You are on page 1of 5

NAIM FRASHERI

Naim bej Frashëri i njohur më së shumti si Naim Frashëri (Frashër, 25 maj 1846 - Stamboll, 20
tetor 1900) ka qenë nëpunës dhe intelektual i Perandorisë Osmane, poeti më i madh i Rilindjes
Kombëtare, hartues tekstesh, përkthyesi i parë i pjesëve të Kur'anit në gjuhë shqipe dhe veprimtar i
shquar i arsimit kombëtar shqiptar. Shihet si nismëtari i letërsisë shqiptare dhe një nga ikonat
kulturore shqiptare më ndikuese të shekullit 19. I gjendur me pozita të larta në administratën osmane
deri kur vdiq, mes të tjerash ndihmoi në nxjerrjen e lejes për Mësonjëtoren e Korçës si dhe
të Gramatikës të Kristoforidhit.

Naimi me të vëllezërit, Abdylin dhe Samiun, u lindën në Frashër dhe më tej u shkolluan, u rritën dhe
punuan në qendrat, Janinë e Stamboll. Përgjatë arsimimit dhe kultivimit të tij nxuri gjuhët më të
rëndësishme të realitetit të kohës, arabishten, persishten, turqishten, greqishten dhe frëngjishten.
Kësodore qe prej atyre intelektualëve të mjedisit osman të shekullit të 19 që gëzonin qasje dhe
vlerësonin si kulturën lindore që i rrethonte, si atë perëndimore.

Kontributi i tij numron 22 vepra të shtrira në 4 gjuhë, duke filluar me turqishten, persishten,
greqishten dhe shqipen; si gramatika gjuhe, tekste divulgative shkencore, arsimore, përkthime dhe
krijime origjinale.

Duke parë tek besimi i tij një të mesme të artë edhe për çështjen kombëtare shqiptare, u bë edhe
autori më përfaqësues i mistikës islame në gjuhën shqipe përkatësisht me veprat Fletore e
Bektashinjet dhe Qerbelaja, si veprat e para të bektashizmit shqiptar. Në tekstet mësimore që botoi
gjenden edhe përkthimet e para selektive të Kur'anit në gjuhën shqipe të bëra prej tij. I ndikuar nga
ungjit, bejtexhinjtë Shahin dhe Dalip bej Frashëri,[4] në poezinë e tij u përpoq të gërshetonte sufizmin
me filozofinë perëndimore e ideve poetike. Vepra poetike e Naimit vuri bazat e letërsisë kombëtare
dhe luajti rol të rëndësishëm në zgjimin e vetëdijes atdhetare. Naimi i këndoi mallit e dashurisë për
atdhe, krenarisë kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve, duke u përnderuar që në
gjallje të tij si "apostull i shqiptarizmës" dhe "bilbil i gjuhës shqipe", ai hodhi themelet për zhvillimin
e mëtejshëm të letërsisë shqipe.

Biografia
U lind në fshatin Frashër, Vilajeti i Janinës (sot në rrethin e Përmetit), fëmija i katërt i Halit bej
Frashërit (1797–1859) dhe Emine hanëm Myteveliu (1814–1861). Nga i ati ishin
pasardhës timarlinjsh me prejardhje nga Berati që më vonë u njohën si Dulellarët, ndërsa familja e së
ëmës qenë pinjoj të Iljaz bej Mirahorit, themeluesit të Korçës.

Në vendlindje bëri mësimet fillore dhe nisi të mësonte turqishten


osmane, arabishten dhe persishten në Teqenë e Frashërit,[10] si myhib bektashi. Pas vdekjes së
prindërve, me në krye vëllain e madh që ishte bërë zot shtëpie, Abdylin, më 1865 familja u shpërngul
në Janinë, ku bashkë me vëllanë më të vogël Samiun, mbaroi gjimnazin grek "Zosimea" më 1869. Në
"Zosimea" mori një kulturë të gjërë për kohën, u njoh me kulturat dhe letërsitë klasike, mësoi
greqishten e re, greqishten e vjetër, gjuhën latine dhe gjuhën frënge. Atje ra në kontakt me idetë e
iluminizmit frëng dhe veprat e Rusoit e Volterit. Vijoi të merrej privatisht me gjuhët klasike të lindjes
(elsine-i selase). Në këtë periudhë u përqendrua edhe në fushat e interesit të tij jetëgjata: poetët persë
dhe Iluminizmi frëng.

