You are on page 1of 3

Tej Ku?

– Labinot Kelmendi dhe Nehat Sadiku

(Interpretimi i filmit Beyond The Road të regjisorit Yll Çitaku)

‘Konflikti i strategjive autoriale’ ndoshta është loja interpretuese që mund ta përshkruaj fabulën
e njëjtë që mundohen ta shtjellojnë Ismail Kadare me librin “Shkaba”dhe Yll Çitaku me filmin
“Beyond The Road”. Kjo, nënkupton që të dy autorët e shpjegojnë të njëjtin tregim në mënyrat
shprehëse të tyre dhe kjo nuk do të thotë se konflikti është i konstituuar midis dy versioneve të
kundërta por më tepër si një konflikt i pa-dëmshëm midis dy përfundimeve të mundshme të së
njëjtës fabul. Dallimi i vetëm është se Çitaku duket që nuk ka besnikëri onto-gjenetike ndaj
realitetit të veprës letrare por nëpërmjet ‘imazhit-lëvizës’ (Caroll) e krijon një ‘kino-botë’
(Cineworld) që është e mëvetësishme nga ‘botë-jeta’(Lifeworld) e veprës së Kadaresë.

‘Tej, Ku’? Nuk është pyetje në formë letrare sa është një lloj përgjigje imazherike. Kjo, ngase vet
pyetja e nënkupton përgjigjen ndaj të hedhurit (nën diskursin e Martin Heidegger: Geworfenheit)
‘ku’? E përgjigjja e Çitakut është ‘tej’ - që nën një deshifrim afirmativ kjo ‘tej’ e nënkupton i
hedhur ‘në ëndërr brenda ëndrrës.’ Sepse, kjo ‘tej’ është e lidhur me rënien ‘ku’ në ëndërr (ose
në ‘ëndërr si kuptimi i të pavetëdijshmes’ Freud). Veçse kjo ëndërr nuk mund të interpretohet
vetëm nën prizmin e ngushtë të psikanalizës, sepse sikurse e ravijëzon Michel Foucault:
‘psikanaliza kurrë nuk ka korrë sukses që ta bëj imazhin të flasë.’ Imazhi nën fuqinë e saj
transmetuese na mundëson që ta shohim ëndrrën ‘ku’ dhe rënien në të sepse vetëm në të
kapërthehet ekzistenca si prezencë ‘ku’ dhe si përjetim kuptimor lingual ‘tej’.

Ndërkaq, rënia ‘tej’ dhe hedhja ‘ku’ kanë kuptime të shumëfishta në filmin ‘Beyond the Road.’.
Njëri është që nëpërmjet një loje hermeneutike mund ta zbërthejmë aspektin psiko-ontologjik ose
‘Ëndrra si Ekzistencë’ (Binswanger) që rënia na manifestohet nga një deprimim me hapësirën
ekzistenciale ku jeton personazhi kryesor – pasi në ankth me vetën hedhja në ëndërr është një
eskapizëm nga ‘qyteti i sorrave’. Ndërsa, një aspekt tjetër i lojës mes rënies ‘tej’ dhe hedhjes ‘ku’
në ëndërr – ku ëndrra shndërrohet në makth dhe ne përfundojmë në uzinën brutaliste të sistemit
brutalist e që filozofi Michel Foucault e quan si ‘sëmundje të pushtetit’ në film përfaqësohet nga
internati komunist. Ky aspekt është ai ku imazhi dhe fjala pikëprehen sepse as ato nuk mund t’i
përballojnë tmerrit të prezencës së totalitarizmit.
Leximi i parë, është ai ku regjisori Yll Çitaku, nëpërmjet narracionit në filmin ‘Beyond The
Road’ mbërrin të na e sjellë monotoninë e qenies dhe ‘të jetuarit vetëm’ që nën optikën e dasein-
analizës e nënkupton të projektuarit ekzistencës në ëndërr, por, ky nuk mund të shihet vetëm si
fenomen i përkohshëm, por si manifestim ontologjik/psikologjik që përcjellët nga një rrëfim në
tjetrin. Nën diktumin e Ciceronit ‘Nihil est magnum somnianti’ (shqip: ‘Asgjë nuk është e madhe
për ëndërrimtarin’) kemi një lloj ‘antagonizmi-konvergues’, një që ëndrra ‘tej’ e përshkruan
rënien e që në shiritin e filmit na manifestohet si zhytje në infinit që për personazhet ka kuptimin
e gjetjes së ekzistencës brenda ëndrrës. Në film, mjegullohet dikotomia e trashëgimisë
perëndimore që mundohet të bëjë një ndarje midis reales dhe jo reales. Ngase, në film nuk
vërehet dikotomia midis ëndrrës dhe realitetit, sepse ëndrra e nënkupton krijimin ekzistencës
rrjedhimisht botës, dëshirave, shfrenimeve, e deri në dehjen dhe shpresën që ta kuptimësojmë
pakuptimësinë e monotonisë - sepse, asgjë nuk është e madhe për ëndërrimtarin as projeksionet
tona teorike por as manifestimet tona deterministe praktike. Një moment tjetër në formë imazhi
si një lloj metafore është ‘Rrota’ që është orientim i të pa-orientuarit, atij qëndron vetëm – por,
kjo nuk është e tëra kemi këtu lidhjen edhe me një koncept filozofik të filozofit Friedrich
Nietzsche e ai është: “rikthimi i përhershëm i së njëjtës” që në filmin e Yll Çitakut transformohet
në ndërrimin ciklik stinëve, jo si kronologji e kohës që kalon, por vetëm si një mot tjetër në
gjendjen e monotonisë së thellë. Ndërsa mono-tingujt dhe minimalizmi muzikor në film na e
bëjnë edhe më të fuqishëm përjetimin e kësaj gjendjeje të monotonisë.

