You are on page 1of 2

Shek.

XIX shënoi për popullin shqiptar, ashtu si për popujt e tjerë të


Ballkanit, një epokë të re, atë të Rilindjes. Ai ka hyrë në historinë
moderne të vendeve të Ballkanit si shekulli i lëvizjeve dhe i
revolucioneve kombëtare, që ndoqën njëri¬-tjetrin dhe që çuan në
çlirimin e shumicës së popujve të këtij gadishulli nga zgjedha e
Perandorisë Osmane dhe në formimin e shteteve të pavarura. Këto
lëvizje u zhvilluan në kushtet e rënies së Perandorisë Osmane, të
shthurjes së marrëdhënieve të vjetra feudale dhe të lindjes së
ekonomisë së tregut, të zgjimit të mëtejshëm të ndërgjegjes kombëtare
të popujve të këtij gadishulli dhe të zgjerimit të ndërhyrjeve të Fuqive të
Mëdha në këtë Perandori.
Megjithëse, për një varg rrethanash të brendshme e të jashtme,
Shqipëria ishte vendi i fundit në Ballkan që u shkëput nga Perandoria
Osmane dhe që shpalli pavarësinë kombëtare, krahasuar me vendet e
tjera ballkanike, ajo, që në fundin e shek. XVIII dhe në fillimin e shek.
XIX, nisi të zhvillohej nga pikëpamja ekonomiko¬-shoqërore e politike në
po ato drejtime si edhe fqinjët e saj ballkanikë, Serbia, Greqia, Bullgaria
e Rumania. Vështirësitë e ritmet e ngadalshme të këtij zhvillimi të
Shqipërisë, të diktuara nga kushtet e rënda e të ndërlikuara, që ishin
karakteristike për vendet nën sundimin osman, nuk e penguan
shoqërinë shqiptare që në agimin e shek. XIX të kishte, krahas
ndryshimeve, edhe mjaft gjëra të përbashkëta me shtetet fqinje, të
krijonte premisat që çuan në konsolidimin e shqiptarëve si komb, në
ngritjen e mëtejshme të ndërgjegjes kombëtare dhe në zhvillimin e
lëvizjes kombëtare.
Proceset e reja, që u shfaqën në jetën politike e kulturore të Shqipërisë
në dhjetëvjeçarët e parë të shek. XIX, shënuan fillimin e epokës së
Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e cila zë një periudhë të tërë historike,
shtrihet nga vitet 30-¬40 të atij shekulli dhe deri në Shpalljen e
Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Rilindja Shqiptare përbën
një lëvizje të gjithanshme kombëtare, me një përmbajtje të re
ideologjike, politike, kulturore, ekonomiko¬-shoqërore dhe organizative.
Ajo synonte të zgjidhte detyrat që i takonin revolucionit kombëtar, të
çlironte vendin nga sundimtarët e huaj osmanë, të bashkonte trojet
shqiptare në një shtet të vetëm e të pavarur, t’u hapte rrugën zhvillimit e
përparimit ekonomiko-shoqëror, politik e kulturor të Shqipërisë.
Rilindja ishte e lidhur me një shkallë më të lartë të zhvillimit të kombit
shqiptar, me konsolidimin e tij, që çoi në lindjen e një lëvizjeje të re nga
përmbajtja dhe objektivat e saj, të nacionalizmit, që ishte një lëvizje
karakteristike për historinë moderne të të gjithë popujve, e cila, si në çdo
vend edhe në Shqipëri, kishte si synim të formonte shtetin kombëtar, që
do të përmbushte aspiratat politike, shoqërore, ekonomike e kulturore të
popullit shqiptar. Ashtu si te popujt e tjerë, edhe te shqiptarët
nacionalizmi u karakterizua nga ndjenja e përbashkësisë, e komunitetit
ndërmjet shqiptarëve, si pjesëtarë të të njëjtit komb. Kjo lëvizje ishte e
lidhur me ndryshimet dhe me përparimet që u bënë në shek. XIX në
fushën kulturore, ekonomike, ideore e politike.

You might also like