You are on page 1of 27

Hyrje

Katundi i kontrasteve

Bindja se një komb ngrihet mbi vlerat e së shkuarës shkon ne


sinkron të plotë me sensin tonë te superioritetit inferior, aq sa
mund te thuhet se deri diku e tillë bindje na identifikon. është
pak a shumë si një pasaportë e marrë pa shumë mundim, për
dikë e merituar e për dikë e pamerituar, për dikë e dëshiruar
me gjithë forcën e për dikë tjetër thjesht kalimtare.
E ndërsa hija e së shkuarës ka zënë vendin e piedestalit në
publicitetin ndaj botës, e tashmja ështe shfarrosur nga
pluhuri i harresës, nga vepra e indiferentizmit, nga tendenca
për të bërë përsosmërisht detyrat e gjithkujt veçse të
vetvetes. Përpos kësaj, mozaiku i një prej katundeve të
strukur të botës ia del hera herës të ndriçohet nga dëshira e
pashpjegueshme për të ndryshuar, për të imituar, për të
adaptuar me pangopësi gjithçka që mund të huazohet,
gjithçka që është produkt i një tjetër fryme.
Të kapur peng nga dëshira për një arratisje të vazhdueshme
virtuale, mëngjeset katundare me ëndrra evropiane, zgjohen
me përtacine dhe menfregizmin e çdo mëhalle ku ka kohë për
gjithçka dhe për asgjë. Zgjohen të ngadaltë dhe pa kurrfarë
nxitimi për të kapur rendin e ditës, përsa kohë axhenda e çdo
dite është nje kopje identike e asaj së ditës paraardhëse: pak
vemendje, pak fjalë, dy ankesa dhe shumë dëshirë e avulluar
brenda njëzet e katër orëve. E dehur nga dëshira e ethshme
për progres, të provokohet keqardhje për veten ndërsa e
sheh imazhin tënd krejt të huaj mes një turme që ikën pa
drejtim, si një fëmijë i lënë ne mëshirë të fatit pa askënd që
të mund t'i mësoje hapat e parë. E paradoksi nis pikërisht
këtu, se si një katund i ngritur mbi monotoninë varfëruese
dhe mbi ëndrrat në diell arrin të jetë atraktiv dhe joshës në
mënyrën me spontane të mundshme. Pangopësia e tij për
ndryshim, në kontrast të plotë me motivimin individual të
banorëve, krijon atë që ekonomistët do ta quanin: output
racional, ku secili me minimumin e mundimit merr kënaqsitë
maksimale të ditës. Analiza vazhdon me pyetjen: cilat janë
standardet e kënaqsisë te aktorëve të këtij katundi. Besojeni
ose jo, aty mund të gjesh një mozaik ekstremitetesh të
standardëve, ose e shprehur më thjesht në gjuhën e tyre: ka
nga ata fodullë që “e vrasin lart”, ka dhe nga ata të cilët
s'kanë shumë pretendime dhe e përputhin kulmin e kënaqsisë
thjesht me një kafe, dy thashetheme, e herë pas here ndonjë
grindje e vogël për politikë.
Pavarësisht sipërfaqjes së reduktuar aty çdokush njeh
çdokënd, dhe secili di në detaje të përditshmem, të shkuarën
dhe projektet e gjithkujt. Janë aq pak sa urrehen dhe duhen
çdo ditë, përplasen dhe gjykohen pa rezerva, lëvdohen dhe
adhurohen deri ne joshje. Thjeshtësia e tyre merr hera herës
kulmet e kompleksitetit dhe aty secili luan përsosmerisht rolin
e katundarit që ka veshur për pak orë kostumin e luksit mbi
te mbathurat e grisura. Sërish spontanisht kthehen në kllounë
të ftuar në festën e hipokrizisë, një festë kjo e organizuar në
katundin ku të gjithë njihen deri në detaje e megjithatë të
gjithë joshen nga dëshira për t'u lyer me pak truk evropiani.
Se ç'është truku i evropianit as ata nuk e dinë, madje edhe
kur kam tentuar t'i pyes përgjigja ka qenë sa absurde aq
edhe konfuze: “evropiani nuk ështe shqiptar dhe kaq...do të
thotë të emancipohesh , a kupton, s'është ndonjë gjë
abstrakte, thjesht të kesh më shumë kulturë ...”. Dhe unë
përfshihesha tërësisht në të tillë konkluzion që mishëronte një
konfuzion fare të qartë, e merrja si definicion të pashkruar
dhe kuptoja se nuk mund të isha evropiane përsa kohë isha
shqiptare. I pari mbetej nje qëllim në vetvete, i dyti mbetej
fat i paracaktuar, i cili sipas definicionit të lartpërmendur nuk
dukej të ishte dhe aq favorizues. Kështu që rrjedhimisht pika
iniciale e axhendës sime ditore ishte, sa më shpejt, sa më
natyrshëm dhe domosdoshmërisht evropiane. Kam
përshtypjen se në një moment ose në një tjëtër diku edhe ti
ke pasur të shkruar një plan të tillë në axhendën tënde, e
megjithatë nuk e di nëse ti e ke urryer ndonjëhërë të tillë
qëllim absurd sepse unë po. Ne rrjedhen e kesaj analize
tërësisht objektive, do të përpiqem të të shpjegoj se sa
objektiva të tjera më dobiprurëse, më fisnike, më të
natyrshme e më njerëzore, eleminonte një rregull i tillë i
axhendës së katundit tim, së katundit tënd.
