You are on page 1of 5

NJIHUNI ME STUDIUESIN ISA HALILAJ

DHE LIBRAT E TIJ

Nga: Prof.as.Dr. MURAT GECAJ

Në këto vitet e fundit, po të hysh në sallën shkencore të Bibliotekës Kombëtare në


Tiranë, do të gjesh edhe një mësues veteran, studiues të zellëshëm e botues, sidomos në
fushën e arsimit tonë kombëtar. Është “Mësuesi i merituar” Isa Halilaj, tani në pension.
Njihet tepër serioz e i vëmendshëm në punë, por dhe mjaft i dashur e korrekt në shoqëri.
Nuk dëshiron që të humbasë asnjë ditë, pa bërë diçka të dobishme. Jeta e gjatë dhe e
frytshme në arsim e ka bërë te ndjeshëm, komunikues e dashamirë me të gjithë.
Vërtet nuk ka shumë vjet në kryeqytetin Tiranë, por shpesh takohet e shkëmben
mendime të ndryshme, sidomos për studimet e botimet në fushën e arsimit kombëtar
shqiptar, me kolegë nga krahina të ndryshme të vendit tonë. Mëson prej tyre, por nuk
përton as t’u flasë atyre për përvojën e tij të pasur. Vitet e punës si mësues e drejtues i
arsimit, i shërbyen edhe për të vëzhguar e për të mbledhur fakte e dëshmi, që tani po i
shërbejnë si “brumë” i mirë për studimet dhe botimet e tij interesante.

ISA HALILAJ,
“Mësues i merituar”

