You are on page 1of 12

JUGOSLLAVIA MIDIS DY LUFTRAVE BOTËRORE

1. Krijimi i shtetit shumëkombësh Serbo Kroato Slloven (SKS)


2. Tëresia territoriale dhe historia politike e shtetit SKS (1919-1929)
3. Vendosja e diktatures se hapur monarkike serbe
4. Politika e brendshme dhe e jashtme e Jugosllavise gjate periudhes se diktaturës
monarkiste
5. Jugosllavia në prag të Luftës së Dytë Botërore

1.Krijimi i Mbretërisë SKS


LIB solli ndryshime të mëdha në raportin e forcave politike dhe në harten politike
të botës. Ballkani që gjatë kësaj lufte u shndërrua në teatër betejash e operacionesh,
nuk mund të mbetej jashtë këtyre ndryshimeve.
Shpërbërja e monarkisë shumëkombësha austro-hungareze, shtroi edhe një
problemin e të ardhmes së territoreve të sllavëve të jugut që bënin pjesë në këtë
mbretëri, Kroacisë, Sllovenisë, B-H.
Në projektet fillestare të shteteve të Antantës për përiudhën e pasluftës,
Perandoria A-H, me disa cungime territoriale në të mirë të fituesve, mbetej e
paprekur. Italisë, sipas Traktatit të Fshehtë të Londrës të vitit 1915, i ishin premtuar
tokat e Adriatikut Lindor, ndërsa Serbisë, i ishte premtuar Bosnja dhe Hercegovina.
Qarqet drejtuese të Serbisë monarkiste synonin krijimin e një shtetit të madh nën
hegjemoninë serbe. Që në dhjetor të vitit 1914, politikanët serbë kishin shpallur hapur
se pjesmarrja në luftë e Serbisë përkrah shteteve te Antantës, kishte për qellim,
“çlirimin” e serbëve, kroatëve e sllovenëve dhe vënien e tyre nën sundimin e dinastisë
së Karagjorgjeviçëve. Politikanët serbë i përmbaheshin me vendosmëri planit të
krijimit të “Serbisë së Madhe” nëpërmjet zgjerimit, të aneksimit të tokave të tjera
sllave dhe jo sllave dhe kundërshtonte krijimin e çfarëdo shteti mbi baza federative.
Qarqet drejtuese kroate e sllovene, të papërfillura nën monarkinë A-H, e ndjenin
mungesën e një shtetit kombëtar më vehte, gjë që i pengonte në realizimin e synimeve
të tyre politike. Në vitin 1915 përfaqësuesit e kësaj parie, krijuan në Londër të
ashtuquajturin “Komiteti Jugosllav”, me në krye kroatin A. Trumbiç.
Shkëputjen e tokave të sllavëve të jugut nga monarkia austro- hungareze,
“Komiteti Jugosllav” përpiqej ta realizonte nepërmjet kombinacioneve politike me
ndihmën e shteteve të Antantës.
Me 20 korrik 1917, në Korfuz të Greqisë, midis përfaqësuesit të “Komitetit
Jugosllav” A Trumbiç, dhe kryeministrit të qeverisë mbretërore serbe Nikolla Pashiç,
u nënshkrua një deklaratë e përbashkët. Në këtë deklaratë theksohej se shtetit i
ardhshëm do të ishte një monarki kushtetuese parlamentare me një krye dinastinë e
Karagjorgjeviçëve dhe do të quhej “Mbretëria e Serbëve Kroatëve dhe Sllovenëve”.
Kjo deklaratë përbënte aktin e parë të kompromisit midis rrymes unitariste
serbomadhe dhe asaj federaliste jugosllave. Megjithatë, qarqet drejtuese serbe që në
pikat e kësaj deklarate, arritën të sigurojnë mbizotërimin në shtetin e ardhshëm.
Disfatat e vazhdueshme në frontin e luftës e detyruan A-H që me 29 tetor 1918 të
kapitullonte para shteteve të Antantës.
Duke e ndjerë fundin e afërt të monarkisë së dyfishtë, qarqet politike të sllavëve të
jugut, që në filim të tetorit, filluan të organizojnë organet e veta të pushtetit. Me 5
tetor 1918, krerët e partive kryesore politike të Kroacisë e Sllovenisë formuan në
Zagreb, Veçen Qendrore Popullore, e cila e shpalli vehten si organi më i lartë
përfaqësues për të gjitha territoret e sllavëve të jugut që ndodheshin nën sundimin e P.
A-H. Me 19 tetor ajo shpalli shkëputjen e këtyre tokave nga Monarkia e Habsburgëve
dhe krijimin e “Shtetit të Sllovenëve, Kroatëve dhe Serbëve”. Në përbërjen e këtij
shteti, u futën përveç Kroacisë e Sllovenisë edhe B-H.
