You are on page 1of 12

Tema II

Gjeografia, lëndë për edukimin botëkuptimor e profesional. Puna me faktet dhe konceptet
gjeografike

Mësimdhënia e gjeografisë në sistemin e lëndëve profesionale.


Objekti i gjeografisë dhe arsimit tonë për edukimin e brezit të ri.
Mënyra pedagogjike dhe mënyra shkencore.
Fazat e zhvillimit mendor të fëmijëve.
Studimet e interesave të fëmijëve në gjeografi.
Krahasimi i interesit në aspektet humane dhe fizike të gjeografisë.
Interesi komercial.
Interesi në hartat.
Interesi në marrëdhëniet.
Motivi social.

Një hap më tej


Ç’është gjeografia dhe pse duhet studiuar?
Mbështjellësi gjeografik.
Çfarë s’është gjeografia?
Përse shërbejnë njohuritë gjeografike?
Ç’është gjeografia dhe pse duhet studiuar?

Në orën e parë të mësimit të gjeografisë, nga mësuesi kërkohet, të thotë se ç’është gjeografia. Për
arsimtarët e matematikës, të fizikës ose të biologjisë, për shembull, nuk paraqet asnjë vështirësi
përkufizimi i shkencave në fjalë, sepse objekti i studimit të këtyre shkencave është i përcaktuar
qartë. Ndërkohë, arsimtari i gjeografisë duhet të përpëlitet, sepse nuk ekziston një përkufizim i
shkurtër i gjeografisë, së paku jo i tillë, që ta pranonte shumica e gjeografëve. Përkufizimet e
shkurtra, si ato “gjeografia është shkenca e gjeosistemeve” ose “gjeografia është shkenca e
landshtafeve”, nuk kanë kurrfarë kuptimi për fëmijët dhe nuk i sjellin asnjë dobi mësuesit të
gjeografisë.
Me planetin tonë, nga këndvështrime të ndryshme, merren shumë disiplina shkencore, qëllimi i
të cilave është studimi i gjithanshëm i Tokës: gjeologjia, gjeofizika, gjeokimia, gjeodezia dhe, në
fund, gjeografia. Secila prej këtyre disiplinave shkencore ka fushën e përcaktuar qartë të studimit
të Tokës si objekt kryesor i studimeve të veta.
Vetë fjala gjeografi do të thotë përshkrim i tokës, d.m.th. gjeografia është konsideruar fillimisht,
si shkenca që merret në përshkrimin e Tokës, ose me vizatimin e Tokës, siç e ka konceptuar, për
shembull, Ptolemeu. Zhvillimi gradual sasior dhe cilësor i gjeografisë solli diferencimet e saj të
brendshme, por edhe zhvendosjen e pjesëve të fushave të saj të studimit në fushat e tjera, sot
disiplina të pavarura shkencore.

Sot, gjeografia është shkencë e pavarur në kufirin midis shkencave natyrore, shoqërore dhe
teknike. Është e pamundur të jepet një përkufizim njëkuptimësh i gjeografisë edhe për arsye,
sepse ekzistojnë shumë përkufizime të ndryshme. Me dallime më të mëdha apo më të vogla,
midis tyre mund të veçohen pikat e mëposhtme të përbashkëta:
Gjeografia është shkencë, sepse studion realitetin dhe arrin tek njohuritë e reja;
Gjeografia studion vetëm një pjesë të planetit tonë;
Gjeografia merret me studimin e shtrirjes territoriale të dukurive të caktuara në Tokë dhe me
studimin e zhvillimit të tyre në kohë;
Gjeografia studion lidhjet midis objekteve në Tokë dhe përpiqet të zbulojë ligjësitë që
përcaktojnë shtrirjen e këtyre objekteve në Tokë;
Gjeografia merret si me objektet dhe dukuritë natyrore, ashtu edhe me njeriun, me veprimtarinë
dhe ndikimin e tij mbi natyrën.
Në bazë të të gjitha këtyre që u përmendën, gjeografia mund të përkufizohet, si shkenca që
merret me studimin e marrëdhënieve midis sistemit të mjedisit natyror dhe sistemit të shoqërisë
njerëzore në hapësirë dhe në kohë, ose si shkenca që merret me studimin e gjeosistemeve dhe
ndarjen e tyre në hapësirë e në kohë.

