You are on page 1of 21

"SISTEMI TATIMOR DHE ZBATIMI I PROCESIT TE

FISKALIZIMIT"

U bënë shumë vite që flitet për nivelin e lartë të informalitetit në vendin tonë. Ky problem
diskutohet në parlament, në institucionet shtetërore, në mediat e shkruara dhe elektronike, madje
dhe në bisedat e përditshme. Të gjithë shqetësohemi, pasi dihen dëmet e pallogaritshme që sjell
informaliteti, jo vetëm në rënien e të ardhurave dhe rritjen e pabarazisë ndërmjet tatimpaguesve,
por edhe në ushqimin e korrupsionit dhe rënien e nivelit të shërbimeve publike në përgjithësi.

Të gjithë jemi dakord që informaliteti duhet të ulet sa më shumë, por të gjithë duhet të
kontribuojmë duke filluar nga vetja dhe njerëzit që na rrethojnë, sigurisht pa mohuar rolin
edukativ dhe shtrëngues të institucioneve përgjegjëse shtetërore. Praktika po tregon se, pa një
dëshirë dhe bashkëpunim të të gjithë faktorëve, përfshirë institucionet publike qëndrore dhe
lokale (dhe jo vetëm tatimet), shoqërinë civile, bisneset, OJQ-të dhe qytetarët në përgjithësi,
pavarësisht nga bindjet politike, nuk mund të arrihen suksese të rëndësishme në luftën kundra
informalitetit.

Kohët e fundit po diskutohet shumë për fiskalizimin ose e thënë ndryshe lëshimin dhe pranimin e
faturave online dhe marrjen e informacionit në kohë reale për të gjitha transaksionet bisnesore.
Diskutohet shumë për vështirësitë teknike që do të paraqesë zbatimi i këtij procesi, por përtej të
gjitha vështirësive të momentit, është domosdoshmëri që ti përshtatemi procesit, pasi fiskalizimi
shënon një standard të ri operimi të ekonomisë dhe Shqipëria po e vuan shumë nevojën për
formalizim. Faturimi online dhe përpunimi i informacionit në kohë reale është një mundësi
efikase për rritjen e formalizimit dhe të konkurencës së ndershme.

Zbatimi me sukses i fiskalizimit kërkon një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet administratës


tatimore dhe tatimpaguesve, me qëllimin që të adaptohen zgjidhjet e duhura teknike për çdo
problem dhe të lehtësohet barra administrative për tatimpaguesit dhe për administratën tatimore.
Fakti që ky proces ka qenë i suksesshëm në vende të tjera, duhet të na stimulojë që edhe ne të
kemi një rezultat të tillë, sigurisht duke konsideruar veçoritë bisnesore, përmasat e ekonomisë,
nivelin e zhvillimit, etj.
Ky model i ri i fiskalizimit është zgjedhur duke u bazuar në analizimin e modeleve të ndryshme
të aplikuara sot në botë. Ekspertë nga Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e
Tatimeve, AKSHI dhe institucione të tjera, vlerësuan opsione të ndryshme teknike dhe
financiare.

Modeli i bazuar në këtë sistem fiskalizimi u përzgjedhur pasi garanton aplikimin e teknologjisë
më të fundit, bazuar në standardet e Bashkimit Europian dhe me mundësi më të mira përshtatjeje
për strukturën e ekonomisë shqiptare. I njejti model është aplikuar në shumë vende të BE-së vitet
e fundit si në Koraci, Slovaki, Çeki, Sloveni etj. Ky model i zgjedhur konsiderohet nga ekspertët
si më i avancuari dhe më i lehti në zbatim.

Përse na shërben fiskalizimi?

Na ndihmon të ulim taksat – me projektin e fiskalizimit ne reduktojmë ekonominë


informale. Kështu sigurohemi që më shumë individë, të cilët aktualisht ushtrojnë aktivitet
në të zezë, pa deklaruar dhe paguar detyrimet, tani do t’i paguajnë detyrimet e tyre.
Formalizimi i ekonomisë zgjeron rrethin e tatimpaguesve, duke ndërtuar kështu shanse
reale për uljen e taksave.
Personat që nuk paguajnë taksa, po vjedhin nga të gjithë ne – tatimpaguesi që nuk
paguan detyrimet e tij, është duke vjedhur çdo qytetar shqiptar. Mbledhja e taksave ka
lidhje të drejtëpërdrejtë me investimet publike; rrugë, shkolla, spitale, parqe, etj. Kur
biznesi nuk e deklaron, këto të ardhura në vend që të rrisin buxhetin e shtetit dhe në këtë
mënyrë investimet publike, humbasin në xhepat e atyre që abuzojnë me paratë tona.
Nuk ka ndryshim për tatimpaguesit e rregullt – për tatimpaguesit e rregullt ky projekt
nuk sjell asnjë ndryshim thelbësor. Ata do të duhet të modernizojnë formatin e tyre të
raportimit me një teknologji të re, por pa afekt në veprimtarinë e tyre të biznesit dhe
shumë pak, ose aspak efekt financiar.
Na ndihmon të identifikojmë parregullsitë – Sistemi i ri do t’i japë mundësinë çdo
qytetari të verifikojë nëse fatura, për mallin apo shërbimin që ka paguar, është raportuar
në sistemin tatimor. Me hapa shumë të thjeshtë, duke skanuar parametrat unikë të faturës,
ju do të jeni në gjendje të verifikoni, nëse ajo është raportuar në sistemin tatimor. Kështu
do të keni mundësinë të ushtroni të drejtat tuaja si qytetar dhe të denonconi kur dikush
lëshon një faturë të parregullt.
Modernizon biznesin – sistemi i ri i fiskalizimit e shtyn të gjithë ekonominë të përdorë
më pak letër dhe burokraci, drejt një sistemi elektronik transaksionesh. Ky system i ri
modernizon të gjithë ekonominë, duke rritur efiçencën e saj.
Anëtarësimi në BE – modernizimi i sistemit tatimor, transparenca në të bërit biznes,
përdorimi i faturës elektronike (e-fatura - në përputhje me normat e Bashkimit Europian),
janë të gjitha parapërgatitje të domosdoshme, që do të na ndihmojnë në rrugëtimin tonë
për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Të shmangim jo-paguesit– me sistemin e faturës elektronike (e-fatura), është më e
thjeshtë për të gjurmuar pagesat dhe për të identifikuar kompanitë që gjenerojnë paaftësi
paguese duke mos paguar faturat në periudhën e detyrueshme.

