You are on page 1of 19

5.

SHTETI ZHVILLIMOR

I. Konteksti historik dhe tipare të përgjithshme

Modeli zhvillimor neoliberal u mbështet në suksesin ekonomik të vendeve periferike të Azisë


Lindore (Kore e Jugut, Tajvan, Singapor dhe Hong Kong) për të kritikuar teoritë e nënzhvillimit
dhe varësisë. Me sa dukej, integrimi në tregun botëror dhe theksimi i eksporteve përpara tregut
të brendshëm nuk krijonin medoemos nënzhvillim, por ritme shumë të shpejta zhvillimi dhe
ndërvarësi. Sidoqoftë prej fundit të viteve 1980 e tëhu, konceptimi neoliberal i zhvillimit, i
bazuar në përvojën e vendeve të industrializuara rishtas të Azisë Lindore, u vu në sitën kritike të
një aradhe autorësh të cilët e shihnin zhvillimin e këtyre vendeve, por edhe më gjerë, si produkt
të një shteti zhvillimor që i tejkalonte kufijtë e ngushtë të shtetit neoliberal.

Katër vendet e sipërpërmendura i hartuan politikat e tyre zhvillimore nga vitet 1960 e tëhu
duke ndjekur pjesërisht modelin japonez të zhvillimit. Japonia është një vend i veçantë pasi, në
njërën anë, është shembull i industrializimit proteksionist të valës së dytë (prej fundshekullit
XIX), ndërsa në anën tjetër hovin më të rëndësishëm ekonomik dhe teknologjik e pati pas
humbjes në Luftën e Dytë Botërore. Modeli zhvillimor i Japonisë mbështetej në shkurajimin e
konsumit dhe nxitjen e investimeve, si dhe në politika proteksioniste të industrive vendase
gjatë asaj që quhej faza e foshnjërisë së tyre. Shteti japonez nxiste edhe bashkëveprimin midis
firmave vendase në mënyrë që konkurrenca të drejtohej më së shumti kundër firmave të huaja
në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar. Ky bashkëveprim merrte trajtën e atyre që quheshin
keiretsu – “një grupim apo konglomerat biznesi, anëtarët e të cilit lidhen midis tyre nga besimi
reciprok dhe nga marrëdhënie afatgjata mes një numri firmash të mëdha, me furnitorët e tyre
dhe me rrjetet e shpërndarjes”. Duke e krahasuar me modelin zhvillimor të SHBA, i cili
mbështetej në theksimin e tregut të madh të brendshëm dhe hyrjen e vonë në tregjet
ndërkombëtare për eksport, teoricienia amerikane Alice Amsden thekson idenë se modeli
japonez i zhvillimit qysh herët pikasi tek eksporti rrugën e një zhvillimi të shpejtë. Kjo nuk
përjashtonte masat proteksioniste, por i kushtëzonte ato me prodhimin për tregun
ndërkombëtar. Më tutje, politikat zhvillimore japoneze, të udhëhequra nga famëmadhja
Ministri e Tregtisë Ndërkombëtare dhe Industrisë (MITI), përmbanin edhe “...vendosjen e
objektivave të eksportit në këmbim të lejes që u jepej eksportuesve për të përfituar asete të
vlefshme (sidomos valutë të huaj) dhe... themelimin e zonave të procedimit për eksport me
infrastrukturë të subvencionuar për t’u mundësuar firmave të huaja qasje në importe pa tarifa
doganore në këmbim të zotimit për të eksportuar 100% të nxjerrjeve (output) të tyre...”

Arlind Qori
Për të kuptuar më shumë rreth historisë së zhvillimit të vendeve të Azisë Lindore do t’i
referohemi kryesisht rastit të Koresë së Jugut. Deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, i gjithë
gadishulli korean ka qenë koloni e Japonisë. Pas një lufte civile disavjeçare, Koreja e nda në dysh
dhe ajo e jugut (e quajtur Republika e Koresë, për dallim nga Republika Demokratike Popullore
e Koresë në veri) u vendos gjeopolitikisht nën hegjemoninë e SHBA. Meqenëse kolonizimi 35-
vjeçar i Koresë kishte sjellë në krye të ekonomisë së vendit një klasë sunduese japoneze, pas
Luftës ishte krejt e lehtë që në Korenë e Jugut pronarët e mëdhenj kolonizatorë japonezë të
shpronësoheshin dhe, së bashku me ndarjen e çifligjeve të mëdha në pronësi të latifondistëve
koreanë, të bëhej një reformë agrare serioze. Sipas ekonomistit britanik Nigel Harris, duke nisur
nga vitet 1970 shteti koreano-jugor nisi të nxisë krijimin e industrive të rënda si ato të ndërtimit
të anijeve, çelikut, petro-kimikateve etj. Planifikimi dhe organizimi shtetëror i ekonomisë
(ndonëse shumica e firmave ishin në pronësi private) mundësoi “...transferimin e burimeve
ndërmjet linjave të prodhimit dhe ndërmjet konsumit dhe prodhimit, me sa duket pa u kujdesur
për kostot...”. Që operacione të tilla të ishin eficiente, shteti korean u imponoi firmave të
mëdha private shkrirjen në kartele (çaeboli është version korean i keiretsusë) , që do të
reduktonin “konkurrencën e brendshme dhe i detyronin kompanitë të specializoheshin sipas
një modeli të caktuar...” Puna arrinte deri aty saqë kryetari i çaebolit Daewoo ankohej: “Ta
tregon qeveria se cila është detyra jote dhe çfarë duhet të bësh, edhe nëse nuk ke fitim.” Këtë
presion zhvillimor mund ta ushtronte vetëm një shtet autoritarist, siç ka qenë Koreja e Jugut
deri në gjysmën e dytë të viteve 1980. Karakteristika të ngjashme gjenden edhe në përvojën e
Tajvanit dhe Singaporit, të cilat karakterizohen shpesh si modele të një lloj kapitalizmi
shtetëror. Dallim bën përvoja e Hong Kongut, e cila i afrohet më shumë modelit neoliberal të
tregut të lirë të paorientuar.

Modeli zhvillimor i orientuar kah eksportet nis me eksportimin e mallrave të industrisë së lehtë
për t’u përkryer me produktet e industrisë së rëndë apo shërbimet e avancuara. Më poshtë do
ta trajtojmë më gjerësisht këtë fenomen, por në këtë kontekst historik mund të sjellim në
vëmendje atë që theksonte teoricienin neozelandez Robert Wade: “Një tregues është ndryshimi
i raportit të vlerës së shtuar në industrinë e lehtë me vlerën e shtuar në industrinë e rëndë...
Tajvani dhe Koreja kaluan nga 4 në 1 në hapësirën e 15 viteve. Për të kaluar nga 2 te 1 Britanisë
së Madhe, SHBA dhe Gjermanisë u janë dashur dyzet e pesë dhe pesëdhjetë e pesë vjet.”
Ndryshimi i këtij raporti është tregues i rëndësishëm i zhvillimit të shpejtë të këtyre vendeve,
arsyet e të cilit do t’i trajtojmë më gjerësisht në nënndarjet e mëposhtme

Më gjerësisht, modeli zhvillimor i vendeve të Azisë Lindore kërkon integrim të kontrolluar dhe
në rritje në tregun ndërkombëtar – çka e dallon edhe nga izolacionizmi relativ i strategjisë së
zëvendësimit të importeve, edhe nga integrimi i plotë i modelit neoliberal. Karakteristikë e
zhvillimit të këtyre vendeve ka qenë theksimi i fortë i eksporteve. Për shembull, nëse
2

Arlind Qori
krahasohen me vendet e Amerikës Latine (që kanë përdorur më shumë strategjinë e
zëvendësimit të importeve), rezulton se “...në vitin 1990 eksporti zinte 43% dhe 27% të
Prodhimit të Brendshëm Bruto të Tajvanit dhe Koresë së Jugut dhe 100% e më shumë të PBB së
qytet-shteteve porte si Hong Kongu dhe Singapori, nëse përfshijnë edhe rieksportimet e tyre.
Krahasuar me raportet eksport/PBB të vendeve më të industrializuara të Amerikës Latine, ato
zënë 8% deri në 13%”.

