You are on page 1of 8

PROJEKT

TEMA: KENGET POPULLORE


QYTETARE TE SHQIPERISE SE
MESME

LENDA: MUZIKE

KLASA: XIb

PUNOI: NOEL
KASEMI, SEMA
LLUKA
"Kenget popullore qytetare të Shqipërisë së
Mesme" referohen në një zhanër të veçantë të
këngëve popullore qytetare që vijnë nga zona e
Shqipërisë së Mesme. Këto këngë kanë një stil
të veçantë dhe janë thellësisht të rrënjosura në
trashëgiminë kulturore të kësaj regjioni.
Tradicionalisht, ato këndohen nga individë ose
grupe në zona urbane, duke shprehur përvojat,
traditat dhe emocionet e veçanta të
komuniteteve vendase.

Këngët shpesh trajtojnë një spektër të gjerë temash, duke përfshirë dashurinë,
çështjet sociale, ngjarjet historike dhe jetën e përditshme. Ato dallohen për cilësitë e
tyre letrare dhe poeze, të shoqëruara me melodi që ndryshojnë në ritëm dhe
instrumentacion. Kenget popullore qytetare të Shqipërisë së Mesme përfaqësojnë
shprehjen artistike të popullit dhe shërbejnë si mjet për tregim historish, ruajtje të
historisë dhe transmetim të vlerave kulturore.

Këto këngë mbajnë një rëndësi kulturore të madhe për komunitetin shqiptar. Ata
reflektojnë identitetin e tyre kombëtar dhe lokal, promovojnë traditat dhe vlerat
kulturore të kësaj zone, dhe mbeten një burim i rëndësishëm i kënaqësisë dhe
frymëzimit për shumë njerëz.

Parashtrim

Krahas stilit muzikor të qytetit të Shkodrës dhe atij të qytetit të Beratit, stili muzikor i
qyteteve të Shqipërisë së Mesme (Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan) dhe i disa
qyteteve të Kosovës (Prizren, Gjakovë, Pejë), përfaqëson një dukuri artistike të
rëndësishme të muzikës tradicionale qytetare shqiptare. Mbi të gjitha, ai është, sa i
kristalizuar nga pikëpamja melodiko-modale, aq edhe veprues në jetën e banorëve
vendas; sa i dashur dhe i mirëpritur nga dëgjuesit, aq edhe i njohur në rrafsh
kombëtar e ndërkombëtar. Ndërkohë, kënga tradicionale qytetare e Shqipërisë së Mesme,
përfaqëson, sigurisht, stilin muzikor më të ndërlikuar të muzikës tradicionale qytetare
shqiptare në një radhë aspektesh: në melodikë, në sistemin modal/tonal, në metrikë/ritmikë,
formë, etj. Të studiosh atë, qoftë edhe në vija të përgjithshme, do të thotë të fitosh një ide
deri-diku të qartë rreth tipareve më themelorë dallues lëndoro-substancialë e strukturoro-
formalë të muzikës tradicionale qytetare shqiptare në përgjithësi.

Në studimet e derisotme etnologjike shqiptare, nocioni Shqipëri e Mesme, në të


vërtetë, nuk vështrohet si një krahinë e mëvetësishme etnografike. Qartazi, është
lënë të kuptohet se ai duhet parë më shumë si një nocion gjeografik. Sidoqoftë, në
popull, ky nocion është përdorur gjerësisht, qoftë në të kaluarën, qoftë në ditët tona,
edhe me kuptim etnografik. Brenda qerthullit të këtij nën-kapitulli, me nocionin “Shqipëri
e Mesme,” duhet të nënkuptojmë qytetet Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan, së bashku me
zonat etnografike rreth tyre. Eshtë e rëndësishme, gjithashtu, të mbajmë parasysh se,
për shkak të faktorëve ekonomiko-shoqërorë e kulturoro-artistikë, qytete të Kosovës,
si: Prizren, Gjakovë, Pejë, etj., sikurse edhe qytete të Maqedonisë, si, p.sh., Dibra,
nga pikëpamja etnomuzikologjike, afrohen ndjeshëm me qytetet e Shqipërisë së
Mesme. Prandaj muzika tradicionale e tyre, në mënyrë të natyrshme, është
klasifikuar brenda të njëjtit stil muzikor.

