You are on page 1of 2

“Pyjet janë dhurata e parë e natyrës për njerëzimin”

Irfan Çela
ish-drejtor i pyjeve, Tiranë

Me arsyetimin e luftës kundër burokracisë dhe pakësimit të


shpenzimeve, në fund të vitit 1953, u shkri Ministria e Pyjeve,
e cila, edhe pse vetëm me tre vjet veprimtari, porsa kishte vënë
“në vijë” punën në trajtimin e mbi një milion ha pyjeve. Kjo,
për pylltarët qe befasuese dhe e hidhur, pasi, si të thuash, pyjet,
kjo pasuri e paçmuar, mbeteshin pothuaj në mëshirë të fatit.
Ç’mund të bënte tekniku i pyjeve me disa rojtarë në varësi të
seksioneve të bujqësisë e të blegtorisë në rrethe? Për rrjedhojë,
në vitet 1954-1956 u krijua një gjendje shqetësuese prerjesh e
dëmtimesh në pyje, aq sa e kam të vështirë t’i përshkruaj,
megjithëse jam dëshmitar pamësor i tyre. Pa dashur, të
shfajësohem, apo të tregohem “trim pas lufte”, i ndodhur aso
kohe në detyrën e inspektorit, në arkivat e MBU ka mjaft
materiale të shkruara për shqetësimin që shprehja për atë
rrëmujë në administrimin e pyjeve. Këmbëngulja e mjaft
specialistëve e sikomos e inxh. Miço Kallamatës, që aso kohe
ishte Drejtor i Përgjithshëm i Pyjeve, bëri që të krijoheshin 5
ndërmarrjet e para të pyjeve në Shkodër, Tiranë, Elbasan,
Vlorë e Korçë, të cilat filluan nga puna me 1 prill të atij viti.
Megjithëse i kam parë me sy, e kam të vështirë të përshkruaj gjendjen e pyjeve të asaj kohe. Nuk bëhej
fjalë për pastrime nga mbeturinat, por për prerje shkatërruese, deri 50 cm mbi tokë, për trupa të
panumërt në gjendje shumë të mirë për lëndë ndërtimi, aq të nevojshme, braktisur anë e kënd
sipërfaqeve pyjore. Kjo ishte gjendja e kësaj pasurie të paçmuar, që s’e harroj kurrë. Në këto kushte
filluan punën ndërmarrjet e pyjeve, kur kuadrot e larta numëroheshin me gishta.

Ndërmarrja e pyjeve e Tiranës, fillimisht, pa pyjet kolektive, administronte 212.869 ha. Specialistë me
arsim të lartë kishte vetëm dy: kryeinxhinierin Perlat Qorri dhe inxhinier Vehbi Dermanin. Pra, kuptohet
sa vështirësi do të kishte jo vetëm për mbrojtjen, shfrytëzimin sipas kërkesave teknike, evadimin e asaj
morie lënde ndërtimi e druzjarri, të braktisura, të lëna në mëshirën e fatit, por edhe për perspektivën, për
ngritjen e fidanishteve, invetarizimin e shpatinave të zhveshura për t’u ripyllëzuar … Por, falë vullnetit,
përkushtimit të pylltarëve, bashkëpunimit ndërmjet tyre, u arrit që brenda një viti e gjysmë, nga
ndërmarrjet e Shkodrës dhe të Tiranës, të evadoheshin 280 mijë m stere dru zjarri, si dhe të pastroheshin
nga mbeturinat. Ndërsa, gjatë viteve 1956-1960 Ndërmarrja e Pyjeve e Tiranës, mundi të damkosë për
shfrytëzim 408.473 m3 lëndë ndërtimi. Damkimi, një veprim teknik, shumë i vështirë, sepse inxhinierit i
duhej të çapitej dru më dru, në shpatina e përrenj të thepisur, caktoi për shfrytëzim 1.155.918 m stere,
nga të cilat, 456 mijë të destinuara për t’u kalbur.
Objektiv tjetër ishin prerjet përmirësuese, si: ricungime, prerje kulturore, higjienosanitare, të cilat u
realizuan në 13 mijë ha. U krijuan 12 fidanishte, me sipërfaqe 14 ha dhe u pyllëzuan 947 ha. Shpate të
zhveshura, në luginën tepër të thepisur me përrenj gërryes të Selitës, atje ku ndodhet burimi që furnizon
Tiranën me ujë të pijshëm, shoqëruar me qindra m3 prita malore vetëm me gurë, pa asnjë gram çimento,
nga duararti Beqir Zela, që sot e kësaj dite, pas gjysmë shekulli, nuk kanë lëvizur dhe ajo luginë është
kthyer në një mjedis të pyllëzuar, ku të prehet shpirti. Po ashtu, u veshën me dru pyjorë shpatinat e
zhveshura të Gurit të Bardhë në Mat, ato mbi përroin e Kubenit dhe Llixhat në Peshkopi, të shoqëruara
me qindra m3 prita malore, u veshën me fidanë pishe shpatinat nga Qafmolla deri në Shëmri e në shkrep
të Shëngjergjit, Kllojkë etj. Po kjo punë u bë në shpatinat e zhveshura të Pezës dhe që nga Ndroqi deri te
Ura e Beshirit shkurret me mare u shoqëruan me fidanë pishe të butë. Një punë e u desh për gjelbërimin
e bregdetit, nga plazhi i Durrësit deri në Rrogozhinë. Po ashtu, shpatina e zhveshur shkëmbore, nga
fabrika e çimentos Fushë-Krujë deri në afërsi të Milotit, u vesh me fidanë pishe. Kujtoj qytezën e