Evropa duhej të ishte diçka për të cilën luftonim si të marrë,
si skllevër të bindur të një rebelizmi të përdalë. Sepse
luftonim pa ditur të luftonim, ulërisnim për ndryshim duke
dashuruar marrëzisht monotoninë, kërkonim progresin duke
lidhur pakt të heshtur me regresin, përqafonim vizionin e
demokracisë duke adhuruar tempullin e ndryshkur të
komunizmit. Kjo ndodhte në katundin ku lashtësia kishte
kryer misionin e saj hyjnësisht, ku e shkuara kishte shkruar
mbi fletët e zverdhura tentativa modernizimi, e ku sërish e
shkuara kishte prangosur më pas iluministët e katundit të
humbur duke ndërtuar piedestalet e meskinitetit dhe
parazitizmit politik. Kjo ndodhte ne katundin ku e tashmja
vraponte prej së keqes dhe sërish kapej prej leckash nga e
keqja, ku liria i druhej frikës dhe frika shpesh e shtynte këdo
ne marrëzi. Ky ishte katundi ku kushdo ëndërronte arratisjen,
por pa mundur të thante lotët e një dashurie te dhembsur, të
vuajtur, të sakrifikuar deri në flijim. Aty kushdo që ikte linte
diçka pas... Ai katund mbartte një hije të ëmbël frymëzimi.
Midis zhgënjimit aty çuditërisht nuhasje shpresë.
E njihnin me emrin Shqipëri dhe bëmat e saj kishin krijuar
mitin e së pamundurës, të zhgënjimit, të padrejtësisë, të
pangopësisë, të krimit dhe makabritetit, mitin e flijimit pa
motiv, mitin e xhunglës. E çuditërisht aty gjeje humanë që
bridhnin nëpër rrugët e harruara me kandilët e shpresës.

Jehona e simfonisë së stonuar “Shqipëria duhet të jetë në


Evropë”, është shiringa me të cilën i zhysin në kllapi, ndërsa
strategët e politikës katundare nuk e shtruan kurrë pyetjen:
“Sa vlera i jep Shqipëria Evropës?”. Jam e sigurt se do të
gjenin me mijëra përgjigje krejt të natyrshme, përgjigje që
dalin nga skemat groteske të zyrave, pergjigje që thuren mbi
bazën e vlerave njerëzore, mbi bazën e historisë, kulturës,
traditave dhe të përditshmes.Ajo që kupton teksa përpiqesh
të transkriptosh mekanizmin e jetës së ketij katunfi, është
fakti se propaganda e letrave nuk ka qenë kurrë e
besueshme për realitetin, prandaj imazhi i “Shqipërisë-shtet”
nuk do të përputhet kurrë me portretin e “Shqipërisë-vend”
dhe ndryshimet mes të dyjave janë shëmbëlltyrë e një
karvani të tërë kontrastesh. “Shqipëria-shtet” është një
organizëm me frymëmarrje të drejtuar, është një trup në
gjendje kome të cilin e copëtojnë paturpësisht duke përfituar
nga mungesa e ndjenjave. Flet me zërin e një turme
borgjezësh të zhveshur nga çdo vlerë njerëzore që ashtu si
është me tubat e oksigjenit nëpër këmbë, e ulin në sallat
zyrtare me njërën këmbë në varr. Aty ka një detyrë të
mirëpërcaktuar. Të lypë mbështetje, të zhvishet nga çdo
rreckë dinjiteti në emër të prestigjit ndërkombëtar. E ndërsa e
veshtron ashtu të ngjall pesimizëm, pafuqi, të venit shpresat
dhe të injekton instiktivisht ndjesinë e inferioritetit. është një
nga ato sekonda ku gjurmët e identitetit veniten nga shija e
neverisë.
Ky imazh i stisur lufton çdo sekondë me imazhin e
“Shqipërisë-vend” që nuk njeh as bluza të bardha, as
aparatura. Është shpirt i lirë dhe njeh vetëm frymën që Zoti i
ka dhënë. Nuk njeh paterica se ecën ashtu si koha e ka
mësuar, herë vrapon e herë ndalet të pushojë nga pak. I
vetofrohet kujtdo që kërkon ta njohë. Është si ajo qenia qe ka
brenda të ëmblën dhe të kripurën, prandaj rezulton një
ndërthurje e kompletuar e natyrshmërisë! “Shqipëria-vend”
është ajo që delegojnë me qindra shqiptarë, ajo që
prezantojnë pa komplekse në sytë e kujtdo që nuk e ka
njohur kurrë më parë. Ky identitet i saj i jep çdo shqiptari
pasaportën diplomatike duke i lejuar te jetë ambasador i
thjeshtësisë, veçantisë, detajeve dhe përditshmërisë së saj.
Nuk ka nevojë për një protokoll që ta përfaqsosh, mjafton të
ndjekësh rregullat e natyrshmërisë dhe vetvetiu thuret
mozaiku që merr identitet në artizanatin e botës!
