You are on page 1of 3

Shpërbërja e socializmit në vendet e

Europës Lindore

Megjithëse ka kaluar më shumë se një çerek shekulli nga përmbysja e sistemit socialist në Europë,
studiues të fushave të ndryshme vazhdojnë t’i kushtojnë analiza e studime nga më të ndryshmet
problemeve të socializmit, që nga lindja e deri tek përmbysja e tij në Europë, shkaqet e përmbysjes,
rrugët e mënyrat që u përdorën etj.

Socializmi si rend shoqëror u vendos për herë të parë në vitin 1917 në Rusi, nëpërmjet Revolucionit
Socialist të Tetorit. Janë shprehur mendime të ndryshme mbi arsyet, rrugët dhe mënyrat e vendosjes së
sistemit socialist në vende të ndryshme të Europës. Disa studiues shkruajnë se ky sistem u instalua në
ato vende që u çliruan nga Ushtria e Kuqe, tezë që qëndron, por jo krejtësisht sepse kishte edhe vende si
Austria apo Finlanda, ku u fut Ushtria e Kuqe, por që nuk u bënë socialiste, ashtu siç kishte vende si
Shqipëria apo Jugosllavia që e zgjodhën vetë këtë sistem, pa “ndihmën” e Ushtrisë së Kuqe.

Ka autorë që mbështesin tezën se sistemi socialist u vendos në saj të Luftës që bënë popujt e disa
vendeve kundër pushtuesve nazifashistë, ku në krye ishin komunistët dhe përmendin Shqipërinë,
Jugosllavinë apo vende si Polonia, ku lufta e polakëve, pa dallime partiake, kundër pushtuesve ishte mjaft
e ashpër, por çlirimi u arrit në saj të Ushtrisë së Kuqe. Kësaj teze i bie ndesh shembulli i Greqisë, ku,
megjithëse Lufta antifashiste e udhëhequr nga komunistët ishte shumë e fuqishme, ajo përsëri mbeti  
ashtu siç ishte para lufte.

Pavarësisht nga mendime e teza që mbrohen nga autorë të ndryshëm, do të shtoja se krahas këtyre,
ekziston një e vërtetë e madhe, se për vendosjen e sistemit socialist në vendet europiane vendosën Tre
të Mëdhenjtë (Ruzvelti, Stalini e Çërcilli) në Konferencat e takimet e tyre, ku caktuan kufijtë e Europës e
më gjerë, të botës dhe ndanë zonat e influencës. Shumë domethënëse ka qenë marrëveshja midis
Stalinit e Çërçillit në Moskë, në tetor të vitit 1944, ku ata ndanë Ballkanin, duke caktuar edhe influencat në
përqindje që ata (BS, Anglia dhe ShBA) do të kishin mbas lufte, që praktikisht do të thoshte përcaktimi që
atëherë i sistemeve politike për këto vende. Shembulli më i qartë janë Hungaria, Rumania dhe Bullgaria,
që mbetën aleate të Gjermanisë naziste pothuajse deri në përfundim të Luftës dhe ku, rezistenca e
armatosur ndaj nazifashizmit ka qenë relativisht e vogël, por që Treshja e Madhe kishte vendosur që ato
do të mbeteshin nën influencën sovjetike. Edhe më kuptimplotë është shembulli i Greqisë, ku u desh
ndërhyrja ushtarake e anglezëve për të vënë në jetë marrëveshjen e arritur në Moskë….