Cilat janë rezultatet e pritshme?

Ka shumë përfitime dhe rezultate të pritshme nga ky system:

Mbledhje më e mirë e tatimeve në shkallë vendi, ku zëri kryesor mbetet Tatimi mbi
Vlerën e Shtuar. Duke iu referuar rezultateve të arritura në vendet e tjera që zbatojnë këtë
sistem, në mbledhjen e TVSH-së janë regjistruar rritje nga 10-15%, krahasuar me të
ardhurat nga TVSH-ja, përpara aplikimit të këtij sistemi. Rritje priten edhe në kategori të
tjera tatimesh (psh. Tatimi mbi të Ardhurat).
Ulje e informalitetit – duke përmirësuar dy aspekte kryesore – raportimi i më shumë
transaksioneve me para në dorë dhe ulja e transaksioneve të fshehura pa para në dorë, me
një kontroll më të mirë të sistemit fiskal, do të reduktohet informaliteti në ekonominë
shqiptare.
Rritje e efiçencës në raportimin tatimor – me më shumë informacion të mbledhur nga
një tatimpagues, Administrata Tatimore do të jetë në gjendje t’i ofrojë një shërbim më të
mirë tatimpaguesit, si plotësim paraprak i faturave të TVSH-së me të dhëna tashmë të
gatshme të tatimpaguesit.
Përmirësim i kontrollit tatimor dhe verifikimit në terren – duke përdorur sistemin e
fiskalizimit, mundësohet kontrolli dhe inspektimi tatimor mbi bazën e riskut, çka do të
rezultojë në identifikimin e drejtëpërdrejtë të abuzuesve, duke shmangur kështu
inspektimet në bizneset e rregullta.
Angazhimi qytetar – përmes verifikimit të faturave që paguajnë, - nëse janë deklaruar
apo jo në sistemin tatimor, - vetë qytetarët ndihmojnë dhe bëhen pjesë e luftës kundër
informalitetit dhe abuzimit të atyre që punojnë në të zezë.
Digjitalizimi i ekonomisë – përmes përmirësive në programin software të fiskalizimit,
zgjerohet mundësia për të shtuar digjitalizimin e proceseve në pikat e shitjes, veçanërisht
për tregun e SME në vend. Kjo do të çojë në një ekonomi sa më pak burokratike, me
lehtësi të shtuara në shkëmbimin e informacionit mes biznesit dhe qeverisë dhe bizneseve
me njëri-tjetrin po ashtu.
POR PSE LINDI NEVOJA PER TE APLIKUAR NJE SISTEM TE RI FISKALIZIMI?

Sistemi i vjeter i pajisjeve fiskale në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve mundësonte që të


dhënat financiare te merreshin nëpërmjet transmetimeve të raporteve ditore “Z”m nga pajisje
fiskale, të cilat i transmetonin të dhënat në sistemin qendror nëpërmjet GPRS, në fund të ditës së
punës dhe jo në kohë reale. Sistemi i instaluar në 2009, mbështetej në teknologjinë e asaj kohe,
por nuk arrin standardet që kanë aktualisht shumica e vendeve të Bashkimit Europian, sidomos
duke e vlerësuar në pikëpamje të efektivitetit të kostos si për tatimpaguesit ashtu edhe për
Qeverinë.

Ky sistem i ri do të krijojë një mekanizëm të mbikqyrjes në kohë reale, të pajisjeve fiskale që


operojnë me para në dorë dhe atyre pa para në dorë. Ai mundëson për qytetarët që të mund të
verifikojnë në kohë reale nëse fatura që kanë marrë, është raportuar në sistemin tatimor dhe për
administratën tatimore kontroll efektiv dhe analizë të saktë e të thelluar të të dhënave tatimore.

Sistemi i ri i mundëson çdo qytetari të verifikojë menjëherë pas lëshimit të faturës, nëse ajo është
raportuar në sistemin tatimor qendror. Ky proces realizohet duke skanuar me telefon bar kodin
unik të faturës dhe dërgimin e tij të menjëhershëm në departamentin përkatës të tatimeve. Në
çastin që Adminsitrata Tatimore merr kodin, do të përgjigjet duke konfirmuar nëse kodi përkatës
egziston në databazë bashkë me detajet e faturës përkatëse. Ky verifikim i mundëson qytetarëve
të dinë nëse fatura për të cilën kanë paguar është raportuar në sistemin tatimor. I gjithë ky proces
rrit transparencën në të bërit biznes dhe ndihmon qeverinë për të luftuar evazionin fiscal, duke
qenë lehtësisht i verifikueshëm mashtrimi tatimor ose mosdeklarimi i faturave.