Për Nigel Harris-in, ndryshe nga strategjia e zëvendësimit të importit, e cila kërkon të ndërtojë
brenda vendit një strukturë ekonomike me gjerësi dhe kompleksitet të ngjashëm me
ekonominë botërore – domethënë të bëhej një “mikrokozmos i ekonomisë botërore” –
strategjia e promovimit të eksporteve do të kishte të tjera karakteristika. Të gjitha
komponentët e sistemit ekonomik do të ishin produkt i specializimit të degëve të saj në tregun
botëror. Ky integrim do t’i shtynte sipërmarrjet të rrisnin eficiencën për të përballuar forcat e
konkurrencës globale. Përkundër strategjisë së zëvendësimit të importeve që synon ndërtimin e
një ekonomie të vetëmbështetur dhe deri diku të vetëmjaftueshme, orientimi kah eksportet e
pranon varësinë ekonomike, por e sheh atë si shenjë force, jo dobësie. Kësisoj, “...sa më e
përparuar të jetë një ekonomi, aq më pak e vetëmbështetur bëhet. Nëse ‘varësia’ tregon
marrëdhënien ekonomike midis një vendi dhe botës, sa më i zhvilluar të jetë një vend, aq më i
varur është – domethënë aq më shumë përcaktohet aktiviteti i brendshëm nga marrëdhëniet e
jashtme.” Sipas kësaj pikëpamjeje, më të varura janë vendet e qendrës pasi ato kanë më shumë
fije lidhëse me tregun botëror, për pasojë e kanë më pak të mundshme ndërtimin e një
ekonomie të vetëmbështetur.

Ky model zhvillimor, nga ana tjetër, mbështetet në një shtet të fortë i cili në autonomi, por
edhe me bashkëpunimin e forcave të caktuara shoqërore, planifikon dhe organizon kushtet e
zhvillimit ekonomik. Ky shtet nuk duhet të jetë vetëm autonom, por, së paku në fazat e para,
duhet të ketë edhe karakter autoritarist pasi vetëm kësisoj do të kontrolloheshin “...pasojat
shoqërore më trazuese dhe kritika ndaj industrializimit, si për shembull rritja e pakontrolluar
demografike, tejurbanizimi, dobësimi e nënshtrimi politik, pluralizmi kulturor në rritje etj”. Siç
do ta trajtojmë gjerësisht më poshtë, autoritarizmi politik konsiderohet rëndom si një prej
çelësave të suksesit ekonomik, ndonëse implikim i kësaj teze do të ishte prapësimi i
demokracisë në vendet e tjera të periferisë.

II. Autonomia dhe ndërshtënia e shtetit zhvillimor

Në shkencën politike dhe sociologjinë politike bashkëkohore ka një aradhe autorësh


strukturalistë që theksojnë autonominë e burokracisë politike në raport me klasat shoqërore.

Arlind Qori
Prej këtij parimi themeltar ka rrjedhur edhe konceptimi i burokracisë shtetërore si udhëheqëse
e mundshme e modernizimit shoqëror dhe zhvillimit ekonomik. Pra shteti është agjenti kryesor
i nxitjes dhe zhvillimit të një vendi.

Ç’natyrë ka shteti zhvillimor dhe cilat janë marrëdhëniet e tij me klasat shoqërore? Sipas
sociologut politik Peter Evans, shteti zhvillimor duhet të jetë njëkohësisht autonom nga
shoqëria dhe i ndërshtënë (embedded) në shoqëri. Autonomia nënkupton se burokracia politike
duhet të ketë mundësi të veprojë lirisht nga kushtëzimet e klasave apo grupeve shoqërore.
Vetëm në këtë mënyrë mund të marrë iniciativa zhvillimore që hera-herës prekin interesat apo
besimet e klasave të ndryshme shoqërore. Sipas sociologut koreano-jugor Yin-wah Chu,
autonomia e shtetit zhvillimor, ndër të tjera, bazohet në aspektet e organizative dhe konjitive të
pjesëve dhe funksionarëve të tij. Me autonomi organizative kuptojmë se “...pjesëve të shtetit
që merren me politika zhvillimore u duhet një farë izolimi nga përpjekjet lobuese të firmave dhe
politikanëve që përpiqen të kënaqin mbështetësit apo donatorët e tyre.” Firmat private mund
ta përdorin fuqinë e tyre ekonomike për të fituar privilegje të cilat do ta pengonin zhvillimin. E
njëjta gjë mund të ndodhë edhe me grupet e ndryshme shoqërore që, në këmbim të
mbështetjes politike, do të kërkonin favore. Ndërkaq autonomia konjitive fitohet me kushtin që
“zyrtarët qeveritarë që ndërmarrin politika efektive duhet të kenë një farë aftësie për të
menduar në mënyrë të pavarur mbi teknologjitë që mbikëqyrin”. Zhvillimi i hovshëm ekonomik
kërkon theksim të shpikjeve, novacioneve dhe përparimeve teknologjike, çka lyp një burokraci
administrative me nivel të lartë njohurish dhe pavarësi mendimi.

Po autonomi nuk do të thotë që shteti është i shkëputur nga shoqëria. Ai vepron në shoqëri, e
njeh shoqërinë dhe synon të depërtojë midis të çarave që lindin në marrëdhëniet e forcave
shoqërore. “Ndërshtënia siguron burime informacioni dhe kanale të implementimit që forcojnë
kompetencën e shtetit. Autonomia e plotëson ndërshtënien, duke e mbrojtur shtetin nga kapja
e palëve, e cila do ta shkatërronte karakterin koheziv të shtetit dhe shpërbënte koherencën e
interlokutorëve të tij shoqërorë.” Në këtë kuptim, autonomia pa ndërshtënie e shndërron
shtetin në një tërësi institucionesh të palidhura me shoqërinë dhe, për pasojë, të paafta për të
njohur problemet dhe potencialet e transformimit të shoqërisë. Ndërkohë që ndërshtënia pa
autonomi do të thotë se shteti është aq i zhytur në marrëdhëniet shoqërore saqë herët a vonë
do të bjerë pre e një klase apo grupi shoqëror, duke u shndërruar në instrument të realizimit të
synimeve të tyre të veçanta, pa mundur të marrë iniciativën e politikave zhvillimore.

Kombinimi i autonomisë dhe ndërshtënies kërkon një strukturim të shoqërisë që mund të jetë
hierarkik nga pikëpamja klasore, por secila prej klasave të ketë mundësi ta ndikojë apo
kundërpeshojë ndikimin e klasave rivale. Kjo rrethanë nuk është e lehtë për t’u arritur në një
shoqëri kapitaliste ku klasa ekonomikisht sunduese mund të arrijë të tillë forcë saqë jo vetëm

Arlind Qori
do t’i mbante të pazë klasat e nënrenditura, por edhe do të kërcënonte autonominë e shtetit.
Kësisoj Peter Evans-i dhe Dietrich Reuschemeyer-i do të lakmonin një strukturë shoqërore ku
“ndarja brenda klasës sunduese dhe presionet nga klasat e nënrenditura krijojnë mundësi për
autonomi të përforcuar...” Pra sa më të shumta të jenë klasat që organizohen dhe ushtrojnë
presion ndaj shtetit dhe sa më e fragmentuar të jetë së brendshmi klasa ekonomikisht
sunduese, aq më të lehtë e ka shteti të fitojë autonomi ndërshtënëse dhe të marrë iniciativën e
politikave zhvillimore. Autonomia e ndërshtënë i mundëson shtetit të kryejë reforma të
guximshme, si për shembull ajo agrare, duke mposhtur rezistencën e një klase historikisht të
fuqishme dhe penguese për zhvillimin: pronarët e mëdhenj parakapitalistë të tokave bujqësore.

Ndërhyrja e shtetit në ekonomi është e nevojshme në secilën fazë zhvillimi, por edhe më e
rëndësishme në rastin e shoqërive që hyjnë më vonë në marrëdhëniet kapitaliste. Nëse Anglia
dhe pjesërisht SHBA kishin përparësinë e ndërtimit të një kapitalizmi zhvillimor nga poshtë, me
pak ndërhyrje dhe orientim politikash nga shteti, shtetet e tjera, kur hyjnë në mënyrën
kapitaliste të prodhimit, e gjejnë të mirëstrukturuar tregun kapitalist botëror. Sa më vonë të
hyjnë, aq më shumë kanë nevojë për “...një shtet zhvillimor që planifikon, orkestron ose u jep
drejtim strategjive ekonomike, politike dhe shoqërore të orientuara kah arritja e pikave të
referencës ekonomike më të përparuara apo dinamikës së rritjes ekonomike”.

