete, nuk hoqi dorë nga përpjekjet për ta tërhequr atë dhe për të përdorur me
ndihmën e tij potencialin ushtarak të Gegërisë. Porta kërkoi prej Mustafa Pashës të
ngrinte një ushtri prej rreth 40 000 vetash të përbërë prej ushtarësh shqiptarë gegë,
duke i dërguar edhe listën e pashallarëve, të bejlerëve dhe të kapedanëve që do të
hynin nën komandën e tij. Ai u porosit me këtë rast, që t’i trajtonte si kryengritës të
gjithë ata krerë që nuk do t’i bindeshin.
Ky urdhër e joshi Bushatlliun, sepse do t’i shërbente para së gjithash, forcimit të
autoritetit të tij në Gegëri. Por këtij urdhri kundërshtuan t’i bindeshin Abaz Pasha i
Dibrës dhe Mehmet Pasha i Matit. Kapedani i Mirditës, që u ngarkua për t’i bindur
këta të bashkëpunonin, tërhoqi pas Bushatlliut feudalin e Matit, kurse atë të Dibrës
nuk arriti ta bindte. Në këto rrethana, në nëntor të vitit 1827, Mustafa Pasha nisi
kundër tij 18 000 ushtarë. Ndërkaq edhe feudalët dibranë u përçanë. Kundër Abaz
Pashës u ngritën malësorët dibranë. I shqetësuar se mund të vritej nga njerëzit e
vet, Abaz Pasha u arratis. Kështu Mustafa Pasha mundi të konsolidonte pozitën e vet
edhe në këto treva. Ndërkohë Porta e Lartë gradoi si mirmiran djalin e tij të madh,
Mahmud Beun, dhe vazhdoi ta joshte këtë kundërshtar të reformave për aq kohë sa
pati nevojë për mbrojtjen e kufijve tokësorë e detarë të perandorisë. Këto ishin
rrethanat në të cilat u gjend Pashallëku i Shkodrës dhe përgjithësisht Shqipëria e
Veriut dhe ajo e Verilindjes në prag të fillimit të luftës ruso-turke të vitit 1828-1829.
Fillimi i kësaj lufte solli pushtimin nga ushtria ruse të Vllahisë dhe të Moldavisë.
Ushtria osmane në kushtet kur nuk i erdhi në ndihmë as kontingjenti i fortë ushtarak
boshnjak që ishte paraparë të dërgonte veziri i Bosnjës, nuk e ndali dot vrullin e
rusëve. Ndërkaq, më 8 qershor 1828 shpërtheu kryengritja e krerëve boshnjakë
kundërshtarë të reformave. Kjo bëri që edhe kontingjenti ushtarak i Bosnjës që ishte
në rrugë drejt frontit rus, të mos arrinte atje dhe të shkrihej krejtësisht.
Në këtë gjendje të vështirë Porta i drejtoi sytë në Shqipëri. Duke pasur si synim që
forcat e Shqipërisë Veriore t’i përgatiste për frontin e Danubit, Porta dërgoi në
Shkodër një funksionar të Lartë, i cili u ngarkua të formonte një ushtri të fortë dhe
sipas sistemit të ri ushtarak. Por urdhri u anulua, kur Mustafa Pasha i deklaroi
sulltanit se shqiptarët gegë e urrenin atë sistem, dhe për rrjedhojë ishte rrezik që të
hidheshin në kryengritje sikurse ndodhi në Bosnjë. Atëherë Porta pranoi që përgatitja
e ushtrisë të bëhej sipas sistemit të vjetër, por me kusht që pashai shkodran të nisej
drejt Danubit për të zhbllokuar në radhë të parë Vidinin, që rrezikohej të rrethohej
prej rusëve e të binte në duart e tyre.
Për të mënjanuar humbjet e mëdha që do të pësonin forcat e tij ushtarake në një
luftë fundi i së cilës po dukej qartë, Mustafa Pasha bëri të gjitha përpjekjet për të
vonuar nisjen e tyre në frontin e Danubit. Për këtë i dhanë dorë disa ngjarje jo të
parëndësishme. E tillë ishte kërkesa që Mali i Zi i bëri carit rus për të dërguar kuadro
e të holla për të gozhduar në vend pashallarët e zonave kufitare shqiptare dhe për t’i
penguar të niseshin për në front. Një ngjarje tjetër e tillë ishte kryengritja e zonës së
Peshterit, ku Bushatlliu dërgoi një forcë prej 4 000 vetash. Më në fund, ai përfitoi
edhe nga fakti që as pajisjet dimërore dhe as fondet e të hollave e për pasojë, as
forcat e vartësve të tij, nuk i mbërritën me kohë. Në këto rrethana, Bushatlliu kërkoi
shtyrjen e kohës së nisjes së tij për në pranverën e vitit 1829, të cilën Porta u
detyrua ta pranonte.
Sapo mori vesh se Mehmed Reshid pasha u emërua Vezir i Madh dhe
kryekomandant, Mustafa Pasha me qëllim që të mos vihej nën vartësinë e tij të
drejtpërdrejtë, kërkoi nga Porta e Lartë ta lejonte që me forcat e veta, me ato të
pashallarëve kosovarë dhe me 20 000 ushtarë boshnjakë, të formonte një ushtri të
madhe prej 60 000 vetash, që do të vepronte në sektorin e Vidinit. Sulltani e pranoi
këtë propozim duke menduar se kjo, edhe pse mund të mos i sillte dobi ushtarake,
do t’i sillte përfitime me karakter politik, do t’i duhej për bisedimet për paqe që
kishte ndërmend t’i fillonte së shpejti.