Pasi u diplomua më 1870, më 1871 shkoi në Stamboll, ku qëndroi vetëm tetë muaj. Duke shpresuar të
trajtonte në klimën e thatë të malësive shqiptare, prej të cilit vuante që fëmijë, u kthye në Janinë ku
qëndroi dy vjet i pa zënë punë shteti. Me shpresën se do t'i përmirësohet shëndeti del shpesh në
gjueti. Nisi punë si nëpunës në Berat dhe më pas qe drejtor dogane në Sarandë në vitet 1874-1877. I
munduar edhe nga reumatizma, e shtrënguan të largohej nga Saranda dhe shkoi për kurim gjashtë
muaj në llixhat e Badenit në Perandorinë Gjermane. E përjetoi rëndë vdekjen e parakohshme të
vëllait Sherifit nga turbekulozi. Më 1877 u kthye në Janinë. Është i shqetësuar për fatin e Shqipërisë
dhe përcjell me kujdes veprimtarinë politike të shqiptarëve në botën e huaj. Vëllai i vogël, Samiu,
syrgjynoset për arsye politike në ishullin Rodos, ndërsa vëllai tjetër Tahsini ndërroi jetë nga
tuberkulozi. Më 1878 punoi tetë muaj si drejtor të dhjetash (ashari mydiri) në Berat. Më 1882 u
vendos përfundimisht në Stamboll, ku punoi në fillim në detyrën e anëtarit e pastaj të Kryetarit të
Komisionit të Inspektimit dhe Kontrollit dhe më vonë, të Kryetarit të Këshillit të Lartë të Arsimit dhe
të Zëvendësministrit të Arsimit. Aii u martua, ndoshta në pjesën e dytë të viteve ’70 të shek XIX, me
Hatixhenë, e cila thirrej shkurtimisht Hexhe, vajza e një berberi nga Shkodra, e cila jetoi dy apo tre
vjet më shumë pas ndarjes nga jeta të Naimit. Naimi dhe Hatixheja patën dy vajza, e para e quajtur
Nerqeze, nuk jetoi as tre vjet, vdiq më 1881. Vajza e dytë, Nevrezi, u lind dhe u shkollua në Stamboll
dhe më pas u martua me Xhafer Luarasin, dhe më pas me Shahin Kolonjën.

Pas arrestimit të Abdylit në Janinë në fund të prillit 1881, nisi të luajë një rol të rëndësishëm në
veprimtarinë kombëtare të shqiptarëve të atjeshëm. Mori pjesë në punën e Komitetit qendror për
mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe të Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip. Kishte
interes për thesarin shpirtëror të popullit shqiptar, gjë që e shtyu të punonte bashkë me vëllain rreth
një fjalori të shqipes i cili do të mbetej pa botuar.

Në vitin 1883 nisi botimi i revistës Drita, ku në shkrimet e veta Naimi përdorte inicialet N.H.F. Pasi
autoritetet osmane ndaluan shkrimin e shqipes, veprat nisën të botoheshin në Bukuresht dhe më pas
në Sofie. Më 1887, me Samiun nxorrën nga Porta e Lartë lejen për hapjen e një shkolle private shqipe
në Korçë, ku tekstet i përgatiste Naimi.