Përmbajtja ideo-emocionale

Stili muzikor i qyteteve të Shqipërisë së


Mesme shquhet nga një përmbajtje ideo-
emocionale e pasur dhe e thellë. Motivet
themelorë të kësaj përmbajtjeje rrokin
thuajse tërë universin e jetës së djeshme e të
sotme qytetare shqiptare. Sidoqoftë, një
vend parësor zenë motive, si: dashuria midis
vajzës e djalit, marrdhëniet midis gruas e
burrit, zakone të jetës së shkuar, etj. Në
raste të tjerë, ndonëse më pak, bëhen objekt
figura të shquara të popullit shqiptar,
dëshmorë e heronj, ngjarje të rëndësishme
historike, etj. Duke përjetuar këngën tradicionale qytetare të Shqipërisë së Mesme,
dëgjuesit ndjejnë sidomos një lloj ngazëllimi e përdëllimi të veçantë emocional. Në
raste të tjera, ata ndjejnë një lloj humori e shakaje. Mirëpo, nota të tilla, shpesh,
bashkëjetojnë me nota dhimbjeje e keqardhjeje, trishtimi e përmallimi. Nuk mund të
mohohet fakti se, gjatë sundimit pesë-shekullor të Perandorisë Otomane të
udhëhequr nga turqit (1468-1912), kënga tradicionale qytetare e Shqipërisë së
Mesme, në aspektin poetik, u ndikua nga letërsia turko-arabo-persiane. Shprehje e
kësaj dukurie janë edhe fjalët e shumta turke që kanë ardhur deri në ditët tona. Disa
ndër krijimet muzikorë më të shquar tradicionalë qytetarë të Shqipërisë së Mesme, të
njohur brenda dhe jashtë Shqipërisë, ndoshta do të ishin: “Qënke veshun me të
bardha,” “Valizakja,” “Më shikon me buzë në gaz,” “Vika deti tallaz-tallaz-e,” “Për
midis pazarit Durrësit,” “Aty ke shtatë zymbylat,” “Me gëzim po shkoj në punë,” “Zjarr
në male, zjarr në kodra,” “Bubullin ke Shkëmbi i Kavajës,” “Çohi djema, shaloni
hatin,” etj. Më lejoni që të jap një fragment nga kënga qytetare tiranase aq e
mirënjohur brenda e jashtë vendit–“Qënke veshun me të bardha”–, autorët e së cilës
(vjershëtor e kompozitor) nuk njihen:

“Qënke veshun me të bardha,


Hajde, ’ja ke lala!
Mu me ty m’ka zan sevdaja,
Hajde, ’ja ke lala!
Hajde, ‘ja ke lala, e,
Se të dal përpara, e!”

Mjete shprehës

Duke u mbështetur qartësisht mbi shtratin


lëndoro-substancial e strukturoro-formal të
dialektit muzikor qytetar (grupimit të tij një-
zërësh), stili muzikor i qyteteve të
Shqipërisë së Mesme ndërtohet prej një
linje të vetme melodike, përsa i takon
strukturës së përgjithshme, ose sasisë së
linjave melodike, çka nënkupton edhe të
interpretuarit, zakonisht, nga një njeri i
vetëm, individualisht, solistikisht.
Sidoqoftë, nga pikëpamja e sistemit
modal/tonal, krijimet e tij mund të ndahen në
dy grupe, klasa ose kategori kryesore: i) krijime me sistem modal/tonal diatonik; ii)
krijime me sistem modal/tonal kromatik. Nënvizoj se, herë-herë, sistemi modal/tonal i
krijimeve të Grupit II, mbështetet mbi makame të caktuar (mode ose shkallë të
muzikës profesioniste turke).

