You are on page 1of 7

HYRJE

HISTORI PËR KRAHINËN MAT. http://bashkiamat.gov.al/historiku/

Krahina ose distrikti i Matit me kufijtë aktual të ndarjes administrative sipas vitit 2007, shtrihet në jug të
Shqipërisë Veriore dhe kufizohet :

Nga veriu me rrethin e Mirditës,

Nga lindja me rrethin e Dibrës,

Nga juglindja me rrethin e Bulqizës,

Nga jugu e jugperëndimi me rrethin e Tiranës

Nga perëndimi me rrethin e Krujës e të Kurbinit, me një vijë kufitare të përgjithshme 162 km.

E tërë sipërfaqja e trevës se Matit është 839 km2 dhe shtrihet në njësinë gjeografike të krahinës malore
qëndrore dhe ndodhet midis majave si në veri Maja e Tollës me lartësi 1717 m, në lindje Maja e Dejës
2246 m dhe Guri i Vashës me lartësi 1735 m, në jug Qafa e Shtyllës me lartësi 1708, në perëndim Qafa
e Shtamës me lartësi 1245 dhe ne veriperëndim Maja e Larteshit me lartësi 1137 m.

Por kufijtë e lashtë të trevës Matit ishin shumë më të gjerë se sa sot, në të kanë qenë përfshirë edhe
katër grykët ( Gryka e Qafë -Murrës, Lukanit, Selishtës, Kacnidhë), Lura dhe Mirdita (Kthella, Përlati) e
deri ne grykëderdhjen e Matit në det.

Përsa i përket relievit të krahinës Matit mund të themi se faktorë të ndryshëm dhe përbërja gjeologjike e
strukturës së ndërtimit të shtresave të tokës kanë ndikuar në thyerjet dhe larmishmërinë e tij. Ndaj
dhe pamja e relievit me kodra e male, me lugina, fusha e gryka të thella malore, bëjnë që kjo njësi
fiziko-gjeografike të kategorizohet si krahinë malore- kodrinore.

Krahina e Matit e parë nga lart të ngjan me pamjen e një oazi të rrethuar me vargmale e mbrojtur nga
natyra. Në thyerjen e relievit të saj ka ndikuar edhe hidrografia e pasur me burime ujore, me liqene
akullnajore, përronj të rrëmbyeshëm me degëzime të shumtë si dhe lumi Mat, gjatësi e të cilit është
115 km2. Ky lum buron nga kaptina e Martaneshit, përshkon zonën duke e ndarë territorin e krahinës
në dy pjesë që nga rrjedha e tij e deri në grykëderdhje ku bashkohen dy degët e lumit Fani e më tej
derdhet në Adriatik.

Për të parën herë emrin e Matit si krahinë, e ndeshim në shekullin XIII në vitet 1257 -1258, Pretori i
perandorit bizantin Akropolitos, gjatë udhëtimit të tij në viset shqiptare thekson:- se nga Durrësi kalova
“nëpër viset e Mates (Matia) dhe së këtejmi në Dibër”. Më vonë gjatë shekullit XV krahina e Matit
gjendet në trajtën Amathius, Emathja, dhe në trajtën e sotme të evolucionit me emrin Mati, që vjen nga
fjala breg lumi, deti. Trajta Mat-i është trajtë e letrarizuar e shekullit XIX.
Krahina e Matit është e njohur si brenda vendit por edhe jashtë tij, si një krahinë me vlerat e saj
historiko, arkeologjike, etno –kulturore. Mati ka dëshmuar vlera për gjurmimin e studimin e kulturës
prehistorike, ilire, arbërore.

-Gërmimet arkeologjike të bëra në krahinën e Matit, në shpellat e Blazit, Nezirit dhe Këputës në zonën
Laç- Bruçit në Mat, gjatë viteve 80 të shekullit XX si dhe në vitet 2013-2015, si dhe lënda arkeologjike e
përfituar gjatë këtyre gërmimeve kanë dëshmuar se këto shpella kanë vlera unikale mbi ekzistencën e
Matit prehistorik. Shpella e Blazit dhe e Nezirit kanë dhënë dëshmi mbi një kulturë që nis në
paleolitin e sipërm ( 18.000.p.e.s) e ka patur vijimësi gjatë epokës neolitit (7000 vjet p.e.s), eneolitit
(3500 vjet.p.e.s) dhe periudhës hershme të bronzit (2100 p.e.s)

