You are on page 1of 4

Përbindëshi” u botua fillimisht në revistën “Nëntori” (1965/ 12), por menjëherë u censurua për një

çerekshekull, për shkak të strukturës moderne dhe risemantizim të shtresës mitike të ndërkallur me
narrativën moderne kadareane. Prej lënde mitike e me funksion kyç në ndërtimin artistik është toposi i
Kalit, që gjendet edhe në krijimet poetike (poezia “Kali i Trojës”, poema “Laokoonti” etj.). Parateksti i
“Përbindëshit” evokon drejtpërdrejt Kalin homerik të Trojës, duke e sjellë atë në bashkëkohësi, në
hapësirën e një qyteti shqiptar, krejt ndryshe nga figura e kalit, e kalit të bardhë, gjogut, që shoqëron
heronjtë në çdo betejë të eposit tonë dhe i shpëton ata nga rreziku duke u bërë bashkëprotagonistë. Filli
intim jetësor, rrëmbimi i He/Lenës, që çuditshëm përkon me atë të Iliadës, duket se e ka mbrojtur deri-
diku veprën, pasi, vite më vonë, në Kosovë “Përbindëshi” u botua nën titullin “Tregim për Helenën”. Ja si
e kujton Helena Kadare në librin “Kohë e pamjaftueshme”, episodin jetësor të letrarizuar te
“Përbindëshi”: “Unë nuk u besoja syve kur e lexova atë roman. Ishte hera e parë që shikoja se si një
ngjarje e jetës sime, e lidhjes sonë, ishte shndërruar në një libër. Isha krejt e befasuar, e çoroditur, gati-
gati e trembur. Ky roman ishte krejt i ndryshëm nga të tjerët, tronditës, i paparashikueshëm, i frikshëm
dhe i pamëshirshëm… ndarja ime nga i fejuari, ikja me rrëmbyesin nëpër natë… Kërcënimet e të fejuarit
më pas, ankthi i përgjithshëm i kohës, që bashkohej me ankthin vetjak të njerëzve, të gjitha ishin aty të
përziera në mënyrë krejt të çuditshme me ngjarjen e rënies së Trojës, një obsesion, që, siç më kishte
thënë vetë (është fjala për I. Kadarenë,-shën. im) i vinte nga fëmijëria (Kadare, H., Kohë e
pamjaftueshme, 2011, f. 45).

Toposi mitik është i dukshëm qysh në radhët e para të romanit, ku identifikohet Kali me Furgonin e
madh, të braktisur në fushë të hapur, disa kilometra larg qytetit. Nga këtu e në vijimësi, transformimi në
veprim – logjikë metamorfoze e vënë në mënyrë teatrore në “skenë” – mbart kalimin nga mitologjia në
modernitet. “Pjesët metalike ia kishin shkulur prej kohësh dhe tani s’i kishte mbetur veç karroceria e
mbyllur prej druri. Ajo ishte mbërthyer dhe qëndronte mbi katër trarë të shkurtër, të ngulur në tokë”
(Kadare, I., Përbindëshi, 1991, f. 3). Për të ndjekur rrjedhën antike të kalit e për ta teatralizuar atë në
bashkëkohësi: forma e jashtme/ metalike e furgonit modern, edhe pse do të konotonte më tepër veti
fizike, krahasimisht me drurin, konsiderohet e panevojshme, ndaj përshkruhet pjesa e brendshme e tij:
karroceria prej druri/trajtë e njëjtë me kalin homerik (prej druri e bosh nga brenda ishte dhe Kali i Trojës
i projektuar nga Uliksi). Kujdesi për të zhveshur pjesën motorike të lëvizjes e për të theksuar lëndën e
ndërtimit, fuqizon vlerën simbolike të Furgon/Përbindëshit po aq sa rrudh distancën kohore të
analogjisë me mitin homerik. Përmes ligjërimit eseistik të Gent Ruvinës, që zhytet në mitologji e vjen
lirisht në bashkëkohësi, qartësohet statusi ambig i objektit, duke i larguar çdo mëdyshje lexuesit, kur
togfjalët “furgon i madh i braktisur”, zëvendësohen me “Kali i madh i Drunjtë” (f. 15), të cilat
riartikulohen sërish në formën e një konkluzioni studimor (tezë doktorature) në fund të kapitullit II.

