You are on page 1of 4

MBLEDHËS, STUDIUES E BOTUES I PASURIVE FOLKLORIKE

NË MALËSINË E TROPOJËS

( Disa radhë për mësuesin veteran Nuredin Sadik Lushaj )

Nga: Prof.as.Dr. MURAT GECAJ

publicist e studiues-Tiranë

E kam njohur Nuredin Sadik Lushajn qe ne vitet e feminise e te rinise sime. Banonim në dy
fshatra fqinje, Bujan e Grit të Tropojës. Por dhe prindërit tanë kishin lidhje e miqësi me njëri-
tjetrin. Jeta e mëtejshme na ndau si hapësirë gjeografike. Por gjithnjë e kam pasur të afërt jetën
dhe punën e tij të përkushtuar në shërbim të edukimit te rinisë.

Nuredin Lushaj, në vitet e rinisë

Ai mbaroi studimet e larta në Shkodër në degën e mësuesisë dhe shërbeu pa u lodhur në fshatin
e tij e në ato fqinje. Kurdoherë është dalluar jo vetëm për punën e pasionuar si mësimdhënës, por
dhe si hulumtues, studiues e botues për pasuritë e pashterrshme folkorike në trevën e Malësisë së
Gjakovës (Tropojë). Njëkohësisht, ka shkruar rregullisht në organet e shtypit qendror për tema të
ndryshme dhe këtu jam “takuar” përsëri me të, pasi shërbeja në gazeta të ndryshme, si “Pionieri”,
“Bashkimi” e “Mësuesi”. Pra, kam pasur kënaqësinë të bashkëpunoj me të dhe t’i redaktoj
shkrime të dërguara për

botim.

Nuredini ka lindur më 23 gusht 1943, në një familje të thjeshtë e me tradita atdhetare. Shkollën
fillore e kreu në vendlindje, në fshatin Gri, ndërsa 7-vjeçaren e të mesmen në qytetin “B.Curri”.
Pas mbarimit të studimeve për gjuhë-letërsi shqipe, në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës,
shërbeu 25 vjet radhazi

Nuredin Lushaj, Tiranë, tetor-2009

në shkollën 8-vjeçare të fshatit Geghysen. Pastaj e dërguan në Dragobi dhe më tej në fshatin e
lindjes, Gri. Meqenëse ai ishtë dalluar në punën për mblëdhjen e pasurive folklorike dhe për
njohjen e traditave atdhetare në rrethin e Tropojës, tri vjet shërbeu në shtëpitë muze të fshatit
Bujan.

Krahas punës së përditëshme zyrtare, ai iu përkushtua njohjes së thelluar e mbledhjes së


pasurive folklorike të krahinës. Kur e pyet për këtë gjë, Nuredini përgjigjet: “Si çdo fillestar,
nuk dija nga t’ia nisja, megjithëse dëshira nuk më mungonte. Por populli ka një fjalë të urtë:
“Duhet t’ia nisësh punës, se të mëson puna vetë”. Kështu veprova dhe unë. Në veprimtarinë time
pata ndihmën dashamirëse të mjaft studiuesve të njohur, si “Mësuesit të Popullit” Hasan Neza,
Prof. Fadil Podgorica, Prof.as.Dr. Ndoc Papleka, Prof.as.Dr. Murat Gecaj e gazetarit Halil
Buçpapaj. Gjithshtu, janë treguar të gatshëm për të bashkëpunuar me mua, Prof. Zihni Sako,
Prof. Abaz Dojaka etj. Të gjithë këta i falëndëroj nga zemra, se më kanë frymëzuar, nxitur e
ndihmuar në punën time 50-vjeçare për njohjen, studimin dhe botimin në fushën e traditave
popullore të Veriut të Shqipërisë”.
Jo vetëm tani, por ndër vite Nuredini e ktheu shtëpinë e tij në një “arkiv” të vogël, ku
grumbulloi sa e sa kengë, përralla e fjalë të urta, dëshmi e kujtime me fotografi për ngjarje e
figura historike e tjerë. Ai ruan afër 600 blloqe të vegjël dhe fletore me shënime për doke e
zakone, plus 400 pyetje etnografike të zbërthyera.