Për Administratën Tatimore, sistemi i ri jep mundësinë e analizës së qendërzuar dhe efektive, për
të modeluar qasjen e modulit të riskut. Kjo do të thotë që sjelljet e dyshimta do të identifikohen
lehtësisht dhe do të orientojnë identifikimin real të abuzuesve, duke shmangur inspektimet dhe
kontrollet e gjeneralizuara, të cilat penalizojnë bizneset e rregullta.

Ne 1 Shtator 2021 nisi faza e tretë e Fiskalizimit, bazuar në ligjin Nr.87/2019 “Për Faturën dhe
Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit”, i ndryshuar, ku transaksionet me para në dorë biznes-
konsumator duhet të jenë të fiskalizuara.
Administrata Tatimore Shqiptare ngriti grupe punonjësish, të cilët vizituan subjektet në mjediset
ku ushtrojnë aktivitetin, duke e konsideruar si shumë të rëndësishme informimin dhe asistencën
ndaj tatimpaguesit për Fiskalizimin.

Tatimpaguesit kanë mundësi për të fiskalizuar faturat e tyre përmes përdorimit të platformës
Self-Care ose implementimit të një zgjidhje softwarike. Subjektet që lëshojnë fatura për
transaksionet me para në dorë, mund të lëshojnë fatura dhe të kryejnë procedurën e Fiskalizimit
duke përdorur portalin Self-Care pa pagese, nëse plotësojnë kushtet e mëposhtme:

a) Nuk janë subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar.


b) Kanë përgjegjësi tatimore të tatimit të thjeshtësuar mbi fitimin për biznesin e vogël.
c) Nuk kanë më shumë se një vendndodhje të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit.
d) Kanë statusin ligjor “Person Fizik” dhe kategorinë e punësimit “I vetëpunësuar i vetëm”.
Për muajin janar 2022, nga portali Selfcare janë lëshuar 42 139 fatura nga 5464 subjekte, lëshues
faturash sipas përkufizimit ligjor. Portali funksion normalisht, ndërsa nuk ka pasur asnjë ankesë
për mosfunksionim të tij nga tatimpagues të cilëve u njihet e drejta për të lëshuar fatura, sipas
VKM-së së sipërpërmendur.
Për ta lehtësuar procesin e lëshimin e faturës elektronike nga tatimpaguesit, Administrata
Tatimore ka përditësuar portalin Self-Care duke paraqitur një version më të thjeshtësuar dhe
kuptueshëm për përdoruesit.

Kur një nga kriteret e mësipërme nuk përmbushet më prej tatimpaguesit, ata duhet të zbatojë
procedurën e Fiskalizimit me anë të zgjidhjeve software-ike të certifikuar, sipas rregullave të
përgjithshme të përcaktuara në ligj.

Deri më tani nga AKSHI dhe DPT janë certifikuar 33 kompani.

Tatimpaguesit kanë mundësinë të bëjnë përshtatjen e pajisjeve fiskale ekzistuese në përputhje me


ligjin e Fiskalizimit, edhe nëpërmjet një numri të konsiderueshëm të kasave aktuale, të cilat
suportojnë këtë reformë, përmes implementimit të një softi të ndërmjetëm.

Më 1 Janar 2021 filloi lëshimi i faturave elektronike kundrejt enteve publike në përmbushje të
detyrimit ligjor që rrjedh nga Ligji i Fiskalizimit, por edhe kundrejt subjekteve private,
pavarësisht se Ligji parashikonte periudhë tranzitore.

Më 1 Korrik 2021 hyri në fuqi fiskalizimi i të gjitha transaksioneve pa para në dorë, ndërmjet
tatimpaguesve, pra biznes me biznes.

FAZAT E FISKALIZIMIT

Fiskalizimi ka përfshre tre faza deri në implementimin e plotë të tij:

“B2G”: Faza e parë përfshin përpilimin elektronikisht të faturave tatimore për subjektet
që kanë një marrëdhënie shitblerjeje me institucionet shtetërore. Implementimi i kësaj
faze ka filluar në 01.01.2021. Lëshimi i faturës tatimore me entet publike, nga të gjithë
tatimpaguesit e regjistruar, realizohet nëpërmjet sistemit të fiskalizimit.
“B2B”: Faza e dytë përfshin përpilimin elektronikisht të faturave tatimore midis
subjekteve private që kanë një marrëdhënie shitblerjeje dhe pagesa/arkëtimi kryhet pa
para në dorë (vetëm me bankë). Implementimi i kësaj faze filloi në 01.07. 2021. Të gjithë
tatimpaguesit e regjistruar që do t’i lëshojnë një faturë tatimore një subjekti tjetër privat
do të realizohet nëpërmjet sistemit të fiskalizimit.
“B2C”: Faza e tretë përfshin përpilimin elektronikisht të faturave tatimore për subjektet
që kanë një marrëdhënie shitblerjeje me subjekte private dhe konsumatorët finalë.
Implementimi i kësaj faze filloi në 01.09. 2021. Të gjithë tatimpaguesit e regjistruar që
do t’i lëshojnë një faturë tatimore një subjekti privat dhe subjekt privat me konsumatorin
final, do të realizohet nëpërmjet sistemit të fiskalizimit. Në këtë fazë pagesa dhe arkëtimi
bëhet vetëm me para në dorë.
RAPORTIM I SITUATES AKTUALE, TATIMET: 70% E SUBJEKTEVE JANË
FISKALIZUAR; 82% E BIZNESIT TË VOGËL ËSHTË PAJISUR ME
CERTIFIKATË ELEKTRONIKE
Procesi i fiskalizimit që nisi fillimisht nga 1 janari 2021 zbatimin për transaksionet mes enteve
publike po shkon drejt fundit. Në total sipas të dhënave të përditësuara të DPT për “Monitor”
prej datës 1 Janar 2021 deri me 18 Maj 2022 janë fiskalizuar 70% e totalit të bizneseve aktive.
Nga 118,953 që është totali i bizneseve aktive sipas të dhënave të tatimeve 83,202 prej tyre
rezultojnë të fiskalizuar.

