You are on page 1of 5

Problemet rreth manastirit të Deçanit

Ky manastir duhet të them se gjatë historisë së tij e deri më sot ka bërë të derdhet shumë gjak
dhe tush, por para se të shkruhet lidhur me skandalet e tij së pari duhet shkruar mbi
vendndodhjen dhe arsyen e ekzistencës së këtij objekti. Së pari regjioni ku ndodhet ky grup
ndërtimesh në gjuhën shqipe e ka emrin Rrafshi i Dukagjinit e në atë serbe por edhe në hartat
ndërkombëtare quhet Metohi përkthyer nga greqishtja bizantine Metokhon që do të thotë
pronë e manastirit-ve, por duke hulumtuar mirë këtë term e dukuri shihet se vendet e vetme
në Rrafshin e Dukagjinit si manastire të pastra senobite (grumbull murgjish që jetojnë së
bashku), e jo manastir katedrale apo patriarki monastike gjatë mesjetës të financuar dhe
porositur nga një shtet serb siç qe ai i Nemanjidëve, ishin vetëm Manastiri i Deçanit ndoshta
edhe ai i Hoçës, pra manastire në kuptimin e plotë të fjalës në këtë regjion ishin vetëm këto të
dyja, këtu pastaj shtrohet pyetja përse i tëri ky regjion në hartat serbe e ato ndërkombëtare ta
mbanë këtë emër kjo s’ka kuptim, një apo dy manastire s’mund ta pagëzojnë e posedojnë një
regjion të tërë e aq më pak një hapësirë si atë të Rrafshit të Dukagjinit. Kur shkojmë pas në
kohë shihet se ky emërtim nuk gjendet në dokumentet zyrtare para kohës së Rankoviqit edhe
atë në vitet 60-ta, dhe duhet cekur se më herët nuk mungonin dokumente zyrtare në gjuhën
serbe të shtetit të atëhershëm jugosllav ku rajoni në fjalë përmendet si Dukagjin, kurse para
luftës së dytë botërore emërtimi Metohije është shumë sporadik dhe ka kuptimin e ngushtë të
pronave të manastirit dhe asgjë më shumë se kaq, tendenca dhe arritja e zgjerimit të këtij
emërtimi në suaza rajoni tregon vetëm dëshirën nga ana e serbëve për të manipuluar jo vetëm
historinë por edhe gjeografinë e demografinë. Tani sa i përket qytezës së sotme të Deçanit
(para luftës së dytë botërore ka qenë vetëm fshat) ku ndodhet ky objekt, ajo ka qenë e banuar
para ndërtimit të kishës në fjalë, kurse pjesa rreth manastirit pjesa perëndimore s’ka qenë e
banuar në atë kohë dhe vendbanimet aty dalin dikur vonë, për këtë arsye objekti ishte
vendosur aty, me një fjalë nuk ishte afër popullatës si çdo manastir në botë por nuk ishte as
larg saj. Tashti fakti se s’ka qenë e banuar kjo pjesë e Deçanit në atë kohë s’do të thotë që ato
toka nuk kanë pasur pronarë, një dokument i vitit 1335 Acta et diplomata res Albaniae tregon
se nga emrat e personave që kanë dhënë apo lëshuar tokë për ndërtimin e këtij manastiri kemi
Gjin, Gjon, Progon një Pjetër Kuç etj., me një fjalë emra arbërorë, e nëse dikush ka dyshime
rreth emrave tjerë sllavë që dalin në këtë dokument, ai duhet ta lexon librin Popullsia e
Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI-të të Muhamet Tërnavës ku në çdo rajon të Kosovës
përbrenda familjes kemi emra sllavë dhe arbërorë. Më tej arsyeja e zgjedhjes së vendndodhjes
së manastirit është dhënë nga mbikëqyrësi i ndërtimit të kishës gjatë punimeve dhe