-Gjatë viteve 60-të krahina e Matit sidomos lugina përgjatë lumit Mat, Uraka, Bruçi, Klosi, Rreth-Baz,
Sanxhaku, Kokërdhoku, u bënë objekt i rëndësishmë ekspeditash arkeologjike. Deri në fundin e viteve
70-të të shekullit XX, në Mat rezulton të jenë gërmuar rreth 53 varreza tumulare, këto edhe në zona të
tjera si Komsi, Bushkash,Baz, Muzhakë, Karicë, Burrel etj, ku janë përfituar objekte me rëndësi unikale
për kulturën ilire, duke e bërë zonën e Matit të hyjë në historinë e kërkimeve arkeologjike shqiptare si
një ndër qendrat më të rëndësishme të kulturës ilire në epokën e hekurit në Shqipëri dhe duke e cilësuar
këtë kulturë me tipare të veçanta si “kultura ilire e Matit”

Shumica e objekteve të gjetura në këto vendvarrime tumulare, si armë, vegla të punës prej bronzi e
hekuri, objekte të përdorimit të përditshëm prej qeramike, stoli të gruas ilire, qelqi e qelibari, prej ari e
argjendi ndodhen në ekspozitat ne fondin e Muzeut Arkeologjik Tiranë, e janë bërë objekt ekspozimi
edhe në vendet e Evropës. Këto objekte dëshmojnë një kulturë të pasur e të zhvilluar në zonën e Matit.
Madje kompleksi i të gjitha stolive të gruas ilire të gjetura në zonën e Matit kanë përcaktuar dhe
plotësuar më së miri imazhin e gruas ilire. Kjo zonë është njohur si një zonë metalifere dhe se këtu në
Mat kanë banuar edhe fisi ilir i pirustëve ( si një fis me shtrirje të gjerë edhe jashtë Matit, në zonën e
Mirditës, Pukës, Kukësit). Fis ky njohur e shquar më së shumti si luftëtar e metal punues të zotë.

-Në Mat kanë ekzistuar kala e qyteza të hershme mesjetare që kanë shërbyer si një kordon mbrojtës
për të gjithë hapësirën gjeografike të Matit. Ndër to përmendim Kalanë e Xibrit si një ndër kalatë më të
hershme ilire që daton në shek.IV-II p.e.s, kalaja e Shkopetit ( shek.V-II p.e.s.), Stelushi (shek III- VI e.s).
Ndërsa të kohës së Skëndërbeut janë kalaja e Petralbës në fshatin Fshat-Guri i Bardhë, Kalaja ilire e
Stelushit që shquhet si një fortesë e rëndësishme edhe në epokën e Skënderbeut (shekulli XV e.s.),
kalaja e Skëndërbeut në Cërujë dhe qytete të tjera mesjetare si qyteza e Bruçit, Komsisë, Klisolit,
Kurdarisë, Gjoçajve, Ketës, Patin,Suç etj, që kanë dhënë dëshmi të rëndësishme mbi zhvillimin historiko-
kulturor e social të Matit gjatë periudhës mesjetës.

-Përsa i përket kulturës hershme mesjetare (arbërore) në Mat gjurmë të kësaj kulture janë konstatuar në
disa vendbanime e kala (Stelush, Petralbë etj). Megjithatë është për tu theksuar se më shumë se 26
qendra arkeologjike të kulturës hershme mesjetare janë evidentuara në të gjithë Shqipërinë kryesisht
ato gjenden në Shqipërinë Veriore, nga të cilat 6 qendra i përkasin krahinës së Matit. Më konkretisht
ato janë Dërjani, Dukagjini, Klosi, Urxalla, Arba (Msuç) dhe Rremulli. Mbi bazën e gjetjeve arkeologjike
por edhe të rastit, ka rezultuar se në Mat gjurmë të kulturës hershme mesjetare arbërore ka edhe në
fshatra të tjera të Matit, si në Laç-Bruç, Cërujë, lagja Mxanë-Macukull, Gjoçaj, Suç etj. Lënda arkeologjike
objektet e kulturës arbërore të gjetura në këto qendra dëshmojnë më së miri kalimin e vijimësinë
kulturore në zonën e Matit nga kultura ilire në atë iliro-arbërore.

-Treva e Matit ka shërbyer si bazë e rëndësishme e Shtetit të Arbërit.Madje sipas studiuesit të


mirënjohur shqiptar Dhimitër Shuteriqi, këtu në Mat ka qenë edhe kryeqendra e Arbërit, diku afër
Dukagjinit në vendin e quajtur Arba (Msuç) dhe toponimi Albanoi. Ndërsa G.Shtatmuler ndër të tjera
thekson se “….krahina e Matit ka qenë hapësira jetësore e shqiptarëve të parë”

-Mati është vendorigjina e Kastriotëve, qendra e principatës së Gjon Kastriotit, por edhe krahina bazë e
shtetit të Skëndërbeut. Ekzistenca e Stelushit si selia e Kastriotëve e përforcon këtë fakt, por thëniet e
M.Barleti dhe shume argumente e dëshmi të tjera përforcojnë më së miri këtë tezë, pavarësisht
pretendimeve të disa studiuesve që përpiqen ta “transferojnë” origjinën e Kastriotëve në krahina të
tjera të Shqipërisë.