Në literaturën e huaj e sidomos në atë franceze është pohuar se fermani i sulltanit
për të caktuar Bushatlliun si komandant të pavarur në sektorin e Vidinit, u nxor falë
ndërmjetësisë që princi Milosh i Serbisë bëri pranë Portës. Ky pohim nuk qëndron,
sepse në dokumentacionin osman nuk bëhet fjalë fare për një ndërmjetësim të tillë
për këtë emërim. Edhe vonesa e nisjes së Bushatlliut për në front, në këtë literaturë
lidhet me princ Miloshin, i cili e paska siguruar atë se rusët do ta ndihmonin të bëhej
sundimtar i pavarur po qe se nuk do të merrte pjesë në luftën kundër tyre. Por, siç
treguan ngjarjet e mëvonshme, edhe ky pohim është po aq i pabazuar sa edhe i pari.
Bushatlliu duhej të ishte nisur më 15 maj, por doli nga Shkodra vetëm më 6 qershor.
Kjo ndodhi për shkak se në atë kohë banorët e Ljeshko Poljes, të Kuçit dhe të Piprit,
jo vetëm nuk pranuan të dërgonin ushtarët, për të cilët kishin marrë edhe
paradhëniet, por sulmuan kështjellën e Shpuzës dhe të Zhabjakut. Mustafa Pashës,
para së gjithash, iu desh të sqaronte, se mos këto sulme i kishte organizuar Vladika
dhe të dërgonte kundër tri krahinave rebele një forcë prej 5 000 vetash.
Më 6 qershor, pasi la si zëvendës djalin e vet, Mahmud Pashën, dhe këshilltar të tij
Xheladin Beun e Ohrit dhe, pasi mbylli në pallat kushërinjtë rivalë, Tahir Pashën e
Dervish Beun, Bushatlliu u nis për në frontin e Danubit. Duke menduar se ndërkaq
do të sheshoheshin mosmarrëveshjet ruso-turke, për të cilat kishin filluar bisedimet
për paqe, ai i imponoi ushtrisë së tij prej 20-25 000 vetash (me të nuk u bashkuan
as boshnjakët e as forcat e disa pashallarëve shqiptarë), një marshim të ngadalshëm
dhe vetëm më 6 korrik mbërriti gjysmë ore afër Vidinit, ku vendosi kampin e vet.
Ndërsa ndërmjetësit e të dy perandorive ndërluftuese kishin filluar bisedimet për
paqe, ushtritë osmane pësuan disfata të rënda. Pasi dogjën flotën osmane në Detin e
Zi, pasi pushtuan kështjellën e Silistrës dhe e detyruan Mehmet Reshid pashën të
futej në kështjellën e Shumlës, rusët kërkuan si kusht për përfundimin e paqes
dorëzimin e një numri fortesash, ndër të cilat edhe atë të Shumlës. Në rast të
kundërt, e kërcënuan ata Portën, paqja do të nënshkruhej në Stamboll. Këto fitore u
dhanë mundësi rusëve të drejtoheshin në Edrene dhe prej aty drejt Stambollit,
prandaj i ndërprenë bisedimet.
Shthurja në ushtri dhe paniku që u përhap në perandori, e detyruan Portën e Lartë
të shpejtonte përfundimin e paqes dhe të dërgonte të plotfuqishmit e saj në Radost,
ku gjendej Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ruse. Por, meqenëse Mustafa Pasha arriti
të detyronte ushtrinë ruse, që ndodhej 18 orë larg Vidinit, në qytetin Orahovë, ta
braktiste këtë qytet të pushtuar qysh në maj, sulltani vendosi ta përdorte këtë fitore
si mbështetje për dërgatën e tij diplomatike. Mustafa Pashën e emëroi
kryekomandant të korparmatës së Rumelisë Qendrore, duke e urdhëruar që të
vendosej midis Edrenesë e Stambollit për të mbrojtur kryeqytetin. Por, ndërsa
Bushatlliu filloi marshimin nga Vidini për të zbatuar urdhrin e sulltanit, Edreneja ra
më 22 gusht 1829 në duart e rusëve, të komanduar nga gjenerali Dibiç. Kjo ngjarje
u dha rusëve mundësinë që të kërkonin zhvillimin e bisedimeve për paqe në këtë
qytet.
Diplomatët osmanë, që ishin vënë në dijeni për lëvizjen e forcave të Mustafa Pashës,
kërkuan prej tij t’i afrohej Edrenesë deri në vendin Haskëj, me qëllim që ta bënin më
të efektshëm vringëllimën e armëve. Por gjenerali Dibiç protestoi, duke deklaruar se
afrimi i tij do të sillte ndërprerjen e bisedimeve.
Rusët ishin të shqetësuar, sepse, përveç 40 000 ushtarëve që solli me vete nga
Vidini, Mustafa Pasha e shtoi potencialin ushtarak edhe me repartet e vezirëve të
ndryshëm që u vunë nën komandën e tij.
I bindur se as ushtria vullnetare, që u ngrit për mbrojtjen e Stambollit dhe as ajo e
Mustafa Pashës nuk ishin në gjendje t’u bënin ballë forcave ruse, sulltan Mahmudi II
nxori vendimin e divanit për të nënshkruar paqen me çdo kusht. Sulltani, edhe pse
Mustafa Pasha mund t’ua merrte përsëri Edrenenë rusëve, nuk pranoi zgjatjen e
luftimeve për të mos pësuar ndonjë humbje më të rëndë dhe urdhëroi nënshkrimin e
Traktatit të Paqes.
Megjithëse e ndiente veten të fyer për shkak se përfundimin e traktatit të paqes dhe
kushtet e tij i mësoi nga gazetat dhe jo nga kanalet zyrtare, Mustafa Pasha nuk
diskutoi më tej dhe me të marrë pëlqimin e qeverisë, u kthye në vendlindje. Sulltani
jo vetëm i dërgoi rrogat e prapambetura të ushtarëve, por i dha atij si dhuratë një
shpatë të stolisur me xhevahire. Dhurata të ngjashme ai u dërgoi edhe pashallarëve
kosovarë.