Mbështjellësi gjeografik
Mbështjellësi gjeografik i Tokës është objekt studimi i gjeografisë. Pra, gjeografia, sikurse edhe
çdo shkencë tjetër, ka objektin e vet të studimit. Respektivisht, dy ose më shumë shkenca nuk
mund të kenë të njëjtin objekt studimi. Në të vërtetë, midis gjeografëve ekzistojnë dallime të
dukshme në mendimet, se cili është objekti i studimit të kësaj shkence. Ndërkohë, këto dallime
janë më shumë të natyrës terminologjike, d.m.th. gjeografët nuk pajtohen përgjithësisht për atë,
se si duhet quajtur objekti i studimit të shkencës së tyre, ndërsa më pak me atë, se ç’gjë në thelb
studion ose duhet të studiojë gjeografia, respektivisht sistemi i shkencave gjeografike.
Në gjeografinë klasike, për objektin e studimit të shkencës së gjeografisë, është përdorur termi
sipërfaqja e Tokës. Dhe menjëherë ka pasuar shpjegimi, se nuk është fjala për sipërfaqen në
kuptimin matematikor (hapësirën dydimensionale me gjërësi dhe gjatësi), por për shtresën
sipërfaqësore tredimensionale të Tokës; pra, për mbështjellësin sferik, i cili, përveç gjerësisë dhe
gjatësisë, ka edhe lartësinë, përkatësisht trashësinë-forcë. Duhet thënë, se një konceptim i tillë i
sipërfaqes së Tokës përfaqëson në thelb objektin e studimit të gjeografisë. Sipas kësaj, termi
tradicional sipërfaqja e Tokës, është plotësisht adekuat për objektin e studimit të gjeografisë. Por,
ai është braktisur në botë dhe, gjithsesi s’duhet ripërtërirë.
Profesori S.Ileshiq thotë: “Gjeografia është bërë shkenca për sipërfaqen sferike të Tokës
(gjeosferën) dhe për pjesët e saj të veçanta (zonat dhe rajonet)”. Pra, objekt i studimit të
gjeografisë është sfera sipërfaqësore e Tokës. Por, atë nuk mund ta quajmë gjeosferë, sepse kemi
disa gjeosfera.
Mbështjellësi gjeografik i Tokës është termi më i shpeshtë që përdoret në literaturën gjeografike
sovjetike për objektin e studimit të gjeografisë. Konceptin mbështjellës gjeografik i Tokës e ka
futur dhe trajtuar imtësisht akademiku gjeograf sovjetik A. A. Grigoriev në vitin 1937. Ai
përfaqëson sferën sipërfaqësore më të ndërlikuar të planetit tonë, e cila, për nga përbërja dhe për
nga ndërtimi, dallohet nga të gjitha sferat e tjera të Tokës. Mbështjellësi gjeografik i Tokës është
formuar dhe zhvillohet nën ndikimin e forcave të brendshme tokësore (telure), të forcave të
jashtme diellore (solare) dhe të forcave kozmike në përgjithësi. Në të kontaktojnë, ndërthuren
(gërshetohen me njëra tjetrën) dhe zhvillohen me ndikimet më të ngushta reciproke atmosfera,
hidrosfera, litosfera dhe biosfera, duke formuar një tërësi unike të pandashme. Trashësia-forcë e
këtij mbështjellësi është 20-30 km; nga sipërfaqja fizike e Tokës shkon në thellësi afro 11 km (në
oqeane), ndërsa në lartësi 9-18 km (kufiri i sipërm i troposferës).
Komponentët përbërës të veçantë të pjesës së mbështjellësit gjeografik (atmosfera, hidrosfera,
litosfera dhe bisofera) studiohen nga shumë shkenca. Por, si tërësi të veçantë natyroro-historike
dhe si vendbanim të qenies njerëzore, mbështjellësin gjeografik të Tokës e studion vetëm një
shkencë; gjeografia. Pra, gjeografia ka objektin e vet të studimit, i cili nuk përputhet me objektin
e studimit të shkencave të tjera për Tokën.
Pikërisht, për arsyen se gjeografia studion atë gjeosferë, në të cilën ka lindur dhe është zhvilluar
jeta, për emrin e objektit të studimit të shkencës gjeografike, janë propozuar dhe përdorur edhe
termat: biosferë, biogjeosferë (gr. bio = jetë, genos = lindje). Por, shihet qartë, se këto terma
tregojnë më shumë aspektin biologjik sesa atë gjeografik të studimit dhe, si të tillë, nuk janë të
përshtatshëm për emërtimin e objektit të studimit të gjeografisë. Si sfera, në të cilën është
shfaqur dhe është zhvilluar shoqëria njerëzore, ka mendime se duhet quajtur antropogjeosferë
dhe antropogjenosferë (gr. antropos = njeri). Njeriu dhe ekzistenca e tij në Tokë (sipas studimeve
më të reja prej më shumë se 2 milionë vjet), paraqet faktorin dhe dukurinë jashtëzakonisht të
rëndësishme në historinë e mbështjellësit sipërfaqësor të planetit tonë. Pikërisht për këtë arsye,
periudha më e re në historinë gjeologjike të Tokës është quajtur antropogjene. Ndërkohë,
mbështjellësi gjeografik i Tokës është formuar, diferencuar dhe zhvilluar si një sferë e veçantë në
planetin tonë, shumë më parë sesa të shfaqej njeriu.
Shpesh, për objektin e studimit të gjeografisë, përdoret termi mjedis gjeografik. Por, ky term nuk
është i përshtatshëm për disa arsye. E para, kur themi “mjedis”, pason gjithmonë pyetja “mjedisi
i ç’gjëje?” Përveç kësaj, koncepti mjedis gjeografik është një hapësirë mjaft relative dhe e
papërcaktuar. Zakonisht, mendohet se mjedisi gjeografik është pjesë e mbështjellësit sipërfaqësor
të Tokës, në të cilin ndjehet ndikimi i njeriut, d.m.th. mjedisi natyror i cili, më pak apo më
shumë, është ndryshuar nga puna e njeriut. Pra, ky është mjedisi që e rrethon njeriun dhe në të
cilin zhvillohet veprimtaria materiale e shpirtërore e njeriut. I konceptuar kështu, është e qartë se
mjedisi, me zhvillimin teknologjik dhe fizik të njerëzimit, është zgjeruar dhe zgjerohet
vazhdimisht edhe sot, ndërsa me mbështjellësin gjeografik nuk ndodh kështu. Sipas kësaj,
mjedisi gjeografik, në një të ardhme të afërt apo të largët, do të “përputhet” me mbështjellësin
gjeografik të Tokës. Megjithatë, ndikimi i njeriut (satelitët kozmikë, shkuarja e njerëzve në Hënë
etj.) ndjehet tashmë në një masë të madhe edhe jashtë mbështjellësit gjeografik të Tokës.
Në literaturën gjeografike franceze, për objektin e studimit të gjeografisë përdoret shpesh termi
peizazh, kurse në atë gjermane landshaft. Termi landshaft është familjarizuar edhe në literaturën
gjeografike sovjetike. Bile, sipas disa gjeografëve sovjetikë, për objektin e studimit të gjeografisë
përdoret termi mbështjellësi i landshaftit (landshaftna oboloçka) ose sfera e landshaftit. Sfera e
landshaftit, për disa gjeografë sovjetikë, është e njëjta gjë si mbështjellësi gjeografik i Tokës,
kurse për disa të tjerë (për shembull F. Miljkova) përfaqëson shtresën sipërfaqësore shumë të
hollë të planetit tonë me trashësi vetëm 5 deri 150 m. Në përgjithësi në gjeografi, është debatuar
shumë për konceptin dhe termin landshaft. Por, është mbetur mjaft larg nga mendimi i
përbashkët dhe i pranuar nga të gjithë. Kjo, me siguri, edhe për arsye se landshaft dhe peizazh
janë sinonime (kanë të njëjtin kuptim), kështu që tek ato nuk do të ndalemi. Në një përkthim të
lirë, ato mund të formulohen si “pamja e tokës”,”ajo që formon tokën”, “ajo që shihet (në tokë)”,
por përdoren edhe në kuptimin pjesë.
Ekzistojnë edhe terma të tjerë, me të cilët emërtohet objekti i studimit të gjeografisë. Ato nuk do
i përmendim këtu. Do të flasim vetëm për njerin; epigjeosferë. Këtë term e ka propozuar në vitin
1965 gjeografi sovjetik A. G. Isaçenko. Me të nënkuptohet hapësira që i përgjigjet termit
mbështjellësi gjeografik i Tokës. Por, është më i shkurtri, më i thjeshti, ndërsa është nxjerrë nga
fjalët greqisht, sikurse edhe shumë terma të gjeografisë (epi = mbi, në kuptimin mbi sipërfaqe, i
jashtëm). Pra, epigjeosfera është “mbështjellësi i jashtëm i Tokës”. Ky term i përshtatet objektit
real të studimit të gjeografisë, sepse “sfera sipërfaqësore e Tokës” është e jashtme, si në raport
me forcat e brendshme tokësore (telure), ashtu dhe në raport me forcat kozmike diellore (solare)
dhe me energjinë nën të cilat ajo zhvillohet. Termi epigjeosferë është pranuar mjaft mirë dhe
shpejt në Bashkimin Sovjetik. Është e vërtetë, ai akoma nuk ka hyrë në literaturën shkollore (në
Tekstet mësimore).
Sigurisht, është e dëshirueshme dhe e nevojshme të kemi një term unik për objektin e studimit të
gjeografisë.
Mendojmë se tani, më i përshtatshmi, më i ploti dhe më i sakti është termi mbështjellësi
gjeografik i Tokës, i cili përfaqëson sferën sipërfaqësore (të jashtme) të planetit tonë (me kufij të
caktuar) dhe në të cilin ekziston bashkëveprimi shumë intensiv i komponentëve të tij,
përkatësisht i elementeve abiotike (fiziko-gjeografike) dhe biotike, sikurse edhe ai i komponentit
njeri. Përveç kësaj, mbështjellësi gjeografik i Tokës duhet kuptuar si gjeosistem të rangut më të
lartë, i cili studion gjithë sistemin e shkencave gjeografike. Detyra e gjeografisë është pikërisht
ajo që thotë prof. S. Ileshiq, “t’i përshkruajë dhe t’i shpjegojë të gjitha ato dukuri që me lidhje
vartësie dhe funksionale reciproke kanë krijuar realitetin e sotëm hapësinor”.

