You are on page 1of 5

Arte VI - Kuptimi i fjalës “Art”.

Evoluimi i termit përgjatë kohërave

Fjalë kyç: arte të aplikuara, arte të bukura, arte dekorative, dimension, hapësirë, figurativ,
qualia, paraqitje, shqisë, ndjesi, kohë.

Art, vjen nga latinishtja ars, nga e cila ka marrë shumicën e domethënieve. Ars është ekuivalente
e fjalës greke tékhné. Prej saj ka trashëguar kuptimet e ndryshme që merr në refleksionin
filozofik.
Në përgjithësi, art quhet përdorimi i disa cilësive të të menduarit ose i aftësive manuale në
realizimin e një vepre.
Por termi art merr nuanca që mund t’i kundërvihen njëra-tjetrës, ndaj është mirë të dallojmë disa
kuptime të kësaj fjale.

1.Arti si veprimtari prodhuese e njeriut e kundërt me punën e natyrës

Sipas këtij kuptimi konsiderohet art puna e njeriut që prodhon gjëra të cilat nuk do të kishin
ekzistuar nga loja e thjeshtë e forcave të natyrës. Tek një objekt i prodhuar kësisoj dallojmë artin
dhe lëndën, pra materien bruto dhe atë çka njeriu ka nxjerrë prej saj.
Ky përdorim është vjetëruar dhe reduktuar në fjalën “art” vetëm. Por është akoma i gjallë në disa
lokucione: për shembull, quajmë vepër arti një urë, një tunel apo një hekurudhë.
Mbiemri artificial vjen nga ky kuptim i fjalës art.
Nëse pranojmë që natyra është vepër e një krijuesi (personal apo impersonal si zjarri artist i
Heraklitit* dhe stoikëve), kufiri mes natyrës dhe artit fshihet sërish.
Mendimit estetik i intereson ky kuptim i parë, pikërisht për çështjen e raportit midis të bukurës
në natyrë dhe të bukurës në veprën e artit.

2.Arti si teknikë e specializuar

Ky kuptim buron nga kuptimi i parë, pra arti si veprimtari prodhuese e njeriut bazuar në
përdorimin e një procesi të saktë pune: metalurgjia, industria e tekstilit, përpunimi i qelqit apo
letrës, është quajtur art, deri në shek.XIX kur nisi të përdoret termi industri teknike që përdoret
edhe sot. Për këtë lloj kuptimi mund të përdoret fjala artizanat.

3.Arti si njohuri, disiplinë intelektuale

Ky nocion për artet liberale si njohuri dhe si disiplinë intelektuale vjen nga antikiteti, nga oratori
i Atikës, Izokrati (436 para Krishtit), konfirmohet nga Ciceroni dhe vlen deri në Mesjetë, me
njohjen e shtatë arteve liberale: gramatika, retorika, dialektika, aritmetika, gjeometria, muzika,
astronomia.
Ky kuptim i artit i intereson estetikës drejtpërdrejt, sepse ajo që sot e quajmë estetikë letrare, ka
qenë një nga artet, arti i retorikës. Pra reflektimi për tekstin, për faktin letrar, dhe mbi të gjitha
për vlerën e estetikës së stilit. Kjo vetëdije, ky reflektim do të ndikonte nga ana tjetër tek krijimi
letrar.
Ky kuptim i termit art sot është zhdukur, por ai është lidhur me formimin e kuptimit modern, i
njohur si “arte të bukura”.

4.Arte të bukura
Ndryshimi i vërtetë në kuptimin e termit art vjen në Rilindje dhe në epokën Klasike, kur në listën
e arteve libreale hyjnë: elokuenca, poezia, muzika, piktura, skulptura, arkitektura dhe gravura.
Termi arte të bukura fillon të përdoret paralelisht me termin arte liberale gjatë shek.XVII dhe
XVIII, deri sa e zëvendëson pak nga pak.
Shkolla akademike e pikturës dhe skulpturës e krijuar nga Kardinali Mazarin (1602-1661,
këshilltar i Luigjit XIII dhe Luigjit të XIV) merr emrin Shkolla e Arteve të Bukura më 1793. Më
vonë njihet si Akademia e Arteve të Bukura.
Në gjuhën e zakonshme, në shek.XX, përgjithësisht përdoret thjesht emri, arte.

Atëherë:
Arti është aktivitet krijues i veprës e cila ekziston në sajë të cilësive estetike.
Arti dallohet nga fushat e tjera të aktivitetit njerëzor sepse ka një qëllim estetik;
Arti dallohet nga teknika që ka një qëllim praktik.