Gjatë luftës së Turqisë me Rusinë, të viteve 1828-1829, Bushatlliu, duke shfrytëzuar
gjendjen e vështirë të perandorisë, forcoi pozitën e vet në sy të shqiptarëve e
krerëve të tyre, e shtriu pushtetin edhe në sanxhakët e Ohrit dhe të Elbasanit, dhe,
duke mbetur kundërshtar i reformave centralizuese, u afrua me krerët boshnjakë
dhe ata të Rumelisë, u bë një qeveritar krahinor i rrezikshëm për Portën e Lartë, një
pengesë që ajo vendosi ta zhdukte sa më parë.
Krahas fuqizimit të pushtetit të Bushatllinjve në Pashallëkun e Shkodrës, në fundin e
shek. XVIII e sidomos gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të shek. XIX, u forcuan edhe
mjaft familje feudale në Shqipërinë Verilindore (Kosovë) dhe në atë Lindore (trevat
shqiptare në Maqedoninë e sotme). Disa prej këtyre familjeve të fuqishme ishin me
origjinë të hershme feudale, ndërsa të tjerat u shfaqën rishtas si rezultat i fitores në
rivalitetet e ashpra me familje të tjera kundërshtare. Kështu në Prizren u ngrit
familja e Rrotullajve, të cilët, të paktën që nga viti 1794, kur mundën të mposhtin e
të dëbojnë kundërshtarët e vet, Sali Pashitët, sunduan si të plotfuqishëm në këto
anë, duke i dhënë sanxhakut të Prizrenit karakterin e një pashallëku të vogël. Më të
njohurit e kësaj familjeje në dekadat e para të shek. XIX u bënë Rustem Pasha dhe
Mahmud pashë Rrotulla, të cilët qeverisën këtë sanxhak përkatësisht gjatë viteve
1801-1806 dhe 1809-1836. Gjurmë të thella la në historinë e viseve veriore të
Shqipërisë sidomos veprimtaria politike e familjes së fuqishme të Begollajve të Pejës.
Pinjollë të shquar të saj që nga shek. XVII patën qeverisur në mënyrë periodike, jo
vetëm rajonin e Pejës, por edhe sanxhakun e Shkodrës.
Ndikim të veçantë në zhvillimet politike të Kosovës gjatë kësaj kohe kishte edhe
familja e Gjinollëve e vendosur në Prishtinë. Nga kjo familje u shquan sidomos Maliq
Pasha dhe i nipi Jashar Pasha, të cilët gjatë këtyre viteve sunduan me dorë të hekurt
në qytetin e Prishtinës dhe rrethinën e tij.
U dalluan gjithashtu për nga fuqia e tyre politike dhe ekonomike familje të tjera në
qytete të ndryshme shqiptare, si në Vuçiternë, Tetovë etj. Megjithatë, fuqizimi i
familjeve shqiptare në viset verilindore dhe lindore nuk arriti atë shkallë ndikimi dhe
atë pushtet që patën fituar Bushatllinjtë në Shqipërinë Veriore dhe Ali pashë
Tepelena në atë Jugore.

Shembja e Pashallëkut të Shkodrës (1831)

Vendosja e Mehmet Reshid pashës në Manastir dhe sidomos masakrimi i njëkohshëm


në këtë qytet dhe në Janinë i krerëve kryesorë të Shqipërisë së Jugut, si dhe futja e
saj në binarët e sistemit të reformave centralizuese, u treguan krerëve të Shqipërisë
së Veriut se, me vezirin Bushatlli në krye, pushteti politik dhe ekonomik i tyre si dhe
vetë jeta e tyre ishin vënë në rrezik. Tashmë, nuk kishte dobi qëndrimi i lëkundur që
kishin mbajtur deri atëherë. Duhej zgjedhur një nga dy rrugët: ose të pranonin
zbatimin e reformave me gjithë pasojat e tyre, ose të ngrinin krye me armë në dorë
kundër reformave për të mbrojtur sistemin vetëqeverisës, pushtetin e tyre krahinor.
Pa kaluar më shumë se një vit, më 4 janar 1831, mbërriti në Shkodër fermani i
sulltanit që e kufizonte pushtetin e vezirit Bushatlli vetëm në sanxhakun e Shkodrës.
Qeverisja e sanxhakut të Ohrit, të Dukagjinit dhe të Elbasanit iu dha Mehmet Reshid
pashës, i cili e kishte kërkuar si kusht për të shtrirë reformat në krahinat e Gegërisë.
Përveç kësaj, ky ferman e detyronte Mustafa Pashën të pranonte në sanxhakun e tij,
vendosjen e garnizoneve ushtarake të rregullta dhe çarmatosjen e banorëve.
Këtij urdhri të sulltanit nuk pranuan t’i bindeshin paria feudale, tregtarët e pasur,
krerët e esnafeve, bajraktarët e malësive dhe klerikët kryesorë myslimanë të
sanxhakut të Shkodrës. Ata e shihnin atë si një masë që do të çonte në zhdukjen e
vetëqeverisjes krahinore, ose e asaj gjysmë lirie që kishin fituar në rrjedhën e kohës,
dhe, njëherazi në një nënshtrim të plotë ndaj sundimit osman. Në të vërtetë urdhri i
sulltanit i vitit 1831 ishte një pushtim i ri i vendit, i cili ndonëse po realizohej pa
luftë, do të sillte më pas konfliktin e armatosur, sepse populli nuk do të pranonte as
vendosjen në vend të garnizoneve osmane, e as të çarmatosej. Prandaj
përfaqësuesit e popullsisë së Shkodrës, vendosën që, në rast se do të përdorej
dhuna nga Porta e Lartë për zbatimin e reformave në vendin e tyre, të rrëmbenin
armët. Hapi i parë i kundërshtimit ndaj vullnetit të sulltanit u bë kur ata veshën
përsëri kostumet kombëtare dhe zhveshën rrobat e hoqën festet që u ishin imponuar
nga Stambolli para tre vjetëve. Në të njëjtën kohë krerët e sanxhakut të Shkodrës i
shprehën vezirit Bushatlli mirënjohjen dhe bindjen e tyre.