Furgon/Kali nuk lëviz, por ai krijon ndjesi e efekte të forta duke iu imponuar njerëzve përmes përmasave
monstruoze. Furgoni-simbol është mjeti për të kaluar tiparet tejkohore që rindërtojnë mitin antik.
Stanjacioni i figurës së Furgonit, pritja e heshtja e tij e rëndë – si Kali para portës së Trojës – flasin më
tepër se fjalët, ato krijojnë ankth e suspansë, si në ditët me diell ashtu dhe në mjegullën e natës, në mes
të së cilës tretej e dukej sikur humbiste, por në fakt ngjallte pareshtur dyshime, trysni e sidomos frikë.
Sjelljet antropomorfe të Kalit, për të afruar e shkrirë kohën rrëfimtare mitike me përmasë universale të
Kalit të Trojës me ato moderne të Kalit të Madh të Drunjtë = Furgonit = Përbindëshit, shfaqen si simbol
pabesie e tradhtie, duke përcjellë ideologjikisht raportet e individit me shoqërinë në shtete totalitare.
Ligjërimi për tmerrin politik të gjithkohshëm, që drithëron çdo qelizë humane, nyjëtohet së paku në dy
linja rrëfimore paralele: nga njëra anë, dashuria e Helenës me Gent Ruvinën (studentin e kthyer nga
Moska; rrëmbimi i saj nga i dashuri; kërcënimet e shpeshta të Maksit, ish-të fejuarit; ngjarje që duket
sikur rikujtojnë rrëmbimet e dikurshme të nuseve të kënduara në baladat tona popullore, por në të
vërtetë përshkruajnë e ringjallin motivin homerik të rrëmbimit të Helenës nga Paridi) dhe, nga ana
tjetër, “ngujimi” i Maksit në Furgonin/Përbindësh (në krye/qytet) në pritje të kasaphanës qytetare dhe
vrasjes së Helenës, që brendashkruan rrafshin alegorik, me rrezatim të gjerë ideologjik.

Zhvendosja nga koha mitike në atë bashkëkohore realizohet nëpërmjet përsëritjes së formulave të
gatshme rrëfimtare nga miti burimor, si dhe nga thurja e rrëfimeve të reja përmes rifunksionalizimit të
elementeve në rrafsh të formës së shprehjes e formës së përmbajtjes. Zëvendësimi i Kalit me Furgon in
Bosh, nën emëruesin e Përbindëshit, që pushtojnë me dredhi kështjella e qytete, për studiuesin Sh.
Sinani, në epopenë homerike Kali “paraqitet si një përmendore idhujtarie, në romanin “Përbindëshi” Kali
paraqitet si monstër” (Sinani, Sh. Mite dhe demonë në veprën e Kadaresë, 2016, f. 34). Zhvendosja e
boshit (zbrazëtisë) nga njëri kalë te tjetri, brenda së njëjtës formë (referent) na paralajmëron ndryshimin
e përmbajtjes, manipulimin e sofistikimin e saj ndër shekuj, por me funksion të njëjtë: survejimin,
denigrimin dhe terrorin politik në shtete diktatoriale. Në këtë shmangie është i domosdoshëm tensioni
që mbush distancën mes dy semave, e para ndër të cilat mbetet e pranishme, ndonëse në mënyrë të
nënkuptuar, tension që realizohet përmes ndërveprimit ritmik të dy bërthamave semike
(antikitet/bashkëkohësi) duke i siguruar kompaktësi ligjërimit në krahasim me zhurmat/ligjërimet në
sfond. “Jo, Helenë – tha ai. Nga asnjë mit dhe nga asnjë gropë kohërash nuk doli ky kalë. Ai u poll në
kohën tonë, vetëm formën e huajti andej, sepse format janë zakonisht ato që merren hua”. (f. 80).

Në zgavrën e Furgon/Kalë/Përbindëshit personazhet nuk veprojnë, nuk ndërmarrin aksion, ata janë në
pritje të sulmit e terrorit që nuk u krye asnjëherë, përveçse në 45-minutëshin e dremitjes së
Konstruktorit. Këta antiheronj e komplotistë mbjellin pasiguri, frikë e ankth te banorët jo përmes
aksionit e heroizmit, që do të duhej t’i karakterizonte si heronjtë antikë të Iliadës, po përmes pasivitetit e
mungesës së shfaqjes, që krijon makthin e ankthin për misterin që ngërthen karroceria e drunjtë.
Personazhet kalojnë ditë-netët me iluzionin e pushtimit, ndërkohë që këmbët e Përbindëshit zhyten
gradualisht në baltë; a thua për të rrënjosur makinën e terrorit e për t’i “hedhur asaj themelet e
pushtetit” 40-vjeçar, siç shprehet gjithë frikë e drojë Helena apo për të shënuar bjerrjen e degradimin e
tij nga vetja, nga të vetët, nga brenda, nga përbrenda…? Personazhet janë bashkëkohësit tanë, që hyjnë
e dalin në Trojën homerike: në dy kampe kundërshtare, kështjellarët e Trojës dhe trimat brenda Kalit-
dhuratë tek Iliada, ndryshe nga burrat në zgafellën e Furgonit: Odisea K., Maksi, Roberti, Milloshi,
Konstruktori, Akamonti (që nuk di mirë shqipen); etimologjikisht ata përfaqësojnë prurje të ndryshme që
artikulohen si raporte ideologjike, bashkime lëndësh, të ndërfutura në një formë artifice sendërtojnë dy
kahjet e zhvillimit të kohës e të mitit. Shkrirja e panatyrshme e dy kohëve kushtëzohet nga artificialiteti
dhe rrjedha tejkohore e tyre. Takimi Delegacioni/Komandot e fshehta dhe kali mitiko-modern
përfaqësojnë thelbin dhe formën e shprehjes, që afrohen e plazmohen me njëra-tjetrën, duke u shkrirë
në një dilemë të vazhdueshme për praninë e padëshiruar të Kalit në jetët njerëzore: “… Helenë, unë ta
kam thënë… Kali do të kalbet aty në fushë”. “Po në qoftë se kjo vazhdon gjatë? … “Ai do të rrënohet…
Por kur do të ndodhë kjo? Mos do të thuash pas tri-katër dekadash, atëherë kur ne do të jemi plakur dhe
kohën më të bukur të jetës ta kemi kaluar nën terrorizmin e këtij përbindëshi?”. (f. 77)