Pas 4 viteve duke lënguar, ndërroi jetë ndaj të gdhirë në orën 2 pas mesnate duke hyrë e shtuna, më
20 tetor 1900 në shtëpinë e tij në Këzëll Toprak, Kadikoy. Varrimi u bë të nesërmen, ditën e diel, 21
tetor 1900, në Teqen e Bektashinjëve të Merdiven Qoit në Stamboll. Varri u ngrit në krah të varrit të
Abdyl Frashërit, i cili ishte i veshur i tëri me mermer të bardhë dhe, mbi të, një pllakë e zezë ku qenë
gdhendur fjalët e Naimit: “Hybdyl vatan minel yman”, që do të thotë: “Të gjithë duhet t’i jemi
mirënjohës Mëmëdheut”.

Riatdhesimi i eshtrave
Eshtrat e Naimit shteti shqiptar i solli në Shqipëri në kuadrin e 25 vjetorit të Pavarësisë, më 2 qershor
1937. Ishte ditë e mërkurë, ora 15.30, kur mbërriti arkivoli me vija kuq e zi me eshtrat e Naimit.
Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë nënkoloneli Shefki Shatku, që i solli eshtrat nga
Stambolli, ia dorëzoi arkivolin me eshtrat e Naimit kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Abedin
Nepravishtës. I përcjellur nga autoritetet, populli dhe Eshref Frashëri nga trungu i Dulellarëve,
arkivoli u vendos në Teqen Bektashiane të Tiranës.

Krijimtaria
Gjuhët e huaja të nxëna nga mësimet private, fillore dhe më tej përgjatë shkollimit në Janinë bënë që
Naimi ishte një shembull parësor i intelektualit osman të shekullit të XIX që ndihej njëlloj i
ambientuar si me kulturën Lindore ashtu dhe Perëndimore. Si autor i gjithsej njëzetedy veprave,
shkroi në katër gjuhë të ndryshme: katër në osmanishte, dy në persishte, dy në greqishte dhe
pesëmbëdhjetë në shqipe. Duke qenë se ishte në një post delikat si drejtor i këshillit të censurës në
Ministrinë e Arsimit të perandorisë, me mundësi në disa raste për t'i bërë bisht ndalimit të librave dhe
botimeve në shqipe nga ana e Portës së Lartë, Naimi e pa të arsyeshme të mos përdorte emrin e
mbiemrin në shumë nga botimet e veta, por të shënonte vetëm 'nga N.H.', 'nga N.H.F.', ose 'nga N.F.'

Në turqisht, persisht dhe greqisht

Duke pasë qenë edhe njohës të gjuhëve më të rëndësishme si të lindjes ashtu edhe të perëndimit,
Naimi me Samiun ishin gjithashtu ndër të parët të interesuar për filologjinë moderne. Vepra e parë e
Naimit është një gramatikë e gjuhës perse "Rregullat e persishtes sipas metodës së re" (tr. Kavâid-i
farisiyye dar tarz-i nevîn) më 1871, nënshkruar Mehmet Naim, nëpunës i Drejtorisë së Shtypit. Duke
pasur gjithsej ka 168 faqe, kjo vepër është e ndarë në dy pjesë: pjesa e parë ka 85 faqe dhe në atë
jepen të dhëna rreth rregullave të gjuhës perse, sidomos për pjesën morfologjike të kësaj gjuhe, kurse
pjesa e dytë e cila ka 83 faqe, përbëhet nga katër ushtrime dhe një fjalor në fund me disa fjalë
persisht–osmanisht. Kjo e bën të jetë edhe gramatika e parë moderne e gjuhës perse, një vit para asaj
të Mirza Habib Esfehanit, me të cilit mendohet se Naimi njihej dhe ka bashkëpunuar me të në
gazetën Ahter që botohej në Stamboll.

Më 1881 ne serinë e botimeve Cep Kütüphanesi (xhep qytyphanesi, biblioteka e xhepit) botuar nga
Samiu, doli punimin i dytë i Naimit në gjuhën turke "Shpikje dhe zbulime" (Ihtiraat ve keşfiyyat.
Mihran Matbaası. Cep Kütüphanesi Nr. 15. Istanbul 1298) ku radhit për shpikjet dhe zbulimet, nga
mulliri dhe ora deri te elektriciteti, telegrafi dhe fotografia. Qëllimi i kësaj serie librash xhepi ishte të
divulgoheshin risitë shkencore e teknologjike tek lexuesi.