Pasi siguroi mbështetjen e tyre dhe pasi bëri për vete pashallarët kosovarë, që nuk e
miratuan fermanin e 4 janarit 1831, Bushatlliu hodhi një hap të dytë, urdhëroi
zëvendësit e vet në tre sanxhakët që i hiqeshin, të mos ua dorëzonin pushtetin
përfaqësuesve të Vezirit të Madh. Por Mehmet Reshid pasha, që e kishte parashikuar
një qëndresë të tillë, i doli përpara kësaj dhe i dërgoi zëvendësit e vet para se
Bushatlliu të mund të fillonte të kundërshtonte. Për rrjedhim, ata jo vetëm morën në
duart e tyre pushtetin duke i dëbuar përfaqësuesit e vezirit të Shkodrës, por
konfiskuan dhe pasuritë e këtyre. Përveç kësaj, në Ohër u bastis e u plaçkit saraji i
Xheladin bej Ohrit dhe familja e tij u nxor jashtë. Kurse në Dibër të njëjtin fat pësoi
motra e vezirit Bushatlli. Vetëm në Pejë zëvendësi i Vezirit të Madh Abdurrezak
Pasha, hasi në kundërshtimin e banorëve të qytetit dhe e mori pushtetin me shumë
vështirësi, pasi i la Sefedin pashë Gjakovës qeverisjen e Gjakovës dhe Alltun-Ilisë.
Mustafa Pashës, kundër të cilit u organizua edhe një atentat për ta vrarë, i dolën nga
duart tre sanxhakët dhe me këtë akt pashallëku i Shqipërisë Veriore pësoi një goditje
të rëndë. Në këto kushte Bushatlliu arriti në përfundimin se rruga e vetme për
rimëkëmbjen e pashallëkut, për mbrojtjen e pushtetit dhe të vetes së tij, ishte
organizimi i kryengritjes së armatosur kundër pushtetit qendror, duke i dhënë asaj
karakterin e një lëvizjeje të gjerë kundër reformave, e cila do t’i siguronte aleatë më
të shumtë. Kështu do të mund të dëboheshin nga Shqipëria Mehmet Reshid pasha e
njerëzit e tij dhe pushtuesit osmanë në përgjithësi. Ky ishte qëllimi i vërtetë i
kryengritjes. Ndonëse në dukje kryengritja, për të tërhequr në të dhe në ndihmë të
shqiptarëve edhe kombësitë e tjera të Rumelisë, paraqitej si antireformiste, në të
vërtetë kishte për qëllim mënjanimin e pushtimit osman, pra kishte karakter
çlirimtar. Shqiptarët nuk pranonin t’u nënshtroheshin më tej sundimtarëve osmanë,
që i mbanin të robëruar prej disa shekujsh. Mustafa Pasha hyri në rrugën e
kryengritjeve pasi nuk u mor parasysh ankesa që i drejtoi sulltanit kundër Mehmet
Reshid pashës, të cilin krahas të tjerave e akuzoi edhe për atentat kundër tij. Pas
këtyre orvatjeve Bushatlliu u hodh në rrugën e luftës. Porta e Lartë, duke
këmbëngulur në zbatimin e reformave centralizuese, jo vetëm nuk e mori parasysh
ankesën e tij, por edhe përligji si të drejtë e në dobi të përforcimit të pushtetit
qendror dhënien e tre sanxhakëve Vezirit të Madh. Bushatlliut i kërkohej të
sakrifikonte pushtetin e vet në vendin e vet, ndërsa shqiptarëve të pranonin pa
kundërshtim rivendosjen e sundimit të ushtrisë dhe të funksionarëve të sulltanit
osman.
Në muajin shkurt, Mustafa Pashës, nëpërmjet qehajait Dervish bej Koplikut, i erdhi
përgjigjja e feudalëve boshnjakë, kundërshtarë të reformave, që i kumtuan se do të
bashkëpunonin me të në kryengritjen e armatosur dhe do t’i vinin në ndihmë me
ushtritë e tyre. Përgjigje me të njëjtën përmbajtje mori Mustafa Pasha edhe nga
mjaft feudalë të Rumelisë, ku ziente pakënaqësia ndaj reformave.
Por, që të mund të ngrinte në këmbë një ushtri të madhe, me të cilën do të sulmonte
forcat osmane të Vezirit të Madh në Manastir apo në Janinë, Mustafa Pasha kishte
nevojë edhe për mjete financiare. Ai gjeti mbështetje te Mehmet Ali Pasha i Egjiptit,
që u tregua i gatshëm ta ndihmonte me mjete financiare dhe fshehurazi, edhe me
ushtri. Por pashallarët kosovarë refuzuan ndihmën e pashait të Egjiptit, jo vetëm pse
repartet ushtarake egjiptiane ishin organizuar sipas modelit evropian, por edhe sepse
e quanin të rrezikshme praninë e një ushtrie të valiut të Egjiptit në Shqipëri, i cili po
të vinte këmbë në një vend, vështirë se largohej me vullnetin e vet. Mehmet Ali
Pasha i siguroi se merrte përsipër shpenzimet e një ushtrie prej 40 000 vetash. Ai
ishte i interesuar për shpërthimin e një lëvizjeje të gjerë në Rumeli, sepse në këtë
mënyrë do të fitonte mundësinë të forconte më tej pushtetin e tij të pavarur dhe të
sulmonte e të pushtonte Sirinë.
