You are on page 1of 4

TEMA: UNE E DUA QYTETIN TIM

TIRANËN
 
Tirana është qyteti më i madh i Shqipërisë dhe njëkohësisht kryeqyteti i saj. Një
qytet i zhurmshëm e plot jetë, Tirana ka mbledhur në gjirin e saj pothuajse 40%
të popullsisë që jeton në Shqipëri, që e shohin kryeqytetin si një mundësi më të
mirë për jetën dhe për të ardhmen e tyre. Tirana është gjithashtu edhe qendra
kryesore administrative, ku janë vendosur pothuajse të gjitha institucionet
shtetërore, si Presidenca, Kryeministria, Parlamenti Shqiptar, Gjykata e Lartë, të
gjitha ministritë, dhe institucionet e tjera shtetërore të nivelit te dytë e të tretë.
Në Tiranë janë të vendosura po ashtu të gjitha përfaqësitë diplomatike të
shteteve me të cilët Shqipëria ka marrëdhënie diplomatike, dhe selitë e
institucioneve politike të Evropës. Tirana është qendra më e madhe e edukimit
në vend, me një Korpus Universitar ku përfshihen të gjitha degët e edukimit, por
edhe me një numër të konsiderueshëm universitetesh private, të cilat ushtrojnë
aktivitet vitet e fundit.