Arqipeshkopit të kishës Autoqefale Serbe në atë kohë Danilo i II-të, (emri i vërtetë i tij nuk
dihet por ka lindur dhe është rritur në krahinën e Pultit në Shqipërinë veriore dhe ka mundësi
që personi në fjalë të jetë arbër) ai thotë se Shën Sava kur ishte në atë vend (në zhupën e
Zatërnavës që nënkuptonte Deçanin e sotëm me fshatra përreth si Belegun Carabregun etj.) e
pa natyrën e bukur, kushtet e volitshme për një manastir si tokën pjellore, lumbardhin,
burimin e ujit të thartë, malin e bjeshkët dhe deshi aty ta ngritë një tempull të zotit dhe Uroshi
i III-të më vonë e zbaton atë dëshirë, edhe pse duket dhe është një legjendë kjo, zgjedhja e
këtij vendi duket logjike. Këtu është interesant edhe emri i manastirit dhe i vendbanimit i cili
lidhet me titullin/pseudonimin nderues që i është dhënë mbretit rashkian të atëhershëm Stefan
Uroshit të III-të Deçanskit, e kjo fjalë rrjedhë nga gjuha latine decanus që në ushtrinë
romake ishte eprori i dhjetë ushtarëve apo legjionarëve por më vonë sidomos në traditën
monastike bizantine, ky titull dekanos apo dekanoi ishte i vlefshëm për personin që nën
urdhër të tij kishte 10 murgjër, pra ishte siç po shihet një titull/pseudonim nderues për
themeluesin e mbrojtësin e manastirit edhe pse kisha vetë emrin zyrtar e ka Kisha e Krishtit të
Gjithëfuqishëm (Pantokrator) - Ngritjes së Perëndisë- Ditës së Shpëtimit, dhe në anën tjetër
përdoret për personin në fjalë më shumë për ta dalluar nga dy Stefan Uroshët tjerë që kishin
po ashtu pseudonime/tituj nderues si Millutini e Dushani, dhe më vonë objekti dhe
vendbanimi e marrin këtë emër. Ndërsa sa i përket ndërtuesëve aty na del si arkitekt Fra Vito
(murg françeskan) i cili në dokumente të Kotorrit e të Dubrovnikut njihet si Vito Çuçol a
Çuçi pse jo Kuçi por serbët për ta përvetësuar dhe ta larguar nga identiteti jo serb apo edhe
arbër e quajnë fra Vito i Kotorrit, dhe nuk mungojnë ata që thonë se ishte serb i pagëzuar në
katolik, kurse si skulptor sipas studiuesëve shqiptarë na del personi që njihet si Miho nga
Tivari apo Miho Antivarius e te serbët vetëm si gurgdhendësi i Tivarit për të njëjtat arsye.
Tani sa i takon objektit (kishës) ai i përket për nga ndërtimi, shkollës së Rashkës që do të
thotë se fasadën e ka të stilit roman, me ca detaje gotike, muri është ngritur me gurë të
pagdhendur e me llaç dhe kjo strukturë është mbështjellur me pllaka mermeri lokal. Plani i tij
më saktësisht ajo çka na intereson ne këtu është se ky i përket atij të kryqit latin me një hyrje
a paraklis me tri nefe, një naos me tri nefe dhe dy rende të kapellave anësore. Para se të hyhet
më thellë në këtë aspekt duhet së pari treguar se sllavët përfshirë edhe serbët kanë qenë bujq
të shkëlqyer, kjo vie pasi territori i tyre amë Ukraina e sotme e ka tokën më pjellore në
Evropë dhe toka sa më pjellore aq më pak gurë ka pra sllavët nuk e kishin traditë punimin e
gurit, arkitektura e tyre ishte nga druri dhe balta dhe për atë ata për ndërtimin e objekteve