Edhe Milosh Obrenoviqi, princi i Serbisë, premtoi t’i jepte Bushatlliut 500 000 groshë
duke shpresuar se, në rast fitoreje, veziri shkodran do t’i kthente krahinat që i ishin
shkëputur Serbisë, të cilat sulltani ia kishte premtuar, por nuk po ia dorëzonte.
Mirëpo ky princ u tregua dhe i pabesë. Duke pasur si qëllim të vetëm të aneksonte
treva të Kosovës, ai synonte ta arrinte këtë pavarësisht se kush do ta fitonte luftën,
ndaj i ofroi edhe Portës së Lartë ndihmën e tij ushtarake kundër shqiptarëve dhe
boshnjakëve që u bashkuan me ta.
Ndërkaq, Mustafa Pasha siguroi asnjanësinë e Malit të Zi në këtë konflikt me
Stambollin. Kështu u krijuan kushtet që Bushatlliu të fillonte veprimet ushtarake të
kryengritjes. Por, derisa u plotësuan kushtet për t’u hedhur në sulm kundër Vezirit të
Madh në Manastir, Bushatlliu humbi një kohë mjaft të çmuar.
Më 27 mars 1831, pasi la në Shkodër si zëvendës të birin, dhe pasi dërgoi në
kështjellën e Lezhës municione për të përballuar ndonjë zbarkim detar të forcave
qeveritare, Mahmud Pasha doli nga qyteti. Meqë më 31 mars kishte parashikuar të
ndodhej në Prizren, u dërgoi fjalë boshnjakëve të arrinin gjatë kësaj kohe në
Prishtinë për t’u bashkuar me të. Ata nuk e respektuan afatin, por kjo nuk e pengoi
Bushatlliun ta çonte përpara kryengritjen. Çdo lëkundje a vonesë do të sillte
dështimin e kryengritjes.
Po në këtë kohë Bushatlliu shpërndau një thirrje, në të cilën grishte popullsinë për
kryengritje. Thirrja u prit me miratim kudo. Për të pasur përkrahjen e shtresave të
gjera popullore, në thirrje, ndër të tjera, kërkohej që të mos prekej rajaja, që
nevojat e ushtrisë të plotësoheshin duke blerë sendet e domosdoshme dhe jo duke
vënë dorë mbi pronat shtetërore. Për të mos shkaktuar zemërimin e qeverive
evropiane, ai deklaroi se edhe posta evropiane nuk do të cenohej.
Me Bushatlliun u bashkua popullsia e Nishit, ndërsa ajo e Sofjes, Filipopolit e
Pazarxhikut, sipas lajmeve që vinin prej andej, priste mbërritjen e vezirit për t’u
bashkuar me të.
Në Prizren u bashkuan me Mustafa Pashën pashallarët kosovarë, Mahmud pashë
Prizreni, Jashar pashë Prishtina, Hysen pashë Vranja etj. Pashai shkodran shpalli se
pagesat e rekrutimit të ushtarëve do të jepeshin sipas sistemit “burrë për shtëpi”.
Për t’i përballuar ato kishte marrë premtimin e Mehmet Ali pashës së Egjiptit për një
ndihmë financiare, ndërsa princi Millosh Obrenoviqi do t’i jepte 250 000 groshë. Në
këtë kohë edhe Kara Fejzi Ali beu, aleati i Bushatlliut, u gjend në rrethin e Sofjes, me
një forcë të rëndësishme kryengritëse, me të cilën u bashkuan forcat e Bali Efendiut
të Pazarxhikut, që e kishin braktisur atë. Në rreshtat e forcave qeveritare nuk
pranonte, atëherë, të rekrutohej njeri.
I shqetësuar për shpërthimin e kryengritjes shqiptare, Mehmet Reshid pasha u nis
më 4 prill me 5 batalione nga Janina për në Manastir, ndërsa 3 të tjerë i la në Janinë,
në Prevezë dhe në Ohër. Gjatë rrugës kërkoi nga Porta e Lartë përforcime të tjera në
ushtarë të rregullt e në armatime. Me të mbërritur në Manastir kërkoi nga sulltani
shpalljen “fermanli” dhe dënimin me vdekje të Mustafa Pashës, por jo të pasuesve të
tij. Këtë e bëri me qëllim që t’u lihej atyre shteg për të kërkuar falje e për ta
braktisur vezirin e Shkodrës. Ai kërkoi njëkohësisht dërgimin e 4 batalioneve nga
Edreneja në Sofje dhe të një pjese të flotës ushtarake në bregdetin shqiptar.
Ndërkaq, sipas kërkesës së Vezirit të Madh, sulltani miratoi e shpalli fermanin, ku për
Mustafa Pashën thuhej se “ai kishte në gjak tradhtinë, asnjëherë s’ka qenë besnik e i
bindur me të vërtetë dhe tani e tregoi hapur natyrën e fshehtë të tij”. U arrestua
edhe përfaqësuesi i Mustafa Pashës në Stamboll, Sulejman Beu. Ndërkohë
Shejhylislami, Abdyl Vehabi, nënshkroi fetvanë, në të cilën miratonte dënimin me
vdekje të vezirit kryengritës shqiptar të Shkodrës.