Autonomia dhe fortësia e shtetit zhvillimor janë lehtësisht të ngatërrueshme me aspektet


autoritariste. Ndonëse autoritarizmi politik mund të jetë një prej karakteristikave të shtetit
zhvillimor, sidomos në fillesat e tij, jo çfarëdolloj autoritarizmi është i dobishëm. Ka shtete tejet
autoritariste aq të korruptuara dhe të kapura nga interesat e grupeve të forta shoqërore, saqë
shtetit i mungon autonomia. Sikundër ka shtete me autonomi aq të madhe nga shoqëria, saqë
burokracia politike, shpesh herë ushtarake, ka thjesht rol grabitqar. Shembull i një shteti
kryekreje grabitqar është Zaireja nën udhëheqjen e diktatorit Mobutu Sese Seko, ku vendi nuk
kishte pothuajse kurrfarë infrastrukture, por vetëm një klikë ushtarake që grabiste shoqërinë pa
menduar për të nesërmen. “Shteti i Zairesë... është autonom ‘në kuptimin e të mosmarrit të
qëllimeve nga agregimi i interesit shoqëror’, por njëkohësisht nuk është autonom në kuptimin e
hartimit të politikave ‘për fitimet e elitës politike’.” Mes shteteve grabitqare, lidhjet e
klasave/grupeve shoqërore me shtetin nuk bëhen përmes institucioneve, por përmes zyrtarëve
personalë. Përkundrazi, shtetet zhvillimore arrijnë të ndërtojnë një administratë të bazuar fort
në rekrutimin meritokratik, ku mes nëpunësve shtetërorë “përfitimet nga karriera afatgjatë
krijojnë përkushtim dhe një sens koherence korporate. Koherenca korporative u jep këtyre
aparateve një farë ‘autonomi’... ato janë të ndërshtëna në një bashkësi konkrete lidhjes
shoqërore që bëjnë bashkë shtetin dhe shoqërinë, si dhe ofrojnë kanale të institucionalizuara
për negocimin e vazhdueshëm dhe rinegociimin e qëllimeve dhe politikave.” Në këtë lëmë,
Peter Evans-i sjell si shembull pozitiv Singaporin, ku nëpunësit civilë marrin sa 110% e pagës së
5

Arlind Qori
kolegëve të tyre në sektorin privat, dhe e krahason me Somalinë ku pagat e tyre janë sa 11% e
pagave në sektorin privat, çka nxit korrupsionin dhe mangësitë administrative.

Sidoqoftë, mes teoricienëve të shtetit zhvillimor gjen më shumë përkrahje ideja se autoritarizmi
i një shteti të fortë është kusht i domosdoshëm i fazës së parë të zhvillimit. Li Kuan Juja,
kryeministri autoritarist që qëndroi në krye të Singaporit për plot 41 vjet, thoshte se “...një
formë e autoritarizmit paternalist shkon më shumë me traditën konfuciane aziatike dhe...
përputhet më mirë me normat e larta të zhvillimit ekonomik sesa demokracia liberale.
Demokracia e zvarrit zhvillimin...sepse pengon planifikimin racional ekonomik dhe promovon
një lloj të vetëkënaqjes egalitare duke mbrojtur një mori të interesave private në dëm të
bashkësisë në tërësi.” Përvoja të ngjashme autoritariste kanë pasur edhe Koreja e Jugut dhe
Tajvani. Sipas Robert Wade-it, përpara se sistemi politik të demokratizohet, nevojitet ndërtimi i
institucioneve të forta, të cilat mund të vijnë vetëm si rezultat i një shteti autoritarist. Paskëtaj,
ato që ai i quan institucione korporativiste – të cilat do të përfshinin përfaqësuesit e klasave më
të rëndësishme shoqërore me ndërmjetësinë e një shteti të fortë – do të duhej të zhvilloheshin
“përpara apo ndërkohë që demokratizohet sistemi”. Autoritarizëm, gjithsesi, nuk do të thotë
arbitraritet. Shtetet autoritariste mund të mos mbështeten në parimet e demokracisë, por që të
jenë funksionale do të duhej të garantonin sundimin e ligjit së paku në sferën e ekonomisë, si
dhe të ndërtonin një administratë eficiente.

Autoritarizmi i nevojshëm i fazës fillestare mund të shndërrohet në pengesë të zhvillimit pasi


struktura ekonomike e një vendi të piqet mjaftueshëm. Zhvillimi i qëndrueshëm kërkon
marrëdhënie të ngushta me një shoqëri të larmishme dhe të gjallë. Kur zhvillimi arrin fazën e
theksimit të kapitalit njerëzor, sidomos të aftësive konjitive të prodhuesve, atëherë vrazhdësia
e autoritarizmit do të shndërrohej në pengesë për forcat krijuese të shoqërisë. Për këtë arsye,
por edhe për shkak të faktit se në fazat e mëvonshme politikat zhvillimore rrisin produktivitetin
dhe mirëqenien e popullsisë, kjo e fundit do të rrisë kërkesat për të mira jomateriale, të cilat
mund të ofrohen vetëm nga një shtet demokratik.

Po cilat janë kushtet lindjes së shtetit të fortë në kuptimin e ndërthurjes së autonomisë me


ndërshtënien? Sipas politologut amerikan Joel Migdal, fortësia e një shteti kushtëzohet nga
përkimi i disa rrethanave shoqërore dhe historike. Pikësëpari, kontribut pozitiv japin shpërbërja
e rendit të vjetër shoqëror dhe lindja e forcave të reja shoqërore që i shkatërrojnë ose i
reduktojnë ndjeshëm mekanizmat e kontrollit të klasave sunduese tradicionale. Së dyti, në këtë
lëmë ndihmon edhe “ekzistenca e një kërcënimi serioz nga jashtë apo nga grupe të tjera brenda
vendit, i cili afron mundësinë e përmbysjes së udhëheqësve nëse ata nuk e imponojnë rendin
shtetëror anekënd shoqërisë”. Së treti, rendi ndërkombëtar që njeh si aktor me legjitimitet
vetëm shtetin dhe jo pjesët përbërëse të shoqërisë jep ndihmën e vet. Së katërti, nevojiten

Arlind Qori
edhe “ekzistenca e një grupimi shoqëror që është mjaftueshëm i pavarur nga bazat aktuale të
kontrollit shoqëror dhe mjaftueshëm i aftë për të ekzekutuar planin e madh të udhëheqësve të
shtetit dhe udhëheqës të zotë ideologjia e të cilëve favorizon kontrollin e fortë shtetëror”.

Mes shteteve zhvillimore Peter Evans-i dallon shtetin që merr rolin e demiurgut dhe atë të
mamisë. Shteti demiurg themelon dhe drejton vetë sipërmarrje të rëndësishme prodhuese, “jo
vetëm duke plotësuar investimet private, por edhe duke i zëvendësuar dhe konkurruar me
prodhuesit privatë”. Ky lloj shteti është veçanërisht i suksesshëm në sektorin minerar, ku
avantazhi natyror i nëntokës së një vendi i mundëson shtetit të akumulojë kapital të nevojshëm
për politika të mëtejshme zhvillimore. Kur nuk ka kapacitete në kapital dhe teknologji për të
marrë rolin e demiurgut apo diçka e tillë do të pamundësohej nga forca e madhe e
konkurrencës globale, shteti zhvillimor mund të pajtohet me rolin e mamisë. Ky shtet
“...përpiqet të ndihmojë në lindjen e grupeve të reja sipërmarrëse dhe t’i shtyjë sipërmarrësit
ekzistues drejt punëve më sfiduese”. Roli prej mamie bëhet edhe më i rëndësishëm kur shtetit
zhvillimor i duhet të thithë investime të huaja, sidomos nga korporatat e mëdha
shumëkombëshe. Po këto investime nuk mund të kenë efekte zhvillimore nëse nuk u paraprihet
me një plan i cili ka për synim që këto korporata fillimisht të afrohen, “pastaj të rrisin
përmbajtjen lokale, më vonë të eksportojnë, idealisht në aleancë me firma lokale”. Kjo do të
thotë se me tërheqjen e investimeve të huaja shteti zhvillimor kërkon që ato të ndihmojnë në
fuqizimin e sipërmarrjeve vendase, duke bashkëpunuar për shembull në marrjen e lëndëve të
para, pjesëve të këmbimit apo nxitjen e të tjera shërbimeve. Kësisoj do të kontribuohej në
lindjen e asaj që teoricienët e nënzhvillimit dhe varësisë e quanin borgjezi kombëtare, por që
kësaj radhe nuk shihet si antagoniste me kapitalin e huaj. Pajtimin midis kapitalit të huaj dhe
vendas mund ta realizojë vetëm një shtet i fortë, autonom dhe i ndërshtënë.

