You are on page 1of 26

Faqe 7 - Aktualitet 11Janar 2004

Tragjedia e Vlorës

Skema e ngjarjes

Udhëtim në “ferr” për 26 orë

Nisja nga Shkodra, sheshpushimi në Dhërmi dhe rrethimi nga dallgët

Artur Qorraj

Krerë të lartë të policisë shqiptare kanë drejtuar vetë hetimet mbi ngjarjen e 9 janarit, ku humbën
jetën 21 persona dhe u plagosën 11 të tjerë. Është arritur që nga marrja në pyetje e të gjithë të
mbijetuarëve të zbardhet skema e plotë e ngjarjes.

Nisja prej Qarkut të Shkodrës nga pjesa më e madhe e klandestinëve, personat që i organizuan, pagesat,
udhëtimi me taksi e makina të gjetura nga organizatorët, qëndrimi vetëm për disa orë në Vlorë, sigurimi i
rrugës dhe përcjellja për në Dhërmi. Fatkeqësia që erdhi nga shpërthimi i njërit prej motorëve të skafit, duke
i lënë në ferrin 26-orësh midis dallgëve të hakërryera.

Udhëtimi në tokë
Orët e para të mëngjesit të së premtes, pasi kishin komunikuar më parë në telefon me organizatorët, grupi i
klandestinëve është mbledhur në qytetin e Shkodrës. Dikush ka treguar se janë nisur me një autoveturë
”Benz” të bardhë katër persona nga Shkodra rreth orës 07.00 të mëngjesit. Makina ka ndaluar në Laç, ku
kanë hipur disa prej tyre. Po kështu, kanë bërë dhe të tjerët, disa prej të cilëve kanë marrë autobusët e
linjave. Kur kanë hyrë në qytetin e Vlorës, diku aty afër drekës, organizatorët kanë studiuar terrenin.
Klandestinët janë shëtitur nëpër qytet dhe aty kanë blerë për të ngrënë. Grumbullimi është bërë në Dhërmi
rreth orës 16.30 dhe për të arritur në pikën e treguar u është dashur ndihma e disa zyrtarëve, një prej të
cilëve dhe shefi i seksionit të policisë rrugore dhe ai i portit. Më këtë ndihmë kanë arritur deri në bazën
sekrete të trafikantëve, duke përdorur taksi dhe furgona tërastit. Ndërkohë të tjerët ia kanë behur aty nga ora
17.00 e pasdites së premte me një makinë ”Pezho” afër gjirit të Palasës. Nga makina dy prej trafikantëve,
prej të cilëve vëllezërit Gentian dhe Artur Rrokaj kanë nxjerrë karburantin e gomones. Skafi me dy motorë të
fuqishëm është nxjerrë nga një skutë e thellë nga disa persona të tjerë. Po aty, rreth orës 18.00, kur dhe ka
filluar të errej, moti është prishur dhe deti ka nisur të dallgëzohet keq. Tre pronarët e gomones, pasi e kanë
nxjerrë në breg me ndihmën edhe të klandestinëve, janë larguar disi, duke lënë me fjalë që të lidheshin herë
pas here. Janë bërë disa prova sepse gomonia ishte e re. Trafikantët kanë hezituar për t’u nisur aty nga ora
18.00 menjëherë, duke pritur që dallgët të bëheshin më të dendura e të larta, me qëllim që të mos haseshin
nga radarët e rojet bregdetare.

…… më pas drejt ferrit


Aty rreth orës 18.00, skafi 12 metërsh ka zbritur në det të hapur dhe në bordin e tij gjendeshin më shumë se
30 klandestinë dhe dy skafistët. Por kontradiktor deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme është hedhja
në det e një gomoneje më të vogël që, sipas të dhënave, kishte në bord lëndë narkotike. Me shumë
vështirësi, gomonia ka arritur të çajë dallgët 6-ballëshe, duke përshkuar 5 milje. Aty në Mezokanal të gjithë e
kanë ndjerë veten keq. Vetëm pak kilometra kur kishin kaluar dy orë udhëtim. Aty rreth orës 19.30 të trembur
nga dallgët dhe në ankth dikush nga gomonia merr në telefon një të afërmin e tij nga Malësia e Madhe, që
kishte bujtur në fshatin Torrovicë, të Lezhës. Ky i fundit, menjëherë ka lajmëruar policinë e Lezhës dhe ka
treguar për drejtorin e Policisë, Xhavit Shala, historinë e rrugës ilegale për në Itali. Rreth orës 19.45, Shala i
ka telefonuar menjëherë drejtorit të Përgjithshëm, Bajram Ibrajt, për tragjedinë që po ndodhte në det.
Telefonata të shumta kanë bërë edhe pasagjerët e tjerë, por askush nga policia nuk u është përgjigjur.
Skafistët, në përpjekje për të kthyer gomonen, përplasen me dallgët e si pasojë ka pësuar defekt një nga
motorët, duke dëmtuar disa pasagjerë.
Rreth orës 20.10 minuta, dy skafistët, Albert Alliu dhe Artur Rrokaj, kanë arritur të komunikojnë nëpërmjet
mesazheve e lidhjeve të tyre me Gentian Alliun në terren e të tjerët. Mesazhi ka qenë se ”gjendemi në
Mezokanal dhe po mbytemi”. Kjo neglizhencë më tepër se njëorëshe, ka bërë që Gentiani, nëpërmjet numrit
të telefonit 0692070266, të lidhet me redaksinë e televizionit ”Top Channel”, që transmetoi i pari lajmin e
bujshëm. Më së fundi, lidhjet direkte u realizuan aty rreth orës 21.00 e më pas, por vetëm kaq.

Lëvizja e policisë
Zyrtarët e policisë thanë se e kishin ndjekur gomonen prej orës 18.00, por kjo nuk ka rezultuar e vërtetë
sipas pasagjerëve. U identifikuan numrat, u nisën motovedetat shqiptare dhe të Guardias, që nuk çanë dot
detin e më pas një anije italiane, helikopter nga Brindisi dhe një i NATO-s nga Tirana. Po kështu prej
Durrësit u nis dhe një anije shqiptare, por dhe ajo ngeci në mes të rrugës, ashtu sikurse një anije me
projektor, që vinte prej Korfuzit. Asnjë prej mjeteve nuk arriti të depërtonte në dallgë deri në mëngjes.
Gomonia rreth orës 09.30 është ankoruar në anijen italiane, ku janë mbajtur të vdekurit që janë nisur të 21
drejt Sazanit. Po në mesditë, filluan edhe arrestimet e para e marrjet në pyetje.

1. Shkodër 9 janar 2004


Nisen me taksi dhe autobusë katër grupe me klandestinë drejt Vlorës
Laç
Një prej makinave ”Benz” i bardhë, i shoqëruar nga një sekser, ndalon në Laç dhe merr disa
pasagjerë të tjerë
Lezhë
Merret grupi i fundit i klientëve, që do udhëtonin drejt Italisë
2. Vlorë 9 janar 2004
Rreth mesditës makinat mbërrijnë në qytetin bregdetar, ku shoqërohen me furgona nga
organizatorët e tjerë të grupit dhe zyrtarët. Aty presin mbi 30 klandestinë deri pas orës 17.00.
3. Dhërmi 9 janar 2004
Rreth orës 17.00 me ndihmën e funksionarëve të policisë, mjetet mbërrijnë në Dhërmi. Pas tyre
vjen skafi dhe makina me karburant. Rreth orës 18.00 vendoset të dilet në det, pas disa provave.
4. Lezhë 9 janar 2004
Ora 19.30, një telefonatë nga gomonia bëhet në Lezhë, nga një prej pasagjerëve te të afërmit. Këta
njoftojnë drejtorin e Policisë Lezhë, Xhavit Shala, duke i kërkuar ndihmë dhe ky lajmëron Bajram
Ibrajn.
5. Tiranë 9 janar 2004
Ora 20.30, pasagjerët dhe skafistët i zë paniku. Në miljen e gjashtë bëjnë telefonatat e para te të
afërmit e policia, e cila nuk përgjigjet. Telefonohet në redaksinë e televizionit ”Top Channel”, duke
lëshuar alarmin ”po mbytemi”.
6. Durrës 9 janar 2003
Ora 21.00, pas motovedetave nga Vlora nisen dhe ato nga Durrësi. Policia vihet në kërkim të
gomo-nes-taksi. Ato thyhen nga dallgët. Edhe ato të Guardias e të Durrësit nuk arrijnë të çajnë.
7. Brindizi 9 janar 2004
Ora 21.30. Një helikopter niset prej bazës së Brindizit, Itali. Mjeti fluturues arrin afër zonës ku sillej
gomonia, por, si pasojë e kohës së keqe, tërhiqet, duke u kthyer në bazë. Alarmohet policia greke
dhe niset një anije nga Korfuzi me projektorë që kthehet më pas. Po kështu dhe një anije italiane.
8. Në det 9-10 janar 2004
Kërkimet zgjasin edhe pas mesnatës. Rreth orës 09.00, gjendet gomonia me mbi 30 klandestinë në
bord, 21 prej të cilëve të vdekur. Ankorohet në bordin e një anije të madhe, ndërkohë që dyshohet
për të humbur në det.
9. Sazan 10 janar 2004
Ora 11.00. Nga anija viktimat dërgohen në ishullin e Sazanit. 11 të mbijetuarit dërgohen në spitalin
e Vlorës, një prej të cilëve sillet në Tiranë. Arrestohen dy skafistët.

Tragjedia e Vlorës
i mbijetuari 2

INTERVISTE / Flet 20-vjeçari nga Dobraçi i Shkodrës, Avni Cekaj, në spitalin e djegie-
plastikës në Tiranë

“Si vdiqën 4 vetë në duart e mia”

“Kërkuam ndihmë disa herë me celular, policia nuk na u përgjigj”

Etiola Kola

Nuk rresht së kërkuari ujë. “Edhe një gotë, edhe një tjetër…”, lutet Avniu. Porse gota në miniaturë në
repartin e djegieve, të shkelur rishtas nga i mbijetuari i tragjedisë së Vlorës nuk mjafton. As edhe pas
10 vajtje-ardhjesh të infermiereve në tualetin ngjitur.

“Isha ba me pi ujë deti, më beso…”, tregon për “Panorama” Avni Cekaj nga Dobraçi i Shkodrës. Dridhet
ende nën batanije e këmbët i ka të tejfryra nga uji. Ka parë të vdesin shumë njerëz. Katër ndërruan jetë në
duart e tij. Edhe shoku i tij i ngushtë. “Ishim në gomone të mbushur me ujë. Oli, shoku im vdiq nga i ftohti e
nga frika. Më vdiq në duar, e unë nuk kisha ça me ba…”, rrëfen i riu nga Shkodra. Më 26 prill mbush 20 vjeç.
E megjithatë është hera e tretë që tenton të kapërcejë Adriatikun. Kësaj radhe ka parë vdekjen me sy.
Tregon se priste të vdiste, pa kurrfarë shprese, aty në gomonen e ferrit, në ujin e akullt të ngjitur deri rrëzë
kofshëve. “Kërkuam ndihmë me telefon disa herë. As policia, askush nuk na u përgjigj”, thotë Avniu, i vetmi
nga të mbijetuarit e tragjedisë, i sjellë në Tiranë nga helikopteri i Shëndetësisë.

Kur u nisët nga Shkodra?


“U nisa dje në mëngjes herët bashkë me një shokun tim. Pastaj erdhëm në Vlorë dhe prisnim të niseshim
pasi të errej”.

Pse vendose të niseshe me këtë mot?


“Nga halli, jam pa punë e kemi gjendje të keqe ekonomike. Jam nisur edhe 2 herë të tjera se kam vëllain
atje, në Siçili”.

Në çfarë ore u nisët me gomone?


“Nuk e di orën me saktësi, se unë vetë nuk kisha orë. Por me sa mbaj mend, u nisëm një copë herë pasi
ishte errësuar”.

Sa persona ishin gjithsej?


“Ishim mbi 30 vetë gjithsej. Kishte 3-4 gra në gomone, të tjerët ishin meshkuj, çuna të rinj”.

Çfarë ndodhi pas nisjes?


“Gjysëm ore pasi u nisëm nga bregu, u prish motori i gomones dhe mbetëm në det. Skafistët provuan ta
kthenin mbrapsht, por nuk lëvizte as para as mbrapa. Kështu që ne mbetëm në vend. As dallgët nuk e
lëviznin shumë dhe gomonia nuk ka lëvizur që nga momenti kur u prish motori. Pastaj u mbush plot me ujë”.

Si arriti të mos përmbytej gomonia, pasi u mbush me ujë?