shtetërore civile e kishtare nga guri, angazhonin mjeshtër ndërtimi, gurgdhendës e skulptorë
jo sllavë arbër, dalmatinë etj., dhe duke qenë të vendosur në Rashkë ata nuk ishin larg
ndikimit litoral adriatik roman e për këtë vetvetiu gati krijohet shkolla e Rashkës. Tani duke u
kthyer në planin e strukturës duhet cekur se ky objekt përmban elemente arkitekturale
kishtare mesjetare serbe dhe ato arbëroro-shqiptare, hyrja më e thellë apo më e madhe se
normalisht është element që serbet përdornin në kishat e tyre gjatë mesjetës, në anën tjetër
shtojcat përgjatë nefit apo nefeve si element jashtë strukturës në formë deambulakre qoftë me
arkada apo kolonada ose si porshë anësore, apo brenda strukturës si në këtë rast me kapella
laterale është element që përdoret edhe sot në kishat shqiptare e sidomos në Shqipëri (kapellat
laterale përdoreshin shumë rrallë). Gjë të ngjashme kemi edhe te njëra nga kishat anësore të
Patriarkanës së Pejës e ndërtuar përafërsisht në të njëjtën kohë, por edhe te disa kisha tjera
nemanjide në toka të arbërve. Kjo përzierje duket si një kompromis mes themeluesve e
ndërtuesëve dhe mes shërbyesëve murgjve dhe popullatës lokale. Kurse brendësia si hapësira
dhe shpërndarja e saj po ashtu edhe pikturimi apo freskët janë të stilit bizantin apo ortodoks,
kjo është shumë normale sepse arkitekti e skulptori të cilët e bënë këtë kishë ashtu siç është,
vinë nga litorali adriatik i Malit të Zi të sotshëm dhe ata kanë ngritur në këmbë veqse një stil
me të cilin ishin të mësuar, pra që i përkiste atyre dhe tërë litoralit adriatik, hapësira dhe
brendësia i përket riti të atyre që e porositën dhe e financuan kishën por edhe atyre që do të
shërbenin në të, ky hibridim arkitekturor e artistik i dy tendencave nuk ka asgjë shokuese, çka
është për tu çuditur këtu është pikërisht dëshira apo tolerimi për të përdorur një stil fasade
demode në tokat të banuara me shqiptarë nën sundim rashkian. Dihet se në mes të shekullit
XIV-të në kohën kur u ngrit kisha stili që dominonte te nemanjidët ishte ai i shkollës së
Vardarit me një fjalë në atë kohë ndërtohej versioni serb i arkitekturës bizantine (shteti
rashkian në shekullin XIV-të pushton toka shqiptare në Shqipëri, bullgare e helene dhe bie
nën ndikimin arkitekturor bizantin). Këtu shtrohet pyetja pse te shqiptarët përdoret një
shkollë e vjetër ndërtimi ?, dhe pse si arkitekt e skulptor ishin dy shqiptarë që ndërtonin në
atë mënyrë ndërtimi pra në stilin roman me nuanca gotike sepse s’duhet harruar se pjesa
dërrmuese e patriarkanës së Pejës është ndërtuar po në këtë kohë dhe në këtë stil edhe pse
s’është evidente në shikim të parë sepse në Pejë nuk u përdor mermeri. E vetmja përgjigjje që
mund të jepet në këtë rast është se pushteti i kohës popullatës së huaj lokale, e cila parë në
aspektin gjeografik pra më afër ndikimeve perëndimore dhe në aspektin e reliefit, vend
malor e cila ndoshta apo së paku në përqindje të madhe i takonte një tjetër riti dhe duke qenë