Art janë quajtur ato vepra të cilat nuk kishin asnjë dobi praktike dhe nuk përmbushnin asnjë
nevojë të tillë. Në këtë mënyrë, ato zinin vetvetiu një vend të epërm në rendin e gjërave.
Objektet e dobishme, pavarësisht potencialit të bukurisë që bartnin, ishin në një rang inferior dhe
quheshin arte minore: qeramika, arti i qelqit, argjendarisë, metalit, gdhendjes, qëndisjes.
Në fund të shek.XIX fillimi i shek.XX emri arte minore zëvendësohet nga termi arte dekorative
dhe arte të aplikuara. Termi i ri përmban një nuancë tjetër kuptimore ku e dobishmja dhe e
bukura jo vetëm përputhen por edhe mbështesin njëra-tjetrën, në rastin kur e bukura e një forme
përshtatet mirë me funksionin për të cilin objekti është bërë.
Teoritë për të bukurën racionale dhe të bukurën funksionale turbullojnë akoma kufijtë e artit.

Ka disa kritere për klasifikimin e arteve:

1.Shqisat dhe qualia ndijesore (përftimet ndijesore)


Veprat e artit perceptohen në sajë të ndërmjetësimit të shqisave. Artet në mënyrë të natyrshme
klasifikohen sipas shqisave të cilave u drejtohen. Ky parim klasifikimi është i lashtë dhe shumë i
përhapur. Por shqisat janë komplekse dhe mund të japin përftesa të ndryshme për të njëjtin
kuptim.
Të parët, për shembull, përcjell ndjesitë për ngjyrën dhe dritën. Por një art bardhë e zi si gravura,
mund të përdorë njërën dhe jo tjetrën.
Të dëgjuarit dallon tingujt sipas lartësisë, intenstitetit, timbrit.
Etienne Souriau, tek “Korrespondenca e arteve”, bën një klasifikim jo në bazë të shqisave, por
duke përdorur termin qualia ndijesore (përftimet ndijesore, perceptimi subjektiv i diçkaje: Një
gjë është, por subjektivisht e përftojmë ndryshe – shënimi im E.D).
Artet iu drejtohen një morie qualia. Për shembull një opera që i drejtohet të dëgjuarit dhe të parit,
përfshin në lojë tingujt muzikorë, tingujt e artikuluar, ngjyrat dhe volumet.
Arti i të gjuhës është ambivalent (ambig, ekuivok), mund të perceptohet përmes dëgjimit dhe
përmes të parit.
Pra mund t’i klasifikojmë artet sipas kombinimeve të qualia-s ndijesore...
Nuk duhet ngatërruar ndjesia me gjurmën e imazhit mendor, të përcaktuar në mënyrë shqisore.

2.Dimensionet hapësinore-kohore
Sipas këtij kriteri kemi klasifikimin në arte të hapësirës dhe arte të kohës.
Lessingu e përdori këtë lloj klasifikimi për të ndarë plastikën nga poezia.
Artet që i drejtohen të parit klasifikohen si arte hapësinore, dhe artet e të dëgjuarit klasifikohen si
arte kohore. Por ky klasifikim bie ndesh me faktin që disa arte të të parit përfshijnë dimensionin
kohor (për shembull teatri dhe kërcimi që nga Antikiteti; kinemja, vizatimi i animuar në epokën
aktuale).
Artet që përdorin dimensionet dhe hapësirës ose kohës, nuk i përdorin ato në të njëjtën mënyrë.
Disa arte plastike prezantohen si vepra të sipërfaqes, disa të tjera si vepra të volumeve.
Muzika monodike (me një zë) përdor sekuencën (serinë), muzika polifonike artikulohet në
mënyrë të njëkohshme.
Vizatimi dhe piktura përdorin dy dimensione të hapësirës në vepra ku të gjitha pikat ekzistojnë
njëkohësisht në kohë.
Melodia përdor dimensionin në seri.
Një simfoni duke bashkuar harmoninë me melodinë, organizon vazhdimësinë edhe
njëkohshmërinë.
Vizatimi i animuar përveç hapësirës dydimensionale, ka edhe dimensionin e vazhdimësisë në
kohë.
Teatri lirik (opera) shfaqet në tri dimensione hapësinore, përpos vazhdimësisë dhe
njëkohshmërisë kohore.

3.Shkalla e paraqitjes (shfaqjes)


Disa forma arti si arti arabesk ose muzika e pastër i tregojnë shikuesit vepra ku të dhënat
organizohen vetëm sipas formës estetike dhe nuk kanë tjetër kuptim veç tyre.
Arte të tjera bashkojnë interpretimin e këtyre të dhënave për të treguar diçka (një portret nuk
është vetëm një tërësi e bukur ngjyrash, por edhe përfaqëson dikë).
Në këto arte të paraqitjes, të shkallës së dytë, dallojmë rastin ku gjëja e paraqitur nuk është
objekt material, por një ide, një përshtypje afektive, etj. (shembull). Është rasti i artit abstrakt,
paraqitës (pra përfaqësues, që tregon, që shfaq) por jo figurativ.
Është edhe rasti kur arti paraqitës është në të njëjtën kohë figurativ, që do të thotë se i paraqet
shikuesit dukjen (aparencën) nën të cilën objektet konkrete tregohen sipas perceptimit (për
shembull një pikturë peizazhi, një muzikë imitative).