Ky merak për kulturën perse dhe vargjet e Saadiut, Hafezit, bëri që të shkruante dhe botonte vargje
në persisht, duke ndjekur traditën e letërsisë perse dhe modelet e poetëve të parapëlqyer më 1884
vëllimin me poezi prozaike "Katër stinët" (tr. Fusuli erbea), sipas një shablloni të panjohur francez.
Pas një viti, më 1885 botoi përmbledhjen poetike "Ëndërrimet" (pers. Tehajjulat), e përbërë nga 24
lirika të shkruara mes 1873 dhe 1882, që i përkasin traditës së letërsisë perse, por me motive nga
mjedisi shqiptar i njohur prej poetit.

Atyre viteve mërgata shqiptare në Stamboll, por edhe në Bukuresht, mendonin për një shtet
shqiptaro-grek. Kjo e shtyu Naimin që më 1886 të botonte poemën greqisht "Dëshira e vërtetë e
shqiptarëve" (gr. O alithis pothos ton Skypetaron). në të cilën shkruante për lutej një Bashkëjetesë
shtetërore e shqiptarëve, grekëve dhe sllavëve. Nëntë vjet më vonë F. botoi një përmbledhje tjetër të
vogël me poezi greke: "Dashuria" (O Eros. Stamboll 1895).

Në shqip
Më 1880 botoi poemthin e parë në shqip "Shqipëria", ku shpalli të gjitha idetë që përbëjnë trungun e
veprës së tij atdhetare. Kur më 1884 e përkohshmja Dituria nisi të botohej në Stamboll, Naimi u nisi
një varg poezish të cilat trajtonin tema natyrore dhe shkencore në një gjuhë që fëmijët mund të
kuptonin. Këto poezi u ribotuan më vonë si tekste shkollore.

Nga 1885 dhe deri më 1895, pothuajse për çdo vit dilte nga shtypi në Bukuresht nga një punim i
Naimit. Më 1886 botoi poemën e tij të famshme Bagëti e Bujqësi, më tej katër libra për shkollat:
"Vjersha për mësonjtoret e para" bazuar te fabulisti frëng La Fontaine, "E këndimit të çunavet
këndonjëtoreja", (në dy vëllime, me poezi, lexime të ndryshme, njohuri të para shkencore
humanitare), si dhe një "Histori të përgjithshme". Më 1888 vijoi me "Dituritë" (ribotuar më 1895 me
titullin "Gjithësia", - shkenca të natyrës). Më 1890 doli përmbledhja e lirikave "Lulet e verës", pastaj
"Mësimet" (proza patriotike dhe të moralit) dhe "Fjala flutarake" (vjersha) më 1894, së fundi më
1898 poemat epike "Istoria e Skënderbeut" dhe "Qerbelaja". Rëndësi të veçantë i dha botimit të
librave për të cilët kishte nevojë shkolla shqipe. Këto poema do të shpërndaheshin në dorëshkrim mes
bashkëatdhetarëve të tij, pasi administrata osmane e ndaloi qarkullimin e botimeve shqip, ndërsa
jashtë kufinjve kishte mundësi të kufizuara botimi.

Duke qenë se rreth 30 vjet të jetës do t'i kalojë në Shqipëri, Naimi do ta kuptojë mirë traditën
historike, kulturore dhe kombëtare në përgjithësi kurse letërsinë popullore në veçanti. Ndikimi i
poezisë popullore në veprën e Naimit është i përvetësuar dhe shtrihet edhe në fushë të mjeteve
stilistike, në fushë të strukturës rrokjesore e ritmike të vargut dhe në fushë të botëpërjetimit. Një sërë
figurash në veprën e tij janë me prejardhje folklorike, në radhë të parë krahasimet.

