You are on page 1of 2

Naim bej Frashëri i njohur më së shumti si Naim Frashëri (Frashër, 25 maj 1846 - Stamboll, 20 tetor 1900)

ka qenë nëpunës dhe intelektual i Perandorisë Osmane, poeti më i madh i Rilindjes Kombëtare, hartues
tekstesh, përkthyesi i parë i pjesëve të Kur'anit në gjuhë shqipe dhe veprimtar i shquar i arsimit kombëtar
shqiptar. Shihet si nismëtari i letërsisë shqiptare dhe një nga ikonat kulturore shqiptare më ndikuese të
shekullit të 19. I gjendur me pozita të larta në administratën osmane deri kur vdiq, mes të tjerash ndihmoi
në nxjerrjen e lejes për Mësonjëtoren e Korçës si dhe të Gramatikës të Kristoforidhit.

Naimi me të vëllezërit, Abdylin dhe Samiun, u lindën në Frashër dhe më tej u shkolluan, u rritën dhe punuan
në qendrat, Janinë e Stamboll. Përgjatë arsimimit dhe kultivimit të tij nxuri gjuhët më të rëndësishme të
realitetit të kohës, arabishten, persishten, turqishten, greqishten dhe frëngjishten. Kësodore qe prej atyre
intelektualëve të mjedisit osman të shekullit të 19 që gëzonin qasje dhe vlerësonin si kulturën lindore që i
rrethonte, si atë perëndimore.

Kontributi i tij numron 22 vepra të shtrira në 4 gjuhë, duke filluar me turqishten, persishten, greqishten dhe
shqipen; si gramatika gjuhe, tekste divulgative shkencore, arsimore, përkthime dhe krijime origjinale.

Duke parë tek besimi i tij një të mesme të artë edhe për çështjen kombëtare shqiptare,[1] u bë edhe autori
më përfaqësues i mistikës islame në gjuhën shqipe përkatësisht me veprat Fletore e Bektashinjet dhe
Qerbelaja, si veprat e para të bektashizmit shqiptar.[1][2] Në tekstet mësimore që botoi gjenden edhe
përkthimet e para selektive të Kur'anit në gjuhën shqipe të bëra prej tij.[3] I ndikuar nga ungjit, bejtexhinjtë
Shahin dhe Dalip bej Frashëri,[4] në poezinë e tij u përpoq të gërshetonte sufizmin me filozofinë
perëndimore e ideve poetike.[1] Vepra poetike e Naimit vuri bazat e letërsisë kombëtare dhe luajti rol të
rëndësishëm në zgjimin e vetëdijes atdhetare. Naimi i këndoi mallit e dashurisë për atdhe, krenarisë
kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve,[5] duke u përnderuar që në gjallje të tij si "apostull
i shqiptarizmës" dhe "bilbil i gjuhës shqipe",[6] ai hodhi themelet për zhvillimin e mëtejshëm të letërsisë
shqipe.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]


U lind në fshatin Frashër, Vilajeti i Janinës (sot në rrethin e Përmetit), fëmija i katërt i Halit bej Frashërit
(1797–1859) dhe Emine hanëm Myteveliu (1814–1861).[7][8] Nga i ati ishin pasardhës timarlinjsh me
prejardhje nga Berati që më vonë u njohën si Dulellarët, ndërsa familja e së ëmës qenë pinjoj të Iljaz bej
Mirahorit, themeluesit të Korçës.[9]

Në vendlindje bëri mësimet fillore dhe nisi të mësonte turqishten osmane, arabishten dhe persishten në
Teqenë e Frashërit,[10] si myhib bektashi.[11] Pas vdekjes së prindërve, me në krye vëllain e madh që ishte
bërë zot shtëpie, Abdylin, më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku bashkë me vëllanë më të vogël
Samiun, mbaroi gjimnazin grek "Zosimea" më 1869.[10] Në "Zosimea" mori një kulturë të gjërë për kohën, u
njoh me kulturat dhe letërsitë klasike,[12] mësoi greqishten e re, greqishten e vjetër, gjuhën latine dhe
gjuhën frënge. Atje ra në kontakt me idetë e iluminizmit frëng dhe veprat e Rusoit e Volterit.[13] Vijoi të
merrej privatisht me gjuhët klasike të lindjes (elsine-i selase). Në këtë periudhë u përqendrua edhe në
fushat e interesit të tij jetëgjata: poetët persë dhe Iluminizmi frëng.[14]

