You are on page 1of 6

Ballkani nga lufta në diktaturë

Burrat e fortë të Ballkanit mes dy luftërave (1918- 1939)*

Në periudhën mes dy luftërave botërore, pra në përfundim të luftës së parë më 1918 dhe deri në fillim
të luftës së dytë më 1939 Ballkani u përfshi në diktaturat monarkike pak a shumë të ngjashme në çdo
shtet por dhe me ndryshime specifike. Në këtë periudhë Ballkani u kthye në qendër të vëmendjes
botërore.Pas përfundimit të luftës së parë botërore Ballkani u kthye në një regjim autoritar ku sundonin
më të fortët dhe fill pas kësaj erdhën në fuqi regjimet diktatoriale të njerëzve të fuqishëm e të
dhunshëm që tronditën opinionin publik në mbarë botën.Veprimet e tyre dhe opinion negativ për to,
bëri që rënia e diktatorëve të Ballkanit të shihej si “fundi i një epoke të errësirës dhe fillimi i një agimi të
ri” . Këta njerëz (diktatorët), përfaqësues të periudhës midis dy luftërave botërore, kanë pasur një
impakt të thellë e afatgjatë, i cili vazhdon të ndihet edhe sot e kësaj dite edhe pse në mënyrë indirekte.

Po në ç’rrethana erdhën në pushtet këta njerëz? Si arritën këta regjime të nënshtrojnë masa të tëra
njerëzish?

Lufta e parë botërore solli shkatërrime të kushtueshme, përgjakje, frikë, panik, ankth e pasiguri. Paslufta
solli krijimin e shteteve të rinj e të mëdhenj. Klasa e vjetër konservatore, sunduese ishte shpërbërë apo
shfuqizuar duke u zëvendësuar nga një demokraci pluraliste, e drejtuar nga elementë(individë) të ardhur
në pushtet përmes votës së popullit.Gjithandej flitej për vendosjen e një demokracie, për reformën e
tokës për industrializimin dhe sigurinë kombëtare. Për gjëra që në periudhën e luftës as nuk mund t’i
ëndërroje. Por ëndrrat dhe shpresat e mëdha nuk vazhduan gjatë, shumë shpejt u thërrmuan.

Bernd Ficher shkruan në librin “Diktatorët e Ballkanit” se shkak për këtë ishte ekzistenca e problemeve
të vjetra e të reja sociale, ekonomike e politike të cilat u ndërthurën duke triumfuar mbi premtimet e
reja.Pesë shekuj sundim të Osmanëve në Ballkan kishin lënë gjurmët e tyre, por kjo “trashëgimi” nuk
ishte e njëjtë për secilin shtet pasi kjo varej nga viti i fitimit të pavarësisë në shtetet përkatëse.Shqipëria
ishte vendi i fundit në Ballkan e cila fitoi pavarësinë nga sundimi Osman me 1912. Edhe pas pavarësisë
Shqipëria ishte ende nën ndikimin e kulturës osmane, arkitekturës, religjonit strukturës sociale
ekonomike e politike. Madje edhe vende të tjera të Ballkanit që kishin fituar më herët se pavarësinë
ende kishin elementë të trashëgimisë Osmane. Por pa harruar se ndikimi osman nuk ishte krejtësisht
negativ. Kështu në periudhën pas luftës së parë botërore vendet e Ballkanit ishin një përzierje
Ballkaniko-Osmane mbi të cilën u mbivendosën edhe elementë të importuar nga politika, ekonomia dhe
shoqëria evropianoperëndimore. Duke u bërë një përzierje kulturash e ndikimesh e duke e kthyer
Ballkanin në një vend trazuar e të paqëndrueshëm. Në këtë lloj situatë Fuqitë e mëdha zgjodhën
princërit gjermanë dhe këshilltarët për të sunduar në shtetet ballkanike. Përpjekjet për vendosjen e
kulturës e mendësisë dhe qeverisjes perëndimorë rezultuan të kota, pasi ato ishin thjeshtë shartesa, pa i
kushtuar vëmendje kushteve të vendit , mbi këto vende që trashëgimia osmane ishte ngulur thellë. Lufta
e parë botërore kishte shkatërruar gjithçka fshatarësia vuante nga prodhimtaria e ulët si dhe
mbipopullimi i fshatit çuan në një situatë ngërçi dhe mungese zgjidhjeje. Si rezultat i kësaj gjendjeje u
zbatua reforma e tokës e cila synonte t’i përgjigjej nevojave të fshatarëve, por as kjo nuk mjaftoi.
Edhe pas kësaj mase prodhimi bujqësor nuk u rrit pasi kërkonte dhe mjetet e punës për të cilat
nevojiteshin para. Programet e industrializimit nuk zbatoheshin kishte një mungesë të theksuar të
kapitalit. Buxhetet e larta ushtarake e depresioni po rrënonin situatën dhe rritën borxhet kombëtare.
Mungesa e një tradite demokratike nuk po i rezistonte dot trysnive. Politika sa vinte e polarizohej më
shumë, madje degjeneronte edhe në sherre partiake duke e lënë zhvillimin e vendit të ngrirë. Në këto
kushte të fortët e Ballkanit (bij e nipër të princërve gjermanë) synonin të merrnin pushtetin si dhe
mbështetjen e plotë të ushtrisë me arsyetimin se do të mbronin popullin dhe shtetin. Kështu pjesa më e
madhe e shteteve ballkanike kaluan nga një formë e autoritarizmit në diktaturë.
Kalimi nga autoritarizmi në diktaturë pothuajse në të gjitha vendet ndoqi të njëjtin model. “Në
periudhën mes dy luftërave burrat e fortë të Ballkanit (autoritarizmi) zotëronin një autoritet të
konsiderueshëm në të gjitha strukturat tradicionale të qeverisjes, por ishin të kufizuar nga sistemi
kushtetues i cili siguronte disa forma të jetës parlamentare e politike”.
Por përgjatë viteve 1930 me rimëkëmbjen e diktaturave kushtetutat u shfuqizuan, u rishkruan duke e
përqendruar pushtetin në duart e të fortëve (diktatorëve); Partitë politike, parlamentet u shpërndanë.
Diktatorët e rinj dallonin nga njëri-tjetri për nga shkalla e ushtrimit të dhunës, si dhe për nga shkalla e
mbështetjes popullore.

