You are on page 1of 6

Parashqevi Qiriazi

Parashqevi Qiriazi

Parashqevi Qiriazi

Lindi më 1880

Vendlindja Manastir, Perandoria Osmane

Vdiq më 1970 (90 Vjeç)

Vendvdekja Tiranë, Shqipëria

Kombësia Shqiptare

Profesioni Mësuese

Parashqevi Qiriazi (2 qershor 1880–1970), Mësuese e Popullit, master i edukimit,


pedagoge, intelektuale e shquar, veprimtare e arsimimit të femrës shqiptare, pjesëmarrëse
e Kongresit të Manastirit, autorja e abetares së pare shqipe me alfabetin e Manastirit dhe e
himnit të tij, e para femër shqiptare autore e një projekti arsimor.
Biografia
Parashqevi Qiriazi u lind më 2 qershor të vitit 1880 në Manastir (sot Republika e Maqedonisë së
Veriut). Ishte fëmija i dhjetë dhe më i vogli i çiftit Maria dhe Dhimitër Qiriazi, (Tashko,
Konstandin, Gjerasim, Gjergj, Naum, Kristo, Pandeli, Fankë, Sevasti dhe Parashqevi). Shkollën
fillore dhe shkollën e mesme i kreu në qytetin e saj të lindjes në Manastir.