Çfarë s’është Gjeografia?


Kur ekziston tashmë problemi, si t’u themi nxënësve se çfarë është gjeografia, atëherë mund t’u
themi, se çfarë s’është ajo. Me fjalë të tjera, kur dikush pranë nesh plotëson fjalëkryqet, do të
habitet sinqerisht, nëse ne, duke e ditur se jemi gjeografë, nuk do të dimë në çast, të themi
emërtimin e një llixhe në Belgjikë me dy shkronja, ose emërtimin e majës më të lartë në
Ekuador. Shumë njerëz besojnë gabimisht, se studimi i gjeografisë nuk është asgjë tjetër veçse
mbajtja mend e emërtimeve dhe vendndodhjes së shteteve, të qyteteve dhe të lumenjve. Ka
rëndësi, që gjeografi të njohë nomenklaturën gjeografike, por ky nuk është thelbi i studimit të tij,
sepse atëherë lista e toponimeve në fund të atlasit gjeografik mund ta zëvendësonte çdo mësues
gjeografie.

A mundet, për shembull, të konsiderohet njohës i gjuhës njeriu që i di përmendsh të gjitha


fjalët e fjalorit?
Natyrisht që jo; ai do të jetë i tillë atëherë, kur të njohë edhe natyrën e atyre fjalëve dhe lidhjen
reciproke midis tyre, që pastaj të shprehë me to mendime më të komplikuara. Po kështu, edhe
mjeku duhet të dijë emërtimet e pjesëve të trupit, por a qëndron këtu vlera e diplomës së tij?
Sigurisht që jo. Përveç njohjes së emërtimeve, ai duhet të dijë të japë diagnozën, të shkruajë
recetën e ilaçeve dhe të realizojë kurimin e suksesshëm. E gjithë kjo vlen edhe për gjeografin,
respektivisht edhe për gjeografinë.

Përse shërbejnë njohuritë gjeografike?


Përveç asaj, se nxënësve duhet t’u thuhet, se çfarë është gjeografia të cilën ata do ta mësojnë
gjatë këtij viti dhe në vitet pasardhëse në shkollën fillore dhe të mesme, mësuesi i gjeografisë ka
për detyrë, t’ua bëj të ditur atyre edhe dobitë që do të kenë duke e mësuar gjeografinë dhe,
kështu, t’i motivojë dhe t’i bëjë për vete ata. Do të përmendim dobitë që kanë ata, që zotërojnë
njohuritë gjeografike, të cilat i ka shpjeguar gjeografi amerikan Tomas Sherer (Sherer E.
Thomas). *
Gjeografia mundëson, që të kënaqemi me bukuritë e natyrës
Kur përdoren njohuritë për orientimin në natyrë, kampingu dhe alpinizmi mund të bëhen
kënaqësi e vërtetë.
Me hartë dhe me busull në dorë, as shtegu malor i pashkelur nuk do të na duket i frikshëm. Nuk
do të ndodhë më, që ta ngrini çadrën tuaj në shtratin e lumit të tharë për t’u zënë papritur
vërshimi i ujit, në kohën që jeni duke pushuar në errësirë dhe as ta zgjidhni shtegun me theqafje.
Mjeti bazë gjeografik i gjeografit; harta gjeografike, do ta bëjë pushimin tuaj vjetor një kënaqësi
të vërtetë.
Gjeografia krijon mundësinë për një biznes të suksesshëm
Supozojmë se jeni “ngopur” me punën nga ora 7 deri në orën 15 dhe jeni bërë gati të hiqni dorë
prej saj për të krijuar një firmë tuajen. Keni edhe idenë e përsosur fillestare: prodhimi i “miut”
kompjuterik të përshtatshëm për përdorim në zonat e ftohta. Por, cila do të jetë vendndodhja e
firmës, ku do të vendosni zyrat dhe magazinat tuaja, kujt do t’i dërgoni plan-projektet tuaja?
Këtë do ta bëni në mënyrë racionale, falë njohurive tuaja për demografinë dhe të GIS, pas
mbledhjes së të dhënave për strukturën e moshës së popullsisë, për shkallën e të ardhurave dhe
për kushtet klimatike.
Gjeografia ndihmon gjatë bisedës së përditshme
A keni qënë ndonjëherë të hutuar në ndonjë zbavitje, për shkak të një diçkaje që nuk e keni
kuptuar mirë?
Ndoshta dikush ka thënë diçka të ngjashme si kjo: “Katastrofa bërthamore në Çernobil ka
rrezikuar shëndetin e qindra mijëra njerëzve”, ndërsa ju jeni përgjigjur: “E vërtetë. Shyqyr zotit,
që nuk jetoj në Ohajo”. Është pak johumane, por s’është as e pasaktë. Pas leximit të librave
gjeografikë, do t’i çuditni miqtë tuaj me një koment si ky: “Po, kjo është e vërtetë, por rreziku
nuk është i kufizuar vetëm në Ukrainë. Niveli i rrezikshëm i rrezatimit është zbuluar në
Skandinavi, madje edhe mbi rrethin arktik”.

