You are on page 1of 3

“NJË JETË E PËRKUSHTUAR, PËR PYJET DHE INDUSTRINË E DRURIT”

NË DATËLINDJEN E INXHINIER, IRFAN MEKOS


Prej 20 vitesh ai gëzon pensionin, ai përseri është aktiv,
është një zë i fuqishëm midis pylltarëve në mbrotje dhe
përmirësim të pyjeve. .

“Puna është një kriter i rëndësishëm, për të përzgjedhur dhe dalluar


njerëzit. Nëse është punëtor, është i zoti, është i pasur, është solidar,
është i shëndetshëm, është i drejtë, jeton mirë, të mirëkupton, zbaton
ligjin, është i fjalës, nuk është hajdut, nuk është sherrxhi, është i
dashur, bëhet i ditur. Nuk vlen asgjë mendja dhe zotësia e atyre që nuk
u shihet puna. Për të kryer një punë, nuk lipset vetëm të dish, por
kryesisht të duash”, thotë Sami Frashëri. Eshtë kjo një parathënie, që
në çdo fjalë, gjendën të materializuara tek ai të cilit i kushtohet ky
shkrim si një mesazh në këtë datëlindje. “Nuk kanë rëndësi vitet në jetë.
Por jeta e kaluar në vite.”
Jetë e përkushtuar për pyjet dhe njerëzit që punuan në to, është kjo që do ju përmbledhim në vijim;
27 Prill 2022, shënon 82 vjetorin e lindjes së Irfan Mekos, njërit prej atyre specialistëve e drejtuesve, që
spikatën me punën e madhe dhe sakrificat e shumta e të panumërta, për zhvillimin e sektorëve të pyjeve
dhe të industrisë së drurit në vendin tonë, gjatë disa dekadave. Eshtë ndër rastet e veçanta ndoshta dhe i
vetmi që ka një përvojë kaq të madhe në pylltarinë shqiptare: që ka punuar dhe drejtuar thuajse në gjithë
sektorët. E fillon punën si teknik i mesëm pyjesh, më vonë inxhinier, drejtor në ndërmarrje pyjore,
kryeinxhinier dhe drejtor në ndërmarrjen e shfrytëzim përpunim drurit, drejtor në nivelin më të lartë dhe
kudo siç thotë populli “me faqe të bardhë” dhe me rezultate të mira të prekshme. Në vitet në pension,
përsëri shumë aktiv dhe bashkëpunues, që materializohet dhe me dy botime me shumë vlera.
Irfan Meko, pas mbarimit të Teknikumit Bujqësor në Golem të Kavajës dhe në Kamzë të Tiranës, në vitin
1957, filloi karrierën profesionale si teknik i mesëm pyjesh, fillimisht në Gramsh dhe më vonë në Skrapar.
Me hapjen e Fakultetit të Pyjeve, në vitin 1959, ishte një ndër 25 studentët e parë që filloi atje studimet e
larta dhe mbas diplomimit në vitin 1964, u emërua specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Pyjeve, në
Ministrinë e Bujqësisë. Krahas punës së drejtpërdrejtë në mbarështimin e pyjeve të Zonës së Dumresë në
Elbasan dhe të pyjeve të Berishës e Pacit në Tropojë, ai ishte përgjegjës në atë Drejtori edhe për sektorin e
kullotave dhe atë të shfrytëzimit të pyjeve.
Në vitin 1967, transferohet në Librazhd, me detyrën e drejtorit të Ndërmarrjes Pyjore, ku qëndroi deri në
vitin 1970. Përveç aktiviteteve të ndërmarrjes, si pyllëzime, përmirësime, sistemime malore, etj., për
Irfanin shqetësues ishte mos transportimi në kohë i lëndës së prerë, për në destinacionet e planifikuara, që
shoqërohej me humbjen fizike të materialit drusor, për shkak të dëmtimit nga faktorët atmosferikë, e për
pasojë edhe me humbje të konsiderueshme të vlerave financiare për ekonominë e vendit, situatë së cilës i u
kundërvu me guxim dhe me këmbënguljen e tij, ajo praktikë filloi të ndryshonte.
Në fund të viteve ‘60, së bashku me specialistët e ndërmarrjes, eksperimentoi aplikimin e prerjeve të dyta
dhe përfundimtare në pyjet e Librazhdit, edhe në periudhën pa dëborë, duke hedhur bazat e një përvoje të
munguar në vendin tonë, e cila do të thellohej në vitet e më vonshëm.
I vlerësuar, për përkushtim dhe profesionalizëm, më tej karriera Irfan Mekos, nga viti 1970 deri në vitin
1976, vazhdoi në sektorin e industrisë së drurit, me detyrën e lartë të drejtorit të Drejtorisë së Drurit dhe të
Letrës, në Ministrinë e Industrisë dhe Minierave.
Rritja në vijimësi e kërkesave për lëndë drusore, shtronte nevojën e rritjes së investimeve për shfrytëzimin
e pyjeve për ndërtimin e rrugëve pyjore, të stabilimenteve dhe sektorëve të rinj, shtimin e parkut të mjeteve
dhe mekanizmave, etj., por përsëri problemi më madhor mbetej mos transportimi në kohë i lëndës drusore,
mbi të gjitha i druve të zjarrit për ngrohjen e popullatës. Megjithëse konsiderohej si shkelje e parimeve të
planifikimit të ekonomisë së centralizuar, me këmbënguljen dhe insistimin e tij, shumë herë atij i janë
pranuar propozimet për reduktimin e planeve të prodhimit të asortimenteve në pyje, në funksion të
mundësive transportuese, duke shmangur humbjen e vlerave të konsiderueshme nga dëmtimi i lëndës
drusore.
Rritja e kapaciteteve prodhuese të industrisë së përpunimit të drurit dhe të letrës për përballimin e nevojave
të ndryshme të ekonomisë, ngritja e fabrikave, reparteve dhe linjave të reja, për shtimin e gamës së
1
prodhimeve prej druri dhe letre, kanë qenë detyra të vështira, për realizimin e të cilave ai punoi me
përkushtim.
Në vitin 1976, ai largohet nga dikasteri dhe emërohet kryeinxhinier në Ndërmarrjen e Përpunim Drurit në
Pogradec, ndërsa në vitin 1982, emërohet drejtor i saj. Veprimtaria e ndërmarrjes përfshinte shfrytëzimin e