Nga ana tjetër, ushtria serbe, që ishte nën urdhërat e Komandës së Lartë të
Antantës, pasi hyri me 1 nëntor 1918 në Beograd, dhe brenda një kohë të shkurtër
zuri të gjitha kryeqendrat e Malit të Zi, B-H, Kroacisë, Sllovenisë dhe Vojvodinës.
Situata e re që u krijua me shkatërrimin e monarkisë A-H i detyroi vendet e
Antantës që të ndryshonin projektet e tyre të mëparshme. Ata ushtruan presion mbi
“Veçen Qendrore Popullore” dhe “Komitetin Jugosllav” për të pranuar bashkimin e të
gjitha territoreve të sllavëve të jugut të ish A-H me Mbretërinë e Serbisë.
Me nismën e Antantës, në fillim të nëntorit 1918, në Gjenevë të Zvicrës, u mbajt
Konferenca midis përfaqësuesve të Mbretërisë së Serbisë, “Veçës Qendrore
Popullore“ dhe të “Komitetit Jugosllav”. Kjo konferencë, që shënoi edhe aktin e dytë
të kompromisit midis unitarizimit dhe federalizmit, miratoi një deklaratë që
parashikonte krijimin e shtetit jugosllav me dinastinë e Karagjorgjëviçëve në krye.
Me 1 dhjetor 1918, në Beograd, në prani të përfaqësuesve të Mbretërisë së
Serbisë, të “Veçes Qendrore Popullore” të Zagrebit, të Skupshtinave të Malit të Zi
dhe të Vojvodinës, u shpall formimi i “Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe
Sllovenëve”. Ky ishte akti i tretë dhe i fundit i kompromisit midis dy rrymave që
shënoi edhe fillimin e shtetit jugosllav.
Me 20 dhjetor u formua qeveria e parë e shtetit Serbo- Kroato-Slloven, me liderin
e Partisë Radikale Serbe S. Protiç, si kryeministër dhe zëvendës A. Koroshec dhe
miinistër të punëve të jashtme A. Trumbiç.
Në përbërjen e Shtetit Serbo-Kroato-Slloven u futën përveç Serbisë, Kroacisë dhe
Sllovenisë edhe Mali Zi, B-H, Vojvodina, Maqedonia, Kosova dhe Rrafshi i
Dukagjinit.
Shkatërrimi i Perandorisë A-H në LIB, nuk u dha fund kontradiktave midis
Fuqive të Mëdha për sundimin e Gadishullit të Ballkanit. Meqenëse asnjëra prej
shteteve të Antantës, Franca, Itali dhe Britania e Madhe nuk qenë ë gjendje të
përcaktonin një zgjidhje tjetër për territoret e sllavëve të jugut, adaptuan përkohësisht
formulën e kompromisit për krijimin e Jugosllavisë
Në planin ë brendshëm, formimi i “Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe
Sllovenëve” ishte një marrëveshje kompromisi midis rrymës unitariste serbe dhe
rrymës federaliste kroato-sllovene. Borgjezia kroato-sllovene synonte në zënien e
pozitave sunduese në shtetin e trefishtë, duke u mbështetur në fuqinë e saj më të
madhe ekonomike. Qarqet sudnuese serbe e shikonin “krijesën e re” vetëm si zgjerim
territorial të Serbisë, ku hegjemonia dhe unitarizmi serb do të realizohej nepërmjet
përdorimit të aparatit shtetëror dhe dhunës shtetërore.
Mbretëria SKS ishte një shtet i krijuar prej një ekspansioni të Serbisë në rrethanat
e mbarimit të LIB. Kjo krijesë ishte e inspiruar në radhë të parë prej politikës së
Francës, që dëshironte me e përdorë Jugosllavinë për qellimet e veta personale.
Për arritjen e kompromisit me rrymën federaliste kroato- sllovene, pala serbe (me
ndihmën franceze) shfrytëzoi paraqitjen e “rrezikut italian”
Me 17 dhjetor 1918, Princi Regjent priti një përfaqësi malazeze, e cila i ratifikoi
vendimin e marrë prej asamblesë së këtij populli të mbledhur me 24 nëntor në
Podgoricë, me të cilin shpallte rënien e Mbretit Nikollë dhe aneksimin e Malit të Zi,
Serbisë (Mali i Zi kishte një traditë shumë të vjetër të pavarësisë shtetërore, por
zgjedhjet për në Asamblenë e Podgoricës u kryen gjatë pushtimit ushtarak serb me
pelqimin dhe inkurajimin e francezëve pas shpartallimit të Bullgarisë dhe A-H dhe
pasi policia serbe kishte arrestuar ose dëbuar gjithë kundërshtarët e bashkimit me
Serbinë).