Pak Histori
Tirana u themelua në vitin 1614, nga Sulejman Pashë Bargjini, një feudal i pasur i
kohës, nga fshati Mullet. Ai ndërtoi fillimisht një xhami dhe një hamam, që u bënë
pastaj bërthama e qytetit të ardhshëm. Mendohet që Tirana të ketë qenë një qendër e
banuar, qysh në kohën e Ilirëve, rreth shekullit IV para Krishtit. Rrënojat e qytetit
gjenden akoma sot në këmbët e malit të Dajtit, ku mendohet të ketë ekzistuar një
kështjellë. Një tjetër burim është zbuluar së fundmi pranë godinës së Parlamentit
shqiptar, gjatë punimeve në infrastrukturë. Supozohet se janë muret e një kalaje të stilit
bizantin, gjë që do ta çonte origjinën e lindjes së qytetit shumë më herët se shekulli
XVII. Një nga burimet e emrit të Tiranës, është pikërisht emri i kështjellës, “Tirkan”, e
cila përmendet për herë të parë në historinë e bizantinëve nga historiani Prokopius. Në
vitin 1920, në Kongresin e Lushnjes, Tirana u vendos të bëhej kryeqyteti i përkohshëm
i Shqipërisë. Statusin e saj përfundimtar e mori në vitin 1925.
Sot Tirana është një qytet që rritet dhe ndryshon përditë dhe është qendra më e
madhe tregtare dhe administrative në Shqipëri. Është një qytet i mbushur me hotele,
restorante, bare, pub-e, qendra dhe komplekse argëtimi, që mundësojnë një jetë aktive
dhe të shumëllojshme për të gjitha shtresat e popullsisë dhe për të gjithë të huajt që
vizitojnë Tiranën për arsye nga më të ndryshmet.
Gjithashtu Tirana është një qendër aktivitetesh kombëtare dhe ndërkombëtare të
rëndësishme, seminare, simpoziume, konferenca, festivale, spektakle etj, që e bëjnë
një qytet tashmë të njohur dhe të hapur me botën.
Argëtim
Nëse doni të keni një ide për argëtimin në kryeqytet, duhet të vizitoni rrethinat e gjelbra
të tij, mundësisht me një guidë njerëzore nëse nuk jeni të informuar. Është mirë që
këto rrethina t’i vizitoni në pranverë ose vjeshtë kur natyra ka shpalosur të gjithë
madhështinë e saj, por edhe stinët e tjera të vitit janë shumë të bukura. Ju mund të
kalëroni, të organizoni piknike, të laheni nëpër pishinat e resorteve të shumta, të ecni
në mal, të ekploroni bukuritë e shumta natyrore, të ushqeheni me produkte të
shëndetshme etj.
Por nëse preferoni të qëndroni në kryeqytet, kemi sërish shumë alternativa interesantë
për ju.
Në Tiranë do të gjeni me dhjetëra lokale dhe klube nate të gjinive të ndryshme, ku
mund të shkoni të shijoni muzikën që ju pëlqen. Klube jazz-i, pub-e, disko, kabare,
bistro, ambiente orientale, muzikë live, pa lënë mënjanë koncertet dhe aktivitetet e
shumta që luhen nëpër sallat e teatrove dhe qendrave të kulturës. Aktiviteti është
permanent dhe kënaqësia pa dyshim e garantuar.
Është e kuptueshme që pjesa më e madhe e aktiviteteve kulturore dhe argëtuese
zhvillohen në periudhën vjeshtë-dimër sepse vera i thith pothuajse të gjitha argëtimet
në bregdet.
Çfarë mund të vizitoni në Tiranë
Monumenti i heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, në qendër të Tiranës, një
sërë ndërtesash historike, Xhamia e Et’hem Beut, Kulla e Kahatit, 35 m e lartë,
ndërtuar më 1830. Nga maja e kullës, që është e hapur për vizitorët, mund të shijohet
një pamje fantastike e sheshit Skëderbej, Urën e Tabakëve, (shek XVIII), një fragment
të kështjellës së Justinianit, pranë Kinema Milenium 2, Monumentin Nënë Shqipëri, në
Varrezat e Dëshmorëve, që ndodhet në pjesën juglindore të kryeqytetit, Teatrin e
Operas dhe Baletit, Teatrin Kombëtar, Galerinë e Arteve Figurative, Qendrën
Ndërkombëtare të Kulturës, Pallatin e Kongreseve, Muzeun Historik, Muzeun
Arkeologjik, Muzeun e Shkencave të Natyrës, etj.
Në pjesën jugore shtrihet Parku i Madh i Liqenit, me një sipërfaqe prej 230 ha dhe
liqeni artificial në mes të tij me një sipërfaqe prej 55 ha. Në pyllin e Parkut të Madh,
rriten 120 lloje pemësh dhe bimësh dekorative dhe një numër i madh lulesh.
15 km në jug të Tiranës, ndodhet Kalaja e Petrelës, me një moshë dymijë vjeçare, e
ndërtuar nga fiset ilire të Albanëve, me prijës Glaukun. Kështjella ngrihet në majë të
kodrës, duke ofruar një panoramë të mahnitshme të të gjithë zonës. Në kohën e
Skënderbeut, kështjella është komanduar nga princesha Mamica, motra e Gjergj
Kastriotit dhe ishte pjesë e principatës së Krujës.
15 km në veriperëndim të Tiranës, ndodhet kalaja e Prezës, edhe kjo pjesë e
principatës së Krujës. E ndodhur pranë Aeroportit të Rinasit, kalaja është një pikë mjaft
e frekuentuar nga turistët, për pamjet unike që ofron.
Një tjetër vend interesant, është Shpella e Pëllumbasit, ose “Shpella e Zezë”, e zbuluar
vetëm kohët e fundit, 18 km larg Tiranës, në zonën e Skoranës. Me muret e
brendshme të veshura me stalaktite dhe stalagmite, ajo është jo vetëm një vend
tërheqës për vizitorët por edhe për studiuesit dhe speleologët.
25 km nga Tirana, ngrihet Mali i Dajtit, ku mund të kalohen pushime shumë të bukura,
të mbushura me aktivitete, si trekking, ekskursione, ski, etj. Tashmë ju mund të
shfrytëzoni edhe transportin e teleferikut, i cili e përshkon hapësirën për 15 min dhe ju
jep mundësinë të shijoni pamje të mrekullueshme të natyrës nga lart. Kjo shkurton
shumë kohën dhe krijon mundësi më të mëdha për të preferuar turizmin ditor që ofron
zona e malit të Dajtit. Në Parkun Kombëtar të Dajtit, rriten një numër i madh bimësh
dhe kafshësh dhe është e ndaluar rreptësisht gjuetia jashtë sezonit.
Një mundësi tjetër e mirë jashtë Tiranës është Mali me Gropa, ku njerëzit mund të
shkojnë të çlodhen, larg zhurmave të metropolit.
Jashtë Tiranës
Kur dëgjojmë këtë shprehje, kemi parasysh fshatrat që rrethojnë Tiranën nga të katër
anët e horizontit, pasi kemi dalë nga zonat e saj urbane. Edhe pse kohët e fundit janë
populluar shumë, ato vazhdojnë t’i rrinë Tiranës si një kurorë e gjelbër, ku ajri i pastër
dhe bimësia janë faktorë të lakmueshëm, krahasuar me zhurmën dhe rrugët plot beton
të kryeqytetit. Në secilën prej këtyre anëve të gjelbra të horizontit që rrethojnë Tiranën,
ju do të keni se ç’të vizitoni, të provoni kuzhinën e vendit apo të ushtroni sporte dhe
shëtitje në natyrë.
Të gjitha llojet  sportve mund t’i ushtroni në këto rrethina, të bëni surf, në liqen, të
ngjiteni në Malin e Dajtit, të bëni ski në dimër, të gjuani në sezonin e gjuetisë etj.

You might also like