.-Krahina e Matit është vend i Kuvendeve Kombëtare, si i Kuvendit apo Sinodit kishtar të mbajtur në
kishën e Shën Trinisë-Daznjan-Macukull, në vitin 1462, ku kryepeshkopi i Durrësit Pal Ëngjëlli la të
shkruar formulën e pagëzimit në shqip, Më konkretisht- V’NTE PAGHEZONIT PREMENIT ATIT ET BIRIT ET
SPERTIT SENIT” dhe shqipërimi “UN TË PAGËZONJ PËR EMËNIT ATIT E T’BIRIT E T’SHPERTIT SHENJT” 8

Formula e pagëzimi e shqipëruar përkon me dialektin matjan, përbën një rëndësi të veçantë, është një
dëshmi e re mbi shkrimin e gjuhës shqipe në një datim më të hershëm se Meshari i Gjon Buzukut (vitit
1555), që ishte konsideruar si dëshmia e vetme dhe më e hershme e shkrimit të shqipes, E pra mbi këtë
bazë tashmë mund të themi se Mati është vendi i shkrimit të parë të shqipes , i “Formulës së
Pagëzimit”, i dokumentit të parë të gjuhës shqipe i datuar në vitin 1462. Po kështu përmendim Kuvendin
e Lisit, i mbajtur në kishën e Shën Mërisë së Lisit në Nëntor të vitit 1594, Kuvendi i Dukagjinit mbajtur në
kishën e Shën Llezhdrit (Lekës) në periudhën 15 Dhjetor1601 -15 Shkurt 1602, ku morën pjesë 2656
delegatë nga 14 krahina të vendi me qëllimin për të organizuar një kryengritje çlirimtare mbarë
shqiptare kundër pushtuesve osmanë.

Kuvende të tjera të rëndësishme të mbajtur nga matjanët në territorin e Matit mund të përmendim
Kuvendin e Qershizës i mbajtur në Tetor të vitit 1912, nën kryesimin e Ahmet Zogut me qëllimin për të
mobilizuar të gjithë matjanët për mbrojtjen e trevës së Shkodrës nga pushtuesit malazes.

Më 10 Korrik të vitit 1911 është mbajtur Kuvendi i Suçit. Ky kuvend qe një kundërpërgjigje e kërkesës së
qeverisë turke për të dërguar rekrutë në ushtrinë turke. Në këtë kuvend u formua komision i
ashtuquajturi “komisioni i 40 –të” pasi merrnin pjesë përfaqësues nga 40 fshatrat e Matit, u zgjodh
edhe një kryesi prej 12 vetësh. Komision luajti rolin e një qeverie të përkohshme në Mat për
mobilizimin e udhëheqjen e matjanëve në kryengritjet e betejat kundër pushtuesve osman deri në
shpalljen Pavarësisë e Shqipërisë.

Kuvendi i Bruçit është një tjetër kuvend i rëndësishëm i matjanëve, i mbajtur më 26 korrik 1943 dhe pati
si qëllim kryesor sensibilizimin, organizimin e mobilizimin e mbarë popullit matjan dhe të krahinave
fqinje, rreth 3000 forcave luftarake, për një sulm të përbashkët e sa më të shpejtë ndaj garnizoneve
fashiste italiane të dislokuara në Mat. Kuvendi i Bruçit mbetet projektuesi i ngjarjes që ka hyrë në
histori si Kryengritja Popullore matjane, zhvilluar gjatë 31-Korrik deri më 28 Gusht të vitit 1943 kundër
garnizoneve italiane në Burrel, Komsi, Klos, Qaf-Bull dhe në pika të tjera të rrethit Mat.

-Me vlera unikale për rrethin e Matit është prodhimi i barutit. Qysh në epokën e Skëndërbeut
dëshmohet se në Mat kanë ekzistuar 15 diga baruti që prodhonin barut të një cilësie të lartë, që shërbeu
si lëndë strategjike për shqiptarët në luftrat çlirimtare kundër ushtrive pushtuese të vendit tonë. Këto
diga baruti kanë ekzistuar sidomos në zonën e Klosit, në fshatrat Benj, Bel, Patin,etj deri në vitet e para
të shekullit XX atëherë kur u shkatëruan nga ushtritë turke.