“Gomonia ishte plot me ujë, por nuk mbytej as nga uji as nga pesha. Kishim frikë se do e përmbysnin
dallgët, por ne ishim të vendosur në mënyrë simetrike nga të dyja anët dhe kështu e mbanim në
barazpeshë. Dallgët ishin të mëdha, por jo aq sa ta përmbytnin krejt gomonen”.

Kërkuat ndihmë?
“Ne kemi kërkuar ndihmë me celular. Disa prej nesh kishim celular dhe kërkuam ndihmë disa herë. Shumë
nga ne morëm në telefon që të na ndihmonim, por nuk erdhi askush”.
Kujt i kërkuat ndihmë?
“Kemi telefonuar dhjetëra herë policinë me shpresën se do të vinin të na ndihmonin. Por pas disa orësh që u
përpoqëm dhe pritëm të vinte ndokush të na ndihmonte, i humbëm shpresat”.

Pasi nuk iu përgjigj askush për ndihmë, çfarë menduat të bënit?


“Nuk kishim se ç’bënim më. Asnjë nga ne nuk kishte më shpresa”.

Çfarë ndodhi në gomone gjatë natës?


“Ishim të gjithë në gomone të lagur deri në palcë po nuk kishim ç´të bënim. Të gjithë kishim ftohtë, por dikë e
mundi edhe frika”.

Pe njerëz të vdisnin?
“Pashë shumë njerëz që vdiqën aty në gomone. Katër veta vdiqën në duart e mia, mes tyre edhe shoku im i
ngushtë Oli, që ishte djalë dëshiri (i vetëm). Unë po i jepja kuroja, duke i thënë qëndro, qëndro, por nuk ia
doli dot dhe mbylli sytë në duart e mia. Unë s´kisha ça me ba…”.

Të gjithë vdiqën nga i ftohti?


“Nga i ftohti, nga frika, disa i linte zemra në vend… nuk mundën me rezistu. Unë i shihja si binin me kokë në
ujë brenda gomones. Kishin vdekë…”.

A u hodh njeri në det?


“Jo, asnjë nuk është hedhur në det. Të gjithë kanë vdekë brenda gomones”.

Ti si rezistove?
“Nuk e di as vetë. Gjithë natën ishim me këmbë në ujë. Unë mbaj mend deri pas mesnatës, pastaj më ka
rënë të fikët e nuk kam ditë gja deri kur kam hapur sytë në spitalin e Vlorës”.

Kishte gomone tjetër?


“Jo, vetëm e jona”.

A e patë helikopterin që donte t´ju vinte në ndihmë?


“Ne e pamë helikopterin, e po bërtisnim që të na ndihmonte, por ata nuk na shihnin. Ishte e pamundur, ne
nuk kishim çfarë të bënim. Unë prisja vetëm të vdisja, asgjë tjetër”.

Nuk kishe më shpresë?


“Jo, nuk kisha asnjë shpresë, veç po prisja orën për me vdekë…”.

Tani si ndihesh? I ndjen këmbët?


“Jam mirë. Këmbët mund t’i lëviz”.

I mbijetuari
“Mos i tregoni familjes se Oli vdiq”

I mundësojmë telefonin për të komunikuar me familjen. Zërat në anën tjetër të receptorit e pyesin pa reshtur
në është vërtet ai. Avniu i siguron se është mirë. Biseda zhvendoset në tmerrin që ka parë me sy. Vdekjen e
shokut të ngushtë, Oli Jacaj. Ja një pjesë e bisedës me të motrën, Nazmijen.

Nazmija: Avni ti je?


Avniu: Po, po, unë jam. Jam mirë.
Nazmija: Je mirë me vërtet?
Avniu: Jam mirë, s´kam asgjë. Mos u shqetësoni.
Avniu: A ka marrë vesh familja e Olit se ka vdekë?
Nazmija: Pse ka vdekë?
Avniu: Po më vdiq në duar…
Nazmija: Jo, s´kanë marrë vesh.
Avniu: Aman mos i tregoni, mos i thoni gja nanës së Olit…

Mjeku: Avniu do ecë me këmbët e tij

Eshtë pacienti i parë i repartit të ri të djegie-plastikës, i inauguruar sot. E prisnin prej orësh në pavionin e ri
dhe ka mbërritur rreth orës 16.00 në QSUT. “Avniu do të ecë, nuk ka rrezik”, na siguron shefi i spitalit të
djegie-plastikës, Gjergji Belba. Megjithatë, sipas tij, ngrirja është në përmasa të mëdha dhe gjendja është e
vështirë. E konfirmon edhe mjekja Ira Kosturi. “Ngrirja dhe djegia është në masën 25 për qind. Pjesa më e
madhe është e ngrirë, pak është djegie”, thotë Kosturi. Ka të ngrira krejtësisht dhe paksa të djegura kërcijtë
dhe kofshët (ekstremitetet e poshtme). Djegia i është shkaktuar nga benzoli që është derdhur në gomone.
Por nuk ka marrë flakë. ”Djegia i ka përcëlluar paksa këmbët, por nuk është ky problemi kryesor”, thotë
Kosturi. Avniu nuk do të operohet, por po i nënshtrohet terapisë intensive në repartin e djegie-plastikës.

Motra e Avniut: Jemi keq ekonomikisht

Ende nuk e beson se i vëllai ka shpëtuar. “Më trego a është mirë… më thuaj të vërtetën”, na thotë Nazmije
Cekaj, motra e Avniut. Tregon se i vëllai është nisur edhe më parë drejt Italisë. Dy herë e kanë kthyer. Kjo
ishte tentativa e tretë. Nazmija thotë se Avniu ka marrë rrugët nga gjendja e keqe ekonomike. “Si jemi
ekonomikisht? Të lodhur shumë jemi, si me ken kur niset djali në mes të janarit”, thotë ajo. Të afërmit e
Avniut janë në Vlorë, ku presin 19-vjeçarin gjallë a vdekur. I njoftojmë përmes telefonit. “Ju lutem
ndihmojeni…”, apelon Nazmija.

Tragjedia e Vlorës

i mbijetuari 1

INTERVISTE/ Flet Gentian Metaj: Na digjte trupi nga kripa dhe benzoli i shpërndarë në ujë

“Vdisnin njëri pas tjetrit me lot në sy”

Rrëfimi i dhimbshëm i 24-vjeçarit që preku ferrin me dorë

Qemal Biraku

VLORE

Ia doli të shpëtojë i gjallë. Quhet Gentian Metaj (Kurbetaj). Eshtë vetëm 24 vjeç dhe ka përjetuar
ngjarjen më tragjike të tij. Ka paguar për të parë vdekjen me sy.

Vetëm falë forcës fizike ka arritur që të mbijetojë në makabritetin e fundit të ndodhur në ujërat e Jonit. Banor
i fshatit Guzhaj, në rrethin e Shkodrës, pasi e ka marrë veten pas 19 orëve qëndrim në ujë, ai mundohet të
rindërtojë edhe një herë të gjithë skenën makabre të natës së kaluar. Imazhet e njerëzve që vdisnin pa
pasur mundësi të flisnin, me lot në sy dhe të heshtur nga acari dhe trishtimi, ende janë të qarta në mendjen
e të riut që kërkonte një jetë më të mirë.

Gentian, kur u nise nga Shkodra dhe me kë u nise?


Jam nisur një ditë më parë me disa shokë të mi. Njëri prej tyre, kishte biseduar dhe lidhur muhabetin, me një
person nga Shkodra, cili do të na siguronte kalimin me gomone për në Itali, kundrejt një pagese prej 1 milion
e gjysëm (lekë të vjetra). Kur erdhëm në Vlorë, u mblodhëm në një lokal jashtë qytetit të Vlorës. Prej andej
na morën me një fugon dhe na çuan diku tjetër, diku midis gadishullit të Karaburunit dhe zonës së Dhërmiut.
Me gomone jemi nisur rreth orës 19.00.

Sa persona ishit në gomone?


Me saktësi nuk mund të them, por besoj se ishim rreth 35 persona.

Sa gra dhe fëmijë ishin në gomone?


Kanë qenë tri vajza dhe dy gra. Më duket se ishte edhe një fëmijë. Them më duket, se nuk shikonim mirë
nga errësira.

A e dinin prindërit e tu, që ti do të shkoje me gomone, për në Itali?


Jo absolutisht. Unë u thashë se do të shkoja disa ditë te kushëriri ynë në Vlorë dhe do të flija atje.

Çfarë ndodhi mbasi u shkëputët nga bregu?


Pasi hipëm në gomone, u ulëm të gjithë. Skafistat na porositën që të mbaheshim fort dhe të mos kishim
frikë, pasi deti ishte i trazuar dhe kishte dallgë të mëdha. Pasi zumë pozicione të gjithë, ku gratë i futëm në
mes të gomones për garanci, nisi edhe udhëtimi. Por arritëm që udhëtojmë vetëm disa milje, pasi në
gomone filloi të futej ujë. Pas rreth 30 minutash udhëtim u fikën të dy motorat e gomones. Në këto kushte ne
filluam të hiqnim ujë nga gomonia me se të mundnim, ndërsa skafistët mundoheshin të ndiznin motorat. Por
motorat nuk po ndizeshin, ndërkohë që gomonia sa vinte dhe mbushej më shumë me ujë. Ne u lodhëm së
hequri ujë dhe gomonia filloj të deformohej pak e nga pak. Pikërisht në këtë kohë na zuri paniku. Të gjithë
filluam të qanim dhe të bërtisnim, por skafistët mundoheshin të na qetësonin duke na thënë se dikush do të
vinte të na ndihmonte. Në këtë kohë, kanë marrë në telefon policinë dhe Distriktin Detar, ku i kanë kërkuar
ndihmë.

Çfarë përgjigje morët nga policia dhe Distrikti Detar?


Pasi ju thanë se ku ndodheshim, ata u përgjigjën se së shpejti do t’ju vimë në ndihmë. Por kaluan orë të tëra
dhe askush nuk na erdhi në ndihmë, deri në orët e para të mëngjezit të ditës së sotme. Kemi qëndruar rreth
orës 19 orë në det.

Si arritët të mbijetonit?
Të gjithë personat që mbijetuan kanë qenë në anë të gomones, ndërsa ata që kanë vdekur kanë qenë në
mes të gomones.

Cila ka qenë arsyjea që ata persona që ishin në mes të gomones kanë vdekur?
Gomonia u mbush me ujë dhe u përkul në mes ku u formua si gropë. Në këto kushte u ngjeshëm shumë
pas njëri tjetrit. Shumë prej nesh filluan që të villnin dhe t’u mbuloheje gjysma e trupit me ujë. Pak nga pak i
la fuqia dhe ranë tërësisht në ujë. Ata kanë vdekur nga të ftohtët, nga torturat e qëndrimit në gomone dhe
përplasjet e shumta. Ata që vdiqën, ishin të dobët fizikisht, si dhe gratë që nuk kishin fuqi të përballonin detin
e trazuar.

Ju i shikonit personat që po vdisnin? A mundët t’u jepnit ndihmë?


U munduam sa më s’ka. Por së fundmi, nuk kishim më fuqi për vete tonë. Ishte e tmerrshme të shihje njerzit
që na vdisnin në duar. Ishte e tmerrshme të shihje që njerëzit vdisnin një nga një, me lotë në sy, pa folur
asnjë fjalë. Mbasi shihnim që binin në koma, mundoheshim t’i mbanim me sa fuqi kishim që të mos na binin
në det. Krahas të ftohtit, filloj të na digjte trupi nga kripa dhe benzoli që ishte përzier me ujin në gomone.
Edhe teshat që kishim veshur filluan të na ngjiteshin për trupi. Më pas i hoqëm disa prej teshave të njomura
me benzol. Nga momenti në moment, prisnim që të na binte të fikët. Por kemi mbijetuar, duke i dhënë kurajo
njëri-tjetrit, duke shpresuar se shumë shpejt do na vinin për ndihmë.
Gjatë natës, pati anije ose helikopterë t’u afroheshin?
Jo, absolutisht jo. Nuk pamë asgjë. Fillimisht ndezëm disa rroba për të na parë dikush dhe të na ardjir në
ndihmë. Por askush, nuk na ka parë. Më vonë rrobat u lagën dhe s’kishim asgjë për të ndezur.

Kur u erdhën për ndihmë?


Sot në mëngjes, na erdhi mjeti i Guardia di Financës Italiane dhe më pas një anije shqiptare. Italianët na
morën dhe na futën në anije një nga një, duke u kujdesur në maksimum. Ata na mbështillnin me se të
mundnin. Ata që kishin vdekur i lanë në gomone dhe gomonen e lidhën dhe e tërhoqën nga pas vetes.

I takuat prindërit?
Po. I takova dy minuta sa u thashë që jam mirë dhe të mos kishin merak.