e një natyre më shumë konzervative se vendet tjera të Kosovës, nuk pranonte lehtë elemente
të huaja, dhe pushteti nuk donte ti imponon një formë arkitekturale të huaj që ajo mos të
revoltohet e të krijon probleme më pastaj, lejoi një koncept të tillë të shihte dritë. Rast shumë
interesant kemi prapë atë të Patriarkanës së Pejës, ajo përbëhet nga katër kisha, pjesa
qendrore e ngritur në fund të shekullit XIII-të kurse ato anësore janë të mesit të shekullit
XIV-të. Shtrohet pyetja pse ndërtimi nuk e ndiqte kohën, pse pjesët apo kishat anësore nuk u
ndërtuan në shkollën e Vardarit si ndodhte në vendet tjera e në kishat tjera te krishterët tjerë
si në Francë Dalmaci etj., ku kisha apo objekti brenda vetes ndjekë tëra periudhat stilistike
arkitekturore, por në atë të Rashkës, sepse kush e di historinë e arkitekturës e di se në
Dalmaci brenda një strukturë në vehte ka elemente romane pastaj gotike duke përfunduar
varësisht nga godina me ato të renesansës apo të barokut, gjë që s’ndodhë te dy kishat në fjalë
pra këtu duket se elementi i popullatës lokale ka pasur ndikim mbi stilin e mënyrën e
ndërtimit dhe pa ekzagjeruar fare duhet të them se e tëra kjo tregon se meritor për këto kisha
jemi edhe ne shqiptarët mos edhe më shumë se serbët. Por tani në 2024 kisha serbe thirret në
krisovulën e Deçanit e cila i kishte tri versione, dy të parat datojnë nga koha e Deçanskit por
që tani janë zhdukur, dhe versioni i tretë i bërë nga koha e car Dushanit ju jep toka manastirit
të Deçanit në Kosovë sa gjysma e saj përafërsisht por edhe në veri të Shqipërisë te Valbona,
në Mal të zi rreth Plavës si dhe në Maqedoninë e veriut rreth Kumanovës. Këtu para se ta
pranojmë si të mirëqenë këtë dokument duhet së pari të përkujtohet se kjo krisovulë u rigjet
në manastirin e Deçanit më 1852 nga Gedeon Jerishiq, ky i fundit kur e sheh dokumentin në
fjalë në Beograd më 1872 20 vite më vonë, thotë se teksti dhe dokumenti nuk ishin të njëjtë,
shkurt i mungonin fletët e para, pastaj gjurmët e saj humben prapë deri pas luftës së parë
botërore ku krisovula në fjalë sipas serbëve u gjet te Zyra e Plaçkës së Luftës ku mungonin
ende faqet e para të cilat gjenden në Londër e që më pas edhe i kthehen Beogradit. Pra ky
historik i humbjes gjetjes e ri gjetjes së kësaj krisovule lë hapësire për një falsifikim së paku
të pjesshëm. Tani më 2024 mos të harrojmë se pas tërë këtyre pretendimeve nga serbët
historiku i këtij manastiri është i pandashëm nga elementi arbëror-shqiptar, shqiptarët lokal e
kanë mbrojtur në shumë raste këtë objekt, nga turqit por edhe nga vetë shqiptarët tjerë e nuk
mungojnë rastet kur e kanë mbrojtur edhe nga fatkeqësitë si ai i zjarrit në arkiva e bibliotekë
të manastirit më 1903 ku shqiptarët vetë evakuuan dokumente-libra dhe e fikën zjarrin, si dhe
mos të harrojmë se mbrojtës zyrtar i manastirit ishte familja shqiptare lokale vojvoda me
mbiemër Demukaj, pastaj në kujtesën kolektive te popullata e vjetër lokale kisha siç thonë ata
ju përket edhe atyre dihet se për festën e shën Gospogjinit shkonin e festonin tek oborri i