Nga pikëpamja e sistemit modal/tonal, stili muzikor i qyteteve të Shqipërisë së


Mesme është me të vërtetë i vështirë. Ndër 22 këngë tradicionale që përmban
gjithsej antologjia Kangë popullore tiranase, botuar nga Shtëpia e Krijimtarisë
Popullore e Qytetit të Tiranës, 14 prej tyre ndërtohen në mode diatonikë, kurse 8–në
mode kromatikë (Shtëpia e Krijimtarisë Popullore e Qytetit të Tiranës 1957). Ndër
139 këngë tradicionale që përmban gjithsej antologjia Këngë popullore të Shqipërisë së
Mesme, hartuar nga etnomuzikologu Hysen Filja, gati gjysma e tyre janë këngë
fshatare dhe gjysma tjetër–këngë qytetare (Filja 1991). Pjesa më e madhe e
këngëve tradicionale fshatare ndërtohet në mode diatonikë, mirëpo s’mungojnë as
këngë fshatare që ndërtohen në mode kromatikë. Ndërkohë, këngët tradicionale
qytetare ndërtohen, sa në mode diatonikë, aq edhe në mode kromatikë. Përfundimi
atëherë është i qartë: Ndërsa këngët fshatare të krahinës së Shqipërisë së Mesme
parapëlqejnë mode diatonikë, këngët tradicionale qytetare të kësaj krahine parapëlqejnë në
të njëjtën masë, si mode diatonikë, ashtu edhe mode kromatikë. Një raport i tillë midis
modeve diatonikë e atyre kromatikë afron me raportin që ekziston brenda këngëve të ahengut
të qytetit të Shkodrës dhe këngëve të ahengut të qytetit të Beratit.

Përsa i takon metrikës/ritmikës, stili muzikor i qyteteve të Shqipërisë së Mesme fut


në veprim thuajse të gjithë llojet e metrave/ritmeve: të thjeshtë, të përbërë, të përzier.
S’mungojnë, gjithashtu, as ritmet gjysmë-metrikë. Ndër metrat/ritmet e thjeshtë,
përdorim marrin sidomos ata dy-njësish (2/8, 2/4), tre-njësish (3/8, 3/4); ndër
metrat/ritmet e përbërë—ata katër-njësish (4/8, 4/4), gjashtë-njësish (6/8, 6/4); ndër
metrat/ritmet e përzier—ata pesë-njësish (5/8, 5/4), shtatë-njësish (7/8, 7/4), tetë-
njësish (8/8, 8/4), nëntë-njësish (9/8, 9/4), dymbëdhjetë-njësish (12/8, 12/4), etj.
Nëse do të përpiqeshim që të bënim një lloj klasifikimi metrik/ritmik të këngëve
tradicionale qytetare të Shqipërisë së Mesme, nga pikëpamja sasiore, del se: i) një
pjesë e konsiderueshme e tyre, ndoshta një e treta, organizohet në metra/ritme të
thjeshtë dy-njësish (2/8, 2/4); ii) një pjesë tjetër e përfillshme, ndoshta një e katërta,
organizohet në metra/ritme të përzier shtatë-njësish (7/8, 7/4); iii) ende një pjesë
tjetër e konsiderueshme, ndoshta një e treta, organizohet në metra/ritme të përzier
nëntë-njësish (9/8, 9/4); iv) metrat/ritmet e tjerë, qofshin ata të thjeshtë, të përbërë,
të përzier, përdoren më pak. Siç shihet, pra, krahas metrave/ritmeve të thjeshtë dy-njësish
(2/8, 2/4), përdorim të denduar fitojnë, gjithashtu, metrat/ritmet e përzier shtatë-njësish (7/8,
7/4), dhe, sidomos, ata nëntë-njësish (9/8, 9/4). Kështu, metrikisht/ritmikisht, ndodh pak a
shumë njësoj sikurse ndodh brenda këngëve të ahengut të qytetit të Shkodrës dhe këngëve të
ahengut të qytetit të Beratit.

