You are on page 1of 4

KOL IDROMENO- FIGURE E SHQUAR E FOTOGRAFISE SHQIPTARE

Qerim Vrioni Me rastin e 70 vjetorit të vdekjes

Këtë mesdhjetori (më


saktësisht në datë 12), mbushen
70 vjet qysh kur në Shkodër,
është ndarë nga jeta Kol
Idromeno, piktor e fotograf i
shquar e, njëkohësisht edhe
personalitet intelektual e
shoqëror i dalluar. Ai është
marrë, përveç dy arteve pamor të
sipërpërmendura edhe me
muzikë (pjestar i bandës së
qytetit të Shkodrës si trompist),
me skulpturë e skenografi, por
sidomos me arkitekturë, në të
gjitha pa arsim përkatës
profesional. Në lamin e fundit,
në arkitekturë, atij i përkasin disa
projekte rrugësh dhe ndërtesash
(shumica publike, vepra shumë
të rëndësishme për kohën) që
edhe sot e gjithë ditës bëjnë hije, si “Banka e Shtetit”, “Kafja e Madhe”, Rruga
para Bashkisë, Kinema “Rozafa” etj. Në skenografi, Idromeno, ka realizuar
dekoret e dramave “Mustaf Pasha”, “Vdekja e Skënderbeut”, “Oso Kuka”.
Gjithashtu, ai ka hapur në Shkodër kinemanë e parë në vend (1908), që është ndër
të parat në Ballkan dhe organizuar çfaqjen përsëpari të filmave për publikun.
Kulmin e tij si piktor ai e arrin me tablon “Motra Tone” (1883), vepra e parë
realiste shqiptare, që ze gjithashtu një vend nderi në hierarkinë e pikturës në
Shqipëri.
Kontribut të veçantë, Ko Idromeno, ka
dhënë edhe në fushë të fotografisë, ku
krijimtaria e tij ia rradhit emrin ndër
“baballarët” e fotografisë shqiptare në mes të
shekujve XIX dhe XX. Pikërisht për
veprimtainë e tij si fotograf do të flitet më tepër
në këtë shkrim.
Nikolle Idromeno, më vonë e
përgjithmonë, i thirrur shkurt Kol, u lind në
Shkodër në vitin 1860. I ati i tij, Arsen Idromeno, kish ardhur në qytetin verior nga