III. Politikat zhvillimore

Ndryshe nga neoliberalët, mbështetësit e shtetit zhvillimor mendojnë se tregu mund dhe duhet
të udhërrëfehet. Në vendet e Azisë Lindore qeveritë e udhërrëfyen tregun duke: “1)
rishpërndarë tokën bujqësore fill pas Luftës së Dytë Botërore; 2) kontrolluar sistemin financiar
dhe ia nënshtruar kapitalin financiar privat kapitalit industrial; 3) ruajtur stabilitetin në disa nga
parametrat ekonomike kryesore që ndikojnë në sigurinë e investimeve afatgjata, sidomos
kursin e këmbimit, normën e interesit dhe nivelin e përgjithshëm të çmimeve; 4) moduluar
impaktin e konkurrencës së jashtme në ekonominë e brendshme, duke i dhënë përparësi
përdorimit të valutës së huaj të pakët; 5) promovuar eksportet; 6) promovuar blerjen e
teknologjisë nga kompanitë shumëkombëshe dhe ndërtimin e një sistemi kombëtar
teknologjie.” Nëse reforma agrare i afronte këto përvoja me rekomandimet e teoricienëve të
7

Arlind Qori
nënzhvillimit dhe varësisë, ndërkohë që ruajtja e parametrave ekonomike kryesore dhe nxitja e
eksporteve i afronte me politikat neoliberale, elementët e tjerë janë veçanti e shtetit zhvillimor.
Vlen të theksohet këtu mënyra si shteti mbështet kapitalin industrial përballë atij financiar në
luftën për hegjemoni brendapërbrenda klasës ekonomike sunduese, si dhe se si thithja e
investimeve dhe teknologjisë së huaj nuk është qëllim në vetvete, por shërben si nxitëse e
sipërmarrjeve vendase që të përbrendësojnë arritjet teknologjike të korporatave
shumëkombëshe. Nxitja e industrializimit do të shtonte gjithashtu radhët e klasës punëtore dhe
nëpërmjet rritjes së punësimit në sektorë gjithnjë e më përparuar teknologjikisht do të sillte
edhe rritjen e pagave.

Udhërrëfimi i tregut ka si komponent edhe orientimin e investimeve nga shteti – ca nëpërmjet


investimeve publike, ca përmes kushtëzimit të sipërmarrjeve private që të investojnë në
sektorë me efekte më të mëdha zhvillimore. Sipas shembullit të MITI-t japonez, vendet e tjera
të Azisë Lindore kanë themeluar agjenci shtetërore që kanë për synim të udhërrëfejnë jetën
ekonomike të vendit. Agjenci të tilla vendosin “...se cilat industri duhet të ekzistojnë dhe cilat
nuk duhen më për të përmirësuar strukturën industriale, çka do të fuqizonte
konkurrueshmërinë ndërkombëtare të vendit, merr pëlqimin e sektorit privat për planet e saj,
vepron si rojtare e kontakteve me tregjet dhe investitorët e huaj dhe u jep mbështetje
qeveritare iniciativave ekonomike private”. Që kjo të ndodhë, duhet që midis burokracisë
politiko-administrative dhe sipërmarrësve të mëdhenj të ekzistojë një bashkëpunim intensiv, ku
iniciativën e mban më shumë shteti, gjithsesi shqetësimet e sipërmarrjeve private merren në
konsideratë, sidomos në fazën e zbatimit të planeve zhvillimore. Si burokracia politike, ashtu
edhe sipërmarrësit e mëdhenj vendas kanë interes që të ndërtojnë një mjedis ekonomik që i
fuqizon firmat vendase në konkurrencën globale.

Kur flasim për orientimin e investimeve është mirë të përmendim shkallëzimin e nxitjes së
investimeve. Nëse në fazën fillestare vendet e Azisë Lindore mund t’i orientonin kapitalet
vendase vetëm në sektorët parësorë ose të industrisë së lehtë, më vonë, nëpërmjet
subvencioneve shtetërore, sipërmarrjet private mund të merrnin guximin të hynin në sektorë
industrish të rënda – sidomos në prodhimin e çelikut, industrinë kimike etj. Pas suksesit në këta
sektorë mbetej shkalla e fundit dhe më e vështira: orientimi i investimeve në prodhimin e të
mirave të bazuara tek dija dhe teknologjia e lartë. Në të gjitha këto hapa, shteti zhvillimor
aziatiko-lindor vendoste shuma të konsiderueshme subvencionesh shtetërore. Po këto të fundit
jo vetëm që mbikëqyreshin rreptësisht që të mos u jepnin udhë praktikave korruptive, por edhe
ishin të kushtëzuara. “Përfituesit e subvencioneve u nënshtroheshin standardeve të
monitorueshme të performancës, të cilat kishin natyrë rishpërndarëse dhe të orientuar kah
rezultatet.” Pra nëse firma e subvencionuar nuk plotësonte standardet shtetërore të eficiencës

Arlind Qori
ekonomike ose nuk arrinte të konkurronte në tregun global përmes eksportimit të produkteve
të saj, subvencioni ndërpritej.

Karakteristika më e veçantë e shtetit zhvillimor është nxitja e eksporteve. Ndryshe nga


teoricienët e nënzhvillimit dhe varësisë, për ata të shtetit zhvillimor politikat zhvillimore nuk
duhet të kenë për synim plotësimin e nevojave të tregut të brendshëm, i cili në të shumtën e
rasteve është tejet i ngushtë për të nxitur forcat e konkurrueshmërisë dhe eficiencën në
prodhim. Po ndryshe nga neoliberalët për të cilët eksport donte të thoshte kryesisht tregtim i
produkteve të nëntokës dhe shitje e krahut të lirë të punës – pasojë e avantazhit të krahasuar
të një vendi, për teoricienët e shtetit zhvillimor udhërrëfimi shtetëror i zhvillimit kërkonte
nxitjen e eksporteve të një cilësie dhe kompleksiteti gjithnjë e më të madh. Në vend të
konceptit të avantazhit të krahasuar natyror, ata përdorin avantazhin e krahasuar dinamik. Pra
ekonomia e një vendi nuk duhet të mbështetet thjesht në ata sektorë që prej natyre ka
përparësi sot (nëntoka, bujqësia, puna e lirë), por mbi të gjitha tek ata sektorë që sot mund të
jenë të prapambetur dhe joeficientë në raport me vendet e tjera, por nesër, në saje të
mbështetjes shtetërore, mund të fuqizohen aq sa për t’u bërë konkurrues në tregun botëror.

Një nga masat më të përdorura për nxitjen e eksporteve, përveç subvencionimeve të


drejtpërdrejta, ishte lehtësimi i barrës fiskale për firmat vendase prodhimi i të cilave shkonte
për eksport. Për shembull ndodhte të hiqeshin taksat “...për pesë vjet, për një gamë të gjerë
mallrash, edhe për ato që tanimë kishin një niveli të lartë zëvendësimi të importit apo eksportit,
me kushtin që eksportet e tyre të ishin 50% a më shumë e prodhimit”. Diskriminimi pozitiv i
firmave që prodhojnë për eksport priret t’i shtyjë edhe një pjesë tjetër të firmave që prodhojnë
për tregun e brendshëm që të orientohen kah eksporti.

Masë tjetër e rëndësishme është kushtëzimi i importeve dhe nxitja e atyre importeve që
ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve eksportuese të një vendi. Shteti zhvillimor kërkon t’u
lehtësojë barrën firmave vendase që janë të detyruara të importojnë lëndë të para apo
teknologji që u shërbejnë për të prodhuar në mënyrë më eficiente për tregun global. Në disa
raste “në këmbim të importimit pa tarifa doganore të hyrjeve (inputs), firmat duhet të
eksportonin 100% të nxjerrjeve (outputs) të tyre”. Në një rast tjetër, “për t’iu shmangur tarifave
doganore, të mirat kapitale duhet të përdoren në industri ‘të sofistikuara’ në të cilat Tajvani
dëshiron të zmadhojë fuqinë e vet produktive – hekur e çelik, inxhinieri elektrike, elektronikë,
makineri, ndërtim anijesh, kimikate, petro-kimikate...” Shtetet zhvillimore aziatiko-lindore kanë
përdorur edhe barriera jotarifore për të vështirësuar importin e mallrave për të cilat industritë
vendase janë në përgatitje për t’i prodhuar vetë. Për shembull janë përdorur kufizime mbi
vendin e origjinës, që do të thotë se nuk lejohen importe të caktuara nga disa vende firmat e të
cilave vënë në rrezik të përkohshëm mbijetesën e sipërmarrjeve vendase.

Arlind Qori
Nëse krahasojmë zhvillimin e orientuar kah eksporti me strategjinë e zëvendësimit të importeve
rezulton se vendet që kanë përdorur qasjen e fundit kanë pasur më shumë probleme në terma
të eficiencës në prodhim, monopoleve, kapjes së rentave dhe të shtetit. Sipas sociologut
indiano-amerikan Vivek Chibber, strategjia e promovimit të eksporteve, si rezultat i presioneve
konkurruese të tregut global, i bën firmat të duan jo vetëm subvencionet e shtetit, por edhe
mbikëqyrjen e tij. “...ato kishin interes në pasjen e një shteti me kapacitet për të koordinuar me
efektivitet dhe monitoruar investimet, që t’i ndihmonte më mirë në ekspansionin e tyre në
tregjet e juaja. Sa më të forta kushtet konkurruese, aq më e madhe pasiguria dhe më të dobëta
lidhjet me klientët dhe kësisoj më të ulëta margjinat e gabimit për firmat...”