Më 10 prill 1831 forcat kryengritëse të Gegërisë mbërritën në Shkup. Shtabi i vezirit
përpiloi planin e veprimeve luftarake, pavarësisht se boshnjakët nuk e mbajtën
premtimin dhe nuk u paraqitën. Prej andej Mustafa Pasha u dërgoi letra mjaft
feudalëve rumeliotë si dhe atyre të Shqipërisë Jugore ku kërkonte të bashkoheshin
me të. Përveç të tjerëve, ai ftoi të merrnin pjesë në kryengritje edhe Tahir Abazin,
Xhelil aga Picarin. Mjaft feudalë, si Emin agai i Qyprylisë, Jusuf agai i Përlepit, Ali
agai i Matit dhe Iljaz Poda, pranuan të merrnin pjesë në kryengritje, kurse Tahir
Abazi e Xhelil aga Picari, duke pritur zhvillimin e ngjarjeve, nuk dhanë ndonjë
përgjigje.
Sipas planit të veprimeve luftarake, ushtria shqiptare prej rreth 16-18 mijë vetash
duhej të nisej më 15 prill nga Shkupi e ndarë në këtë mënyrë: 4 000 veta të
pararojës, nën komandën e Hasan Hotit do të çanin rrugën drejt Qyprylisë e Përlepit,
7-8 000 veta, të komanduar nga Sejfedin Pasha i Gjakovës do të niseshin në drejtim
të Sofjes për të pushtuar atë qytet bashkë me forcat e Kara Fejzi Ali beut. Pas
marrjes së Sofjes do të zihej derbendi Dudnicë-Samoko për të vënë nën kontroll
rrugën e Manastirit. Luftëtarët e tjerë, nën komandën e Hivzi Pashës së Shkupit,
Emin Pashës së Prizrenit, Jashar Pashës së Prishtinës dhe Hysen Pashës së Vranjës,
do të ndiqnin pararojën dhe do të gjendeshin në Përlep më 20 prill. Pas tyre do të
mbërrinte veziri, i shoqëruar prej Mahmud pashë Prizrenit, Asllan pashë Pejës,
Abdurrahman pashë Tetovës dhe Ismail pashë Leskovcit.
Beteja e parë me forcat osmane të Mehmet Reshit pashës, u zhvillua më 21 prill
1831. Ky, i informuar se gjysma e forcave shqiptare ishte drejtuar për në Sofje,
vendosi të sulmonte në befasi gjysmën tjetër me një ushtri dy herë më të madhe.
Sulmi filloi në të gdhirë të 21 prillit, kur forca të mëdha ushtarake osmane goditën,
gjysmë ore larg Përlepit, pararojën e ushtrisë shqiptare, që nuk i bëri dot ballë
mësymjes dhe u detyrua të lërë pajisjet në duart e armikut dhe të tërhiqej tri-katër
orë më tej, deri te hani i Babunës, ku gjendej pjesa kryesore e ushtrisë shqiptare si
dhe shtabi i saj me Mustafa pashë Bushatlliun në krye. Por ky sukses i Mehmet
Reshid pashës, lajmi për të cilin turqit e përhapën me shpejtësi në përfaqësitë
diplomatike evropiane, nuk vazhdoi më tej. Siç theksonte veziri bushatlli në letrën
dërguar princ Miloshit më 24 prill, ushtria shqiptare prej 10 000 vetash e
kundërsulmoi ushtrinë osmane, e theu dhe e dëboi nga derbendi (gryka, vendkalimi
- shën. i aut.) i Përlepit. Ky kundërsulm u ndërmor nga kryengritësit shqiptarë në
Përlep më 21 prill. Kurse pjesa tjetër e ushtrisë, që ndodhej në afërsi të Sofjes e
pushtoi këtë qytet më 23 prill. Me urdhrin e posaçëm të Mustafa Pashës që mban
datën 30 prill 1831, u arrestuan dhe u dërguan në Nish krerët kryesorë të ushtrisë
osmane të Sofjes.
Por edhe fitoret e ushtrisë shqiptare nuk zgjatën më shumë se 14-15 ditë. Ndërkohë,
Mustafa Pasha, meqë Stambolli hodhi kundër Sofjes së pushtuar nga shqiptarët forca
të shumta osmane, i dërgoi Kara Fejziut që komandonte ushtrinë e atjeshme, pjesën
më të madhe të forcave që dispononte dhe qëndroi në Babunë vetëm me 3 000 veta.
Ai mendoi gabimisht se Veziri i Madh nuk do të guxonte ta sulmonte për shkak të
disfatës që kishte pësuar, të dezertimeve të shumta në radhët e ushtrisë dhe pasi
kishte shpërthyer, më 18 prill, kryengritja në Toskëri. Mirëpo Mehmet Reshid pasha,
pasi mësoi se Bushatlliu kishte rreth vetes një forcë ushtarake të vogël, vendosi ta
sulmonte në vendqëndrimin e tij në Babunë. Më 3 apo 4 maj, u zhvillua midis
Përlepit e Qyprylisë një betejë e përgjakshme, e cila qe vendimtare për fatet e
kryengritjes së Gegërisë. Pas 5 orë lufte, forcat e Bushatlliut, duke qenë të pakta në
numër pësuan disfatë të plotë. Vetë veziri shkodran, i shoqëruar nga 100 kalorës, u
detyrua të largohej nga fusha e betejës në drejtim të Shkupit.
Megjithëse kjo disfatë e paparashikuar solli një humbje të pjesshme për ushtrinë
shqiptare, shumica e së cilës ndodhej në Sofje, lajmi për të u përhap si rrufe në të
gjithë Rumelinë dhe demoralizoi përkrahësit e kryengritjes dhe veçanërisht forcat e
armatosura shqiptare në Sofje e në Shqipëri. Duke synuar të ruanin të paktën
privilegjet që kishin, pashallarët shqiptarë ndoqën shembullin e Hifzi Pashës së
Shkupit, hoqën dorë nga vazhdimi i luftës dhe shpejtuan të kërkonin falje duke
përfituar nga fermani i sulltanit, si edhe nga premtimet që Mehmet Reshid pasha u
kishte dërguar fshehurazi. Veziri i Madh nuk ngurroi t’i falte menjëherë.