I. Divorci që shijon dhe dhemb

“Shteti ёshtё njё organizёm qё jeton me shpirtin e trupave


tanё!” Kёshtu u tha Macchiavelli italianёve dhe Jean Bodin
francezёve. “Eshtё dikush qё lindi me kёmishën qё ne thurёm
duke zhveshur trupat tanё nga çdo e drejtё!”

Tё pёrkthyera nё shqip kёto fraza duken ndoshta krejt


diplomatike, tё akullta dhe tё panjohura pёr ne shqiptarёt qё
nuk patёm as Bodin, as Macchiavelli dhe as mendimin e thellё
tё Hobbes qё citoi pёr mbarё njerёzimin: “Njeriu ёshtё ujku
pёr njeriun!” Ne patёm vetёm Kadare qё pёrplaste nё muret e
diktaturёs mendimet e hapura dhe armike pёr kohёn. Nuk
patёm teoricienё, por poetё fare tё thjeshtё si Agolli qё na
nguliti nё mendje imazhin e pelegrinit tё vonuar e na la shijen
e melankolisё nё hapat e sё pёrditshmes. Realisht, fletёt
shqip i kanё shkruar poetё e shkrimtarё besnikё tё
prapambetjes apo rebelё tё kohёs qё iu pёrkushtuan
frymёzimit, pakёnaqsive apo thjesht copёzave tё kujtimeve.
Megjithatё sinqeriteti gёrryen dhe kёrkon ta respektosh,
prandaj e vёrteta ёshtё se mungesa më evidente e Shqipërisë
së ditëve të ashtuquajtura moderne, është mosprania e dikujt
që të mund të na zgjonte nga kllapia e dehjes dhe tё na jepte
nё duar timonin e shoqёrisё. Ne na dhanё vetёm prangat,
çelësat e tё cilave i kёrkojmё nё turma, duke u pёrplasur me
njёri-tjetrin e duke kёrkuar ashtu kuturu njё lider.
Fillesa e problematikave të Shqipërisë i ka rrënjët në nje
defekt gjenetik të saj, të shkruar në mënyrë të detajuar në
ADN-në e shqiptarit. E kam fjalën për sindromën e dëshirës
për t'u kapur fort pas mashtrimit që shijon, pas asaj që duket
jo reale, pas asaj që lehtëson teorikisht vështirësitë e së
përdithshmes. Na mundon lufta njerëzore, na rraskapit gara
dhe na josh aq ëmbëlsisht premtimi për shpëtim. Nëse do të
arsyetoja në mënyrë racionale, nuk besoj se kjo është
sindromë vetëm e jona. është pasojë e faktit të të jetuarit
përherë në kufijtë e skëterrës. Fataliteti i kombeve të lëna në
harresë është firmosur në momentin kur i kanë besuar
verbërisht Jezusëve politikë, shpëtimtarëve që nuk njohin
skenar tjetër veç propagnadës dhe kur mendjet janë të
zhytyra në errësirë propaganda shitet si dritë rilindjeje. Të
tillë popuj ekzaltohen nga fjalimet elektrizsuese të
broçkullave politike pa pasur durim për t'i zbërthyer
gjakfohtësisht përrallat e ëmbla të pseudo politikave. Dhe
pseudo politika është krejtësisht e legjitimuar aty ku mungon
serioziteti ndaj vendimarrjes, aty ku varfëria shet trupin në
këmbim të rreckave dhe shpirtin në këmbim të kafshatës.
Mjerimi migjenian, i hap derën erërave të regjimeve që
ngrenë themelet e diktaturave, e mjerimit migjenian, i
shtohet mjerimi intelektual, karakteristikë evidente e një
populli me shifra të larta analfabetizmi. Popuj të tillë, të cilët
uria u fshin kujtesën dhe dhimbja e stomakut u zbeh arsyen
besojnë pa kushte te premtimi, edhe kur ky i fundit ështe
thjesht flluskë sapuni që shuan me ajër të ndotur urinë e
pashtershme të të varfrit, të atij që fle dhe zgjohet me
ëndrrën për mbijetesë. Dhe të tilla atribute nuk i janë veshur
vetëm shqiptarit, por çdo populli që ka njollosur faqet e
historisë me eksperienca politike diktatoriale unikale në llojin
e tyre, Popujve që kanë brohoritur nën ekstazën e
skozofrenisë per patologjikët politikë, për ata që ia dedikuan
karrierën urrejtjes ndaj qenies njerëzore, për ata që mohuan
Zotin dhe përqafuan pavdekshmërisht djallin. Dhe në listën e
të tille popujve jemi padyshim ne. Ne, që për pesëdhjetë vite
rikthyem në kujtesën e botës skllavërinë e gjysmës së dytë të
shekullit të njëzetë. Ne që besuam tek filozofia politike më
mediokre e historisë politike botërore, ne që iu dorëzuam
komunizmit. Dhe kjo si rezultat i dominancës së mediokritetit
mbi arsyen dhe dijen.
