You are on page 1of 4

Roli i ansambleve amatore – gjysmë profesionale

Kultura muzikore në Kosovë rrugën drejtë zhvillimit të saj e fillon pas mbarimit të Luftës së Dytë
Botërore, pas vitit 1945. Kosova si pjesë përbërëse e shtetit të atëhershëm Jugosllav, krijon deri diku
rrethana të reja ekonomike, sociale, politike e kulturore të cilat mundësojnë zhvillimin profesional si
dhe orientimin e muzikës artistike. Aktivitetet e para muzikore dijmë se kanë qenë nga shoqata
amatore muzikore të cilat janë regjistruar nga fundi i shekullit XIX në etapën e Rilindjes shqiptare.
Hapat e parë të muzikës artistike përfshijnë veprimtarinë e ansambleve amatore instrumentale,
frymore dhe ato vokale që formohen në qytete të ndryshme nëpër Kosovë. Nga viti 1887 deri në vitin
1892 në mënyrë të vecantë theksohet kori i katedrales “Zonja Ndihmëtare” në Prizren me shfaqje të
shpeshta dhe të profilizuara artistike të këngëve kishtare. Për veprimtarinë e këtij kori flasin edhe të
dhënat e asaj kohe se shteti austro-hungarez ka dhuruar një harmonium të cilin e shfrytëzon për
shoqërimin e pjesëve vokale. Këtë mënyrë të aktiviteteve muzikore në katedrale më vonë e pranojnë
edhe qytetet tjera. Interpretimi i këngëve korale kishtare bëhej me ndihmën e klerikëve në përkthimin
e teksteve nga gjuha latine, italiane në shqip.
Grupet e para instrumentale formohen gjatë viteve 30-të ku fillimisht formohen orkestra dhome
amatore dhe gjysmëprofesionale të cilat pasurojnë jetën muzikore duke ndikuar në zgjerimin e
kulturës muzikore. Ndër grupet e rëndësishme janë orkestrat frymore të cilat u krijuan në Kosovë ku
merrnin pjesë serbë, kroatë, sllovenë e pastaj që nga viti 1941 edhe shqiptarë. Në këto vite dallojmë
disa ansamble si më poshtë:
- Orkestra e mandolinave të Pejës – e formuar nga Franjo Vaculini (më vonë nën drejtimin e
Muhamet Belegut);
- Ansambli amator frymor në Mitrovicë – drejtuar nga Franjo Stern;
- Orkestra “Hajdar Dushi” – e riemëruar si “Bajram Curri”, në Gjakovë;
- “Kastrioti” – Ferizaj;
- “Ramiz Sadiku” – Prishtinë;
- “Gajreti” – Gjilan, i cili me kalimin e viteve shëndrrohet në një shoqëri kulturore artistike.

Në vitin 1944, në Prishtinë, Prizren, Gjakovë dhe Mitrovicë formohen katër orkestra frymore
ushtarake në të cilat përdoren instrumente me të goditur si cineli dhe baraban i vogël. Orkestra
ushtarake në Prishtinë përbëhej nga 30 muzikantë nën dirigjimin e Isa Drakulës, me po të njëjtin
numër muzikantësh përbëhej edhe ajo në Prizeren, nën dirigjimin e Stjepan Mateiqit. Orkestra frymore
ushtarake në Mitrovicë përbëhej nga 24 anëtarë nën drejtimin e Buco Ramadanit, ndërsa në Gjakovë
orkestra ishte më e madhe e përbërë prej 60 anëtarëve të drejtuar nga hungarezi Janosh Nemeti. Me
aktivitete e tyre koncertale këto orkestra shëndrrohen në inicues të rëndësishëm të jetës muzikore në
Kosovë.