Çfarë të thanë prindërit?


Asgjë vetëm lëshuan lot. Mjekët i nxorën nga dhoma.

Përse ikët me gomone duke rrezikuar jetën?


Na ka detyruar jeta shumë e vështirë dhe fukarallëku. Nuk ka asnjë lloj pune te ne dhe të ardhura nuk kemi.
Mezi sigurojmë bukën e gojës.

Do ta provoni sërish të udhëtoni me gomone për në Itali?


Hë për hë jo. Por më vonë nuk i dihet. Ndosht mund ta provoj, por vetëm në se është ngrohtë dhe nuk ka
dallgë deti.

Si ndihesh tani që ke parë të vdesin 21 vetë?


Disa prej tyre dhe i njihja. Por dhe ata që nuk i kisha njohur më parë, tashmë më janë fiksuar në tru.
Momentet e torturës që po hiqnin dhe momentet që binin pa ndjenja, duke dhënë shpirt. Edhe në gjumë do
të më dalin ato skena të llatarshme, kur shihja njerëzit të vdisnin dhe nuk kishim asnjë mundësi që t’i
ndihmonim. Nuk do t’i harroj kurrë ato çaste, kur nga momenti në moment, shihje vdekjen me sy.

Kë falenderon që të shpëtoi jetën?


Në radhë të parë mediat, të cilat paskan bërë një punë të jashtëzakonshme, si dhe forcat italiane që na
gjetën dhe na shpëtuan jetën.

Moisiu: Trafikut s’i janë mbyllur rrugët

Kjo është një ditë zie për të gjithë shqiptarët. Kështu është shprehur dje Presidenti i Republikës, Alfred
Moisiu, në spitalin e Vlorës, ku kanë mbërritur të mbijetarit e gomones që shkaktoi 25 të vdekur dhe rrezikoi
jetën e 11 të tjerëve. Moisiu ka ndjekur hap pas hapi situatën e krijuar mbrëmjen në të cilën mbetën në
ujërat e Jonit 35 njerëz, duke pritur ndihmë për të shpëtuar. Ai ka mbajtur lidhje dhe u ka kërkuar
institucioneve përgjegjëse t’i përgjigjen menjëherë situatës kritike, duke marrë masat e nevojshme për
shpëtimin e jetëve të rrezikuara të qytetarëve të pafajshëm. Presidenti shqiptar ka ngushëlluar familjet e
qytetarëve që humbën jetën në incidentin e fundit me gomonet në Vlorë, duke e cilësuar këtë moment, një
ditë tragjike e zie për shqiptarët. Gjithashtu, ai i ka kërkuar organeve të drejtësisë të ndërmarrin hetime të
menjëhershme që, autorët, të cilët fshihen pas këtij akti kriminal, të përballen me ligjin dhe të marrin
ndëshkimin e merituar. “Tragjedia e fundit në det tregon edhe njëherë se trafikut kriminal nuk i janë mbyllur
të gjitha rrugët. Qeveria dhe institucionet e tjera përgjegjëse lipset të dëshmojnë akoma më shumë
vendosmëri e aftësi në luftën kundër trafikut klandestin”, thuhet në njoftim të institucionit të Presidencës.

Reagimi
Nano: Shteti do të veprojë mbi krimin

“Shteti ka vepruar me ashpërsi dhe do të vazhdojë të veprojë gjithnjë e më ashpër ndaj personave të lidhur
me krimin, pavarësisht nga posti dhe funksioni që ata kanë”. Kjo ka qenë deklarata e Kryeministrit Nano,
nga Turqia. Me anë të një mesazhi publik, kreu i qeverisë shqiptare u ka shprehur familjeve të viktimave të
datës 9 janar, ngushëllimet e tij të sinqerta. Ndërkohë, me anë të lidhjeve telefonike të shpeshta, Nano është
vënë në dijeni mbi ecurinë e ngjarjeve orë pas ore. Ai ka deklaruar se lufta kundër krimit do të thellohet më
tej. Ndërkohë, ai ka përshëndetur veprimin e vendosur të Ministrisë së Rendit në ndalimin e të dyshuarve,
duke i bërë thirrje drejtësisë që të tregohet ligjërisht e pamëshirshme me ta. Njëkohësisht, kreu i qeverisë ka
ftuar partitë politike dhe median që të jenë bashkëpunues në zbutjen e pasojave të kësaj tragjedie dhe të
mbështesin strukturat e policisë së shtetit në këtë luftë.

Faqja 2 - FAQE E PARE

Janar 11, 2004

INTERVISTE/ FLET ALEKS GURAZIU NGA SHKODRA


"Orët e ferrit në gomonen e vdekjes"
"Pak orë më vonë do kishim mbaruar të gjithë"

Nga Vlora Ferdinand Dervishi

Këmbët e Aleks Guraziut, njërit prej 11 të mbijetuarve të tragjedisë së radhës në ujërat e Jonit, u
treguan më të fortat. Dje pasdite ai u ngrit i pari nga shtrati në spitalin e Vlorës dhe kërkoi rrobat
për tu veshur. Ndërkohë në sheshin e trageteve, disa qindra metra më tej, mbërritën të pajeta, të
vendosura njëra mbi tjetrën si trungje, të veshura me atlete nga ato më të lirat, këmbët e
bashkëfshatërevë të tij, të cilat nuk qëlluan aq të forta. Dhe krahasimi i fatit të tij më të të tjerëve,
duket e kishte bërë 24 vjeçarin Aleks Guraziu edhe më të lehtë, madje në çaste të veçanta të
buzëqeshur. Ai i'a kishte hedhur. I'a kishte hedhur edhe pse në mbiemrin e tij e kishte shoqëruar
gjithë jetën ajo rrokja "zi". Prandaj edhe e ka të thjeshtë dhe me dëshirë të tregojë me atë fjalorin
e varfër historinë e vet. Është pikërisht ajo historia e njëjtë me ata që nuk mbijetuan dhe që tani
ndodheshin të futur në ata thasët e bardhë si prej mielli me këmbët dhe ndonjë dorë të tmerr-
shme, jashtë.

Kur u nisët nga Shkodra?


Nadje, në orën 08.00. Rreth orës 18.00 hipëm në një gomone 5-6 metra të gjatë.

Sa paguat për person?


Unë 1500 Euro.

Ku u nis gomonja?
Nuk e di. Jo atje ku jam nisur edhe një herë më parë.

Si ishte deti dhe sa rrugë bëtë?


Deti kishte dallgë. Kemi bërë rreth gjysëm ore rrugë. Pastaj mbetëm se u fikën motorrët.

Si vepruat për të kërkuar ndihmë?


Përdorëm celularët. Por ata u lagën dhe shpejt mbetëm pa lidhje.

I vutë re helikopterët dhe anijet që ju kërkonin?


Po. Anijet na janë afruar rreth 500 metra afër, por nuk na panë, ndërsa helikopteri na kaloi dy
herë mbi kokë dhe nuk na pa.
Ju nuk arritët t'i bënit shenjë?
Jo, vetëm bërtitëm sa kishin fuqi, por nuk na pa. Në atë kohë ishim të gjithë gjallë. Do kishim
shpëtuar të gjithë po të na kishin parë.

Nga se u shkaktua vdekja e të tjerëve?


Nga të ftohtit. Të gjithë vdiqën nga të ftohtit. Vetëm dy minuta para se të na kapte anija italiane,
vdiq i fundmi.

Pra askush nuk vdiq se ra në det?


Jo. Të gjithë ishim në gomone. Në det ranë disa nga ata që vdiqën nga të ftohtit.

Në ç'orë ju kapi anija italiane?


Nuk e di saktë. Do të ketë qenë nëntë apo dhjetë e paradites. Sikur të kishte ardhur pak orë më
vonë, do kishim vdekur të gjithë nga të ftohtët.

Flet Avni Ceka i mbijetuari me djegie që u kurua në Spitalin Ushtarak

"Ju tregoj si më vdisnin shokët në duar"


Avni Ceka nga Shkodra është një nga të mbijetuarit e tragjedisë së radhës në Vlorë, ku humbën
jetën 21 persona. Ceka rrëfen për gazetën orët e tmerrit në gomonen e vdekjes. Si u nisën nga
Shkodra drejt Vlorës, më pas në gomone, furtuna, fikja e motorëve, si i vdisnin shokët, të njohur e
të panjohur në duar, humbja e ndjenjave dhe së fundi rilindja, përsëri i gjallë, "falë zotit" thotë
Avniu, që është në qendrën spitalore "Nënë Tereza" duke u mjekuar.

Kur jeni nisur nga Shkodra?


Jemi nisur atë ditë që do shkonim në Itali. Isha bashkë me një shok timin, i cili më ka vdiq në
duar. Sapo kemi arritur në Vlorë kanë ardhur e na kanë marrë me furgon dhe na kanë dërguar te
skafi.

Sa kishit paguar për në Itali?


Kemi paguar nga 1400 euro. Paratë i kemi lënë te një njeri i besuar, që të dorëzoheshin kur ne të
mbërrinim në Itali.

Kur jeni nisur nga Vlora me gomone?


Jemi nisur rreth orës 18 të pasdites. Kemi bërë një gjysëm ore rrugë kur na janë fikur motorrat e
gomones dhe mbetëm. Dallgët ishin të mëdha, afro 5 metra. Ftohtë kishim.Shumë prej nesh nuk
e përballuam. Puna ishte të mos flinim. Ai ishte gjumi i vdekjes.

Lajmëruat kur u fikën motorët e gomones?


Ata që kishin telefona morën njerëz dhe kërkuan ndihmë. Morën policinë dhe njerëz të tjerë që i
njihnin. Britmat dhe ulërimat ishin të shumta. Ishte ferr i vërtetë, mezi qëndronim. Prisnim ndihmë
po nuk po dukej. Anije të shumta na kalonin pranë, ne therrisnim, por nuk na dëgjonin.

Po helikopterët?
Edha ata na fluturonin sipër kokës por nuk lëshonin projektorët mbni ne, mbase nuk na kanë
parë. Katër a pesë persona i detyroja të qëndronin në këmbë. Kishihn ngrirë. I fërkoja që të
ngroheshin. Por më tepër i ka lënë zemra nga frika. Shembeshin dhe i zinte gjumi. Ay kanë
vdekur. I fundit vdiq në duart e mia Oltioni, shoku im. Benzoli i motorrave përzihej me ujin e kripës
dhe na digjte.

Po skafisti?
Ai kërkonte që të hidhinim në det të vdekurit. Hodhëm çantat për të lehtësuar peshën e gomones.
Skafisti, kërkoi që të hidhnim trupat e të vdekurve në det. Unë nuk e lejova. Mendonim se do
vdisnim të gjithë.

Kur ke humbur ndjenjat?


Në mëngjes, pasi ka vdekur Oltioni, shoku im, kam marrë një komerdare dhe një jastëk shpëtimi
për t'u mbështetur. Më ka dalë gjumi, jam përmendur në helikopter dhe pastaj kur kam mbërritur
në spital në Tiranë. ba.ço

Faqja 4 - SPECIALE

Janar 11, 2004

PRONARI I SKAFIT DHA ALARMIN E TRAGJEDISE

Vdes njeriu që telefonoi TV


Artan Ramadani gjendet pa jetë mes viktimave

Gazmend Janku

Personi që dha alarmin në televizionin Top-Channel me numrin e celularit 0692070266 është


mbytur gjatë përpjekjeve për të mbijetuar. Emri i tij është Artan Ramadani dhe sipas të dhënave
nga burimet policore, rezulton të jetë një nga pronarët e skafit. Ndryshe nga tre pronarët e tjerë,
Ramadani kishte preferuar që të ishte vetë i pranishëm në udhëtimin e parë klandestin drejt
Italisë. Por fatkeqësisht ky udhëtim u kthye në një tragjedi, e cila i mori jetën 21 personave. Trupi i
pajetë i Ramadanit është identifikuar nga të mbijetuarit, pas mbërritjes së tyre në Portin e Vlorës.
Kanë qenë vetë të mbijetuarit, midis të cilëve dhe dy skafistët, që i kanë dhënë informacionin e
parë policisë mbi personin që kishte dhënë alarmin në Televizion, por që nuk mundi dot të
mbijetonte vetë, prej dallgëve dhe të ftohtit.

