You are on page 1of 3

Manastiri i Ardenicës

Manastiri i Ardenices shtrihet 8 km në jugperëndim të qytetit të Lushnjës, Shqipëri buzë rrugës


kombëtare që lidh qytetin e Fierit me atë të Lushnjës ne një pozitë dominuese në kodrat me të
njëjtin emër, në lartësinë 237 m mbi nivelin e detit. Manastiri mesjetar mban emrin e Marisë
Hyjlindisë, ashtu si shumica e kishave të trevës së Myzeqesë, në të cilën ajo njihet si mbrojtëse e
veprimtarisë kryesore ekonomike bujqësore.

Manastiri, edhe pse në pamje të parë të lë përshtypjen e një objekti kulti të zakonshëm fsheh në
brendësi të tij vlera mjaft të mëdha. Sa më shumë të futesh në labirintet e historisë së tij aq më
shumë dalin në dritë vlerat e tij, të cilat do t'i rendisim një e nga një në këtë shkrim.

Manastriri i Ardenices

Historia
Mendohet se themelet e këtij manastiri janë hedhur në vitin 1282 me nismën e perandorit
Andronik II Paleolog të Bizantit, i cili e ngriti këtë tempull pas fitores mbi anzhuinët në Berat.
Shtysë për këtë veprim do të jetë bërë ndodhja në atë vend e kapelës së Shën Triadhës, e ngritur
aty shekuj më parë. Ekziston hipoteza se kapela mund të jetë ndërtuar në themelet gërmadhë të
një tempulli pagan, i cili ka qenë ndërtuar për nder të hyjneshës Artemisa nga ka rrjedhur dhe
emri i sotëm Ardenica. Fare pranë këtij tempulli, në rrethinat e të cilit sot ndodhet manastiri,
kalonte dega jugore e rrugës antike Egnatia, pikërisht 1 km në perëndim të tij. Për rreth
manastirit shikohen, aty-këtu, ndërtime të vjetra, të cilat të japin mendimin se rreth tij ka pasur
ndoshta një qendër të banuar. Sipas defterit osman të vitit 1431-'32, në nahijen e Myzeqesë,
ndodhej fshati Ardenicë me tetë shtëpi, i cili mund të jetë shtrirë për rreth manastirit. Dëshmi
tjetër, për rëndësinë e këtij manastiri është dhe fakti që po zë një vend gjithnjë e më të
rëndësishëm në historinë e Shqipërisë, se në altarin e Kishës së manastirit të Ardenicës, është
bërë edhe kurorëzimi i martesës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti me Andronika
Arianitin. Ceremoniali u bë në mesditën e 21 prillit 1451 nga peshkopi i Kaninës Feliks, në prani
të princave shqiptarë dhe ambasadorëve të Napolit, Venedikut, Raguzës. Këtë fakt e përmend për
herë të parë në vitin 1940, italiani A. Lorenconi.

Arkitektura
Kisha e Shën Mërisë dhe Kapela e Shën Triadhës

Manastiri është i tipit bizantino-ortodoks. Ai, së bashku me konaket që i janë shtuar më vonë, zë
një sipërfaqe prej 2.500 m2. Ky monument përbëhet nga kisha e Shën Mërisë, kapela e Shën
Triadhës, konaket, mulliri vajit, furra, stalla, etj. Në qendër të tij ndodhet kisha "Lindja e Shën
Mërisë", e cila është ndërtuar pjesërisht me gurë të sjellë nga Apollonia dhe gurë shtufi. Kisha
është e tipit Bazilikal. Ajo zë një vëllim të madh dhe është e mbuluar nga një çati druri me tavan
të rrafshët. Mjediset që përbëjnë këtë kishë janë: naosi, narteksi, egzonarteksi dykatësh, ku në
fund u bashkëngjitet kambanorja e lartë 24 m. Në anën jugore ndodhet portiku i hapur i ndërtuar
me kolona dhe harqe. Naosi përbëhehet nga tre pjesë, të cilat ndahen në dy rreshta kolonash prej
druri. Naosi ndahet nga altari me anë të ikonostasit. Dyshemeja e kishës është shtruar me pllaka
guri, e cila përfshin edhe ambientet e narteksit dhe egzonarteksit.

Në vitin 1743 me nismën e peshkopit të Beratit, Metodit, i cili ishte me origjinë nga Bubullima
(Myzeqe), u bënë në këtë manastir punime rregulluese përfshirë edhe kishën e Shën Mërisë.
Kapela e Shën Triadhës shtrihet në pjesën verilindore të manastirit dhe ka përmasa 7,50 m x 3,70
m.

Hyrja e saj është në anën perëndimore dhe është e pajisur me dy dritare të vogla në faqen jugore.
Kjo kapelë është ndërtuar me gurë shtufi dhe është e pajisur me një hapësirë, muri gjysmërrethor
i së cilës e ndan atë nga një sternë uji. Porta e kapeles është mbuluar me harkë guri, pranë
dritares lindore të saj ndodhet edhe një reliev qeramike.