I braktisur nga pashallarët që i kthyen forcat nëpër krahinat e tyre, Kara Fejzi Ali beu
u detyrua të largohej nga Sofja dhe në krye të 2 000 luftëtarëve u drejtua për në
Nish. Por edhe aty morali i kryengritësve kishte rënë, sepse në hyrje të qytetit qenë
vendosur forcat osmane të pashës së Vidinit. Prandaj ai mori rrugën e maleve për të
dalë në krahinat e Leskovcit. Në Nish u kap edhe i besuari i Bushatlliut, Anton
Jubani, me 250 000 groshë të tjera që i kishte dhënë princi Milosh, pas fitoreve të
21-23 prillit.
Orvatjet që Mustafa pashë Bushatlliu bëri në Shkup dhe në Prizren për të ngritur një
ushtri të re, nuk dhanë fryt. Në këto kushte ai u nis drejt Shkodrës, ku mbërriti më
17-18 maj 1831. Këtu gjeti mbështetje te përkrahësit e programit të tij, ndaj filloi
përgatitjen për t’i bërë ballë sulmit të ushtrive osmane që mund të vinte nga toka e
deti, furnizoi me armatime e rezerva ushqimore kështjellat e Shkodrës dhe të Lezhës
dhe u kërkoi edhe boshnjakëve të bashkëpunonin me të.
Ndërkaq ishin nisur nga Stambolli 5 anijet e para të flotës luftarake osmane që do të
bllokonin bregdetin shqiptar, kurse nga Sofja u hodhën drejt Shkodrës rreth 30 000
ushtarë nën komandën e Izet Pashës.
Pasi nisi këto forca kundër vezirit kryengritës të Shkodrës, Porta e Lartë më 23 maj u
komunikoi përfaqësuesve diplomatikë evropianë se kishte vendosur ndëshkimin e
Bushatlliut dhe kërkoi prej tyre që të mos e strehonin në vendet e tyre nëse do të
orvatej të arratisej. Përgatitjet e Mustafa Pashës për qëndresë përkuan me lëvizjen
kryengritëse të Iljaz Podës dhe me ndërhyrjen e një ushtrie boshnjake në Kosovë, që
korri fitore mbi forcat e Haxhi Ahmet pashës në afërsi të Prishtinës. Në muajin korrik
1831 Prishtina ra në duart e kapedan Hysen Gradashçeviçit. Të gjitha këto ngjallën
shpresa te shumica e shqiptarëve, që ishin kundër ripushtimit ushtarak të vendit nga
Veziri i Madh. Për këtë dëshmoi edhe fakti se të gjithë ushtarët shqiptarë, që ishin
mobilizuar në radhët e forcave qeveritare të Haxhi Ahmet pashës, kaluan në anën e
forcave boshnjake, duke kontribuar në fitoren e këtyre të fundit.
Mirëpo, zhvillimi i mëtejshëm i ngjarjeve solli zhgënjimin e forcave kryengritëse. Nën
trysninë e flotës luftarake osmane, që kërcënoi me bombardim qytetet bregdetare
dhe nën presionin e artilerisë së rëndë të ushtrisë osmane që mbërriti përreth
kështjellës së Lezhës, garnizoni i këtij qyteti u largua drejt Matit pa luftë. Pas kësaj u
dorëzuan edhe qytetet e Ulqinit dhe të Tivarit. Ndërkohë edhe komanda e ushtrisë
boshnjake, që e kishte njoftuar Mustafa Pashën se do t’i vinte në ndihmë për ta
nxjerrë nga rrethimi me 25 000 kalorës, nuk e mbajti fjalën.
Sipas marrëveshjes që ajo komandë kishte bërë me Dervish bej Koplikun, ushtria
boshnjake dhe forcat shqiptare të vezirit të Shkodrës do të godisnin bashkërisht
forcat osmane. Por Mehmet Reshid pasha i doli përpara këtij rreziku, duke i premtuar
kapedan Hysen Gradashçeviçit postin e vezirit të Bosnjës dhe përjashtimin e këtij
ejaleti nga sistemi i reformave centraliste. Në këto kushte feudalët kryengritës
boshnjakë hoqën dorë nga ndihma që do t’i jepnin aleatit të tyre shqiptar dhe ranë
në kurthin e Vezirit të Madh, i cili, pasi të nënshtronte lëvizjen kryengritëse në
Shqipëri, që sipas vlerësimit të sulltanit përbënte rrezikun kryesor, do të hidhej me
të gjitha forcat kundër kryengritësve boshnjakë.
Në këto rrethana Stambolli përqendroi rreth Shkodrës forca të shumta. Ushtrisë së
Izet Pashës iu shtuan edhe ajo e Gjiritzade Mehmet pashës, si dhe ato të Hysen
pashë Çermenit, që u afruan në Shkup nga Edreneja.