2. Tëresia territoriale dhe historia politike e shtetit SKS (1919-1929)


Në fushën politike, kursi zyrtar i qeverisë së parë të Mbretërisë SKS, synonte
përforcimin e pozitave sunduese të Serbisë. Që me 4 dhjetor 1918, princi regjent
Aleksandër Karagjeorgjeviq publikoi një deklaratë në të cilën nuk thuhej asnjë fjalë
për autonominë kombëtare, për lirinë kushtetuese dhe për pika të tjera të marrëveshjes
që u arrit në Konferencën e Gjenevës në nëntor të vitit 1918. Qeveria e Protiçit , në
kundërshtim me marrëveshjet e nënshkruara, likuidoi organet përfaqësuese të
vetqeverisjes kombëtare në Kroaci, B-H, Mal të Zi, Slloveni dhe krijoi të
ashtuquajturen “Përfaqësi të Përkohshme Popullore”, ku sundonin përfaqësuesit e
partive politike serbe. Në vitin 1919, krahas Partisë Radikale Serbe që ishte kryesorja,
u krijua edhe Partia Demokratike Serbe.
Me 16 mars 1919 u mblodh parlamenti i parë jugosllav, i përbërë prej deputeteve
të ish Skupshtinës Serbe dhe përfaqësuesve të territoreve të reja, të zgjedhur në bazë
të marrëveshjeve me partitë e ndryshme. Në Parlamentin e Përkohshëm dhe
përgjithësisht në jetën politike të vendit, partitë nacionaliste serbe që në fillim patën si
rivale të tyre Partinë Fshatare Republikane Kroate, të drejtuar nga S Radiç
Territoret e rivendikuara, si nga qeveria qendrore në Beograd, ashtu edhe nga
anëtarët e Këshillit Nacional të Zagrebit e të Komitetit të Emigrantëve Jugosllavë,
qenë unanime, megjithë divergjencat në qendrimet rreth formës së bashkimit të tyre
shtetëror.
Dhe konkretisht:
1. Gjithë Kroacia, Sllavonia, të cilat kishte qenë nën Mbretërinë e Hungarisë, plus
qytetin e Rjekës (Fiumes);
2. Bosnja dhe Hercegovina;
3. Gjithë Karniola;
4. Gjithë provinca austriake e Gorizia Gradiska;
5. Trieste;
6. Gjithë Dalmacia;
7. Mali Zi;
8. Një pjesë e madhe e Shtirisë ( me kufij të papërcaktuar);
9. Një pjesë e madhe e Karinxisë (me kufij të papërcaktuar);
10. Gjithë Banati i Temeshvarit (Timishoara);
11. Territore të tjera deri në kufirin aktual italo-austriak të papërcaktuar, por që ishte e
mundur të përfshinin rajonet e gjuhës sllave të Friulit dhe ndoshta edhe gjithë
Friulin;
12. Rajone të ndryshme që bënin pjesë në Mbretërinë e Bullgarisë;
13. Shqipërinë Veriore deri në një pikë të papërcaktuar, por që do të përfshinte një
pjesë të bollshme të bregdetit shqiptar.
Prej Konferencës së Paqes, Mbretëria SKS arriti të mbante jo të gjithë territoret të
cilat aspiroheshin, por ama një pjesë të mirë të tyre.
Mbretërise SKS iu dha tërë kroacia, Sllavonia, B-H, Mali Zi, gjysma e Banatit (ajo që
mbeti i shkoi Rumanisë) rreth një e treta e Shtirisë, disa rajone të Karinxisë (pellgu i
Klagenfurtit i qe lëne pas një referendumi Austrisë), gjysma e Karniolas (pjesa që mbeti
iu atribua Italisë); Në bazë të Paktit të Fshehtë të Londrës, Dalmacia Veriore i ishte
premtuar Italisë, kurse ajo jugore, prej Punta Planka dhe në jug, Serbisë. Tani, në bazë të
vendimeve që u moren pas Luftës së Parë Botërore, e gjithë Dalamcia i përket shtetit të ri
jugoslav. Përndryshë, Istria, Gorizia dhe Trieste iu njohën Italisë. Prej Shqipërisë u
pranua që Mbretëria SKS të ruante Kosovën. Për problemin e Fiumes, duhet thene se ky
problem u trajtua me diskutime e tratativa midis Italisë dhe Mbretërisë SKS, por edhe
midis Italisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe ShBA. Ajo u zgjidh më në fund me
Traktatin Italo-Jugosllav të Rapallos, së 19 nëntorit 1920. Në bazë të tij, kufiri midis
Italisë dhe Mbretërisë SKS u stabilizua në Monte Nevoso në Karniola, me Istrian, Zaren
dhe një perimeter rreth 7 km përreth këtij qyteti, ishujt Kerso, Lussin, Lagostia dhe
Pelagosa me ishujt fqinjë tyre, atribuar të gjitha Italisë; Dalmacia (pa Zaren) dhe të gjithë
ishujt e tjerë dalmatë dhe Quarneros, përndryshe i kaluan Shtetit SKS. Qyteti i Fiumes
(Rjekës) u përcaktua në Corpus Separatum-in antik dhe së bashku me një rryp të ngushtë
tokë iu bahskëngjit Italisë; por në momentin e firmosjes, delegati italian, Konti Sforza,
Ministër i punëve të jashtme në kabinetin Giolitti, i dorezoi delegatit jugosllav Trumbiç,
një letër e destinuar të mbetej e fshehtë, me anën e së cilës, Porto Baros, pjesë përbërëse e
Corpus Separatum-it antic, i atribouhej Jugosllavisë.
Ishte përgatitur përbërja e një komisioni italo-jugosllav për më piketue kufijtë
tokësore, dhe çdo divergjencë e mundshme mund t’i kalonte në shqyrtim arbitrar
Presidentit të Konfederatës Zvicerane.
Traktati pastaj parashikonte situatën e qytetarëve dhe interesave italiane në Dalmaci.
Traktati, u ratifikua prej Princit Regjent të Jugosllavisë me 20 nëntor 1920 dhe me 19
dhjetor 1920 u kthye në ligj prej Parlamentit Italian.
Në vjeshtën e vitit 1923 filluan tratativat e reja midis Italisë dhe Mbretërisë SKS,
që përfunduan në janar 1924 me firmosjen në Romë të katër marrëveshjeve me anën e të
cilave, Italia njihte sovranitetin e shtetit SKS mbi Porto Baros dhe të ashtuquajturen Delta
dhe Jugosllavia njihte sovranitetin e Italisë mbi qytetin e Fiumes. Italia i lëshonte me qera
shtetit SKS për 50 vjet molon Thaon di Revel në Portin e Fiumes dhe Shteti SKS lëshonte
me qera për 50 vjet bregun e djathtë të Fuimara-s. Vendoseshin disa retifikime të kufirit
në afërsi të Fiumes dhe shpallej parimi i besnikërisë, miqësisë midis dy vendeve.
Me 20 korrik 1925 u përfunduan në Nettuno shumë marrëveshje suplementare.
Me këto marrëveshje Shteti SKS përfshinte brenda vehtës gjithë Dalmacinë, pa Zaren,
ndërsa qyteti i lirë i Fiumes humbiste këtë status duke iu aneksuar Mbretërisë së Italisë.