Parashqevi Qiriazi studente në Stamboll


Në vitin 1900 i fillon studimet në Kolegjin Amerikan për Vajza në Stamboll (Anglisht: American
College for Girls) institucion ky i cili vepronte në kuadër të të ashtuquajturit Robert College, në
degën e letërsisë ku në vitin e fundit të studimeve ishte edhe presidente e organizatës
studentore. Pas diplomimit në Kolegjin Amerikan për Vajza në Stamboll, në vitin 1904, filloi
punën si mësuese dhe më vonë drejtuese në Shkollën Shqipe të Vashave në Korçë.
Në vitin 1908 së bashku me Filomena Bonati dhe Fineas Kenedi morri pjesë në Kongresin e
Alfabetit në Manastir. Me këtë rast ajo përpiloi dhe publikoi “Himnin e alfabetit kombëtar,” himn
ky i cili vazhdon të këndohet edhe sot e kësaj dite.[5] Më 16 janar 1909, Parashqevi Qiriazi ishte
njëra ndër themelueset e shoqërisë së parë të grave shqiptare “Yll`i Mëngjesit“ me seli
në Korçë. Po në këtë vit, me shkronjat e alfabetit të ri, hartoi dhe botoi në Manastir, në
shtypshkronjën “Bashkimi i Kombit,” tekstin “Abetare – për shkollat e para,” dhe me këtë hyri në
historinë e arsimit dhe të shkollës shqipe si femra e pare shqiptare autore e një abetareje, e
gjithashtu edhe si teksti i pare i hartuar me alfabetin e ri. Ky tekst do të ribotohet edhe në vitin
1911, në shtypshkronjën “Bashkimi i Kombit” në Manastir.
Në vitin 1912, Parashqevi Qiriazi, do të regjistrohet në studimet postdiplomike master në
Fakultetin e Pedagogjisë (Edukimit) të Kolegjit të Oberlinit në Ohio, Shtetet e Bashkuara. Në
qershor të vitit 1913 në Universitetin e Oberlinit përfundoi me sukses studimet master ku edhe
mbrojti temën me titull: “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit
në Shqipëri.” Me këtë mori thirrjen akademike, M.A. master i edukimit (master of education).
Ndërkohë, ajo në SHBA hartoi edhe programin arsimor të Qeverisë së Përkohshme të Ismail
Qemalit. Po në këtë vit shkroi dhe botoi në Çikago veprën “Shkolla e vashave – Korçë“ (The
School for Girl – Kortcha, Albania) e cila u ribotua në formën elektronike vetëm në vitin 2014
nga ana e “Institutit të Studimeve Shqiptare dhe Protestante” me parathënie nga Dana Stucky
dhe nën redaktimin e Teuta Toskës.
Për shkak të fillimit të Luftës së Parë Botërore, në vitin 1914, detyrohet të largohet
nga Shqipëria. Kah fundi i vitit mori pjesë ne formimin e Organizatës “Lidhja Kombëtare” në
Sofje ku u zgjodh sekretare e saj. Një vit më vonë mori pjesë në formimin e “Partia Politike –
Partia Kombëtare Shqiptare.” Më 15 mars 1915 revista amerikane “The Oberlin Review“ në
artikullin “The Oberlin Missionaries are safe in Sophia, Bulgaria“ (Misionarët e Oberlinit janë të
sigurt në Sofie, Bullgari) rikujton mes tjerash se Parashqevi Qiriazi ka marrë gradën akademike
A.M. në vitin 1913 (Latin: Artium Magister, English: Master of Arts).
Në periudhën 1917–1920, Parashqevi Qiriazi qëndroi në SHBA. Atje në qytetin Boston nxori
dhe redaktoi revistën “Yll`i Mëngjesit.” Në këtë revistë ajo kishte edhe rubrikën e saj me titull,
“Fleta e editorit“ ku botoi një varg punimesh në lidhje me arsimin dhe edukatën.
Në vitin 1919, Parashqevi Qiriazi mori pjesë si delegate në Konferencën e Paqes në Paris si
përfaqësuese e delegacionit shqiptaro-amerikan dhe si e vetmja delegate femër nga të gjitha
vendet e asaj Konference.
Më datën 13 janar 1922 revista amerikane “The Oberlin Review“ duke njoftuar për emërimin
e Kristo Dakos në zyrën e Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, më 7 dhjetor 1921, mes tjerash
rikujton, se Parashqevi Qiriazi ka marrë gradën akademike master në vitin 1913 në
departamentin e edukimit të Universitetit të Oberlinit. Po në këtë vit Parashqevia kthehet
nga Shtetet e Bashkuara, emërohet drejtoreshë e Shkollës Shqipe të Vashave të Korçës, dhe
shkolla në fjalë dislokohet nga Korça në Tiranë. Më 2 korrik 1931 Instituti Qiriazi (Kyrias) dhe të
dy motrat: Parashqevia dhe Sevastia dekorohen me “Urdhrin e Skënderbeut, ndërsa në vitin
1933 Instituti Arsimor Qiriazi (Kyrias) mbyllet.
Më 15 tetor 1943 Sevastia dhe Parashqevia, së bashku me anëtarët tjerë të familjes, arrestohen
nga forcat nazifashiste dhe dërgohen në Kampin e Përqëndrimit të Banjicës në Dedinje
afër Beogradit në Serbi. Në tetor të këtij viti, të internuarit në Kampin e Përqëndrimit të Banjicës
në Dedinje afër Beogradit lirohen dhe pas peripecive të shumta Parashqevia arrin në Shqipëri.
Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore ndërtesa e Institutit Qiriazi shtetëzohet pa asnjë
shpërblim ndërsa vetëm në vitin 1960 motrat Qiriazi u dekoruan me “Urdhërin e Lirisë” ndërsa
në vitin 1962 u dekoruan me “Urdhërin për veprimtari patriotike.”
Parashqevi Qiriazi vdiq në Tiranë në vitin 1970 ndërsa më 1987 dekorohet “Post Mortem” me
titullin “Mësuese e Popullit“.
Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke
Në pjesën e pare, autorja fillimisht ofron të dhëna themelore për gjendjen e përgjithshme
në Perandorinë Osmane. Pas kësaj ajo jep një historik të shkurtër të zhvillimit të shkollave dhe
arsimit në Perandorinë në fjale. Flet për llojet e shkollave në atë vend, siq ishin: Shkollat e
mëhallëve, shkollat ryzhdije si dhe shkollat e xhamive. Përveç këtyre ajo përmend edhe shkollat
e veçanta të qeverisë si: Akademia Ushtarake, Akademia Detare, Shkolla e Artilerisë, Shkolla
Normale si dhe Shkolla e Mjekësisë, e ku secila prej tyre ka nga një shkollë të veçantë
përgatitore ose idadije. Thekson se mësimet në Shkollën e Mjekësisë prej 40 vjetësh jepën në
gjuhën frenge.
Më tutje shton se në vitin 1869 u hartua edhe një ligj për shkolla i cili mes tjerave përmban edhe
këto dispozita:

1. Çdo fshat apo mëhallë duhet të ketë të paktën një shkollë fillore. Në qytetet me mbi 500
shtëpi duhet të ketë shkolla fillore të një shkalle më të lartë.
2. Çdo qytet me më shumë së 1000 shtëpi duhet të ketë një shkollë përgatitore dhe qyteti
qendër vilajeti duhet të ketë një lice.
3. Në Stamboll duhet të ngritet Universiteti Perandorak dhe Këshilli i Lartë i Arsimit.
E meta e këtij ligji, sipas Parashqevi Qiriazit, është se shumë dispozita të tij kurrë nuk janë
zbatuar. Nuk janë çelur shkolla fillore, përgatitore dhe licera të reja. Në asnjë vend tjetër
të Europës – shton më tutje Parashqevia – kombësitë dhe fetë nuk kanë ruajtur tiparet e tyre
dalluese më shumë se sa në Turqi. Me këtë rast ajo bënë krahasimin me Perandorinë Austro –
Hungareze si dhe me Perandorinë Ruse. Pastaj ndalet më gjërësishtë për shkollat greke,
bullgare, serbe, pastaj shkollat rumune dhe vllahe. Në vazhdim ajo flet edhe për lashtësinë e
popullit shqiptar, për studimet e Dr. Hahnit, për propagandat e huaja, sidomos për propagandën
greke e cila shtrihet deri në Elbasan dhe qëllimet e saj helenizuese, propaganda bullgare, sipas
saj, shtrihet deri në Korçë, ajo austriake në Shqipërinë e Veriut, propaganda italiane, serbe etj.
Në një rast ajo mes tjerash thot: “Ndërsa ne na u ndalua arsimi në gjuhën amtare, fqinjët tanë
grekë, bullgarë dhe serbë, si dhe rumunët, austriakët dhe italianët kishin liri të plotë të vinin në
vendin tone dhe të çelnin shkolla të tyre për të na shkombëtarizuar, të na bënin grekë, rumunë
apo sllavë.“ Më tutje përmend Shoqërinë Arsimore të Stambollit dhe kontributin e saj, Sami
Frashërin, Shkollën e Parë Shqipe të vitit 1887 në Korçë si dhe Shkollën e Vajzave të vitit 1891.
Duke folur për Kushtetutën e vitit 1908 ajo mes tjerave shton: “Shqiptarët … në më pak se një
vit hapen 24 shkolla nate me 1753 nxënës, 34 shkolla dite me 1850 nxënës si dhe një Shkollë
Normale me 145 nxënës dhe 14 mësimdhënës. Këto shkolla mbështetëshin nga 66 Klube
Kombëtare, që kishin 10.000 antarë, në krye të të cilëve ishte Këshilli Kombëtar i Arsimit, i
themeluar nga Kongresi Kombëtar i Elbasanit në vitin 1909 … Njëkohësishtë shqiptarët hapen 4
shtypshkronja, vunë në qarkullim 17 gazeta, gjithashtu themeluan një shoqëri grash, 10 letrare
dhe 4 muzikore”

Një sistem ideal i arsimit për Shqipëri


Për të projektuar një sistem arsimor për Shqipërinë, Parashqevia thekson se, duhet të merren
parasysh dy çështje themelore:

 A. Tradita arsimore, edukative dhe kulturore e vendit apo siq thot ajo “Vështrimi i popullit,
zakoneve dhe veçanërisht karakteristikat e tij.” Në këtë kuadër ajo përfshinë këto
karakteristika kryesore:

1. indipendenca e Shqipërisë;
2. qëndrimi i shqiptarëve;
3. ndjenja e forte për nder;
4. ndjenja për poezi (art – nënvizimi ynë).