Komunizmi ynë nuk ishte një imitim i pastër i komunizmit
lindor përpos tentativave bolshevike e jugosllave për të
injektuar dhe drejtuar rrënjosjen, krijimin dhe ecurinë e
komunizmit në Shqipëri. E megjithate nuk dilte nga skemat
klasike të së kuqes flakërimë. Ishte strategjikisht i njëjti.
Zhvillimi i kësaj filozofie politike ecte në paralelizëm të plotë
me reduktimin dhe regresin e koshiencës shoqërore. Progresi
komunist sinjifikonte regres intelektual, padituri, shkonte në
sinkron me skëterrën e mendimit dhe inercinë për të
reaguar. Ngrihej mbi kontraditën midis barazisë ekonomike
dhe ndarjes klasore, Por, mbi të gjitha ngrihej mbi dëshirën
për të shtypur si molë e të mulatur dijen, aftësinë, diferencen
e merituar ekonomike, finsikërinë breznore dhe meritokracinë
individuale.
Duke qenë se ky libër konsiston në nje analize të
përgjithshme politike, nuk synon përsëritjen e fakteve dhe
periudhave historike, por synon pershfaqjen e përgjigjeve
subjektive dhe krejtësisht personale mbi aspektet politike të
diktaturës dhe post-dikatuturës në Shqipëri, do te doja ta
evitoja shpjegimin unilateral të komunizmit, duke u ndalur, te
raporti interaktiv dhe reciprok i shqiptarëve me filozofinë
politike komuniste, sa ata e duan dhe sa e urrejnë, sa e
adhuruan dhe sa e përçmuan, sa e kanë harruar dhe sa e
kujtojnë me një nostalgji që mishëron njëkohësisht dhimbje
dhe mall.
Kam besuar përherë se shqiptarët e deshën komunizmin. E
deshën deri në kufijtë e pasionit dhe u dashuruan pas asaj që
komunizmi përfaqsonte. Do të thoja se kjo dashuri e gjen
justifikimin në atë që komunizmi predikonte, në premtimin
për të injektuar barazinë mes të pasurit dhe të varfrit, duke e
shpjeguar të tillë diferencë jo si rezultat të punës dhe aftësive
të gjithsecilit, por si mëkat, si krim shoqeror dhe njerëzor, e
kështu ia doli të shitej si praktika politike që do i jepte fund të
tillë diskriminimi social. Logjikisht dhe me një arsyetim fare të
thjeshtë, kupton se si u zgjua kërshëria dhe superioriteti tek i
varfri, tek ai që as nuk kishte trashëguar e as nuk kishte
lëvizur gurë për të përmirësuar sado pak mbijetesën. Në çdo
epokë, ai e sheh filozofinë dhe praktikën komuniste si
drejtësinë e shumëpritur që do të dënojë deri ne ekstrem
vëllain e tij, komshiun, mikun apo të njohurin që ka ditur ta
ndërtojë të përditshmen ndryshe. E nëse mbrëmë fjeti i
uritur, i paditur, i rraskapitur, nësoj do të flejë edhe sonte, por
me një ndryshim fare të thjeshtë, i lumtur. I lumtur se nuk
është më vetëm në varfërinë e tij, në urinë e tij, në errësirën
e tij, edhe pse vështire të mos jetë më vetëm në injorancën
dhe analfabetizmin e tij. Shqiptarët e panë komunizmin si
vegël hakmarrjeje ndaj fisnikut, ndaj atij që kishte ditur të
iluminonte shpirtin dhe mendjen, si hakmarrje ndaj atij që
kishte bërë pakt me diturinë dhe kishte gdhendur në
axhendën e tij plane afatgjata dhe perspektivë të lartë për
një të ardhme kuptimplotë. E kishin parë si drita e shpresës
për të rikthyer mirëqënien sociale pa u dashur asnjë lloj
kontributi individual. Komunizmi simbolizonte kolektivitet dhe
kolektiviteti është streha më e rehatshme e atij që i trembet
individualizmit, është shpëtimi i kujtdo që jeton me frikën e
paaftësisë individuale. Kolektivizmi ishte shpëtimi heroik për
këdo që mizerinë e vet ia shiste padrejtësive sociale.
Komunizmi në Shqipëri firmosi atë që kishte firmosur në
shumë shtete të tjera, supremacinë e shoqërisë mbi individin
dhe në binomin shoqëri-individ, vendosi të dytin në shërbim
të të parit. Rezultati direkt dhe i pashmangshëm i kësaj
mënyre të organizimit shoqëror do të ishte parazitizmi i
legjitimuar i parazitëve dhe shfrytëzimi i palimituar i të
aftëve. Ndërsa pasojat më të përgjithshme ne spektrin e
qeverisjes do të ishin uniformiteti ekonomik, moral dhe
psikologjik. Shijes pozitive që premtonte komunizmi, i shtohej
edhe periudha në të cilën kjo frymë e mykur politike filloi
aktivitetin, pas lufta e dytë botërore. Rrëmujërat në rajon dhe
situata botërore kishin sjellë edhe në veshët e shqiptarëve
zërat për mobilizim nacional dhe nacionalizmi njihet botërisht
si instrumenti më efikas për mobilizimin e masave,
(megjithëse kjo mbetet për diskutim në aktualitetin politik të
ditëve të sotme). Konteksti në të cilin komunizmi erdhi e rriti
absolutisht pritshmërinë për një mbështetje të gjerë nga
masat e popullit. Afirmimin absolut të tij dhe kohëzgjatjen
galopante do ta shpjegoja me arsyetimin e sipër përmendur.