Gjeografia ndihmon në shpëtimin e jetës së njerëzve


Çdo ditë shtohet interesimi për ruajtjen e mjedisit natyror dhe të planetit tonë në tërësi. Nëse
dëshironi të përfshiheni në luftën për shpëtimin e planetit dhe t’i edukoni fëmijët tuaj që të jenë
më të kujdesshëm ndaj natyrës, gjëja më e mirë është të mbështetemi tek gjeografia. Kur fëmijët
t’ju pyesin: “- Pse shkatërrohen pyjet tropikale? “, mjafton që t’u tregoni hartën gjeografike.
Flisni për gjeografinë e kësaj zone, për botën bimore dhe tokën, për popullsitë vendase që i kanë
shtëpi këto pyje dhe për ardhësit që i presin pa marrë parasysh asgjë. Thoni se ç’kafshë jetojnë në
këto pyje dhe si ndikojnë këto pyje mbi klimën dhe mbi ajrin. Shfrytëzoni gjeografinë që të jepni
një shpjegim të drejtë, sepse pyetjet e fëmijëve mund të jenë shumë serioze.

Gjeografia ndihmon në zgjedhjen e vendit për shtëpinë


Dëshironi ta ndërroni vendbanimin? A e keni zgjedhur qytetin apo fshatin? A dëshironi, të jeni
afër transportit publik urban? A kërkoni ndonjë vend me larmi etnike, apo ndoshta ndonjë që ka
shkollë elite? Cilat janë taksat dhe çmimet e shtëpive? Nëse rrëshqitni me ski, do të përpiqeni, që
të mos jeni larg maleve. Nëse u pëlqen kanotazhi, nuk do ta dëshironi shtëpinë larg detit dhe
liqenit.
Ndoshta keni menduar se vëzhgimet gjeografike përfshijnë vetëm gjetjen e vendit për shtëpi
jashtë zonave që përmbyten, në një truall të qëndrueshëm ose pranë komunitetit të afërt? Para
blerësit dalin shumë pyetje, përgjigjet e të cilave i jep gjeografia.

Gjeografia ndihmon në kuptimin e politikës


Lidhja midis politikës dhe gjeografisë nuk është gjë e re. Luftërat për territore, grindjet rreth
kufijve dhe luftërat për pasuritë natyrore janë fatkeqësisht, po aq të vjetra, sa edhe njerëzimi.
Ndarjen e vendit në qarqe zgjedhore e mundëson gjeografia. Politika dhe gjeografia janë
pazgjidhshmërisht të ndërthurura. Kushdo, që do të merret me politikë, duhet fillimisht ta mësojë
gjeografinë.
Gjeografia është mjet pune i rëndësishëm
Dëshironi të udhëtoni dhe, për këtë arsye, keni dëshirë të punoni në ndonjë kompani botërore?
Meqë bota po bëhet një treg i madh me hapa të pandalshëm e të shpejtë, njohja e vendeve të
tjera, e traditave të huaja dhe pasurive natyrore në shkallë planetare, mund të jetë përcaktuese për
suksesin. Këto njohuri i ofron gjeografia.
Supozojmë, se drejtori i kompanisë suaj ju merr për të vizituar së bashku një tempull budist,
ndërsa ju harroni, t’i hiqni këpucët dhe, për këtë arsye, e humbisni punën; ose se i ngrini
plantacionet e çajit në Norvegji dhe falimentoni. Me pak njohuri gjeografike mund t’i shmangni
të gjitha këto “gafa” ndërkombëtare.
Gjeografia mundëson, t’u largoheni të gjithëve
A ju është mërzitur tashmë, që çdo vit të pushoni gjatë verës pranë liqenit? Me ndihmën e
njohurive gjeografike, mund t’i planifikoni pushimet diçka ndryshe. Mund të shkoni në udhëtim
nëpër Angli, duke u ndalur në çdo kështjelle dhe në çdo bufe që ndeshni. Ose, ç’mendoni për një
një udhëtim spartan me veturë nëpër stepat aziatike ose për një udhëtim me tren nëpër Siberi.
Nëse kjo gjë nuk është sa duhet sfiduese, nisuni tre javë nëpër Alpet e Jugut të Zelandës së Re.
Megjithatë, nëse e dëshironi më shumë komoditetin, aty është përherë Riviera e Kaltër franceze.
Qoftë fjala për rrënojat e ndërtesave të fiseve majá ose për gjuetinë e kafshëve të egra në Afrikë;
bota ju pret. Nevojiten vetëm pak njohuri gjeografike, që të kuptoni se çfarë humbisni.
Tradicionalizmi mund të jetë I rrezikshëm si gremina. Është koha që ta ndërpritni dhe të filloni të
hulumtoni dhe të fitoni përvoja të reja, ndërsa gjeografia është mjet për një gjë të tillë. Prandaj,
dilni dhe para!
***
Sherer ka shpjeguar dobitë e mëposhtme të gjeografisë:
Gjeografia mundëson të kënaqemi me bukuritë e natyrës;
Gjeografia ofron mundësinë për biznes të suksesshëm;
Gjeografia ndihmon gjatë bisedës së përditshme;
Gjeografia ndihmon në shpëtimin e jetës së njerëzve;
Gjeografia ndihmon në zgjedhjen e vendit për shtëpinë;
Gjeografia ndihmon në kuptimin e politikës;
Gjeografia është mjet pune i rëndësishëm;
Gjeografia mundëson, t’u largoheni të gjithëve.