pyjeve dhe përpunimin e drurit dhe renditej ndër ndërmarrjet kryesore të industrisë së drurit. Gjatë asaj
periudhe, u rritën kapacitetet prodhues, nëpërmjet rikonstruksioneve të fabrikës së mobilieve dhe linjës së
karrigeve për eksport, si dhe u ngrit linja e prodhimit të zinxhirëve dhe pjesëve të ndërrimit për
motosharrat, ndërsa në shfrytëzimin e pyjeve, filloi aplikimi i projekteve tekniko-ekonomikë për çdo
parcelë, u rrit niveli i mekanizimit në transportin e brendshëm, etj. Ishte puna e Irfan Mekos në bazë dhe
bashkëpunimi me kolegët, që ja rritën jo vetëm vlerat ndërmarrjes por dhe atij dhe bashkëpunëtorëve.
“Fillo aty ku je. Përdor atë që ke. Bëj atë që mundesh. Kuraja, vlerësohet me të drejtë cilësia e parë e
njeriut, sepse është cilësia që i garanton gjithë të tjerat”. Kështu mund të perifrazohet kthimi për së dyti
si drejtor në dikaster.
Nga fundi i vitit 1984, deri në vitin 1991, Irfanit i u ngarkua përsëri drejtimi i Drejtorisë së Drurit dhe të
Letrës, në Ministrinë e Industrisë dhe Minierave. Situatat kishin ndryshuar dhe sfidat ishin shtuar. Kërkesat
për lëndë drusore ishin rritur shumë, ndërkohë që fondi pyjor i shfrytëzueshëm ishte pakësuar shumë. Në
ato kushte, ndër problemet më madhorë, për sektorin e pyjeve dhe atë të shfrytëzimit të pyjeve, ishin
balancimi i prerjeve me mundësinë vjetore të shfrytëzimit, të cilat për disa dekada kishin qenë
disproporcionale, sidomos ai i druve të zjarrit; intensifikimi i prerjeve të dyta e përfundimtare edhe në
periudhën pa dëborë, në sipërfaqet me filizëri shumë të zhvilluar; ndërtimi i rrugëve të reja për lidhjen e
ekonomive pyjore të pavëna në shfrytëzim; transporti në kohë i lëndës drusore nga pyjet në destinacionet e
përdorimit; rritja e nivelit të mekanizimit në transportin e brendshëm, etj. Në funksion të këtyre nevojave
filloi ndërtimi i rrugëve të reja pyjore, në ekonomitë e pafutura në shfrytëzim dhe deri në fund të viteve
‘80, u arrit të balancohej prerja e lëndës së punimit me mundësinë vjetore të shfrytëzimit.
Në sektorin e përpunimit të drurit, rritja e prodhimit dhe e gamës së mobilieve dhe orendive, lëndës së
sharruar, kompensatës, rimesos, pllakave të fibrës e zdrukthit, etj., kërkonte rikonstruksionin e linjave dhe
fabrikave ekzistuese, si dhe ngritjen e atyre të rejave, zëvendësimin e lëndës së drurit me materiale të tjerë
më pak deficitarë, përmirësimin e cilësisë, etj. Shumë linja e fabrika i u nënshtruan rikonstruksioneve, si
dhe u projektuan e u ndërtuan fabrika e linja të reja. Industria e letrës, problemin kryesor kishte furnizimin
me lëndë të parë, trupa halorë, sasia e të cilëve kishte ardhur në ulje, për shkak të pakësimit të këtij lloji në
fondin pyjor, fakt që imponoi përdorimin e një sasie më të madhe të trupave fletorë për prodhimin e saj,
krahas përmirësimit të cilësisë, uljes së ndotjeve në mjedis, etj.
Shqetësim vazhdonte të mbetej mos transporti në kohë i lëndës drusore, që vazhdimisht ka qenë objekt
përplasjesh të panumërta, jo vetëm me drejtuesit e ndërmarrjeve të transportit, komunale, etj., por edhe me
drejtuesit e niveleve më të lartë të shtetit. Një ndër paradokset e kohës ishte se ndërmarrjeve të shfrytëzimit
të pyjeve u kërkohej realizimi i planit, pra asortimentet prodhoheshin dhe këto shpesh kalbeshin në pyje për
mungesë të kapaciteteve transportuese nga parqet e mallrave. Këto probleme i nënvizon Irfani në kujtimet e
tij dhe thotë: “në kohë transporti i lëndës drurit asnjëherë nuk mori zgjidhje dhe pse më morri shumë kohë
dhe mundim”.
Eshtë e lavdërueshme puna dhe vizioni që Irfani kishte për perspektivën e shfrytëzimit të pyjeve dhe
industrinë e drurit. Ai vlerësoi në kohë nevojën për rritjen e nivelit të punës studimore e projektuese në
ndërmarrjet e industrisë së drurit si dhe në nivelin qendror. Përpjekjet për përmirësimin e nivelit të drejtimit
dhe të punës në ndërmarrjet në vartësi të kësaj Drejtorie, nëpërmjet shtimit të numrit të specialistëve të lartë
dhe përmirësimit të pagave, filluan të jepnin rezultate me emërimin e specialistëve të lartë, inxhinier dhe
ekonomistë, në postet e drejtuesve, si dhe në zëvendësimin e atyre me arsim të mesëm.
Këto kanë qenë disa nga aspektet, problemet dhe vështirësitë me të cilat është përballur Irfan Meko, gjatë
periudhave që ka qenë në këto funksione, për zgjidhjen e të cilave ai ka demonstruar përkushtim, përpjekje,
këmbëngulje, guxim dhe aftësi drejtuese, që nuk i kanë munguar asnjëherë.
Me krijimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Ekonomisë Pyjore, në vitin 1991, ai caktohet me funksionin e
zv/Drejtorit të Përgjithshëm të atij institucioni, deri në vitin 1992, kur filloi aktivitetin privat, në sektorin e
përpunimit të drurit.
Gjatë gjithë karrierës, një aspekt tjetër i aktivitetit të tij profesional, ka qenë puna studimore e projektuese,
në ndërmarrjet ku ka drejtuar si dhe në dikaster. Ai ka botuar artikuj të ndryshëm dhe është autor i librit me
kujtime “40 vjet - Punë në pyje dhe industrinë e drurit”, si dhe bashkautor i librit “Pyjet në rrjedhën e një
shekulli”.