Studiuesi Ronald Wintrobe, në një studim mbi diktatorët e Ballkanit, identifikon katër tipe diktatorësh.

1. Diktatorët Totalitarë, që kanë prirjen të kapin majat e besnikërisë dhe represionit.

2. Diktatorët e “Zvetënuar”, që i kanë pikët përtokë përsa i përket besnikërisë dhe represionit.

3. Diktatorët Tiranë, që i vënë të gjitha forcat të shtypja me dhunë.

4. Diktatorët Timokratë, të cilët sundojnë duke u mbështetur më fort te besnikëria sesa te


represioni.
Ky është një kategorizim, por objektivi i përbashkët i diktatorëve të Ballkanit ishte mbajtja shtetit më
këmbë duke vënë në punë të gjitha mjetet e nevojshme, edhe shtypjen me dhunë. Diktatorët e Ballkanit
po shfaqnin dukshëm shenja të fashizmit si: politikat e racizmit etnik, fjalime bombastike, përshëndetje
speciale, etj. Kjo për shkak të forcimit të pushtetit dhe pranisë së Italisë dhe Gjermanisë, por vetëm kjo
pjesë mund të krahasohej, pasi diktatorët e Ballkanit nuk zhbënë marrëdhëniet ekonomike e shoqërore,
nuk mbështetën ideologjitë që pëlqenin masat. Por rrjedha e zhvillimit të Ballkanit u vuri fre ideve të
shfrenuara të diktatorëve të cilët synonin të ktheheshin në sundues totalitar. Në këtë pjesë të botës u
vendosën diktaturat monarkikë që ishin shumë larg Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste dhe më pranë
regjimeve monarkike të shekullit të XIX.

Diktatura monarkike në Shqipëri (1924-1939)