Në nëntor të vitit 1944 në Prizren, përmes korit të intelektualëve shqiptarë Anton Ceta dhe Zekirija
Rexha formohet shoqëria kulturore artistike “Agimi” me kompozitor dhe dirigjent të korit Lorenc
Antonin i cili njëherit edhe është kompozitori i parë i muzikës artistike në Kosovë. Nga kuadër të kësaj
shoqërie amatore, muzika artistike në Kosovë filloi hapat e parë nga e cila u formua edhe kori mikst,
orkestra kamerale dhe grupi i dramës krahas ansambleve tradicionale të muzikë popullore. Në suazat e
kësaj shoqërie vepron edhe ansambli i parë kameral i përbërë nga anëtarë si Xh. Doda dhe N. Sherifi
në violinë, L. Antoni në violincel, A. Mjeda në kontrabass, K. Shroka në flaur, L. Mjeta në klarinetë, J.
Barashiq në lirë, N. Jaki në piano.
Në repertorin e këtij ansambli gjendeshin vepra nga epoka dhe stile të ndryshme muzikore si
“Serenada e mesnatës” – Mozart, “Simfonia e papërfunduar” – Schubert, “Valle hungareze” – Brahms,
transkriptime nga opera “Marta” dhe “Carmen”, si dhe vepra nga Lorenc Antoni.
Në vitin 1969, kompozitori, dirigjenti ynë i njohur Mark Kacinari themeloi korin e përzier “Collegium
Cantorum” me të cilin realizoi një numër të madh koncertesh duke u shpërblyer me cmimin e tretë në
Festivalin botëror të koreve në Britani të Madhe. Kori përbëhej nga 60-100 antarë, dhe funksionoi mbi
baza vullnetare dhe grupoi rreth vetes muzikantë amatorë e profesionist .Repertori i tij u përqendrua
kryesisht në muzikën korale a capella, duke përfshirë ndërkohë edhe vepra të mëdha vokalo-
instrumentale apo realizime koncertale të veprave operistike, si p.sh. kantatat e R. Mulliqit, V. Gjinit
dhe R. Dhomit apo operan Goca e Kaqanikut të R. Dhomit dhe fragmente korale nga operat e Verdit.
Me kalimin e kohës këtij ansambli vokal i bashkangjiten edhe instrumente frymore, perkusione duke
mbajtur koncerte me fragmente nga pjesë operistike nga Mozart, Rossin, Verdi etj. Kontributi që dha
ky kor në zhvillimin dhe përfaqësimin e vendit tonë në vende të ndryshme të botës u bë një nxitje për
kompozitorët e tjerë si dhe një mbështetje serioze në realizimin e shumë veprave shqiptare të Kosovës.
Në vitet 70-të të shekullit XX, më saktësisht në vitin 1975 në Prishtinë formohet orkestra e parë
profesionale simfonike e Radio Televizionit të Prishtinës, kori profesional si dhe ansambli i baletit
pranë teatrit popullor. Deri në fund të viteve 80-të, orkestra përbëhej nga 40 deri në 45 anëtarë me
shumicë serbe dhe një numër më të vogël shqiptarësh. Në dekadat e para, kjo orkestër karakterizohet
nga një aktivitet i madh dhe pjesmarrje nëpër festivale të ndryshme vendase në shumë qytete të ish-
Jugosllavisë si dhe jashtë vendit. Orkestra simfonike e RTP-së shndërrohet në shtyllë të muzikës
orkestrale në Kosovë duke interpretuar me shfaqjet premierë nga vepra simfonike vendase si Simfonia
e parë Kosovare e Rexho Mulliqit. Kështu vazhdon edhe me paraqitjen e transkriptimit të operës së
dytë të Rauf Dhomit “Dasma arbëreshe”.
Të gjitha institucionet e lartpërmendura, në vitin 1991 suprimohen nga regjimi nacionalshovinist serb
dhe gati për 10 vite shkollat, aktivitetet do të mbahen nëpër hapsira apo shtëpi private fshehurazi. Një
vit pas përfundimit të luftës në Kosovë, me iniciativën e muzikantëve vendas dhe me përkrahjen e
Qeverisë të Kosovës, në vitin 2000 në Prishtinë formohen orkestra dhe kori i Filharmonisë së Kosovës
si dhe Opera Kosovare. Për shkak të mungesës së muzikantëve, fillimisht u krijua Orkestra Kamerale e
Filarmonisë e përbërë nga 14-16 muzikantë nën dirigjimin e Bahri Celës, me drejtor artistik celistin e
njohur Antonio Gashin dhe me koncertmjeshtër violinisten Sihana Badivuku. Aktivitetet e orkestrës së
operës kosovare përfshinin kryesisht koncerte operistike gala dhe arie e fragmente nga opera të
Mozart, Wagner, Verdi, Bizet etj.
Roli dhe kontributi i këtyre ansambleve ishte shumë i rëndësishëm si dhe shtytës drejtë zhvillimit dhe
formimit artistik profesional muzikor të vendit tonë ku sot gëzojmë ansamble orkestrale e korale të
ndryshme në nivele botërore të cilat kontribuojnë në vazhdimin e njohjes, identifikimit të popullit dhe
kulturës tonë muzikore nëpër botë. Filharmonia e Kosovës sot është institucioni më i lartë i muzikës
klasike serioze në Republikën e Kosovës e cila së bashku me korin dhe orkestrën numëron rreth 120
anëtarë e që brenda një sezoni koncertal realizojnë mbi 30 koncerte dhe aktivitete muzikore me vepra
nga kompozitor të ndryshëm botëror dhe vendas. Përvec Filharmonisë, në Kosovë aktualisht
funksionon edhe KYO – Orkestra e të rinjve të Kosovës, e cila mbledhë muzicient të rinj nga Kosova
dhe jashtë saj nga nivele të ndryshme të edukimit muzikor. Kjo orkestër është formuar në vitin 2009
nga dirigjenti Kushtrim Gashi dhe ka arritur të interpretoj në vende të ndryshme në botë. Orkestra
numëron diku rreth 40 instrumentist aktiv me dirigjent Kushtrim Gashin dhe asistent dirigjent
Hajrullah Sylën.
Disa nga ansamble të tjera muzikore aktive që funksionojnë në vendin tonë:

 Orkestra frymore Prizreni, Prizren – Edon Ramadani (dirigjent)

 Ansambli kombëtar i këngëve dhe i valleve “Shota”, Prishtinë

 Kori i grave “Okarina”, Prishtinë – Elikonë Hysaj Shala (dirigjente)

 Kori “Siparantum”, Pejë – Memli Kelmendi (dirigjent)

 Ansambli vokal “Zanat”, Prishtinë- kuintet

 Okteti Plus, Prishtinë

 Ansambli vokal “ReMusica”, Prishtinë – Rafet Rudi (dirigjent)

Syarta MEHMETI
Referencat:

Kryeziu Breznica Rreze, “Goca e Kacanikut”, Prishtinë


Berisha Engjëll, “Studime dhe vështrime për muzikën”, (2004), Prishtinë
Rudi Rafet, “𝗡𝗲̈ 𝗸𝗲̈𝗿𝗸𝗶𝗺 𝘁𝗲̈ 𝗴𝗷𝘂𝗿𝗺𝗲̈𝘃𝗲 (te humbura) 𝘁𝗲̈ 𝗷𝗲𝘁𝗲̈𝘀 𝗺𝘂𝘇𝗶𝗸𝗼𝗿𝗲 𝟭𝟵𝟳𝟱-𝟭𝟵𝟵𝟬”
https://www.kosovoyouthorchestra.com/

You might also like