Informacion prej webfaqes se bashkise se Gjirokatres
E vendosur në Shqipërinë jugore, Gjirokastra qëndron në shpatet e pjerrëta
të luginës së lumit Drino, në një pozicion mbisundues mbi një peizazh të pasur me histori, kufijtë e të cilit përvijohen nga maja malesh të larta. Ky është “qyteti i një mijë shkallëve” që përfshin qindra shtëpi- kullë të tipit otoman me çatitë dalluese të gurta, ballkonet e drunjta dhe muret e gurta, herë- herë të zbardhura me gëlqere. E mbisunduar nga ana e vet prej kalasë madhështore që ngrihet mbi një kodër të thiktë, Gjirokastra është një qytet magjik me një të shkuar të trazuar. Gjatë gjithë historisë së saj, Gjirokastra ka qënë një qendër e rëndësishme administrative, ekonomike e kulturore dhe pikë referente e përpjekje për emancipim kulturor dhe pavarësi për krejt botën shqiptare. Në rrjedhën e shekujve, qyteti përjetoi transfomime të imponuara, nga bastion i feudalizmit, në xhevahir otoman, nga qendër e rezistencës për indipendencë dhe në pikë e rëndësishme për pushtuesit fashistë italianë. Në kronikën e këtij qyteti janë regjistruar shumë sundimtarë e invadorë (pushtues); njëkohësisht ai ka frymëzuar shumë poetë, shkrimtarë dhe artistë. Qyteti me popullsi 40 000 banorë, është sot qendra më e madhe kulturore, akademike, ekonomike e administrative e rajonit jugor, si qendër e qarkut me të të njëjtin emër. Njihet si vendlindja e tre personaliteteve me peshë në historinë e Shqipërisë: ish-diktatorit komunist Enver Hoxha, gjuhëtarit dhe albanologut Eqrem Çabej dhe shkrimtarit të madh Ismail Kadare. Lagjet tradicionale shtrihen në formë rrezesh rreth kalasë me emrat: Cfakë, Dunavat, Manalat, Palorto, Varosh, Meçite, Hazmurat, Pazari i Vjetër. Historia e hershme e qytetit është relativisht e panjohur. Për shkak të afërsisë me qendrat klasike dhe helenistike: Jerma (Antigonea) dhe qyteti romak Hadrianopolis pranë fshatit Sofratikë, është menduar shpesh që vendbanimi më i hershëm në Gjirokastër është kalaja mesjetare. Por mbi këtë tezë janë hedhur dyshime pasi zbulimet brenda në kala kanë nxjerrë në dritë qeramikë në 4 faza të ndryshme banimi përpara periudhës osmane: në shekujt V – II p.e.s.; shekujt V – VII e.j.; shekujt IX- X dhe shekujt XII – XIII. Më e hershmja nga këto faza solli gjurmë të një muri të konsiderueshëm ndërtuar me blloqe, gjë që bën të mendosh që ka pasur një fortifikim të rëndësishëm të periudhës para romake në këtë anë të luginës së lumit Drino (para vitit 168 p.e.s). Sipas historianit dhe studiuesit gjirokastrit Lefter Dilo, burimet historike kanë një sërë tezash. Në librin e tij “Gjirokastra nëpër shekuj”, historiani Dilo, thekson ndër të tjera: “Në libra, gazeta e revista të ndryshme, janë botuar shumë gjëra për themelimin e Gjirokastrës. Është Likofronti, poet grek, i cili në vargun 1117 shkruan se qyteti është homerik; janë të tjerë që tregojnë se është ngritur nga fisi i Argjirinëve; është Panajot Aravantinoi, historian grek, që tregon se u quajt kështu, për arsye se kalaja nga ngjyra e gurit ndriste si argjendi; ka studime enciklopedike të huaja, që tregojnë se ka marrë emërin Argjirokastër nga minierat e argjendit, që ishin përreth, një tezë kjo pa ndonjë bazë. Janë të tjerë që kanë shkruar se u ndërtua nga Gjin Bua Shpata dhe andaj mbronin tezën se duhet quajtur Gjinokastër. “Ca njerëz- shkruan eruditi Jorgji Meksi- imagjinuan Gjinon si themelonjës të qytetit, kur është e ditur se Gjin Shpata ishte të paktën 300 vjet pas themelimit të Gjirokastrës dhe ishte qeveritar jo në Gjirokastër, po në Nartë”. Është, nga ana tjetër, legjenda e Argjiro Menevizes (princesha me një gji të vetëm), e cila për të mos rënë në duart e turqve u vërvit nga maja e kalasë së qytetit dhe u bë copë -copë përmbi një shkëmb nga ana e lagjes “Cfakë”, por kjo gojëdhënë paraqitet pa baza, sepse një këngë greqisht për Argjiron tregohet në fshatrat e Dropullit duke bërë aluzion për Kastron e Sofratikës.