1
krahina jugore shqiptare e Camërisë dhe ishte
martuar me shkodranen Roza Saraçi. Ai
ushtronte mjeshtërinë e marangozit, ku e
ndihmonte edhe Kola i vogël, sidomos duke i
zbukuruar orenditë prej druri me vizatime me
ngjyra vaji. Më vonë djali mori mësime për
vizatim pranë fotografit të njohur të qytetit,
Pjetër Marubi, i cili pasi dalloi tek nxënësi
aftësi të vecanta, e këshilloi të atin t’a dërgonte
rioshin për studime jashtë vendit. Këshilla e fotografit u pranua menjëherë, dhe
djaloshi ne moshën 15-vjeçare, filloi studimet për pikturë në Venecia të Italisë, ku
vazhdoi mësimet vetëm për dy vite, pa arritur të diplomohet. Pas kthimit në
vendlindje, Kolën, përveç pikturës që e ushtronte paprerazi, po e tërhiqte edhe
fotografia që e shihte me kënaqësi në studion e Pjetër Marubit. Atje, në atë kohë
punonte si ndihmës një djalosh zadrimor, Mati Kodheli, me të cilin Kola u miqësua
shpejt, por për një kohë të shkurtër, pasi më 1881, ai vdiq. Vendin e tij në atelien e
Pjetër Marubit, për disa kohe e zuri Idromenua i ri. Kureshtar dhe me interesa, ky
përthithte shumë të fshehta të profesionit nga italiani i shqiptarizuar i fotografisë, i
cili gjithsesi nuk ishte koprac në dhënien e ndihmës të rinjve. Duke parë aftësitë e
të birit në lëm të fotografisë, Arsen Idromeno, vendosi të hapte bashkë me të një
atelie fotografike. Punën në të e drejtonte dhe e përballonte vet Kola, i cili shfaqi
pasion dhe zell të madh si teknolog në proceset laboratorike, por sidomos me një
sens të hollë artistik në çastet e fotografimit. Gjatë punës si fotograf, Kola, krijoi
lidhje pune e shpirtërore me shumë njerëz të të gjithave shtresave, duke u berë
kësisoj një figurë shumë e njohur në qytet. Ndërkohë, studion e ngritur në vitin
1884, e quajti me një emër fare shqip: “Dritëshkronja e Kolës”, që u bë mjaft
popullor në qytet, emër që më vonë u huazua
edhe nga Marubi që emërtoi atelien e tij
“Dritëshkrojetoria Marubi”.
Kola tanime punon e krijon kryesisht në
dy fusha, pikture dhe fotografi, të cilat duke
qenë brendëzuar në artet pamore, drejtpërdrejt
ose tërthorazi, ndihmonin tek ai njëra-tjetrën.
Kështu për të krijuar pikturën e njohur “Motra
Tone”, Kola përdori si model të motrën, ndërsa
një fotografi e bërë më parë e ndihmonte kur
mungonte ajo në studio. Ndërkohë, ai fotografon shumë, e në xhamat dhe
celuloidët e tij përngrijnë (fiksohen) pamje tërheqëse të natyrës shqiptare, qytete
dhe fshatra, njerëz të njohur dhe të panjohur, figura të shquara të historisë, por
sidomos malësorë, përherë të armatosur me armë brezi të stolisur me sedef dhe
argjend. Në fotografitë që Idromeno u bënte fshatarëve me veshje karakteristike
krahinore, vërehet ndërthurrje e vlerave etnografike me ato artistike dhe estetike.
Objektivit të aparatit të tij nuk i kanë shpëtuar edhe shfaqje të ndryshme skenike të

2
grupeve amatore, fotografitë e të cilave sot shërbejnë si dokumenta me vlera
thesari për njohjen e historisë së jetës kulturore të qytetit verior. Në pjesën më të
madhe të fotove të Kol Idromenos, ndjehet syri dhe dora e artistit, ndjehet një
poetikë karakteristike për pikturën, e ngjizur nga mjeshtri në masën e duhur në
krijimet fotografike. Ndoshta kjo frymë krijimi ka bërë që nga nxënës i Pjetër
Marubit në fotografi, shpejt e arriti mjeshtrin e vet.
Fotografitë e para me sens artistik të Kolës datojnë
rreth vitit 1886, pra vetëm dy vjet pas fillimit të punës në
studio. Kujtojmë se në atë kohë proceset teknologjike të
fotografimit dhe stampimit ishin mjaft të ndërlikuara,
kërkonin rreptësi në zbatimin e rregullave të punës e,
kësisoj edhe shumë mund për t’u përvehtësuar. Në fillim
të veprimtarisë së tij si fotograf, Kola “ka punuar me
procesin kolodio të shpikur në vitin 1849, me xhelatinë,
gomë arabike dhe eter”, më vonë zbatoi teknologjinë me
xhama të thatë me bromur argjendi, një mënyrë relativisht
e re në atë kohë edhe në Europë, vendlindjen e fotografisë,
e ku mjeshtrit e saj ishin “në garë” për arritje sa më të
spikatura në fotografim. Duke qënë duarartë e me kërkesa
të larta teknike, ai porosiste jashtë shtetit që t’i vinin vetëm materiale cilësore të
prodhuara në vendet e zhvilluara në fushë të fotografisë. Dorë në këtë drejtim i
jepte edhe çfrytëzimi me aftësi i literaturës së huaj të cilën e konsultonte
rregullisht. Ndriçimit të objektit që do fotografonte, Idromeno, për arsye teknike,
por veçanërisht për motive estetike, i kushtonte një vëmendje të madhe. Për këtë,
përgjithësisht si të gjithë bashkëkohësit, ai përdorte ndriçimin natyror diellor dhe
shumë rrallë dritën artificiale të përftuar nga disa llamba vajguri e, në këtë të fundit
tregohet edhe novator. Edhe në këtë pjesë të rëndësishme të punës, ai ishte tepër i
kujdesshëm. Gjithashtu tashmë vërehet se ai kishte fituar kulture profesionale të
mirë nga leximet dhe nga përvoja e gjatë.
Kol Idromeno, me emrin e plotë Nikollë, përmendet edhe në disa botime
ndërkombëtare me karakter tregtar e publicistik së bashku me Pjetër Marubin si
fotografët e vetëm të Shkodrës, por edhe të gjithë Shqipërisë (ndonëse kjo nuk
përputhej plotësisht me të vërtetën), tek të cilët duhet të drejtoheshin të gjithë të
huajt që donin të njihnin këtë vend të vogël të Ballkanit. Një numur i madh i
fotografive të Idromenos, “janë shtypur në Gjermani dhe Austri, bardhë e zi, por
edhe me ngjyra me shënimin “Kol Idromeno- Scutari Albania”. Ato kanë
qarkulluar si kartolina brenda dhe jashtë Shqipërisë “. Në librin “Souvenirs de la
Haute Albanie-Paris,1901” të konsullit të atëkohshëm francez në Shkodër, A.
Degrand, janë përfshirë edhe 66 foto nga qyteti dhe krahina, shumica e tyre janë të
Kel Marubit dhe Kol Idromenos. Nuk duhet të habisë njeri edhe fakti se në vitin
1911, Kola përgatit flamujt shqiptarë me shkabën dykrenore të Skënderbeut për
kryengritjen e madhe të atij viti që shpërtheu në veri të vendit, çka flet për ndjenjat
e flakta atdhetare dhe kurajon e tij.