Nëse e shohim çështjen nga pikëpamja e punëtorëve, autoritarizmi, ndalimi i organizimeve


punëtore dhe grevave, si dhe nevoja për krahë të lirë pune kanë bërë që në pjesën e parë të
zhvillimit pagat e punëtorëve të vendeve të Azisë Lindore të kenë qenë jashtëzakonisht të ulëta.
Kjo e fundit jo vetëm në raport me vendet kapitaliste të qendrës, por edhe me periferitë që
ndoqën politikat e zëvendësimit të importeve, si p.sh. vendet e Amerikës Latine. Eksportimi
intensiv kërkonte një forcë punëtore të keqpaguar duke i ulur kostot në maksimum. Mirëpo me
përparimin ekonomik, sidomos me rritjen e kompleksitetit industrial të një vendi, si karakteri
autoritarist i shtetit, ashtu edhe nënshtrimi dhe keqpagimi skandaloz i forcës punëtore futen në
krizë. Në këtë kontekst, Fred Block-u dhe Marian Negoita dallojnë dy lloje shteti zhvillimor. Më i
hershmi, të cilin e quajnë shtet zhvillimor burokratik, “...u siguronte firmave fonde dhe të tjera
nxitje për të kopjuar teknologjitë prodhuese të firmave perëndimore, si dhe vendosi një
marrëdhënie të afërt midis agjencive qeveritare dhe firmave private”. Po me përparimin
teknologjik dhe organizativ të prodhimit, ngurtësia e shtetit zhvillimor burokratik shndërrohet
në pengesë për zhvillimin e mëtejshëm. Ndaj kërkohet një shtet zhvillimor në rrjet, i cili është
më i shkathët në koordinimin e një strukture ekonomike më komplekse dhe firmave që duhet
të prodhojnë me fleksibilitet më të madh. Ky transformim i nevojshëm në strukturën e shtetit
zhvillimor lë vend edhe për demokratizimin e këtij të fundit.

Zhvillimi i orientuar kah eksportet kërkonte edhe ridimensionimin e marrëdhënieve të vendeve


të periferisë me ato të qendrës. Siç e trajtuam më lart, vendet e periferisë ishin të hapura për
investimet e huaja, por në sektorët dhe me kushtet që do të ndikonin në fuqizimin e firmave
vendase. Firmat e huaja ishin veçanërisht të rëndësishme në aspektin e kopjimit apo
huamarrjes së teknologjisë së tyre nga vendet dhe firmat periferike. Çka Alice Amsden-i e quan
industrializimi i vonë “...ishte shembull i mësimit të kulluar, domethënë një varësie fillestare
totale nga teknologjia e komercializuar e vendeve të tjera për të krijuar industri moderne.”
Kapitali i huaj mund të tërhiqet në fillim prej nivelit tejet të ulët të pagave të punëtorëve të
periferisë. Po kjo përparësi në çmimin e fuqisë punëtore nuk vlen përgjithmonë. Me bërjen e
procesit të prodhimit më kompleks si nga pikëpamja organizative, ashtu edhe teknologjikisht,
10

Arlind Qori
kërkohet një fuqi punëtore që mund të kryejë procese pune që kërkojnë më shumë njohuri dhe
iniciativë. Krahasimisht, në terma afatgjatë, “ulja e pagave në një vend të varfër nuk mund ta
kompensojë rritjen e produktivitetit në një vend të pasur...” Siç tregon shembulli i katër
vendeve të Azisë Lindore, çelësi i suksesit zhvillimor gjendet në rritjen e kompleksitetit të
proceseve të prodhimit. Nga ana tjetër, Amsden-i kërkon të kuptojë edhe kushtet ku ekzistenca
e kapitalit të huaj mund ta ndihmojë rritjen ekonomike të periferisë. Ajo mendon se pronësia e
sektorëve të rëndësishëm nga firmat e huaja është problematike, ndonëse përvetësimi i
njohurive të tyre nga firmat vendase është tejet i rëndësishëm. Kësisoj, “sa më e madhe të ishte
vazhdimësia para dhe pas Luftës së Dytë Botërore në transmetimin e njohurive dhe
zhvazhdimësia në pronësinë e firmave të huaja, aq më e gjerë ishte baza për ngritjen e
udhëheqësve kombëtarë dhe formimit kombëtar të aftësive”.

Politika më e rëndësishme në raport me kapitalin e huaj ishte kushtëzimi i hapjes së kufijve jo


vetëm me transmetimin e njohurive dhe teknologjisë së tij, por edhe me blerjen e pjesëve
hyrëse nga furnitorët vendas. Meqenëse zakonisht investimet e huaja kishin karakter montues
– sjellje të pjesëve të gatshme që kërkonin forcë punëtore jo edhe aq të kualifikuar vetëm për
t’i montuar ato, shtetet zhvillimore të periferisë ndërmorën politika fiskale duke i shtyrë firmat
e huaja të blinin një pjesë të materialeve përbërëse të prodhimit në vend, si dhe të
interesoheshin për përmirësimin e produktivitetit dhe eficiencës së firmave vendase.
Domethënë, në rast se një korporatë shumëkombëshe është e detyruar të furnizohet me disa
pjesë përbërëse në Korenë e Jugut, atëherë, për të ulur kostot aq sa ç’do të shkonin në tregun
global, korporata e huaj do të nxiste financiarisht dhe me njohuri firmën koreane që të arrinte
të njëjtin stad produktiviteti që do të përcaktohej nga forcat e konkurrencës globale.

IV. Zinxhiri ndërkombëtar i vlerës

Për ta kuptuar zinxhirin ndërkombëtar të vlerës, duhet t’i kthehemi pak teorisë klasike të vlerës
ekonomike të një malli. Vlera e tij përcaktohet nga kombinimi i makinerive (të cilat ngurtësojnë
punën e dikurshme konjitive dhe fizike për prodhimin e tyre) dhe i punës njerëzore. Sa më të
përparuara të jenë makineritë dhe sa më i kualifikuar të jetë punëtori, aq më shumë vlerë ka
tërësia e produkteve të tyre. Piku i vlerës arrin kur puna ka natyrë konjitive-shpikëse. Nëse
ekonominë e shohim si ndërthurje globale procesesh e firmash, atëherë mund të flasim për një
zinxhir ndërkombëtar vlere në krye të të cilit janë ato industri dhe vende që përdorin teknologji
dhe punë më të përparuar.

Vendet e Azisë Lindore e nisën procesin e tyre zhvillimor përmes zbatimit të asaj që teoricieni
francez Alain Lipietz e quan tejlorizëm primitiv. Prej viteve 1970 kapitali i madh perëndimor nisi

11

Arlind Qori
të nënkontraktonte ndërmarrje periferie, ku transferohej vetëm një pjesë e teknologjisë, si
p.sh. makina qepëse në industrinë tekstile apo dërgonte pjesë të gatshme (si për shembull
qarqet e integruara) në industrinë elektronike. Po edhe kur kapitali investues ishte vendas,
përsëri niveli teknologjik fillestar ishte mjaft më i ulët se në vendet e qendrës. Sipërmarrjet e
periferisë kishin një avantazh: fuqinë mjaft më të lirë punëtore, ndonëse më pak të kualifikuar.
Prandaj faza e tejlorizmit primitiv ka disa shkallë: “Bli pajisje dhe fabrika inxhinerike prej
qendrës, manifakturo në vend me një forcë punëtore që është më pak eficiente (dhe që do të
jetë e tillë për të paktën dhjetë vjet) por mjaft më pak e paguar se ajo e qendrës, rieksporto dhe
pastaj, nëse zhvillohet pjesa tjetër e ekonomisë, përdori produktet në vend!”

Risia e mirëfilltë e këtij modeli zhvillimi – sidomos pasi e kalonte fazën e tejlorizmit primitiv –
ishte organizimi global i prodhimit. Duke nisur nga sektori i tekstileve, organizimi i ri i punës
kërkon fleksibilitet brenda ndërmarrjes së madhe të qendrës dhe në ndërtimin e raporteve të
saj me një zinxhir nënkontraktorësh. Ndryshe nga faza fordiste e zhvillimit ku një ndërmarrje
gjithnjë e më e madhe duhej të parashikonte kërkesën dhe shijet e konsumatorit, më pas të
prodhonte në masë me çmim sa më të ulët, faza postfordiste bazohet në reagimin e shpejtë
ndaj porosive të konsumatorit. Janë konsumatorët që artikulojnë kërkesën, sado të paktë
qofshin ata, dhe ndërmarrja do të duhej t’u përgjigjej sa më parë. Diçka e tillë kërkon një
fleksibilitet të lartë organizativ të ndërmarrjes pasi do të duhej t’u përgjigjej kërkesave të
larmishme dhe të luhatshme. “Nga ana e saj, kjo kërkon që inventarët të mbahen në nivel të
ulët – prodhim në kohë (just in time)... dhe kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet niveleve të
larta të cilësisë së përbërësve. Cilësia e lartë arrihet duke i bërë të gjithë punëtorët përgjegjës
për cilësinë në burim.” Që prodhimi t’u përgjigjet në kohë kërkesave konsumatore duhet që
ndërmarrja e madhe të ndahet në grupe të vogla pune relativisht autonome, por të koordinuara
me njëra-tjetrën. Fleksibiliteti organizativ kërkon edhe fleksibilitet në mënyrën e punës, çka do
të thotë se punëtorëve u kërkohet të zotërojnë një numër gjithnjë e më të madh zotësish. Këto
të fundit mund të mos kërkojnë njohuri të thella, por prapëseprapë duhet të jenë të larmishme
dhe punëtori duhet të shkathtësohet për të kaluar shpejt nga një mikrospecialitet në tjetrin.