Pasi u diplomua më 1870,[14] më 1871 shkoi në Stamboll, ku qëndroi vetëm tetë muaj. Duke shpresuar të
trajtonte në klimën e thatë të malësive shqiptare, prej të cilit vuante që fëmijë, u kthye në Janinë ku
qëndroi dy vjet i pa zënë punë shteti. Me shpresën se do t'i përmirësohet shëndeti del shpesh në gjueti.[15]
Nisi punë si nëpunës në Berat dhe më pas qe drejtor dogane në Sarandë në vitet 1874-1877. I munduar edhe
nga reumatizma, e shtrënguan të largohej nga Saranda dhe shkoi për kurim gjashtë muaj në llixhat e Badenit
në Perandorinë Gjermane. E përjetoi rëndë vdekjen e parakohshme të vëllait Sherifit nga turbekulozi. Më
1877 u kthye në Janinë. Është i shqetësuar për fatin e Shqipërisë dhe përcjell me kujdes veprimtarinë
politike të shqiptarëve në botën e huaj. Vëllai i vogël, Samiu, syrgjynoset për arsye politike në ishullin
Rodos, ndërsa vëllai tjetër Tahsini ndërroi jetë nga tuberkulozi.[16] Më 1878 punoi tetë muaj si drejtor të
dhjetash (ashari mydiri) në Berat. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll,[17] ku punoi në fillim në
detyrën e anëtarit e pastaj të Kryetarit të Komisionit të Inspektimit dhe Kontrollit dhe më vonë, të Kryetarit
të Këshillit të Lartë të Arsimit dhe të Zëvendësministrit të Arsimit. Aii u martua, ndoshta në pjesën e dytë të
viteve ’70 të shek XIX, me Hatixhenë, e cila thirrej shkurtimisht Hexhe, vajza e një berberi nga Shkodra, e cila
jetoi dy apo tre vjet më shumë pas ndarjes nga jeta të Naimit. Naimi dhe Hatixheja patën dy vajza, e para e
quajtur Nerqeze, nuk jetoi as tre vjet, vdiq më 1881. Vajza e dytë, Nevrezi, u lind dhe u shkollua në Stamboll
dhe më pas u martua me Xhafer Luarasin, dhe më pas me Shahin Kolonjën.[10]

Pas arrestimit të Abdylit në Janinë në fund të prillit 1881, nisi të luajë një rol të rëndësishëm në
veprimtarinë kombëtare të shqiptarëve të atjeshëm. Mori pjesë në punën e Komitetit qendror për
mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe të Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip.[18] Kishte
interes për thesarin shpirtëror të popullit shqiptar, gjë që e shtyu të punonte bashkë me vëllain rreth një
fjalori të shqipes i cili do të mbetej pa botuar.[19]

Në vitin 1883 nisi botimi i revistës Drita, ku në shkrimet e veta Naimi përdorte inicialet N.H.F.[20][21] Pasi
autoritetet osmane ndaluan shkrimin e shqipes, veprat nisën të botoheshin në Bukuresht dhe më pas në
Sofie.[22] Më 1887, me Samiun nxorrën nga Porta e Lartë lejen për hapjen e një shkolle private shqipe në
Korçë, ku tekstet i përgatiste Naimi.[23]

Pas 4 viteve duke lënguar, ndërroi jetë ndaj të gdhirë në orën 2 pas mesnate duke hyrë e shtuna, më 20
tetor 1900 në shtëpinë e tij në Këzëll Toprak, Kadikoy. Varrimi u bë të nesërmen, ditën e diel, 21 tetor 1900,
në Teqen e Bektashinjëve të Merdiven Qoit në Stamboll. Varri u ngrit në krah të varrit të Abdyl Frashërit, i
cili ishte i veshur i tëri me mermer të bardhë dhe, mbi të, një pllakë e zezë ku qenë gdhendur fjalët e Naimit:
“Hybdyl vatan minel yman”, që do të thotë: “Të gjithë duhet t’i jemi mirënjohës Mëmëdheut”.[10]

You might also like