Rreth 1 muaj para përfundimit të periudhës pa penalite, rreth 82% e bizneseve të vogla janë të
pajisur me certifikatë elektronike për fiskalizimin. Në total nga 1 janar 2021 deri më 18 maj 2022
janë 74,647 tatimpagues të vegjël aktivë të pajisur me certifikatë fiskalizimi nga 92,000 që është
totali i biznesit të vogël aktiv. Nga nisja e fiskalizimit deri tani janë lëshuar 339 mln fatura të
fiskalizuara.

Për subjektet e vogla afati i periudhës pa penalitete për fiskalizimin përfundon më 30 qershor
2022. Gjobat për subjektet e vogla do të fillojnë të aplikohen pas 30 qershorit 2022, sipas
ndryshimeve të Aktit Normativ në ligjin “Për procedurat tatimore”. Periudha pa gjoba do të
zbatohet deri në fund të qershorit 2022 edhe për ndërmarrjet që ofrojnë furnizimin me ujë për
konsumatorët finalë, si dhe tregu i rregulluar i energjisë elektrike; bankat apo institucionet
financiare për njoftimin e pagesave të e-Faturave të lëshuara nga subjektet tatimpaguese.

Faza e parë e fiskalizimit nisi zbatimin më 1 janar 2021 për transaksionet pa para në dorë mes
sipërmarrjeve dhe enteve publike. Faza II, që nisi më 1 korrik, përfshiu në procesin e ri të
faturimit, transaksionin papara në dorë mes bizneseve.

Në këtë fazë u hasën probleme me bllokimin e portalit SelfCare për shkak të mbingarkesës. Në
fazën përfundimtare, që konsiderohet dhe më delikatja, u përfshinë nga 1 shtatori i vitit të kaluar
92,000 biznese të vogla për shitjet me para në dorë.

Deri në fund të vitit të kaluar u realizua gjysma e procesit. Ndërveprimi me bizneset që nuk ishin
të pajisur me certifikatë elektronike ishte i pamundur, sipas ekspertëve pasi nuk njihet TVSH-ja e
zbritshme. Nga kontabilistë më herët është ngritur edhe shqetësimi i plotësimit të librave të
shitjeve në e-filing dhe hedhja e tyre manualisht në sistemin e fiskalizmit.

Ndërsa nga 1 korrik 2022, librat e shitjes/blerjes dhe deklarata e TVSH-së do të plotësohen
automatikisht, sipas të dhënave të sistemit të fiskalizimit. Për muajt prill-qershor tatimpaguesve
po u ofrohet nga tatimet një hapësirë e dedikuar për të raportuar çdo problematikë, që kanë hasur
gjatë dorëzimeve manuale në e-filing, me qëllim zgjidhjen e çdo problematike dhe përmirësimin
e shërbimit.

Dorëzimi i deklaratës së TVSH-së apo librave të shitjes dhe blerjes do të vijojë të kryhet
nëpërmjet llogarive në e-filing deri më 30 qershor. Kontabilistët paralajmërojnë se pas kësaj
periudhe shumë biznese do të hasin vështirësi, për shkak të pamundësisë për kryerjen e
korrigjimeve në sistemin e fiskalizuar.

Rinovoni certifikatën elektronike për fiskalizimin 30 ditë para përfundimit të afatit të


vlefshmërisë. Administrata Tatimore: Aplikimi në ditën e fundit të afatit, ju ekspozon me rriskun
e mosrinovimit të certifikatës në kohë

Drejtoria e Pёrgjithshme e Tatimeve ka njoftuar tё gjithё tatimpaguesit, tё cilёt prej 1 Janarit


2021 kanё nisur tё lёshojnё fatura tё fiskalizuara, se duhet tё marrin masa paraprake pёr
rinovimin e certifikatës elektronike për fiskalizimin, në përputhje me afatet e vlefshmërisë së
kësaj të fundit.

DPT u bën thirrje tatimpaguesve të aplikojnё për rinovimin e nënshkrimit elektronik deri nё 30
ditë përpara datës, kur i skadon certifikata për të eliminuar çdo mundësi, që mund tu riskojë
rinovimin e certifikatës në kohë, në zbatim të legjislacionit në fuqi.

Administrata Tatimore risjell nё vёmendje se aplikimi për rinovimin e nëshkrimit elektronik për
fiskalizimin ёshtё e njёjtё me aplikimin për herë të parë. Nëpërmjet shërbimit elektronik në
platformën qeveritare e-Albania.

Administrata tatimore njofton bizneset se për shamngur gjobat nevojitet të informojnë në kohë
tatimet dhe Avokatin e Tatimpaguesve për çdo problem që hasin për zbatimin e fiskalizimit.