Sigurisht, synimi e dëshira e tij ka qenë dhe është që disa nga këto thesare popullore të gjejnë
dritën e botimit. Kështu, më ndihmën e Dr. Islam Lauka, tani ambasador i Shqipërisë në Kosovë,
në vitin 2003, SHB “Ora” botoi libri e tij “Këngë trimërie nga Tropoja”. Sivjet, pra më 2009, u
publikua libri tjetër i tij me titullin “Dervish Luzha, një yll drite”, kushtuar këtij atdhetari e
fetari të mirënjohur jo vetëm në malësitë e Veriut të Shqipërisë, në Tropojë, Has e Kukës, por
dhe në Kosovë e më gjerë. Gjithashtu, ka përgatitur dhe e ka dorëzuar për botim në SHB, që
drejtohet nga Mehmet Gëzhilli, vëllimin me titull “Mjaltë bjeshke”. Ai përmban 14 mijë fjalë të
urta, që i ka mbledhur kryesisht në rrethet Tropojë, Has, Pukë, Kukës e Shkodër.
Por nuk është vetëm kaq fryti i punës dhe i “arkivit” vetjak të mësuesit veteran Nuredin Lushaj.
Ai tani po punon me ngulm e pasion për sistemimin në vëllime të veçanta të legjendave e
anekdotave popullore. Gjithashtu, duke u bazuar në përvojën e tij, hulumtuese e botuese, ka
redaktuar 2-3 libra të kolegëve të tij dhe ka bërë recenza për 2 të tjerë.

Nuredini shprehet me sinqeritet e thjeshtësi: “ “Nuk kursehem me ato që di, nuk përtoj ta jap
ndihmen time e të shpreh mirënjohjen ndaj të tjerëve. Nuk jam cmirëzi dhe gëzohem sinqerisht,
kur shikoj që botohen libra, nga kolegë e të njohur, në fushën e folklorit, shkencës, letërsisë,
historisë e tjerë”.

Po a e ka mbyllur ky arsimtar , studiues e botues “karrierën” e tij? Jo, ai është përditë në


veprimtari. Merr pjesë në përurimin e librave dhe jep mendime për to, shkruan në shtyp për
kolegë e intelektualë të krahinës. Emrin, me shkrimet e tij, e kemi parë që vite më parë në
gazetat “Bashkimi”, “Luftëtari” e “Shkëlzeni” dhe më pas në “Zëri i Popullit”, “Kushtrim
brezash”, “Pavdekësia”, “Bytyçi” e tjerë. Veçanërisht, ka shkuar në gazetën “Mësuesi”, botim I
Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Ndërsa tani Nuredini përsëri shprehet me dashuri për punën e tij kryesore, folklorin: “I kam
mbaruar së sistemuari këngët e përrallat e i kam dhe afër 80 blloqe shënimesh me folklor,
etnografi. I kam sistemuar: poezitë epike veçmas, po keshtu ato lirike dhe tekstet me varg
popullor. Ndër këto, janë me qindra vargje, të cilat ua kam kushtuar ngjarjeve historike ose
figurave të shquara atdhetare, të krahinës së Tropojës dhe më gjërë…Qëllimi im është: Ashtu si
i kam mbledhur e ruajtur ato në 50 vite të jetës sime, t’ua lë në dorë brezave pasardhës. Besoj se
dikush do të ma dijë për nder, për pasionin, punën dhe djersën e derdhur”.

Dëshiroj që, në mbyllje të këtyre radhëve për të, të përmend fjalët e një lexuesi të librave e
punimeve të tij nga Dibra, Ali Koçeku: “ Qëkur të kam njohur, kam krijuar një respekt të veçantë
për ty, i nderuar Nuredin. Ti ke bredhur cep më cep krahinës së Tropojës për qëllime fisnike, për
të mbledhur perlat legjendare të asaj treve fisnike, në gjirin e së cilës janë të ruajtura eposet
legjendare shqiptare. Ti ato I ke mbledhur me pasion, si bleta nektarin dhe u ke hapur udhë
brezave që t’i gërmojnë e t’i mbledhin. Më kanë mahnitur shumë këngët folklorike tropojane
dhemjaft shkrime tuat. Por, në mënyrë të veçantë, më ka rrëmbyer tani punimi yt për “Yllin e
dritës” tropojane, të pavdekshmin Rexhep Tarçuk Bala, të mbiquajtur nga populli Dervish
Luzha”.

Bashkakrahinasi e kolegu im, Nuredin Lushaj meriton të nderohet e çmohet për gjithë punën e
tij të palodhur dhe pasionin, me të cilin i është përkushtuar tërë jetën foklorit dhe traditave
popullore. Pa bujë e pa zë, megjithëse invalid nga gjendja shëndetësore, punon me ngulm si një
bletë punëtore, që të mbledhë çdo gjë të bukur nga goja e popullit. Prandaj nuk është i
mjaftueshëm vetëm një shkrim gazete për të.

Një rast tjetër, do të paraqesim dhe këngë të bukura, që ai ka mbledjur nga goja e malësorëve të
moshuar.

You might also like