I sigurt është hamendësimi i Helenës po të kemi parasysh që ankthi i Kalit e shoqëroi atë dhe Gent
Ruvinën gjatë gjithë rinisë (1965–1991), ndërsa perceptimi i pranisë së Kalit si art e fakt politiko-historik,
siç dihet, shkoi më shumë se tri-katër dekada, shmangie kohore që mbështetet me qasjen artistike,
vetjake e intime. Nëse Helena shkoi vullnetarisht me Paridin apo Paridi e ka rrëmbyer me dhunë atë, siç
pohon një version tjetër mitik, Lena është e gatshme të rrëmbehet “Eh moj Lenë, eh moj He-Lenë e
Trojës!…- Një Helenë e Trojës s’mund të kuptohet pa rrëmbim,- tha ai duke qeshur. – Apo jo? Ajo
buzëqeshi me hidhërim. – E di, – tha. – Prandaj unë jam thjesht Lenë. – A do të të pëlqente të bëheshe
Helenë? – Po kush do të më rrëmbejë … – Unë mund të të rrëmbej po të duash, – i tha Gent Ruvina
vajzës (f. 10, 11). Kali dhe anija e rrëmbimit të Helenës së Trojës zëvendësohet (shndërrohet) në një
Taksi rrëmbimi për dy të dashuruarit, ndërkohë që për Maksin ajo perceptohet si një Taksi/Kalë
Troje/Përbindësh që do t’i ngjallë atij (Maks-Menelaut) ndjenjën e hakmarrjes e të ndëshkimit të
tradhtisë bashkëshortore. Linja e dashurisë He/LenaGent, nën kërcënimin e vazhdueshëm të Maksit,
bashkëlidhet me linjën socio-politike te Furgon-Kalë-PËRBINDËSHI, ku gjen Të kujtojmë që Përbindëshi,
Monstra, përfytyrohet si “krijesë e keqformuar kafshërore me defekt në lindje, me formë e përmasa
jonormale që sjell fatkeqësi e të fut tmerr, ankth e të ngjall neveri”. Figura mitologjike e Përbindëshit që
del në besime e përralla popullore, si: kuçedra, lubia etj., perceptohet si një qenie fantastike e
stërmadhe, e shëmtuar me fuqi shkatërruese. I ndërtuar si “një lojë pasqyrash, midis reales dhe mitikes,
ku rrezet e një ankthi jashtëkohor shpërbëhen në një enigmë asnjëherë e zbardhur tërësisht…
Përbindëshi është një roman kapërthyes, çuditërisht i afërt dhe madhërisht i largët, që të mban të
mbërthyer gjatë edhe pasi e ke kthyer faqen e fundit”, shprehet Jean-Marc Régent (Kapërthyes,
çuditërisht i afërt dhe madhërisht i largët. (Kuçuku, B. Kadare në gjuhët e botës, 2015, f. 339) […]

I strukturuar në XVIII kapituj, romani është barazndarë në dy pjesë: nëntë kapitujt e parë i kushtohen
Kalit të Trojës dhe bashkëkohësisë dhe kapitujt nga IX–XVIII qendërzohen te vizita në Galerinë e Arteve,
për të lexuar epokat përmes miteve, si në një pasqyrim narcistik përmes të cilit Kadare kërkon
“domethënien bashkëkohore të një “monumenti” të famshëm të kujtesës kolektive botërore”.