Raportin e shqiptarëve me komunizmin nuk do ta cilësoja
kurrsesi të çalë apo jo kompakt, përkundrazi e konsideroj me
bindje një raport të ngritur mbi një dashuri të verbër, të
paparsye, të sëmurë. Ajo që i joshi më shumë shqiptarët
ishte mundësia për ta kthyer të pamundurën në të mundur,
mundësia për t'i dhënë prestigj shoqëror dhe superioritet
zyrtar teneqexhiut, marangozit apo kujtdo zanati tjetër që
nuk kuzhtëzohej nga nodnjë kriter apo standard si fisnikëror
ashtu edhe intelektual. Gjithë lufta shoqërore konsistonte në
shfarrosjen e diferencës në origjinë, familje, edukim, intelekt
dhe mirëqënie, prandaj uniformizmi ishte jastëku i ëndrrave
për shumicën që brohoriti çmendurisht trokitjen e skëterrës
më të thellë në historinë e kombit shqiptar. Dashuria pas
liderit politik duke që e kthen imazhin e tij në mit legjendar,
është sindromë që mishëroi hapur debulesën flagrante jo
vetëm të shqiptarëve, por të disa popujve të tjerë të cilët, ne
mungesë të plotë te vetedijes i dhanë timonin e së nesërmes
skizofrenëve që predikonin filozofi politike të ngritura mbi
asburdin.
Ndoshta prandaj portreti enverian u kthye në prioritet
individual dhe shoqëror, për një arsye fare të thjeshtë; ai
predikontë injorancë, ai fliste me gjuhën e te humburit, të
paarsimuarit, me gjuhën e punëtorit të baltosur që zorr se
mund të shkruajë dy gërmat e para të emrit të tij, ai iu afrua
përsosmerisht nivelit shoqëror të asokohe dhe u kthye ne
shpëtim të atyre që ndiheshin dhe ishin si ai. Ishte simbol i
individit të dështuar që trillonte gjithçka prej hiçit, duke nisur
nga aktivizimi i tij hipotetik ne Francë e deri te eksperiencat
inekzistente te rinisë. Ai ishte shembull i dështimit insistent
dhe konstant që e kthen poshtërimin e kultit të tij shoqëror
në patologji për t'u evidentuar. Të tillë individë jetojnë në
rrethin virtual të vetmisë dhe e shohin botën si teatër tragjik i
ndërtuar mbi monologun e protagonistit të vetëm kundër
antagonistëve. Protagonisti ishte ai, antagonisti, kushdo që e
rrethonte, prindi, vëllai, miku, e dashura, kolegu, i panjohuri.
Nëse ka portrete që historia duhet t'i skedojë si elementet më
të rrezikshme të një epoke shoqërore janë pikërisht të
dështuarit, ata të cilët kanë provuar qindra herë shijen e
refuzimit, të talljes, të përbuzjes, të shmangies dhe
përçmimit. Ata projektojnë në trurin e tyre skenarët më të
frikshëm të kinematografisë së realitetit dhe vendosin në
dispozicion edhe vetë shpirtin për realizimin e tyre.
Me pak fjalë, diktatorin Hoxha, vështirë se mund ta klasifikoje
në ndonjë kategori shoqërore përpara shkëlqimit të tij
diktatorial. Nuk ishte punëtor i thjeshtë i dobishëm të paktën
per veten, nuk shquhej as si student produktiv apo i dalluar,
ashtu sikurse nuk evidentohej as si intelektual, madje dhe në
ato që tentonte të shkruante, kuptoje sa flagrant dhe i
frikshëm ishte mediokriteti i tij intelektual. E megjithatë asnjë
nga këto nuk i duhej për t'u kthyer në atë që ishte, në
patologjik politik, në tutor të popullit, në diktatorin më të
egër të rajonit e ndoshta më gjerë. Të vetmen armë të
domosdoshme për të realizuar figurën e tij ai e zotëronte
mjeshtërisht: aftësinë propaganduese. Ishte mjeshtër i
niveleve emblematike të mashtrimit, të pikturimit verbal të
një realiteti inekzistent. Prova më interesante në këtë aspekt
janë shkrimet e tij mbi jetën studentore ne Francë. Ai tregon
për pjesëmarrje të tij në mbledhje inekzistente, madje sajon
edhe fjalimet, qendrimet apo mënyrën se si kishte reaguar në
të tilla aktivitete studentore. Të thuash broçkulla është diçka
e zakontë, sindromë e një pjese të konsiderueshme të jetës
politike dhe sociale, por t'i besosh broçkullat që thua, është
mjeshtëri më vete. Dhe ai i besonte. I besonte ashtu si sot ka
pretendentë të rëndësishëm te skenës politike shqiptare që
besojnë në mënyrë inerte idiotësitë e fjalimeve të mashtrimit.