Në mbrojtje të të drejtave tuaja, lidhur me zbatimin e procesit të fiskalizimit të faturës, Avokati i


Tatimpaguesit nxit bizneset që për çdo problem që ju shfaqet lidhur me procedurën e fiskalizimit
të faturës, ku përfshihen ndër të tjera: Lëshimi certifikatës elektronike për fiskalizimin nga
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit; Instalimi i zgjidhjes software-ike apo pajisjes
fiskale nga subjektet e certifikuara për procesin e fiskalizimit dhe dhënia e asistencës së duhur në
lidhje me të; Plotësimi dhe lëshimi i faturës së fiskalizuar t`i drejtoheni menjëherë për informim
strukturës përkatëse të shërbimit ndaj tatimpaguesit, pranë drejtorisë rajonale tatimore ku keni të
regjistruar veprimtarinë tuaj të biznesit.

Informimi në kohë i organit tatimor lidhur me çdo problem që ju shfaqet lidhur me faturën dhe
sistemin e monitorimit të qarkullimit, mundëson shmangien e pasojave që rrjedhin nga zbatimi i
penaliteteve që janë parashikuar për moslëshimin e faturës nga legjislacioni tatimor në fuqi.

Nëse nga administrata tatimore nuk merrni sqarimet e nevojshme lidhur me zbatimin e
procedurës së fiskalizimit të faturës, mos hezitoni të kontaktoni Avokatin e Tatimpaguesit, pranë
Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Nr.3,
Tiranë; si dhe në rrugë elektronike në adresën e postës elektronike:
avokati.tatimpaguesit@financa.gov.al.

30 QERSHORI AFATI I FUNDIT I FISKALIZIMIT PER SHTYRJEN E PENALITETEVE


NDAJ BIZNESIT TE VOGEL

Po i afrohemi fundit te periudhes pa penalitete për biznesin e vogël që nuk është fiskalizuar.
Gjobat për subjektet e vogla do të fillojnë të aplikohen pas 30 qershorit 2022, sipas ndryshimeve
të Aktit Normativ për shtesën në ligjin “Për procedurat tatimore” i botuar në Fletoren Zyrtare më
27 dhjetor 2021. Afati fillestar ishte 31 dhjetor 2021.

Periudha pa gjoba do të zbatohet deri në fund të qershorit 2022 edhe për ndërmarrjet që ofrojnë
furnizimin me ujë për konsumatorët finalë, si dhe tregu i rregulluar i energjisë elektrike; bankat
apo institucionet financiare për njoftimin e pagesave të e-Faturave të lëshuara nga subjektet
tatimpaguese.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se vendimi synon dhënien e kohës të
mjaftueshme që të ngrenë, të përshtasin dhe të familjarizohen me lehtësi dhe sa më mirë me
fiskalizimin. “Qasja jonë do të vijojë të jetë edukuese dhe këshilluese, me qëllim rritje e
efektivitetit të procesit, zbatimin e plotë dhe raportimin në kohë reale”, pohoi znj. Ibrahimaj.

Vendimi për shtyrjen e periudhës pa penalitete merret kur vetëm 42% e biznesit të vogël janë
fiskalizuar. Një vit nga fillimi i fiskalizimit, procesi po zbatohet nga 50% e bizneseve që kanë
detyrimin të fiskalizohen dhe me problematika të pazgjidhura teknike. Deri në mesin e dhjetorit,
nuk ishin pajisur me certifikata elektronike edhe 25% e subjekteve.

Shtyrja e afatit vetëm për subjektet e vogla u kundërshtua nga kontabilistët, pasi kjo masë
automatikisht dëmton sipërmarrjen e madhe. Problematikat që u paraqitën nga kontabilistët në
takimin me temë “Fiskalizimi, mundësitë, sfidat dhe vështirësitë”, nuk e shmangin shtyrjen e
procesit, jo vetëm për biznesin e vogël, por edhe për të mëdhenjtë.

Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe kompanitë e tregtimit të kasave kërkuan shtyrjen e afatit pa
penalitete edhe për një vit për bizneset e pafiskalizuara. Për herë të parë Akti Normativ për
mospalikim të gjobave u miratua në fund të muajit shtator 2021 kur nisi zbatimin faza III për
tatimpaguesit e vegjël. Vendimi parashikonte përfundimin e afatit të periudhës pa penalitete deri
më 31 dhjetor 2021.

Zbatimi i procesit, pavarësisht se nuk është i plotë, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve,
po jep efekte pozitive në uljen e informalitetit. Për periudhën janar-nëntor, arkëtimi i TVSH-së
është 4% më shumë se në 2019-n dhe të ardhurat janë 7% më tepër. Administrata tatimore
parashikon se faturimi i ri do të rrisë të ardhurat e TVSH-së 10 deri në 11% më shumë se tani në
5 vitet e ardhshme.
Sa biznese pritet të fiskalizohen

Administrata tatimore nuk parashikon fiskalizim të plotë të 120,000 bizneseve. Në takimin e


zhvilluar me kontabilistët, përfaqësuesja e DPT-së u shpreh se janë një numër subjektesh të
mëdha dhe të vogla të mbyllura, por duke qenë se kanë ende detyrime fiskale të papaguara, nuk
kalojnë dot në status pasiv.

“Për këtë arsye, numri i bizneseve të fiskalizuara do të jetë më pak se 120,000 subjekte”, pohoi
DPT. Deri më 14 dhjetor, sipas të dhënave të Tatimeve që u prezantuan në takim, janë fiskalizuar
60,000 subjekte nga 120,000 i totalit të bizneseve aktive. Me certifikatën elektronike janë të
pajisur 89,000 biznese (75% e totalit të tyre). 42% e totalit të bizneseve të vogla janë fiskalizuar,
ndërsa po shkon drejt mbylljes procesi për biznesin e madh. Deri në mesin e dhjetorit u
fiskalizuan 74% e tyre.