Leximi i dytë paraqet manifestimin e dhunës totalitare në makthin që e përjetojnë personazhet ku


dresura si “teknologji e pushtetit” (Foucault) thellësisht represiv konvergon me hapësirën ku
manifestohet. Ëndrra si makth, nuk mund t’i ik imazhit tonë për ‘arkitekturën opresive’ të
brutalizmit. Simetria dhe rendi duket që janë vetëm si menaxhim i njerëzve nëpër hapësira sepse
ashtu na manifestohet edhe në film. Por, këto rende, këto simetri janë vendet ku shpresa
përfundimisht humb dhe ndihet zëri “këtu bien njerëzit” – nga utopia e simetrisë së zyrave dhe
banesave në simetrinë e uzinave - të dyjat janë brutale sikurse vet regjimet totalitare. Çitaku me
një mjeshtëri të jashtëzakonshme mbërrin që nëpërmjet thyerjes së kohë-hapësirës të na e thotë
heshtur karakterin më dehës dhe njëkohësisht më të çoroditur të ëndrrës, atë të përjetimit të se
kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes, vetëm si e tashme. Kjo, e tashme brenda internatit e ka
vetëm një akt momental të lirisë, ku seksi dhe dëshira mes personazheve kryesore e bën më të
lehtë vajin për liri.
Edhe, pse këto dy lexime që i parashtruam mund të tingëllojnë dhe të na duken si antagoniste,
nganjëherë si alternativa karshi njëra-tjetrës, ato kanë një të përbashkët - që e shpërfaqin imazhin
e vetmisë e që mund ta përjetojmë në analizën ekzistenciale të diskursionit onierik. Kjo, fuqi
onierike që kapërthehet në ekzistencë nëpërmjet filmit mund të na jep lirinë e poli-tregimit që
vetëm kinematika me vorbullën e saj të metaforave mundet të na lejojë. Edhe këto lexime janë
pjesë e një rrjeti të leximeve që mund t’i bëjmë për filmin ku duket se Çitaku na dëfton atë pikën
arkimediane të vet kinemasë që: “nuk ka kinema totale (...) dhe kinemaja ende nuk ka filluar”
(Andre Bazin).

Për fund, duke ndjekur gjurmët e inspirimit të tij (Andrei Tarkovsky), Çitaku nuk e ‘Skulpturon
Kohën’ por e ‘Skulpturon Ëndrrën, Ankthin dhe Ekzistencën.’ Ekzistenca, ëndrra dhe ankthi
mund të na duken si shëmti por ato janë vet fuqia kreative e poetikës kinematike të Çitakut.
Ndoshta, për ta rikapituluar këtë poetikë onierike duhet t’i referohemi vet filmit: “Të zgjuarit
janë bashkë në botë, kurse të fjeturit janë veç”.

You might also like