Hetimi
Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimet menjëherë sapo është sinjalizuar mbi rrezikun që u kanosej
dhjetëra klandestinëve në det të hapur. Prokurori i këtij rrethi, Petrit Çano, ka deklaruar se janë
lëshuar urdhërarrestet për tre pronarët e tjerë të skafit, të cilët janë shpallur persona në kërkim.
Ndërkohë që janë ekzekutuar urdhërarrestet edhe për dy drejtuesit e skafit, Artur Rrokaj dhe
Albert Alliaj. Gjithashtu, Prokuroria e Vlorës, për t'i paraprirë një hetimi sa më objektiv, po mban
kontakte të vazhdueshme edhe me Prokurorinë e Shkodrës, ku dyshohet se janë siguruar pjesa
më e madhe klandestinëve. Duke iu referuar ngjarjes tra-gjike, burime pranë Prokurorisë së
Vlorës kanë pohuar se dy skafistët dhe bashkëpunëtorët e tyre të ngushtë mund të rrezikojnë
burgim të përjetshëm, në bazë të nenit 110a të Kodit Penal, që parashikon trafikimin e njerëzve
me pasojë vdekjen.

Masat
Tragjedia në Detin Jon ka vënë në lëvizje edhe strukturën më të re të organit të akuzës, që është
Prokuroria e Krimeve të Rënda. Burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme janë shprehur se drejt
qytetit të Vlorës janë nisur disa prokurorë të Krimeve të Rënda, të cilët po e ndjekin nga afër
ngjarjen dhe po mbledhin provat e nevojshme për zbar-dhjen e saj. Gjithashtu, drejtues të organit
qendror të akuzës kanë dhënë urdhër që të nisin hetimet në të gjitha qytetet e klandestinëve, për
të zbuluar lidhjet dhe bashkëpunëtorët e këtij rrjeti trafikantësh.
Rendi falenderon Top-Channel e News 24

Ministri i Rendit Publik, Igli Toska, me anë të një mesazhi ka falenderuar mbrëmë televizionet
Neës 24 dhe Top-Channel për bashkëpunimin e ngushtë në përballimin e situatës në Detin Jon.
"News 24 dhe Top-Channel me kontributin e tyre u dhanë ndihmesë strukturave të Policisë së
Shtetit në detyrën për shpëtimin e njerëzve në detin Jon si dhe informimin e opinionit publik mbi
veprimtarinë e strukturave të shtetit", shkruhej në mesazhin falenderues të ministrit të Rendit, Igli
Toska. Duke marrë shkas nga ky precedent mjaft pozitiv, ministri Toska ka shprehur besimin e tij
që bashkëpunime të tilla të jenë prezente edhe në të ardhmen. Në këtë mënyrë, sipas Toskës, do
të garantohet një goditje më e fortë ndaj krimit të organizuar dhe parandalimeve të fenomeve të
tilla kaq tragjike për çdo shqiptar.

Informacioni që "mashtroi" motovedetën italiane

Rreth 15 persona ndodhen në brigjet e Karaburunit, mendohet të jenë klandestinët e mbijetuar".


Ky ka qenë informacioni i dhënë një prej motovedatave italiane, e cila është nisur menjëherë nga
Porti i Vlorës në drejtim të kordinatave të dhëna. Me shpresën se do të gjenin klandestinët e
mbijetuar, ushtarakët italianë, kur u janë afruar brigjeve të Karaburunit, kanë shquar se personat
në fjalë ishin policë shqiptarë. Këta të fundit, sipas të dhënave zyrtare të Komisariatit të Policisë
së Vlorës, kishin marrë urdhër që të kontrollonin të gjithë bregdetin ku mendohej se mund të
dilnin klandestinët e mbijetuar. Por moskordinimi i mirë i punëve ka bërë që ushtarakët italianë të
viheshin në kërkim të kolegëve të tyre shqiptarë, të cilët, gjithashtu, po mundoheshin të shpëtonin
jetë njerëzish.

Faqja 8 – SPECIALE Janar 11, 2004

VLORE 1998/ UDHETIMI IM DREJT ITALISE

"Unë, në tmerrin e gomones"


"Si "luftova" gati 5 orë në mes të Otrantos"

Granit Sokolaj

Dëgjoheshin vetëm motorrët e gomones, të Guardia di Finanza dhe zëri i një fëmije që bërtiste
me tmerr.Dhe askush nuk e ndihmonte dot. Edhe i ati e lëshoi. "O babë, o babë, na mbytën".
Ndërsa një gomone "valëvitej" në mexokanal, një pjesë e mirë e atyre që ishin në të (rreth 25
persona) s'e kuptonin çfarë po ndodhte. Detin e kishin parë vetëm në fotografi ose televizor. Ishin
nga Kosova. Të qarat e fëmijës më bënë të harroja se ku isha dhe çfarë po ndodhte në të vërtetë.
Të gjithë mbaheshim nga litarët anësorë të gomones, ndërsa në mes ishte ky djalë 10 vjeç. Një
pilot e një shoqërues i tij mundoheshin që t'i shpëtonin me çdo kusht skafit të Guardias, të cilin ne
nuk e shihnim. Na verbonte prozhektori i tij, i cili na shfaqej sa në një anë në tjetrën.
Mundoheshin të na kthenin mbrapsht, po ishte e kotë.

Nisja
Të gjitha këto skena ndodhnin më 18 gusht të vitit 1998. Bregdeti në Skelë (Vlorë) ishte kthyer në
një port gomonesh. Ndërsa pronarët e skafistët bënin pazaret në lokale luksoze, pilotët e
gomoneve i bënin gati ato. Unë dhe shumë të tjerë qëndruam për ditë të tëra nëpër shtëpi private
te Uji i Ftohtë, deri sa u rregullua deti. Ora shënonte 23.00. Këtë ditë kisha edhe ditëlindjen.
Mbushja 21 vjeç. Në fillim mendova se ishte koinçidencë e bukur. Por nuk munda ta festoj. Të
gjithë hapën qeset me ushqime. Edhe unë nxorra bukën. Në fakt po ushqehesha me oreks, kur
papritur u hap dera kryesore e shtëpisë. "Lërëni bukën e çohuni shpejt se do ikim. Pa zhurmë,
mos flisni". Nuk munda të marr as biskotat që i kisha blerë për t'i ngrënë kur të hidheshim
matanë. Ishin ata që na kishin premtuar të na e kalonin detin. Për pak sekonda u gjendëm në
kalatat e improvizuara të portit të gomoneve. Era e detit ishte përzier me erën e benzinës së
motorrëve dhe ende pa u nisur të krijonte një përshtjellim të sikletshëm. Askush nuk na pyeste se
si ndiheshim. Gomonet mbusheshin me radhë (rreth 25 persona secila) dhe niseshin. "Udha e
mbarë... Udha e mbarë", ishin urimet që jepeshin me tone nga më të ndryshmet. Ishte radha
jonë. "Shpejt, ngjeshuni, uluni", ishin thirrjet e atij që tashmë kishte ndezur motorrët. Një zhurmë
e fuqishme motorrësh dhe të uluriturat e frikshme tregonin nisjen. Maja e gomones ishte ngritur
përpjetë, ndërsa udhëtarët ishin "përshtjelluar" në fund të saj. Askush nuk ishte i zoti të mbahej.
Nga njëra dallgë në tjetrën hidhej gomonija, e cila shumë pak prekte në ujë. Dhe sa herë prekte,
diçka ndriçonte, dukej sikur lëshonte shkëndija. Pas pak minutash udhëtimi dritat e Vlorës nuk
dukeshin më. Nuk shikohej asgjë, as ujë e as tokë. Askush nuk e hapte gojën. Ecnim, vetëm
ecnim... nuk e di se për ku. Gëzimi që po ikim jashtë shtetit ishte zbehur. Papritur shpresa
rindizet. Diku larg, shumë larg, u duken disa drita. "Dritat e Italisë", tha dikush. U gëzova shumë.
M'u duk sikur ankthi mbaroi. Në të vërtetë, këtu filloi tmerri.

Tmerri
Ne ecnim dhe dritat largoheshin. Për një momenti gomonija ndaloi. Motorrët u fikën. "Askush të
mos lëvizë dhe të mos flasë sa t'i hedhim karburant", na urdhëruan. Ishte qetësi, një qetësi e
frikshme. Dëgjohej vetëm përplasja e dallgëve me gomonen. Kur serbatori thuajse ishte mbushur
me benzinë, përbri nesh ndizet një prozhektor i fuqishëm. Për të qindat e sekondit gomonija
ndizet e niset. Pas nesh vinte motovedeta. Ndërsa bidoni me benzinën e mbetur kishte nisur të
derdhej te këmbët tona. Skafistët nuk donin të dorëzoheshin. Madje, nuk ecnin mbrapsht, por
drejt Italisë. Modovedeta na zinte rrugën, ndërsa gomonija kthehej në vend. Aq shumë, sa anët e
saj hynin në ujë. Ulërima. Të bërtitura grash. Të qara bebesh. Mua më vinte zor të bërtisja. Mbeta
i ngrirë. Më dukej si një film, fundi i të cilit nga minuti në minutë më interesonte gjithnjë e më
shumë. Me mua ndodheshin në gomone edhe 9 persona të një familjeje, nga foshnja 5-6
muajshe, deri te një plakë mbi 70 vjeçe. Më shumë se të gjithë bërtiste djali. Ai i thërriste për
ndihmë t'et, por edhe ky i fundit e kishte humbur fillin. Secili prej nesh mundohej të mbahej nga
litarët, ndërsa fëmija ishte në mes, i ulur mes ujit të kripur dhe benzinës. Bërtiste nga frika,
bërtiste se i digjnin të ndenjurat. Ne na digjnin këmbët. Kurse duart na ishin bërë gjak. Gomonija
nuk ndalonte. Skafistët e kthenin atë drejt Sazanit (ishim shumë afër tij), me qëllim që vetë të
bënin ndonjë manovrim e motovedeta të përplasej në shkëmbinjtë. Kjo nuk ndodhi. Në një
moment kujtova se tmerri mbaroi. Kishim ndaluar, ndërsa modovedeta u duk sikur u largua. Por,
sa hap e mbyll sytë, ajo ndezi prozhektorin pranë gomones ku ndodheshim. U duk sikur na goditi
në mes, por ishte vetëm për të na trembur. Pas saj, një dallgë në bëri qull. Gomonija ku
ndodhesha u nis sërish. Kësaj radhe drejt Vlorës. Skafistët u "dorëzuan" në këtë betejë. Djali nga
Kosova sërish qante. Jo me të ulëritura, por me dënesë. Nuk kishte më fuqi të bërtiste. Dhe, u
qetësua vetëm kur mbërritëm sërish në gjiun e Vlorës, në 05.00 të mëngjesit. Isha i rraskapitur, i
lodhur për të qenë i lumtur se kisha shpëtuar mirë, pas orësh të tëra në mes të detit. Ajo natë
mos ardhtë kurrë!

Faqja 10 – SPECIALE Janar 11, 2004

SHIFRAT E VDEKJEVE NE VITE

Otranto, 166 të vdekur nga '97-ta


Tragjeditë që ka shkaktuar ëndrra italiane
Karolina Risto

Endrra italiane deri tani ka marrë shu-më jetë shqipta-rësh. Dhjetëra skafe e gomone kanë çuar
nga brigjet tona në ato italiane shqiptarë në kërkim të një jete ndryshe. Por jo të gjitha skafet
kanë arritur të përfundojnë udhë-timin. Shumë prej tyre kanë mbetur në mes të rrugës. Në disa
raste skafistët kanë shpëtuar pasi kanë qenë ata vetë që i kanë hedhur klandestinët në det për të
shpëtuar. Megjithatë, historia përsëritet e përsëritet pa fund. Në momentin e parë kur një skafist
vendos të ndërmarrë një udhëtim të tillë "klientët" i ka gjithmonë gati. E në disa raste ata kursejnë
me vite për të paguar një udhëtim të tillë, që shpesh i çon drejt vdekjes.

28 mars 1997
Këtë ditë pa dyshim ka ndodhur tragjedia më e madhe që bëri të vishen me të zeza qindra nëna e
motra vlonjate. Anija Kateri i Radës u nis nga brigjet e Vlorës e mbushur me klandestinë. Por në
Kanalin e Otrantos mjeti lundrues shqiptar u përplas me një tjetër anije luftarake italiane.
Përfundimi ishte i tmerrshëm. 56 persona, mes të cilëve burra, gra e fëmijë u mbytën. Forcat
italiane arritën të nxjerrin vetëm 4 trupa. Ndërsa trupat e tjerë u nxorën nga fundi i detit vetëm në
muajin tetor. Mbytja e tyre përvec lotëve ngjalli edhe shumë zemërim. Shoqata e prindërve të
viktimave akuzoi italianët se ia kishin vrarë djemtë me qëllim. Gjyqi vazhdoi për muaj të tërë.

21 nëntor 1997
Një skaf me 16 klandestinë niset nga Durrësi në drejtim të Italisë. Por një defekt në motor bën që
skafi të shpërthejë dhe si skafisti, ashtu edhe 16 klandestinët përfundojnë të mbytur në det.
Policia megjithëse kreu disa hetime nuk arriti arrestojë asnjë për këtë ngjarje, megjithëse pronarët
natyrisht që ishin të lirë.