1
Milotit, që, e ndodhur nën një përrua tepër të pjerrët e me shpatina gjysmë të zhveshura, ku, përveç se u
ricunguan e u rimbollën shpatinat, u bënë qindra m3 prita malore, gjë që vërehet edhe sot, pasi, sa herë
që bien reshje Miloti nuk përmbytet si Lezha apo fusha e Zadrimës.
Për t’u kujtuar është edhe ndërtimi i stacioneve pyjore në Dajt, Bizë, Martanesh, Qafështamë, Fushë
Lurë, Fushë Kuqe, Rrushkull etj, që personeli pyjor të mos bridhte për t’u strehuar nëpër fshatra, si
dikur, po të kishte qendra prehjeje pas asaj pune të lodhshme. Po ashtu, u ngritën e u organizuan grupet e
inventarizimit dhe, më pas, të mbarështimit, të cilët, me harta e me të gjitha të dhënat, pasqyruan me
saktësi sipërfaqet pyjore: llojet (të lartë apo të ulët), vëllimin në këmbë, sipërfaqet e zhveshura etj.
Në Ndërmarrjen Pyjore të Tiranës qëndrova plot 19 vjet, deri më 1975, kur dola në pension. Kujtoj edhe
sot vlerësimin e disa specialistëve të huaj për punën e kryer nga personeli inxhiniero-teknik i kësaj
ndërmarrjeje. Kështu, zëvendësministri i pyjeve të Ukrainës, pasi pa pyjet nga Mali Bardhë, Krej-Lurë,
Mazdejë, Lurë, Balgjaj, Martanesh e Bizë, ndër të tjera pati thënë: “Ju përgëzoj që në damkime keni
respektuar kurorëdendësinë, që është kusht i domosdoshëm për ripërtëritjen natyrore të pyjeve ...”. Edhe
inxhinieri Fritz, nga Gjermania, duke iu drejtuar inxhinier Mitrushit, para Hotel Dajtit, është shprehur:
“Mua, si specialist pylltar, më bën të ndiej kënaqësi kjo sipërfaqe e gjelbëruar përpara këtij hoteli, në
mes të kryeqytetit tuaj, më shumë se porta e Brandenburgut në Berlin, apo Harku i Triumfit ose Tur
Eifeli në Paris! Kjo është një perlë, që të jep jetë ...”. Ishte fundshkurti i vitit 1956.
Në këtë ditë të shënuar edhe unë si gjithë kolegët e moshuar, mund të sjell shumë kujtime e mbresa. Por,
për të mos u zgjatur, po ndalem në një ngjarje, që mendoj se është edhe aktuale. Vite më pare, dikujt “i
polli” mendja e urdhëroi që ndërmarrjet e pyjeve të mbarështonin tufa me bagëti të imëta, madje edhe
me dhi! Si gjithë pylltarët e asaj kohe, kjo më shqetësoi shumë edhe mua. Në asnjë vend nuk ndodh që
sektori i pyjeve të mbajë dhi, pasi ajo konsiderohet armik i rrezikshëm i bimësisë pyjore. Për fat të mirë,
pas shumë reagimesh, ky propozim nuk u miratua nga qeveria e asaj kohe. Pra, i dashur lexues, ka
ndodhur edhe kështu: pylltari të merrej edhe me dhitë!
Së fundi edhe një mesazh për brezat e ardhshëm të pylltarëve: Të mbrojnë e të shtojnë pasurinë pyjore,
që u është besuar, sepse, sikurse ka thënë natyralisti i famshëm romak Plinius “Pyjet janë dhurata e parë
e natyrës për njerëzimin”. Kujtoj me këtë rast fshatarin e thjeshtë Isuf Emin Plloçi, nga Martaneshi, i
cili, duke luftuar me flakët për të mos lejuar përhapjen e zjarrit në pyll, në çastet e fundit të jetës, pyeti
“A shpëtoi pylli?!” Ja, ky është mesazhi më domethënës e kuptimplotë për brezat e ardhshëm të
pylltarëve tanë. (Marre nga libri “Pyjet dhe sherbimi pyjor shqiptar ne vite” viti 2013)
Dhjetor 2002

You might also like