Brenda qerthullit metrik/ritmik të stilit muzikor të qyteteve të Shqipërisë së Mesme,


vëmendje tërheq sidomos përdorimi i metrave/ritmeve të përzier tetë-njësish (8/4,
8/4). (Si shembull tipik tetë-njësish, lejomëni të përmend, midis të tjerash, këngën
“Çohi, djema, shaloni hatin.”) Me sa kam vërejtur, metra/ritme të tillë, nuk takohen aq
në stile të tjerë muzikorë qytetarë. Duke e pasuruar metrikisht/ritmikisht këngën
tradicionale qytetare të Shqipërisë së Mesme, metrat/ritmet e përzier tetë-njësish
(8/8, 8/4), po ashtu, ndikojnë në përfytyrën tërësore të kësaj kënge. Pa dyshim, se
ata janë shprehje e një arti muzikor tradicional tepër të zhvilluar nga pikëpamja
metrike/ritmike.

Marrdhëniet midis tekstit dhe muzikës

Në rrafsh të përgjithshëm, duke marrë në konsideratë marrdhëniet midis tekstit dhe


muzikës, brenda stilit muzikor të qyteteve të Shqipërisë së Mesme, vërehen katër
grupime kryesorë krijimesh: i) këngë silabike; ii) këngë melizmatike; iii) këngë
silabiko-melizmatike; iv) këngë melizmatiko-silabike. Si shembuj këngësh silabike,
lejomëni të përmend: “Qënke veshun me të bardha,” “Zjarr në male, zjarr në kodra,”
etj. Ndërsa, si shembuj këngësh melizmatike, më lejoni të vë në dukje: “Vika deti
tallaz-tallaz-e,” “Për midis pazarit Durrësit,” “Aty ke shtatë zymbylat,” “Bubullin ke
Shkëmbi i Kavajës,” etj. Sidoqoftë, pa dashur në asnjë mënyrë që të thjeshtëzoj çështjen,
nga pikëpamja e marrdhënieve midis tekstit dhe muzikës, në tërësinë e saj, kënga qytetare e
Shqipërisë së Mesme shfaqet më tepër melizmatike.

Përfaqësues të shquar

Midis krijuesve të stilit muzikor të qyteteve të Shqipërisë së


Mesme, përfaqësuesi më i shquar është, pa dyshim, artisti
popullor i qytetit të Elbasanit, Isuf Myzyri (1881-1956).
Violinist, vjershëtor, kompozitor, këngëtar, Myzyri, me
aftësitë, talentin dhe zellin e tij të rrallë, e bëri aq të njohur
këngën tradicionale qytetare të Shqipërisë së Mesme brenda
dhe jashtë vendit. Dhjetra e dhjetra krijime mbajnë emrin e këtij
muzicieni të pavdekshëm në historinë e muzikës tradicionale qytetare
shqiptare. Duke e pasuruar ndjeshëm repertorin e këngës tradicionale qytetare të
Shqipërisë së Mesme, në të njëjtën kohë, ai e kristalizoi më mirë edhe përfytyrën
tërësore melodiko-modale të saj. Gjatë gjysmës së parë të shekullit XX, krijues të
tjerë kanë qenë: Dervishi (njihet vetëm me emrin e tij), Liu Nushi, etj. (Filja 1991:5).
Sakaq, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, u shquan kompozitorë, si: Mustafa
Budini, Muharrem Gurra, Muharrem Xhediku, Ramazan Zyberi, etj. Shpesh, krijimet
e tyre i dallon një melodikë e thjeshtë, meter/ritëm i matur, formë e qartë, etj., çka jep
mundësi që të interpretohen lirisht. Në lëvrimin e muzikës tradicionale qytetare të
Shqipërisë së Mesme, gjatë së njëjtës periudhe historike, ndihmesë dhanë edhe
kompozitorë profesionistë, si: Alfons Balliçi, Mustafa Beqiri, Rexhep Hasimi, Agim
Krajka, Rustem Serica, etj.