30-31 dhjetor 1999


Një nga një, shumë nëna vlonjate, shkodrane dhe nga rrethe të tjera të vendit denoncojnë në
polici: Na janë zhdukur djemtë. Pasi grumbullon të gjitha dëshmitë policia arrin në përfundimin se
një gomone me 59 klandestinë është zhdukur në mes të detit. Askush nuk arrin të nxjerrë trupat
dhe 59 nëna i qanë djemtë e tyre me varre bosh.

4 maj 2000
Vetëm 4 milje larg brigjeve të Salentos zhduken 15 klandestinë. Policia italiane arrin të gjejë
vetëm 14 kufoma. Askush nuk kreu ndonjë hetim të hollësishëm për të mësuar se përse
përfunduan në fund të detit.

13 mars 2003
Ky ka qenë një nga rastet e rralla kur kanë shpëtuar mrekullisht nga mbytja 24 veta që
gjendeshin në bordin e një gomoneje. Forcat e kufitare të Durrësit, grupi 28 Naval dhe një
helikopter i Guardia di Finanza i kanë nxjerrë nga deti ata pas shumë orësh kërkimi. Gomonia të
cilës iu prishën motorët ishte nisur 24 orë më parë nga pylli i Divjakës dhe kishte mbetur në det të
hapur e të trazuar 5 milje larg bregut. Edhe në këtë rast ata u shpëtuan pikërisht nga italianët.

25 mars 2003
Prindërit e dy skafistëve njoftojnë për zhdukjen e dy djemve të tyre që ishin nisur me gomone nga
Vlora me 20 klandestinë. Fati i tyre nuk u mësua.

18 prill 2003
Një skafist pëson defekt në mes të detit dhe braktis 23 klandestinë. Ata u shpëtuan më pas nga
policia.
Avni Cakaj, 18 -vjeçari nga Shkodra është sjellë me helikopter në Tiranë dhe kurohet në repartin e
djegieve

Rrëfimi: Si më vdiq kushëriri në duar


Mjekët: Djegie në masën 25% në kofshë e kërcinj, ngrirje dhe gjendje shoku

Bruna Prifti
shekulli
Ai vetëm në spitalin e Vlorës ka kuptuar se ka qenë me shumë fat që i ka shpëtuar
gjallë tmerrit që pa me sy natën e së premtes. Kur kushëriri i tij, i vetmi i afërm në
gomone i vdiq në duar, ndërsa trupi i kishte ngrirë nga i ftohti. Avni Cakaj, 18-
vjeçari nga Shkodra është njëri prej të mbijetuarve të tragjedisë së gomones që
mbeti peng i motorit të prishur e dallgëve të larta në afërsi të Karaburunit. Në
gjendje më kritike se të tjerët, por jashtë rrezikut për jetën, ai është sjellë me
helikopter nga Vlora, dje pasdite rreth orës 16.00 në Qendrën Spitalore “Nënë
Tereza” për t’u kuruar në repartin e djegieve. Tërësisht i tronditur, madje sipas
mjekëve i traumatizuar, me shumë djegie e në gjendje thuajse të ngrirë, fillimisht
nuk ka mundur të belbëzojë asnjë fjalë. Sipas Petro Mersinit, shef kabineti pranë
Ministrisë së Shëndetësisë, që ka bërë dhe shoqërimin e të mbijetuarit, ai nuk parqet
rrezik për jetën. “Pacienti është i traumatizuar dhe ka djegie kimike në pjesë të
ndryshme të trupit, të shkaktuara nga djegia e karburantit”,- tha Mersini, i cili shtoi
se në varësi të gjendjes së të mbijetuarve të tjerë do të bëhet ose jo dërgimi i tyre
në Tiranë.
Rrëfimi
Në gjendjen që është fytyra e tij thuajse e skuqur nuk mundet dot të shprehë as
gëzimin që është sërish në jetë e as dhimbjen për atë që ndodhi. Është i shokuar.
Avniu 18 -vjeçar, tregon se nisja e gomones është bërë aty rreth orës 20.30 minuta
dhe vetëm pas afër gjysmë ore është vënë re problemi që kanë pasur me motorin.
Shumë shpejt paniku i ka mbërthyer të gjithë, ndërsa telefonatën dhe thirrjen për
ndihmë e ka bërë shoqëruesi i klandestinëve të hipur në gomone. “Ndihmë kërkuam
shumë herët, por vetëm kur pamë të zbardhte dita morëm vesh se po na afroheshin
për të na ndihmuar”,- tha ai. Sipas tij, ndihma i ka ardhur diku nga ora 5 e
mëngjesit kur dita sa ishte duke zbardhur. “Më tej nuk mbaj mend asgjë se çfarë ka
ndodhur”,- thotë ai dhe shton se kur ka hapur sytë e është përmendur, ka qenë i
rrethuar nga mjekët e spitalit të Vlorës. Mësohet se ai nuk ka pasur pjesëtarë të
tjerë të famijes së ngushtë në gomone, por vetëm një kushëri, i cili mjerisht nuk
mundi dot t’i bënte ballë tragjedisë. “Kushëriri më vdiq ndër duar”,- thotë ai duke
treguar me ndërprerje të shumta e zë të avashtë se i afërmi i tij humbi jetën nga i
ftohti e vdiq i ngrirë. “Gomonia nuk u përmbys, ajo qëndroi mbi det, por vetëm u
mbush me shumë ujë”,- tregon 18- vjeçari, teksa pyetet nëse u përmbys gomonia
apo jo. Sa për tentativat për të shpëtuar vetë, sipas tij ishte e pamundur, deti ishte
me dallgë shumë të larta dhe uji akull i ftohtë.

Mjekët: Djegie 25% në kofshë e kërcinj

Sipas shefit të repartit të djegieve, Gjergj Belba, ku po kurohet Avni Cakaj,


përjashtohet rreziku për jetën. Përpos traumatizimit që ka pësuar, pacienti ka djegie
në 25% të pjesës së trupit, të lokalizuar dukshëm në pjesën e sipërme të kofshëve
dhe në kërcinj. Djegia ka ardhur si pasojë e “luftës” që është bërë me karburantin e
motorit. Ndërkohë që djegia është shoqëruar edhe me ngrirje të këtyre pjesëve
trupore për shkak të të ftohtit. Sipas mjekëve, gjendja është e vështirë, por fiziku i
mirë dhe forca e 18- vjeçarit japin shumë shpresa për kapërcimin e shpejtë të
situatës.

11/01/2004

Gjini dhe Ela, një muaj martuar, vdesin të ngrirë


Të sapomartuarit Gjin dhe Ela Grishaj kanë lajmëruar të parët policinë. Nuk mundën të shpëtonin

Shekulli

VLORË - Ora 17.00. Deti tërbohet edhe më keq, gjatë kohës kur anija me 20 trupat e
të mbyturve lëvizte ngadalë drejt bregut. Qindra vetë i kishin drejtuar sytë nga kjo
anije, ndërsa koha e keqe përsëriste legjendën e dhimbshme. “Deti nuk i lëshon
lehtë të mbyturit. Një tufan i tillë mbahet mend në Vlorë që prej kohës që nga deti
janë nxjerrë viktimat e Otrantos”,-thotë një punonjëse në Portin të Vlorës. Anija
ushtarake i afrohet portit. Në bordin e saj dallohen qeset plastike me trupat e
fatkeqëve, trupat e atyre që tentuan të sigurojnë një punë, një të ardhme, por që
ëndrrat iu varrosën në fund të detit. Ministra, deputetë, titullarë policie, që vetëm dy
ditë më parë kishin garantuar se trafiku i klandestinëve ishte në nivelin zero,
rreshtohen në pritje të anijes së vdekjes. Qeset e bardha me trupat e të mbyturve,
të rreshtuar njëri mbi tjetrin, mbulojnë një pjesë të kuvertës së anijes.
Të mbyturit
Mesditën e djeshme, 20 trupat e të mbyturve u nisën pas 11 personave të mbijetuar,
drejt portit të Vlorës, ndërkohë që pesë persona rezultojnë të zhdukur. Pak minuta
pas rrugëtimit mortor mbi gomonen që shkaktoi tragjedinë, një urdhër vendosi që
trupat pa jetë të dërgoheshin fillimisht në Sazan. 20 trupat e gjetur në det janë bërë
gati për ceremonitë mortore në ishullin e Sazanit dhe më pas u sollën në Portin e
Vlorës. Të mbyturit e “paketuar” në qeset plastike u zbritën një e nga një prej anijes,
për t’u dërguar më pas në morgun e Vlorës. Ky ka qënë edhe momenti më i
dhimbshëm i tragjedisë. Dhjetëra familjarë, të ardhur për gjithë natën nga Shkodra,
Malësia e Madhe e Laçi presin të tmerruar ambulancat me trupat e të vdekurve.
Secili prej familjarëve është interesuar disa herë në spitalin e Vlorës, me shpresën se
njeriu i tij i kishte shpëtuar tragjedisë. E pasi siguroheshin se të afërmit e tyre nuk
ishin gjallë, ata rreshtoheshin përballë portës së morgut, për të gjetur të paktën
trupin pa jetë.
Rrëfimet
Tashmë për ata nuk ka më asnjë dyshim. Të sapomartuarit Gjin dhe Ela Grishaj janë
nxjerrë të vdekur nga ujërat e Jonit. Kishin vetëm një muaj që ishin martuar edhe
pse njëri ishte 20 vjeç dhe nusja e tij 19. Çifti i të rinjve është ndarë nga kjo jetë
duke u lënë amanet të afërmëve që të mos mërziten shumë. Xhaxhai i të mbyturit,
Gjin Grishaj, tregon për “Shekullin” se nipi i tij ka qenë i pari që ka dhënë alarmin
për çka po ndodhte në gomone. 20-vjeçari ka telefonuar nga numri i tij i ri i celularit,
rreth orës 19.15 tek telefoni i xhaxhait të tij për të kërkuar ndihmë se ishin në rrezik.
Pas marrjes së telefonatës së parë, ata kanë nxituar që të lajmërojnë një mikun e
tyre në policinë e Lezhës të jepte alarmin në strukturat e rendit dhe të ndihmonte të
rrezikuarit. Pas kësaj telefonate duket se ka qenë ky punonjës i policisë së Lezhës që
ka vënë në lëvizje shefat e tij, të cilët janë lidhur me eprorët dhe kolegët e tyre. Pas
telefonatës së parë, ata kanë marrë sërish një telefonatë të dytë ku Gjini i ka thënë
troç se jeta e tyre është në fund. “Po mbytemi, por ju mos u mërzisni se nuk keni se
ç’të bëni” I riu u ka kërkuar disa herë familjarëve të tij që të mos mërziten për
gjëmën që po i ndodhte dhe më pas dhe nga çifti i ri Grishaj nuk ka pasur më asnjë
njoftim. Ata i kanë rënë qindra herë më pas numrit të tij të telefonit, por më kot. Dy
të sapomartuarit janë janë sjellë së bashku me 18 persona të tjerë të mbështjellë
me thasë plastikë në morgun e spitalit të Vlorës për t’u identifikuar nga familjarët e
tyre.

11/01/2004

Për viktimat, sot lule në lumin Buna


Anila Dushi

SHKODËR - Drejtuesit lokalë të Shkodrës janë mbledhur pasditen e djeshme në


mjediset e bashkisë, lidhur me tragjedinë e ndodhur të premten në mbrëmje, ku
thuhet se 19 prej viktimave janë nga Shkodra dhe Malësia e Madhe. Megjithëse për
këtë mbledhje është lajmëruar KESH-i takimi është zhvilluar me qirinj, për shkak të
mungesës së energjisë. Në takim u vendos që sot të ndërpritet çdo aktivitet artistik
dhe nesër në orën 12:00 të hidhen lule në lumin Buna. Drejtori i policisë së
Shkodrës, Asllan Dogjani, tha se janë shoqëruar disa persona, të cilët dyshohet se
janë ndërmjetës dhe pjesë e rrjetit të këtij trafiku klandestinësh. “Për njërin prej
tyre, emri i të cilit nuk jepet pasi rrezikohet hetimi, është dokumentuar aktiviteti i tij
si sekser për të siguruar klandestinë”,- tha Dogjani.