E bindur se qëndresa e Bushatlliut do të zgjaste, Porta e Lartë u orvat ta shuante sa
më parë kryengritjen, që mund të përhapej jo vetëm në gjithë Shqipërinë, por edhe
në Bosnjë e prej andej në tërë Rumelinë. Prandaj Stambolli, qysh në muajin korrik,
kur forcat osmane po ngushtonin gjithnjë e më shumë rrethimin e Mustafa Pashës,
bëri traktativa për marrëveshje me të. Si fillim i tyre shërbeu një letër e Hysen pashë
Çermenit, drejtuar Bushatlliut, në të cilën kërkonte të dinte shkaqet dhe qëllimet e
kryengritjes shqiptare. Mustafa Pasha, që kishte filluar të lëkundej, përfitoi nga rasti
dhe duke mbuluar shkaqet e vërteta të kryengritjes, parashtroi si shkak qëndrimin
armiqësor të Vezirit të Madh ndaj popullit shqiptar dhe ndaj tij. Kjo, shkruante ai, i
bëri shqiptarët të bashkoheshin dhe të ngriheshin në luftë për ta dëbuar atë me
forcë. Edhe bashkëpunimi shqiptaro-boshnjak, theksonte Mustafa Pasha, nuk
përfaqësonte ndonjë komplot kundër pushtetit, dhe se, krerët shqiptarë dhe ata
boshnjakë, të përfshirë në këtë bashkëpunim, i uronin sulltanit gjithë të mirat dhe
shpresonin se ai nuk do të lejonte shkatërrimin e popujve shqiptarë e boshnjakë për
interesat e një njeriu, të Vezirit të Madh. Bushatlliu theksoi kështu se ishte për
mbylljen e konfliktit në mënyrë paqësore. Por në të njëjtën kohë, tregoi se ishte
ende i fortë dhe se kishte mbështetjen e përkrahësve të vet jashtë kështjellës.
Natën e 5 gushtit 1831, 2 000 malësorë, duke bashkëpunuar me disa qindra
qytetarë, mundën të hynin në qytetin e Shkodrës. Ky veprim përbënte më tepër një
orvatje për të mbjellë farën e dezertimit në radhët e ushtrisë osmane, sesa një
përpjekje për çlirimin e të rrethuarve.
Përgjigjja që veziri kryengritës i Shkodrës i dha Hysen pashë Çermenit, lehtësoi
marrëveshjen e Stambollit me Mustafa Pashën. Edhe ky, pasi ra rrufeja më 25 gusht
në një depo municionesh, e shihte marrëveshjen si të vetmen rrugë shpëtimi. Drejt
saj po i shtynin të dyja palët edhe Fuqitë e Mëdha që i këshilluan të merreshin vesh.
Sulltan Mahmudi II nuk ngurroi t’i kumtonte Bushatlliut, me anë të Vezirit të Madh,
se po të dorëzohej, të hiqte dorë nga pushteti i tij në Shqipëri dhe të pranonte të
jetonte në Stamboll, ai do ta falte dhe do ta mbante në shërbim me nderime në
përputhje me pozitën e tij të lartë. Megjithëse mund ta vazhdonte qëndresën edhe
për disa kohë dhe t’i shkëpuste kështu Portës faljen duke ruajtur qeverisjen e vendit,
Mustafa Pasha pranoi të kapitullonte, ashtu siç kishte bërë edhe Iljaz Poda në Jug
pak kohë para tij. Më 7 nëntor ai u dorëzua në duart e kundërshtarit të tij të vjetër,
Mehmet Reshid pashës. Sipas urdhrave të sulltanit, ky e trajtoi me nderime dhe e
përcolli për në Stamboll bashkë me dy djemtë dhe me 10 shërbëtorë, duke e vënë
nën kujdesin e komandantit të gardës perandorake, Ahmet Pashës, që ishte dërguar
në Shkodër posaçërisht për këtë mision. Edhe në Stamboll Mustafa Pasha u prit me
nderime si një personalitet me rëndësi e jo si rebel dhe u strehua në një pallat të
përgatitur posaçërisht për të e familjarët e tij. Vetë sulltani e priti disa herë në
audienca të veçanta.
Me kapitullimin e Mustafa pashë Bushatlliut, ashtu siç njoftuan edhe përfaqësuesit e
shteteve evropiane, mori fund “revolta e Shqipërisë”, mori fund kryengritja e
armatosur për vetëvendosje në Shqipëri, kurse pas dorëheqjes së tij nga pushteti
krahinor i trashëguar, u shemb përfundimisht Pashallëku i Shkodrës si një formacion
shtetëror shqiptar, që kishte hyrë në rrugën e shndërrimit në një shtet shqiptar.
Dështimi i lëvizjes për vetëqeverisjen tregoi se feudalët shqiptarë, në kushtet kur në
vend mungonin edhe premisat e nevojshme ekonomike, shoqërore dhe politike për
një lëvizje të përgjithshme çlirimtare, nuk qenë në gjendje të përmbushnin detyrën
historike të bashkimit politik të popullsisë shqiptare dhe të territoreve të saj në një
njësi të vetme shtetërore dhe t’i shkëpusnin ato nga sundimi osman. Ata nuk arritën
as edhe të marrin ato të drejta vetëqeverisëse, të cilat disa nga krahinat e
Shqipërisë i gëzonin prej kohësh. Pasi shtypën lëvizjen e feudalëve shqiptarë për
vetëqeverisjen e vendit, osmanllinjtë vendosën në Shqipëri “një pushtet të dytë”,
pasi ai i mëparshmi ishte tronditur nga lufta që zgjati disa dhjetëra vjet.
Në mënyrë të veçantë, me dështimin e orvatjes që Mustafa pashë Bushatlliu bëri në
vitet 30 për të ngritur në kryengritje popujt e shtypur të Ballkanit (të Rumelisë), që
vuanin ende nën zgjedhën osmane, jo vetëm shqiptarët, por edhe këta popuj të
Ballkanit humbën një nga mundësitë që u krijua për çlirimin nga zgjedha osmane,
për të dëbuar nga Ballkani pushtuesin shekullor osman dhe për të formuar shtetet e
tyre të pavarura kombëtare.
Në Shqipëri, ashtu si në vendet e tjera të Ballkanit, detyra e çlirimit kombëtar të
popullit shqiptar i kaloi për zgjidhje epokës së re historike që çeli shek. XIX, Rilindjes
Kombëtare Shqiptare.

You might also like