You are on page 1of 2

AMOKSICILINA

VETITE FARMAKOLOGJIKE
 Amoksicilina është një aminopenicilinë gjysmësintetike. Kur jepet nga goja, përthithet më mirë se
ampicilina dhe përqendrimet në gjak janë më të larta. Ajo vepron si baktericid duke frenuar
sintezën e murit bakterial.
 Spektri i amoksicilinës mbi bakteriet gram-pozitive është i ngjashëm me atë të penicilinës, por ajo
vepron më dobët se penicilina G mbi S. pyogenes dhe S.pneumoniae. Bakteriet gram-negative të
ndjeshme ndaj saj janë: N. meningitidis, H. influenzae jo prodhues të beta-laktamazave, Bordetella
pertussis dhe disa bacile enterike si E. coli, Proteus mirabilis, Salmonella.
 Amoksicilina nuk përdoret në trajtimin e infeksioneve të shkaktuar nga stafilokokët, pasi shumica
e tyre prodhojnë beta-laktamaza. Shumica e shtameve të Klebsiella, Serratia, Acinetobacter,
Proteus indol-pozitiv, Pseudomonas dhe Bacteroides fragilis janë rezistentë.

INDIKIMET
 Infeksione të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes (sinusit, otit media, faringit)
 Infeksione të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes (bronkit, bronkopneumoni, pneumoni)
 Infeksione të traktit genito-urinar (përfshi cistitin)
 Infeksione kutane
 Ulcera duodenale e shoqëruar me infeksion nga H. pylori
 Profilaksi e endokarditit bakterial

KUNDERINDIKIMET DHE KUJDESI GJATE PERDORIMIT


 Amoksicilina nuk duhet përdorur tek pacientët me mbindjeshmëri ndaj penicilinës. Amoksicilina
duhet përdorur me kujdes tek pacientët me mbindjeshmëri ndaj cefalosporinave ose imipenemit.
 Ajo duhet të përdoret me kujdes tek të sëmurët me dëmtime të funksionit renal dhe dozat e saj
duhen modifikuar kur klirensi i kreatininës është më i vogël se 30 mL/min.
 Amoksicilina duhet përdorur me kujdes tek pacientët me anamnezë për sëmundje
gastrointestinale, sidomos kolit, pasi mund të riakutizojë këtë të fundit. Në qoftëse gjatë trajtimit,
ose menjëherë pas tij, shfaqet diarrhea duhet bërë diagnoza diferenciale me kolitin
pseudomembranoz të shkaktuar nga antibiotikët. Terapia me antibiotikë gjithashtu mund të çojë
në mbi-infeksione nga Candida.
 Amoksicilina mund të japë rezultate fallso pozitive për glukozuri (në vartësi të testeve të
përdorur).
 Pacientët me leukozë limfatike janë të predispozuar për të shfaqur rash medikamentoz. I njëjti
fenomen vërehet kur amoksicilina përdoret tek pacientët me infeksione virale dhe sidomos tek ata
që vuajnë nga mononukleoza.

EFEKTET ANESORE
 Efektet anësore më të shpeshta të penicilinave, përfshi amoksicilinën, janë reaksionet e
mbindjeshmërisë. Klinikisht këto reaksione mund të shprehen me rash kutan, sëmundje serumi,
deri me shok anafilaktik. Rashi mund të jetë i formave rash buloz, eritemë multiforme, dermatit
eksfoliativ, rash makulopapular me eritemë, nekrolizë toksike e epidermës, sindromë Stevens
Johnson, etj. Rashi kutan është më i shpeshtë në rastin e përdorimit të aminopenicilinave.
 Efekte anësore të zakonshme janë çrregullimet gastrointestinale, të cilat manifestohen me nauze,
të vjella, anoreksi, diarrhe, gastrit dhe dhimbje abdominale. Amoksicilina shkakton më pak
diarrhe se ampicilina.
 Ndër efektet anësore në SNQ më shpesh vërehet dhimbja e kokës. Më rrallë mund të vërehen
agjitim, hiperaktivitet motor, konfuzion, pagjumësi.
 Efektet anësore hematologjike zakonisht janë me natyrë alergjike dhe përfshijnë eozinofilinë,
hemolizën, trombocitopeninë, etj.
NDERVEPRIMET MEDIKAMENTOZE
 Probenecidi frenon sekretimin tubular të amoksicilinës dhe, për pasojë, rrit përqendrimet
plazmatike dhe zgjat kohëzgjatjen e veprimit të saj.
 Kombinimi i amoksicilinës me acidin klavulanik përmirëson aktivitetin e amoksicilinës ndaj
shtameve betalaktamazë prodhues (p.sh H.influenzae).
 Amoksicilina nuk duhet dhënë në të njejtën kohë dhe nuk duhet përzier fizikisht me antibiotikët
aminoglukozidikë, pasi ato janë të papërputhshëm kimikisht dhe fizikisht.
 Amoksicilina në doza të mëdha frenon sekretimin tubular të metotreksatit dhe kështu rrit efektet
toksike të tij.
 Amoksicilina mund të pakësojë efikasitetin e kontraceptivëve oralë që përmbajnë estrogjenë.

PERDORIMI GJATE SHTATZENISE


 Mund të përdoret (Kategoria B)

PERDORIMI GJATE USHQYERJES ME GJI


 Të përdoret me kujdes. Sasia që kalon në qumësht është e vogël. Të kontrollohet fëmija për
çrregullime gastrointestinale dhe reaksione alergjike.

DOZA DHE MENYRA E ADMINISTRIMIT

Me rrugë orale
 Për trajtimin e shumicës së infeksioneve të përmendura më lart
Tek të rriturit amoksicilina përdoren 750 mg/ditë, të ndara në 3 marrje. Doza dyfishohet në infeksione
të rënda.
Tek fëmijët deri në 10 vjeç përdoren 375 mg/ditë, të ndara në 3 marrje. Doza dyfishohet në infeksione
të rënda.
 Infeksionet respiratore purulente të rënda, ose rekurente, mjekohen me 6 gram/ditë, të ndara në 2
marrje.
 Për profilaksinë e endokarditit bakterial tek personat që do t’i nënshtrohen procedurave dentare,
ezofageale, në traktin respirator, gastrointestinal apo genitourinar, përfshi të sëmurët me proteza
valvulare, përdoren 3 gram amoksicilinë, 1 orë përpara ndërhyrjes.
Për terapinë orale afat-shkurtër me amoksicilinë të :
 absceseve dentare mund të përdoren 3 gram, që përsëriten mbas 8 orësh
 infeksioneve të traktit urinar përdoren 3 gram, që përsëriten mbas 10-12 orësh
 gonorresë jepet dozë e vetme 2-3 gram së bashku me probenicid 1 gram
 otitis media tek fëmijët 3-10 vjeç përdoren 750 mg çdo 12 orë për dy ditë

Me rrugë intramuskulare
Tek të rriturit amoksicilina përdoret 1.5 gram/ditë, të ndara në 3 marrje.
Tek fëmijët 50-100 mg/kg/ditë, të ndara në disa marrje.

Me injeksion ose infuzion intravenoz


Tek të rriturit përdoret 3 herë në ditë nga 500 mg, por doza mund të rritet deri në 4 gram/ditë, të ndara
në 4 marrje.
Tek fëmijët përdoren 50-100 mg/kg/ditë të ndara në disa marrje.

You might also like