11/01/2004

Faqe 5 - Aktualitet 12Janar 2004

Tragjedia e Vlorës

flet i mbijetuari

Fatbardh Pepnikaj nga Shkodra tregon orët e tmerrshme në mes të detit. Si arriti të durojë
deri në mëngjes

“U nisëm me furgon nga Tirana”

I mbijetuari i fundit në spitalin e Vlorës: Qëndronim në këmbë

Nga të dërguarit tanë


Ka mbetur vetëm në reanimacionin e spitalit të Vlorës. Fatbardh Pepnikaj, është vetëm 18 vjeç, por tre ditë më
parë, ka luftuar me vdekjen. Ka marrë plagë djegieje në këmbën e djathtë. Gjatë orëve të vona të ditës së
djeshme është shoqëruar për në shtëpi nga forcat e policisë.

Ai rrëfen për gazetën ”Panorama”, të gjithë rrugën me detaje që ka përshkuar deri në momentin e tmerrit.

Fatbardh i keni treguar familjes se do të niseshit për në Itali me gomone?


Jo nuk i tregova, sepse e dija se nuk do të më linin që të shkoja. Nuk isha shumë i bindur për t‚u nisur, pasi
edhe në Shqipëri nuk kam lëvizur shumë, por gjithçka ndodhi rastësisht. Ndërsa po kaloja pranë vendit ku
nisen edhe furgonat për të shkuar në kryeqytet, dikush që nuk e njihja m’u afrua dhe më tha nëse kisha
dëshirë të nisesha për Itali. Ai mund të më ndihmonte duke më gjetur një gomone të sigurtë. Mbaj mend se
bashkë me të ishte edhe një shoku im, dhe kur pashë edhe atë, u binda edhe më tepër se mund të ishte e
sigurtë. Nuk mendova gjatë dhe shkova tek një i afërmi im, i mora 300 euro borxh për t'ia kthyer brenda
javës. Më pas, jam kthyer tek të njëjtët persona që kisha takuar dy orë më parë dhe kemi hipur në një furgon
dhe jemi nisur për në Tiranë.

Me të njëjtin furgon udhëtuat deri në Vlorë?


Jo, me furgonin që u nisëm në Shkodër, kemi qëndruar deri në Tiranë, më pas kemi pritur rreth një çerek
ore, derisa ka ardhur një furgon tjetër më i madh dhe i mbyllur, me ngjyrë të bardhë.

Ku zbritët nga furgoni i parë?


Në të njëjtin vend ku ndalojnë të gjithë furgonat e Shkodrës, tek vendi i quajtur ”Zogu i Zi”.

Sa persona keni hipur tek furgoni i dytë?


Tek furgoni i dytë kemi hipur të gjithë që disa orë më vonë kemi qenë edhe në gomone.

E mbani mend se sa veta ishit?


Po, mund të them se ishim përafërsisht 35 persona.

Si mundët të qëndronit në të njëjtin furgon të gjithë?


Kemi qëndruar në këmbë dhe shumë të ngjeshur mes njëri-tjetrit. Nuk kemi lëvizur fare deri në Dhërmi.

Po, pasi zbritët nga furgoni?


Më pas, kemi parë bregun e detit, gomonen dhe skafistët që na thonin: shpejt… shpejt!.

Po më përpara i kishit parë skafistët?


Jo, vetëm në atë moment.

Po lekët kush ua mori?


Unë në fakt, kam patur vetëm 300 euro, më pas një person do të më shoqëronte deri tek dajat që i kisha në
Milano, për të marrë edhe pjesën tjetër.

Nuk i tha ndonjëri prej jush skafistëve që moti ishte i keq dhe se nuk duhet të niseshin?
Para se të hipnim, nuk foli asnjëri, por më pas, kur hymë në det, shumë nga ne filluan të kishin frikë nga
dallgët e mëdha dhe i kërkuan skafistëve që të ktheheshim. Por ata nuk na dëgjuan, na thanë se e dinin
vetë se kush ishte rruga më e mirë.

Po më pas çfarë ndodhi?


Më pas në fillim, u fikën motorrat. Ndenjëm disa minuta pa motorra të ndezur, ndërkohë që dallgët sa vinin
dhe bëheshin më të mëdha. Kur skafistët e panë se motorrat nuk kishin ndërmend të ndizeshin, ata e
kuptuan rrezikun dhe filluan të bënin telefonata duke kërkuar ndihmë. Gjithashtu, edhe benzoli po derdhej
dhe gomonia po mbushej me ujë. Pastaj filloi tmerri, njerëzit që i digjte benzoli, të tjerët që binin në ujin e
ftohtë, ndërsa unë mbahesha fort tek litarët që ishin anash gomones.

Kishte gomone tjetër përveç asaj ku ndodheshit ju?


Jo, nuk ka patur asnjë gomone tjetër.
Po sa persona ranë në det?
Mund të kenë rënë gjashtë, ose shtatë persona.

Kishte femijë?
Ishin dy vajza një 16-vjeç dhe tjetra 18 vjeç, dhe një djalë 15 –vjeç. Nuk mbaj mend të ketë patur më të
vegjël.

Qemal Toto, 80 vjeç shpjegon shkaqet që sollën tragjedinë e 9 janarit

Flet marinari: Ja ku kanë gabuar skafistët


“Ujku i detit”: S’kemi mjete për të tilla situata

Ka punuar marinar më tepër se 40 vjet. Është 80 vjeç, e quajnë Qemal Toto. Ai natën e tragjedisë e ka
përjetuar më shumë se të gjithë, pasi gjithë jetën ka qenë detar dhe e njeh mirë detin. Sipas tij, personat në
atë gomone e kishin vështirë të shpëtonin, për shkak të motit të keq dhe vendit ku ndodheshin. Ai nuk
harron të përmendë edhe pasojat e mungesës së mjeteve të specializuara për flotën tonë. 80-vjeçari
shpjegon për gazetën ”Panorama”, të gjitha arsyet e ndodhjes së tragjedisë pranë brigjeve të Karaburunit.

Si detar i vjetër që jeni, a mendoni që personat që ndodheshin në gomonen mund të shpëtoheshin po qe se


ndërhyrja e policisë apo flotës detare do të kishte qenë më e shpejtë?
Personat që ndodheshin në gomone natën e së premtes nuk mund të shpëtoheshin dot. Ndërhyrja më e
shpejtë ndaj tyre ishte pothuajse e pamundur, për shkak se ishte natë. Moti ishte shumë i keq si dhe deti
ishte 6 ballsh. Përveç gjithë këtyre faktorëve që ata nuk i kanë patur në favor të tyre, edhe fakti që gomonia
iu mbush me ujë gjithashtu, ka ndikuar për mbytjen sa më të shpejtë të personave që ndodheshin në atë
gomone. Policia e kryen detyrën e saj, por në tokë, në det ajo ka shumë mangësi dhe para kësaj situate, ajo
ka qenë e papërgatitur. Njëkohësisht, policia dhe flotës tonë i mungojnë mjetet e specializuara, për të tilla
situata. Ata persona që u mbytën do t‚i kishte shpëtuar vetëm ”Dragamina” e madhe që ekzistonte në kohën
e qeverisjes së monizmit. Ndërsa italianët kishin mundësi, pasi ata kanë anije të mëdha të specializuara,
pikërisht për të tilla situata.

A mendoni se radari e ka kapur gomonen?


Dëgjoj edhe në televizion mendime të ndryshme. Unë jam i sigurtë që radari e ka kapur shenjën e gomones,
në momentin kur kjo e fundit ka dalë në det. Por nuk duhet të harrojnë edhe mundësinë që radari mund ta
ketë kapur si sinjal, por varet se sa të vëmendshëm kanë qenë personat që mbajnë përgjegjsi për sinjalet e
radarit.

Ekzistonte mundësia e shpëtimit të viktimave po qe se do të kishin ndërhyrë skafistët?


Të gjithë skafistët duhet të ndalohen nga policia. Sepse, aq koka njerëzish që ka marrë deti që pas viteve
90-të, nuk janë vrarë as edhe në luftën e dytë botërore. Skafisti është pirat. Deti është mbret më vete.
Vërtet, atyre mund t‚iu duket vetja se ia kanë marrë dorën detit, por në këtë rast, edhe ata nuk do të kishin
mundur dot t’i shpëtonin. Unë kam qenë në shtëpinë time, isha i mbuluar me kuverta dhe përsëri ndjeja
ftohtë, ndërsa ata që ishin në det e kishin të vështirë të mbijetonin.

Po përse atëhere ka patur edhe të mbijetuar nga tragjedia e së premtes?


Ata që kanë mbijetuar kanë patur organizmin më të fortë ndaj të ftohtit dhe ujit. Unë kam ndenjur gjithë atë
natë zgjuar dhe i kam ndjekur minutë pas minuti të gjitha të rejat e fundit rreth ngjarjes.

Përse qëndruat zgjuar?


Po nuk ka se si të më zërë gjumi mua në të tilla situata, pasi unë jam detar dhe e di çështjen e detit. Di që
shpeshherë, kur niseshin skafistët për rrugë, e shikonin motin në televizor. Duke ditur motin, ata përcaktonin
edhe se sa ballsh ishte ai. Edhe atë natë, ata djem kanë dalë në det jo të sigurtë në vetvete. Por nuk merret
rruga me 38 persona, duke mos ditur se nëse do të përfundosh në bregun tjetër, apo jo.
A mund të kishte dalë gomonia në bregun e Karaburunit?
Është e pamundur që gomonia të dilte në breg, sepse deti në atë anë është i prerë thikë, nuk ka anë si këtu
tek uji i ftohtë.

Sipas rregullave detare, për sa ditë mund të dalin kufomat në breg të detit?
Kjo nuk dihet e sigurtë, mund të rrijë një ditë, dy, ndoshta nuk del në sipërfaqe edhe asnjëherë. Mund të
dalin edhe në Korfuz. Zakonisht, rrymat i çojnë kufomat që kanë dalë në sipërfaqe nga veriu. Kjo varet nga
rryma, pasi rryma është rrymë, është erë.

Faqe 2 - Aktualitet 13Janar 2004

Tragjedia e Vlorës

denoncimi

SHKODËR/ Fran Prenga, burri dhe vëllai i dy viktimave, akuzon shtetin për tragjedinë e
klandestinëve

“Kam prova se vdiqën me dashje”

Dëshmia: Me gruan kam folur deri në orën 08.00 të mëngjesit

ROLAND NIKOLLI

SHKODËR Panorama

“Qeveria nuk ka dashur që t´i shpëtojë njerëzit që ndodheshin në go-mone. Ata janë munduar që të mbyllin të
vërtetën, për të mos e marrë vesh ne çfarë ka ndodhur”.

Fran Prenga është personi që dje ka varrosur dy njerëzit më të afërt të tij, që humbën jetën në tragjedinë e
fundit të Otrantos: gruan e tij Liza, nënën 40-vjeçare të tre fëmijëve ende të vegjël dhe të vëllanë, Arbenin,
vetëm 24 vjeç. Dhimbja e dyfishtë e ka bërë që të akuzojë drejtëpërdrejtë shtetin për këtë tragjedi. Sipas
Franit, ai ka mundur që të flasë me gruan e tij deri në orën 08.00 të mëngjesit të së shtunës, por thotë se
mosdëshira e shtetit për të vepruar në kohë, ka bërë që ajo të vdesë në mes të ujërave të Jonit. Në shtëpinë
e Prengajve, në Laç të Vaut të Dejës, janë mbledhur qindra vetë, duke i shprehur atij ngushëllimet e rastit. I
zoti i shtëpisë, bashkë me gruan e vdekur tashmë, nuk i kishin rinovuar dokumentet që të shkonin rregullisht
në Itali, prandaj Liza kishte zgjedhur si rrugë për bashkimin me fëmijët, atë të udhëtimit tragjik. Vetë Frani,
bashkëshorti dhe vëllai i dy viktimave rrëfen për gazetën çastin kur mori vesh pragun e tragjedisë dhe
përpjekjet për të shpëtuar njerëzit e tij. Ndërkohë, ai ka shprehur dyshimet e tij për shkakun e djegies së
njerëzve të tij, duke akuzuar skafistët se ata ia kanë dhënë flakën drogës që kishin me vete, për të mos u
zbuluar.

Kush jua dha lajmin se gruaja juaj dhe vëllai ndodheshin në ujërat e detit Jon?
Ka qenë një telefonatë nga një i afërm në Tiranë. Unë menjëherë jam lidhur me telefon me Arbenin në orën
18.00 të darkës dhe na ka thënë që jemi në gomone dhe po mbytemi, por lajmëroni policinë. Unë kam hyrë
në kontakt me gruan dhe më tha që kemi ecur rreth një orë, por na janë prishur motorrët e skafit.

Deri në ç’orë keni pasur lidhje me vëllanë tuaj?


Kam pasur gjatë gjithë natës dhe me gruan kam folur edhe në orën tetë të mëngjesit.

Cila ishte biseda e fundit?


