You are on page 1of 14

3.

E djathta në një vend të kapur pas së


djeshmes

E drejta për të ushtruar të drejtën e zgjedhjes konsiderohet si


një nga fitoret më sublime të shoqërisë botërore dhe
njëkohësisht manifestimi më konkret i demokracisë së kohëve
moderne. E përkufizuar gjerësisht, ajo njihet si atributi që i
jepet qytetarit-elektoral për të ushtruar vullnetin e tij politik
dhe ky vullnet politik konsiston në zgjedhjen e një partie ose
një individi, në varësi të sistemit elektoral në fuqi. Themeli
mbi të cilin ngrihet e drejta e përgjithshme e votës është
moskushtëzimi i saj nga faktorë etnikë, racorë, gjinorë,
socialë apo politikë.
Beteja botërore dhe triumfi global për të drejtën universale të
ushtrimit të vullnetit politik, është pa dyshim një nga betejat
më të domosdoshme të politikës globale. E drejta për të
shprehur vullnetin politik në zgjedhjet elektorale është fitore
e shekullit të XX-të dhe shënjon kalimin nga forma e shtetit
liberal në formën e demokracisë kushtetuese. Dihet gjerësisht
se fitorja mbi të drejtën e votës nuk ka ardhur njëkohësisht
për të dyja gjinitë. Ndërkohë që meshkujt e morën atë rreth
vitit 1848, u deshën gati njëqind vjet që i njëjti atribut
legjitim t'i jepej edhe femrave.

Kur shqiptarët fituan mundësinë të ushtrojnë të drejtën e


zgjedhësve në një kontest politik pluralist, arena botërore
kishte avancuar së tepërmi në këtë drejtim dhe sovrani ishte
kthyer tashmë në legjitimues të pushtetit. Mënyra se si vendi
ynë u përshtat me privilegjet e demokracisë është sa e
veçantë aq edhe e pakrahasueshme me vendet e tjera. Në
vitet '90 ne votuam për herë të parë partinë që erdhi si
alternativa më shpresëdhënëse kundrejt dritës së zezë që
kishim lënë pas. Jam e bindur se vota thuajse unanime ndaj
Partisë demokratike të atyre viteve nuk duhet të ketë qenë
rezultat i mbështetjes së programit të saj politik. Nuk duhet
të ketë intriguar programi politik i së djathtës aq sa ka
intriguar plani parimor mbi të cilin e djathta u ngrit. Pra, që
në mundësinë e parë të pjesëmarrjes në të parat zgjedhje
pluraliste dhe të lira, ne kemi qenë tërësisht indiferentë ndaj
të ashtuquajturës platformë politike, dhe kemi votuar
vrullshëm, në mënyrë pasionante dhe të panegociueshme të
kundërtën e asaj që kishim lënë pas. Mesa duket, nga njëra
anë ky ka qenë një fillim jo plotësisht premtuës për të
ardhmen e zgjedhjeve elektorale në Shqipëri, por nga ana
tjëtër një votim i tillë, thuajse unanim dhe i palëkundur është
lehtësisht i shpjegueshëm nëse vazhdimisht do të marrim
parasysh terrin që kërkonim të shfarrosnim.
E parë në këndvështrimin strategjik politik, është mëse
normale kur programi dhe platforma politike e një partie
ngrihet mbi kundërshtinë e plotë dhe sulmin reciprok ndaj
kundërshtarit. Sigurisht që në planin ideal mund të mos duket
profesionale dhe e denjë, por realisht racionaliteti shpjegon
se pse triumfet absolute ngrihen ndonjëherë mbi evidentimin
e pareshtur të defiçiteve të kundërshtarit në garë. Parimisht,
një platformë politike duhet të premtojë jo atë që
kundërshtari nuk mundi të realizojë, por atë që beson se do
të çojë drejt prosperitetit shtetin që pretendon të drejtojë.
Kjo nuk do të thotë se do të vazhdojmë të gënjejmë veten
duke sublimuar parimin dhe duke mohuar racionalitetin dhe
realitetin. Duhet pranuar hapur se politika është fusha e një
shahu psikologjik ku lëvizja ime vjen pas studimit të detajuar
të lëvizjes tënde, ç'ka nënkupton se në fund të fundit çdo
triumf, përpara se të quhet triumf i një gare politike,
shoqërore, profesionale apo akademike, është triumf i një loje
krejtësisht psikologjike. Sipas këtij rregulli të thjeshtë, mbi të
cilin ndërtohen të gjitha marrëdhëniet profesionale ose jo,
sulmi ndaj kundërshtarit politik është racional në çfarëdolloj
këndvështrimi, i justifikueshëm dhe strategjik në planin drejt
fitores.