Propaganda e Hoxhës dhe padituria mendore e reflektuar në
fjalimet mediokre që mbante, tërhoqi masën e popullit, u
mirëprit dhe jo çuditërisht zgjoi shpresë, thithi besim dhe
gjeti një shtrat të ngrohtë tek të pashpresët, te të paditurit,
te ata që nuk reshtën së kërkuari dritën në portretin e
përdhosur të një individi të dështuar deri në ato momente
glorioze.
Ajo që më së shumti zgjon interesin analitik nuk është
arsyeja e triumfit diktatorial, aspekt i cili ka qenë subjekt i
analizave politike dhe historike, aq sa është kurioziteti mbi
lidhjen dhe marrëdhënien e shqiptarëve me ideologjinë
komuniste dhe me çdo parim individual që ajo përfaqson. E
tillë marrëdhënie nuk do të mund të transkriptohej më pastër
se sa përmes një vëzhgimi pas në kohë, një vëzhgimi që merr
spunto nga e tashmja për të përkthyer kauza të së shkuarës.
Lidhja e shqiptarit me komunizmin është në një farë sensi e
ndryshme nga marrëdhënia universale e popullit me
ideologjinë komuniste, për arsyen e thjeshtë se në një
popullsi të reduktuar, uniteti është një objektiv më lehtësisht i
arritshëm krahasuar me shtete që kanë një eksponent të
konsiderueshëm demografik. Kjo nënkupton se një numër i
vogel demografik lehtëson forcimin e pushtetit dhe rrit
dukshëm shkallën e besueshmërisë së zgjedhësve ndaj të
pushtetshmit. Pasojë direkte e këtij aspekti është karakteri
ekstremisht konformist i shoqërisë shqiptare i nxitur më së
shumti nga homogjenizmi që karakterizon shtetet e vogla si
në sipërfaqje ashtu edhe në popullsi. Triumfi i diktaturave fle
pikërisht tek indikatori i konformizmit social, tek zbehja e
sensit të kundërshtimit dhe tek presioni i papërballueshëm
mbi individin që beson, mendon dhe vepron ndryshe.
Konformizmi i lartë shkon në paralelizëm të plotë me sensin e
dobët të kubdërshtimit, të reagimit dhe te manifestimit
protestues. Dy aspekteve të sipërpërmendura u shtohet një i
tretë, ai që shoqëritë perëndimore e kane eleminuar me kohë
nga axhenda e përditshmëirsë së tyre sociale dhe politike,
sensi i lartë i gjykimit. Gjykim i pakursyer, radikal dhe
përherë unanim ndaj anti-konformistit.
Kombinimi natyror i këtyre aspekteve lehtësoi tmerrësisht
shume radikalizimin e komunizmit dhe aftësinë e tij për të
zaptuar me një siguri të pakërcenueshme çdo cep të territorit
zyrtar te shtetit shqiptar. Pra, karakteristika e parë e
marrëdhënies së shqiptarëve me këtë filozofi të mykur
politike ishte dashuria thuajse unanime ndaj parimeve
denigruese që përfaqsonte. Të kundërshtoje dështakët që
ngrinin lart parimet sovjetike, ishte paralelisht tradhëti ndaj
kombit mëmë, por nësëe një idiotësi e tillë ekzistonte kudo ku
kishte mbirë fara e komunizmit, ne Shqipëri gjykimi ishte më
kolektiv sepse vetë kolektiviteti ishte më i reduktuar në
numër e per pasojë, “tradhtari” behej me famoz, gjykimi ndaj
tij merrte një formë të theksuar unanimiteti dhe mbështetja
ndaj partisë më e hekurt e me baza më të palekundshme.
Njohjet reciproke lehtësonin zgjerimin dhe radikalizimin e
besimit ndaj partisë. Indiferenca ishte luks, ndërsa
kundërshtimi krim politik. Në gjykimin tim personal, si
indiferenca ashtu edhe kundërshtimi përpara se të ishin
viktima të ekzekutuara të gjyqit politik, ishin të burgosur të
përjetshëm të gjyqit shoqëror, ishin subjekte të përçmuara të
një gjykimi të pa sens. Motorri që vinte ne funksion këtë rreth
vicioz me dy protagonistë, partinë dhe shoqërinë, nuk
ndryshonte nga motorri ne fuqi në shtetet e tjera: frika dhe
terrori i skajshëm. Megjithatë edhe ne këtë aspekt ka një
tjetër element që shpjegon jetëgjatësinë e filozofisë
komuniste ne Shqipëri. Te ne, sensi i reagimit ishte dhe është
në një fazë krejtësisht infantile. Ky fakt forconte frikën, e
bënte atë më terrorizuese, e trefishonte legjitimitetin e
krimeve politike duke e kthyer krimin komunist ne nevojë
politike dhe në funksion të vendit. Rënia e komunizmit, ka
qenë me pak fjalë, fundi i një beteje të gjatë të terrorit me
forcën reaguese dhe do të thoja se ajo që e dallon fundin e
komunizmit në Shqipëri me fundin e komunizmit në të tjera
vende lindore është fakti se ne këtë vend, komunizmi nuk ra
sepse forca reaguese e shoqrisë triumfoi heroikisht mbi
frikën, por sepse mekanizmi i dështuar dhe antinjerëzor
komunist u konsumua si një trup kanceroz që fillon te brejë
kockën e vet.