Një fakt tepër interesant që dua të vë në dukje është se të gjithë vendet dhe popujt sllavë pa përjashtim, u
futën në rrugën e socializmit. Në kuadrin e pansllavizmit, me kohë ishte hedhur ideja e krijimit të një
Federate Socialiste të përbërë nga popuj sllavë, ide që nxirrte krye herë pas here. Me afrimin e Luftës së
Dytë Botërore e veçanërisht kur fatet e saj ishin vendosur, në Kremlin përpunoheshin lloj-lloj variantesh
për ndërtimin e botës së mbas luftës. Sipas llogarive të Moskës në të gjitha vendet sllave duhej të
krijoheshin qeveri të orientimit socialist, gjë që ajo e arriti, pavarësisht nga format e përdorura, ku një
ndihmë të madhe dhanë Rusvelti dhe Çërçilli. Kështu rusët, ukrainasit dhe bjellorusët, në kuadrin e
Bashkimit Sovjetik i ishin futur kësaj rruge me kohë, ndërsa polakët, çekosllovakët (çekët e sllovakët),
bullgarët, si dhe sllavët e Jugut, në përbërje të Jugosllavisë (serbët, kroatët, sllovenët, boshnjakët,
malazezët, maqedonasit) u futën mbas Luftës Dytë Botërore.

Megjithatë, vendosja e sistemit socialist në vendet e Azisë (Kinë, Vietnam, Kore) dhe në Kubë nuk flet në
favor të këtyre tezave. Sistemi socialist u vendos në saj të Luftës Çlirimtare dhe Revolucioneve Socialiste
që u bënë në këto vende. Pavarësisht nga mënyrat dhe rrugët e ndryshme që sollën instalimin e këtij
sistemi, në fund të viteve ’80 të shekullit të kaluar, sistemi socialist ishte vendosur në 15 vende të botës
dhe ishte shtrirë në 26.2 për qind të sipërfaqes së globit tokësor, ku jetonte 32.2 për qind e popullsisë së
botës.

Pa pretenduar për një studim të thelluar, do të përpiqem të jap disa tablo e mendime për përmbysjen e
sistemit socialist në vendet e bllokut sovjetik në Europë dhe, si u arrit, që në mënyrë paqësore, pa gjak e
dhunë ( me përjashtim të Rumanisë) të përmbysej ai rend që për shumëkënd dukej i përjetshëm, mënyrat
dhe rrugët që u ndoqën në këto vende, rolin e faktorit të brendshëm e të jashtëm.

Në vitet 1944-1945 vendet e Europës Jug-Lindore u çliruan nga nazifashizmi dhe para popujve të këtyre
vendeve u krijuan mundësi për zhvillim demokratik. Duhet vënë në dukje se për nga niveli i zhvillimit
ekonomik, social dhe kulturor, me përjashtim të Çekosllovakisë dhe Gjermanisë Lindore, këto vende nuk
bënin pjesë në vendet e zhvilluara të Europës Perëndimore. Hungaria dhe Polonia konsideroheshin si
gjysmë të zhvilluara, ndërsa Rumania dhe Bullgaria vlerësoheshin si të prapambetura. Për kujtesë, tre
nga këto vende Hungaria, Rumania dhe Bullgaria, si ish aleatë të Gjermanisë Naziste, trajtoheshin si
vende të mundura, ndaj të cilëve, Aleatët vendosën sanksione e reparacione dhe, menjëherë mbas lufte,
u vendos që deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Paqes, ato të administroheshin nga Komisione
Ndërkombëtare ose siç quheshin atëherë, nga Komisionet e Kontrollit.

Përvoja e krijuar gjatë Luftës për krijimin e unitetit midis partive dhe shtresave të ndryshme të popullsisë
nëpërmjet krijimit të Fronteve Popullore apo Fronteve Kombëtare, për t’ju kundërvënë nazifashizmit, u vu
në jetë menjëherë mbas lufte nëpërmjet krijimit të Qeverive të Koalicionit, ku nuk kryesonin komunistët
(Çekosllovaki, Bullgari, Rumani). Në këto qeveri, krahas komunistëve kishte përfaqësues nga Partitë
Social-Demokrate, Partitë Fshatare, përfaqësuesit e borgjezisë së vogël, të emigracionit etj. Në to nuk u
pranuan shumica e partive të djathta, si dhe ajo pjesë e borgjezisë, inteligjencies apo nëpunësve që e
kishin komprometuar veten si bashkëpunëtorë të nazifashizmit.
Menjëherë mbas lufte, qeveritë e këtyre vendeve filluan punën për demokratizimin e jetës së brendshme.
U ndalua veprimtaria e partive dhe organizatave fashiste, u rivendosën parlamentet, u hartuan kushtetuta
demokratike, u krijuan organe vetëqeverisëse etj. Në ato vende ku sistemi ishte monarkik (Bullgari,
Rumani), monarkitë u eliminuan.