Por, në kundërshtim me këtë rregull të artë të politikës, fitorja


e partisë demokratike në të parat zgjedhje pluraliste në
Shqipëri ka qenë e vetmja herë kur unanimiteti elektoral u
reflektua në triumfin e vlerave demokratike. Njëkohësisht,
hera e parë kur gjuha politike e fushatës u kthye në
inspiruesen e dëshirës së pashtershme për ndryshim. Hera e
parë dhe e vetme, kur lufta për pushtet nuk ngrihej mbi
përdhosjen e figurës së kundërshtarit për vetë faktin se
kundërshtari ishte imazhi më i përdhosur i një monstre të
pajetë.
Skepticizmi im qëndron ne faktin se kur Partia demokratike
korri suksesin më absolut në historinë e saj (vitet 1991-
1996), nuk besoj se kanë qenë të shumtë ata që e kanë ditur
se po votonin një parti të konservatorizmit liberal, apo të
filozofisë politike europeiste. Natyrshëm shtrohet pyetja:
shqiptarët votuan një parti ndryshe nga ajo komuniste, cilado
të ishte, votuan ndryshimin e papërcaktuar mirë apo votuan
unanimisht të djathtën? Do të thoja se dy opsionet e para
shpjegojnë më së miri fitoren absolute të PD-së në ato vite
dhe fitoret e vështira në zgjedhjet e mëpasme.
Themeluesit e së djathtës adhuronin të djathtën dhe vizionin
që ajo mishëron, privilegjet individuale që sjell në një shoqëri
e djathta, por edhe vështirësinë që këto privilegje mbartin me
vete si rezultat i një meritokracie radikale dhe të
pamanipulueshme. Megjithatë, të jesh strateg politik, do të
thotë të negociosh deri diku parimet e tua si politikan
profesionist, të lëshosh aty ku nuk humb në këmbim të një
probabiliteti më të lartë drejt fitores. Këtë bënë të djathtët në
Shqipëri, instaurimin e një partie të bazuar mbi kushtetutat
perëndimore, por jo mbi distancimin absolut të shtetit nga
ekonomia, për vetë faktin se një shoqëri në varfëri ekstreme
nuk do të mund të mbijetonte kurrë në një ambjent ku triumfi
i rezervon gjithçka më të mirit, ku zotësia është virtyt dhe
gara është filtër seleksionimi. Ekonomia keinziane, parimi më
bazik në ekonominë amerikane, nuk mund të aplikohej
plotësisht në Shqipëri, për arsyen kryesore se një treg që
vetë-rregullohet është i rezervuar ekskluzivisht për këdo që
përballon zotësisht konkurrencën e ashpër dhe të pastër, ç'ka
do të ishte fatale për mënyrën me të cilën janë mësuar të
jetojnë e punojnë shqiptarët. Si rrjedhojë, në fushatat
elektorale në Shqipëri ndodh të dëgjojmë edhe çudira të tipit:
një e djathtë që sulmon teorikisht sipërmarrësit, që
kundërshton deri diku privatizimet apo që e bazon programin
e saj mbi premtimet e asistencave sociale. Sigurisht, të gjithë
këta elementë janë pjesë e pandashme e planit qeverisës, por
jo reflektim i pastër i vizionit të djathtë. Megjithatë, përpos
vështirësisë së triumfit në një shoqëri post-komuniste e
djathta ia ka dalë t'i afrohet sikur edhe pak vizioneve
perëndimore, herë në mënyrë eksplicite, e herë tërthorazi, në
heshtje, duke premtuar atë ç'ka një shoqërie post-komuniste
i pëlqen të dëgjojë, por duke aplikuar atë çfarë një e djathtë
pritet të aplikojë. Kjo reflekton dy anë të kundërta:
fleksibilitet politik, por jo besnikëri të pastër ndaj vlerave të
programit politik.
Do të doja të kisha qenë votuese në të parat zgjedhje
pluraliste në Shqipëri. Të kisha qenë votuese me njohuritë e
sotme, dhe si pjesë e një rinie që komunizmit ia ka parë hijen
vetëm nëpër kapitujt e pambyllur të debateve,
dokumentarëve, apo rrëfimeve të familjarëve të goditur nga
meskiniteti fatal i pushtetit të asaj kohe. Do të doja të kisha
votuar si dikush që nuk e kishte prekur për asnje sekond
epokën e rrënimit progresiv. Në këtë mënyrë do të kisha
votuar e bindur dhe me zgjedhje të arsyetuar të djathtën, jo
si alternativë e padeshifrueshme që kundërshtonte