Jeta politike e Mbretërisë SKS


Jeta politike në dy vitet e para të Mbretërisë SKS është karakterizuar nga
paqendrueshmëria. Për këtë dëshmon kriza qeveritare, e cila gjeti shprehjen e vet në
ndërrimin e shumë kabineteve qeveritare.
Me 14 janar 1921 u mbajt mbledhja inaugurale e Asamblesë Kushtetuese. Në
Asamblenë Kushtetuese të porsa zgjedhur, shumicën e vendeve e morën Partia Radikale
dhe ajo demoraktike serbe. Në Asamble u krijua edhe një opozitë e fuqishme, në
përbërjen e së cilës hynë Partia Fshatare Republikane Kroate, Bashkimi Serb i
Ekonomive Fshatare etj. Opozita doli me kërkesën e republikës federative, gjë që ngjalli
një reagim të madh në qarqet nacionaliste serbe dhe në oborrin mbretëror. Trazirat sociale
dhe etnike në rritje nga njëra anë, dhe opoziat e fuqishme nga ana tjetër, i shtynë ata që të
sillnin në pushtet një dorë të fortë. Në krye të qeverisë së re erdhi lideri i Partisë Radikale
Serbe, Nikolla Pashiç. Caktimi i tij si kryeministër shënoi kalimin në zbatimin e një
politike të hapur represive. Me 28 qershor 1921 (15 qershor sipas kalendarit julian)
përvjetori i betejës së Fushë Kosovës dhe dita e Shën Vito-s, u bë votimi dhe aprovimi i
Kushtetutës së parë të Mbretërisë SKS.
Shteti SKS u përcaktua si Mbretëri e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, shtet
unitar, pa autonomi rajonale të kërkuar prej popullatave të ish Perandorisë A-H.
Diskutimet për kushtetutën qenë shumë të gjata dhe ajo nuk u aprovua me unanimitet, por
vetëm m e 223 vota dhe kundër 161. Një mase pra totale delegatësh e dhanë votën
kundër.
Shteti u përcaktua si monarki parlamentare me dinastinë e Karagjeorgjeviçëve në
krye. Ajo kushtetutë legalizoi unitarizmin dhe hegjemoninë e Serbisë në bashkim.
Pushteti legjislativ i takonte Mbretit dhe Skupshtinës, të përbërë prej një dhome. Sipas
kushtetutës së re, Mbreti kishte një pushtet shumë të gjërë. Ai ishte autoriteti më i lartë i
pushtetit, kryekomandant i ushtrisë, kishte të drejtën e mbledhjes dhe të shpërndarjes së
Skupshtinës e të emërimit të kryeministrit dhe të nëpunësve të lartë, të nënshkruante
marrëveshje dhe traktate ndërkombëtare. Mbreti në çfarëdo momenti mund të anullonte
liritë dhe të drejtat individuale të parashikuara në kushtetutë dhe të shpallte në vend
gjendjen e jashtëzakonshme.
Në bazë të kushtetutës, vendi, në pikpamje administrative, u nda në 32 qarqe
(zhupani) me guvernatorin (zhupanin) në krye, që emërohej nga vetë mbreti. Të drejtat
elektorale i kishin vetëm burrat që kishin mbushur moshën 30 vjeç. E drejta e kombeve
për pavarësi dhe autonomi injorohej plotësisht.
Shteti i ri i formuar kësisoj, nuk kishte uniformitet gjeografik, as etnik, mbasi në
atë qenë bashkuar shumë territore të gjëra, popullsia e të cilave nuk kishte fare të bënte
me nuklin serb.
Shteti SKS gjendej para problemeve të ndryshme e të vështira të tilla, si marrëdhëniet
midis serbëve dhe kroatëve, çështja maqedone, ajo malazeze dhe çështja shqiptare.
Kroatët kishin hyrë për të bërë pjesë në kompleksin e ri shtetëror me marrëveshjen që do
të gëzonin një autonomi të gjërë dhe do të merrinin pjesë në qeveri me elementët e tjerë
etnikë, sipas parimit të barazisë. Ato ishin një popull më i kulturuar e më i qytetëruar se
sa serbët, me europianë, për vetë lidhjet e tyre shekullore me A-H, Europën dhe Kishën
Katolike të Romës. Ata nuk dëshironin të ishin të dominuar prej serbëve, me orientalë
dhe më ballkanikë, për vetë nënshtrimin e tyre të gjatë nga Turqia. Përkundrazi serbët e
konsideronin veten si element etnik më burrëror dhe më luftarak të Jugosllavisë dhe
prandaj kishin të drejtën me i mbizotërue të tjerët. Diferenca religjioze e theksonte
rivalitetin, duke qenë se serbët ishin orthdoksë ndërsa kroatët katolikë.
Në fushën e politikës së jashtme, dinastia e Karagjeorgjeviçeve e vuri vendin
plotësisht në shërbim të planeve të shteteve të Antantës e para së gjithash të Francës.
Jugosllavia u krijua si pjesë përbërëse e “kordonit sanitar” kundër Rusisë sovjetike dhe në
funksion të synimeve politike e strategjike të Francës në Europën Juglindore. Për këtë
qellim u krijua blloku politiko-ushtarak i quajtur Antanta e Vogël. Si fillim i tij merret
përfundimi në gusht të vitit 1920 i Konventes Ushtarake në mes Mbretërisë SKS dhe
Çekosllovakisë.
Në vitin 1921 qarqet sunduese serbe hynë në aleancë ushtarake edhe me Rumaninë.
Në vitin 1922 një traktat i ri aleance midis këtyre tri shteteve shënoi përfundimin e
krijimit të Antantës së Vogël. Mbretëria SKS ndoqi që në fillim të jetës së saj politike, një
politikë antishqiptare. Në rivalitet me Italinë ajo u përpoq të shtrintre sundimin e saj edhe
në Shqipëri.
Në marredhëniet me Italinë, kroatët dhe sllovenët u treguan kundërshtarë, një
pjesë për vetë traditën e ish Perandorsisë A-H që kishte kultivuar në ata urrejtjen për
elementin italian të monarkisë dualiste, dhe një pjesë prej fakti që Italia kishte vendosur
nën zotërim territoret që ata i rivendikonin për vehten e tyre. Nga ana tjetër serbët, duke
mos qenë në të njejtën armiqësi tradicionale, ndiqnin në raste të ndryshme një politikë
miqësore në drejtim të Italisë, prej së cilës kishin marrë gjatë luftës përfitime të
pakufishme.
Por shumë shpejt ky pozicion serb do të ndryshojë thellësisht sepse Italia paraqiste
një pengesë të pakalueshme për ambicjet e pakufizuara të Serbsië. Këto ambicione nuk u
kufizuan në provincat ish austriake të aneksuara Italisë, por në çdo rajon kufizues me
Jugosllavinë.
Gjendja politike e Mbretërisë SKS në periudhën e viteve 1924-1928 është e
përcaktuar nga ekzistenca e disa faktorëve, të cilët ndonëse me karakter të ndryshëm,
kanë dhënë pasoja në politikë:
1. zhvillimi i ngadalshëm ekonomik;
2. prirjet hegjemoniste dhe unitariste të qarqeve drejtuese serbe;
3. thellimi i ndërhyrjes ekonomike dhe politike të kapitalit të huaj.
Për arsyet e mësipërme, regjimi monarkik vazhdoi të karakterizohej nga një
paqendrueshmëri e theksuar politike. Regjimi despotik i qarqeve sunduese serbe, shtypja
sociale dhe kombetare, ngjalli pakënaqësi dhe tensione sociale dhe etnike. Pasi qarqet
drejtuese serbe shkelen marrëveshjen për ndarjen e pushtetit, qarqet drejtuese kroate dhe
sllovene u hodhën në luftë të hapur kundër hegjemonsië serbe. Ndër partitë e opozitës,
kundërshtari më i fuqishëm i unitarizmit serb në këtë kohë ka qenë Partia Fshatare
Republikane Kroate. Kjo parti, duke përfituar nga një zbutje e terrorit me ardhjen në fuqi
të qeverisë së liderit të Partisë Demokratike Serbe L. Davidoviç (deri në nëntor 1924),
ushtroi një aktivitet të madh politik dhe propagandistik.
Në shkurtin e vitit 1925, Svetozar Pribiceviç1 e këshilloi mbretin Aleksandër (i
cili ishtë bërë mbret pas vdekjes së Petar), që të shpërndante dhomën parlamentare dhe të
shpallte zgjedhjet e lira edhe në Maqedoni e Vojvodinë, njëkohësisht zgjedhjen e një
kryeministri që të ishte neutral në konfliktet politike të vednit. Për këtë post ai sugjeroi
diplomatin Baliziç, duke i thën së përkëtë ishte dakord edhe kryetari i koalicionit të
fshatarëve kroatë Radiç.