2
Detyrat apo funksionet që ka pasur i dhanë mundësinë të njihej dhe të punonte me një numër të madh
njerëzish, që nga nivelet më të ulëta deri në instancat më të larta shtetërore, duke e renditur atë ndër
specialistët e pakët, me një eksperiencë kaq të madhe dhe të larmishme.
Si njeri i përkushtuar dhe korrekt, ka ditur të përballojë sfidat e ndryshme, me të cilat është ndeshur dhe ka
përjetuar gëzime e suksese, për gjithçka që është bërë e realizuar, si dhe zhgënjime dhe keqardhje për çka
nuk u arrit të realizohej, por sidomos për çfarë ka ndodhur në pyjet tanë, gjatë këtyre viteve të tranzicionit.
Të punoje me Irfanin, ishte një shkollë e dytë për gjithë secilin nga ne. Bashkëpunimi me të të impononte
korrektësinë e seriozitetin në punë, qenien sistematik dhe ndjekjen në vazhdimësi të detyrave të ngarkuara,
sakrifikimin e kohës së lirë në funksion të detyrës, këmbënguljen për të çuar deri në fund zbatimin e
angazhimeve të marra, si dhe mbi të gjitha, të ndershmërisë në kryerjen e detyrave dhe të punës në grup.
“Të punosh, të shërbesh në pyje, nuk është e mjaftueshme të kesh njohuri teorike silvikulturore për t’i
mbarështuar ata. Kërkohet dhe përkushtim, të sfidosh vështirësitë, të kesh dashuri për drurët, për pyllin,
si qenie të gjalla. Megjithëse jam ngarkuar të drejtoj në nivel të lartë në Ministrinë e Industrisë e
Minierave apo drejtues në bazë, kam qenë dhe mbetem pylltar. Dashuria për këtë pasuri të madhe na u
fut në gjak që studentë, nga pedagogët tanë të nderuar, por veçmas kur dolëm në jetë si specialistë; nga
drejtori ynë i pasionuar Miço Kallamata. Ai me punën e palodhur, edukatën, humorin por edhe me
rreptësinë e tij, na mësoi atë metodë dhe stil pune, që kërkonte mbrojtja dhe mbarështimi sa më
shkencor i pyjeve, me shpirtin e tij të madh por edhe të sakrificës, na edukoi që ta konsideronim pyllin si
pjesë të jetës sonë”. Këto janë ato mesazhe që përcjell sot Irfani, jo vetëm për ne, që kemi kënaqësi të
pimë ndonjë një kafe pas shëtitjeve të tija tek Parku i Liqenit, por dhe për specialistët më të rinj”, që
duhet t’i dalin për zot profesionit të pylltarit dhe pyjeve se sot ato janë më të pakët se kurrë” - shton ai.
Për veprimtarinë e tij, ai është nderuar me urdhra e dekorata të ndryshme në vite. Në vlerësimet më të
fundit, në kuadrin e 90 vjetorit të krijimit të Shërbimit Pyjor Shqiptar, në vitin 2013, është dekoruar nga
Presidenti i Republikës me “Medaljen e Mirënjohjes”, me motivacion “Për kontributin e shquar në
zhvillimin e pyjeve dhe të industrisë së përpunimit të drurit”.