Organizimi fleksibël i punës i kapërcen kufijtë e një shteti, ku korporata e madhe apo marka e
njohur në Perëndim gjen një zinxhir kontraktorësh dhe nënkontraktorësh të cilët specializohen
në punë gjithnjë e më të imta. Teoricieni afrikano-jugor Raphael Kaplinsky i quan rrjete
trekëndore të prodhimit, ku në krye qëndron blerësi i madh (firma që projekton dhe porosit
mallrat që duhen prodhuar): “...blerësi qeverisës në vendin kyç kontrakton shërbimet e një
guvernatori ndërmjetës, detyrë e të cilit është të organizojë logjistikën e prodhimit dhe të
dorëzojë produktet në kohën e dakordësuar dhe me çmimet e dakordërsuara të blerësit
madhor.” Firmat e fundit nënkontraktore, të cilat ndodhen në periferitë e sistemit kapitalist-

12

Arlind Qori
botë, mund të kenë përmasa fare të vogla, madje edhe të përdorin punën nga shtëpia, por ato
janë të lidhura në një zinxhir kompleks projektimi, porositjeje dhe prodhimi.

Ky organizim i ri i prodhimit e ka qendrën e vet pushtetore te porositësit (blerësit) e mëdhenj,


të cilët kanë ndërtuar një reputacion si drejtues të një procesi prodhimi në fund të të cilit del
një larmi mallrash të njohur për cilësinë e tyre mbimesatare. Këta blerës të mëdhenj kanë ato
që quhen dizajne të regjistruara të cilat, sipas Kaplinsky-t, “mbulojnë dukjen pamore dhe
estetike të një artefakti), marka tregtare (trade mark), të cilat “e dallojnë produktin e një
ofertuesi nga të tjerët”, si dhe emrat shënjues (brand name). Fakti që këta blerës të mëdhenj –
me reputacion tanimë të çimentuar – i kanë të mbrojtura me ligj dizajnet, markat dhe emrat e
tyre shënjues, bën që ata të kenë një pozitë mbisunduese në tregun global. Firmat e periferisë,
në fund të zinxhirit të prodhimit, e kanë të pamundur t’i rezistojnë presionit ekonomik të
blerësve të mëdhenj, të cilët në shumë raste janë të vetmit porositës të mundshëm
ndërkombëtarë. Kjo situatë oligopsonie (blerës oligopolistë) u mundëson blerësve të mëdhenj
globalë të “peshkojnë dinamikisht për të gjetur prodhues me kosto të ulët (që i plotësojnë
kërkesat e tyre të dorëzimit, cilësisë dhe kërkesave të produktit). Kësaj i shtohet presioni i fortë
mbi koston që ushtrohet mbi eksportuesit nga vendet e varfra.” Kjo formë e re e ndarjes
ndërkombëtare të punës e vendos kapitalin tregtar (blerësin) në qendër, ndërkohë që kapitali
prodhues, shpesh herë i mesëm dhe i vogël, ka rol të nënrenditur dhe periferik.

Sociologu ekonomik Gary Gereffi i dallon zinxhirët e mallrave të drejtuar nga blerësit e mëdhenj
nga ato të drejtuar nga prodhuesit e mëdhenj. Në këta të fundit, rol udhëheqës kanë
manifakturuesit e mëdhenj transkombëtarë dhe merren kryesisht me prodhimin e
automobilave dhe pajisjeve elektronike. Fitimet e këtij zinxhiri vijnë kryesisht nga kombinimi i
teknologjisë së avancuar dhe vëllimit të prodhimit. Ndërkohë që në zinxhirët e drejtuar nga
blerësit e mëdhenj (zakonisht në sektorin tekstil apo të prodhimit të lodrave) fitimi nuk vjen
edhe aq prej teknologjisë së përparuar, sidomos në rastin e ndërmarrjes periferike që merr
porositë, “por nga kombinimet unike të kërkimit me vlerë të lartë, dizajnit, shitjes, parketimit
dhe shërbimeve financiare që u lejojnë shitësve, tregtarëve të markës dhe manifakturuesve të
markës të veprojnë si dorëzanës strategjikë në lidhjen e fabrikave të largëta me qoshkat e
produkteve në evoluim në tregjet kryesore të konsumit”.

Ky organizim pune është hierarkik jo vetëm në komandë dhe zotërim kapitali, por edhe në
vlerën e shtuar të një produkti, si dhe në kualifikimin dhe cilësinë e punës së përdorur. Sipas
Gary Gereffi-t, zinxhiri i prodhimit ndahet në kërkim-zhvillim, dizajn, sigurim pjesësh përbërëse
(inputs), prodhim, shpërndarje e paketim dhe shitje. Sa më në fillim të zinxhirit të gjendet hallka
ekonomike, aq më e kualifikuar është puna që përdor, aq më kompleks organizimi i saj dhe më
e madhe vlera që i shtohet produktit përfundimtar. Në këtë kuptim, vendet e qendrës zënë

13

Arlind Qori
kryesisht sektorët e kërkim-zhvillimit, dizajnit, si dhe ato pjesë të procesit të prodhimit që
kërkojnë punë shumë të kualifikuar. Kësisoj ato kontribuojnë më shumë më vlerën e prodhuar,
por edhe komandojnë krejt zinxhirin e prodhimit. Prandaj roli i shtetit zhvillimor është që t’i
mbështesë sipërmarrjet vendase që të ngjiten më lart në zinxhirin global hierarkik të vlerës.
Zhvillimi i një vendi matet nga arritjet e tij në “...përparimin e përzierjes së aktiviteteve të tij
ekonomike drejt produkteve intensive nga pikëpamja teknologjike dhe e aftësive prodhuese, si
dhe drejt teknikave me nivele më të larta të vlerës së shtuar lokale”. Kjo lëvizje për lart do të
thotë jo vetëm zënie e vendeve më të përparuara (p.sh. në kërkim-zhvillim apo dizajn) brenda
një sektori si ai i tekstileve, por edhe kalim nga sektori i tekstileve, ku puna prodhuese shton më
pak vlerë, te sektorë më të përparuar industrialë, si ato të prodhimit të makinerive apo
pajisjeve elektronike – gjë që ka ndodhur ndër dekada me vendet e Azisë Lindore.

Vendet e Azisë lindore ia kanë dalë të ngjiten në zinxhirin e vlerës duke kaluar nga faza më e
ulët, ajo e montimit të pjesëve që vinin nga vendet e qendrës tek ajo e manifakturimit të
pajisjeve origjinale (OEM – Original Equipment Manifacturing) dhe, në disa raste më të
suksesshme, edhe në fazën më të lartë të manifakturimit të markave (OBM – Original Brand-
Name Manifacturing). Më konkretisht, modeli OEM “...kërkon aftësinë për të realizuar porositë
nga blerësit globalë, që përfshin bërjen e mostrave, blerjen ose manifakturimin e pjesëve
përbërëse (inputs) të nevojshme për veshje, plotësimin e standardeve ndërkombëtare në çmim,
cilësi dhe dërgesë, si dhe marrjen e përgjegjësisë për paketim dhe transport të njësive të
përfunduara”. Në këtë organizim të punës firmat e nënkontraktuara kanë një farë autonomie
nga porositësi dhe mund të mësojnë prej tij më shumë sesa në fazën e montuesve të thjeshtë.
Sipas Gereffi-t, Japonia dhe disa firma të vendeve të zhvilluara më vonë të Azisë Lindore kanë
arritur në fazën ku të bëjnë vetë edhe dizajnin (që kërkon punë konjitive komplekse), si dhe të
ndërtojnë markat e tyre. Kësisoj nga firma të kontraktuara ato janë shndërruar në blerës apo
manifakturues të mëdhenj që nënkontraktojnë firmat e vendeve të tjera aziatike, duke shënuar
kësisoj ngjitjen në majën e zinxhirit global të vlerës.