1
Svetozar Pribićević (Светозар Прибићевић, born in Kostajnica, October 26, 1875, died in Prague,
September 15, 1936) was an ethnic Serb politician from Croatia who worked hard for creation of unitaristic
Yugoslavia. However, he later became a bitter opponent of the same policy and of the dictatorship of king
Aleksandar Karađorđević. As a result, he died in exile.
Por mbreti jugosllav nuk mund të pranonte një projekt të tillë, pasi mendonte për
dhënien e një drejtimi politik të atillë që do t’i mundësonte perqendrimin e gjatë të
pushtetit në duart e tij. S. Radiç karakterizohej nga lëkundje të theksuar në qendrimin e tij
politik që manifestoheshin në kursin e tij të paqendrueshëm politik. Ai kishte qenë
gjithmonë kundërshtar i kushtetutës së Vidovdanit, megjithatë nuk mori që atëherë një
qendrim të drejtpërdrejtë republikan.
Kryeministri Pashiq që erdhi në fuqi në nëntor të vitit 1924, vendosi të shpërndajë
parlamentin dhe u caktuan zgjedhjet e reja. Në këto zgjedhje Partia e Fshatarëve Kroatë
fitoi shumë vende, por tratativat me ra në në mendje me Partinë Radikale të drejtuar nga
Nikolla Pashiq, deshtuan. Atëherë qeveria filloi një proces penal kundër Radiç. Si
pretekst per këtë sherbeu aderimi i Partisë së tij në Internacionalen Fshatare, gjë që i dha
mundësi për të procedue kundër Partisë Fshatare Republikane Kroate si parti subversive.
Nën këtë presion policor, Partia Fshatare Republikane Kroate u detyrua të kapitullojë e të
hyjë në marrëveshje me qeverinë e N. Pashiqit. Me 11 korrik 1925 u përfundua
marrëveshja midis Partisë Fshatare Republikane Kroate dhe Partisë Radikale Serbe. S
Radiç dhe krerë të tjere të partisë hynë ne qeveri. Partia Fshatare Republikane hoqi dorë
nga parulla e Republikës së Pavarur Kroate, pranoi kushtetutën e Vidovdanit, doli nga
Internacionalja Fshatare dhe që atëherë e në vazhdim u soll në mënyrë të sinqertë në të
mirë të një marrëveshjeje me serbët. Që nga ajo kohë partia filloi të quhej Partia Fshatare
Kroate.
Megjithatë lufta në mes serbëve dhe kroatëve ripërtërihej vazhdimisht. Rënia e
qeverisë së Pashiq (ai vdiq me 10 dhjetor 1926), ktheu në pushtet kryeministrin
Uzunoviç, me 11 dhjetor 1925. Nga ana tjetër, politika e kapitullimit dhe e tradhëtisë së
interesave kombëtare nga ana e udhëheqjes së partisë ngjalli pakënaqësi të madhe në
Kroaci. Ndikimi i partisë në popull filloi të bjerë. Kjo e detyroi Radiç që në vitin 1926 ta
prishë koalicionin qeveritar me radikalët serbë dhe të kalojë sërish në opozitë. Si shkak
për prishjen sherbeu nënshkrimi i Konventës së Nettuno-s, midis qeverisë SKS dhe
Mbretërisë së Italisë, në të cilen kësaj të fundit i bëheshin disa lëshime ekonomike dhe
doganore.
Për të dhëne një ide të mbizotërimit të elementit serb në vend mjafton me
konstatue që në vitin 1929, nga 150 gjeneralët e ushtrisë, të gjithë ishin të nacionalitetit
serb; edhe të gjithë ambasadorët me përjashtim të Smodka (Ambasador pranë Selisë së
Shenjtë) ishin serbë; në ministrinë e punëve të brendshme, nder 127 oficierë, 113 qenë
serbë. Në ministrinë e punëve të jashtme serbet kishin 180 diplomatë nga 219 gjithsejt.
Me zgjedhjet administrative të janarit 1927 qeveria korri një fitore të plotë por
Radiç i akuzoi për përdorim metodash represive dhe terroriste dhe opozita e detyroi
Uzunoviqin të jepte doreheqjen me 16 prill 1927. Pasoi si kryeministër Vukiçeviç, i cili
më 16 maj 1927shpërndau Parlamentin. Zgjedhjet e 11 shtatorit nuk sollën ndryshime të
dukshme, megjithatë në qeveri hynë slloveni Imzot Koroshec, dhe një politikan mysliman
nga Bosnja.
Në nëntor 1927 Partia Fshatare Kroate e Radiç dhe Partia e Pavarur Demoraktike
e Pribiçeviçit, krijuan bllokun e opozitës të quajtur ”Koalicioni Fshataro-Demokratik”.
Opozita doli me parullat e federalizimit dhe vendosjes së demokracisë. Qarqet sunduese
serbe me mbretin Aleksandër në krye, jo vetëm që nuk bënin asnjë lëshim në këtë
drejtim, por përkundrazi, synonin të likuidonin edhe institucionin bazë të demokracisë,
parlamentin. Në këtë kohë kriza politike arriti një nga kulmet e saj. Me 10 (20) qershor
1928, në kohën e debateve të ashpra parlamentare për problemin e ratifikimit të Traktatit
të Nettuno-s, deputeti serb me prejardhje nga Mali Zi, Punisa Radiç, shtiu kundër
kolegëve kroatë duke vrarë dy prej tyre dhe plagosur dy të tjerë, midis të cilëve edhe vetë
Radiç-in.
Konflikti që kishte filluar si një manifestim anti-italian për palën kroate, do të
transformohej në një luftë të ashpër të kroatëve kundër serbëve. Ky akt terrorist
përfaqësonte një nga format më ekstreme të antagonizmit midis rrymës unitariste dhe
rrymës federaliste në jetën politike të Shtetit SKS në atë kohë. Më 27 korrik 1928,
Vukiçeviç u detyrua të japë dorëheqjen. Mbreti ia besoi formimin e qeverisë Imzot
Koroshec-it. Ishte hera e parë që një politikan jo serb dhe për më tepër prift katolik
slloven, arrinte në një detyre kaq të lartë. Në fakt, para formimit të kësaj qeverie,
Pribiçeviç, në rrethanat e acarimit te konfliktit politik, i sugjeroi mbretit shperndarjen e
Parlamentit dhe besimin per formimin e qeverisë Radiçit, si e vetmja zgjidhje e
mundshme për situatën e ndërlikuar. Me 7 korrik 1928, mbreti i deklaronte Pribiçeviçit se
ai më parë ishte i gatshëm të lejonte shkëputjen e plotë të Kroacisë prej Serbisë, se sa të
lejonte federalizmin. Ndërkohë Radiç, për shkak të plagëve të marra gjatë plagosjes, vdiq
me 8 gusht 1928. Me 14 gusht, Marrëveshja e Nettuno-s u ratifikua nga Parlamenti dhe
kështu konflikti serbo- kroat u intensifikua akoma më tepër.
Periudha e viteve 1924-1928 karakterizohet përsa i përket politikës së jashtme të
shtetit SKS, nga një shtim i rivalitetit me Italinë për sundimin në rajonin e Adriatikut e në
Shqipëri, dhe nga afrimi e nështrimi i mëtejshëm i saj ndaj Francës. Nënshkrimi i Paktit
të Tiranës, i nëntorit 1926 midis Shqipërisë dhe Italisë bëri përshtypje të thellë, pasi
Jugosllavia shihte vehten të penguar në ekspansionin e mëtejshëm në Shqipëri. Për
kundërpeshë të Traktatit Italo-shqiptar, Shteti SKS nënshkroi me 11 nëntor 1927
Traktatin e Aleancës me Francën. Ky traktat thelloi edhe më shumë varësinë e shtetit
jugosllav nga Franca. Prej këtij momenti Jugosllavia ra gjithnjë e më shumë nën ndikimin
francez. Kërcënimi italian nga njëra anë, dhe interesat e politikës së jashtme të Francës
nga ana tjetër, e shtynë qeverinë e Beogradit në këtë kohë që të afrohej edhe me
Bullgarinë dhe Rumaninë. Por ky afrim nuk kishte baza të shëndosha, sepse midis këtyre
tri shteteve ballkanike kishte kontradikta e mosmarrëveshje për shumë çështje si: midis
Jugosllavisë dhe Bullgarisë për Maqedoninë, midis të tri shteteve për çështjen e lundrimit
në Danub etj.