U tha diçka në këtë shkrim të shkurtër, ndonëse ka dhe mund të shkruhet shumë më gjatë për jetën dhe
veprimtarinë e Irfan Mekos në sektorin e pyjeve, të shfrytëzimit të pyjeve, të industrisë së drurit dhe të
letrës. I urojmë atij jetë të gjatë dhe shëndet të mirë. Edhe shumë ditëlindje të tjera me njerëzit e dashur dhe
midis kolegëve. Urimeve tona, u bashkohen sot edhe ata qindra e mijëra punëtorë, specialistë e kuadro që
kanë punuar ndër vite në këta sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, e që kanë ndarë me të, të gjitha
vështirësitë dhe gëzimet e jetës.

Irfan Meko, lindi më 27. 04. 1940, në Boshanj, Kolonjë. Jeton në Tiranë.
U diplomua “Teknik i mesëm pyjesh” më 1957, në Teknikumin Bujqësor Kamzë dhe Golem, Kavajë.
U diplomua “Inxhinier pyjesh” më 1964, në Fakultetin e Pyjeve (Instituti i Lartë Bujqësor, Kamzë).
Përvoja profesionale:
1957 - 1959, teknik i mesëm pyjesh, në Gramsh e Skrapar.
1964 - 1967, specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Pyjeve, në Ministrinë e Bujqësisë.
1967 - 1970, drejtor i Ndërmarrjes Pyjore, Librazhd.
1970 - 1976, drejtor i Drejtorisë së Drurit dhe Letrës në Ministrinë e Industrisë dhe Minierave.
1976 - 1982, kryeinxhinier i Ndërmarrjes së Shfrytëzim-Përpunim Drurit, Pogradec.
1982 - 1984, drejtori i Ndërmarrjes së Shfrytëzim-Përpunim Drurit, Pogradec.
1984 - 1999, drejtor i Drejtorisë së Drurit dhe Letrës, në Ministrinë e Industrisë dhe Minierave.
1991 - 1992, zv/drejtor i Përgjithshëm, në Drejtorinë e Përgjithshme të Ekonomisë Pyjore.
1992 - 2002, aktivitet privat.
2002 - në pension

Artan Gorica, Genci Kacori, Gjon Fierza


Ish specialistë në industrinë e drurit dhe shfrytëzimin e pyjeve
Prill, 2022

You might also like