Midis interpretuesve të stilit muzikor të qyteteve të Shqipërisë së Mesme, gjatë


gjysmës së parë të shekullit XX, u dalluan këngëtarë, si: Ceni i Zaltës, Abdulla
Dërhemi, Bet Shyrba, etj. Ata u regjistruan qysh në dhjetvjeçarët e parë të shekullit
nga shoqëri ndërkombëtare perëndimore të industrisë së muzikës (Filja 1991:5).
Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, interpretuesja më e shquar e këngës
tradicionale qytetare të Shqipërisë së Mesme ka qenë, pa dyshim, Fitnete Rexha
(1933-2003). E pajisur natyrshëm me cilësi të rralla zanore, e mëkuar qysh fëmijë
me motivet e kësaj kënge, e dhënë aq shumë pas bukurisë së saj magjepse, Rexha
e pasuroi estetikisht dhe i dha asaj jetë të vërtetë. Pa dyshim se, vepra e kësaj
këngëtareje, do të shkëlqejë vazhdimisht si margaritar në historinë e muzikës
tradicionale qytetare shqiptare. Brezat e sotëm e të ardhshëm të këngëtarëve e
interpretuesve popullorë do të mësojnë, nxiten e frymëzohen prej shembullit të
shkëlqyer të saj. Krahas Rexhës, një interpretuese tjetër e denjë e këngës
tradicionale qytetare të Shqipërisë së Mesme ka qenë Hafza Zyberi (1928-1994).
Emër të vërtetë kanë bërë, ose janë duke bërë, gjithashtu: Merita Halili, Parashqevi
Simaku, Zeliha Sina, Albert Tafani, Demir Zena, Medi Zena, Zina Zdrava, Fatma
Zyberi, etj.

Origjina

Stili muzikor i qyteteve të Shqipërisë së Mesme, nga pikëpamja e sistemit


modal/tonal, në përgjithësi, nuk ndryshon nga stilet muzikorë të fshatrave të kësaj
krahine. Në të vërtetë, sistemi modal/tonal është i përbashkët për të dy llojet e stileve
muzikorë. Nëse krahasojmë, p.sh., stilin muzikor qytetar të Tiranës me stilet
muzikorë fshatarë të zonave etnografike afër ose larg qytetit (fushore–kodrinore–
malore), s’është vështirë që të shihen modet e përbashkët, diatonikë e kromatikë, të
tyre. E njëjta dukuri vërehet, pak a shumë, edhe midis stilit muzikor qytetar të
Durrësit, Kavajës, Elbasanit dhe stileve muzikorë fshatarë të zonave etnografike afër
ose larg këtyre qyteteve, etj. Nënvizoj se, në përgjithësi, gjinia modale/tonale
kromatike s’është e panjohur për muzikën tradicionale fshatare të Shqipërisë së
Mesme. Po ashtu, si sekonda e vogël, ashtu edhe sekonda e zmadhuar, së bashku
me tetrakordin ose makamin e tipit HICAZ, vërehen jo rrallë në sistemin modal/tonal
të saj. Përfundimi atëherë është i qartë: Nga pikëpamja e sistemit modal/tonal, muzika
tradicionale qytetare e Shqipërisë së Mesme afron me muzikën tradicionale fshatare të kësaj
krahine. Një fakt i tillë nënkupton origjinën, zanafillën, prejardhjen vendase të saj.

Poqese ekzistojnë dallime midis stilit muzikor të qyteteve të Shqipërisë së Mesme


