You are on page 1of 2

NDOC KODHELI, NJË FOTOREPORTER I SHQUAR

Me rastin e 20 vjetorit të vdekjes

QerimVrioni

Një nga fotoreporterët më të dalluar të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, ka qënë edhe Ndoc
Kodheli. Ai është ndarë nga familja, shoqëria dhe …fotografia, në një mënyrë, do të thoshim
tragjike, në moshën më krijuese, 20 vite më pare (26 nëntor 1989).
Me origjinë nga qyteti i Shkodrës, që është “shtëpia e lindjes” së fotografisë shqiptare”, dhe në
rrethin fisnor të fotografëve Marubi (Kodheli), Ndoci filloi të merrej me fotografim qysh në bangat
e gjimnazit. Më vonë, pas mbarimit të shkollës dhe kryerjes së shërbimit ushtarak, punësohet në
Shtëpinë e Oficerave të qytetit. Prej këndej shperngulet, dhe nis punën në SHQUP (shtëpia qëndrore
e ushtrisë, Tiranë) duke kontribuar me punimet e tij fotografike në revistën “10 korriku” dhe
gazetën “Luftëtari”, disa prej të cilave edhe me vlera artistike. Në vitin 1968, emërohet si
fotoreporter në Drejtorinë e Rilevimeve pranë Ministrisë së Bujqësisë, e nga viti 1971 në Shtëpinë e
propagandës bujqësore, sidomos në revistën “Bujqësia Socialiste”. Kjo do të përbënte adresën e
fundit të librezës së punës, ku nje shkrim analfabeti shënon në datën 16.10.1989 shkakun e largimit
nga puna “nuk plotëson kushtet”, ai që për 18 vjetë duke qënë një punonjës shumë korrekt, nuk ish
ndëshkuar me asnjë masë disiplinore, madje vetëm me lavdërime dhe vlerësime. Ai kishte bërë
“gabimin e madh” se ishte lindur në një familje intelektuale shkodrane dhe me të atin oficer të
Zogut. Një muaj e gjysëm pas këtij shënimi ogurzi, Ndoci shuhet në një spital të Tiranës, ende pa
arritur moshën e pensionit.
Puna në institucionet e mësipërme i krijoi mundësitë Kodhelit të ri, të shkelte çdo pëllëmbë
tokë të vendit, veçanërisht zonat rurale, të shikonte dhe admironte pejsazhet e rralla të natyrës sonë,
t’i përngrinte (fiksonte ) ato në celuloid, e më pas në letrën fotografike, por kjo pasi të kish kryer
punën e shtetit, fotot e porositura nga redaksia e organit. Këto të fundit duhet të pasqyronin “jetën e
lumtur” të fshatarësisë sonë kooperativiste ashtu siç i duhej propagandës së pushtetit. Këtu Ndoci
ishte shumë i vëmendshëm, në fotoreportazhet e tij nuk kishte vend për realitetin rrënqethës me
bujq që hanin bukë misri me sheqer ose dhalle e që mundoheshin të ndihnin sadopak familjen duke
marrë fshehurazi nga fusha diçka të djersës së tyre që nuk u a jepte kooperativa apo ferma, e me
nuse të reja të cilat “të dielën martoheshin, e të hënën (me çfarë kënaqësie…), prapë në punë
shkonin”. Ai, detyrimisht i “hynte pak në hak” fotografisë, sepse i hiqte asaj vërtetësinë, thelbin e
përhershëm të saj, e kjo e mundonte shpirtërisht e shpesh gjërat i kalonte me humorin e tij
karakteristik. Por edhe në këto lloj fotosh, syri i Ndoc Kodhelit, ka sensin e së bukurës duke lënë
pas punime, që ndonëse me përmbajtje të papranueshme sot, madje edhe qesharake, paraqesin
shpesh, zgjidhje të goditura artistike. Përmendim se profesioni i fotoreporterit, në gjithë botën e në
të gjitha kohët, është pasqyrimi i realitetit, pa sheqerosje e zbukurime, por këtu, si gjithmonë në
diktatura, ideologjia e shtirë mbizotëronte kudo e mbi gjithçka. Për ti ndjerë sa më pak pasojat e
kësaj vështirësie, Ndoci, qetësonte shpirtin e tij duke fotografuar pejsazhe, e foto të tjera pa “fillin e
kuq” të ideologjisë.
Për tu shënuar është se Kodheli lëvroi thuajse të gjitha zhanret dhe teknologjitë e fotografisë,
portretin, peisazhin, kompozimin etj. e po ashtu punoi në bardhë e zi dhe me ngjyra, me mikrofilma