Aludimet dhe interferimet e ngjarjeve politike shqiptare dalin në mjediset e fakultetit, në biseda
studentore, për zbulime komplotesh, si lajme qendrore radiofonike të përditshme (të orës 20:00) për
“shantazhe të njërit shtet kundër tjetrit, ankime, kërcënime të hapura ose të fshehta për shpallje lufte”,
si interpretime tezash studimore për Kalin homerik dhe personazhe antike, si: Agamemnoni, Menelau,
me “enigmën e mermerit”, me skulpturën e famshme të Laokoontit, me gjarpërinjtë etj., si statuja të
vogla idhujtarie ideologjike nacionale e mbinacionale (busti i Marksit), për t’u theksuar me memorien e
arteve figurative të piramidave të faraonëve (Galeria e Arteve), e cila thellon penetrimin në lashtësinë
egjiptase e projekton rrezatim universal të “zezonës” së diktatit. Gërshetohet ligjërimi eseistik me atë
artistik në përsiatjet e rrëfimtarit për Laokoontin, “një lloj alter ego e vetë autorit”, siç e quan studiuesi
B. Kuçuku, Gent Ruvina e ka shprehur hapur disa herë që nuk mund të ishte në një rresht me ata që e
donin Kalin e Trojës, as si ndodhi homerike, as si ngjarje reale, ndaj dyshimi që pas Kalit të Trojës gjendet
e vërteta e të çon në rishkrimin e historisë. Figura e Laokoontit artikulon pamundësinë për të shprehur
fjalën e lirë, bllokim fizik e psikologjik pa rrugëdalje që mbart e transmeton për publikun ndër shekuj
memorien e ngrirë të historisë, versionin e vetëm formal, zyrtar e shtetëror të rrethanave të vdekjes,
ndërkohë që legjenda e jep qartë se “ishte kundër afrimit me grekët”. Çdo dokument e informacion
është djegur e shkrumbuar për të asgjësuar burimet alternative, që do të mund të hidhnin dritë në të
vërtetën e kurthvdekjes së tij, ndaj doktoranti R/u/vina guxon të godasë e të shkatërrojë të vërtetën e
lashtë false që historia po riciklon; ai është i bindur se misterin që Laokoonti po e merr me vete,
rrëfimtari do ta artikulojë në rrafsh ideologjik përmes tensionit ligjërimor që krijon te lexuesi makthin e
dhunës fizike e emocionale, personale e kolektive në diktaturë. Ligjërimi eseistik dyshues dhe hedhja e
tezave hipotetike për Kalin e Trojës, verbërinë eomerit Homerit, Akilin si dezertanti i parë (antiheroi),
synojnë të hedhin dritë te mjegullnaja e formave shtetërore të krijimit dhe shkrimit të historisë, po aq sa
sjellin angazhimin vetjak në rishkrimin e saj. Ideja se Kalë-Furgon-Përbindëshi nuk është i vetmi kurth i
historisë dhe i politikës mbështetet kështu me figura të tjera të rëndësishme të antikitetit grek, duke e
zhytur atë në një klimë të tillë përzitëse, dyshuese, hipotetike e njëherësh përmbysëse.

Është një kohë tradhtie kudo, – tha ai. – Kohë e Kalit të Drunjtë Total, në qoftë se mund të përdoret një
term i tillë. Ose shkurt, koha e TotalKalit. (f. 119) E mbështet këtë “Fausti i ri i ricikluar te Stalini, siç e
cilëson André Clavel (Kuçuku, B., f. 34) Konstruktorin, i cili kishte projektuar “një gjë unikale, të re dhe të
papërsëritshme në historinë e njerëzimit. Ç’ishte Muri Kinez? Ç’ishin, në fund të fundit, piramidat e
faraonëve të Egjiptit, përpara asaj që kisha krijuar unë…? (f. 86) Kali që ngrita unë ishte një makinë me
këmbët në mitet e me kokën në kohërat moderne. Një makinë frike, që do të mund t’i përshtatej çdo
kohe për të punuar me frikërat e çdo brezi njerëzor… (f. 87). Në botën ku dukej se të gjitha kobet ishin
shpikur ndërkaq, unë krijova një tmerr të ri, më totalin e të gjithëve, tmerrin politik… Unë pra, kisha
projektuar kalin madhështor prej druri, patkonjtë e të cilit do të tingëllonin me shkëlqim dhe tmerr
përmbi epokat njerëzore… (f. 88). Vetëdija e konstruktorit se ka krijuar një vepër gjeniale mes së
përkohshmes dhe të pakohshmes (të përhershmes), Furgon-Kalë-Përbindëshi bart e transmeton tmerrin
politik gjithëkohor e mbarënjerëzor, duke rrezatuar diktatin nga koha e Kalit të Tojës te Koha e Kalit të
Drunjtë Total, gjegjësisht në kohën e TotalKalit.

You might also like