Këto janë teza të shkëlqyera, të cilat mund t’u jepen nxënësve me detyrë që ata vetë, të përpiqen
t’i shpjegojnë. Shpjegimet e mësipërme mund të jenë edhe me humor, pse jo!

Personalitetet: shkencëtarët, udhëtarët dhe lundërtarët

Aleksandër Humbolti (1769-1859)


Natyralist i gjithanshëm gjerman, gjeolog dhe udhëtar, i cili, bashkë me Karl Rihterin,
konsiderohet themeluesi i gjeografisë moderne. Ishte udhëtar i madh dhe i guximshëm.
Udhëtimin e vet kryesor shkencor e bëri në fillim të shekullit XIX nëpër Amerikën Qendrore dhe
të Jugut. Udhëtimi zgjati pesë vjet, gjatë të cilëve studioi një pjesë të territorit të Venezuelës,
përgjatë lumit Orinoko. Pastaj vizitoi Kubën, Kolumbinë, Perunë dhe Ekuadorin. Ka studiuar
zonat ekuatoriale të Andeve, duke u interesuar veçanërisht për vullkanet. Kur u kthye në Evropë,
solli herbariume dhe koleksione të çmuara natyraliste. Rezultatet e studimeve të veta të
shumëllojshme, i botoi në veprën shumëvëllimshe “Udhëtimi në zonat ekuatoriale të Botës së
Re”. Përveç kësaj, botoi edhe librin në pesë pjesë “Kozmosi”, në të cilin parashtroi në mënyrë
përgjithësuese të gjitha arritjet shkencore të kohës së vet.
Vërtetë, pas Napoleonit dhe Velingtonit, Humbolti ishte njeriu më i njohur i kohës në Evropë,
ndërsa idetë e tij qenë ndihmesa kryesore për hartografinë gjermane dhe evropiane të shekullit
XIX. Pikërisht idea e tij, se hartat duhet të përfaqësojnë shumë më tepër sesa një pasqyrim i
thjeshtë topografik, bëri që hartografët gjermanë të botojnë atlasët fizikë modernë, të cilët kanë
mbetur të paarritshëm edhe deri në ditët e sotme. Falë ndihmesës së madhe në zhvillimin e
gjeografisë, shumë objekte gjeografike mbajnë sot emrin e Humboltit. Me emrin e tij, janë
emërtuar vargmalet e Azisë Qendrore (edhe atje ka bërë studime) dhe të Amerikës së Veriut, një
mal në ishullin Kaledonia e Re, rryma e ftohtë detare përgjatë brigjeve të Perusë, një akullnajë në
Greolandë etj.

Tema: Pikësynimet e të mësuarit të gjeografisë në shkollë

Puna me konceptet

Konceptet janë një nga format e pasqyrimit të botës materiale në vetëdijen tonë. Ato
përfaqësojnë vetitë më të përgjtishme dhe më thelbësore të objekteve dhe dukurive gjeografike,
konceptet gjeografike janë dy llojesh: të përgjithshme dhe të përveçme. Konceptet e
përgjithshme përfshijnë dukuri apo objekte gjeografike që hyjnë në një grup dhe që kanë
emërtim të njëjtë si p.sh. lumë, mal, kodër, mot, etj. Konceptet e përveçme tregojnë vetëm një
objekt apo dukuri gjeografikë që ka emërtim të vetëm si p.sh. Lumi Drino, Mali Gramoz, etj.
Formimi i konceptetve të përgjithshme bëhet duke ndjekur vetëm një rrugë: rrugën inductive dhe
atë deduktive. Rruga induktive përdoret në klasat e ulëta të shkollës 9-vjeçare dhe karakterizohet
nga puna e mësuesit dhe e nxënësve për vëzhgimin e objektit gjeografik, për përgjithësimin e
vetive të tij dhe nxjerrjen e përkufizimit të konceptit. Në këtë proces, mësuesi vlerëson disa
momente, si:
a) vëzhgimi i objektit apo i dukurive gjeografike në natyrë, tabllo, maket, hartë, etj.
b) Përcaktimi i veçorive kryesore të këtij objekti.
c) Përgjithësimi i tyre.
d) Nxjerrja e përkufizimit të konceptit.
e) Zbatimi i konceptit në praktikë. P.sh për të formuar konceptitn ‘lumë’ në fillim nxënësit një
lumë në natyrë apo në një tabllo në klasë; më pas analizojnë veçoritë e tij; bëhet përgjithësimi
dhe përcaktimi i konceptit ‘lumë’ dhe në fund aktivitetet praktike për të gjetur në hartë një lumë
apo për të modeluar një të tillë në arkën e rërës apo në sheshin gjeografik.