 B. Nevojat e vendit:

1. organizimi i një sistemi arësimtar kombëtar;


2. organizimi duhet të bëhet ashtu që të munt t`e ngrerë popullin nga padija, edhe ta
ndritonjë që të muntnjë të çquajnjë interest e tija të vërteta;
3. bashkimi i popullit dhe ndalimi i propagandavet te huaja;
4. pasi të hynjë qytetërimi i sotmë, duhet të përdoret çdo mënyrë për të mprojtur morallin
që ka pasur gjithëmonë Shqipëria;
5. prishja e sistemit feudall, dyke ju dhënë të drejta edhe raste të barabarta gjithë popullit,
nga çdo kllasë edhe dyke ju dorëzuar parimet edhe ideallet të demokracisë;
6. të ruhen industrit`e sotme të vendit.
Me tutje ajo thekson: “Që të munt të korim pemë të mira më një kohë të shkurtër, më duket, se
lipset të kemi një sistem administrative qendral, në disa pika, posi ai i Gjermanisë”. Parashqevia
parasheh që “Çdo qytet të ketë shkolla elementare dhe të dyta, në kryeqytet të themelohet një
universitet. Nëpër fshatërat të hapet vetëm shkollë elementare, edhe në katundet sipas
nevojës”. Pastaj “Çdo qytet me gjithe krahinë, të ketë një pleqësi, përgjegjëse përpara Ministrit
të Arsimit. Një nga antarët e kësaj pleqësije të jetë inspektor. Inspektori lipset të ketë stërvitje të
vacantë për punë të tij. ”Ajo citon Stochtonin të ketë thenë: ”Një njeri që nuku ka stërvitje në
qëllimet e vërteta të arësimit kurrë nuku bën të emërohet inspektor.”Më tutje ajo vazhdon: ”Një
njeri që të jetë i zoti për këtë vent, lipset të ketë dije të gjërë në biollogji, soçiollogji, psikollogji,
edhe pedagogji; përveq kësaj duhet të jetë i zoti të përdornjë gjykim për të radhiturit e kurseve
të mësimit”. Sipas Parashqevi Qiriazit, detyrat e Pleqësisë së Arsimit janë këto:

 1. të ketë nënë vështrim qëllimin e veçantë të çdo institute;


 2. të zbatonjë më të mirat masa për të harirë këto qëllime;
 3. të radhitnjë programin të çdo institute;
 4. të çquanjë, sa t`e dojë nevoja, detyrat e çdo mësonjësi;
 5. të zgjedhë librat që duhet të përdoren;
 6. të radhitnë kursin e mësimevet;
 7. të ndanjë pagën e mësonjësvet;
 8. të kujdeset që çdo institut të ketë tërë gjërat e nevojshme.
Inspektori do të jetë përgjegjës më shumë për punën administrative dhe do të dorëzonjë
mësonjës. Pastaj parasheh edhe një minister të Arsimit si kryetar i një komisioni arësimtar,
përgjegjës përpara Parlamentit.
Sistemi arsimor
Sistemi ideal i arsimit sipas Parashqevi Qiriazit duhet të përfshijë:

1. kopshtet e fëmijëve (Kindergarten ose Montessori);