-Pozicioni gjeostrategjik i Matit ndodhur në kryqëzimin rrugësh të rëndësishme ka bërë që këtë


krahinë të funksiononin 4 pazare, si pazari i Komsisë, Lisit, Klosit dhe ai i Dërjanit, pazare të cilat
frekuentoheshin që nga Elbasani, Tirana, Kruja, Lezha e Shkodra e deri nga Tetova e Prizreni. Në fshatin
Guri i Bardhë dëshmohen gjurmë kaldrëmi të rrugës më origjinë antike të Rrugës Arbërit.
-Në fushën e kulturës banesa matjane përbën karakteristikën në shkallë vendi. Kulla e Matit me
variantet e larmishmërinë e saj, tregon dukshëm misionin e saj edhe si vendbanim por edhe si kala e
qendër mbrojtjeje.Kulla e Matit është bërë objekt studimi i shumë studiuesve të huaj e vëndas ka vlera
etnografike të veçanta, e shumica e tyre gëzojnë statusin e monumentit të kulturës.

-Në rrethin e Matit janë evidentuar rreth 16 ura të gurta të tipit venecian, ndërtuar gjatë shekujve XVII-
XIX,nga të cilat 9 prej tyre ruhen ende sot në gjendje të mirë e janë funksionale për banorët e trevës
tonë.Të tilla si ura e Vashës në Gurë të bardhë, ura e Halilajve në fshatin Dars, ura e Skurës në Gurë të
Bardhë, ura e Hoxhajve në Gurrë të Vogël etj.

-Larmishmëria e veshjeve popullore ,sidomos e gruas matjane ku dallohen 6 njësi etnografike, Guri i
Bardhë, Prelli, Lisi, Gurra, Bazi e Komsia,ka tërhequr vëmëndjen e studiuesve e vizitorëve të huaj.Këto
kostume tradicionale janë përcjellë ndër vite të qëndisura e të stolisura mjaft bukur me fije prej ari e
argjendi dhe përbëjnë një veçanti në etnografinë tonë shqiptare.

– Nëse i referohemi historisë sonë kombëtare mund të themi se Mati si një krahinë në zemër të
Shqipërisë ka nxjerrë nga djepi i saj figura të shquara të historisë e kulturës sonë kombëtare, duke filluar
me heroin tonë kombëtarë, Gjergj Kastriotin Skëndërbe, figura të urtësisë, mendësisë e trimërisë si Kont
Urani, Kokë Malçi, Pjetër Përlati, figura e Pjetër Budi të shkrimtarit e themeluesi të prozës shqipe.
Figura e personalitete të Rilindjes sonë kombëtare, patriotë, arsimdashës, aktivistë e kontribues
kryesorë të çështjes së arsimit e kulturës shqipe, si Dervish Hima, Ibrahim Temo, Rexhep Pashë Mat,
Riza Bej Zogolli, Ibrahim Dalliu, Jakup Metra, Ahmet Xhetani, etj, e duke mbërritur tek “Mbreti Zogu I”
që dominoji politikën shqiptare për vite me radhë, duke nisur karrierën e sukseshme në një moshë të re
17 vjeçare deri sa arriti të kurorëzohej mbret, kurorë të cilën e mbajti për 11 vjet, e të tjera figura e
personalitete të historisë e kulturës kombëtare, portretet e të cilëve qëndrojnë në pjedestal, në faqet
e historisë e të shtypit jo vetëm brënda vëndit por kudo jashtë trojeve shqiptare.

-“Matjanët janë njohur për trimërinë, guximin dhe besnikërinë e tyre”. Në të vërtetë burimet historike
provojnë rëndësinë dhe pjesmarrjen e matjanëve në ngjarje të rëndësishme të historisë kombëtare,
beteja e luftra të cilat janë ruajtur dhe vazhdojnë të ruhen në memorjen tonë kombëtare e lokale.

Përmendim pjemarrjen e 13 delegatëve matjanë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit ( Korrik 1878), rolin e
tyre përfaqësues edhe si anëtarë të delegacionit të jashtëm të Lidhjes, Riza Bej Zogolli si figurë e
rëndësishme dhe kryesues i Degës së Lidhjes në Mat. Në kuadër të Lidhjes së Prizrenit populli i Matit
dha kontribut të çmuar në mbrojtjen e trojeve shqiptare të Hotit, Grudës, Plavës, Ulqinit, Gucisë .
Pjesmarrjen e delegacionit matjan me në krye Ahmet Zogun në Kuvendin e Vlorës, matjanët dhanë
kontibut gjatë shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Po kështu matjanët u bënë pjesë e pandashme e
luftës së popullit shqiptar për liri e pavarësi, për mbrojtjen e pavarësisë dhe integritetit. Gjithashtu
dhanë kontribut të çmuar gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër pushtuesve nazi-fashistë ( gjatë viteve
1939-1944).