komunizmin, por si pozicionim politik që përputhej me
vizionin tim mbi individin dhe shoqërinë. Do të doja të kisha
shprehur votën time për një vizion politik që besoj se i ka
falur zhvillimin sipëror Shteteve të Bashkuara të Amerikës
apo të tjera shteteve ku kapitalizmi ka qenë motorri i ecurisë
progresive. Të shumtë janë skeptikët dhe pretendentët për
analistë që nuk bien dakort me paralelizmin midis kapitalizmit
dhe të djathtës. Argumenti im ndaj një kundërshtimi të tillë
hipotetik do të ishte: “50% e studiuesve politikë e kanë
definuar kapitalizmin si kushti primar për zhvillimin e
demokracisë. Demokracia në vetvete ngrihet mbi lirinë e
individit, mbi te drejtën e lirisë së veprimit, fjalës,
kundërshtisë, mbi të drejtën e suksesit të pandalshëm në një
shoqëri ku i vetmi rregullator është meritokracia. Kam bindjen
se mbi të tilla parime ngrihet edhe e djathta, kështu që me
një rregull fare të thjeshtë matematikor, duket se vetia e
kalueshmërisë funksionon.”
Një ndërhyrje logjike ndaj asaj që shpreha më sipër do të
ishte: përse kjo dëshirë për të votuar në vitin 1991, kur në
fakt mundësia për të votuar është konkrete edhe sot? Sepse
mes dy votave, asaj të viti '90 dhe asaj sot, ka një frakturë
evidente. Së pari, sot më duhet të votoj mes një të majte që
e konsideron shqiptarin si invalid të gradës së fundit, dhe një
të djathte që ka frikë ta aplikojë rigorozisht politikën e saj,
për vetë faktin se natyra e elektoratit shqiptar do ta linte me
nje numër minimal votash. Së dyti, më duhet të zgjedh mes
një të majte që pretendon shtetëzim në demokraci, por
aplikon privatizimin selektiv, dhe një të djathte që padashur,
duke i nxjerrë në pah të majtës se si po devijon nga
premtimet e saj, sulmon privatizimin, ç'ka është e pafalshme
për kushtetutën e vizionit të djathtë në botë. Së treti, më
duhet të zgjedh mes një të majte që fillimisht propagandon
taksën progresive, dhe me kalimin e kohës fatkeqësisht
kupton se presioni dhe interesat vetjakë nuk ia lejojnë të jetë
kaq rigoroze në progresivitetin e taksimit. Në krahun tjetër,
kam një të djathtë që pafajësisht, për të kundërshtuar të
majtën, i duhet të premtojë taksë progresive, të cilën e majta
nuk po e aplikon. Dhe aryseja për këtë devijim është e njëjta:
fleksibiliteti ndaj fizionomisë së shoqërisë shqiptare. Në fakt,
të dyja palët e dinë mirë se në këtë aspekt gabojnë, pasi
modeli i taksimit varet drejtpërdrejt nga situata ekonomike
aktuale. Inflacioni kërkon detyrimisht taksë të sheshtë
minimale, ndërsa deflacioni kërkon taksë progresive të lartë.
Në një gjendje ekonomike normale, personalisht, njohuritë
ekonomike dhe politike më shtyjnë të preferoj taksimin e
sheshtë, për të vetmen arsye se taksimi progresiv e shoh si
një nga arsyet që e shtyjnë një sipërmarrës të mos synojë
maksimizimin e fitimit apo e stimulojnë t'i drejtohet evazionit
fiskal. Taksën progresive do ta quaja gjobitje ndaj aftësisë
sipërmarrëse. Midis dy individëve me të njëjtat mundësi
biznesi, me të njëtët numër të punësuarish dhe me të njëjtin
aktivitet, shteti preferon të taksojë aftësinë e njërit prej tyre
për të kryesuar garën, për të qenë i sukseshëm dhe për të
marrë në fund të ditës surplusin shtesë të aftësive të tij
sipërmarrëse. Taksën progresive e konsideroj jo si praktikë
për të shehsuar hendekun mes të pasurve dhe të varfërve,
por si praktikë meskine e injektimit të dembelizmit. Më
thjeshtë, do të thoja se progresi nxitet duke e stimuluar, jo
duke taksuar aftësinë progresive dhe triumfuese.
Gjithsesi, debati mes taksës progresive dhe asaj të sheshtë
nuk mund të ezaurohet në pak reshta, por qëllimi përse e
përmenda konsiston në evidentimin e disa elementëve që e
largojnë kampin e djathtë në Shqipëri nga programet klasike
të së djathtës.