Ndër vendet e Ballkanit që përqafuan Diktaturën Monarkike, e para ishte Shqipëria, vendi më i ri dhe më
pak i zhvilluar, në aspektin perëndimor.
Më 1912 shqiptarët shpallën pavarësinë për të shmangur copëtimin e vendit nga serbët e grekët. Ashtu
si edhe në Rumani, Bullgari e Greqi edhe në Shqipëri Fuqitë e Mëdha caktuan në krye të shtetit princin
gjerman Wilhelm Wied, i cili rezultoi një zgjedhje e gabuar (një dështim), pasi arriti të mbajë vendin
vetëm për 6 muaj (mars-shtator 1914). Pas Luftës së Parë Botërore Shqipëria u gjend e pushtuar nga 6
ushtri të huaja, kryesisht të forcave ballkanike. Pas luftës vendi qeverisej nga një Këshill Regjence që
kontrollohej nga pronarët e mëdhenj të tokave dhe kryetarët e fiseve të malësisë. Pas qeverisjes deri-
diku demokratike të kryeministrit Fan Nolit, i cili qeverisi vendin vetëm për 6 muaj erdhi në pushtet
Zogu. Pas kthimit nga Jugosllavia Zogu me mbështetjen e trupave jugosllave dhe të Rusëve të Bardhë i
financuar pjesërisht nga një kompani britanike e naftës, rrëzoi Nolin më dhjetor 1924 duke i dhënë atij
një pushtet diktatorial, një diktaturë më e butë se sa ato që do të pasonin.Por etja e tij për pushtet nuk
ndalej me kaq. Më 1928 ai e shndërroi shtetin në Monarki duke shpallur veten mbret. Kjo ishte një
periudhë stabiliteti për Shqipërinë. Por më 7 prill 1939 Zogu së bashku me të shoqen dhe djalin e tij Leka
u arratis nga vendi për ti shpëtuar legjioneve romake të Benito Musolini-t. Mbreti i shqiptarëve vdiq në
mërgim më 1961. Djali i tij “princi i shqiptarëve” Leka u kthye në Shqipëri në një përpjekje për të rikthyer
monarkinë në vend në vitin 1997, por vendi përfundoi në trazira e shkëmbime zjarri. Kështu që Leka u
arratis për të dytën herë nga Shqipëria. Në vitin 2002 ai u kthye përfundimisht në atdhe dhe organizoi të
ashtuquajturën Lëvizje për Zhvillim Kombëtar dhe rreket të jetë aktiv në politikë.

Diktatura monarkike në Serbi (Jugosllavi)

Periudha e pasluftës apo periudha e diktaturës monarkike në Jugosllavi përfaqësohet nga Aleksandër
Karagjorgjeviq-i, i cili udhëhoqi vendin në periudhën mes viteve 1920-1930. Serbia ishte një nga shtetet
që doli fitimtare nga Lufta e Parë Botërore dhe kështu u lejua që të luajë rolin e Piedemontit duke
bashkuar rreth vetes sllavët e jugut. Serbia fitoi pavarësinë në vitin 1878 nën dinastinë e Obrenoviq-ëve.
Një pjesë e mirë serbëve mbetën jashtë kufijve të shtetit të ri serb. Në vitin 1903 u organizua një grusht
shteti i përgjakshëm me anë të të cilit erdhi në pushtet Pjetri i biri i Aleksandrit të Karagjorgjeviq-ëve.

“Aleksandri e nisi karrierën e vet si simboli kuptimplotë i një kombi të ri dhe ambicioz. Ai e përjetësoi
veten në historinë e Serbisë, kur në krye të ushtrisë serbe shkoi dhe fitoi Kosovën, gjatë luftërave
ballkanike. Me vdekjen e të atit më 1921 Aleksandri “çlirimtari i Kosovës” u bë mbret i shtetit të ri të
sllavëve të jugut.

Në kohën kur shteti vuante nga probleme të shumta të ngjashme me fqinjët e tij, një tjetër problem
lindi: Ai i debatit mes Centralistëve (te përfaqësuar nga serbët) dhe a Federalistëve (të përfaqësuar nga
Kroatët). Serbët fitimtarë arritën të krijonin një shtet të centralizuar të dominuar nga Beogradi. Por
kroatët nuk mund të pranonin një gjë të tillë, kështu që Aleksandri në përpjekje për të shuar
pakënaqësitë e për të zgjidhur situatën e krijuar i dha shtetit një emër të ri “Jugosllavi” duke vendosur
kështu diktaturën monarkike.

Diktatura monarkike në Rumani

Rumania ishte gjithashtu një nga shtetet fituese të Luftës së Parë Botërore gjë e cila u shpërblye më së
miri në Konferencën e Paqes në Paris, sepse u bashkua me Aleatët. Në vitin 1878 Rumania shpalli
pavarësinë, por shumica e mirë e rumunëve mbeti jashtë shtetit të ri, veçanërisht ata të Transilvanisë.
Pas shpërblimit nga Konferenca e Parisit, mori Transilvaninë, Bukovinën, një pjesë të Banatit nga Austro-
Hungaria dhe Besarabinë nga Rusia. Kështu Rumania dyfishoi sipërfaqen dhe numrin e popullsisë, duke
përfituar troje të gjera e të pasura, toka bujqësore, zona industriale, burime natyrore, etj.Por politikanët
e këtij vendi pas periudhës së luftës dështuan në qeverisjen e tyre pasi nuk arritën të kuptonin se në
duart e tyre ishte një shtet krejtësisht i ri me një numër i madh minoritetesh dhe jo Rumania e vjetër.
Mbreti Ferdinandi I i derës së Hohenzollern-Sigmaringen, përshtati një kushtetutë tejet dritëshkurtër siç
ishte edhe vetë monarku. Kjo kushtetutë nxiti përpjekjet e nacionaliste, politike dhe ekonomike në
periudhën mes dy luftërave. Në vitin 1927 mbreti si dhe arkitekti i kësaj kushtetute, Ion Bratianu, vdiqën
dhe vëmendja u përqendrua te i biri i Ferdinandit, Carol-i i II si i vetmi që mund ta shpëtonte Rumaninë.