Nuk më tha se vëllai ka vdekur, por më tha se jemi në mesin e ujërave dhe kërkoi ndihmë. Unë në këtë kohë
kisha shkuar në Vlorë dhe isha në kontakt duke biseduar më zv.drejtorin e policisë, i cili mesa di ishte nga
Korça. Atij unë i kam kërkuar gojarisht nëse është nisur ndonjë anije apo avion për t´u ardhur në ndihmë
njerëzve që po mbyteshin. Ai m´u përgjigj që po merret drejtoria me këtë punë dhe se, ata nuk kishin hyrë
në lidhje, pasi sipas zv.drejtorit gomonia ndodhej në ujërat italiane. Menjëherë une unë bisedova me
kunatën në Itali, të cilës i thashë që të lidhej me gruan me telefon, pasi ajo kishte skedë telefonike italiane.
Pas dy minutash, ndërsa unë vazhdoja rrugën me zv.drejtorin më merr në telefon kunata dhe më thotë se
nuk lidhemi dot, por shikoni se janë në ujërat shqiptare. Sipas saj, stacionet italiane kishin transmetuar
lajmin se, janë në ujërat e shtetit shqiptarë dhe anija përveç klandestinëve ka dhe sende të tjera. Në këtë
kohë unë ia them këtë zv.drejtorit, kur një person që ishte fare afër nesh fillon të flasë në telefon gjatë gjithë
rrugës. Më pas u ndërprenë të gjitha lidhjet telefonike.

Ju dyshoni se ky person që po bisedonte i ka prerë lidhjet telefonike?


Po, po, ky person. Unë jam i bindur se ka lidhje qeveria për këtë punë se ajo nuk ka dashur t´u vijë në
ndihmë njerëzve që po mbyteshin. Po kështu, ata janë munduar që të mbyllin të vërtetën, për të mos e
marrë vesh ne. Madje, jeni ju medja që keni shpëtuar edhe të njëmbëdhjetë përsonat e tjerë. Unë shikoj
vëllanë edhe gruan të vdekur që kanë shenja djegie në trup dhe në fytyrë, por jo në flokë apo vetull. Të
afërmit e mi janë djegur qëllimisht, prandaj unë kërkoj hetime për këtë problem dhe dua të flas para
deputetëve dhe qeverisë. Unë kërkoj ndëshkimin e kriminelëve. Të afërmit e mi nuk janë djegur me rroba,
por me ndonjë gjë tjetër. E dimë edhe ne se ç´është djegia. Për këtë më dhemb shpirti më shumë.

Çfarë mendoni se kishte të ngarkuar gomonia veç klandestinëve?


Drogë.

Ju e dinit se me kë ishin nisur të afërmit tuaj?


Përderisa kisha gruan dhe vëllanë, po. Unë nuk e dija se si ishte deti. Unë dy herë kam vajtur vetë me skaf,
një herë edhe me gruan. Ne kemi katër vjet e gjysmë që punonim së bashku në Itali. Para pak muajsh më
parë ne ishim kthyer nga atje.

A kishit dokumente?
Po, kishim unë edhe gruaja. Gjashtë muaj më parë më vdiq babai dhe erdhëm për të bërë varrimin. Ne
kishim dorëzuar letrat në Itali për rinovim dhe nuk kishim letra për të vajtur, pasi ishim në pritje të marrjes së
letrave. Kjo ishte edhe arsyeja që vëllai dhe bashkëshortja u nisën në Itali.

Sa vite martesë keni?


Jam i martuar që nga viti 1989 dhe kam tre fëmijë, Kristianin, 13 vjeç, Kristianën, 12 vjeçe dhe Aurelin, 8
vjeç.

Përse kërkoni që ju të flisni para deputeteve?


Vetëm të tregoj të vërtetën dhe dua që përgjegjësit e këtij krimi të përgjigjen para ligjit dhe të mos fshihen
nga ana e qeverisë. Pasi krimi është i përbashkët me ta.

Arbeni ishte i martuar?


Jo, ishte 24 vjeç, i pafejuar dhe i pamartuar. Por as unë, as Arbeni dhe asnjë pjestar i familjes nuk kemi ku të
punojmë. Kjo na bëri që të shkojmë drejt Italisë. Edhe për papunësinë unë bëj me faj qeverinë dhe shtetin.

Flet xhaxhai, Gjeto Prenga


“Skafistët dogjën drogën në gomone”
“Përse viktimat i dërguan në Sazan e jo në Vlorë?” Ky është dyshimi që ka brejtur gjatë këtyre ditëve të zisë
xhaxhanë e viktimës, Gjeto Prenga. Sipas tij, fakti që kunata ka qenë gjallë deri në orën 08.00 të mëngjesit
tregon se ata kanë qenë ende në jetë deri në kohën kur i ka gjetur policia.

E dinit që familjarët tuaj do të niseshin për në Itali?


Jo, ata më thanë që do të ikim në Tiranë, por ndoshta edhe për të mos na bërë merak.

Nga e mendoni se është shkaktuar djegja?


Unë mendoj se ata janë djegur jo nga flakët e zjarrit, por ashtu si i thashë edhe kryetarit të Partisë
Republikane, Fatmir Mediu, që ishte për ngushëllim, nga ndonjë lëndë tjetër. Pasi në skafe them se ka pasur
drogë. Dhe për të mbuluar drogën e kanë djegur atë dhe sëbashku me të edhe të afërmit e mi.

Përse mendoni se janë djeguar nga droga?


Unë këmbëngul që ata janë djegur qëllimisht nga lëndë kimike ose droga. Fshatar jam, por e shikoj dhe e di
sesi të bëjnë rrobat kur të djegin trupin. Përderisa nuk kam një bazë, pasi kufomat shikohen se nuk kanë të
djegur as flokët, as vetullat, por pjesë të trupit, që u kanë djegur kriminelët. Unë them që këta kriminelë janë
të lidhur me shtetin e korruptuar, pasi nuk ka mundësi ndryshe. Në vend që kufomat dhe të mbijetuarit t´i
dërgojnë në spital, i dërgojnë në Sazan. Ata kanë dashur që t´i vrasin të gjithë, por mediat kanë mundur të
bëjnë presion për të mos i zhdukur të gjithë. Madje unë nuk besoj se të afërmit e mi kanë mbërritur të vdekur
në bregdet, pasi i vëllai i tyre ka biseduar me ta deri në orën tetë të mëngjesit. Deri në këtë orë nuk ka pasur
asnjë lloj ndihme.

Faqja 3 - FAQE E PARE Janar 14, 2004

PILOTI: MJAFTONTE NJE SINJAL DRITE


Klandestinët mund të shpëtoheshin
Në gomone ishin fishekzjarre alarmi të papërdorura

Nga i dërguari ynë në Vlorë Ferdinand Dervishi Gazeta Shqiptare

Të gjithë klandestinët që humbën jetën në gomonen e vdekjes do të ishin të gjallë, nëse skafistët
do të kishin përdorur për të lajmëruar helikopterët apo anijet disa fishekzjarrë që gjendeshin në
bordin e saj. Në këtë përfundim nuk ka ardhur grupi hetimor i çështjes, por një kameraman i
grupit të xhirimit të televizionit News 24. I cili duke marrë pamje nga gomonia e tragjedisë, ka
fiksuar edhe tre fishekzjarrët specialë që mendohet të kenë qenë nëpër këmbët e viktimave apo
në ndonjë "xhep" të gomones. Sipas specialistëve, të cilët u morën më vonë më këtë zbulim të
kameramanit, fishekzjarrët ishin të papërdorur dhe në gjendje pune. Bëhet fjalë për një lloj
fishekzjarri, i cili mbahet gjithmonë në mjetet e lundrimit nga ekuipazhet për tu përdorur në rast të
kërkimit të ndihmës apo në rast katastrofe. Një mjeti të tillë nuk është e nevojshme t'i vësh flakën,
pasi aktivizohet vetë me heqjen e kapuçit. Sipas dëshmisë së kameramanit dhe të specialistëve,
fishekjzjarrët ishin të prodhuar në gusht 2003 në Greqi dhe skadonin në gusht 2006. Ata kishin të
paraqitur me shkrim dhe me skicë në letër edhe mënyrën e përdorimit. Por përse këta
fishekzjarrë nuk janë përdorur nga skafistët apo viktimat, mbetet ende mister.

Dëshmitë e të mbijetuarëve
Njëri nga të mbijetuarit e tragjedisë, Aleks Guraziu nga Shkodra, pohoi për Gazetën se në dy
raste helikopteri u kishte kaluar mbi kokë, por nuk kishin mundur t'i tërhiqnin vëmendjen, pasi
vetëm kishin bërtitur. Ai sqaroi se në atë kohë ata nuk kishin mundësi të bënin shenjë me dritë,
pasi ishin krejtësisht të lagur. Ndërkohë kërkimet në gomonen e tragjedisë kishin gjetur edhe një
elekrtik dore, por me bateri të shkarkuar. Sipas specialistëve, nëse në momentin kur në afërsi të
gomones ishin afruar në kërkim disa motovedeta dhe helikopteri, zbrazja e një fishekzjarri të tillë
do të kishte bërë të besohej se në det ishte një gomone që kërkonte ndihmë dhe tragjedia do
ishte shmangur. Sipas specialistëve flaka e lëshuar nga një mjet i tillë mbi det, shihet nga dhjetra
milje larg.

Piloti i helikopterit
Xhuzepe de Salvo, piloti i helikopterit të NATO-s, njeriu që i pari pa gomonen e tragjedisë dhe
lajmëroi anijen italiane për të shkuar pranë saj, ka qenë ai që u habit më shumë nga të gjithë pas
mësimit të faktit se në gomone ishin gjetur tre fishekzjarrë në gjendje pune. "Sikur të kishin
ndezur një të vetëm, tani do të ishin të gjithë të gjallë", pohoi piloti italian gjatë një kontakti me
Gazetën. Njeriu që ka bërë një numër fluturimesh rekord me helicopter (1800 orë), tregoi se pas
dhënies së alarmit të premten në darkë, ishte nisur nga Durrësi me një mjet të zakonshëm
ushtarak, në një kohë kur teknikisht atë natë fluturimi nuk lejohej, për shkak të erës me shpejtësi
80 km/orë. "Flutorova rreth 2 orë (21.00-23.00) mbi detin Jon në vendin nga ishte kërkuar
ndihmë, por nuk vura ra asnjë shenjë të vetme. Ah sikur të kishin bërë qoftë një shkëndijë", flet
me dhimbje piloti, i cili mëngjesin e së nesërmes është nisur sërish në vendngjarje duke dhënë i
pari sinjalin për gjetjen në orën 08.50 të ditës së shtunë.

Faqja 2 - FAQE E PARE


Janar 14, 2004

INTERVISTA/ FLET 20-VJEÇARI AVNI CAKAJ

"Helikopteri kaloi mbi kokat tona"


I mbijetuari: Nuk kishim me se të sinjalizonim

od.ha

TIRANE

Sikur flaka që ka mbajtur në duar gjatë minutave fatale të kishte shërbyer për diçka, Avni Cakës,
një nga mbijetuarit e tragjedisë së Karaburunit, s'do i digjnin kaq shumë plagët e trupit. Do t'i
kishin gjetur para se të përvëlohej me benzol dhe para se të numëronte kaq shumë jetë të
vdekura që i shuheshin m'u para syve. "Atëherë nuk kishte asgjë rrotull nesh", belbëzon ai, duke
kujtuar dhe një herë momentet kur janë munduar të ndriçojnë terrin rreth tyre derisa drita e
llambës që ngrinin me sa kishin fuqi lart u mpak, u tulat dy herë gjersa…ata të gjithë panë t'i
mbështillte dallga e nata. Pak më vonë dëgjuan uturimën e helikopterit, që fshikullonte ajrin e
lagësht mbi det sipër kokave të tyre, "dhe anijet që na kaluan dy herë 100 metra larg nesh, as ato
nuk na panë". Këto ishin momentet më tragjike, kur thirrjet optimiste përfunduan në ofshama
dëshpërimi, s'u mbeti veç të prisnin vdekjen, një nga një. 20 vjeçari nga Shkodra, pohoi dje për
Gazetën se si vetëm dy orë pas avarisë në motor kanë ndjerë t'u kalojë pranë anija e parë, pastaj
një tjetër, më pas uturima e helikopterit, që është sjellë dy herë rreth tyre, pa dobi. Ishin në terr, pa
dritë, edhe yjet fshiheshin pas reve në atë natë të stuhishme dimri. Askush s'i gjet derisa zbardhi.
Në gomone të gjithë ishin më shumë të vdekur se të gjallë, edhe ata që këto ditë kanë lënë
spitalin.

Avni, kur u nisët nga bregu me gomone dhe sa udhëtuat?


