You are on page 1of 2

Lenda :Gjuhe Shqipe

Reportazh\ Permeti, nje udhetim ne qytetin ku te presin si mbret .


Përmeti, ose siç njihet ndryshe qyteti i trëndafilave, është sa i lashtë aq dhe i ri, që së largu duket sikur përherë
mban veshur vellon e nusërisë. Brenda kontureve dhe shpirtit të qytetit, sa real aq dhe metaforik gjallojnë vlera
dhe bukuri të paçmuara si besa dhe urtësia, paqja dhe liria, guximi dhe trimëria, toleranca dhe mikpritja, kultura
dhe mençuria, cilësi e virtyte që janë gdhendur në shekuj, në luftë  me varfërinë, me shkatërrimin dhe egërsinë, me
skllavërinë dhe përçmimin, me cinizmin dhe vetminë, me thashethemnajat, grindjet dhe me hakmarrjen e mërinë.
Emri i mirë i Përmetit dhe përmetarit i ka kapërcyer me kohë kufijtë e trojeve tona. Kudo që  ndodhesh, sapo
njerëzit mësojnë se je përmetar, ndalin për një çast dhe të thonë me respekt:”Përmeti mbi gjithçka ka njerëz të
mirë”. Fjalë të mira për Përmetin dhe përmetarët kanë shprehur edhe personalitete të shquar si; Fan Noli dhe Faik
Konica. “Përmeti”, shkruante në ato kohëra Edit Durham, “me qiparisat e lashtë, dushqet e purpurtë, gjelbërimin
pranveror dhe njerëzit e mbrekullueshëm, m’u duk një nga vendet më të bukura të botës”. Bukurinë e shpirtit dhe
mikpritjen e rrallë të përmetarit e gjen edhe në sentencën sa proverbiale, aq dhe popullore: ”Kush shkoi mik në
Përmet, dhe s’e pritën porsi mbret”! Për ta njohur lexuesin me disa nga vlerat njerëzore, historinë, kulturën dhe
bukuritë  natyrore të Përmetit, më poshtë po ndalemi në përshkrimin e një bashkëbisedimi  të ngrohtë me njerëzit
dhe natyrën e rrallë të atyre anëve.

 Pak histori

Emri më i lashtë i këtij qyteti është “Trifila”. Ndërsa emrin e sotëm, Përmeti e ka marrë nga prijësi i këtij qyteti
që quhej Premti, i cili sipas legjendës, për të mos rënë në duart e armiqve, u hodh nga Guri i Qytetit. Përmetin po ta
vështrosh nga maja e Kiçokut i ngjan një gjashtëkëndëshi gjigand, rrethuar nga vargmale të bukura. Në të majtë
qëndon si një gjerdan i blertë vargmali Kiçok-Taroninë-Qarrishtë-Dangëlli, që shtrihet deri në lartësitë e
Postenanit, mbuluar nga pyje e livadhe të mbuluar me gjelërim. Ndërsa në të djathtë  lartësohet  vargmali  i ashpër
e hijerëndë Trebeshinë –Dhëmbel- Nemërçkë, me majën më të lartë Papingun 2485m.Hapësira mes këtyre dy
viganëve gjigandë i ngjan një deti shumngjyrësh, në  thellësitë e të cilit duket sikur lundrojnë Lugina e Vjosës, dhe
ajo e Zallit të Dëshnicës. Ndërsa në këmbët e kodrinave të bukura dhe maleve të ashpër shtrihen dhjetëra fshatra,
që edhe pse kohët e fundit disa prej tyre janë rrënuar ia shtojnë bukurinë. Përmes historiografisë turke mësojmë se
Përmeti, si lokalitet  e qendër komerciale  ka  lulëzuar që në shekullin VI-VII. Ndërsa si qendër administrative ,
qyteti është krijuar në shekullin XV. Ai shtrihet në Juglindje të vendit me një sipërfaqe prej 938 km.katrore dhe një
vijë kufitare  prej 200 kilometër të gjatë, nga të cilat 16 kilometër janë kufij lumorë. Në territorin e Përmetit janë
gjetur shumë gjurmë të vazhdimësisë ilire: enë, objekte, emra vendesh e rrënoja kalash, si ajo e Këlcyrës dhe e
Petranit, të cilat datojnë në shek.III-II p.e.r. Në vitin 1432 Përmeti ka patur vetëm 42 shtëpi, ndërsa në vitin 1930
numëroheshin rreth 140 shtëpi me 3000 banorë. Sot qyteti  i Përmetit  ka 13 mijë banorë. Gjatë Luftës së Dytë
Botërore, ai u dogj dhe u përmbyt katër herë.