dhe makrofilma, merr pjesë thuajse në të gjitha ekspozitat kombëtare ku disa herë nderohet edhe me
çmime, hap edhe ekspozita vetjake të suksesëshme të cilat janë komentuar pozitivisht nga shtypi.
Gjithashtu, ai ka realizuar të gjitha fotografitë e Ekspozitës “Shqipëria Sot”. Në saje të krijimtarisë
së mirëfilltë artistike, ai pranohet antar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në sektorin e
fotografisë, vlerësim jo i vogël për një fotograf. Fotografi i njohur Pleurat Sulo, mik i Ndocit
shprehet për të :” Ishte njeri tokësor, me shumë shoqëri, me shumë humor, madje dhe mik i pijes,
gjëra që e bënin mjaftë simpatik. Ishim shumë të hapur në bisedat politike kundra regjimit, çka
tregon besim të plotë tek njeri-tjetri. Në laboratorin tim ishte si zot shtëpie. Me punë u bë specialist i
pakrahasueshëm në fotot për bujqësinë”. Ndërsa Nikolin Baba, edhe ky fotograf i njohur dhe koleg i
Kodhelit kujton për të: “....njohjen e plotë me të e pata në fund të karrierës së këtij mjeshtri, kur
bashkëpunuam për disa kataloge mbi bujqësinë. Ishte mjaft i përkushtuar në të gjitha fazat e
fotografimit, duke përfshirë këtu edhe laboratorin, sidomos në fotot bardhë e zi. Ka lënë shumë
portrete me vlera të artistëve të teatrit dhe operas, edhe nga pikpamja dokumentare e historike.
Mbetet një nga fotoreporterët më të suksesshëm të gjysmës së dytë të shekullit XX”. Dhe vërtetë,
një pjesë e madhe e fotove të Artistëve të Popullit, cilët nuk jetojnë me si Naim Frashëri, Loro
Kovaçi etj. e që botohen në shtypin e përditshëm, janë fryt i shpirtit, mendjes dhe dorës së Ndoc
Kodhelit. Në vitin 1982, ai ka realizuar fotografitë e albumit “Bujqësia në Republikën Popullore
Socialiste të Shqipërisë” me tekst të Spiro Kristo. Ky album u botua edhe në gjuhë të tjera.
Duke vërejtur me vëmendje shumë punime fotografike të Kodhelit, të bie në sy kuadrimi i subjektit
që do fotografojë. Shënojmë këtu, se përgjithësisht, nga ato nuk mund të heqësh asnjë cm katror pa
prishur ekuilibrin e fotos, aftësi kjo, më tepër e lindur se e kërkuar. Në to shumë rrallë gjen të
quajturat “sipërfaqe parazitare” që janë “memece”e nuk i flasin fare shikuesit të fotografisë. Në
peisazhet e tij ndjehet sensi piktorik, që ndonëse b/z, të lindin kënaqësinë e të shikuarit të një
pikture të mirë. Të afërm të familjes dhe miqë të tij të thonë se ka pasur një arkiv të bollshëm, por
që nuk dihet se ku ka përfunduar. Ndër fotot e tij më të spikatura mund të përmendim “Zbatica”, një
“pattern” mjaft i arritur atonal, “Galopimi i kuajve të egër në Divjakë”, “Saranda natën”,pa
pretenduar se është shikuar gjithë opusi i tij.
Krijimtaria e tij në lëmin e artit të fotografisë, por edhe puna e tij normale, u ndërpren në prill
1989, kur filluan ndjekjet nga organet e sigurimit, për kinse parrulla armiqësore ekonomike të
pathëna nga ai (në të vërtetë gjendja ishte realisht katastrofike), me presione, siç dinte vet ai organ
famëkeq. Pas farsës së ligë të demaskimit në mbledhjen e kolektivit, e transferojnë puntor bujqësie
në një fermë. Këtë gjendje ai nuk e duroi dot, u sëmur, dhe i shtruar në spital ndëron jetë më 26
nëndor 1989, pas një sëmundje 6-7 mujore, në moshën 57 vjeçare.
Ndoc Kodheli, mendoj se bënë pjesë, bashkë me poetë e shkrimtarë të tjerë, në grupin e
intelektualëve dhe artistëve shqiptarë të cilëve ju është ndërprerë jo vetëm krijimtaria artistike, por
edhe jeta nga diktatura komuniste. Gjithashtu, atij i përket një vend i veçantë ne historinë e
fotografisë shqiptare. Njëherazi ai do të kujtohet edhe si prind i dalluar dhe qytetar i nderuar.

You might also like