Rruga deduktive konsiston në kalimin nga e përgjithshmja te e veçanta dhe kjo përdoret kryesisht
në shkollën e mesme. Në përdorimin e kësaj rruge mësuesi ka parasysh këto momente: së pari,
jepet përkufizimi i konceptit, së dyti, konkretizohet koncepti në objekte të ndryshme duke
ndaluar veçoritë e tyre dhe në fund përgjithësohet me ushtrime të ndryshme.
Puna për formimin e konceptetve nuk mbaron me kaq. Ajo quhet e përfunduar kur mësuesi njeh
shkallën e përvetësimit nga nxënësit. Një koncept është i përvetësuar vetëm atëherë kur nxënësit
njohin logjikisht vetitë më të përgjthshme e më thelbësore të objektit apo dukurisë që përfaqëson
konceptin dhe kur ata janë në gjendje që konceptet t’i përdorin në mënyrë të pavarur në praktikë.
Për të kontrolluar përvetësimin e një koncepti të caktuar nga nxënësit, mësuesi ka parasysh të
paktën dy momente kryesore: e para, duke kërkuar nga nxënësit që ata të përsëritin veçoritë më
themelore të konceptit të ri. Por kjo nuk mjafton se ata mund t’i dinë përmendsh ato, ndaj puna
vazhdon me etapën e dytë që konsiston në vënien para nxënësve të detyrave për të parë
praktikisht se sa ata e kanë përvetësuar përmbajtjen e këtij koncepti. Të tilla detyra mund të
jepen si në rubrikat e punës së udhëhequr e të pavarur siç janë bërja e skicave, tabelave, figurave
etj ashtu dhe gjatë ekskursioneve në natyrë.
Puna me konceptet gjeografike është punë e vazhdueshme që bën mësuesi gjatë gjithë orës së
mësimit, madje do të thoshim edhe para saj. Gjatë përgatitjes për orën e mësimit ai nxjerr nga
tema e re konceptet e reja dhe planifikon mënyrat dhe mjetet që do të përdorë për t’ua shpjeguar
ato nxënësve. Në orën e mësimit, gjatë përpunimit të materialit të ri mësimor, ai ndalet tek çdo
koncept i ri dhe duke përdorur rrugë të ndryshme ua sqaron ato nxënësve. Sqarimi i tij
shoqërohet me skica, demonstrim mjetesh, shënime në dërrasën e zezë, etj.
Nxënësit shënojnë në fletoren e tyre konceptin e ri dhe shpjegimin e tij. Në punën me tekstin
mësuesi ndalet veçanërisht tek konceptet e reja, të cilat ua tregon nxënësve, i nënvizon dhe i
përgatit ata për t’i përvetësuar, të njëjtën gjë bën edhe gjatë kontrollit, ku zbulimi i shkallës së
përvetësimit të koncepteve gjeografike është një nga detyrat kryesore të këtij momenti.

Puna me faktet gjeografike


Baza kryesore për formimin e koncepteve janë faktet gjeografike që duhen përvetësuar nga
nxënësit. Në problemin e rolit dhe të rëndësisë që kanë faktet dhe të vlerësimit të mësuesve ndaj
tyre, vërehen dy qëndrime: njëri prej tyre në mbivlerësimin e rolit të fakteve gjeografike dhe për
pasojë mësuesit kanë dëshirë për të paraqitur sa më shumë fakte pa kaluar në momentin e
analizës dhe të nxjerjes së përfundimeve prej tyre. Të veprosh kështu do të thotë të biesh në
faktologji, mbasi në këtë rast faktete kanë vlerë informuese, por kursesi formues. Qëndrim i dytë
është ai që konsiston në nënvlerësimin e fakteve dhe që shprehet në paraqitjen përpara nxënësve
të disa rregullave, përkufizmeve, koncepteve gjeografike, etj por pa i argumentuar ato me fakte
konkrete. Kjo çon në një veprim që cënon procesin e të mësuarit logjik nga nxënësit, mbasi çdo
koncept, përkufizim, ide apo parim kërkon një numër të caktuar faktesh për t’u kuptuar e
përvetësuar nga nxënësit. P.sh kur themi se Alpet e Shqipërisë kanë një klimë tipike alpine, ky
është një konkluzion që nxënësit mund ta mësojnë teorikisht, por në qoftëse se s’ka një sërë
faktesh që ta argumentojnë atë, ai mbetet abstrakt dhe nxënësit nuk janë në gjendje ta
argumentojnë apo të hedhin poshtë të kundërtën e këtij konkluzioni.
Puna me faktet gjeografike kalon në disa faza: në fazën e parë faktet i paraqet mësuesi ndërsa
nxënësit i përvetësojnë ato të gatshme. Kjo realizohet në moment të ndryshme të orës së mësimit
kryesisht në përpunimin e materialit të ri mësimor, në punën me tekstin etj, apo në punën me
burimet e tjera të informacionit gjeografik si literaturë, vrojtimet, ekskursionet, etj. Në fazën e
dytë kalohet në një shkallë më të lartë vështirësie. Nxënësve, pasi u jepen fakte, u kërkohet t’i
analizojnë ato dhe të nxjerrin konkluzionet përkatëse. P.sh. në gjeografinë e Shqipërisë, kur flitet
për reshjet, nxënësve u jepen fakte të shumta për shpërndarjen e sasisë së reshjeve sipas stinëve e
muajve të vitit në zona të ndryshme të vendit, në kushte të përafërta ose të njëjta sinoptike dhe
ata nxjerrin konkluzione për rolin e faktorëve lokalë, kryesisht relievit, në shpërndarjen
gjeografike të tyre.
Si burime kryesore për grumbullimin e fakteve gjeografike nga mësuesi dhe nxënësi janë teksti i
gjeografisë, literatura gjeografike, hartat, tabelat dhe vrojtimet direkte të nxënësve në natyrë apo
në sheshin gjeografike, që bëhen me pikësynime të caktuara, në periudha të caktuara kohe, me
grupe nxënësisht të caktuar, etj. Ky proces kalon në disa faza siç janë grumbullimi i të dhënave,
klasifikimi i tyre, përpunimi dhe nxjerrja e konkluzionit.
Punën me faktet gjeografike, mësuesi e fillon që me përgatitjen e tij, në varësi të temës që ka për
të shpjeguar, të koncepteve, ideve, ligjeve e ligjësive gjeografike që shprehen në të. Për çdo
komponenet ai përgatit një radhë faktesh nga teksti ose nga burime të tjera informacioni, të cilat i
parashtron në orën e mësimit për të realizuar ato qëllime, apo ua shërben nxënësve në tërësi apo
në grupe të vogla për të nxjerrë konkluzione përkatëse.
Kjo punë vazhdon pastaj jo vetëm gjatë shpjegimit, por edhe në rubrikat e tjera të orës së
mësimit si në ato të punës së udhëhequr e të pavarur ku nxënësit punojnë me fakte të ndryshme
që ka tema e mësimit. Nxënësve u kërkohet që për çdo ide, parim, koncept, etj ata të zotërojnë
një minimum të caktuar faktesh për ta konsideruar problemin të ezauruar.

