You are on page 1of 3

Biografia

Ditëlindja: 1825 - 1892

Vendlindja: Shkodër - Liban

Nënshtetësia: shqiptar

Zhanri: poezi

Pashko Vasa, ose Vaso Pasha lindi në Shkodër në vitin 1825. Pasi kreu
mësimet e para në vendlindje, shërbeu si sekretar i konsullatës britanike.
Më 1847 vajti në Itali dhe mori pjesë në luftën çlirimtare të popullit të këtij
vendi kundër zgjedhës së huaj. Për t'u shpëtuar përndjekjeve u shtrëngua të
hidhej në Stamboll, ku më pas zuri vende me rëndësi në administratën
osmane. Pashko Vasa hyri që herët në lëvizjen patriotike, por veprimtari të
dendur për çështjen kombëtare zhvilloi në vitet 70, kur bashkë me Kostandin
Kristoforidhin, u përpoq për krijimin e një shoqërie për përhapjen e shkrimit
shqip dhe ngjalljen e ndërgjegjies kombëtare. Në vitet 1878-1882 krahas
Abdyl Frashërit u shqua si një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit
për mbrojtjen e Shqipërisë. Më 1879 ishte ndër veprimtarët më aktivë të
«Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip». Pashko Vasa është autor i një
vargu veprash me karakter politik e historik, në të cilat mbrojti çështjen e
popullit shqiptar, të drejtën e tij për të rrojtur i lirë dhe i pavarur. Botoi «Skicë
historike mbi Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë («Esquisse historique
sur le Monténégro d'après les traditions de l'Albanie», Constantinopole,
1872), ku përshkroi pashallëkun e Shkodrës nën Bushatasit, «E vërteta mbi
Shqipërinë dhe shqiptarët» («La vérité sur l'Albanie et les Albanais», Paris
1879), në të cilën, krahas të dhënave historike mbi popullin shqiptar dhe
qëllimet e luftës së tij, kritikoi administratën burokratike osmane dhe paraqiti
kërkesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Penës së Pashko Vasa i përket
edhe vepra «Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut»
(«Bosnie et Hercegovine pendant la mission de Djevdet Effendi»,
Constantinopole 1865).

Pashko Vasa shkroi një varg veprash të cilat i shërbenin zgjidhjes së


çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes; «Alfabeti latin i zbatuar në
gjuhën shqipe» («L'alphabet latin appliqué à la langue albanaise»,
Constantinopole 1878, «Gramatika shqipe për t'u përdorur nga ata që
dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi» («Grammaire
albanaise à l'usage de ceux qui désirent apprendre cette langue sans l'aide
d'un maître», London 1887).

Pashko Vasa zuri një vend edhe në historinë e letërsisë shqiptare që po


krijohej; ai është autor i vjershës së njohur «Moj Shqypni, e mjera Shqypni!»
(1880), e cila u botua si fletë fluturuese. Me dashurinë e flaktë për atdheun
që dergjej nën thundrën e të huajit, me notën e dhimbjes për të, me grishjen
drejtuar bashkatdhetarëve për të kapërcyer dasitë fetare dhe për t'u
bashkuar në emër të çlirimit të vendit, vjersha luajti rol për zgjimin kombëtar
të shqiptarëve. E vënë në muzikë, ajo u këndua si himn patriotik. Vepër
tjetër e Pashko Vasës në lëmin e letërsisë është «Bardha e Temalit»
(«Barda de Témal», Paris 1890), një nga romanet e para në letërsinë
shqiptare. Aty përshkruhet mjedisi shqiptar në Shkodër në vitet 40 të
shek.XIX me doket dhe zakonet karakteristike. Botoi edhe një përmbledhje
me vjersha italisht «Rose e spine» (1873).
Që nga viti 1883 e derisa vdiq Pashko Vasa shërbeu si guvernator i
përgjithshëm i Libanit, ku edhe vdiq. Eshtrat e tij u sollën në atdhe pas
Luftës së Dytë Botërore.

Tituj të veprave

 Bardha e Tamali[1] («Barda de Témal», Paris 1890)

 O moj Shqypni[1] (1880)


 «Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë
(«Esquisse historique sur le Monténégro d'après les traditions de
l'Albanie», Constantinopole, 1872
 «E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët» («La vérité sur
l'Albanie et les Albanais», Paris 1879)
 «Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut»
(«Bosnie et Hercegovine pendant la mission de Djevdet Effendi»,
Constantinopole 1865)
 «Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe» («L'alphabet latin
appliqué à la langue albanaise», Constantinopole 1878
 «Gramatika shqipe për t'u përdorur nga ata që dëshirojnë ta
nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi» («Grammaire
albanaise à l'usage de ceux qui désirent apprendre cette langue
sans l'aide d'un maître», London 1887)
 «Rose e spine» (1873)- italisht

You might also like