manastirit, kur ndonjë i ri thoshte se dëshironte ta shkatërronte atë pleqtë gjithmonë thoshin
jo se ajo osht e jana, le të kujtojmë se ky objekt është braktisur kah fundi i shekullit XVII-të,
sporadikisht kah ai i XVIII-të e XIX-të por popullata lokale kurrë nuk e ka shkatërruar as
dëmtuar atë as gjatë luftërave botërore, as pas luftës më 1999 e as më 2004, studiuesë serbë
por edhe murgjit e pranojnë tërë këtë por kjo nuk i ka ndaluar të bënin dëme. Për këtë ju jap
tre shembuj: Gjatë fundit të sundimit të Perandorisë Osmane kur vijnë murgjit në mahallë të
Kuçve të shoqëruar me xhandarë për të kërkuar harraq katragjyshi im Zenun Kuçi i I-rë edhe
pse i shtyrë në moshë e godet murgun me krutë ja thyen hundën dhe i thotë : Derën na jau
kena marru ti duhesh me na jep harraq neve e jo na ty dhe për çudi ndoshta edhe për shkak të
moshës së tij nuk ushtrohet dhunë ndaj paraardhësit tim e as nuk i bëhet ndonjë reprezalje
lidhur me këtë dhe si pasojë shtëpia e tij ishte e vetmja që nuk pagoi harraq atë ditë. Gjyshi
im Zenun Kuçi i II-të gjatë luftës më 1998 kur shkon ta marrë kufomën e njërit të mahallës së
bashku me disa pleq të tjerë, ata të gjithë rrëmbehen nga policia serbe dhe mbahen peng te
manastiri në fjalë edhe pse ju është premtuar me parë se s’do të ju bëhej asnjë dëm nga ana e
forcave serbe dhe do të lihen të lirë kushdo që vjen për ta marrur kufomën. Para luftës kur
shkoja të lahem atje me kushërinjtë, muri rrethues i objektit ishte te ndërtesat që gjendeshin
në oborrin e manastirit dhe kur shkova pas luftës muret rrethuese preknin Bistricën dhe
gushavcin burimin e ujit të thartë, por po mos të ishin këto pika uji deri ku do të shkonte vallë
muri rrethues i manastirit ? Fatkeqësisht duhet thënë se me tërë këtë kisha serbe por edhe
shteti serb dëshiron ta kontrollon e manipulon popullatën lokale në veçanti por edhe historinë
dhe demografinë e Kosovës dhe jo vetëm të saj në përgjithësi, e këtë e bënte më parë në
mënyrë praktike duke mbledhur taksa sporadikisht e paligjshëm si rasti i lartcekur, duke u
thirrur siç u cek më lartë në krisovulën e dyshimtë të Dushanit, sepse normalisht manastiri
financohet ose vetë me të ardhurat vetanake ose e financon fisniku lokal e në disa raste edhe
monarku apo kreu i kishës sepse murgjit nuk kanë kurrfarë të drejte të mbledhin vetë taksa e
sidomos te popullata që s’i takon atij besimi, vazdhon dhe e bën tani duke marrur prona
paligjshëm si rasti konkret që po ndodhë tani me ato 24 parcela, pastaj gjatë luftërave duke
shërbyer si depo armësh e kazermë për kriminelët e luftës dhe si burg për pengjet civile si u
cek më parë por edhe në mënyre diplomatike duke gënjyer se ky vend ka qenë gjithherë i
banuar me serbë dhe se prania e « disa shqiptarëve » është gabim ekuacioni apo rastësi. Duke
e ditur faktin se kisha serbe është shtet mbi shtet, çdo objekt i saj afër nesh përfaqëson këtë
simbiozë dhe bën dëme te popullsia lokale në veçanti dhe çështjes shqiptare në përgjithësi.