“Por Carol-i ishte një zgjedhje e pafat. Veprimet që ai ndërmori e bënë diktator, madje e damkosën
keqazi”.
Historia tregoi se ai ishte një njeri mendjelehtë dhe qejfli, i cili e kalonte pjesën më të madhe të kohës
me të dashurën e vet Madam Lupescu-n, dhe i dhënë pas makinave e gjuetisë. Ai shpërdoroi
popullaritetin e tij, benefitet që Rumania fitoi nga Traktati i Paqes në Paris më 1919. Pas arratisjes së tij
ai u zëvendësua nga i biri Mihai. Por edhe ky i fundit nuk e pati shumë të gjatë, pasi i shtyrë nga
komunistët në vitin 1947 u detyrua të abdikonte nga froni. Ai u kthye në vend pas rënies së komunizmit
njësoj si Leka i Shqipërisë, duke mbetur një ambasador aktiv dhe elokuent i Rumanisë.

Diktatura monarkike në Bullgari

Bullgaria ishte i vetmi vend i Ballkanit që në Luftën e Parë Botërore ishte rreshtuar me palën humbëse.
Traktati i Neuilly-së e detyroi Bullgarinë të nxirrte duarsh një pjesë të thesarit dhe të territoreve. Ku ndër
më e rënda ishte humbja e Trakës dhe daljes në detin Egje. Mbreti Ferdinand I nga dera e Saxe-
Coburgëve me ambiciet e tij të pakontrollueshme e kishte futur Bullgarinë në dy luftëra shkatërruese
brenda dy vjetëve. Për këtë ai u shty të abdikonte.Në periudhën mes dy luftërave botërore Bullgaria u
pasua nga ngjarje të stuhishme dhe kështu u bë vendi i parë në Ballkan ku u vendos regjimi radikal agrar
dhe e para që përjetoi një grusht shteti të përgjakshëm ku pasoi me vrasjen makabre dhe gjymtimin e
kryeministrit.Për vite të tëra pati një represion, terrorizëm dhe nacionalizëm radikal. Kështu Borisi i III në
vitin 1919 zëvendësoi të atin Ferdinandin. Ai u përball me sfidën e tij të parë, atë të shpëtimit të fronit
nga kryeministri agrar Aleksandër Stambulinski, republikan i përbetuar.

“Borisi i mërzitshëm, shkarkoi Stambulinski-n dhe përmes intrigave, pas një tjetër grusht shteti ai krijoi
një gjysmë-diktaturë”. Ai vdiq në mënyrë misterioze në vitin 1943 misteri i cili nuk është zbuluar edhe
sot. Vendin e tij e zuri i biri Simeoni. Por ashtu si Mihai në Rumani komunistët e detyruan (shtrënguan)
të abdikonte nga froni. Ai u kthye në Bullgari në vitin 2001 ku pati një karrierë të suksesshme politike si
kryeministër i vendit nga 2001 – 2005.

Turqia dhe diktatura e Ataturkut

Edhe pse Turqia “fizikisht” nuk është pjesë e Ballkanit, por periudha mes dy luftërave botërore pati
ngjashmëri me vendet e tjera të gadishullit. Mustafa Qemal Ataturku i shkon për shtat modelit të njeriut
të fortë të Ballkanit si në dukje ashtu edhe në përmbajtje.Ataturku i lindur në Ballkan bëri emër po në
këto vise gjatë luftës së parë botërore. Kur erdhi në pushtet ai u bashkua me Antantën Ballkanike me
1931. Për rrjedhojë u përfshi dhe u ballafaqua me shumë probleme që pllakosën bashkëkohësit e tij
ballkanikë.