Të mësuarit e lidhjeve shkak-pasojë


Problem tjetër që ndikon në formimin botkuptimor të nxënësve është edhe ai i lidhjeve shkak-
pasojë. Dimë se në natyrë të gjitha sendet dhe dukuritë gjeografike lidhen ngushtë me njëra-
tjetrën, bashkëveprojnë me njëra-tjetrën dhe se ndryshimet sasiore apo cilësore të njërit çojnë në
ndryshimet e tjetrit. Del këtej detyra e mësuesit të gjeografisë që, gjatë orës së mësimit, t’i
aftësojë nxënësit për të kuptuar dhe zbërthyer lidhjet shkakësore. Tekstet e gjeografisë, sidomos
asaj të përgjithshme fizike, kanë terma të shumta ku gjen shprehjen ky problem. Mësuesi duhet
t’u ngulisë nxënësve në mendje dhe t’i bëjë ata të vetëdjshëm të kuptojnë se çdo dukuri ekziston
si rezultat i një shkaku të caktuar dhe vetë qënia e saj sjell ndikime apo pasoja tek ndryshimi i
dukurive apo objekteve të tjera gjeografike.
Gjatë punës për t'u mësuar nxënësve se si duhet të veprojnë me gjetjen dhe interpretimin e
lidhjeve shkak-pasojë mësuesi ndjek këtë ecuri: në fillim, në punën përgatitore, ai gjen në temën
që do të shpjegojë se cilat janë lidhjet shkakësore që pasqyrohen në të; më pas mendon për bazën
materiale dhe rrugën që do të përdoret për t’ua shpjeguar ato nxënësve; në një fazë të tretë është
puna konkrete që bën mësuesi në klasë për tua shpjeguar lidhjet shkakësore. Puna në klasë do
qartësi teorike nga mësuesi lidhur me konceptet shkak dhe pasojë, si për të mos i ngatërruar këto
të dyja, ashtu dhe për të mos ngatërruar konceptin “pasojë” me rrethanat apo kushtet që vepron
shkaku për të dhënë një pasojë të caktuar. Pra në këtë problem kemi tre koncepte: shkak, pasojë
dhe kushte që janë faktorë lehtësues ku verpon shkaku. Psh. Kur shpjegojmë formimin e dunave
apo të barhaneve atëherë mësuesi zbulon që shkaku është era që fryn në një drejtim të caktuar;
pasoja ështe formimi i dunës, ndërsa kushtet janë ekzistenca e shkretëtirave.
Procesin e shpjegimit të lidhjeve shkakësore, mësuesi e shoqëron me skica të cilat ndihmojnë të
kuptuarit e lëndës.
P.sh.
SHKAKU PASOJA KUSHTET
Era Dunat Shkretëtirat

Zakonisht në testet e gjeografisë lidhjet shkak-pasojë paraqiten në mënyrë të thjeshtë e të


kuptueshme dhe me idenë që çdo shkak sjell një pasojë. Por ka dhe raste që për të sjellë një
pasojë veprojnë disa shkaqe. Atëherë mësuesi ka për detyrë t’i analizojë të gjithë këta shkaqe për
të nxjerrë pasojën apo pasojat përfundimtare. Edhë këtu mësimi shoqërohet me skica të veçanta.
Kështu p.sh kur shpjegohet karakteri intensiv i reshjeve, në gjeografinë fizike, në gjeografinë
fizike të Shqipërisë, radhiten disa shkaqe si pozicioni i qendres ciklonare dhe gradient barik i saj,
shpejtësia e lëvizjes së masës ciklonike, karakteri i formave te relievit (i hapët apo luginor dhe i
rrethuar me male sin ë Bogë, Theth, Kardhiq, etj.) në këto raste, pra kemi një varg shkaqesh që
sjellin një pasojë, mësuesi duhet të dallojë më kryesorin prej tyre që në rastin konkret është
radhitur i pari.
Si metodë kryesore në procesin e të mësuarit të lidhjeve shkak pasojë është shpjegimi i
ndërthurur me bisedën, sidomos kur nxënësit kanë njohuri të pasistemuara. Detyrë e mësuesit,
pas shpjegimit të temës së mësimit, është që t’i aftësojë nxënësit që ta bëjnë edhe ata këtë, dhe
për këtë shfrytëzon rubrikat e punës së udhëhequr dhe të punës së pavarur. Ndërsa, pas orës së
mësimit nxënësve u jepen detyra për në shtëpi të kësaj natyre.
Përfundimisht, si ecuri metodike lidhur me sa më sipër do të rekomandonim:
Zbulimi i lidhjeve shkak-pasojë nga mësuesi;
Analiza para nxënësve me forma të ndryshme si skica, tabela, etj;
Ushtrime nga nxënësit për t’u aftësuar në gjetjen e lidhjeve shkakësore.