3.Vendosja e diktaturës monarkike serbe


Trazirat sociale, lëvizjet nacionaliste dhe përpjekjet e qarqeve kroate e sllovene për të
ndarë pushtetin, tronditën dhe rrezikuan unitarizmin dhe hegjemoninë serbe në Shtetin
SKS. Qarqet drejtuese serbe dhe Mbreti Aleksandër, ruajtjen e mëtejshme të pozicionit të
tyre central në zotërimin e pushtetit politik, e shikonin vetëm në vendosjen e një diktature
të hapur ushtarake. Gjithashtu, drejtë kësaj rruge qarqet drejtuese politike serbe i shtynte
edhe Franca, e cila tek diktatura shikonte të vetmin mjet për të garantuar pozitat e veta
kontrolluese ekonomike dhe politike në Jugosllavi.
Me 1 dhjetor 1928, merastin e ceremonisë së 10 vjetorit të unitetit jugosllav,
shpërthyen trazira në Zagreb dhe me 14 dhjetor koalicioni demokratik refuzoi të marrë
pjesë në manifestimet në nder të Mbretit, gjë që tregonte që atëhere dobësinë e
kompaktësisë kombëtare të mbretërisë së trefishtë.
Për këtë arsye Imzot Koroshec qe i detyruar të jepte dorëheqjen si kryeministër.
Situata shkoi në mënyrë progresive duke u keqësuar, derisa me 6 janar 1929 Mbreti
Aleksandër pezulloi kushtetutën dhe shpalli diktaturën e vet me gjeneralin Petar
Zhivkoviç si kryeministër. Skupshtina u shpërnda dhe të gjitha partitë politike u ndaluan.
Mbreti përqendroi në duart e tij të gjithë pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv. U likuiduan
të gjitha organet e vetqeverisjes krahinore; u krye një reformë administrative që likuidoi
ndarjen e vjetër në zhupani dhe u bë ndarja e re në 9 banovina, kufijt e të cilave nuk
korrespondonin me ndarjet e vjetra historike dhe gjeografike të vendit.
Me qellim që të ruhej e të forcohej “uniteti shtetëror” dhe të formohej “kombi
unik jugosllav”, në vend të emërtimit Mbretëria SKS, emri i shtetit u nderrua dhe u quajt
Mbretëria e Jugosllavisë.
Kushtetuta e re, që e bënte Jugosllavinë një monarki absolute, u kthye në ligj me 3
shtator 1929.
Grushti anti-konstitucional i shtetit dhe vendosja e regjimit monarkist diktatorial
serb, ndodhi në një kohë kur bota po kalonte një krizë të thellë ekonomike.
Pasojat shkatërrimtare të krizës ekonomike botërore u ndien thellë në ekonominë e
Jugosllavisë. Kështu që pushteti diktatorial monarkist u pa nga qarqet drejtuese serbe si i
vetmi drejtim politik i sigurtë. Njëkohësisht Franca, e interesuar politikisht për ruajtjen e
organizimit ushtarak jugosllav, e ndoqi me shumë kujdes situatën, mbasi i trembej një
adoptimi të mundshëm të sistemit federal që do ta dobësonte Jugosllavinë si krijesë të saj.