Të duash ndryshimin do të thotë t'i jepesh atij shpirtërisht


dhe mendërisht, do të thiotë të jetosh dhe punosh për
progresin, të mendosh gjithmonë në përspëktivë dhe të
përkrahësh marrëzisht iniciativën dhe sfidën. Këtë
pretendonte të sillte Partia demokratike e vitit 1991, një
Shqipëri që mund t'i ngjasonte çdolloj modeli, por kurrsesi
atij paraardhës. Diskutimi lind kur mendoj se sa të gatshëm
janë shqiptarët për t'u dashuruar pas ndryshimit, për ta
pranuar atë me gjithë dinamikat e tij dhe për te ecur me
hapat e sfidave bashkëkohore. Noshta dëshira ëahtë e
pamatshme në dimensionin teorik dhe parimor, por e vakët,
skeptike dhe tmerrësisht e rezervuar në planin praktik. Edhe
në këtë pikë, do të doja ta kundërhtoja veten, duke thënë se
dëshira e shqiptarëve për emigrim është ndoshta në një farë
mënyre edhe pranim dhe përballje me ndryshimin, me sfidën,
me kostot e një jete më të mirë, por fatkeqësisht ikjen e
shumicës së shqiptarëve unë nuk e emërtoj si emigrim.
Fillimisht ndoshta i tillë ishte, por sot për sot, ikja e
shqiptarëve më sjell ndër mend vetëm një term: arratisjen.
Dhe arratisja, duam apo s'duam ne është indiferentizëm,
është egoizëm e deri diku pse jo edhe braktisje e fatit. Detyra
e ardhjes së të djathtës në Shqipëri më shumë se thjesht
detyrë politike, duhej të ishte mision shoqëror dhe politik.
Dhe suksesi i saj do të ishte i padiskutuar nëse radhët e
projekteve do të kishin qenë më ndryshe. Elektorati duhej
edukuar fillimisht me frymën e besimit në ndryshim dhe me
idenë se e nesërmja do të jetë ndoshta më e ashpër, më
garuese se e djeshmja, por gjithsesi mendimi dhe puna
progresive e bëjnë më pozitive se të djeshmen. Vetëm kur
shqiptarët të kuptonin se nuk mund të propagandohet më e
ardhmja duke e tradhëtuar me të shkuarën, atëhere e djathta
do të ishte instauruar shumë më fuqishëm në këtë vend.
Vetëm nëse shqiptarët do të kishin kuptuar se hija e së
shkuarës së errët nuk duhej të qarkullonte më në korridoret e
akullta të pushtetit të post '90-ës, atëherë ndryshimi do të
kishte qenë shumë më produktiv. Përsa kohë e djeshmja
dhemb, lëngon, rrjedh gjak, por njëkohësisht të lehtëson
frikën ndaj së ardhmes, ndryshimi, progresi dhe
demokratizimi nuk do të jetë kurrë një betejë e fituar.
Do t-i referohesha pë një çast një fraye të lexuar së fundmi
me të cilën shkrimtari Ben Blushi mbyll librin e tij “Kandidati”:
“ ...shqiptarët ishin një popull me fat. Ata e kishin shpikur të
parët ilaçin kundër mendimit. Unë kisha bërë një eksperiment
duke i nxitur të votonin për një të vdekur. Dhe ata më kishin
ndjekur. Pa menduar.”
Ka disa cështje për të cilat bie dakort me Blush-in, e
konkretisht një prej këtyre është edhe konkluzioni i kësaj
fraze. Se ne shqiptarët ndjekim, instruktohemi, vetëofrohemi
për të na drejtuar dhe misionarët e pushtetit e kanë
tmerrësisht të lehtë, përsa kohë ne jemi nxënës inertë, të
paaftë për të menduar thellë, të bindur deri në acarim, të
heshtur për çështje që kërkojnë ulërimë, të papërmbajtur për
çështje që lypin qetësi. Kemi një besim kaq të brishtë ndaj
potencialit që na kanë falur dhimbjet e së shkuarës, ndaj