Ikonografia

Katedra e Manastirit

Kisha e Shën Mërisë është zbukuruar me afreske të mrekullueshme nga veprat e piktorëve
Kostandin dhe Athanas Zografi. Këta piktorë korçarë punuan për zbukurimin e këtij tempulli në
vitin 1744. Veprimtaria artistike e ateliesë së piktorëve Zografi është shpalosur në bazilikat e
Voskopojës, Vithkuq, në Myzeqe dhe në malin i Shenjtë në Greqi, ku shkuan disa herë dhe
shfaqën talentin e tyre të fuqishëm, nëpër kishat dhe manastiret e atjeshme.

Ikonë e Shën Gjergjit dhe Dragoit nga vëllezërit Çetiri nga Manastiri i Ardenicës, shek. XVIII,
tash në Muzeun Kombëtar në Tiranë

Piktura e Zografëve cilësohet nga specialistët si vazhdim i traditës më të mirë të pikturës kishtare
në vendin tonë. Tematika pasqyron ngjarje nga Dhjata e Vjetër dhe Dhjata e Re, dogmatika,
liturgjia, jeta e shenjtorëve, etj.. Disa nga skenat janë "Festat e Virgjëreshës", skenat nga "Jeta
dhe vuajtjet e Krishtit", "Fjetja e Shën Mërisë", "Zbutja e shpirtit të shenjtë tek apostujt", etj..
Në brezin e fundit, ndërmjet figurave të shenjtorëve është pikturuar muzikologu i shquar bizantin
nga Durrësi Johan Kukuzeli. Në narteks, në të gjithë faqen lindore paraqitet skena e madhe që
titullohet "Gjyqi i Fundit".

Krahas afreskeve një vend të rëndësishëm në dekoracionin artistik zë edhe ikonostasi i gdhendur
në dru, i polikromuar me ar, i cili mban dy radhë ikonash të mëdha dhe të vogla. Zbukurimi i
ikonostasit me ikona është realizuar në vitin 1744, ku kanë ndihmuar edhe esnafët e bakërxhinjve
dhe muratorëve voskopojarë, ç'ka tregon lidhjen e tyre shpirtërore me këtë trevë. Ikonat janë
vepër e piktorit më të mirë miniaturist të shekullit të tetëmbëdhjetë, Kostandin Shpataraku. Disa
nga ikonat janë: "Lindja e Shën Mërisë", "Krishti në Fron", "Shën Mëria me Krishtin", "Johan
pagëzori", "Mbledhja e kryeengjëjve", "Kryqëzimi", etj.. Interesant është fakti se si në ikonën e
Shën Gjon Vladimirit, në një nga ndarjet e cilklit të saj është pikturuar princi shqiptar i shekullit
të katërmbëdhjetë, Karl Topia, me kurorë mbretërore në kokë dhe skeptër në dorë, që piktori e
quan mbret të Shqipërisë.

Klerikët
Këtij manastiri nuk i kanë munguar asnjëherë klerikët e përkushtuar. Për t'u përmendur janë
shumë prej tyre po ne po prekim vetëm dy. Njëri prej tyre, Igumeni, Nektar Terpo me origjinë
nga Voskopja, shkroi në vitin 1731 një lutje të shkurtër në formë afresku. Lutja është shkruar në
katër gjuhë: latinisht, greqisht, arumanisht dhe shqip. Është i rëndësishëm fakti se ky tekst
përmban shkrimin e parë të shqipes të shkruar në shkollë nga grekët, teksti shqip i shkruar në
alfabetin grek është i tillë: "Vigjin dhe mame e Perendis uro pren fajt orete" në fund të tij
ndodhet nënshkrimi i autorit, Hieromonah - murgu, Nektarit. Ky murg ka shkruar edhe librin me
përmbajtje fetare "Besimi" (Pistis), i cili u botua në Venedik në vitin 1773.

I dyti klerik që përmendet në historinë e kishës Ortodokese, është prifti Marko, i cili është ai që
gjeti kufomën e shenjtit Kozma të hedhur në lumë nga suvarinjtë turq. Ja ç'thuhet në
"Martirdogun" Shën Kozma Etollosit të përshkruar nga Shën Nikodhimi: Pas tri ditësh një prift i
përkushtuar i quajtur Marko që shëbente në manastirin e Ardenicës, pranë fshatit të Kolkondasë
hipi në një trung bëri kryqin dhe shkoi të kërkonte. Gjatë ecejakeve të tij me barkë përgjatë lumit
Seman ai gjeti trupin e të shenjtit, i cili qëndronte mbi ujë sikur të ishte i gjallë. Pasi e nxori nga
lumi ai e veshi kufomën me rrasën e vet dhe e varrosi atë në kishën e Shën Mërisë së
Kolkondasit, ku vite më vonë Ali Pashë Tepelena do të ngrejë manastirin e Shën Kozmait, si
qendër të rëndësishme të kristianizmit në Myzeqe. Në fund të viteve 60 të shekullit të XX, në
këtë manastir kaloi vitet e fundit të jetës edhe krypeshkopi i kishës Ortodokse Autoqefale të
Shqipërisë, Imzot Irene Banushi, një nga figurat më të shquara të klerit ortodoks.

You might also like