4. Politika brendshme dhe e jashtme e Jugosllavisë në vitet 1930’


Trazirat sociale dhe etnike dhe kriza ekonomike botërore me të gjitha pasojat që ajo solli
për Jugosllavinë, penguan në konsolidimin e regjimit monarkist dhe në realizimin e
pikësynimeve që ai mori përsiper. Pas një periudhe sundimi me metoda të hapura
diktatoriale, qarqet drejtuese serbe u përpoqen që ta vinin pushtetin e vet totalitar mbi
baza kushtetuese. Kjo maskë i duhej qeverisë së Beogradit edhe për të plotësuar një kusht
që Franca i kishte vënë Serbisë për dhënien e një huaje prej 3 miliard dinarësh.
Stabilizimi i situatës nën petkun e rivendosjes së rendit kushtetues i sherbente planeve
dhe interesave ekonomike dhe politike të Francës në Jugosllavi dhe në Ballkan.
Me 3 shtator 1931 mbreti Aleksander botoi manifestin në të cilin Jugosllavia
shpallej monarki konstitucionale. Kushtetua e re ishte një përpjekje për të përligjur dhe
kamufluar pozicionin e fortë në pushtet të monarkut serb dhe të qarqeve drejtuese serbe.
Megjithëse vendosej regjimi parlamentar, i gjithë pushteti mbeti në duart e mbretit. Sipas
kushtetutës, ai emëronte qeverinë e cila ishte përgjegjëse para tij. Parlamenti përbëhej
prej dy dhomash: Skupshtina dhe Senati. Gjysma e anëtarëve të Senatit caktoheshin nga
mbreti. Me 8 nentor 1931 u mbajtën zgjedhjet, në të cilat opozita abstenoi. Në këto
kushte filloi një fushatë e re persekutimesh kundër opozitarëve, shumë prej të cilëve u
arrestuan. Pati trazira edhe në pjesë të ndryshme të Kroacisë, Dalmacisë dhe Shtirisë,
ndaj të cilave qeveria përdori dhunën.
Kriza politike e diktaturës monarqike erdhi gjithnjë duke u ashpërsuar. Shprehje e
saj është edhe fakti i ndërrimeve të shpeshta të kabineteve qeveritare. Gjenerali
Zhivkoviç mbeti në pushtet si eksponent i vullnetit të mbretit, deri me 4 prill 1932, kur u
pasua nga Marinkoviç. Prej prillit 1932 deri në dhjetor 1934 u ndërruan 7 qeveri(v.o. më
24 tetor 1934 Zivkoviç hyri në qeveri në kabinetin e Uzunoviç si ministër i luftës dhe i
marinës, post të cilin e ruajti edhe në kabinetet Jeftiç dhe Stojadinoviç, deri në 8 mars
1936, kur u zëvëndësua prej gjeneralit Mariç)
Kriza arriti kulmin në tetorin e vitit 1934, kur gjatë një udhëtimi në Francë mbreti
Aleksandër ra viktimë e një kopmploti të organizuar nga një grup atentatorësh kroatë dhe
maqedonë. Së bashku me Mbretin jugosllav u plagos rëndë dhe më pas vdiq edhe ministri
i jashtë francez Barthou. Në fron pasoi i biri i mbretit, Princi Petar, 11 vjeçar. Duke qenë
se ai ishte i vogël në moshë, u emërua një Këshill i Regjencës, i kryesuar nga Princi
Pavël, kushëri i Aleksandrit.
Në procesin gjyqësor të organizuar në Aix-en Provence, në shkurt të vitit 1935, u
dënuan me vdekje në mungesë, shefi i revolucionarëve kroatë Ante Paveliç dhe adjutanti
i tij Kvartenik.
Këshilli i Regjencës e zbuti disi regjimin diktatorial. Për të fituar mbështetjen e
partive politike të ndaluara pas 6 janarit 1929, këshilli krijoi nje qeveri të re, në të cilen u
përfshinë edhe përfaqësuesit e këtyre partive.
Në fushën e politikës së jashtme diktatura monarkiste vazhdonte të ishte e
orientuar nga shtetet e Antantës. Ndër ato, Franca ishte fuqia më e interesuar dhe më
prioritare në Jugosllavi. Në qoftë se deri në vitin 1933 rivaliteti në Ballkan përfshinte
kryesisht Francën, Italinë dhe Anglinë, pas këtij viti në plan të parë del rivaliteti midis
Francës , nga njëra anë dhe Italisë dhe Gjermanisë nga ana tjetër. Në planet strategjike të
Gjermanisë hitleriane në Ballkan, Jugosllavia zinte një vend të veçantë. Me ardhjen e
Hitlerit në pushtet u intensifikuan edhe përpjekjet për ta futur Jugosllavinë nën kotrollin e
kapitalit gjerman
Franca e ndjeu shpejt rezikun që kërcënonte ndikimin e saj në Jugosllavi e në
Ballkan nga Hitlerianët, ndaj edhe shpejtoi t’i vendosë pengesa depertimit gjerman në
këtë zonë. Në vitin 1933 me nxjtjen e drejtpërdrejtë të Parisit, përfaqësuesit e Antantës së
Vogël, nënshkruan në Gjenevë “paktin organizativ”, të drejtuar kundër përpjekjeve të
Italisë dhe Gjermanisë për të shtrirë sundimin e tyre në Ballkan. Me 9 shkurt 1934, me
përkrahjen e Anglisë dhe të Francës u themelua në Athinë, Antanta Ballkanike, në të
cilën morën pjesë Jugosllavia, Rumania, Greqia dhe Turqia.
Regjimi monarkist jugosllav, i ndodhur në mes të arenës së rivalitetit mes fuqive
të mëdha të kohës, filloi të lëkundej e të kërkojë afrim edhe me shtetet e bllokut fashist.
Në maj të vitit 1934, midis Jugosllavisë dhe Gjermanisë, u nënshkrua një marrëveshje
tregtare që i hapte rrugën, në një farë mënyre, depertimit edhe të kapitalit gjermna në
ekonominë jugosllave. Rivaliteti franko-gjerman u acarua mjaft. Mbreti Aleksandër,
partizan i orientimit pro francez, në tetor 1934, me një vizitë zyrtare në Francë, kërkoi t’i
japë sigurinë dhe besnikërinë Parisit, por gjatë këtij udhëtimi, sikurse u përshkrua më lart,
ai ra viktimë e një atentati të organizuar kundër jetës së tij. Vrasja e tij ishte vepër e
agjenturave gjermano-hungareze. Pas këtyre ngjarjeve i erdhi radha Gjermanisë hitleriane
që të shtrijë kontrollin e plotë ekonomik dhe politik mbi Jugosllavi.