Duke ndjekur analizën e Gereffi-t mund të thuhet se ngjitja industriale e një vendi kryhet në
katër dimensione. Në nivelin e fabrikës, ajo shënohet nga kalimi prej prodhimit të mallrave të
thjeshtë e të lirë te prodhimi i mallrave më kompleksë e të shtrenjtë. Në nivelin e rrjetit të
sipërmarrjeve, ngjitja kryhet duke kaluar nga prodhimi masiv i mallrave standarde në prodhimin
e mallrave të larmishme, që kërkojnë procese pune më fleksibile. Në nivelin e tretë, atë të
ekonomisë lokale ose kombëtare, “ngjitja përfshin lëvizjen nga montimi i thjeshtë i pjesëve
përbërëse të importuara drejt formave më të integruara të prodhimit OEM dhe OBM, duke
përfshirë një përdorim më të gjerë të lidhjeve të përparme e te pasme në nivel lokal dhe
kombëtar.” Ndërkohë që nivelin e fundit, atë rajonal, “ngjitja përshin zhvendosjen nga rrjedhat
tregtare bilaterale, asimetrike dhe ndër-rajonale drejt një ndarjeje më të zhvilluar
14

Arlind Qori
brendarajonale të punës, që përfshin të gjitha fazat e zinxhirit të mallit: nga furnizimi me lëndë
të parë te prodhimi, shpërndarja dhe konsumi.”

Zinxhiri global i vlerës dhe vendosja në krye të tij e firmave tejet të mëdha porositëse (si
prodhuese ose blerëse) ka ndryshuar edhe mënyrën e qeverisjes ekonomike globale. Të qenit
firma të njohura, për të cilat reputacioni global është tejet i rëndësishëm, i ka bërë ato më të
ndjeshme ndaj opinionit publik botëror ose, të paktën, opinionit publik të vendeve ku ato kanë
bazën apo numrin më të madh të blerësve të mallrave të tyre. Sipas Gereffi-t, “kur kërkesa për
një produkt vjen më pak për shkak të dobisë sesa prej identitetit të markës, firmat janë më të
prekshme nga presioni shoqëror”. Nëse ato ose nënkontraktorët e tyre denoncohen se po
sjellin ndotje të rënda mjedisore apo shtypin të drejtat e punëtorëve, ekziston mundësia e asaj
që Gereffi e quan qeverisshmëri private: grupe qytetarësh, shoqatash apo lëvizjesh me
ndërveprim botëror mund të marrin iniciativa të denoncimit dhe thirrjes për bojkotimin e
produkteve origjina e të cilave është te porositësi i madh i markës. Ka ndodhur që presioni i
këtyre lëvizjeve të shoqërisë civile t’u imponojë firmave të mëdha kode sjelljeje dhe këto të
fundit të jenë të detyruara t’ua imponojnë ato edhe nënkontraktorëve të tyre të vegjël në
periferi. Meqenëse firmat e periferisë që janë në fund të zinxhirit të prodhimit nuk kanë rezerva
të mjaftueshme financiare për të përmirësuar standardet e punës apo mjedisore, atëherë
porositësit e mëdhenj mund të detyrohen të zhvendosin një pjesë të fondeve drejt periferisë,
në mënyrë që procesi i prodhimit të ruajë një nivel ta caktuar të drejtash.

V. Shteti zhvillimor dhe kapitali njerëzor

Një nga tiparet më të rëndësishme të shtetit zhvillimor të dekadave të fundit – jo vetëm ndër
vendet e Azisë Lindore, por mbi të gjitha në vendet e qendrës së sistemit-botë kapitalist – ka
qenë mbështetja e kërkimit shkencor dhe novacioneve teknologjike. Vetë kapitalizmi ka
integruar gjithnjë e më shumë punën konjitive dhe firmat pararojë kërkojnë avantazhe në treg
përmes shpikjeve. Jo se më parë shtetet nuk kanë investuar në kërkimin shkencor dhe
shpikje/novacione, por në fazën e kapitalizmit pasfordist ato janë të lidhura më tepër me
prodhimin sesa me sektorët joekonomikë, si p.sh. mbrojtja. Vende të tjera, si p.sh. Koreja e
Jugut, kanë përdorur lehtësi fiskale ose hua të lira për të nxitur investimet private në kërkim-
zhvillim. Meqenëse kërkim-zhvillimi kërkon investime të mëdha dhe kompetencë të lartë,
shpesh herë vendet e Azisë Lindore kanë ndërtuar ura bashkëveprimi me korporatat
shumëkombëshe duke e kushtëzuar hyrjen e tyre në tregun vendas me rrjedhjen e njohurive
drejt firmave vendase ose bashkëpunime me këto të fundit. Gjithashtu kostoja e lartë e kërkim-
zhvillimit, kompleksiteti i punës dhe përfitueshmëria globale e shpikjeve kërkon që
fushëveprimi të jetë global. Me fjalët e Kaplinsky-t: “Sa më i gjerë tregu, aq më të mëdha janë
15

Arlind Qori
mundësitë për specializim dhe përfitim produktiviteti... investimi i fortë në pajisje të fiksuara
dhe kërkim-zhvillim do të thotë se shpesh vetëm tregu global mund të ofrojë shkallën e
mjaftueshme për të korrur frytet e vërteta të ndarjes së punës së kërkuar.”

Po në lëmin e kërkim-zhvillimit shteti është një subjekt që ka përparësi ndaj sektorit privat.
Ekonomistja italiane Mariana Mazzucato argumenton se kërkim-zhvillimi jo vetëm bart kosto të
larta, por pasojat e tij pozitive mund të vonojnë shumë më kohë. Ajo merr shembullin e
zhvillimit të internetit dhe nanoteknologjisë. Për sa i përket nanoteknologjisë, “industritë
investojnë në zhvillimin e produkteve konkurruese në kosto në një fashë kohore nga 3 në 5 vjet.
Menaxherët e industrive e kanë të vështirë të bindin aksionerët për investime të mëdha në
kërkim themelor afatgjatë, të nevojshme për të mundësuar produktet nanoteknologjike. Për
më tepër, natyra ndërdisiplinore e kërkimit të nevojshëm është e papërputhshme me
strukturën e shumë korporatave aktuale.” Në këtë kuptim shteti zhvillimor mund të marrë
përsipër më kollaj rrezikun e investimit në shpikje të cilat kanë probabilitet të lartë dështimi ose
efektet pozitive i kanë shumë të largëta në kohë. Shteti është i pafalimentueshëm ekonomikisht
(për shkak se mundet gjithmonë të përdorë monopolin legjitim të dhunës për të taksuar ose
përvetësuar nga sektori ekonomik), prandaj mund të ketë guxim dhe fushëveprim më të gjerë
se privatët. Shpikjet e sektorit publik, si për shembull interneti, kalojnë më vonë në sektorin
privat dhe përdoren falas prej tij për të avancuar eficiencën prodhuese.

Për ta strukturuar mbështetjen e tyre për kërkim-zhvillimin, shtetet zhvillimore themelojnë


institucione të veçanta, të cilat janë fleksibile në organizim dhe përpiqen të bashkërendojnë
punën e një sërë aktorësh – publikë dhe privatë. Mazzucato-ja merr shembullin e DARPA-s
(Defense Advanced Research Projects Agency) në SHBA: “Një serie zyrash relativisht të vogla,
shpesh të mbushura me shkencëtarë dhe inxhinierë të shquar, u jepet autonomi buxhetore e
konsiderueshme për të mbështetur idetë premtuese.... Financimi u shkon një përzierjeje
kërkuesish të bazuar në universitet, firmash start-up, firmash të mirëvendosura dhe
konsorciumesh industriale.” Kjo agjenci i kushtëzon fondet me arritje të monitorueshme në
përparimin shkencor dhe novacione. Agjenci të tilla mund të veprojnë vetëm në kuadrin e një
shteti që në tërësinë e vet ka autonomi ndaj interesave partikulare jozhvillimore të firmave
private (të cilat priren ta bllokojnë përdorimin e shpikjeve të veta përmes patentave), autoritet
të mjaftueshëm për t’i udhërrëfyer ato në procesin e kërkim-zhvillimit dhe së brendshmi është i
organizuar në institucione tejet fleksibile dhe të koordinuara mes tyre. Udhërrëfimi i shtetit në
këtë proces bën që kur shpikja ose novacioni të ndodhë, ai të rrjedhë pa pengesa dhe shpejt
drejt të gjithë aktorëve ekonomikë, duke mos krijuar monopole njohurish, siç ndodh në rastin e
shpikjeve kryekëput private.