Përpos asaj c'ka ishte, marrëdhënia Shqipëri-komunizëm
merr një profil më kuriozues kur studiohet jo më në drejtimin
e tashme - e shkuar, por e tashme - e tashme. Këtu,
arsyetimi i nxitur nga dinamikat politike mbi njëzete e pesë
vjeçare, shpërfaq një profil të miksuar të raportit dashuri nën
dritën e urrejtjes. Urrejtje për atë ç'ka ishte dhe dashuri për
atë ç'ka e kundërta e tij nuk solli. është një dashuri e ngritur
mbi imazhe të përgjakura, mbi mëkate të pashlyera ende,
mbi çrrenjosje të dinjitetit njerëzor, mbi humbjet e thella
shpirtërore, morale dhe intelektuale. E përpos gjithçkaje,
kujtimi i tij reflektohet më së shumti te mungesa e një të
djathte denjësisht të djathtë, tek triumfi i dëshpëruar i një të
majte që propagandon luftën ndaj mirëqënies, tek fakti se
shqiptarët ende besojnë fuqishëm tek e ashtuquajtura
politikisht: votë e përkatësisë, të votosh në mënyrën më
inerte të mundshme, bazuar në atë që yt gjysh e yt atë kanë
votuar. Kjo sindromë përkthehet në mungesë sinkronizimi me
realitetin, në refuzim të së tashmes dhe në mosnjohje të
dinamikave botërore.
Pakënaqsia e theksuar ndaj aktualitetit politik, bën që herë
pas here, publikisht ose privatisht, në nivel lokal ose qëndror
të dëgjohen pasthirrma përkujtimore të kohës më të errët të
historise së Shqipërisë. Ky është motivi, pse flas për një
dhimbje që shijon, sepse mungesa e reagimit dhe dorëzimi
ndaj realitetit zgjon herë pas here deshirën e dhimbshme për
t'u kthyer pas në kohë, jo tërësisht, por tek ato aspekte që
disa i konsiderojnë më pozitive se sot. Dhe kjo është shenja
klasike e një shoqërie në kufijtë e radikales, ku sensi
demokratik është i mposhtur nga primitivizmi revolucionar, ku
gjithsesi, te paktën në nivel teorik, besohet ende se
ndryshimet vijnë vetëm me metodat e hershme të
përmbysjes, të plaçkitjes, të aktit revolucionar. Kjo është
sindroma klasike e një vendi të klasifikuar nga statistikat
botërore të shkencave politike si “semi-demokratik.” Një
pozicionim i tillë përkthehet si vend në tranzicion të
vazhdueshëm demokartik, ose më thjesht, vend i cili ka një
pasion të adhurueshëm për pozitivizmin qe sjell demokracia
dhe vizionet e saj, por ende i dhimbset rehatia dhe skamja e
pasur e epokës së hershme komuniste. Semi-demokraci, do
te thote një vend ku beteja vazhdon, ku palët janë ende në
ringun e përleshjes, por pa e nadrë mirë mendjen se për cilin
krah iu rreh zemra fort. Ka aspekte të së shkuarës që i
urrejnë thellësisht, por ka aspekte të së tashmes që nuk knë
aftësinë t'i përballojnë dot. Ka kujtime të së shkuarës që u
ngjallin lotët e vuajtjes, por ka padrejtësi të së tashmes që u
provokojnë lotë. E pra, kjo është semidemokracia, një derë
gjysmë e hapur ndaj perëndimit, një flirtim i dyfishtë, një
tradhëti e pakonkretizuar, por gjithsesi e pamoralshme, e
lodhshme.
Aty ku mikpritja ndaj demokracisë nuk është e konkretizuar,
risku për të mos u shkëputur nga praktikat dhe zakonet e së
shkuarës është më i lartë. Kjo do të thotë se ndonjëherë,
nostalgjia për të djeshmen është rrjedhojë e pavullnetshme e
mungesës së orientimit drejt të nesërmes.
Nëse do ta reduktoja opinionin tim rreth raportit të
shqiptarëve me komunizmin në një fjali të vetme, do ta
cilësoja ne gjuhën letrare si marrëdhënie komplekse e ngritur
mbi urrejtjen dhe nostalgjinë paradoksale. Urrejtje për atë
ç'ka solli, për vrasjen multidimensionale të trupit, shpirtit dhe
mendjes, për anti-shqiptarizmin, për ligësinë universale që
ajo praktikë politike aplikonte. Frikë ndaj urrejtjes për qenine
njerëzore që ai sistem ushqente. E ky burim mllefi që zorr se
fshihet nga kujtesa si e viktimave ashtu edhe e të
privilegjuarëve, balancohet pjesërisht nga një nostalgji e
heshtur e një pjese jo të papërfillshme të shqiptarëve brenda
dhe jashtë kufirit. Tendencialisht kjo pjesë e popullsisë
përfshin moshat e treta dhe deri diku ato të mesme, të cilat e
kanë të vështirë përshatjen me dinamikat e lirisë në çdo
kuptim të fjalës. Përpos ketij aspekti, ka një tjetër faktor, që
në bindjen time provokon mall të heshtur për të djeshmen
politike, paaftësia për të përballuar denjësisht egërsinë e nje
realiteti që pretendon meritokraci. Në momentin kur liria,
aftësia, inteligjenca, pasuria, ambicia dhe vizioni perceptohen
si kërcënuese për më të dobëtin, ky i fundit instiktivisht
kthehet në predikues te kujtimit të politikave të shkuara, që
të paktën teorikisht propagandonin barazi dhe përkrahje për
të varfrin, të shqtypurin, të paaftin.