5. Jugosllavia në prag të Luftës së Dytë Botërore


Thellimi i varësisë ekonomike.
Në atmosferen e krizës së thellë politike dhe ekonomike në të cilën ndodhej Jugosllavia
në fundin e vitit 1934 dhe fillimin e vitit 1935, Këshilli i Regjencës vendosi të bëheshin
zgjedhjet e reja parlamentare. Ky fakt çoi në aktivizimin e opozitës, e cila u bashkua për
zgjedhjet me emrin ”Opozita e Bashkuar”. Aty hynë Partia Fshatare Kroate, Partia
Demokratike Serbe, Bashkimi FshatarDemokratik dhe parti e organizata të tjera të vogla
fshatare e sindikale.
”Opozita e Bashkuar” doli në zgjedhjet parlamentare të majit 1935 me një listë të
vetme dhe mori 38% të votave. Qeveria e re që u krijua me përfaqësuesin e borgjezisë së
madhe financiare serbe me në krye Millan Stojadinoviç, e thelloi edhe më shumë kursin
konservator në politikën e brendshme dhe atë pro vendeve diktatoriale, në politikën e
jashtme.
Për të krijuar një mbështetje më të gjërë për sundimin e saj, qeveria e
Stojadinoviçit krijoi ”Bashkimin Radikal Jugosllav”, me pjesmarrjen e Partisë Popullore
Sllovene, e cila më parë bënte pjesë në ”Opozitën e Bashkuar” dhe të Organizatës
Myslimane të Jugosllavisë. Partitë opozitare, veçanërisht Partia Fshatare Kroate, gjithnjë
me synimin për ndarjen e pushtetit me Partine Radikale Serbe, e shtuan presionin ndaj
qeverisë së Stojadinovçit. Në tetor 1937 partitë e ”Opozitës së Bashkuar”, arritën një
marrëveshje të përbashkët, në bazë të së cilës iu kërkua qeverisë të anullonte kushtetutën
e vitit 1931 dhe të aprovoihej një kushtetutë e re, e cila duhej të garantonte pozitën e
barabartë te Serbisë, Kroacisë dhe Sllovenisë në shtetin jugosllav.
Këshilli i Regjencës dhe qeveria, për të forcuar edhe më tepër hegjemoninë e
qarqeve serbe në shtetin jugosllav, kthesen që filluan në fundin e vitit 1934, me
orientimin e politikës së jashtme nga shtetet fashiste, e thelluan më tepër në vitet 1935-
1938.
Ekonomia jugosllave me ritme të shpejta po binte në duart e monopoleve gjermane.
Në vitet 1935-1936 pjesa e kapitalit gjerman në Jugosllavi u rrit tri herë. Gjermania
hitleriane u bë partneri i parë tregtar i Jugosllavisë. Ne vitin 1928 asaj i takonte 50% e
eksportit dhe e importit jugosllav
Varesia ekonomike nga Gjermania diktoi edhe kursin pro gjerman të politikës së
jashtme jugosllave. Qeveria e Stojadinoviçit i dha fund Antantës së Vogël.
Me 24 janar 1937 ajo nënshkroi me Bullgarinë Paktin “mbi miqësinë e përjetshme”,
ndersa me 25 mars 1937 paktin italo-jugosllav “mbi miqësinë dhe neutralitetin”. Gjatë
bisedimeve për nënshkrimin e paktit italo-jugosllav çështja shqiptare u prek gjërësisht.
Afrimi i Jugosllavisë me shtetet e bllokut qendror bëri që Beogradi të njihte hapur se
Shqipëria ishte pothuaj zonë e interesave italiane. Vetë kryeministri jugosllav
Stojadinoviç, në bisedimet e marsit 1937, i deklaroi ministrit të jashtëm italian, Kontit
Çiano, se problemi shqiptar nuk e preokuponte Jugosllavinë dhe se ky ishte një problem
me karakter thjesht “lokal”. Beogradi shpresonte të merrej vesh me Romës për të marrë të
paktën Shqipërinë e Veriut. Ky premtim iu dha qeverisë jugosllave në bisedimet që u
zhvilluan në janar të vitit 1939 midisÇianos dhe Stojadinoviçit. Qeveria zogiste, e
frikësuar nga afrimi italo-jugosllav, u perpoq të merrej vesht veçmas me Jugosllavinë,
duke i propozuar kësaj të fundit edhe përfundimin e një traktati miqësie midis dy
vendeve. Qeveria jugosllave e priti me indiferentizëm oferten dhe kerkesen e Zogut, duke
e ditur se ai i kishte ditet e numeruara.
Në vitin 1938 Jugosllavia njohu “Anschluss-in” dhe pastaj qeverinë e Frankos në
Spanjë. Në Konferencën e Mynihut në shtator 1938 dhe me pushtimin e Çekosllovakisë
disa muaj më vonë (mars 1939), Antanta e Vogël, krijesë e Francës, mori fund, ashtu si
vetë politika e “asnjanësisë “ dhe e “mosndërhyrjes” që ndoqën Franca dhe Anglia
përballë rrezikut të agresionit fashist.
Çështja e Konkordatit me Selinë e Shenjtë i ngriti në mënyrë te veçantë
mosmarrëveshjet dhe kur projekti për të u paraqit para Skupshtinës, shpërthyen trazira të
mëdha.
Me 19 korrik 1937 Konkordati u votua prej Parlamentit me 167 vota kundrejt 127.
Kisha orthodokse shkishëroi dhe mallkoi gjithë deputetët që e kishin aprovuar. U dhanë
shumë denime kundër pjesmarrësve në trazira, por qeveria u detyrua të tërheqë projektin
mbi Konkordatin dhe në shkurt të vitit 1938 shpalli amnistinë për të denuarit në trazira.
Në dhjetor 1938 u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme.”Marrëveshja popullore e
kryesuar nga Maçek dhe që përfshinte përveç kroatëve dhe tri parti serbe (Radikalet,
Demokratët dhe Agrarët), mori 40.21% të votave dhe lista qeveritare 59.79%. Rezultatet
e zgjedhjeve dëshmonin për një krizë të thellë politike në vend, për një dobësim të
pozitave sunduese unitariste serbe në të mirë të partive të opozitës
Këshilli i Regjencës në përpjekje për të mbrojtur hegjemoninë serbe, e detyroi
qeverinë e diskretituar të Stojadinoviçit të japë dorëheqjen dhe në shkurt 1939 solli në
fuqi një qeveri të re, të kryesuar nga lideri i Bashkimit Radikal Jugosllav D. Cvetkoviç.
Qeveria e re për të zbutur disi krizën e brendshme politike, u fut në rrugën e
kompromisit me Partinë Fshatare Kroate. Afrimi midis partisë kryesore politike serbe dhe
Partisë Fshatare Kroate ishte një kompromis midis dy rivalëve të vjetër, midis dy rrymave
politike të qarqeve drejtuese jugosllave: midis unitarizmit serb dhe federalizmit kroat.
“Marrëveshja Popullore” që u nënshkrua me 26 gusht 1939 midis kryetarit të qeverisë D.
Cvetkoviçit dhe kreut të Partisë Fshatare Kroate V. Maçekut ishte në fakt një ndarje
pushteti. Politikanët kroatë për hir të kësaj marrëveshje u larguan nga “Opozita e
Bashkuar”. Sipas Marrëveshjes Cetkoviç-Maçek, Kroacisë i jepej autonomia në kuadrin e
shtetit jugosllav. Qeveria e Kroacisë autonome, të cilën e kryesoi Subashiç, ishte
përgjegjëse përballë mbretit dhe parlamentit kroat. V. Maçek u bë zëvendëskryeministër i
qeverisë qendrore jugosllave.
Marrëveshja Cvetkoviç Maçek, që u reklamua si një zgjidhje e çështjes kroate, si
“rregullim i rrethanave” në shtet, në të vërtete nuk çoi, as në zbutjen e krizës politike, as
edhe në zgjidhjen zgjidhjen e çështjes kombëtare në Jugosllavi. Përkundrazi, kompromisi
midis qarqeve drejtuese serbe dhe atyre kroate çoi në acarimin e mëtejshëm të
kontradiktave nacionale dhe në thellimin e mëtejshëm të krizës politike në vend.
Qeveria e re, si në fushën e politikës së brendshme ashtu edhe në atë të jashtme, ndoqi
kursin e vjetër të qeverisë paraardhëse. Me shpërthimin e LIIB, pozita ndërkombëtare e
Jugosllavisë u keqësua dhe me tepër.
Qeveria e Cvetkoviçit, sapo erdhi në fuqi, e përshpejtoi afrimin me shtetet e bllokut
fashist, duke e afruar katastrofen edhe për vetë Jugosllavinë.

You might also like