Tatimet pranuan se ecuria e faturimit të ri është ende në nivele të ulëta për biznesin e vogël.
Vonesa në përgjigje për materialet e përshtatjes së kasave ndaj kompanive të pajisjeve fiskale,
problematikë e krijuar për shkak të pandemisë konsiderohet nga DPT faktori kryesor që ka
penguar biznesin e vogël të fiskalizohet. “Tatimpaguesit e vegjël janë më tepër të familjarizuar
me përdorimin e pajisjeve fiskale.

Për fiskalizimin nga këta tatimpagues po kërkohet më tepër përdorimi i kasës së përditësuar. Për
sa i përket biznesit të madh, fundi i vitit 2021 i gjen të gjithë të fiskalizuar”, theksuan Tatimet në
takimin e kontabilistëve. Aktive rezultojnë 163,611 kasa fiskale.

Numri i kasave që nuk mbështesin fiskalizmin është në 9,605 (6% e totalit të kasave). Ndërsa
numri i kasave fiskale që përshtaten për faturimin e ri janë 154,006. Deri në fund të tetorit, 7% e
atyre bizneseve që përdorin kasat fiskale kanë zgjedhur të punojnë me pajisjen fiskale të
azhurnuar për procesin e fiskalizimit.

Fiskalizimi në shifra

“Numri i bizneseve të fiskalizuara do të jetë më pak se 120,000 subjekte”, pohoi DPT. Deri më
14 dhjetor, sipas të dhënave të Tatimeve që u prezantuan në takim, janë fiskalizuar 60,000
subjekte nga 120,000 i totalit të bizneseve aktive. Me certifikatën elektronike janë të pajisur
89,000 biznese (75% e totalit të tyre). 42% e totalit të bizneseve të vogla janë fiskalizuar, ndërsa
po shkon drejt mbylljes procesi për biznesin e madh. Deri në mesin e dhjetorit u fiskalizuan 74%
e tyre.

Tatimet nisin në 2022 monitorimin e kompanive software

Në total janë të licencuara 36 kompani që ofrojnë zgjidhjet software të fiskalizimit. 2022 do të


nisë me zbatimin e disa elementëve rregullues mes DPT-së, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë
së Informacionit (AKSHI) dhe kompanive software. “Ofertuesit e zgjidhjeve software do të
monitorohen me qëllim shmangien e problematikave. Për monitorimin e tyre do të hartohen disa
elemente rregulluese të mbështetur në ligjin për fiskalizimin”.

Në fazën e dytë të fiskalizimit, në muajin korrik, ku u rrit numri i bizneseve pjesëmarrëse për
faturimin e ri, kontabilistët ngritën si shqetësim se disa nga kompanitë e certifikuara për
programet software, nuk ishin në gjendje të hartonin faturën në formatin e duhur dhe për të
përcjellë të dhëna sipas formatit të ri. Kompanitë nuk ofronin edhe ndërlidhjen direkte të
programeve software me programet e kontabilitetit që përdorej nga shumica e bizneseve.

Referuar çmimeve të tregut, kostoja për përditësimin e një programi kontabiliteti varionte nga
32,000 lekë dhe tarifë shërbimi 26,000 lekë. Situata u ndoq me shqetësim nga kontabilistët, pasi
nëse bizneset do të vazhdonin të qëndronin me të njëjtin program, rrezikonin të mos kryenin
pasqyrat financiare.

Për zgjidhjen e këtij ngërçi, më 20 korrik, u botuan në Fletoren Zyrtare ndryshimet e vendimit
“Për kërkesat teknike dhe funksionale të zgjidhjes software, për procedurën e faturimit dhe të
fiskalizimit, si dhe procedurën e kritereve për regjistrimin e prodhuesve e të mirëmbajtësve të
zgjidhjeve software” që lejonte operatorët të përmirësonin versionet e programeve të tyre.

Problematikat e procesit

Ndërprerja e internetit jashtë zonave urbane, kostot e larta të fiskalizimit për sipërmarrjet
importuese, pasqyrimi jo i duhur i librave të shitjes në platformën SelfCare sipas metodikës së
familjarizuar për sipërmarrjet në e-filling, mungesa e ndërveprimit me bizneset që nuk janë
pajisur me certifikatë elektronike ishin shqetësimet kryesore të prezantuara në konferencën e
mbajtur nga ekspertët dhe audituesit nga IKM dhe IEKA.
Vlerësimi kryesor i bërë nga të gjithë palët në këtë takim ishte që procesi i fiskalizmit është i
rëndësishëm dhe duhet të realizohet me sukses. Fiskalizimi mund të ndihmojë në përmirësimin e
mbledhjes së tatimeve, të reduktojë informalitetin etj.

Shqetësimi i pëgjithshëm i diskutimeve përvec të tjerash ishte që ky proces të realizohet sa më


mirë, të pranohet sa më gjerësisht dhe të mos ketë probleme të cilat do të mund të pengonin,
vështirësonin apo edhe kundërshtonin fiskalizmin.

Për këtë arsye, nisur nga rëndësia e këtij procesi u evidentuan problemet kryesore që dolën nga
prezantimet dhe diskutimet e bëra në këtë takim si dhe rekomandimet për zgjidhjen e tyre:
domosdoshmërinë e menaxhimit më të mirë teknik të procesit, pasi bizneset po përballen me
probleme që nisin që nga dobësia e rrjetit të internetit deri te serverët e mbingarkuara të AKSHI-
t.