VËSHTRIM I SHKURTËR HISTORIK PËR QYTETIN BURREL

Distrikti ose rajoni i Matit sipas ndarjes së re administrative të vitit 2015 është e ndarë në dy bashki,
Bashkia Mat me qendër administrative Burrelin ku janë të përfshira edhe 8 Njësi Administrative të Matit
si Burreli, Bazi, Ulza, Komsia, Rukaj, Lis, Dërjan,Macukull, dhe Bashkia Klos me qendër qytezën e Klosit
ku përfshihen njësi të tjera administrative të krahinës apo rrethit Mat si Klosi, Suç, Gurrë e Xibër.

Burreli si qytetet dhe qendër e Bashkisë Mat shtrihet mbi një pllajë mbi 300 m lartësi në luginën e
mesme të lumit Mat gati në qendër të krahinës Mat.

Zona ku shtrihet sot qyteti ka dhënë dëshmi të rëndësishme mbi zhvillimin e një kulture që nis nga
epoka e bronzit ( 2100 p.e.s dhe me vazhdimësi deri në kohën e vonë antike shek VI e.s. dhe vijimësi
edhe gjatë mesjetës e deri në ditët e sotme.

Trajta e emrit Burrel është një trajtë e letrarizuar që ka pësuar evolucion e transformim. Burimet
historike japin të dhëna mbi ekzistencën e fshatit Bujril ose Burril, që përfshinte jo vetëm qytetin e
sotëm Burrelin por edhe rrethina të tij.

Në vitin 1922 Burreli u caktua si Bashki dhe qendër e Nënprefekturës Mat dhe fizionomia e tij si qytet
ndryshon gjatë periudhës së Monarkisë Shqiptare (vitet 1928- 1939). atëherë kur filluan të ndërtoheshin
edhe institucionet e para si godina e bashkisë që është edhe sot funksionale si godina aktuale e
Bashkisë Mat, Nënprefekturë, burgu , qendër shëndetësore, shtëpitë e banesat e para dykatëshe,
xhamia e qytetit, qendër shëndetësore, kazerma ushtarake, thertore etj.

Qyteti Burrel trashëgon gjithashtu nga periudha e Monarkisë edhe parkun ose lulishten qytetit që
mban emrin e Mbretëreshës Geraldina, kjo pasi në vitet 30 të shekullit XX, në sajë të iniciativës saj u
mbollën në këtë park disa nga bimët dhe drurët më të rrallë të kohës të marra që u sollën nga Australia,
Azia etj.. Në nëntokën e këtij parku ndodhen edhe disa tunele që lidhin segmente të tuneleve të tjera
që shtrihen në të gjithë qytetin që janë të ndërtuara gjatë periudhës socializmit.

Burreli quajtur ndryshe si qyteti i mollëve të viteve 60-të të shekullit XX, pati edhe periudhën e
ndryshimeve sidomos gjatë viteve 70-të dhe -80- të shekullit XX, me ndërtimin e institucioneve
shtetërore, godinave , pallateve nga katër deri në 6 katëshe, parafabrikate e kullat në qendër të qytetit,
dyqane, shkolla, kopshte e çerdhe, kinemaja, pallati i kulturës, i sporteve, stadium etj. Godina e
Muzeut Historik i Rrethit Mat i cili ruan, administron, ekspozon disa nga vlerat historike, arkeologjike,
etno-kulturore të trevës Mat, është një objekt kulturore i ndërtuar në vitin 1985 me një infrastrukturë
moderne dhe bashkëkohore me pamje tërheqëse të fasadës së jashtme stil arkitekturor që ka të
kombinuar mjaft bukur elementet e kullës prej guri karakteristike matjane me ato të objekteve të kultit
fetar katolik.

Brenda në qytet ndodhen edhe dyqane me punime artizanale dhe suvenire të ndryshme. Nuk mungojnë
edhe aktivitetet artistike, kulturore e folklorike me natyrë promovuese argëtuese gjatë kalendarit vjetor
, ku vënd të rëndësishëm zënë datat historike, të festave kombëtare e lokale, tradicionale etj, si 31
Korriku (si festë lokale matjane e kthyer në një traditë shumëvjeçare), festivali i laurisë, këngës epike e
lirike, etj.

You might also like