Formimi i përfytyrimeve gjeografike


Përfytyrimet janë pasqyrimi në vetëdijen tonë të objekteve gjeografike që e kemi perceptuar më
parë. Këto përfytyrime janë dy llojesh: të kujtesës dhe të imagjinatës. Të parat lidhen me
perceptimin e drejtpërdrejtë të objekteve dhe dukurive gjeografike, pra formohen si rezultat i
perceptimit drejpërsëdrejti të tyre me anën e mjeteve të konkretizimit. Ndërsa të dytat formohen
si rezultat i krijimit të figurës të objektit apo dukurive gjeografike që nuk e e kemi perceptuar më
parë, por këto krijohen në vetëdijen e nxënësve nga dëgjimi, leximi, përshkrimi i mësuesit, etj.
Përfytyrimet e kujtesës janë më të sakta, më reale dhe më të qëndrueshme se sa ato të
imagjinatës, të cilar shpesh janë jo reale.
Përfytyrimet janë bazë për formimin e koncepteve gjeografike. Në procesin e punës që bën
mësuesi me nxënësit për formimin e përfytyrimeve gjeografike, vend të rëndësishëm zë vrojtimi
dhe perceptimi i drejpërdrejtë i objekteve apo dukurive të ndryshme që ndihmojnë në formimin e
përfytyrimeve të kujtesës. Në praktikën e punës së mësuesit përdoren gjerësisht edhe forma të
tjera si vrojtimet gjeografike në natyrë, ekskursione me karakter njohës, etj. Aktualisht në
shkollat tona janë krijuar premisa dhe për përdorimin e mjeteve audiovizuale si të videokasetave,
filmit e mjeteve të tjera për të bërë këto vrojtime të drejpërdrejta të objekteve gjeografike, për
objekte që nxënësit aktualisht nuk mund t’i perceptojnë drejtpërsëdrejti. Ato shërbejnë për
krijimin e përfytyrimeve të qarta e të sakta për tema të gjeografisë së përgjtihshme dhe asaj të
kontinenteve, si shkretëtirat, pylli ekuatorial, savanet, etj. Pra, shoqërimi i fjalës së mësuesit me
mjete të ndryshme konkretizimi sidomos për ato objekte që nuk gjenden rreth shkollës dhe
zhvillimi i mësimeve në terren për ato objekte që janë të dukshme në ambientin përreth, përbën
kusht për formimin e përfytyrimeve të sakta gjeografike.
Në rastet kur baza materiale është e pakët ose mungon fare, bazë për formimin e përfytyrimeve
të imagjinatës shërben fjala e mësuesit ose leximi i literaturës gjeografike. Në rastin e parë fjalia
e mësuesit duhet të jetë e gjallë, interesante, plot me figura e shprehje artistike e të kapë anët
themelore të objektit që ai përshkruan duke futur imagjinatën e nxënësve gradualisht në brendësi
të atij objekti për të cilën ai flet.
Problem tjetër është ai i formimit të përfytyrimve të sakta hapësinore gjeografike për
vendndodhjen e objekteve gjeografike në natyrë dhe për raportet e tyre me njëri tjetrin. Parimi i
vendndodhjes dhe i shpërndarjes hapsinore është ndër kryesorët. Objektet dhe dukuritë
gjeografike gjenden në një vend të caktuar. Formimi i aftësive të përcaktimit të saktë të këtyre
vendndodhjeve në terren apo në hartë janë më themelore në procesin e të mësuarit të gjeografisë
në shkollë. Për këtë qëllim ndihmon kryesisht përdorimi i hartës ku objektet tregohen jo vetëm të
izoluar, pra si objekte të veçantë, por edhe në raport me njëri-tjetrin, formën e vendosjes së tyre,
qafat, luginat apo grykat që i ndajnë nga njëri tjetri etj. Kjo mënyrë shpjegimi pasohet pastaj me
mënyrën e kontrollit të dijeve, ku nxënësve u kërkohet jo vetëm të dinë emrat e maleve, por edhe
në cilën anë të horizontit gjendet njëri në raport me tjetrin etj. Më tej ajo vazhdon kryesisht me
nxënësit e përparuar, me paraqitjen në skicë të këtij vargu, duke emërtuar edhe elementët e
relievit të tij.

Përzgjedhja e metodave dhe materialeve


Vetë natyra e agropylltarinë kërkon ndërthurjen e një gamë të gjerë të njohurive, aftësive dhe
qëndrimeve në nxënësit. Në qoftë se duam që nxënësit të fuqizohen, ata duhet të jenë në gjendje
të organizojnë mësimin e tyre, dhe jo vetëm të jenë kavanoza bosh për të mbushur.
Kur e flasim për mësimdhënien dhe metodat e të nxënit dhe materialet që do të përdoren, është e
rëndësishme në fillim të vendosim se çfarë do të bëjë instruktori dhe çfarë pritet të bëjnë
nxënësit. Është shumë e zakonshme të gjesh instruktor përpara një dërrasë e zezë ose projektori,
ose duke qëndruar në një fushë dhe duke folur me nxënësit.
Siç e kemi diskutuar tashmë, sa më shumë të përfshihen nxënësit në të nxënit, aq më shumë
gjasa ka që ata janë të nxënë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për nxënësit e rritur, të cilët tashmë
kanë një gamë të gjerë të përvojës. Siç kemi përmendur më herët të nxënit duhet të shihet si një
proces me pjesëmarrje ku roli i mësuesit apo instruktorit është lehtësimi, jo indoktrinimi.
Faktorët që merren në konsideratë për zgjedhjen e metodave për mësimdhënie dhe nxënie
Katër faktorët kryesorë për t’u marrë në konsideratë:
1. Objektivat e vendosur: listojnë të gjitha metodat e mundshme të cilat mund të
përdoren për të mundësuar arritjen e objektivave.
2. Përmbajtja: listën për të siguruar që përmbajtja është e mbuluar në mënyrë
adekuate.
3. Nxënësit: marrin në konsideratë nevojat e tyre, aftësitë, etj Kjo do të reduktojë
listën më tej.
4. Burimet: kjo do të përcaktojë zgjedhjen përfundimtare e metodave që do të
përdoren, pasi që nuk ka asnjë pikë duke zgjedhur metoda të cilat nuk mund të
zbatohen.
Shembuj të metodave përfshijnë:
- Ligjërata / prezantime
- Diskutimet në grup / puna në grup
- brainstorming
- Demonstrimi
- Leximi
- Ushtrime / Probleme
- Analiza rasti studimor
- Luajtja e rolit / simulimet
- Lojërat
- Praktika
- Puna e projektit / hulumtues
- Vizita në terren
- Materialet bashkëngjitur
Materialet mësimore
Ashtu si një mësues i mirë do të ketë një gamë të gjerë të metodave në dispozicion të tij, dhe e di
se kur dhe ku ata mund të përdoren me sukses, materialet mësimore do të jetë e nevojshme. Këto
do të plotësojnë përmbajtjen dhe metodat e mësimdhënies dhe të nxënit, duke çuar në arritjen
efektive të objektivave të të mësuarit.
Si rregull bazë, materiale edukative mësimore duhet të jetë tërheqëse, interesante, sfiduese, të
qëndrueshme, ekonomikisht e qëndrueshme për të prodhuar dhe të organizuar mirë në aspektin e
përmbajtjes për të rritur procesin e të mësuarit.
Ka një numër hapash për të marrë parasysh kur zhvillon materialet e mësimdhënies:
- Të krijojë qëllimin e materialeve
- Identifikimin e audiencës të synuar
- Të vendosë lloje të përgjithshme të materialit të nevojshme
- Të vendosë objektivat mësimore
- Të identifikojë dhe të vlerësojë materialet ekzistuese
- Të vendosë mbi përmbajtjen dhe metodat
- Organizon prezantimin e materialit
- Të zgjedhin një format tërheqëse dhe stil
- Materialeve të para-test prototip dhe vlerësojnë ato
- Metodat e vlerësimit testament për përdorim final
- Përdorimin e materialeve.

You might also like