Në ora 6 e gjysëm. Udhëtuam gjysëm ore. Pastaj u prishën motorët. Mbetëm në mes të detit.

Ishte vetëm një gomone?


Unë vetëm një kam parë. Nuk e di a ka pasur gomone tjetër. Në të ishim rreth 30 vetë.

Kur e patë veten në rrezik dhe çfarë bëtë?


E pamë pasi u prishën motorët. Skafistët morën në telefon dhe lajmëruan policinë, lajmëruan
Vlorën. Pastaj na thoshin e na jepshin kurajë "do vijnë, do vijnë të na shpëtojnë". Prit e prit deri në
mëngjes, pasi vdiqën mbi 20 persona…

Kë telefonuan skafistët, policinë apo njerëz të njohur të tyre?


Njerëzit e tyre, ata njoftuan për herë të parë policinë. Pastaj morën televizionet.

Ju kur e dëgjuat për herë të parë helikopterin afër?


Nuk e mbaj mend mirë, orë s'kishim me vete. Por duhet të ketë qenë rreth 3 e natës.

Dëgjuat helikopterin apo zhurmë anijesh, motovedetash?


Dëgjuam helikopterin, se anijen e pamë më përpara. Dy orë pasi e pamë veten në rrezik kaloi
rreth 100 metra afër nesh anija e parë. Kërkuam ndihmë dhe ata nuk na dëgjuan.

Po skafistët a hodhën ndonjë sinjal drite në këto momente për të treguar që ju ishit aty?
Vetëm një dritë kanë ndezur. Më përpara. Edhe drita sa u mbarua bateria dhe ajo u fik. Dhe ne
mbetëm krejt në errësirë pa asgjë. Kur dëgjuam anijen dhe helikopterin nuk kishim më ç'të
ndiznim, s'kishim me çfarë të bënim dritë.

Sa herë e keni dëgjuar helikopterin të kalojë mbi ju, një herë apo dy herë?
Dy herë, kurse anija ka qenë para helikopterit afër nesh. Edhe anijen dy herë e kemi dëgjuar,
mund të ketë qenë një anije që ka kaluar dy herë, apo dy anije këtë s'e di. Po i kemi numëruar
mirë xhirot e tyre, se këtë prisnim, ky ishte shpëtimi.

Faqja 8 - SPECIALE
Janar 14, 2004

RAPORTI "SHEMBJA E MITEVE TE MIGRIMIT"

Emigracioni, ne si marokenët
Historitë dramatike të shqiptarëve përtej kufijve

Odeta Halili

TIRANE

Shqiptarët që shpërthyen ambasadat në '90-ën, që mbushën tragetet për t'u zbrasur në brigjet
matanë, atëkohë menduan se ranë muret që na ndanin me botën dhe se ishin të lirë… Sot më
shumë se asnjëherë ata dhe të gjithë ne ndjejmë se ndahemi nga fqinjët dhe Europa ndërsa
përjetojmë dramën e radhës. Sa vështirë për të emigruar! Ikjet masive janë copëzuar në udhëtime
më të shpeshta të shpejta, skëterrë në terr, fshehtas, të gjitha bashkë e kanë tejkaluar kushedi sa
herë eksodin e madh të '91-it. Kohë që frymëzoi firmën gjigande të veshjeve "Beneton" për të
riprodhuar një pikturë të një anijeje rrezikshmërisht të madhe të mbipopulluar me emigrantë
shqiptarë duke mbërritur në bregun italian. Fanepsje që i ka rezistuar kohës (mëse 1 dekadë!)
veçse tashmë duhen portretizuar skafe "hajdutë" që çajnë ferrin e përvidhen brigjeve. Raporti
"Shembja e miteve të migrimit", përmbi copëzat e një historie që të gjitha bashkë bëjnë dramën e
madhe të emigracionit shqiptar, thotë se për sa u takon "humbjeve" të popullsisë për shkak të
ikjeve jemi të parët në botë bashkë me Meksikën e Marokun. Në faqet e studimit zë vend ndër të
tjera aventura e një shqiptari drejt Anglisë, tmerri i skafit, uria, kërcënimet, udhëtimi brenda një
tubi në maune…

Historia
"Jeta në Shqipëri ishte e pasigurtë, nuk mund të punoja, as nuk mund të kurseja, nuk dija ku të
shkoja…U përpoqa 4 herë të shkoja në Itali me gomone nga Vlora. Isha i frikësuar të shkoja
përsëri me gomone pas herës së parë që rashë në ujë. Provova si ndiheshe të ishe në det. Isha
shumë pranë vdekjes disa herë. Udhëtimi ishte 90 për qind i pasigurt. Qëndrova 8 muaj në Itali
dhe kërkova punë kudo, nuk gjeta. Kisha vetëm tre zgjedhje, të isha vagabond dhe të vidhja, të
isha me fat që të kisha dikë-e pamundur, të kisha një vajzë që të punonte për mua si prostitutë.
Vendosa të shkoj në Zvicër në këmbë. Kalova përmes një mali që ishte i mbrojtur me njerëz të
armatasur dhe qen. Ata qëlluan, por isha me fat. Eca 12 orë. Isha në një stacion treni në Zvicër.
Doja të më kapte policia të më paguante biletën për Zyrih, por jo. Fjeta jashtë. Të nesërmen bleva
biletën dhe u nisa për Gjermani. Atje nuk e pranuan aplikimin tim për kamp dhe më kthyen në
Zvicër, ku më kërkuan të largohesha sërish dhe u ktheva në Itali. Policia më ndaloi 5 herë në
kufirin italian. Kisha vetëm pak para. Kur arrita në Itali, kërkova punë dhe flija ku të më zinte nata.
Fjeta dy javë jashtë. Askush nuk më ndihmoi. Harxhova të gjitha paratë. Kjo ishte hera e parë në
jetën time që më bëri të harroj ç'më kishte ndodhur më parë. Tre ditë pa ngrënë, pa ujë, pa cigare.
Shkova në një fshat në veri të Italisë, afër Milanos dhe trokita në derën e një shtëpie për të
kërkuar bukë. Një e moshuar më dha 2 kilogramë makarona, por ajo nuk e dinte se unë nuk kisha
ku t'i gatuaja. Pastaj gjeta një grua tjetër që më dha pak bukë e djathë. Koha më e vështirë në
jetën time ishte kur duhej të lypja bukë. Jetova dy javë në fushë, në ndërtesa të vjetra që
braktisen gjatë dimrit. Haja salcë domatesh dhe pija uthull, i gjeja në ndërtesa vetëm sa për të
pasur diçka në stomak. Kërkova punë kudo dhe nuk munda të gjej. Shkova në Breshia, eca 5 ditë
për të arritur. Atje më ushqeu një prift, si të ishte babai im. U takova me shqiptarë të tjerë që më
ndihmuan të lidhesha me një kushëririn tim në Angli. Ai më dërgoi para që të nisesha për atje.
Problem nuk ishte policia, por bandat shqiptare që mbulonin çdo segment. M'u desh të shkoja në
Francë. Shkova në Kanë, pastaj në Paris pas 20 orësh udhëtimi. Më pas në Calais (port) ku një
bandë shqiptare më kërkoi 1.000 marka. Kur panë se s'kisha ç'të paguaja veç po të më vrisnin,
më lëshuan. U ngjita vetë në maune, kur pashë ca dokumenta në pjesën e prapme të maunes
dhe kuptova ku po shkonte, kapa fjalën "destination". Kamioni transportonte rroba. Kishte një tub
të madhe në mes. Unë hyra aty dhe mbulova fundin etij me rroba. S'më pa njeri. Gjer kur zbrita.
Aty më mbajtë 40 ditë në burg, pastaj më lanë. Që atëherë jetoj në Londër."

Si u sulmuan ambasadat në '90

Gjatë muajve Qershor-Korrik të vitit 1990 rreth 5 mijë shqiptarë kërkuan azil në ambasadat e
vendeve perëndimore në Tiranë, kryesisht në atë gjermane. U lejuan të shkojnë në Perëndim. U
liberalizua dhënia e pasaportave nga autoritetet shqiptare dhe pasoi një eksod në shkallë të
vogël. Në total nga "pushtimi i ambasadave" deri në në fillim të vitit 1991 lanë vendin rreth 20 mijë
shqiptarë.

Vitet '90, ikin 300 mijë shqiptarë

Kaosi që mbizotëronte deri në zgjedhjet e para demokratike në Sghipëri (fituar nga komunistët)
çoi në eksodin eparë me anije të njerëzve drejt Italisë Jugore. Në mars '91 rreth 25 mijë
emigrantë mbërritën në itali. Një eksod i dytë ndodhi në Gusht, por shumica u riatdhesuan. Në një
shkallë të madhe filloi eksodi drejt Greqisë si dhe migrimi klandestin drejt Italisë. Gjatë '91-'93 nga
vendi u larguan 300 mijë shqiptarë.

Viti '97, nisin historitë tragjike

Shembja e firmave piramidale çoi vendin në trazira politike dhe ekonomike e deri në prag lufte
civile në disa zona të vendit. Një tjetër eksod pasoi në pranverë të '97-ës. Fillimisht u pranuan
10.600 shqiptarë në Itali, por më tej migrimet nëpërmjet detit ktheheshin mbrapsht, në disa raste
përfunduan tragjikisht. Vazhduan kalimet e paregjistruara përmes kufirit grek. Ndërsa u shtuan
shqiptarët në Francë, Gjermani e Belgjikë.

Faqja 18 - GAZETA E SHKODRES Janar 20, 2004

83-VJEÇARI KISHTE 4 DITE PA NGRENE

Vdes gjyshi i çiftit të humbur në gomone

Brikena Shllaku
Trëndafile Visha

SHKODER

Dhoma e nuses së re në shtëpinë e familjes Grizhaj në Kelmend të rrethit të Shkodrës është


kthyer në dhomë zie. Fotografitë e çiftit të ri, të cilët shijuan vetëm tre muaj martesë shikojnë që
nga muri njerëzit e shumtë që vijnë t'u japin zemër të afërmëve të tyre për gjëmën që u ka rënë
mbi shpatulla. E ndërsa Gjini dhe Ela nuk janë as gjallë as vdekur (nuk janë gjendur trupat e tyre),
morti ka goditur sërish këtë familje. Kryefamiljari Fran Grizhaj ka ndërruar jetë dy ditë më parë.
Ishte i fundit që mori vesh për lajmin e hidhur të tragjedisë së 9 janarit në Vlorë. Për disa ditë,
asnjë nga pjesëtarët e familjes Grizhaj nuk kishte guxuar të trondiste pleqërinë e tij. Me shpresën
se mos djali dhe nusja ishin gjallë, ata kanë shmangur vetëm për pak kohë kureshtjen e plakut të
shtëpisë. Por lajmi mori dhenë dhe televizori nuk reshti për viktimat lulëkuqe të detit të zi. Kur
gjyshi i 20-vjeçarit të humbur ka mësuar për ngjarjen nuk ka folur asnjë fjalë, nuk është ankuar
dhe as ka vënë kujën. Ashtu në heshtje ai ka përcjellë ditët pa ngrënë e pa pirë. Si lis i moçëm ai
është thyer në dysh nga dhimbja e revolta e brendshme, derisa dy ditë më parë ai ka dhënë
shpirt, i përvëluar nga malli për nipin që u bë dhëndër deti e për nusen që nuk u bë nënë. Grizhaj
është përcjellë në banesën e fundit për të lënë hapur për zi portën e shtëpisë së tij. Sipas zakonit,
familja Grizha ka njoftuar të gjithë të afërmit e tyre në të gjitha zonat për zinë që u ka rënë.
Ngushëllimet për dy të rinjtë vijojnë që nga e premtja e kaluar. Deri atë ditë të afërmit kishin pritur
se mos gjendeshin kufomat e tyre, por tashmë shpresa dhe bashkë me të buja e tragjedisë janë
shuar. Rrëfimet e të mbijetuarve e ditët që ikin kanë lënë pas vetëm një shije të hidhur. Gjini i ka
telefonuar për të fundit herë vëllait të tij të vogël, kur ishte në gomone. "Ela mbaroi, tashi edhe
unë ndoshta...". Janë thënë këto fjalë dhe telefoni është fikur. Njëri prej të mbijetuarve u ka
treguar familjarëve të çiftit të humbur se Gjini me Elën ishin afër njëri-tjetrit në gomone dhe se 20-
vjeçari po bënte të pamundurën që t'i jepte zemër nuses së tij. Ky është dhe imazhi i fundit i
dhimbjes së fillim janarit të këtij viti. Larg këtij trualli një dhimbje e tillë. Kështu duket sikur thonë
vështrimet e banorëve të fshatit Vukel të Kelmendit.

You might also like