Shërbeu një jetë të tërë në shkollat e Kukësit dhe si drejtues i arsimit në këtë rreth.
Emri i tij ka nisur të shfaqet në shtypin tonë arsimor e pedagogjik vite më parë. Bazuar në
përvojën e gjatë arsimore e pedagogjike, në gjurmimet e studimet e tij, dhjetë vjet më
parë, botoi librin “Në rrugën e diturisë”. Aty flitej kryesisht për shkollat e para shqipe në
qarkun e Kukësit (rrethet Tropojë, Has e Kukës) dhe u mirëprit nga lexuesit e interesuar.
Në vijim të kësaj pune, më 2002, botoi librin “Kukësi në sofrën e arsimit kombëtar”. Më
tej publikoi librat “Pesha e përfaqësimit” dhe “Halilagët e Lumës”, ku ka bërë
jetëshkrimin e disa deputetëve të krahinës, përfaqësues të popullit në organin më të lartë
ligjëvenës dhe të patriotëve, që nuk kursyen asgjë për atdheun. Ndërsa në vitin 2006 botoi
“Në kujtesën e historisë” dhe libri i tij i kohëve të fundit është “Mozaik shkrimesh”(me
histori, esse, refleksione e vlerësime).
Por emrin e Isa Halilajt e kemi parë shpesh dhe në faqet e gazetës arsimore
“Mësuesi”, botim i Ministrisë së Arsimit e Shkencës dhe në gazeta të ndryshme lokale e
kombëtare, si “Standard”, “Ndryshe”, “Koha Jonë” e tjerë. Në to trajton çështje të
traditave në fushën e arsimit, shkruan për figura të shquara atdhetare, për mësimin dhe
edukimin në shkolla e jashtë tyre.
Siç vërehet lehtë, tematika kryesore e shkrimeve të studiuesit Isa Halilaj dhe që
janë botuar në librat e tij, është arsimi shqip dhe shkolla jonë kombëtare. Në to flitet për
udhën e vështirë të hapjes e funksionimit të mjaft nga këto shkolla dhe për ndihmesën e
pakursyer të sa e sa mësuesve atdhetarë që t’i aftësonin per jetën dhe t’i edukonin sa më
mirë breza të tërë nxënësish. Por një vend qendror i ka kushtuar dhe përkushtimit ndaj
shkollës të prindërve e të gjithë popullit tonë arsimdashës.
Mjaft domethënëse janë fjalët e një mësuesi, në përurimin e librit të tij të parë:
“Kur flitet për një shkollë, sigurisht nuk mund të mungojë mësuesi. Shumë portrete
kalojnë në faqet e librit. Nderim për ta! Autori arrin të shfaqë natyrshëm e në pak radhë
sintetike CV-në e një pjese të madhe. Ndërmjet tyre, disa nuk jetonë, po qindra janë ata
që kujtesa e komunitetit i ka fiksuar si kontribues të mësimit amtar, të sjelljes e kulturës
kombëtare e qytetare. Portreti i tyre, dhënë ashtu thjeshtë, qoftë edhe përmendja e emrit,
është mirënjohje për punën e vështirë të edukatorit”.
Pa përshkruar tërë vlerat e botimeve të këtij autori, po ndalemi shkurt në
përmbajtjen e dy librave të tij, që kanë dalë në qarkullim kohët e fundit. I pari mban
titullin “Mozaik shkrimesh”. Siç kuptohet, autori ka riprodhuar disa shkrime të tij, botuar
ndër vite, sidomos me tematikë arsimin dhe jetën shkollore. Ndër të tjera, aty lexuesi
njihet me vlerësimet për libra të botuar nga disa autorë, kryesisht mësues, si dr. Shefqet
Hoxha, Zenulla Bala, Sali Ajazi etj. Autori nuk ka lënë jashtë vëmendjes as figurat e
njohura të arsimit e të shkollës shqipe, sidomos nga qarku i Kukësit. Për disa nga ata ai
bën jetëshkrime të frymëzuara, si për Rakip Domin, Xhemali Brahën, Sami Ferizin, Halit
Cahanin, Gjon Kolën, Naim Manajn e të tjerë. Paraqesin interes edhe vlerësimet e bëra
nga autorë të ndryshëm për librat e autorit I.Halilaj.
Libri “Historia në historiografi” (ribotim, pjesërisht i plotësuar, i librit të
mëparshëm, “Në kujtesën e historisë”) trajton një mendim thelbësor të tij se: “Historia i
ka dashur dhe i don shqiptarët të bashkuar. Vetëm bashkimi sjell liri e përparim”. Në
zbërthim të kësaj ideje, për të plotësuar sidomos kërkesat e studentëve të degës së
historisë, ai ndalet posaçërisht në termat “histori” e “historiografi” dhe në vlerësimin e
njohur se “Historia është mësuese e jetës”. Duke trajtuar fakte e argumente të
ndryshme, autori nënvizon:
“Sidoqftë, në trajtesën tonë, bazuar edhe në “shqetësimet” aktuale, theksohet se,
pikërisht nga kjo, duhet që historia të rishkruhet, pa mohuar apo shtrembëruar atë që
është bërë drejt, duke bërë edhe rregullime e plotësime thelbësore të nevojshme, jashtë
pasioneve politike, mbi bazën e prurjeve të reja arkivore e atyre nga historiografia
botërore”.
Pra, në tërësi, autori i këtij libri përfshihet në debatin tashmë të njohur të kohës
për çështjen e mësipërme dhe mban qëndrimin e tij.
Pa u zgjatur dhe duke i vështruar në përgjithësi botimet e mësuesit veteran Isa
Halilaj, nxjerrim përfundimin se ai ka bërë një punë sistematike, voluminoze e serioze,
duke u dhënë në dorë lexuesve libra me vlera të shumanshme. Veprimtaria e tij
kërkimore, studimore e botuese është një shembull tjetër i lavdërushëm, në vijim të punës
së palodhur të mjaft mësuesve tanë në të katër anët e vendit tonë. Mendoj se ky
përkushtim i tyre jo vetëm që duhet përshëndetur e përgëzuar, por dhe kërkohet përkrahje
e mbështetje më e madhe nga të gjithë të interesuarit e botimeve tona.
Përsëri, në këto ditë të fundvitit 2009, po të hyshë në sallën shkencore të
Bibliotekës Kombëtare, do ta gjeshë këtë hulumtues e studiues, duke shfletuar gazeta,
revista e libra të ndryshëm. I qetë, fjalëpakë e modest, korrekt e dashamirë me të gjithë.
Shpesh atë e takojnë dhe e respektojnë ish-kolegë e ish-nxënës. Ata i shprehin
mirënjohjen për vitet e shkuara të punës si arsimtar, por dhe për të sotmen, si intelektual e
botues prodhimtar.
Isaja e ka vetë përvojën e jetës dhe është një “arkiv” më vete për disa tema
studimi e botimi. Megjithatë, konsultimin me literaturën përkatëse e ka domosdoshmëri e
përvojë pune. Po kështu, aty takon kolegë studiues dhe botues të fushave të ndryshme të
shkencës albanologjike dhe me ta shkëmben mendime e përvojën e duhur. Pastaj shkruan
e shkruan dhe fryt i tërë kësaj pune sistematike e të lodhëshme, është kënaqësia e botimit
të një libri të ri.
Vitet do të rrjedhin dhe përsëri do të shohim të publikuar libra nga mendja e dora
e tij. Sigurishjt, ato do të lenë gjurmë të pashlyera jo vetem te lexuesit e sotëm, por dhe te
brezat që do të vijnë. Nga faqet e këtyre botimeve serioze e me përmbajtje interesante,
ata do të mësojnë e njohin faqe të udhës, nëpër të cilën ka kaluar arsimi dhe kultura jonë
kombëtare.
Në mbyllje të këtyre pak radhëve, i urojmë këtij autori të përkushtruar botime të
tjera sa më të pëlqyera nga lexuesit tanë, me këto fjalë zemre: “Të lumtë mendja e dora,
kolegu ynë Isa Halilaj!”
Botime të studiuesit Isa Halilaj

Tiranë, dhjetor 2009

You might also like