3
Duke vërejtur me përfilljen e duhur pjesë nga krijimtaria fotografike e Kol
Idromenos, dallon shpejt kërkesat e tij të larta artistike. Shpesh ato kanë ngjyrime
të pazakonta piktorike dhe linja grafike interesante, gjë që i bënë mjaft tërheqëse
për dashamirët e fotografisë po se po, por edhe të artit në përgjithësi. Idromeno,
përbën një rast jo të rrallë në artet tona pamore (pas tij diçka Vangjush Mio,
Andrea Kushi, Sadik Kaceli etj), ku artisti shpërfaq vlera të larta estetike si në
pikturë ashtu dhe në fotografi.
Krijmitaria fotografike e Kol Idromenos (ajo që ka shpëtuar nga humbja), është
e shpërndarë dhe e pasistemuar. Një pjesë ndodhet në Fototekën Marubi, Shkodër;
mjaft foto në xhama gjenden në Institutin e Kulturës Popullore, Tiranë; përveç
atyre që janë në pronësi të koleksionistëve dhe familjeve të veçanta.
Kështu me lëmin e madh të prurjeve fotografike, por sidomos me cilësinë e
tyre të mënjanëshme, Kol Idromeno, pamëdyshje, futet në kupolën e artë të
fotografisë shqiptare krahas Pjetër dhe Kel Marubi, Kristo Shulit, Petro Dhimitrit,
Vani Burdës, Kristaq Sotirit, Shan Picit etj, të cilët me krijimtarinë e tyre kanë bërë
historinë e saj në vite.

Burime :
1)--Gazeta shqiptare-“Piktori që derdhi dritë mbi bashkatdhetarët”-16.8.2000-nga
Avenir Sadikaj
2)--Gazeta shqiptare-“Kinemaja e parë në Ballkan u hap nga Idromeno”-
15.02.2000-nga Artes Llazani
3)--Gazeta ‘Milosao”-“Pasioni i panjohur i Kol Idromenos”-07.08.2005-nga
Admirina Peçi
4)—Prenushi M—“Kol Idromeno”-Tiranë,1984—faqe 37
5)—Prenushi M---“Kol Idromeno”-Tiranë,1984—fq.37
6)—Prenushi M—“Kol Idromeno” –Tiranë,1984—fq.38
7)—Gerard Girard-“Notes on early Photography in Albania”, 1982—fq.246
8)—Degrand A—“Souvenirs de la Haute Albanie”-Ëeber, Paris,1901-fq.274-280

You might also like