Përmeti, aty ku lindën emrat e mëdhenj


Ky qytet është e vërtetë që për shkaqe objektive dhe subjektive mbetet një nga qytetet më të vogla të vendit, por
me mundësi dhe vlera të mëdha. Ai është djepi i lindjes së fidanishtes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në ballë të
panteonit përmetar qëndrojnë: Naimi, poeti  i madh dhe bilbili i gjuhës shqipe, të cilit populli i këndon ”Naim 
Shqipëria…”, diplomati mendjemprehtë Abdyl Frashëri, poliedriku Mitat Frashëri dhe ideologu i Rilindjes e
parashikuesi  i Shqipërisë së sotshme dhe të ardhshme, Sami Frashëri. Përmeti është vendi  i heronjve  dhe
luftëtarëve të tillë si; Kamber Bënja, që për mbrojtjen e monomenteve të kulturës shqiptare, u ndesh dhemb për
dhemb me dorën grabitqare austro-hungareze;  vendi  i internacionalistit Musa Fratari që dha jetën për mbrojtjen
e lirisë së popujve të botës, vendi i luftëtarëve dhe atdhetarëve të shquar:Meleq Gosnishti e Riza Velçishti, Nexhip
Bënja e Vangjel Gjika, Ahmet Kajca, Hajredin Tremishti dhe Mendu Zavalani;vendi i klerikëve dhe luftëtarëve të
rrallë për liri, Baba Alushi dhe At Stath Melani. Përmeti lindi dhe rriti burra të shquar si Sejfulla Malëshova dhe
Ymer Dishnica, që ëndërruan dhe luftuan për një Shqipëri të lire dhe të zhvilluar. Nga këto anë dolën artistë,
shkrimtarë dhe dijetarë e studiues të njohur si; Tefta Tashko Koço, Mentor Xhemali, Nonda Bulka, Kasëm
Trebeshina, Kristo Frashëri, Androkli Kostollari, Mentor Përmeti, Sherif Bundo, Vasil Tole, Agron
Xhangolli,Përparim Hoxha. Përmetarët kanë qenë ndër të parët që kanë përkrahur dhe mbështetur lëvizjet
atdhetare dhe patriotike si; Lidhja Shqiptare e Prizrenit, një degë e së cilës u krijua në Frashër, që në korrik të vitit
1878, nga Baba Alushi, me inisiativën e ndihmesën e A.Frashërit. Ata janë dhe shumë arsimdashës, shkollën e parë
plotore me 7 klasë e çeli me shpenzimet e tij patrioti  i mërgatës së Vjenës, Zoto Pano Duro.Nga dyert e shkollave të
Përmetit kanë  dalë nxënës,studentë dhe intelektualë  të përgatitur, që me aftësitë dhe talentin e tyre kanë spikatur
në shumë fusha të jetës, jo vetëm brenda por dhe jashtë kufijve tanë.

 Qyteti që Zoti e bekoi me bukuritë e natyrës


Përmeti, për shkak edhe të pozicionit gjeografik është vërtet një vend me natyrë të begatë. Në trojet e tij
fatmirësisht gjenden edhe shumë monumente natyrore e njerëzore si: Guri i Qytetit dhe Bredhi i Hotovës, Gryka e
Këlcyrës dhe Ujët e Zi, ujrat kuruese të Bënjës dhe Kanionet e Langaricës, Shpatet e thyera të malit të Dhëmbelit
dhe Vrima e Cilikojkave. Por edhe kisha, xhami dhe teqe të lashta si ajo e Shën Mërisë, Leusës dhe teqeja e dëgjuar e
Alipostivanit, të cilat  ruajnë brenda tyre vlera dhe mundësi të mëdha ekonomike, shpirtërore, turistike, kuruese
dhe qetësuese. Përmeti ka florë dhe faunë të pasur. Aty  rriten, mblidhen dhe tregtohen bimë të rralla mjekësore si
dëllinja e kuqe, mëllaga, lulkuqi, trëndafili i egër, sherebeli, kamomili, rozmarina, çaji i malit, etj. Në hapësirat e
ndryshme të Përmetit rritet një shumllojshmëri kafshësh  dhe shpendësh të egra  si dhelpra e lepuri, kaprolli e dhia
e egër, ujku dhe ariu i murrmë, që  kryesisht rritet në  pyjet e Bredhit të Hotovës. Rrethi i Përmetit është i pasur
dhe me një shumëllojshmëri shpendësh të egra si pëllumbi, thëllëza, skifteri, shqiponja, dhe një shumllojshmëri
peshqish lumorë si; qefulli, levreku, ngjala, krapi, etj. Për arsye të klimës së përshtatshme dhe ujit të bollshëm,
sidomos në lugina.

Përmeti  ka mundësi të mëdha për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë. Por politikat e gabuara të qeverive të
ndryshme kanë bërë që këto mundësi,veçanërisht në zonat malore dhe kodrinore gati janë shumëzuar me zero.
Dëshpërohesh thellë, kur sot sheh fshatra të tëra, gati të braktisur tërësisht, ku në vend të njerëzve punëtorë dhe
prodhimeve të bollshme, sheh vetëm shtëpi të rrënuara dhe ferra e gjëmba që u kanë zënë frymën.

You might also like