Përkthime
Tek botimi "Mësimet", në pjesën Thelb'i Kuranit, Naimi ka botuar edhe të parin përkthim selektiv të
Kur'anit në gjuhën shqipe. Më 1886 botoi po ashtu një tjetër vepër në gjuhën turke, një përkthim në
prozë i Iliadës së Homerit, duke qenë edhe hera e parë që ndonjë pjesë e eposit përkthehej në gjuhën
turke. Pas nja 10 vjetëve nxorri edhe një variant në shqip që u botua në Bukuresht, Iliadhë e Omeritë.

Studime të veprës
Një vit pas vdekjes së Naimit, Konica shkroi artikullin "Naim H. bej Frashëri" botuar tek Albania. Po
atë vit në Sofie, nipi i Naimit, Midhati shkroi artikullin "Naim Be Frashëri". Më 1925 në një libër të
botuar nga studentët shqiptarë të Vjenës titulluar "Naim Frashërit, vjershëtorit dhe 'edukatorit
kombëtar", Norbert Jokl në shkrimin e tij "Naim Be Frashëri dhe pasunimi i gjuhës shqipe" jep idenë
e ndikimit të ideve të dijetarit gjerman, Leibniz.

Për Çabejn Naimi është përfaqësuesi i romantizmit në letrat shqipe, i ndikuar nga kultura frënge,
lavdëron Voltaire dhe Rousseau te Istori e Skënderbeut si lajmësit e ideve të reja. Gjurmët e poezisë
popullore tek ai janë fare të imta, ndonjë mënyrë të thëni popullore, imitimi i stilit të përrallave në
ndonjë vend të Qerbelasë dhe te Istori e Skënderbeut. Ndryshe nga Samiu që bashkëpunoi në reformën
gjuhësore turke, Naimi u vu në shërbim të gjuhës amtare. Natyrën e vet religjioze dhe romantike e
kultivoi në vepërsinë e tij tek veprat "Qerbelaja", "Fletorja e Bektashive"; por gjithashtu ai "ishte fis
me Orientin; ai rron në të, është i saj", ku me Tehajjulat tregoi se sa i regjur ishte me letrat
perse. Sipas studjuesve, me shumë gjasë Naimi kishte kënduar edhe Rumiun, duke qenë se gjehen
gjurmë të botëkuptimeve dhe ndikime të veprave të tij në opusin naimian.

Duke qenë se rreth 30 vjet të jetës i kaloi në viset shqiptare, mendohet se i kuptonte traditat, kulturën
dhe letërsinë popullore në veçanti. Ndikimi i poezisë popullore në veprën e Naimit është i përvetësuar
dhe shtrihet edhe në fushë të mjeteve stilistike, në fushë të strukturës rrokjesore e ritmike të vargut
dhe në fushë të botëpërjetimit. Një sërë figurash në veprën e tij janë me prejardhje folklorike, në
radhë të parë krahasimet. Në poemën heroike Istori e Skënderbeut, Naimi futi shpesh figura të
mitologjisë popullore ilire dhe shqiptare. Ai përdori dragojt, hijet, kuçedrat, lugetërit, shtrigat, zanat,
të Bukurën e Dheut e të tjera. Në këngën VII të Istori e Skënderbeut, E Bukura e Dheut e uron
Skënderbeun për fitoren e tij:

:Dolli e Bukur e Dheut/ Sy-larush e qafë-gjata,/ iu qas, i tha Skënderbeut/ Të lumtë dora dhe shpata.

u shqua struktura poetike në saje të të cilës Naimi fitoi popullorësinë si njëri nga vjershëtarët më të
mëdhenj të letërsisë shqipe. butësia e ndjenjës dhe thellësia e përsiatjes e ngjyrosin qëndrimin e tij
ndaj botës.

Vëllezërit Frashëri

Trashëgimia
Vepra poetike e Naimit vuri bazat e letërsisë kombëtare dhe luajti rol të rëndësishëm në zgjimin e
vetëdijes atdhetare. Me vjershat dhe poemat e tij i këndoi mallit e dashurisë për atdhe, krenarisë
kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve. Pas Çlirimit u vunë në pah dhe u çmuan
gjerësisht meritat dhe vlerat e punës dhe të krijimtarisë së tij, përmes studimesh të ndryshme.

