You are on page 1of 4

“ Memento mori...

Natë e egër.
Dimri kishte arritur keqas atë vit.. Rrugët e ngrira me akuj të
kristalizuar si deltat e lumenjve të rrëmbyer, lisat e zhveshur dhe
të rënduar me borën e strukur në degët e tyre, varfnjakët që
dridheshin si purtekë nga i ftohti, jepnin një pamje distopike të
shoqërisë njerëzore.
I lindur varfanjak. Nëna ime më pat treguar njëherë, nën hijen e
një llambe vajguri, në një moment të çuditshëm, ashtu duke
lëshuar frymën e ngrohtë në ajrin e acartë, se natën që kisha
lindur unë, vendin e kishte kapluar një i ftohtë i padurueshëm.
Flokët e rëndë të dëborës, që në vetvete bartnin dhimbje të
pafundme, shtresoheshin në tokën e pluhurosur dhe ca shtëpiza
përreth ishin fundosur nga tërmeti që kishte pasuar pas lindjes
sime. Qielli i largët dhe i paskajshëm ishte errësuar, hëna nuk
dukej askund ...dëgjoheshin vetëm të qarat e mia. Askush nuk
kishte qeshur kur kisha lindur unë.! Edhe qielli kishte qarë me
ardhjen time në jetë. Trupi im i zbehtë me nuanca ngjyrë të
kaltër në vjollcë, një lloj hematome që nuk më është shqitur që
atë moment, kishte vulosur fatin tim atë natë. Rruga ime jetësore
ishte shkruar. Unë isha një varfanjak. I përbuzuri i shoqërisë, i
huaji, i largëti, i pafati.
Historia që më tregoi ime ëmë atë natë, më ka përndjekur si
fantomë gjatë gjithë jetës sime. Teksa ecja drejt shtëpizës sime,
më kujtohej kur gjyshja më vendoste kokën në prehrin e saj, më
përkdhelte flokët, afronte edhe qenushin tonë afër zjarrit të
vobektë dhe më thoshte: "Çdo flokë bore që bie, biri im, është
një lutje e thënë ose jo, fryma e fundit e njerëzve, që gjejnë
prehjen nga kjo jetë mizore, vetëm atëherë kur prekin tokën".
Arrita në shtëpizën time. Fëmijët që më shikonin me sytë e tyre
të fikur, me lëkurën e zbehtë si hëna e netëve të shkuara, më
thërmonin shpirtin në mijëra pjesë. Shikoja gruan time teksa
mbante djalin e porsalindur në gji. Dukej çuditërisht si një
statujë, një relikt i një varfanjaku, i cili do të thyhej nën këpucët
e lustruara të pasanikëve. Pashë vështrimin në sytë e saj. Ime
grua qante dhe thoshte si e çartur lutje drejtuar Perëndisë. Ishte
instikiti i një nëneje, që parandjente shtrëngatën që do të
shkundte deri në themel jetët tona. E shtrëngonte fortë djalin në
gjoksin e saj, e mbulonte me një batanije të copëtuar dhe qante
mbi djalin. Lotët e saj, preknin lëkurën e tij të bardhë e
thaheshin aq shpejt, sikur të hidhje një pikë ujë në shkretëtirë.
Nata ishte në të perënduar. Dielli edhe pak do të hipte në fronin
e tij dhe do të lëshonte fare pakëz ngrohtësi në atë vend të
shkretuar. Dëgjova klithmën më të tmerrshme që kisha dëgjuar
ndonjëherë. Ulërima që nxori nga goja gruaja ime, m'u duk e
përbindshme. Ajo ulërimë grisi me dhunë perden skëterrë të
natës, theu akujt e kristalizuar dhe rrëzoi lisat e dendur me borë.
Zemra e mekur e djalit kishte pushuar. E mori djalin dhe doli në
shesh, para vilave të pasanikëve, me sytë e ujshëm drejtuar
qiellit. O njeri, kujto vdekjen! - tha me zë të lartë. Mes jetës dhe
vdekjes gjendet një pe, një pe shumë i hollë, i cili kalohet me një
hap të vogël. Kujtojeni vdekjen! Kjo statujë që mbaj në duar, le
të jetë përkujtim për ju pasanikë, që kur na shihni na përbuzni,
na hidhni fjalë të neveritura nga gojët tuaja të kalbura e na
vështroni sikur të ishim skrraja shiu. Le të jetë përkujtim për të
gjithë ju, që nuk na jepni punë sado e ulët të jetë, një pagë sado
qesharake të jetë, aq sa për të mbajtur frymën gjallë.”
Dhe pastaj mallkoi, me një mallkim zanash mali, që goditën si
shigjetë në agimin e atij mëngjesi të vdekur.
Kujë. Ishte kuja e gjamës së vdekjes së qindra fëmijëve, në
vendin ku paraja është gjithçka, në vendin ku paraja është Zot,
në vendin ku paraja është në piedestalin e saj të neveritshëm, e
cila nuk shembet dhe nuk rrëzohet as me para të një statuje të
atillë fëmije.
Mëngjesi i atillë më rikujtoi edhe njëherë sesa pak dëshirë kisha
të jetoja.
Lot të helmuar...
Kordi umblikal i shoqërisë ishte shuar...
Dhe pastaj dhimbje...
Veç dhimbje.
E ca jetë të fikura buzë mureve të vilave, të lyera me bojë të
shtrenjtë.
Perdja bie.
Dëgjohen të qeshura.
Sulejman Xhambazi- Student i fakultetit të Mjekësisë -
Shkup

You might also like