dhe stileve muzikorë të fshatrave të kësaj krahine, ata qëndrojnë në aspekte disi të
jashtëm. Ndër ta, dallimet më themelorë ndoshta do të mund të karakterizoheshin në
këtë mënyrë: i) nga pikëpamja ornamentike, muzika tradicionale qytetare, vjen disi
më e pasur, ose shumë më e pasur, sesa muzika tradicionale fshatare; ii) përsa i
takon shtrirjes modale/tonale (ambitus-it), muzika tradicionale qytetare, është disi më
e zgjeruar, ose shumë më e zgjeruar, sesa muzika tradicionale fshatare; iii) nga
pikëpamja e sistemit modal/tonal, muzika tradicionale qytetare, përdor në një shkallë
të barabartë, si mode diatonike, ashtu edhe mode kromatike; ndërkohë, muzika
tradicionale fshatare, parapëlqen më shumë mode diatonikë; iv) përsa i takon
aspektit metrik/ritmik, muzika tradicionale qytetare, është herë-herë e matur, e qartë,
e përcaktur, herë-herë e pamatur, e paqartë, e lirë, ose kapriçoze, delikate, e
stërholluar; ndërkohë, muzika tradicionale fshatare, shfaqet zakonisht e matur, e
qartë, e përcaktuar; v) nga pikëpamja e strukturës formale, muzika tradicionale
qytetare vjen, në tërësi, disi më e zgjeruar, ose shumë më e zgjeruar, sesa muzika
tradicionale fshatare; vi) përsa u takon marrdhënieve me instrumentet muzikorë,
muzika tradicionale qytetare, zakonisht, vjen e shoqëruar, kurse muzika tradicionale
fshatare, më shpesh, shfaqet a cappella.

Bashkëveprimi muzikor

Stili muzikor i qyteteve të Shqipërisë së Mesme


ka ndikuar në muzikën tradicionale të mjaft
qyteteve të tjerë të Shqipërisë: në muzikën e
qytetit të Shkodrës, në muzikën e qytetit të
Beratit, etj. Ndërkohë, ai ka përthithur elemente
melodiko-modalë të muzikës së këtyre qyteteve.
Vetëm se, përthithja e elementeve të tillë, është
bërë gjithmonë në mënyrë krijuese. Prandaj
muzika qytetare e Shqipërisë së Mesme
shquhet vazhdimisht për origjinalitet,
individualitet, papërsëritshmëri, ose, që të mund
të përdor një koncept tjetër, për magji vetiake.

Në dëgjim të parë, duket sikur stili muzikor i qyteteve të Shqipërisë së Mesme s’ka
ndonjë lloj afrie melodiko-modale me stile muzikorë që u takojnë dialekteve të tjerë,
sidomos fshatarë, të muzikës tradicionale shqiptare. Një përshtypje e tillë është
vetëm një iluzion: sado të tërthorta e të pjesshme, afritë nuk mungojnë. Lejomëni të
vë në dukje vetëm tri karakteristika të përbashkëta: i) Krahas notave mbi bazën
themelore të modit, kënga tradicionale qytetare e Shqipërisë së Mesme përdor
veprueshëm edhe Gradën IV, V, VI, VII nën notën themelore të modit. ii) Krahas
intervaleve të sekondës së vogël dhe të sekondës së zmadhuar, kënga tradicionale
qytetare e Shqipërisë së Mesme përdor veprueshëm edhe intervalin melodik të
septimës së vogël mbi notën themelore të modit. (Ju lutem, nga njëra anë, dëgjoni
me vëmendje këngët një-zërëshe qytetare të Shqipërisë së Mesme, të interpretuara
nga Fitnete Rexha. Nga ana tjetër, ju lutem, dëgjoni me vëmendje këngët shumë-
zërëshe fshatare të Labërisë, të interpretuara nga grupet e Himarës, Pilurit, etj. Sado
e pabesueshme që të duket, e vërteta është se, në të dy rastet, si interval tipik
melodik, përdoret shkapërcimi në septimë të vogël–duke u nisur nga nota themelore
e modit: La-sol.) iii) Krahas modeve mazhorë ose harmonikisht të papërcaktuar,
kënga tradicionale qytetare e Shqipërisë së Mesme, herë-herë, përdor edhe mode
minore, etj. Hulumtimet tregojnë se, tipare të tillë, shquajnë sidomos stile muzikorë
që u takojnë dialekteve fshatarë të muzikës tradicionale shqiptare: dialektit muzikor
geg, dialektit muzikor lab, etj. Ndërkohë, afritë melodiko-modale të këngës
tradicionale qytetare të Shqipërisë së Mesme me këngët tradicionale qytetare
simotra të Shqipërisë janë aq të shquara, saqë duket si e tepërt që të trajtohen.

You might also like