Mirënjohja
Emrin e Naim Frashërit e mbajnë shkolla dhe institucione të ndryshme. Për meritat kulturore në
Shqipëri jepet urdhri që mban emrin e poetit kombëtar.

Shteti iranian në shenjë nderimi për kontributin e tij në gjuhën perse i kushtoi një emetim special
pullash postare me imazhin e poetit Frashërlli.

Tituj të veprave
Letrare

 Ëndërrimet (Tahayyulat). (Mihran, Kostandinopel 1884 [1301 A.H.]) 66 ff;


 Bagëti e bujqësija prej N.H.F. (Dritë, Bukuresht 1886) 23 ff;
 E këndimit çunavet këndonjëtoreja copë e parë prej N.H.F. (Dritë, Bukuresht 1886) 55 ff;
 E këndimit çunavet këndonjëtoreja copë e dytë prej N.H.F. (Dritë, Bukuresht 1886) 52 ff;
 Istori e përgjithëshme për mësonjëtoret të para prej N.H.F. (Dritë, Bukuresht 1886) 116 ff;
 Dëshira e vërtetë e shqiptarëve. (Ho alêthês pothos tôn skypetarôn hypo D. , Bukuresht
1886) 19 ff;
 Vjersha për mësonjëtoret të para prej N.H.F. (Dritë, Bukuresht 1886) 96 ff;
 Luletë e verësë. N.H.F. (Dituri, Bukuresht 1890) 80 ff;
 Parajsa dhe fjala fluturake. Vjersha të N.F. (Bukuresht 1894, rebotim Dhori Koti, Korçë
s.a.) 76 ff;
 Dashuria. (Ho Erôs. Poiêmata prôtotypa eis asmata oktô met' eikonôn).
(Gerardos, Kostandinopel 1895) 32 ff;

 Istori' e Skenderbeut. (Tipografi' e Shqipëtarëvet, Bukuresht 1898) 312 ff;


 Qerbelaja prej N.H.F. (Dituri, Bukuresht 1898) 352 ff;
Joletrare

 Kavâid-i fârisiyye dar tarz-i nevîn. (Mühendisynn Matbaasi, Kostandinopel 1871 [1288
A.H.]) 64 ff;
 Dituritë për mësonjëtoret të para pej [sic] N.H.F. (Dituri, Bukuresht 1888) 212 ff;
 Mësime prej N.F. (Bukuresht 1894) 126 ff;
 Fletore e Bektashinjet. (Shtypëshkronjët të Shqipëtarëvet, Bukuresht 1896) 32 ff;
Përkthime

 Ihtiraat ve keşfiyyat. Ihtiraat ve keşfiyyat. Mihran Matbaası. Cep Kütüphanesi Nr. 15.
Istanbul 1298 [1881/2] 79 ff;
 Fusul-u arba’a. Mihran Matbaası. Cep Kütüphanesi Nr. 16. Istanbul 1298 [1883] 127 ff;
 Ilyada - Eser-i Homer. Kerabet ve Kasban Matbaası. Istanbul 1303 [1886];
 Iliadë e Omirit. Këngë e parë kthyerë prej N.H.F. (Dituri, Bukuresht 1896) 76 ff;
Botime integrale

 Vepra të zgjedhura 1-2. (Akademia e Shkencave, Tiranë 1980, 1985);


 Vepra 1-7. (Rilindja, Prishtinë 1986);
 Vepra letrare. 1-5. (Naim Frashëri, Tiranë 1995, 1996).[18]

Mirënjohje

 Një numër i madh shkollash të niveleve të ndryshme në territoret shqiptare e mbajnë


emrin "Naim Frashëri".
 Prerja e kartmonedhës 200 lekëshe.
 libra mbi dhe për krijimtarinë e Naim Frashërit.
 Pallati i Kulturës "Naim Frashëri" në Përmet.
 Emrin përkëdhelës i përdorur nga populli dhe
intelektualët: Naimi.

You might also like