Siç e dimë manastiri në fjalë por edhe kisha tjera e manastire në Kosovë gëzojnë
ekstraterritorialitet pra janë enklava të Serbisë në Kosovë, por duke ditur historinë e Serbisë e
cila ka pasur kisha gjithkund si në Shqipëri Maqedoni të veriut etj., shtrohet pyetja pse s’ju
japin edhe në ato vende ku janë ndërtuar kisha në kohën e Nemanjidëve ekstraterritorialitet
por pse duhet vetëm Kosovës t’i kërkohet kjo gjë dhe ajo medoemos të japë ? por mos
harroni se nëse Serbia nuk i kërkon këto toka e objekte sot s’do të thotë që nesër nuk i
kërkon, kur i vie rasti s’do të heziton asnjë sekondë, dhe kjo kishë vetëm me objektet
ortodokse brenda Kosovës që nuk i takojnë të tërat legjitimisht e ka mundësinë siç po shihet
për ta paralizuar Kosovën, këtu duhet shtuar se krisovula e Banjës është humbur që nga koha
e Perandorisë Osmane kurse ajo e kishës së Arkengjujve në Prizren gjendet në arkiva të
Stambollit, dhe po të dalin pahiri në dritë këto krisovula bllokohet e tërë Kosova pra nëse e
ndjekim logjikën e negociatave që bëhen sot dhe trysninë ndërkombëtare politike që i bëhet
sot qeverisë së Kosovës padrejtësisht, mirëpo po vendosën serbët ti kërkojnë tëra objektet me
prona në Ballkan atëherë duke falënderuar shkurtpamësinë e politikës perëndimore dhe
naivitetin e shteteve të Ballkanit do të bllokohet e tërë Evropa juglindore apo do të ketë edhe
konflikte. Këtu pos bashkësisë ndërkombëtare fajin e ka edhe spektri politik mbarë shqiptar i
korruptuar e i shitur që del kundër interesave kombëtare, mediat mercenare, gjyqtarët e dobët
pa kurriz por me çmim por edhe qeveria që për do kalkulime të pasakta po lëshon terren, dhe
duke ndjekur këtë logjikë edhe Irlanda e Franca duhet dhënë ektraterritorialitet Mbretërisë së
Bashkuar për kishat që ajo ka ndërtuar sa ishin nën Pushtimin e saj, katedralja e Strasburgut
gjatë ndërtimit të saj ka qenë territor i Perandorisë së shenjtë Romake Gjermanike e pse nuk
shpallet kjo katedrale si ekstraterritorialitet e ti takon Gjermanisë, po kampet e koncentrimit
nga nazistët në Poloni e gjetkë duhet ato ti takojnë si ekstraterritorialitet Gjermanisë ? Më
duhet të them se më këtë lëshim që është bërë u hap kutia e pandorës. Pra edhe po të ishte kjo
krisovulë dhe të gjitha krisovulat tjera autentike kjo s’do të thotë se duhet dhënë atyre tërë
pronat që gjenden në ato krisovula sepse për një territor të vogël si ai i Kosovës kjo do të
ishte katastrofale, ne s’mund të lejojmë disa tapi mesjetare të na bllokojnë sepse së pari
Kosova ishte atëherë e pushtuar dhe ato prona janë marrur dhe dhënë manastireve pa dëshirën
e vullnetin e pronarëve e banorëve pastaj kishat e manastiret nuk paguajnë tatim nuk
kontribuojnë në mirëqenien e shtetit dhe popullit ato në rastin më të mirë jetojnë si parazit në
një sistem paralel dhe në rastin më të keq siç po e shohim bëjnë dëme dhe për këtë arsye
duhet pjesërisht e urgjentisht ti eksproprijojmë nga disa toka siç e kanë bërë evropianët gjatë
luftërave fetare por edhe më vonë gjatë shekujve XVIII-XIX e në disa raste deri te shekulli
XX-të siç ishte rasti pikërisht me manastirin e Deçanit më 1946 ku nga disa toka të saj
krijohen më vonë ndërmarrja e bletarisë Apiko dhe Pushimorja e fëmijëve. Si përfundim
duhet ditur njëherë e mirë të gjithë si ne dhe ndërkombëtarët se kisha serbe është gjenerator
dhune e konfliktesh dhe burim mashtrimesh e falsifikimesh dhe kësaj por edhe klasës politike
e elitës serbe duhet thënë njëherë e përgjithmonë STOP nuk mund të shkoni më tej sepse
përndryshe ata kurrë s’do të ndalen, si dhe duhet treguar se Kosova nuk është rezervuar
kishash serbe sepse ajo ka pasur ndërtime e kulturë para dhe pas këtyre kishave dhe mos të
harrojmë për fund se ato janë kisha ortodokse e jo serbe.

You might also like