LIBRAT DO VIJOJË TË DORËZOHEN ME FORMATIN EKZISTUES DERI NË QERSHOR 2022

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka informuar të gjithë tatimpaguesit, subjekt i Tatimit mbi


Vlerën e Shtuar se dorëzimi i deklaratës së TVSH-së librave të shitjes dhe blerjes për periudhën
deri në Qershor 2022, do të vijojë të kryhet nëpërmjet llogarisë së deklarimit elektronik në e-
filing.

Në vijim të Aktit Normativ nr. 36, datë 24.12.2021, zbatimi i sanksioneve lidhur me këtë proces
për tatimpaguesit që ofrojnë furnizimin me ujë për konsumatorët finalë, si dhe tregu i rregulluar i
energjisë elektrike do të fillojnë të zbatohet pas datës 30 qershor 2022.

Deklarata e TVSH-së, librat e shitjes dhe blerjes do të vijojnë të dorëzohen manualisht, duke
patur mundësinë e verfifikimit në to të të dhënave të faturave të fiskalizuara si dhe shtimin
manualisht të faturave të lidhura me furnizimin me ujë dhe energji elektrike, thuhet në njoftimin
e tatimeve.

NGA 1 KORRIKU, DEKLARATA E TVSH-SË DHE LIBRAT E SHITJES/BLERJES PLOTËSOHEN


AUTOMATIKISHT NGA SISTEMI I FISKALIZIMIT
Nga data 1 korrik 2022, librat e shitjes/blerjes dhe deklarata e TVSH-së do të plotësohen
automatikisht, sipas të dhënave të sistemit të fiskalizimit.
Deri atëherë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron tatimpaguesit se dorëzimi i deklaratës
së TVSH-së apo librave të shitjes dhe blerjes do të vijojë të kryhet nëpërmjet llogarive në e-
filing.

Sipas DPT-së, gjatë muajve prill-qershor tatimpaguesve do t’u ofrohet një hapësirë e dedikuar
për të raportuar çdo problematikë, që kanë hasur gjatë dorëzimeve manuale në e-filing, me
qëllim zgjidhjen e çdo problematike dhe përmirësimin e shërbimit.

“Me qëllim adresimin dhe zgjidhjen e çdo problematike të hasur gjatë plotësimit të faturave të
blerjes apo shitjes në portalin SelfCare, në menutë: “Artikulli i librit te Blerjes dhe Artikulli i
librit të shitjes”, DPT i bën thirrje tatimpaguesve të raportojnë në të gjitha kanalet e komunikimit
të Administratës Tatimore, si përmes platformës Help Desk, në faqen zyrtare:
http://helpdesk.tatime.gov.al edhe nëpërmjet adresave zyrtare të postës elektronike të Drejtorive
Rajonale, ku tatimpaguesi është i regjistruar (https://www.tatime.gov.al/c/9/157/drejtorite-
rajonale), informon Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

FISKALIZIMI SHTOI TË ARDHURAT, TVSH-JA U RRIT ME 22% NË RAPORT ME 2019

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë gjatë një bilaci për vitin që lamë pas ka vlerësuar se rritja e
të ardhurave tatimore ka pasur në bazë të saj ecurinë më të mirë të ekonomisë por edhe ndikimin
e reformave të ndërmarra ku ndër të tjera fiskalizimin. Tregues i kësaj sipas Ibrahimaj-t është
rritja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar ku të ardhurat në vitin 2021 janë rritur me 24 për qind në
krahasim me 2020 dhe 22 për qind në raport me vitin 2019. Ky zë ka pasur edhe ecurinë më të
mirë ndër gjithë zërat e tjerë.

Sa i takon një panorame më të gjerë Ibrahimaj tha se të ardhurat dhe shpenzimet janë rritur
ndejshëm krahasuar me një vit më parë.

“Respektivisht të ardhurat në vitin 2021 janë rritur me 20% në raport me vitin 2020 dhe 11% në
raport me 2019. Kjo rritje ka ardhur si rezultat i ecurisë së mirë ekonomike, por edhe si rezultat i
miradministrimit fiskal.

Shpenzimet janë rritur me 21% në vitin 2021 krahasuar me 2020 dhe 11.2% krahasuar me 2019.
Në drejtim të të ardhurave përformancë me të mirë ka pasur të ardhurat mi tatimin e vlerës së
shtuar, e rritur me 24% krahasuar me 2020 dhe 22% nga 2019. Kjo është një shenjë e mirë që
konsumi është duke u rritur dukshëm me nivelet e para krizës.

Të ardhurat nga fondet speciale në 2021, të cilat janë rritur me 13.6% në krahasim me 2020 dhe
12.7% në krahasim me 2019. Kjo është shenjë që punësimi ka pasur një trajektore rritëse.

Rrija e shpenzimeve kapitale është rritur me 31,4% në vitin 2021 krahasuar me vitin pararendës,
dhe 15.8% në raport me 2019”, deklaroi ministrja.

Ibrahimaj: Janar 2022, të ardhurat u rritën me 29.47%, një nga arsyet fiskalizimi

“Dhe janari i këtij viti në drejtim të të ardhurave ka të dhëna shumë premtuese”.

Të ardhura në janar janë rritur 29.47% krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, ku zëri
kryesor në rritje është tatimi mbi vlerën e shtuar, i cili është rritur me 35%, kjo është shenjë që
konsumi vijon të rritet.

Po ashtu të ardhurat nga fondet speciale, që përfshijnë të ardhurat nga kontributet dhe sigurimet
shoqërore janë rritur me 14,58% në krahasim me dhjetorin e një viti më parë.

Këto janë shifra që tregojnë që punësimi ka ardhur në rritje, por dhe formalizimi i ekonomisë ka
ardhur në rritje.