2. shkolla elementare (fillore);
3. shkollat e dyta (të mesme);
4. arsimi i lartë (universiteti);
5. shkolla normale;
6. shkolla speciale (për personat me aftësi të kufizuara).
Edukimi, arsimimi dhe emancipimi i femrës
Në studimin e saj, Parashqevia, edhe në pjesën e parë por edhe në të dytën, flet për edukimin,
arsimimin dhe emancipimin e femrës në përgjithësi ashtu si edhe të femrës shqiptare të asaj
kohe, në veçanti. Kështu duke folur për zhvillimin historik të shkollave në Perandorinë Osmane,
ajo përmend shkollat e jezuitëve francezë në Stamboll të hapura rreth 350 vjet më pare e të cilat
u pasuan edhe nga Murgeshat e Mirëbërësisë. Më tutje, duke folur për shkollat greke, mes
tjerash thot: Më 1896, grekët kishin 2.914 shkolla fillore me 3.465 mësues e që frekuentoheshin
nga 129.120 djem dhe 29.119 vajza. Rreth vitit 1905 numri i shkollave greke ishte ngritur në
3.359. Duke përfundura për shkollat në Perandorinë Osmane ajo shton: ”Të gjitha shkollat e
kombësive të sunduara nga Perandoria Turke, janë shkolla vetëm për djem ose vetëm për
vajza. Programi i shkollave për vajza është shumë i varfër. Nëse një vajzë di të shkruajë, të
lexojë dhe pak aritmetikë, më pak njohuri në fushat e tjera, kjo është e mjaftueshme. Shumë
kohë i dedikohet punës së dorës të të gjitha llojeve. Por tani ky qëndrim sikur po ndryshon dhe
vajzat po dërgohen edhe në shkollat e mesme. Të gjithë po kuptojnë se “dora që tund djepin
është dora që urdhëron botën”. Lidhur me historikun e shkollave në Shqipëri mes tjerash thot:
”Propaganda italiane ndoshta është më pak e rendësishme, por nuk duhet injoruar. Ata kanë
hapur disa shkolla në Shkodër dhe në Vlorë. Në Shkodër kanë hapur një shtëpi për të
moshuarit dhe një jetimore. Italianët i kanë bërë shkollat e tyre më tërheqëse duke përfshirë në
program, punë praktike për djemtë dhe arte të ndryshme për vajzat, sipas nevojave të tyre. Por
shqiptarët kurrë nuk janë treguar indiferentë ndaj këtyre shkollave të huaja. Ata nuk i kanë
aprovuar kurrë këto shkolla të huaja, por nuk kishin ç`të bënin”. Pastaj përmend kontributin e
Shkollës Shqipe të Vajzave në Korçë nën drejtimin e Sevasti Qiriazit, në arsimimin dhe
edukimin e femrave shqiptare që nga viti 1891 si dhe peripecitë nëpër të cilat kishte kaluar ajo.
Gjithashtu përmend themelimin, në Shqipëri, edhe të një shoqerie grash, në periudhën e
Hyrietit.
Edhe në kuadër të sistemit të saj ideal të arsimit për Shqipërin, ajo parasheh një vend të
merituar edhe për vajzat (femrat) shqiptare. Pjesmarrjen e femrës shqiptare, si nxënëse dhe
studente, ajo e sheh në të gjitha shkallët e shkollimit, duke filluar nga institucionet parashkollore
e deri tek arsimi i lartë në universitet, ndërsa lidhur me studimet pasdiplomike, shembulli më i
mire se si një femër shqiptare mund t`i përfundonte ato me sukses, ishte ajo vetë si dhe tema
në fjalë për të cilën po flasim.
Shkollat mikste dhe koedukimi
Një karakteristikë tjetër e cila bie në sy te sistemi arsimor i Parashqevi Qiriazit është edhe
angazhimi i saj për koedukimin e të dy gjinive në shkolla mikste. Sidomos këtë e preferon për
kopshtet e fëmijëve, shkollat elementare dhe universitet. “Jo vetëm djemtë por edhe çupat lipset
të marrin një stërvitje të plotë, mendore, fizike dhe morale,” thot Parashqevia në një rast dhe
pak më tutje vazhdon: ”Kindergarten edhe shkolla elementare munt të jetë për të dy sekset,
çupa edhe djem bashkë, po për institutet më të larta, lipset të kemi shkolla të veçanta për
çupat.” Se pse duhet të jenë të ndarë, në shkollë të mesme, çunat nga gocat, ajo jep këto
arsyetime:

 1. Kjo është mosha kur niset ndërtimi i karakterit të njeriut edhe djemtë lipset të jenë
përgjithësishtë nën influence të mësonjësve burra, të cilët do t`i kupëtojnë më lehtë edhe
më mire; edhe çupat lipset të jenë nën influence të mësonjëseve zonja.
 2. Ky period dyke qenë koha kur nxënësit nuku thellojnë, është nevoj`e madhe që
mësonjësit t`i ruajnë nga shumë ngasje të rrezikëshme.
Ndërsa duke folur për arsimin e lartë në institute (universitete) shton edhe këtë: ”Ky institut munt
të jetë i përbashkët, edhe për zotërinjë edhe për zonjëza”. Eshtë interesante se Parashqevia
nuk e preferon koedukimin për shkollat e mesme.

Punoi:Esmeralda Visi

You might also like