Faktori që e zbut frikën e rikthimit pas në kohë është ajo
pjesë e popullsisë e perbërë nga shtresa e mesme dhe ajo në
moshë të re, të cilët ose janë dëshmitarë të kontrastit
ekstrem mes dy periudhave politike para dhe pas '90, ose nuk
e kanë njohur kurrë errësirën makabre të epokës së
lidershipit komunist. Këta të fundit, janë pretendëntët
kryesorë për të ndihmuar në përforcimin dhe suksesin e
demokracisë, si sistemi më pozitiv politiko-social në rang
global të paktën aktualisht.
Një paradoks në vetvete i shoqërisë sonë, është përplasja
pënguese mes dëshirës frikës. Dëshirë e palimituar për atë që
liria premton, adhurim deri në ekstazë për inekzistencën e
kufijve shoqërorë, socialë, intelektualë. Etje e pangopur për
të shfrytëzuar maksimalisht mundësitë e hedhura në tablonë
e aktualitetit. Antagonisti i kësaj liste ndjenjash është një dhe
unik në llojin e tij, paaftësia për të menaxhuar dhe përballuar
denjësisht egërsinë e një sistemi socio-politik të ngritur
rrënjësisht mbi bazat e meritokracisë, paaftësia për t'u
pajtuar me një praktikë të thjeshtë, që në sistemin elektoral
amerikan quhet “the winner takes all”, ose “fituesi i merr të
gjitha”. E aplikuar kjo metodë në aktualitetin e gjerë të
përditshmërisë sociale dhe politike, do të thotë se nuk ka
mjaftueshëm vend për atë që nuk ka gjetur të paktën një
drejtim triumfi në tërësinë e gjerë të fushave të jetës. Një
radikalizëm i tillë i botës perëndimore, ku meritokracia hap
dhe mbyll dyert e suksesit nuk është i lehte për t'u pranuar
nga kushdo. Logjikisht, ata të cilët e konsiderojnë
ekstremizëm të djathtë të tillë arsyetim, tentojnë të
propagandojnë politikat e majta, derisa padashur përfundojnë
në ekstremin tjetër politik. Kështu gjykimi negativ kundrejt të
sotmes fshin negativitetet e së shkuarës dhe ngacmon në
kujtesë një lloj nostalgjie për atë çka ajo kohë politike kishte
pozitive (sigurisht nëse hipotetikisht pranoj se gjeje ndonjë
pozitivitet).
Ajo që mbart vlera në fund të këtij diskursi subjektiv mbi
raportin tonë me të shkuarën politike, është fakti se përpos
dilemave sporadike, e nesërmja ngrihet mbi dashurinë e
paçmuar për lirinë, prosperitetin, barazinë mes individëve,
mbi meritokracinë intelektuale e profesionale. Përpos
zhgenjimeve të pareshtura të një realiteti që në shumicën e
rasteve ngrihet mbi premtimet provizore, investimi mbi veten,
mbi fëmijën dhe mbi familjen, e shtyn çdo individ drejt
gërrmimit të pareshtur të mundësive. Virtyt i rëndësishëm
është fakti se liria, është pranuar si kusht i panegociueshëm.
është pranuar në tërësinë e dimensioneve të saj, si supremaci
absolute që zëvendëson sensin biologjik të oksigjenit. Të tjera
vende, simotra të Shqipërisë përsa i përket dimensionit të
politikës komuniste, kanë treguar se divorci me të shkuarën
është dëshpërimisht i dëshiruar, ashtu sikurse kanë vërtetuar
se i përqafojnë parimet e demokracisë perëndimore si
“kushtetutë” e pazëvendësueshme e lirive dhe prioriteteve të
individit. Megjithatë vendosmëria e aspiratave demokratike e
humbet herë pas here imunitetin e saj nga sinjale politike që
kthejnë pas në kohë, nga akte ilegjitime që bien ndesh me
atë çka demokracia në vetvete përfaqson. Se sa këto sinjale
ia dalin ta devijojnë progresin drejt vlerave të perëndimit, kjo
mbetet relative ne shtete te ndryshme dhe varet plotësisht
nga forca e rrenjëve të sistemit demokratik. Demokracitë e
brishta ose semi-demokracitë, janë shembuj evidentë të
luhatjeve politike që sinjalizojnë devijime dhe regres flagrant.
Të tilla evente politike janë ato që ushqejnë skepticizëm, frikë
dhe dëshirrë për të rendur vetë, individualisht dhe privatisht
drejt vendeve ku demokracia dhe virtytet e saj janë ngritur
mbi themele të hekurta. Ky është profili që një pjesë e
konsiderueshme e shoqërisë shqiptare ka zgjedhur në tri
dekadat e fudit.

You might also like