vlerave që na ka dhuruar historia, ndaj aftësive individuale që
secili zotëron në heshtje, pa shumë zhurmë, pa shumë
publicitet.
Për këto arsye mendoj se e djathta gaboi strategjinë e saj,
kur kërkoi të ndiqte politikën standarde të alternativës. E
djathta duhej të pozicionohej jo si alternativë, por si forcë e
konsoliduar politike, programi i së cilës nuk ishte plotësues i
defiçiteve të së majtës. E djathta duhej ta niste nga një
instruktim masiv i filozofisë amerikane në shoqërinë
shqiptare. Të votosh për të ardhmen tënde si qytetar, nuk do
të thotë të kërkosh strategjinë që të kthen në rob inert të
dembelizmit, por platformën politike që të premton sfidë,
garë, potencial dhe meritokraci. Duhej të ishte një e djathtë
që i shkundte nga ëndrra e frikës kronike, nga stepja kundrejt
dinamizmit së aktualitetit. Duhej të ishte një e djathtë që i
bënte të kuptonin se liria ishte vërtet ëndrra e dëshiruar
dëshpërimisht, por në fund të fundit, ishte një atribut i lindur,
i dhuruar nga koha dhe i marrë nga meskinët, i dhuruar nga
lindja dhe i çensuruar nga barbarët e shqiptarizmit. Mbi
gjithçka shqiptarëve u duhej përsëritur vazhdimisht se ajo
çka do të ulte këmbëkryq progresin dhe lirinë në çdo
dimension, mirëqënien, pozitivizmin dhe frymën e
prosperitetit, ishte uria për dinjitet, për barazi, uria për t'u
vlerësuar të paktën njëherë denjësisht, pa keqardhje, pa
mëshirë, pa u trajtuar si dele të urta të një bariu delirant. E
djathta duhej ta kishte nisur projektin e saj politik duke u
thënë shqiptarëve se kulmi i suksesit të një shoqërie arrihet
kur qytetarët e saj shihen si individë potencialë, të denjë për
të bashkëpunuar në një qeverisje të dobishme, atdhedashëse,
korrekte dhe frutdhënëse. Zhvillimi nuk kërkon barinj,
zhvillimi kërkon bashkëpunëtorë të aftë, negociatorë të
përulur, strategë të niveleve supreme. Dhe juria ideale për
përzgjedhjen e kandidatëve që ofrojnë këto profile është një
shoqëri me autostimë maksimale, një shoqëri që beson se
meriton më të mirën, që adhuron sfidën dhe përkrah
diferencat e ardhura nga dija dhe puna. Juria ideale është një
shoqëri që urren lëmoshën, që përçmon premtimet që e bëjnë
të ndihet invalide, platformat politike që zëvendësojnë punën
me asistencë, garën me afera farefisnore, sfidën me teatro
solidarizimi. E djathta duhej t'ia kishte nisur nga kushti numër
një: t'i ndihmonte shqiptarët të kuptonin pse u duhej e
djathta, t'i zgjonte nga inercia e injektuar artificialisht, t'u
shkundte fort besimin në virtytet si individë, si komb, si shtet.
Në vend të kësaj, ajo zgjodhi të ishte fleksibël, t'i nënshtrohej
frikës dhe stepjes konstante të shqiptarëve duke e ngritur
programin dhe vizionin politik si një e djathtë tmerrësisht e
moderuar, skajshmërisht e lëkundur. E si rrejdhojë, fitorja nuk
mundi më kurrë të merrte një dimension absolut. Rezultati
është ai që jetohet sot, një e djeshme e paharruar.
Ka vetëm një rrugë drejt suksesit politik: të besosh me çdo
kusht se alternativa që po ofron është ajo çka i duhet
shoqërisë në të cilën projekton të ardhmen tënde, të besosh
se vizioni yt politik është zgjedhja ideale drejt prosperitetit të
kombit.

You might also like