16

Arlind Qori
Një tjetër teoricien që analizon rolin e të shtetit në zhvillimin e kapitalit njerëzor është
ekonomisti indian Amartya Sen. Për Sen-in, varfëria nuk duhet parë thjesht si mungesë të
ardhurash apo konsumi, por si privim i njeriut nga kapacitetet e tij. Ky privim është edhe
absolut – kur shoqërohet me pamundësinë për të kryer veprimtari ekonomikisht dhe shoqërisht
të dobishme, por edhe relativ, ku qytetari i një shoqërie e ka të pamundur t’u përshtatet
kërkesave të larta për t’u angazhuar në veprimtari produktive. Ky privim nga ndërtimi dhe
ushtrimi i kapaciteteve është privim nga liria. Kjo e fundit është liria substanciale “...e realizimit
të më shumë kombinimeve alternative të funksionimeve (ose, e thënë me fjalë më të thjeshta,
e realizimit të sa më shumë stileve alternative të jetesës). Për shembull, një i mirëqenë që
agjëron mund të funksionojë, në planin e ushqimit, njëlloj si një i mjerë që është i detyruar të
mos hajë, por i pari ka një ‘bashkësi kapacitetesh’ të ndryshme nga i dyti (i pari mund të
vendosë të hajë mirë dhe të ushqehet siç duhet, kurse i dyti jo).” Pra zhvillim njerëzor do të
thotë rritje e kapaciteteve për të vepruar në sa më shumë fusha, veprimtari dhe stile jetese.
Nga pikëpamja ekonomike, rritja e kapaciteteve konsiderohet edhe si rritje e kapitalit njerëzor –
e aftësive të njeriut për të prodhuar dhe për t’u vlerësuar ekonomikisht. Një nga instrumentet
më të rëndësishme të rritjes së kapaciteteve është arsimimi. Për Sen-in, arsimimi i gjerë u
mundëson më shumë njerëzve të jenë më efektivë në veprimtaritë ekonomike, çka do të sillte
edhe rritjen e të ardhurave të tyre. Edhe nëse kjo e fundit nuk realizohet, sërish njeriu i
mirarsimuar e ka më të gjerë botëkuptimin dhe më komplekse marrëdhëniet shoqërore në të
cilat angazhohet, çka sjell indirekt dhe në afatgjatë edhe përfitime materiale.

Zhvillimi si rritje kapacitetesh ka nevojë për demokracinë. Në demokraci zhduken ato që Sen-i i
quan burimet e jolirisë: “mjerimi si tirani, ankthi i perspektivave ekonomike si deprivimi
shoqëror sistematik, shkujdesi ndaj shërbimeve publike si jotoleranca apo autoritarizmi i një
shteti shtypës.” Liria është edhe qëllim në vetvete, edhe mjet që ndikon në zhvillimin e të tjera
anëve të jetës njerëzore. Kësisoj “...liritë thelbësore përfshijnë pasjen e kapaciteteve
elementare si mundësia për t’u shpëtuar disa privimeve – uri akute, denutrim, sëmundje të
shmangshme, vdekje e parakohshme – si dhe të gjitha liritë që lidhen me shkrimin, leximin,
bërjen e llogarive, të drejtën për të marrë pjesë politikisht dhe për t’u shprehur...” Këto të
fundit kanë rëndësi edhe në vetvete, edhe sepse e bëjnë njeriun më produktiv në jetën
ekonomike.

Ndryshe nga autorët e sipërtrajtuar, Sen-i mendon se demokracia është një sistem më i
përshtatshëm për zhvillimin e shumanshëm sesa regjimet autoritariste. Këto të fundit qëllon të
goditen fort ekonomikisht – madje edhe me katastrofa si zitë e bukës, për shkak se ngulfatja e
kritikës publike u pamundëson të marrin informacion të saktë për nevojat dhe kërkesat bazike
të shoqërisë. “Qeveritë demokratike”, nga ana tjetër, “duhet të fitojnë zgjedhjet dhe t’u bëjnë
ballë kritikave të opinionit publik, për pasojë kanë një stimul të fortë për të marrë masa
17

Arlind Qori
parandaluese ndaj këtyre katastrofave. Nuk është aspak për t’u çuditur që në gjithë historinë
nuk ka pasur asnjë rast zije buke në një demokraci funksionuese, qoftë kjo e pasur (si p.sh.
Evropa perëndimore dhe SHBA e ditëve tona), apo relativisht e varfër (si India, Bostvana apo
Zimbabveja pas pavarësisë). Zitë e bukës zakonisht kanë rënë ose në territore të kolonizuara që
qeveriseshin nga të huajt... ose në shtetet me një parti ..., ose në diktatura ushtarake...” Përmes
këtyre shembujve Sen-i nuk e përjashton mundësinë që shtetet autoritariste mund të kenë
përparësi zhvillimore në momente të caktuara, mirëpo zhvillimi që sjellin ato është më i brishtë
dhe i paqëndrueshëm, lidhet më shumë me parametrat makroekonomikë sesa me mirëqenien
e popullsisë dhe, ç’është më e rëndësishmja, nuk e sheh shoqërinë si ndërvepruese në
orientimin e politikave zhvillimore. Sidomos në fazën e një zhvillimi më të pjekur, një dozë
demokracie është jetike për të kuptuar dhe ndërvepruar me një shoqëri dhe strukturë
ekonomike gjithnjë e më komplekse.

Në fund, në kuadrin e rolit që ka shteti në politikat zhvillimore, do të trajtojmë shkurtimisht


argumentet atyre që quhen teoricienë neo-institucionalistë. Objekti kryesor i kritikës së neo-
institucionalistëve është konceptimi neoliberal i tregut të vetërregulluar (me pak ndërhyrje nga
shteti). Për neo-institucionalistët, tregu është gjithnjë i papërsosur në informacionet që u ofron
aktorëve ekonomikë. Informacioni do të ishte shumë i kushtueshëm nëse do të bazoheshim
vetëm në sinjalet që jep tregu. Prandaj nevojitet ndërhyrja e shtetit, që të krijojë besueshmëri
midis aktorëve ekonomikë dhe të sigurojë se transaksionet midis tyre do të jenë pa hile. Këtë e
realizon përmes ndërtimit të një rrjeti të dendur dhe kompleks institucionesh publike. “Kuadri
institucional konsiston në strukturën politike që specifikon mënyrën si ne zhvillojmë dhe
agregojmë zgjedhjet politike, strukturën e të drejtave të pronësisë që përkufizon nxitjet
ekonomike formale dhe strukturën shoqërore – normat dhe konvencionet – që përkufizon
nxitjet informale të ekonomisë. Struktura institucionale pasqyron besimet e akumuluara të
shoqërisë në kohë dhe ndryshimi në kuadrin institucional është zakonisht një proces
inkrementues që pasqyron kufizimet që e shkuara i vendos të tashmes dhe të ardhmes.”

Për neo-institucionalistët, zhvillimi ekonomik përcaktohet nga sasia dhe gjendshmëria e


njohurive të akumuluara prej kohësh në shoqëri. Këto njohuri, të paplota individualisht dhe të
fragmentuara sektorialisht, mund të fitojnë koherencë dhe të bëhen të përdorshme nga të
gjithë vetëm kur shteti vendos një kuadër institucional që i përmbledh dhe i pasuron ato. Kur
kjo ndodh, kostoja e transaksioneve ekonomike reduktohet seriozisht. Institucione të tilla janë
të larmishme, duke nisur nga më tekniket te më politiket. Shteti e ka arritur këtë, ndër të tjera,
përmes: “1. Zhvillimit të një sistemi uniform peshash dhe masash, kërkimit teknologjik për
matje më të mira dhe specifikimit të përmirësuar i të drejtave të pronësisë; 2. Krijimit të një
sistemi gjyqësor për të reduktuar kostot e zbatimit të kontratave; 3. Zhvillimit të institucioneve
për të integruar njohuritë e shpërhapura në shoqëri, si dhe për të monitoruar dhe matur
18

Arlind Qori
marrëveshjet dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.” Kësisoj, shteti lehtëson ndërveprimin
ekonomik duke vendosur njësi matëse të gjithëpranuara, të cilat do të ishin tejet të vështira
dhe të kushtueshme po të vendoseshin në mënyrë private. Kjo vlen edhe për institucionet
gjyqësore dhe të tjera institucione që synojnë të zgjidhin përmes mekanizmave publike
mosmarrëveshjet mes vepruesve ekonomikë. Pra, na thonë neoinstitucionalistët, pa një shtet
në fortë, në kuptimin e një bashkësie institucionesh koordinuese të veprimtarisë ekonomike,
jeta ekonomike do të kishte vështirësi të mëdha, të cilat do të ndikonin në zhbërjen e
potencialeve zhvillimore të një vendi. Dhe roli i shtetit rritet bashkë me bërjen më komplekse të
strukturës ekonomike dhe ndërveprimit midis agjentëve ekonomikë në shoqëri.

19

Arlind Qori

You might also like