Natyrisht ka edhe parime të tjera klasifikimi. Për shembull ndryshimi midis arteve kur artisti e
realizon veprën me trupin e vet, trupi është lënda (këngë, kërcim, performancë); ka raste kur
vepra është jashtë artistit (piktura, skulptura) dhe ka arte që praktikohen në vetmi ose para një
publiku.

Artizani dhe artisti


Artizan quhej fillimisht çdokush që i përkushtohej një arti, qoftë në kuptimin teknik të fjalës apo
në kuptimin e arteve të bukura. Montaigne-i thotë tek “Esetë”: “Piktor, poet ose ndonjë artizan
tjetër.”
Gjatë shek.XVII termat artizan dhe artist ndahen: artizani është një zanatçi puna e të cilit është
ekzekutim i pastër i materialit; ndërsa artisti, piktor, kimist apo orëndreqës, kryen një punë me
dorë e cila kërkon durim dhe njohje intelektuale dhe estetike.
Në shek.XIX kuptimi i fjalës artizan pëson sërish ndryshim: me lindjen e industrisë së rëndë, me
teknikat e prodhimit në seri me ndihmën e makinerive, punëtori i punës me dorë bëhet
ekzekutues, pra thjesht punëtor.
Termi artist përdoret për atë që i përkushtohet arteve të bukura dhe jo teknikës, çka e dallon nga
artizani teknik.
Ky term për artizanin përdoret akoma:
në kuptimin juridik dhe ekonomik, artizan quhet ai që e ekzekuton vetë punën me dorë ose me
ndimën e të afërmëve. Statusi i artizanit njihet në regjistrin e zanateve;
dhe në kuptimin estetik, artizani si prodhues i një objekti, modelin e të cilit e krijon vetë dhe e
realizon po vetë si diçka origjinale. Në këtë mënyrë artizani e bën modestisht të bukurën pjesë të
objekteve të zakonshme, të përdorimit të përditshëm.
Artet e bukura kanë një anë artizanale për sa i takon teknikës materiale. E njëjta gjë mund të
thuhet edhe për artin e teatrit.

Baza e fjalës artist (emër apo mbiemër) është artista (latinisht) që rrjedh nga ars.
Ne e pamë se termi artist përdorej në shek.XVIII edhe për kimistin apo orëndreqësin. Ishte një
kuptim arkaik i termit.
-Prej kësaj periudhe e deri më sot, artist quhet ai që realizon një vepër arti pikturë, skulpturë,
muzikë, kuptim ky pa ngjyresa lëvdimi apo gjykimi.
Në një kuptim më të ngushtë, dhe mjaft i përdorur në estetikë, artist është ai që krijon vepra arti
duke e dalluar atë nga ekzekutuesi jo krijues.
Quhet artist edhe ai që e praktikon një art si profesion (qoftë krijues apo ekzekutues).
Artist (si mbiemër) quajmë edhe atë i cili ka ndjeshmërinë dhe finesën për të vlerësuar të
bukurën në arte. Këtu fjala artist ka kuptimin e cilësisë shpirtërore, e karakterit dhe
temperamentit të personit. Në këtë kuptim përdorim edhe termat “amator”, “estet”.
Në gjuhën e zakonshme përdoret termi artist edhe për atë që realizon një kryevepër. Në fakt një
përdorim të tillë të termit nuk e ndesh në fjalorin teknik të estetëve.
Artist ka gjithashtu kuptim pezhorativ, për një person me sjellje të çuditshme dhe jo serioze.
Edhe ky kuptim përjashtohet nga fjalori i estetëve.

Për ta mbyllur
Shprehja shkenca e artit (gjermanisht Kunstwissenschaft) ose shkenca e përgjithshme e artit,
është përdorur nga disa estetë, si për shembull Max Dessoir, për të skicuar një lloj koncepti
teorik mbi estetikën. Sipas këtij koncepti estetika nuk shihet si “shkenca e së bukurës”, sepse
vetëm e bukura nuk mjafton si objekt i shkencës. Kurse arti, përkundrazi, do të ishte një fakt
konkret i prirur për të shërbyer si objekt shkencor.
Kështu estetika ka për objekt studimi artin – i cili ka qëllim të bukurën dhe vlerat estetike - po ka
objekt studimi edhe emocionet, ndjenjat, vlerat estetike - duke përfshirë kësisoj në fokus edhe
shikuesin, publikun.
Leon Tolstoi në veprën “Ç’është arti?”, shkruan: “Arti është një aktivitet i destinuar për të
përmbushur transmetimin e ndjenjave.” Thënë ndryshe për të ndikuar tek njerëzit përmes vetë
ndjenjave të tyre.

You might also like