“Objektivi i tij ishte më shumë se modernizimi, ai shpresonte të mbërrinte në modernitet. Disa prej
burrave të fortë të Ballkanit në periudhën mes dy luftërave i kufizonin reformat e tyre për modernizimin
thjeshtë duke përshtatur modernizimin dhe teknologjinë perëndimore.Ataturku kërkonte ndryshime sa
më të gjera dhe më të thella duke shpresuar të institucionalizonte modernitetin- pranimin e idealeve
perëndimore”. Përpjekja e Ataturkut për reformën zgjedhore ishte një dështim i plotë, e cila konsistonte
në heqjen dorë nga shkrimi Osman Arabo-Persian duke favorizuar alfabetin latin. Por kjo shndërroi
mbarë vendin në analfabetizëm.

Në suazën e ndryshimeve (reformave) të tij lindën 6 parimet e Qemalizmit:

1. Shekullarizmi

2. Nacionalizmi

3. Stalinizmi

4. Reformizmi

5. Populizmi

6. Republikanizmi

Pavarësisht të gjithave, personazhi i Qemal Ataturkut dhe roli i tij ushtarak e burrë shteti, pranohen dhe
festohen pothuajse çdo vit. Ndërkohë që portretet e burrave te tjerë të fortë të periudhës së midis dy
luftërave janë zhdukur pa lënë gjurmë prej kohësh. Edhe sot në Turqinë e shekullit 21, imazhi i
Ataturkut, shtatoret, portretet por edhe ndikimi i tij janë ende të prekshëm.

Diktatura në Greqi

Hedhja e Greqisë në Luftën e Parë botërore ishte më traumatike se çdo vend tjetër i Ballkanit. Pasi vendi
u përça në dy grupime (blloqe). Blloku i prirë nga kryeministri Eleftheros Venozelos – që shpresonin të
hidheshin në krahun e Aleatëve dhe Blloku që prihej nga mbreti progjerman Kastantin- që favorizonte
Fuqitë Qendrore.Por në përfundim të luftës Greqia u gjend e rreshtuar në krah të fitimtarëve pasi
Venizelosi i mbështetur nga flota britanike në Mesdhe e fitoi sfidën. Greqia në ndjekje të “idesë së
madhe” mori përsipër një barrë shumë të rëndë, duke u përpjekur të përfitonte një pjesë të mirë të
territoreve të gadishullit të Anadollit në kurriz të Turqisë së mundur dhe të perandorisë osmane në
shpërbërje e sipër.
Por në këtë kohë politika greke degjeneroi në grindje mes Republikanëve dhe Rujalistëve të cilët u futën
në një “luftë” për patronazh e cila fitohet nga Rujalistët me në krye gjeneralin Joanis Metaksa.Me të
ardhur në pushtet ai shpërbeu institucionet liberale të Greqisë parlamentare, me justifikimin se po
shpëtonte një komb nga rreziku që i kanosej dhe për ndërtimin e “Qytetërimit të Tretë Helenik” i cili
vinte në gjurmët e dy të parëve.Metaksai i vetëquajturi “fashist i moderuar” krijoi një shtet totalitar me
bazë punëtorët e bujqit, antikomunist, antiparlamentar dhe antipluralist.Në shumë aspekte kishim të
bënim me një diktaturë të ndërsjellë me mbretin i cili mbante një profil të ulët. Metaksai vdiq në prag të
Luftës së Dytë Botërore.

Diktatura e tmerrit në Kroaci

Disa nga nacionalistët radikalë kroatë u larguan nga Jugosllavia pas vendosjes së diktaturës monarkike
nga mbreti Aleksandër më 1929, me qëllim vazhdimin e luftës për pavarësi jashtë vendit.

Me i dalluari ndër ta ishte Pavelic i cili krijoi organizatën e ustashëve (kryengritësve) që shpalli se ishte
antiserbe dhe antijugosllave. Me ndihmën financiare e strehën e ofruar nga Musollini ai e shndërroi
grupin e vet në një organizatë të dhunshme terroriste duke kryer vrasje politike madje edhe vetë
mbretin Aleksandër më 1934. Kur Gjermania shpartalloi Jugosllavinë më 1941 Pavelic realizoi ëndrrën e
tij , krijoi shtetin e pavarur kroat që shtrinte kontrollin e vet mbi Bosnje-Hercegovine.

Pavelic erdhi në pushtet si rezultati i dështimit politik e ekonomik të Jugosllavisë së parë, invazionit të
Ballkanit nga trupat e Aksit dhe ideologjisë së fashizmit. Ai ndërtoi një regjim kokë e këmbë fashist.

Lëvizja e tij dhe shteti gjysmë i pavarur kroat krijuan një parti masive dhe ngritën mbretërinë e tmerrit
kundër serbëve dhe hebrenjve.

You might also like