Arsyet e rritjes janë të shumta, por unë dua të theksojë reformat e qeverisë, dhe dua të ndalem në
reformën e fiskalizimit, sipas të dhënave më të fundit 89.4% e biznesit të madh ka filluar
procesin e fiskalizimit, po ashtu edhe 87% e biznesit të vogël. Bizneset që kanë përfunduar
procesin e fiskalizimit dhe janë të afta të lëshojnë faturë janë 72 mijë e 309. Gjatë këtij viti janë
lëshuar gjithsej 198 milion fatura.

Kontroll subjekteve që abuzojnë me deklarimin e pagave të punonjësve

“Në fund të këtij muaji nisin kontrollet në terren në lidhje me informalitetin e pagave. Kontrollet
do të realizohen nga inspektorati i punës për të evidentuar shkeljet e mundshme. Synimi jonë nuk
është penalizmi i bizneseve por sensibilizimi për të bërë vete deklarimet. Instancat shtetërore do
të kryejnë detyrën dhe në rastin kur nuk do të ketë vetë deklarime do të merren masat”, u shpreh
ministrja e Financave.
REKOMANDIME
Konkluzioni përfundimtar i workshop-it ishte që procesi i fiskalizmit nuk mund të realizohet
plotësisht as në vitin 2022 dhe që për këtë arsye shtyrja e penaliteteve për këtë proces eshtë e
domosdoshme, pasi procesi i regjistrimit të tatimpaguesve nuk është përfunduar dhe nuk mund të
përfundohet brenda vitit 2021, si dhe problemet që ka platforma qendrore e faturave, dhe që ju
shkakton vështirësi dhe moszbatim korrekt të deklarimeve në platformë tatimpaguesve, janë ende
të pazgjidhura dhe nuk varen prej tyre, por prej zgjidhjes që duhet të bëjë DPT dhe MFE.

U rekomandua që DPT dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në mënyrë që të mos merret
një vendim jo i saktë, i nxituar dhe i parealizueshëm, të marrin në konsideratë çështjet dhe
problemet e ngritura në këtë aktivitet nga palët e interesuara si dhe problemet të tjera që mund të
jenë evidentuar nga Administrata Tatimore, ti vlerësojnë se cila strukturë e AT do të duhet t’i
zgjidhë ato, si dhe kohën e mundshme të zgjidhjes së tyre dhe pastaj të marrin vendimin e duhur
për sa kohe të bëjnë shtyrjen e vendosjes së penaliteteve për në vitin 2022 si për biznesin e madh
ashtu dhe për biznesin e vogël.

Nga qeveria, të kërkohet vendosja e një date limit për aplikimin e tatimpaguesve për regjistrim
në AKSHI për t’u pajisur me certifikate elektronike, përtej të cilit të vendosen dhe penalitete me
qëllim që të mos mundësohet shtyrja e pafund e zbatimit të këtij procesi.

Kontabilistët kërkuan të shtyhet zbatimi i fiskalizmit të disa proceseve të veçanta (fiskalizimi në


import apo fiskalizimi i pagesave) të cilat mund të aplikohen në një kohë më vonë, pasi proceset
thelbësore të jenë zbatuar. Kjo do t’i jepte kohën e mjaftueshme si administratës tatimore ashtu
dhe tatimpaguesve që të ambientoheshin me këtë proces dhe të përgatiteshin për implementimin
e tij të plotë. Nga ana tjetër, proceset thelbësore do të vijonin te përmirësonin dhe mbledhjen e
tatimeve sipas planit të parashikuar.

Për zgjidhjen e problemit të fiskalizmit të deklaratave doganore u rekomandua që të punohet sa


më shpejt nga administrata tatimore që fiskalizmit të bëhet nga vetë administrata e doganave apo
agjentët doganorë, dhe tatimpaguesit ti paraqitet në sistemin SelfCare në librat e tij automatikisht
fatura e importit dhe deklarimi doganor i fiskalizuar, dhe ai vetëm të bëjë kontrollet përkatëse
njëlloj si çdo faturë blerje tjetër. Për këtë sigurisht duhet të zhvillohet programi softwerik që të
ndërlidhë të dy sistemet atë të Asycuda dhe Self Care.
Krijimin e një seksioni të veçantë në HelpDesk ku të publikohen pyetjet dhe përgjigjet e
deritanishme, apo dhe një përmbledhje e problemeve të identifikuara dhe mënyrën e zgjidhjes së
tyre. Sqarimet e dhëna nga administrata tatimore duhet të jenë të aksesueshme nga të gjithë
tatimpaguesit.

Kjo do të thjeshtonte punën si të kontabilistëve ashtu dhe të administratës tatimore. Do të


evitoheshin përgjigje të veçanta për tatimpagues të veçantë apo dhe dhënien e përgjigjeve të
ndryshme për të njëjtin problem. Të forcohen kriteret e licensimit të kompanive të cilat ofrojne
zgjidhjen software-ike dhe të jenë përgjegjëse për penalitet e tatimpaguesve, që lidhen me
problematika të shkaktuara nga software.

Ekspertët, ndër të tjera, kërkuan që të realizohen ndryshimet e nevojshme ligjore, në mënyrë që


ligji i fiskalizimit të jetë konform me ligjin e TVSH-së, ligjit të Procedurave tatimore dhe që
sistemi të aksesohet njëkohësisht nga përdorues të ndryshëm në nivele të ndryshme përgjegjësie
dhe të punohet për sigurinë e konfidencialitetit të të dhënave sipas normave adekuate të sigurisë.

You might also like