You are on page 1of 1

Kush ishin fenikasit?

Aty rreth vitit 1500 para erës së re, në viset e Libanit të sotëm, u zhvillua një qytetërim, ai
i fenikasve që u shqua kryesisht për aftësitë e ndjeshme të shfaqura në fushën e detarisë
dhe të tregtisë.

Ky popull me origjinë semite themeloi një sërë qytet-shtete (Tiron, Sidonën, Biblon), të
cilat fillimisht qenë të dhëna pas bujqësisë dhe zejtarisë. Për rrjedhojë, të lehtësuar nga
pozicioni gjeografik që favorizonte shkëmbimet midis Mesopotamisë dhe pellgut të
Mesdheut, fenikasit u shtynë drejt detit, duke u bërë lundërtarë të zotë.

Për të lehtësuar shkëmbimet tregtare dhe për të mbërritur në vende gjithnjë e më të


largëta, ata zhvilluan një sistem kolonish në brigjet e Afrikës së Veriut, Italisë dhe
Spanjës.

Në njërën prej këtyre qyteteve porte që përdoreshin nga detarët fenikas si vende ankorimi
dhe depozitimi të mallrave, Kartagjena (në Tunizinë e ditëve të sotme), do të lindte
qytetërimi “punik”, i cili do t’u bënte ballë për një kohë të gjatë synimeve ekspansioniste
të Romës, derisa të mposhtej në fund të Luftës së Tretë Punike (149 para erës së re-146
para erës së re.)

Sistemi alfabetik i ngjashëm me tonin

Fenikasit e thamë edhe më lartë se ishin një popull i dhënë kryesisht pas tregtisë.
Pikërisht për shkak të kërkesave të një natyre praktike të lidhura me tregtinë, siç qenë
përpunimi i regjistrave të llogarive, hartimi i listave me mallrat që hynin e dilnin dhe
dokumentet e arkivave, atyre iu duk jo fort i përshtatshëm përdorimi i hieroglifëve,
domethënë i një shkrimi të tipit simbolik.

Fenikasit përshtatën për nevojat e veta një tip shkrimi “fonetik”, i quajtur kështu ngaqë
çdo tingulli i përkon një shenjë ose një shkronjë. Pra, me gjasë, qenë pikërisht fenikasit të
parët që përpunuan një sistem alfabeti të ngjashëm me tonin, i cili u rimor, mbasi iu bënë
disa modifikime (për shembull, futja e zanoreve) nga grekët, etruskët dhe romakët.

26-04-2011 11:22 CET


Zeri.info

You might also like