Por raporti i forcave politike të krijuara menjëherë mbas lufte nuk u ruajt gjatë. Në fund të viteve 1945-
1946 në zgjedhjet e para të organizuara mbas lufte, komunistët fituan shumicën në parlamente dhe u
ngarkuan për kryesimin e qeverive të koalicionit. (Partitë Komuniste ishin forcuar shumë, si nga numri i
anëtarëve ashtu dhe autoriteti që kishin fituar në luftën kundër nazifashizmit). Në vitin 1945 në Hungari
Partia Komuniste numëronte 500 mijë anëtarë, në Çekosllovaki në 1948 Partia Komuniste numëronte 1.5
milionë anëtarë, ndërsa po këtë vit, në Rumani kishte 1 milionë komunistë). Këto qeveri, në programet e
tyre nuk kishin kërkesa për zhdukjen e kapitalizmit (të pronës private, borgjezisë si klasë etj.) por
parashikonin kryerjen e reformave të thella social-ekonomike, si konfiskimi i pasurisë së
bashkëpunëtorëve të nazifashizmit, krijimi i sektorit shtetëror, eliminimi i pronarëve të mëdhenj të tokave
në fshat dhe kryerja e reformës agrare etj.

Rëndësi të jashtëzakonshme për këto vende pati reforma agrare e cila ngushtoi shumë marrëdhëniet
kapitaliste në fshat, reformë që u krye sipas parimit “toka i takon atij që e punon”. Në këtë kuadër u morën
dhe u shtetëzuan tokat e pronarëve gjermanë si dhe gjermanëve të dëbuar (vëmë në dukje se sipas
vendimit të Treshes së Madhe, nga Polonia, Çekosllovakia, Bashkimi Sovjetik dhe vendet tjera u dëbuan
drejt Gjermanisë rreth 10-12 milionë gjermanë që jetonin në këto vende dhe që konsideroheshin kolonë,
apo të vendosur gjatë sundimit nazist) si dhe të bashkëpunëtorëve të nazifashizmit. Sipas ligjeve të asaj
kohe, u vendosën kufij për tokën e dhënë nga reforma agrare ose të trashëguar (nga 20 ha në Bullgari
deri në 100 ha në Poloni). Me ligj u përcaktua që pronarët e rinj të tokave nuk kishin të drejtë për shit-
blerjen e tokës. Krahas këtyre masave filloi gradualisht dhe kolektivizimi në fshat.

Në këtë periudhë u krijua sektori shtetëror i ekonomisë, fillimisht nga shtetëzimi i pasurisë që i përkiste
kapitalit gjerman dhe asaj pjese të pasurisë së borgjezisë që kishte bashkëpunuar me nazifashizmin, e
më vonë, vazhdoi me shtetëzimin e kapitalit të madh e të mesëm vendas (ndërmarrje industriale, banka,
transport, mjete ndërlidhje etj.). Reformat e ndërmarra në fushën politike, ekonomike, sociale etj., çuan në
krijimin e një organizimi të ri shoqëror që u quajt “Sistemi i Demokracisë Popullore”, karakteristikat
kryesore të të cilit ishin: sistemi shumë partiak, ku rolin kryesor e kishin komunistët, krijimi i sektorit
shtetëror, duke ruajtur ekonominë private dhe kooperativiste, likuidimi i klasës së shfrytëzuesve, dobësimi
i pozitave ekonomike të borgjezisë së madhe dhe rritja e rolit të klasës punëtore

You might also like